18.6 C
Prizren
E premte, 8 Gusht, 2025
Home Blog Page 6130

Prizreni, prioriteti i Kadri Veselit

0

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli, premton se prioritet i tij, do të jetë zhvillimi ekonomik i Prizrenit. Ai thotë se ky qytet i ka të gjitha resurset për të qenë qendër e turizmit ndërkombëtar.

“Prizreni i ka të gjitha resurset për t’u shndërruar në turizëm ndërkombëtar, prandaj prioriteti im do të jetë këto resurse të shfrytëzohen”, tha Veseli për TV Besa, transmeton PrizrenPress.

Ai vlerëson se PDK-ja dhe Komuna, gjatë këtyre viteve kanë punuar në zhvillimin e Prizrenit.

“Por, nuk jemi të kënaqur me këtë rezultat, sepse mundemi të bëjmë edhe më shumë”, shprehet ai.

Veseli ka folur edhe për zhvillimet politike në vend si dhe për aderimet e reja në PDK. /PrizrenPress.com/

Karman: ISIS është dorë e zgjatur e Assadit

0

Nobelistja nga Jemeni, Tawakkol Abdel-Salam Karman, thotë se është pikërisht diktatura ajo që çon në korrupsion, në zhvillim të dobët dhe në mbështetje për dijetarët e këqij, të cilët e interpretojnë keq Islamin apo fetë e tjera.

Kundër terrorizmit mund të luftohet vetëm me ndalimin e diktaturës dhe përhapjen e drejtësisë, thotë Karman, duke pyetur nëse bota është vërtet serioze në këtë luftë.

Nëse komuniteti ndërkombëtar do që të ndalojë grupin militant Shteti Islamik (IS), shton ajo, atëherë duhet të ndalojë presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad.

“Bota nuk ka bërë sa duhet për këtë çështje. Duhen të shqyrtohen mënyrat me të cilat luftohet kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Në të kundërtën, ideologjia, frustrimi, urrejtja dhe dhuna do të rriten”, thekson Karman, gazetare dhe politikane nga Jemeni.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo thotë se vendet e fuqishme duhet të luajnë rol kyç në këtë luftë, ashtu si edhe sektori joqeveritar dhe mediat.

“Duhet të çlirojmë botën nga diktatura. Mënyrë për të arritur këtë është ndalimi i diktatorëve nga udhëheqja e shtetit ose e institucioneve publike. Nuk bën që ata të kenë shanse të vrasin njerëz. Duhet të sigurojmë se në ato vende mbizotëron demokracia dhe liria”, thotë Karman.

Ajo thekson se të gjitha fetë respektojnë vlerat e lirisë, barazisë dhe drejtësisë dhe se nuk ka asnjë lidhje midis tyre dhe ekstremizmit.

“Ekstremizmi është kundër njerëzimit e vlerave dhe, rrjedhimisht, kundër fesë. Problemi qëndron te njerëzit fetarë, që kanë role të këqija dhe thonë se përfaqësojnë Islamin, por në të njëjtën kohë janë diktatorë. Andaj, secili diktator është terrorist dhe secili terrorist është diktator. Ata jetojnë së bashku dhe mbrojnë njëri-tjetrin”, shprehet Karman.

Sipas saj, grupi ekstremist Shteti Islamik është pikërisht instrument i diktatorit.

“Ata (v.j Shteti Islamik) janë dorë e zgjatur e Bashar al-Assadit. Shihni atë që bën Shteti Islamik. Kush përfiton nga ajo? Diktatori. Ata kanë sulmuar Pranverën Arabe, njerëzit që duan liri dhe demokraci dhe kurrë regjimin e diktatorit. Njerëzit e rëndomtë vuajnë edhe nga diktatori, edhe nga Shteti Islamik. Megjithatë, besoj se, në fund, njerëzit do të fitojnë dhe mendoj se kjo fitore është afër, edhe pse nuk e kemi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, ashtu siç e ka pasur Kosova”, thotë Karman, duke theksuar edhe rëndësinë e lirisë së shprehjes.

“Njerëzit që kryejnë dhunë janë kryesisht ata që e kanë të ndaluar të flasin. E drejta e shprehjes është kurë për ta. Duhet t’i inkurajojmë njerëzit që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, por vetëm në mbrojtje të synimeve të tyre. Dhe, ajo duhet të vlejë për të gjithë. Kur ekstremistëve, myslimanëve dhe jomyslimanëve u mbyllen të gjitha dyert, ata do të nisen në rrugë tjetër dhe të gabuar”, thonë nobelistja Karman./rel

Mushkolaj: Mbledhja e Qeverisë Mustafa-Rama, marketing politik!

0

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë pritet që me nesër (3 qershor) të vazhdojnë takimeve e përbashkët derisa për këtë ditë është publikuar edhe agjenda zyrtare dhe rendin e ditës të mbledhjes së dy qeverive.

Për analistin e çështjeve politike, Imer Mushkolajn, mbledhja e Qeverisë Mustafa-Rama më shumë është marketing se sa produktive në praktikë.

“Këto mbledhje më tepër shërbejnë për përfitime politike dhe marketing të të dyja qeverive, sesa rezultojnë me efekte praktike. Mbledhjet e përbashkëta janë të nevojshme, por nuk duhet organizuar sa për të bërë fotografi e publicitet”, ka thënë ai për Indeksonline.

Megjithatë, ai thotë se duhet të bëhet një përllogaritje e mbledhjeve të kaluara për të saktësuar arritjet e marrëveshjeve.

“Nevojitet që të bëhet një evaluim i rezultateve të arritura dhe marrëveshjeve të përmbushura nga takimet e kaluara, në mënyrë që të shihet saktë se ku qëndrojnë ngecjet dhe të punohet për tejkalimin e tyre”, është shprehur Mushkolaj.

Ndryshe, dje në medie është raport se Në këtë mbledhje do të diskutohen shtatë marrëveshje.
Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të certifikatës së testim/kalibrim të tahografit të mjeteve rrugore,
Marrëveshja për bashkëpunim në mes autoriteteve tatimore dhe doganore të Republikës së Kosovës dhe republikës së Shqipërisë në fushën e hetimeve administrative, hetimeve tatimore dhe doganore

-Marrëveshje e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shtetit për Inovacion dhe Administratë Publike të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e kapaciteteve në realizimin e reformave në fushën e mirëqeverisjes dhe administrimit publik

-Marrëveshje për krijimin e Qendrës së Përbashkët trajnuese

-Marrëveshja për Partneritet për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë

-Marrëveshje e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit të Republikës së Shqipërisë

-Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë

Kjo mbledhje e cila mbahet të premten në Prishtinë, do të jetë e treta me radhë e këtij lloji, pas dy të parave të mbajtura fillimisht në Prizren, dhe më pas në Tiranë. /Indeksonline/

PDK-ja ngutet para furtunës

0

Mobilizimi i lidershipit të Partisë Demokratike për të forcuar partinë, duke afruar anëtarë të rinj, shihet si paralajmërim i votimeve të parakohshme, për të shpëtuar nga një dobësim i pritshëm pas arrestimeve që do t’i bëjë Gjykata Speciale

Prejse e ka marrë zyrtarisht mandatin e kreut të PDK-së kryetari i ri, Kadri Veseli, pothuajse çdo ditë ka agjenda të ndryshme zyrtare në terren, takime me elektoratin dhe grupe të ndryshme të interesit. Kjo agjendë, e cila herë pas here po përcillet edhe me aderimet e disa individëve të rinj në PDK, nga njohës të rrethanave politike në vend po shihet si një shenjë reale që flet se pikërisht Partisë Demokratike të Kosovës po i ngutet të përgatitet sa më shpejt për zgjedhje të reja, sepse pritet që të jetë subjekti më i goditur nga Gjykata Speciale, derisa zgjedhjet e shpejta mund të shërbejnë për parandalimin e rënies drastike të partisë. Sipas analistëve, këtë shpëtim mund t’ia sigurojnë vetëm disa nga programuesit dhe mjeshtrit e mbushjes së kutive të votimit, e që me fillimin e Gjykatës Speciale mund të përfundojnë në burg. Analisti politik, Islam Krasniqi, thotë se është e vërtetë që lideri i PDK-së, Kadri Veseli, e ka marrë seriozisht, nëse mund të themi një fushatë parazgjedhore dhe e ka ngarkuar veten me një agjendë, duke i vizituar qytetarët dhe duke mbajtur takime me elektoratin dhe grupe të ndryshme të interesit,shkruan gazeta Kosova Sot.

Partneri i dobësuar

Sipas Krasniqit, gjatë kësaj fushate Veseli po i fton qytetarët dhe individë të caktuar për të aderuar në PDK, që në rast të zgjedhjeve të parakohshme të jetë me e fuqishme. “Kjo është koha më e favorshme për PDK-në që të shkojë në zgjedhje të parakohshme vendi, sepse partneri i koalicionit është dobësuar dhe ka humbur fuqinë dhe performancën në elektoratin e saj. PDK-ja është partia, e cila do të dëmtohet me së shumti nga Gjykata Speciale, mirëpo PDK-ja qysh herët ka filluar të përgatitet për këtë furtunë, që të mos dëmtohet nga kjo Gjykatë, duke ofruar individë të caktuar, të cilët nuk mund të jenë shënjestër të askujt dhe që kanë një të kaluar të mirë”, tha analisti politik Islam Krasniqi për “Kosova Sot”. Shumë të përgatitur për një proces të ri zgjedhor, që të mos befasohet me rënie të rezultatit nga zgjedhjet e fundit parlamentare, e sheh PDK-në dhe lëvizjet në terren edhe analisti Blerim Burjani../Kosova Sot/

Prokuroria, mburojë e dështimit të policisë

0

Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka bërë të ditur se problemi kryesor i Prokurorisë është se ajo në shumë raste mundohet që ta mbrojë punën jo edhe aq të mirë të policisë, të cilët dorëzojnë kallëzime penale

Nevoja për njohuri të reja dhe avancime në secilin profesion është thuajse e përhershme dhe e pakufizuar. Ngjashëm kjo vlen edhe për prokurorët, të cilët duhet që në vazhdimësi të ndjekin trajnime të ndryshme për të qenë sa më të përgatitur dhe për të treguar shkathtësitë e tyre në mënyrë sa më profesionale dhe krahas kësaj duhet ta ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe sa më efikase. Në këtë drejtim shtrohet edhe pyetja se sa janë të përgatitur profesionalisht prokurorët kosovarë për të përpiluar aktakuza të qëndrueshme dhe të besueshme dhe pse çalon shumë puna e tyre profesionale, derisa njohësit e kësaj fushe thonë se ka edhe prokurorë të tillë, të cilët i montojnë aktakuzat për arsye të ndryshme. Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka bërë të ditur se problemi kryesor i Prokurorisë është se ajo në shumë raste mundohet që ta mbrojë punën jo edhe aq të mirë të policisë, të cilët dorëzojnë kallëzime penale.

Gashi më tej në këtë drejtim ka treguar se si do duhej që përafërsisht të funksiononte sistemi juridik. “Atë që policia e bën gabimisht prokuroria nuk duhet që ta aprovojë dhe nuk duhet fare as të zhvillojë hetime e as të ngre akuza, por duhet t’ia kthejë policisë në plotësim, sepse kjo është e paraparë me dispozita ligjore, ndërsa atë që prokurorët e bëjnë gabimisht duhet që gjykata mos t’i mbulojë, por duhet që t’i refuzojë akuzat respektivisht të akuzuarit t’i lirojë në mungesë të provave dhe ky është një shkollim që duhet permanent të ndodhë ngase nëse veprohet në mënyrë të tillë që Prokuroria të mos e mbulojë punën jo aq të mirë në raste të caktuara të policisë dhe që Gjykata nuk i mbulon gabimet e Prokurorisë, atëherë do të kemi shumë më pak lëndë nëpër gjykatat tona dhe nëpër prokuroi dhe si rrjedhojë e kësaj numri më i vogël i lëndëve do të mundësojë edhe kualitet më të mirë”, theksoi ai.

Disa janë të emëruar nga partitë

Gashi ka nënvizuar se ka prokurorë brilantë, të cilët e njohin punën e tyre dhe mundohen aq sa është e mundshme në kuadër të dijës dhe kompetencave të tyre të punojnë sa më mirë, por siç ka thënë ai ekziston edhe një numër tjetër i prokurorëve, të cilët janë prokurorë të emëruar nga partitë politike. “Ata prokurorë të cilët punojnë për parti politike dhe për grupe të interesit është fare lehtë që të identifikohen dhe se ata nuk e kanë vendin në sistemin juridik të Kosovës, por në anën e kundërt të tij. Mendoj se ardhmëria e sistemit juridik varet nga ndryshimet politike dhe nga emërimi i prokurorëve dhe zgjedhja e gjyqtarëve të rinj të cilët nuk kanë begrand apo të kaluar të keqe, pastaj nuk janë të shantazhuar, por janë krejtësisht të pastër sa u përket shoqërisë kosovare dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë ai. “Meqenëse fillimi i Gjykatës Speciale detyrimisht do të determinojë edhe ndryshime politike, ndoshta atëherë do të jetë edhe rasti që të kemi parti të tjera politike në pushtet apo persona të tjerë, të cilët ia duan të mirën vendit të vet dhe jo vetëm vetvetes dhe grupeve të interesit. Por, besoj se me ndryshimet politike pozitive do të kemi edhe ndryshime pozitive në aspektin juridik”, u shpreh Gashi.

Ndërsa sa i përket asaj nëse ka prokurorë të cilët i montojnë aktakuzat për arsye të ndryshme negative, Gashi ka thënë se sigurisht se ka prokurorë të tillë, por siç ka thënë ai, shefat e tyre, kryeprokurorë dhe grupet e punës së prokurorëve të njëjtë, fare lehtë mund t’i identifikojnë të njëjtit dhe, sipas tij, ata nuk e kanë vendin në prokuroi, por nëse ka edhe gjyqtarë të tillë atëherë as ata nuk e kanë vendin në sistemin juridik të Kosovës.

Zjarrfikësit e Suharekës protestuan në Prishtinë

0

Bashkë me zjarrfikësit nga e gjithë Kosova edhe zjarrfikësit nga Suhareka, kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës në Prishtinë.

Mos rregullimi juridik i statusit të tyre, kushtet jo të mira në punë, siguria e ulët gjatë punës së tyre, janë disa nga arsyjet që sipas zjarrëfikësve nga Suhareka, i ka detyruar që të bashkangjiten në protestën e sotme.

Sipas tyre kjo protestë ishte e ligjshme dhe janë të vendosur në kërkesat e tyre./therandapost/

Beogradi nderon Bekim Fehmiun me festival

0

Festivali “Mirdita, dobar dan”, është hapur të mërkurën në qytetin e Beogradit. Ky festival organizohet për herë të tretë me radhë dhe nga sonte do të vazhdojë deri më 4 qershor.

Netët e festivalit, janë të frymëzuara nga jeta dhe vepra e aktorit të madh shqiptar bekim Fehmiut

Në hapjen e këtij festivali, është lexuar një letër e përbashkët e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq.

“Bekim Fehmiu, ka lënë një shenjë të pashlyeshme në mes shqiptarëve dhe serbëve”, thuhej në letër.

“Jeta e tij dhe arti, përmes të cilit ai ka jetuar, tregoi se ne mund ta kuptojmë njëri tjetrin e të mësojmë nga njëri tjetri e së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme të begatë për brezat e ardhshëm”, thoshin kryeministrat, shkruan Tanjug,

Kur komandantët i shkelin çlirimtarët, mashtruesit bëhen heronj

0

Agron Halitaj

Historitë e luftës edhe sot rrëfehen me ndjesi nga ata që i kanë kaluar ato të ditë të vështira në Kosovë, qoftë me pushkë në dorë, qoftë duke qëndruar me popullatën civile. Në këto rrëfime flitet me emra se kush e ka kapur pushkën, kush ka komanduar, kush ka dhënë bukë e ku e kanë pasur shtabin luftëtarët.

Ndonëse janë bërë mbi 17 vite së frymuari në liri, nuk ka tamam veteran që nuk e di se me kë ka luftuar, nën komandën e kujt ka qenë, kë e ka pasur nën komandë, se me kë ka qenë që nga fillimi, kush u është bashkuar më vonë e kush nuk i ka shkuar deri në fund luftës – për arsye nga më të ndryshmet.

Pra, gjithçka është e ditur! Kosova është e vogël!

Por, sot na del se numri i veteranëve luftëtarë që kanë aplikuar për ta marrë statusin ligjor është 46.230, apo trefish më shumë se që llogariteshin menjëherë pas luftës, apo – më konkretisht – trefish më shumë se që kanë thënë vet komandantët.

Kur pushteti para katër vjetësh e krijoi Komisionin për regjistrimin e kategorive të luftës, ideja ishte që të bëhej një pastrim i listave. Vetëm për një vit, Qeveria i shpenzoi rreth 200 mijë euro për shpenzimet e Sekretariatit të këtij Komisioni dhe në fund rezultati doli i papritur. Lista jo që nuk u zvogëlua, por u fry tej mase me emra njerëzish që nuk e kanë kapur pushkën me dorë, që luftën e kanë parë në televizor, që kanë qenë fëmijë asokohe, apo që kanë kryer ndonjë shërbim për komandantët në kohë lufte.

Me këtë akt, disa prej komandantëve u dhanë goditjen më të madhe atyre që vërtet meritojnë ta kenë një trajtim dinjitoz nga shoqëria e shteti, atyre që nuk ngarendën ta gllabërojnë pasurinë e përbashkët dhe atyre që nuk u shtynë me bërryla për të fituar status në shoqëri në emër të kontributit të dhënë për çlirim.

A ka turp më të madh që, sot në paqe, të viktimizohen ushtarët nga komandantët? A nuk është turp që për shkak të komandantëve, Qeveria sot të mos gjejë mirëkuptim nga FMN-ja për t’u dhënë pensione meritore? Dhe, a ka turp më të madh që numri i vërtetë i ushtarëve të UÇK-së të kërkohet të nxirret nga EULEX-i?

Kjo ka për të ndodhur, sepse pakënaqësitë janë rritur. Shumë nga ata djem që kanë luftuar, nuk mund ta pranojnë të jenë në një listë me ata që s’i kanë parë kurrë në front. Ata, ushtarë të dikurshëm e të ndershëm, më lehtë heqin dorë nga beneficionet që u garanton shteti me ligj, sesa të jenë bashkë me njerëz që sot dyshohen se e kanë blerë statusin e veteranit.

Askush nuk mund ta dëmtojë imazhin e luftës së UÇK-së sa e kanë dëmtuar ata komandantë që i kanë futur në një thes çlirimtarët dhe mashtruesit.

Kosova edhe ashtu do të regjistrohet si rast unik në botë ku procesi i verifikimit të luftëtarëve ka zgjatur më shumë se që ka zgjatur vetë lufta!

Lavdi Kotësisë!

0

Shkruan: Avdi Ibrahimi

 Njihej mire nga rrethi shoqëror për manipulues e narcisë i paparë. Ai njihej tashmë nga të gjithë në rrethin ku jetinte me nofkën Kotësi, se ja fuste kot gjërave, sajonte gjëra të paqena ndonjëherë nga ngjarjet historike, paraqitej sikur ai, ishte takuar me figura të larta nga historia jonë më e re, dhe se ai ishte udhëheqës i të gjitha atyre ngjarjeve që lane gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e popullit! Ai e sheh shpesh vetën në ëndërr, e sheh vetën të jetë një njeri i famshëm. Ky Kotësi ëndrrash e ndjen veten si njeri të zgjuar, se është i vetmi ky që i di të gjitha skenat e prapaskenat politike nga të gjitha hapsirat shqiptare, flet me mburrje për bëmat e tij ”heroike” flet ankueshëm se ai në këtë mënyrë fsheh frikën e të lavdëruarit.

Ky njeri: “Të lan e të shpërlan” thotë urtia popullore, pra të bënë lajka për të të mashtruar, thjeshtë është njeri me disa faqe, pra shtihet i mirë, por të bënë të keqën, është një figure e rrejshme, i maskuar me patriotizëm farsë. – Ai ëndërron të të qenit mbret për një ditë? – Jo, jo ai mendon për më shumë se një ditë, ai ndien se ka lëshuar ngado fijet e marimangave nëpërmjet të cilave ëndërron se do të kontrolloj lëvizjen më të re të historsë shqiptare.

Ai e sheh vetën si një force e vërtetë pa të cilin historia jonë nuk ecën përpara, ai e ndjen vetën si një qenie thelbësore, që lëviz pa lëvizur nga vendi, ai nëpërmjet marimangave të tij që ju ka shërbyer e që i sherbejnë, që i ka korruptuar dhe vetë është korruptuar, veprojnë pa bërë asgjë të mire për Atdheun, ai flet pa shqiptuar as edhe një fjalë, ai është vetë magjistari dhe hyrja nëpërmjet falsifikimit në historinë e kotësive është njëlloj marifeti i tij. – Kush është ky Kotësi? – Një lakmitar, një manipulues, një mashtrues, një dreq i vërtetë.

shtë një paradoks i pafund, që sheh vetën të jetë gjithnji vetëm i pari, duke pare të tjerët servilët pas tij. Është një gjyle e zbrazur në ajër. Është si diçka e ngrirë në kohë, si diçka i mbajtur peng nga ai nëpërmjet marimangave helmuese. – Ai do që të jetë vetë Historia?! I dehur për lavdi të rreme, kjo e madhja gënjeshtër, historia e së vërtetës nëpërmjet gjuhës së fakteve shkencore, për të është një shmang’je nga rruga shkencore e historisë së mirfilltë, për të historia e së vërtetës e shkruar në bazë të fakteve nga historian të mirëfilltë, për të është një zhgënjim, ngase ai posedon të gjitha njohurit historike të kohës më të re, që Kotësi paska luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha ngjarjet e kohës, ndaj dhe emri i tij duhet të jetë gjithkund dhe gjithnji i pari.

Kjo është sëmundje, kjo është ëndrra e tij, kjo infekton të gjithë ata njerëz të mashtruar që janë tepër afër tij. Ata që i ka vu nën këmbë, janë të infektuar dhe deri kur ta kuptojnë mashtrimin do të mbetën robër e pengu i Kotësisë. Në një shoqëri, ku rrenën, mashtrimin e shkruajnë në mënyrë falsifikuese për histori, apo thënë ndryshe aty ku gjepurat hyjnë nga porta si lavdata të rreme, lavdata kotësie, aty në atë ambient shoqërorë assesi s’mund të qundronë e vërteta historike dhe arsyeja e shëndoshë. Të ikësh me kohë nga njeriu i mallkuar, hileqar e vetëmashtrues, që ndryshon kaq shpesh, kaq shpejt, pas njëqind e një ndryshimeve prej kameleoni të besimit dhe parimeve, kur njeriu nuk i zë besë vetës është një gënjështar! Nuk duhet të kërkoshë vetëm ty të besojnë, por edhe të besosh tek tjetri. Njeriu që beson në rrenën e vet, konsideroj me të drejtë se ky njeri ka tradhtuar të lindurit e vet. Mitrovicë me 30 maj 2016.

Prizreni gati për shënimin e Javës së Distrofisë Muskulare

0

Edhe këtë vit në Prizren do të shënohet “Java e Distrofisë Muskulare” që organizohet nga Organizata e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës dhe përkrahet financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Aktivitetet publike të “Javës së Distrofisë” organizohen më 3 dhe 4 qershor 2016 në Prizren.

Një pjesë e aktiviteteve të “Javës së Distrofisë” organizohet në bashkëpunim me EC Ma Ndryshe, në kuadër të projektit “Prizreni, qytet pa pengesa”, që përkrahet financiarisht nga USAID nga programi E4E dhe mbikëqyret nga ATRC.

Një aktivitet tashmë tradicional, “Java e Distrofisë Muskulare” do të jetë pjesë e veprimeve të OPDMK edhe në të ardhmen. Ditët që i dedikohen këtij grupi të shoqërisë kanë për qëllim sjelljen e sfidave të personave me distrofi muskulare në vëmendjen e shoqërisë në tërësi dhe institucioneve të shtetit në veçanti. Programi i “Javës së Distrofisë Muskulare” do të përbëhet nga aktivitete sensibilizuese, të realizuara në formë të aktivizmit kulturor në hapësinën publike.

Këto aktivitete do të realizohen gjatë këtyre dy ditëve:
1. Pengesat në institucione dhe hapësira publike – vendosja e siluetave para instiucioneve publike dhe në disa hapësira publike.
2. Zyra – një hapësirë e improvizuar si zyrë pune në Sheshin e Lidhjes.
3. Lidhur për karrocë – disa persona do të ulen në karrocë dhe do të jenë të lidhur me shirit me mbishkrime vetëdijësuese.
4. Kafe për të gjithë – vendosja e rrotave të karrocave nga kartoni në karriget e kafiterive.
5. Një përqafim për mua – shëtitja e personave me nevoja të veçanta me bluza që bartin këtë porosi.
6. Izolimi – improvizimi i një hapësire të mbyllur ku do të ftohen të qëndrojnë qytetarët.
7. Zyrtarë me kufizime – zyrtare të institucioneve do të realizojnë performancë.
8. Ekspozita – ekspozimi i fotografive dhe punimeve të realizuara nga anëtarët e organizatës.
9. Pikturim – dy anëtarë të organizatës do të pikturojnë në Sheshin e Lidhjes.
10. Parashuta – fëmijët do të socializohen përmes lojës parashutë. /PrizrenPress.com/