14.5 C
Prizren
E hënë, 13 Prill, 2026
Home Blog Page 6093

Një grup i të rinjve dhe studentëve prizrenas vizituan Zagrebin

0

Me ftesë të kryetarit të Zagrebit, Milan Bandic, një grup i të rinjve dhe studentëve nga Prizreni kanë vizituar qytetin e Zagrebit në një vizitë disa ditore.

Qëllimi i vizitës ishte njohja për së afërmi me zhvillimin e përgjithshëm të Zagrebit si kryeqytet i Kroacisë në dimensionin ekonomik, kulturor si dhe me problemet e sfidat që përballen qytetarët dhe të rinjtë kroatë.

“Vizita me theks të veçantë u fokusua edhe në diskutimet që lidhen me shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave në punën dhe aktivitetet rinore, duke diskutuar për mundësitë konkrete të partneritetit me organizatat dhe asociacionet rinore në Zagreb por edhe në mbarë Republikën e Kroacisë. E rëndësishme ishte edhe njohja me rrugëtimin e Republikës së Kroacisë, si një ish-republikë Jugosllave deri tek anëtarësimi i plotë në Unionin Europian si dhe për hapësirën dhe kontributin e të rinjve në këtë aspekt”, thuhet në njoftim të dërguar nga Leotrim Gërmizaj.

Grupi i të rinjve i udhëhequr nga Leotrim Gëmizaj, u takuan me përfaqësues të institucioneve komunale të qytetit të Zagrebit, me përfaqësues të Këshillit të Rinisë së Zagrebit, me përfaqësues të Rrjetit të të rinjve shqiptarë në Kroaci, si dhe vizituan dhe realizuan takime në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb si dhe në Unionin e Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë. /PrizrenPress.com/

Tenton të vetëvritet një femër në Prizren

0

Policia e Kosovës njofton se një femër në Prizren për motive të panjohura ka tentuar të vetëvritet duke përdor sasi të tepruar të medikamenteve, shkruan PrizrenPress.

Në raportin e Policisë thuhet se viktima është dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Hetime të reja për krime lufte në rastin Limaj

0

Prokuroria Speciale ka iniciuar hetime të reja për ngjarjet e vitit 1998 në fshatin Bellanicë të Malishevës.

Hetimet janë iniciuar pas raportimeve të Emisionit “Drejtësia në Kosovë” ku ishin zbardhur dyshime të reja për përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje.

Më 2 tetor 1998 persona të maskuar e me uniforma të UÇK-së kishin kidnapuar Ramiz Hoxhën nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishin nga fshati Banjë, komuna e Malishevës.

Këta të dy ishin ekzekutuar po të njëjtën ditë në afërsi të fshatit Kravasari të Malishevës.

Për këtë ngjarje që ndodhi në fund të tetorit, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Limajt.

Aktakuza pretendon se Limaj si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndaluar vrasjet e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Dy javë pas ngritjes së kësaj aktakuze, Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar një reportazh me rrëfimet e aktorëve të ngjarjes. Gjatë emisionit dëshmitarët e rastit kanë kujtuar se kanë dëgjuar personat e maskuar tek thirreshin me nofka.

Vëllai i Ramiz Hoxhës, Hajriz Hoxha, kishte kujtuar fjalët që të maskuarit shkëmbyen me njëri-tketrin. “Njani erdh prej atje, tu ardhë knej, ky tjetri i bërtiti: ‘Ftyrë’, dil në vend tondin. Veç kaq, ma tutje s’i njoh kush janë konë,” kishte thënë Hoxha për “Drejtësia në Kosovë”.

Njëri nga pjesëtarët e UÇK-së që në atë kohë kishte mbajtur këtë nofkë, nuk ka pranuar të flasë për “Drejtësia në Kosovë” duke mohuar se ka gisht në këtë ngjarje.

Pak javë pas transmetimit të këtij emisioni, prokurorja e rastit Drita Hajdari ka lëshuar një autorizim të ri për policinë për të hapur një hetim shtesë lidhur me këto pretendime.

“E kam lëshu autorizimin policisë me u marrë në pyetje Hajriz Hoxha lidhur me atë deklaratë. Tash e kemi fazën tjetër dhe për këtë është rrezik me ofru informacione të tjera se kush është ‘Ftyra’ apo si kemi me e zbulu se kush është ai,” ka thënë Hajdari.

“Drejtësia në Kosovë” në hulumtimin e nëntorit të këtij viti solli rrëfimet e atyre që përjetuan ngjarjet e vitit 1998 në Bellanicë.

Në mesin e rrëfimeve të transmetuara, përmendet letra e nënshkruar në emër të Policisë Ushtarake të UÇK-së, përgjegjësinë për të cilën e mohoi në vazhdimësi i akuzuari për këtë rast Fatmir Limaj duke pretenduar se nuk ka lidhje me këtë çështje dhe po ashtu duke bërë thirrje që për letrën të pyeteshin antarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së

Në ngjarjet përreth Balancës Drejtësia në Kosovë solli edhe rrëfimet e aktivistëve të LDK-së të cilët gjatë kohës së luftës ishin mbajtur në burgjet e UÇK-së.

Jakup Kastrati një aktivist i LDK-së dhe ish kryetar i Komunës së Malishevës ka rrëfyer burgosjen dhe lirimin e tij nga UÇK-ja gjatë vitit 1998.

Aktakuza për rastin Bellanica është ndër aktakuzat e para të ngritura nga prokurorë vendorë për krime të luftës. /Kallxo.com/

Rrëfimi i Ukë Rugovës për biznesin me viza

0

Insajderi sjell material ekskluziv të marrjes në pyetje të Ukë Rugovës nga hetuesit e EULEX-it. Rugova pyetet nga hetuesit për miqësinë me Izet Beqirin e kërkuar nga Interpoli, për numrin e aplikacioneve për viza që ka dorëzuar në ambasadën italiane në Prishtinë si dhe për njohjen me tre ish-zyrtarët e kësaj ambasade Michal Giffonin, Florian Petanin e Fawzi Habib.

“Ndërmjetës pa pagesë me qëllime humane”, ishte përshkrimi që Ukë Rugova ia ka bërë vetes kur më 15 prill të vitit 2014, ishte marrë në pyetje nga hetuesia e EULEX-it lidhur me biznesin e vizave italiane.

Madje gjatë intervistimit disa orësh, në një moment i kërkon ndjesë hetuesve policorë për rrëmbimin nga emocionet kur flet për varfërinë në vend.

Duke provuar ta bindë hetuesin e EULEX-it se ndërmjetësimi për viza përbente vepër humane, ia përmend rastin “Tisa”, ku gjeten vdekjen disa veta duke tentuar të ikin ilegalisht nga Kosova.

Por ish-deputeti Rugova kishte mbetur i pa fjalë kur hetuesit policorë ia kishin kërkuar një koment lidhur me një bisedë telefonike që kishte bërë me Izet Beqirin.

Ukë Rugova bashkë me Beqirin akuzohen se kanë udhëhequr një grup kriminal, i cili ka përfituar para njerëzit që kërkonin të pajiseshin me viza Shengen. Insajderi ka siguruar komplet dosjen e rastit ‘Grande’, ku njëzet veta akuzohen se kanë përfituar nga biznesi i shitjes së vizave. Pjesë e dosjes është intervistimi i Ukë Rugovës nga hetuesit e EULEX-it.

Aty tregohet se hetuesit e kishin përballur Rugovën me një fakt të rëndësishëm: biseda e datës 31 dhjetor e vitit 2013, e zhvilluar në ora 13:12, ku Rugova e Beqiri, sipas prokurorisë, bisedonin për vizat italiane.

Hetuesit policorë kishin pyetur Rugovës nëse mund ta lëshonin për dëgjim bisedën e tij me Beqirin. Kishte pasuar reagimi i Bajram Tmavës, avokatit të Ukë Rugovës.

Kishte kërkuar që të mos lëshohej incizimi.

“Nëse ju insistoni në dëgjimin e atyre bisedave atëherë unë do e këshilloj klientin tim që të mos jap ndonjë koment apo përgjigje për to ngase dhënia e komenteve të tilla nëse procedura është duke vazhduar do të thotë se do kemi kohë të mjaftueshme për t’u ballafaquar me to, pra me t’i marrë edhe neve përgjimet, dhe pastaj nëse ka nevojë, dy zotërinjtë që e kanë zhvilluar bisedën mund të ballafaqohen me njëri-tjetrin”, kishte thënë Tmava, gjatë intervistimit.

Ukë Rugova nuk kishte thënë asnjë fjalë të vetme. Kishte dëgjuar këshillën e avokatit për të heshtur.

Por, hetuesit policorë kishin vazhduar me pyetje tjera për Izet Beqirin.

Ishte pyetur se nga e njihte dhe se çfarë marrëdhënie ka me të.

“Po me emër, e kam dëgjuar emrin e tij në vitin 1992/1993, në kohën kur Izeti e priste Zt. Rugovën. Personalisht e kam takuar në vitin 1999. Familja e tij ishte përkrahëse e madhe e Presidentit Rugova dhe e LDK-së”, pohonte Rugova.

Kishte shtuar se nga viti 2006 e tuje kishte shpeshtuar takimet me Beqirin.

“E kam shok të mirë por është edhe mik i familjes. Ne nuk e harrojmë çfarë ka bërë ai për Presidentin në vitet e 90-ta”, kishte treguar Rugova.

Po ashtu, ishte pyetur edhe për gjendjen ekonomike të Beqirit. Kishte thënë se ka biznes familjar që merret me dyer dhe dritare.

Kishte pasuar një pyetje e hetuesve në të cilën Rugova nuk kishte parapëlqyer të përgjigjej.

Ishte pyetur se a ishte në dijeni se miku i tij, Izet Beqiri, ishte subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar.

Ish-deputeti Rugova kishte heshtur.

“E këshilloj klientin tim të mos përgjigjet në këtë pyetje. Këto janë rrethana personale të Zt. Beqirit dhe vetëm ai mund të përgjigjet”, kishte pohuar avokati i tij.

“Ndihmoja mbështetësit e LDK-së dhe të presidentit Rugova”

Para hetuesve të EULEX-it, i akuzuari kryesor Ukë Rugova ishte pyetur edhe lidhur me provat që ishin gjetur në shtëpinë e tij.

Shtëpia e Ukë Rugovës ishte bastisur më 5 shkurt 2014. Aty ishin gjetur dhe konfiskuar edhe lloje dokumentesh të ndryshme si: aplikacione vizash bashkë me dokumentet tjera përcjellëse, pasaporta, dhe letra mbështetëse të adresuara për Ambasadën Italiane dhe dokumentacione tjera dhe pajisje të teknologjisë informative.

Kishte thënë se shumica e dokumenteve i përkasin pjesëtarëve të familjes së gjerë, disa bashkëpunëtorëve të babait të tij e disa tjera i përkisnin personave që e mbështesnin LDK-në dhe Presidentin e ndjerë.

“Shumicën e pasaportave m’i kanë sjell mua bashkëpunëtorë të ndryshëm dhe shokë të mi dhe jo nga ata (aplikuesit për viza) personalisht”, pohoi Rugova.

Por kush ishin shokët që i sillnin tek ai, ishte pyetur ish-deputeti Rugova.

“Disa prej tyre individualisht e disa m’i kanë sjell personat si Astrit Haraqia dhe Faton Shoshi”, kishte thënë Rugova.

Politikani Haraqia ka qenë më herët ministër i Kulturës dhe bashkëthemelues me Ukë Rugovën i “Listës Ibrahim Rugova”. Haraqia ka mohuar në vazhdimësi se këtë veprim e ka bërë për përfitime personale.

Ndërkaq Shoshi është menaxher i këngëtares Era Istrefi dhe ka në pronësi portalin Indeksonline. Edhe Shoshi, i kontaktuar nga Insajderi, ka mohuar se ka bashkëvepruar me Ukë Rugovën për qëllime përfitimi.

Njerëzit e Ukë Rugovës në ambasadën italiane në Prishtinë

Pas pranimit të dokumentacioneve të aplikuesve për viza nga Ukë Rugova, hapi tjetër ishte dorëzimi në Ambasadën Italiane.

“Unë kam pasur marrëdhënie të mira me Zt. Giffoni, Ambasadorin, i cili ka qenë shok i babait tim të ndjerë, Presidentit Rugova, me të cilin ata njiheshin që nga viti 1990. Fillimisht, unë personalisht kontaktoja me Ambasadorin dhe pastaj unë vet ia dërgoja ato apo dikush si për shembull, shoferi im i dërgonte në ambasadë”, rrëfente Rugova para hetuesve.

Rugova kishte konfirmuar faktin që i dërgonte Giffonit letër garanci, ku përfshiheshin një listë emrash që duhej të pajiseshin me viza. Letër garancitë e Ukë Rugovës ishin në emër të familjes Rugova.

Thoshte se kjo praktikë aplikohej që nga viti 1990, në kohën e babait të tij.

Ishte, sipas tij, një formë standarde që Zyra e Presidentit garantonte për të afërmit dhe bashkëpunëtorët e partisë dhe të Presidentit.

Ai tregonte për njerëzit që atëkohë merreshin me vizat. Ka përmendur Edita Tahirin e Alush Gashin, që të dy atëkohë pjesë e seksionit të LDK-së për marrëdhënie me jashtë.

Përveç tyre, kjo praktikë ishte ndjekur më pas edhe nga Adnan Merovci, atëkohë shef i protokollit të Presidentit Rugova, Skënder Hyseni, Naser Rugova e Sali Cacaj- këshilltar të Rugovës si dhe asistentja Lumturije Shabani.

“Në njëfarë mënyrë po përpiqem të shpjegoj se zyra e Presidentit Rugova ka qenë në njëfarë mënyre si zyre qendrore ku shkonte e gjithë popullata me kërkesa të ndryshme. Në mesin e atyre kërkesave ishin edhe ato për viza”, tregonte i akuzuari Rugova.

E njëjta, sipas tij, kishte ndodhur edhe për rastet për të cilat është duke u akuzuar.

Njerëzit kishin kërkuar ndihmë nga ai dhe nuk kishte përtuar ta bënte këtë, pohonte Rugova para hetuesve të EULEX-it.

Por cili ishte kontakti i grupit në ambasadën italiane në Prishtinë?

Florian Petani, një zyrtar i ambasadës italiane ishte caktuar nga ish-ambasadori Giffoni që të merrej me kërkesat e Ukë Rugovës.

Por si ishte njohur Uka me Florian Petanin?

Kishte pohuar se si emër e kishte njohur që prej vitit 2004.

“Aso kohe ai ka qenë personi i cili ia mundësonte familjes time marrjen e vizave; në kohën kur shef i zyrës Italiane ka qenë Salzano. E kam njohur atëherë sepse siç thashë ai kishte kontakte me Salih Cacajn. Aso kohe ne i kemi marr vizat për të shkuar në Itali me pushime familjare. Sërish në vitin 2005 ka ndodhur e njëjta procedurë me të vetmin ndryshim se Patrik Mura ishte në zyre”,

Por personalisht e kishte takuar tek më 2009 pas rekomandimit të Giffonit.

Thotë se kishte vetëm marrëdhënie pune, por me kalimin e kohës ishin bërë edhe shokë. Tregonte se me Petanin takoheshin nga 4 apo 5 herë në muaj.

“Fillimisht, unë personalisht kontaktoja me Ambasadorin dhe pastaj unë vet ia dërgoja ato apo dikush si për shembull, shoferi im i dërgonte në ambasadë”, thoshte Rugova duke shtuar se kur ish-ambasadori Giffoni mungonte, atëherë kontaktonte me Florian Petanin.

Nga Petani kishte marrë një emër të cilit duhej t’i dërgoheshin letrat mbështetëse në emër të familjes Rugova. Ishte Favzi Habib, një ish-zyrtar tjetër i ambasadës italiane i akuzuar se ka ndihmuar klanin e Ukë Rugovës.

Rugova kishte pohuar para hetuesve se Habibin nuk e njihte personalisht.

“Nuk e njoh personalisht, por në rastet kur Ambasadori Giffoni nuk ishte i pranishëm, atëherë unë i drejtohesha atij ngase ai ka qenë shefi i sektorit të vizave në Ambasadën Italiane”, kishte thënë Rugova.

I biri i ish-presidentit Rugova ishte pyetur nga hetuesit edhe se sa është numri i aplikacioneve për viza që kishte dërguar në ambasadë. Kishte pohuar se nuk mund ta thoshte me saktësi, por se zakonisht çdo tre muaj dërgonte nga 20 apo 30 aplikacione.

Rugova kishte pohuar se zakonisht njerëzit sjellin tek ai “pasaportat bashkë me sigurimin shëndetësor dhe me dy apo tri fotografi”.

Më pas atyre dokumenteve, Rugova ia bashkëngjiste edhe një letër mbështetëse dhe i dorëzonte në Ambasadën Italiane në Prishtinë.

Rugova kishte pohuar se kontrata e punës dhe deklaratat bankare nuk kërkoheshin decidivisht nga ambasada, por vetëm mund të lehtësonin procesin e marrjes së vizave.

Për kryerjen e këtyre shërbimeve Rugova thoshte se nuk kishte marrë asnjë cent. Këmbëngulte se e kishte bërë për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

“Jo, ishte më shumë kënaqësi që kisha për ti ndihmuar njerëzit në nevojë. Ndoshta u rrëmbeva pak kur po e shpjegoja situatën në Kosovë por është emocionale për të gjithë qytetarët e Kosovës. E bëja më shumë për të iu mundësuar njerëzve të lëviznin të lirë”, pohonte djali i ish-presidentit Rugova, para hetuesve të EULEX-it. /Insajderi.com

Këto janë premtimet që e kthyen Listën Serbe në Kuvend

0

Shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë se janë kthyer në Kuvend për t’i bërë presion koalicionit qeverisës që të ecet më shpejt me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Sipas opozitës, Lista Serbe ka bërë marrëveshje me partitë në pushtet për kthimin e tyre në institucione

Pas bojkotimit disamujor të institucioneve vendore Lista Serbe është kthyer në Kuvendin e Kosovës për ta jetësuar, sipas tyre, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, apo siç njihen në sintagmën e opozitës “Zajednicën”.

Edhe pse në Qeverinë e Kosovës nuk e përmendin arsyen e rikthimit, janë deputetët e Listës Serbe ata që tregojnë se çfarë i ka shtyrë të kthehen në institucionet e Kosovës pas rebelimit disamujor për rastin “Trepça”.

Derisa përfaqësues të koalicionit qeverisës thonë se Asociacioni nuk do të ketë kurrfarë kompetencash ekzekutive, ata të opozitës konsiderojnë se Serbia po tenton ta shtrijë ndikimin e saj në Kosovë edhe me ndihmën e Prishtinës. Madje siç ata janë shprehur, Lista Serbe ka bërë marrëveshje me partitë në pushtet për kthimin e përfaqësuesve serbë në Kuvend. /Zëri/

Thaçi, më i dobët se Jahjaga

0

Brenda një viti në krye të shtetit presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është treguar si lider i dobët në politikën e jashtme dhe në ruajtjen e unitetit brenda kombit. Madje, sipas analistëve politikë, Thaçi është treguar president më i dobët sesa ish-presidentja Atifete Jahjga, e cila doli nga “zarfi” dhe nuk kishte përvojë politike.

Po ashtu analistët vlerësojnë se presidenti i ka neglizhuar problemet me të cilat është përballur vendi e për të cilat do të mund të merrte diçka konkrete. Ndërsa pika më e dobët e presidentit Thaçi, sipas tyre, është mungesa e liderit unifikues. Në opozitë, ndërkaq, Thaçin e konsiderojnë si kryetar të PDK-së dhe jo si president./zeri/

Fundi i botës unipolare në Siri

0

Faik MIFTARI

Shtetet e Bashkuara të Amerikës si fuqi e vetme udhëheqi plot 20 vjet rendin e ri botëror, botën unipolare (1990-2010), meqë nuk kishte rival , pasi që Rusia u dobësua pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Kina akoma ishte në fazën e zhvillimit ekonomik. Por pas vitit 2010, në skenën botërore fuqishëm dolën Rusia dhe Kina të cilët arritën një zhvillim të hovshëm politik, ekonomik, ushtarak, dhe filluan të konkurrojnë SHBA-ve . Bota unipolare dalëngadalë filloi të lëviz drejt një bote multipolare në themelim.

Këtë e kishte paralajmëruar kohë më parë edhe Henri Kisinxheri, diplomat me përvojë dhe ish sekretari shtetëror i State Departamentit amerikan, i cili në librin e vet “Diplomacia” ka cekur:” Sistemi botëror në shekullin XXI do të përngjajë sistemit shtetëror evropian të shek. XVIII dhe XIX, në skenë do të jenë së paku 6 fuqi të mëdha botërore, SHBA-ja, Evropa, Rusia, Kina, Japonia dhe India, sikurse edhe një numër shtetesh me ndikim rajonal”. Ky paralajmërim i Kisinxherit për skenën politike botërore të shek. XXI u reflektua në realitet në rastin e luftës në Siri, me ç’rast u bë ballafaqimi direkt i dy blloqeve të kundërta të formuara në Siri në gërshetimin e interesave të tyre politike, ekonomike, strategjike, energjetike, të sigurisë etj.

Në njërën anë ishte blloku i përbërë prej SHBA-ve, Britanisë së Madhe , Francës etj., si dhe shteteve rajonale, Turqisë, Arabisë Saudite, Izraelit, Katarit, Jordanisë etj., dhe në anën tjetër ishte blloku i përbërë prej Rusisë e Kinës, dhe shteteve rajonale Iranit, Libanit, Irakut e Sirisë. Pikërisht në Halep të Sirisë ndodhi fundi i botës unipolare dhe krijimi i botës multipolare, pasi që blloku i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rastin e Sirisë përjetoi disfatë, u mposht nga blloku i kryesuar nga Rusia, në tri aspekte kryesore që e karakterizuan luftën në Siri.

Aspekti i parë , ishte gjeopolitik, Rusia në Siri qysh nga koha e ish Bashkimit Sovjetik, e kishte ruajtur ndikimin e saj në të vetmin shtet arab, duke e përdorur bazën detare në Tartus, dhe tani jo vetëm që arriti ta ruajë, por e zgjeroi edhe me bazën ajrore të ndërtuar në Hmeim. Përveç Sirisë, tani haptas shihet se Rusia ndikimin e saj gjeopolitik e ka zgjeruar edhe në Irak, Iran, Liban, e në kohën e fundit po duket në horizont zgjerimi i Rusisë edhe drejt Egjiptit, Libisë, etj.
Aspekti i dytë , ishte aspekti energjetik, në të cilin në mënyrë indirekte kemi përplasjen në mes SHBA-së dhe Rusisë, lidhur me pasuritë nëntokësore të vendeve arabe, të naftës, e tani në kohën e fundit edhe të gazit natyror, i cili është zbuluar në sasi të mëdha në Iran dhe Katar. Gara në mes Iranit dhe Katarit për ndërtimin e gazsjellësit nëpërmjet Sirisë drejt brigjeve të detit Mesdhe përfundoi me disfatën e Katarit, pasi që ofertën e Katarit për ndërtimin e gazsjellësit të tij nëpër Siri e refuzoi kryetari sirian Asadi, dhe tani pas përfundimit të luftës me siguri do të jetë Irani ai që do të ndërtojë gazsjellësin e vet nëpër Siri drejt brigjeve të detit Mesdhe.

Aspekti i tretë i konfliktit sirian ishte aspekti i sigurisë, i cili kryekëput ka të bëjë me sigurinë e Izraelit nga rreziku i ashtuquajtur të “boshtit të së keqes”, apo” boshtit të rezistencës” për të cilin ishin të interesuara pikësëpari SHBA-ja në mënyrë të drejtpërdrejtë për të ruajtë sigurinë e Izraelit. SHBA-ja me aleatët e saj janë përpjekur të thyejnë boshtin e rezistencës propalestineze, në Siri, të përbërë nga Irani, Iraku, Siria, Hezbollahu dhe Hamasi. Pas disfatës së përjetuar në Liban gjatë vitit 2006 me Hezbollahun, me ç’rast Izraeli nuk arriti objektivat ushtarake të përcaktuar më parë, SHBA-të ishin të vetëdijshme se kurrizi mbështetës i Hezbollahut ishte Siria, i vetmi shtet që nuk lidhi marrëveshjeje paqe me Izraelin dhe nuk e ndali përkrahjen e saj kauzës palestineze. Tani, pas përfundimit të luftës në Siri, kjo mbështetje e Asadit boshtit të rezistencës palestineze jo që do të ndalet por me siguri edhe do të përforcohet.

Përveç aktorëve kryesor të përfshirë në Siri, SHBA-ve dhe Rusisë, kemi edhe një varg shtetesh tjera të rajonit të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthore që nëpërmjet luftës së Sirisë donin të realizonin interesat e tyre politike dhe shtetërore në kurriz të Sirisë. I pari me siguri, është Izraeli, i cili tani me përfundimin e luftës në Siri, do të ndihet më i pasigurt, pasi që kufijtë e vet do të ketë të atakuar, për shkak të përvojës së madhe luftarake të fituar nga luftimet në Siri, të Hezbollahut, e të cilën gjë me siguri Asadi nuk do të braktis atë duke mos harruar ndihmën e Hezbollahut dhënë forcave qeveritare ushtarake siriane. Këtë shqetësim haptas e shprehu kryeministri izraelit me rastin e vizitës së tij para ca ditëve në Kazakistan, ku në mes tjerash ceku:” tani e tutje do të ketë kërcënime të mëdha potenciale për kufijtë shtetëror të Izraelit, në radhë të parë në mënyrë direkte nga Hezbollahu, ndërsa në mënyrë indirekte edhe nga Irani, pasi që është i sigurt se Irani dëshiron të shkatërrojë Izraelin”.

Katari është humbës i madh në aspektin ekonomik pasi që i dështoi plani për ndërtimin e gazsjellësit nëpërmjet Sirisë, edhe pse investoi mjete marramendëse financiare për realizimin e qëllimit të tij për rrëzimin e regjimit të Bashar el Asadit.

Arabia Saudite poashtu ishte kundërshtare e rreptë e regjimit të Asadit, e cila ka bërë çmos për të parandaluar depërtimin dhe zgjerimin politik të Iranit në rajonin e Lindjes së Afërt, porse tani ky zgjerim politik rajonal i Iranit u konkretizua në Irak, Siri, Liban, dhe tani po shkon drejt zgjerimit edhe në Jemen e Bahrejn. Turqia është humbëse më e madhe në luftën e zhvilluar në Siri, pasi që mbeti e vetme në moçalin e Sirisë, nga cila mund të ketë reperkusione të paparashikueshme për ardhmen e saj. Turqia e cila ishte në bllokun e shteteve të kryesuara nga SHBA-të për rrëzimin e regjimit të Bashar el Asadit, dhe ishte kryesore krahas Arabisë Saudite për realizimin e këtij qëllimi, duke parashikuar se “për tre muaj do të bjerë regjimi i Asadit”.

Pas tentimit të pasuksesshëm të grusht shtetit ushtarak kundër pushtetit civil, Erdogani tani ka bërë kthesë nga politika e tij properëndimore, drejt përafrimit të politikës së tij me Rusinë dhe Iranit, që dolën si forcë ngadhënjyese në Siri, e që u dëshmua edhe në realitet tani,me takimin trepalësh para ca ditëve në Moskë, në mes Rusisë, Iranit dhe Turqisë në rangun e ministrave të punëve të jashtme lidhur për përfundimin e luftës në Siri. Kjo politikë kthesë e Erdoganit është rezultat i frikës së mundshme të shpalljes së shtetit të Kurdistanit. Irani për dallim nga Turqia, Arabia Saudite, Izraeli e Katari, jo që arriti të ruaj ndikimin e vet rajonal në Irak, Siri, Liban, Gazë, por tani do të vazhdojë së zgjeruari edhe drejt shteteve tjera të rajonit të Lindjes së Afërt,në radhë të parë në Bahrejn e Jemen, dhe dita më ditë po bëhet shtet më i rëndësishëm pa të cilin nuk do të mund të arrihet asnjë marrëveshje pa prezencën e tij direkte në Lindjen e Afërt, krahas Arabisë Saudite, Turqisë dhe Egjiptit.
Humbësit më të mëdhenj në gjithë këtë katrahurë të Sirisë janë në rend të parë pikërisht myslimanët cilët nuk i kuptojnë apo nuk duan të kuptojnë të gjitha lojërat dhe prapavijat e konfliktit në Siri, janë shkurt pamës, dhe nuk shohin përtej syve, dhe që merren më me dëshirë dhe vullnet të zjarrtë t’i qërojnë hesapet iracionale për shkak të përkatësive të tyre sektare, sunite dhe shiite,duke mos kursyer fare civilët të pafajshëm anekënd botës të cilët i sakrifikojnë si rrëke për të realizuar interesat e tyre të ngushta raciste, sektare, fetare, si rezultat i keqinterpretimit të qëllimshëm të doktrinës fetare, për arritjen e qëllimeve të programuara për realizimin interesave të gjera gjeopolitike, rajonale, globale të gjithë faktorëve të lartë cekur të kyçur në konfliktin sirian.

Në përmbyllje të këtij këndvështrimi politik do të citojë një pjesë të analizës së shkruar nga njohësi i mirë i rrethanave politike të Lindjes së Afërt, akademikut të shquar boshnjak Esad Durakoviq, i cili në mënyrë domethënëse e ka përshkruar tragjedinë e Halepit në konfliktin sirian:

“Në të vërtet, gjatë këtyre ditëve për shkak të rrënimit të Halepit dhe vdekjes së civilëve të tij, bota është ngritur në këmbë. Me plot të drejtë! Por, poenta është se i akuzojnë”forcat ushtarake të Asadit” gjoja si forca okupatore dhe gjenocidiale, forcat të cilët janë fajtor për të gjithë ato që ndodh atje. Ashtu që me këtë amnistohet”forca e dreqit” e cila quhet ISIS-i, Al Kaida dhe të tjerët, e njëjta forcë e cila në betejat tjera përndiqet dhe satanizohet. Këtu në Halep, tani ajo prezentohet si viktimë. Çfarë hipokrizie! Kur rebelët e të gjitha llojeve,“të tipit isistë”, pushtonin Halepin, njashtu duke rrënuar dhe therur, nuk është ngritur ky shqetësim nëpër botë, pasi që ata ishin në detyrën e përmbysjes së regjimit të Asadit në Siri, i cili ishte caku i forcave perëndimore të cilët pikërisht e kanë sajuar ISIS-in monstruoz dhe forcat tjera shkatërruese në Siri.

Tani, kur kjo forcë e cila kishte detyrë të rrënojë sistemin legjitim qeverisës në Siri, po përjeton disfatë, botës po i dhimbset, por në një mënyrë perfide, kinse me kujdesin e tyre për civilët e Halepit, për të cilët fare nuk janë kujdesur kur në mënyrë më brutale i vrisnin dhe thernin rebelet e pamëshirshëm dhe shumë mirë të armatosur dhe të sjellur nga gjithandej botës. Kjo është hipokrizi më e lartë politike e vendeve perëndimore. Përderisa pikërisht nëpërmjet agjensioneve të lajmeve nga vendet perëndimore vijnë tek neve informatat nga Siria që ndikojnë në formimin e opinionit tonë publik, të qëndrimeve dhe emocioneve tona”.

 

Ja çfarë thonë dëshmitarët për rrahjen e të burgosurit nga gardianët në burgun e Prizrenit

0

(I plotësuar)-Të burgosurit e burgut të Prizrenit kanë theksuar për Indeksonline, se janë të gatshëm të dëshmojnë si dëshmitarë edhe para autoriteteve të Drejtësisë në lidhje me rastin e ndodhur sot në këtë qendër.

Sipas këtyre dëshmitarëve, i burgosuri në fjalë ishte duke ngrënë bukë teksa gardianët kanë ardhur dhe kanë përdorur dhunë fizike në drejtim të tij, shkruan Indeksonline.

Ata kundërshtojnë faktin se ai ishte i pari që ka sulmuar stafin e burgut, duke theksuar se janë të gatshëm që në çfarëdo rasti të dëshmojnë për të vërtetën e kësaj rrahje të ndodhur sot në burgun e Prizrenit.

………………………………………………..

E konfirmuar, Zogaj: Stafi janë detyruar të përdorin mjete shtrënguese për të burgosurin në Prizren

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj i kontaktuar nga Indeksonline, ka konfirmuar rastin e ndodhur sot në burgun e Prizrenit.
Sipas Zogajt i burgosuri ka sulmuar fizikisht stafin e burgut ku më pas sipas tij këta të fundit janë detyruar të përdorin mjete shtrënguese si “pranga” në mënyrë që mos të lejojnë që situata të eskalojë.

“I burgosuri ka sulmuar fizikisht stafin dhe më pas ata kanë përdorur mjete shtrënguese për të parandaluar eskalimin e situatës”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij i burgosuri nuk është i lënduar rëndë dhe se hetimet janë duke u bërë dhe për gjithçka në lidhje me këtë rast do të njoftohemi me kohë.

“Sipas informacioneve ai s’ka lëndime të rënda, e ka sulmuar stafin dhe për mos me ardh deri tek më e keqja është dashur të parandalohet. Kaq kemi informata tani për tani”, ka thënë Zogaj.

Familja e Granit Elshanit: Djali jonë u rrah nga gardianët e burgut në Prizren

0

Nëna e Granit Elshanit, i paraburgosur në Burgun e Prizrenit, i cili ishte vetëdorëzuar në polici për një vrasje që kishte ndodhur në vitin 2010, ka thënë se sot në mesidtë gardianët e kanë rrahur djalin e tyre.

“Pa asnjë arsye e kanë rrahur. Në ndihmën i kanë ardhur edhe gardianë të tjerë në mesin e tyre edhe S. X”, ka thënë Nëna e Granitit.

Ai qendër të burgut të Prizrenit të cilët kanë përdorur dhunë të pakontrolluar në drejtim të të burgosurit.

Dyshohet se dhuna e përdor nga gardianët ishte e porositur nga jashtë, teksa personin në fjalë më pas e kanë vendosur të qëndronte në një qeli të njohur si e “vetmisë”.

Familjarët dyshojnë se rrahja e Granitit është paguar nga kundërshtarët jashtë burgut të Prizrenit.

Duhet përkujtuar që kjo gjendje e keqe në burgun e Prizrenit është vazhdimësi e keqtrajtimit të të arrestuarve gjë që shton edhe më tepër dyshimet se si saktësisht po udhëhiqet kjo qendër.

Në burgun e Prizrenit, ku mbahej Astrit Dehari, gardianët rrahin brutalisht një të bugosur

0

Data 05 nëntor e këtij viti, një ndër lajmet më tmerruese në Kosovë. Pikërisht në burgun e Prizrenit, ndërroj jetë një ndër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Vdekja e tij edhe pas hetimeve që vazhdojnë të bëhen vazhdon , mbetet e pasqaruar.

Ndërsa burime të Indeksonline, bëjnë të ditur se një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur përsëri në këtë burg, ku të burgosurit vazhdojnë të jenë të keqtrajtuar.Gjatë ditës sotme saktësisht në ora 14, në këtë burg, një i arrestuar është rrahur keq përderisa ishte duke ngrënë bukë.

Ishin pikërisht gardianët e kësaj qendër të burgut të Prizrenit të cilët kanë përdorur dhunë të pakontrolluar në drejtim të të burgosurit, shkruan Indeksonline.

Dyshohet se dhuna e përdor nga gardianët ishte e porositur nga jashtë, teksa personin në fjalë më pas e kanë vendosur të qëndronte në një qeli të njohur si e “vetmisë”.

Duhet përkujtuar që kjo gjendje e keqe në burgun e Prizrenit është vazhdimësi e keqtrajtimit të të arrestuarve gjë që shton edhe më tepër dyshimet se si saktësisht po udhëhiqet kjo qendër./Indeksonline/