Home Blog Page 6163

9 këshillat e Mark Twainit, për një jetë ‘të hatashme’

0

1. Miratoje veten tënde! Një njeri nuk mund të ndihet rehat pa miratimin e tij.

2. Kufizimet e tua mund të jenë vetëm në mendjen tënde! Mosha është një çështje e mendjes mbi rëndësinë. Nëse mendja nuk e ka problem, atëherë nuk ka rëndësi.

3. Relaksohu dhe dëfrehu! Humori është bekimi më i madh i njerëzimit.

4. Hiq dorë nga zemërimi! Zemërimi është si një acid që mund t’i bëjë më shumë dëm enës ku ndodhet, se sa çdo gjëje mbi të cilën hidhet.

5. Clirohu! Mos hajde vërdallë duke thënë se bota të ka borxh ndonjë gjë. Bota nuk të detyrohet ty asgjë. Ajo ka qenë këtu para teje.

6. Nëse ndjek një tjetër rrugë, përgatitu për reagimet! Një njeri që ka një ide të ri, është nje ekscentrik, deri kur ideja e tij ka sukses.

7. Mbaje fokusin vazhdimisht në atë që do! Largoji mendimet nga telashet e tua… nga veshët, nga thembrat, apo nga çdo mënyrë tjetër që të mundesh.

8. Mos u fokuso shumë në përpjekjet për të bërë veten të ndihet mirë! Mënyra më e mirë për të ngritur humorin tënd, është që të ngresh humorin e të tjerëve.

9. Bëj atë që do! Pas njëzetë vitesh do të jesh më i zhgënjyer nga gjërat që nuk ke bërë, se sa nga gjërat që i bëre. Kështu që hidh litarët. Largohu nga porti i sigurtë. Kap erërat në velat e tua. Eksploro. Endërro. Zbulo! /bota.al

Drogë e thika në Qendrën Sportive në Prizren

0

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kontrollit që i është bërë dy të dyshuarve, një mashkull i komunitetit turk dhe një tjetër i komunitetit shqiptar në Qendrën Sportive në Prizren, janë gjetur dhe konfiskuar një thikë dhe dy cigare me substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë me peshë 1.62 gram.

Me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt

Malishevë: Për shkak të borxhit lëndon rëndë një person

0

Një burrë në Malishevë ka sulmuar fizikisht me një mjet të fortë një tjetër duke e lënduar rëndë për shkak të një borxhi, bën të ditur Policia e Kosovës.

I dyshuari është arrestuar.

“Është arrestuar i dyshuari shqiptar, pasi qe i njëjti pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi ka sulmuar fizikisht me një mjet të fortë viktimën, burrë shqiptar. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në konfirmimin e Policisë.

Kosova, vendi ku nuk e duan librin

0

Sllovakia është e njohur për kartolinat perfekte me kështjella me peizazhe dramatike. Por ka një tjetër lloj të ndërtimit në këtë vend të Evropës Qendrore që rivalizon kështjellat e pallatet e saj: biblioteka.

Bazuar në të dhënat e “Online Computer Library Center Inc (OCLC)” dhe Banka Botërore, grafika e mëposhtme tregon se cilat vende kanë më shumë dhe cilat më pak, biblioteka për 100,000 banorë, shkruan Gazeta Fjala.

Sllovakia, rezulton se është një parajsë për dashamirët e librit.

Ndërkaq, Kosova duket të jetë një  “ferr” për dashamirët e librit. Ajo listohët përkrahë, Koresë, Bangladeshit e Nigerisë.

Por bibliotekat nuk kanë lidhje vetëm me librat.

Ato luajnë një rol integral në strukturën shoqërore të komuniteteve të tyre. Ato ofrojnë trajnime shkrim-leximit për të pastrehët, ofrojë një hapësirë të vlefshme të takimit për grupet qytetare, dhe japin qasje në burimet arsimore.

Sipas profesoreshës Jill Hurst-Wahl, “disa vende nuk kanë një histori të pasur të bibliotekave”, dhe shumë nga këto vende janë të njëjta “nuk kanë një histori të pasur të arsimit”.

Kështu që nuk është për t’u habitur që një korrelacion të fortë pozitiv ekziston në mes renditjen bibliotekës dhe indekseve të zhvillimit, të tilla si Indeksi i Arsimit të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara.

Hurst-Wahl gjithashtu vë në dukje se ka histori të rëndësishme fshehur prapa renditjes. “Institucionet kulturore janë nën sulm,” thotë ajo. “Ajo që statistikat nuk tregojnë janë vendet ku bibliotekat janë duke u shkatërruar – Si në Irak dhe Siri”./Gazeta Fjala/

tt

Muzika e 2017-ës

0

12 muajt e ardhshëm do të sjellin plot prurje të reja në botën e muzikës. Në 2017-ën pritet të shohin dritë albume të reja të artistëve prezente në skenat muzikore gjatë 2016-ës, por edhe të artistëve që i kanë munguar publikut prej disa kohësh.

Mes albumeve që do të shohin dritë këtë vit, ndër më të shumëpriturit renditen ai i U2 dhe Depeche Mode, por nuk mbeten më pas edhe yjet e popit, si: Taylor Swift, Lorde e Christina Aguilera.

Kanadezja Nelly Furtado do të sjelle albumin e saj të 6 në fund të muajit mars, atë me titull “The Ride”. Ndërsa Depeche Mode kanë bërë me dije se në maj të këtij viti do të nisin turin botëror, i cili do t’i paraprijë diskut të ri të pagëzuar me emrin “Spirit” që do të dalë së shpejti.

Ndersa lideri i grupit legjendar U2, Bono Vox, ka deklaruar gjatë një interviste se albumi i ri i grupit do të mbajë titullin ‘Këngët e eksperiencës”, por se kur do të dalë ky album, artisti nuk ka anoncuar datë, duke i mbajtur mbi gjemba fansat e tij edhe për muajt në vijim, shkruan Top Channel.

Një lajm i mirë për fansat e Lorde, e cila do të kthehet në ekran pas një periudhe pushimi. 18-vjeçarja do të sjellë një tjetër hit botëror që pritet t’i rikthejë suksesin e mëparshëm.

“1989” i Taylor Swift ishte pa dyshim një sukses botëror, por artistja e popit nuk ndalet. Në muajt e ardhshëm Swift do të sjellë një album të ri, që pritet t’i sjellë këngëtares të ardhura të mëdha nga shitjet.

Pas 5 vitesh nga kenga e saj e fundit, rikthehet edhe Christina Aguilera, e cila po punon për një hit të ri, ndërsa edhe Drake, i cili sapo ka mbushur 30 vjec, do të sjellë albumin “More Life”, një miksim mes hiteve të vjetra edhe të reja.

Ndersa Puff Daddy duket t’i ketë thënë njëherë e përgjithmonë lamtumire muzikës me albumin e tij të fundit “No way out”.

Ja si do të jetë moti në Kosovë

0

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka njoftuar se gjatë ditëve të ardhshme mbi vendin tonë do të mbajë mot i ndryshueshëm, me intervale me diell dhe vranësira të dendura të cilat nga pasditja e së martes parashihen të shoqerohen me reshje bore.

Reshjet e kohë pas kohëshme sipas IHK-së do të vazhdojn për dy- tri ditë, të cilat vende-vende do të jenë më të theksuara.

“Shtypja atmosferike e lartë mbi vlerat e normales e cila ka përfshirë Ballkanin për plot një muaj , nga e mërkurja kjo shtypje do të zbresë nën vlerat e normales me çka presim dhe ndryshim në gjithë parametrat meteorologjikë.”

“Erërat e fuqishme dhe reshjet e borës do të jenë prezent mbi vendin tonë. Pas reshjeve dhe fuqisë së këtyre masave me origjinë polare parashihen ulje të dukshme të vlerave termike në dy ekstremet, duke bërë që merkuri në termometër të zbresë në findjavë deri -17 gradë Celsius, kurse në viset malore deri -19 gradë Celsius”, thekson IHK.

Gjatë kësaj periudhe deri te premten temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -11 deri -4 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 1- 4 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes dhe veriperendimit me shpejtësi mbi 13m/s.

Arrestimi

0

Hajdar Mallaku

(Tregim)

Lajmi për mbajtjen e Kuvandit Zgjedhor të Shoqatës për Kthimin e të Shpërngulurve nga trojet e veta ishte përhapur në mënyrë konspirative, si thuhet në popull prej një goje në një vesh dhe atë në formë përshpëritjeje. Edhe te unë erdhi ashtu. Atë që ma solli lajmin unë e njihja, por aty këputej lidhja për t’u aktivizuar në rrethana të tjera dhe me njerëz të tjerë, sikur ai lumi që rrjedh mbi sipërfaqe të tokës dhe e ka një emër e pastaj hyn nën tokë e del në një vend tjetër dhe e merr një emër tjetër, sepse është në tokë tjetër dhe emërtimin e bëjnë njerëz të tjerë. Më tha mua: “Të dielën te stacioni i autobusëve të lajmërohet një njeri që ti nuk e njeh, ndërsa ai të njeh ty. Ai të prin 30 hapa përpara dhe te vendi ku mbahet mbledhja ta bën me shenjë se cila është dera dhe ai ecën, ndërsa ti vështro përreth dhe, kur të jeshë i sigurtë se s’të ka parë kush, futu brenda. Aty janë delegatët nga e gjithë Kosova. Këtë lajm s’duhet ta dijë askush tjetër se po të bijë në veshë të policisë serbe, ata pastaj aktivizohen dhe kontrollojnë masovikisht edhe pa e ditur vendin, kohën dhe orën e mbajtjes së Kuvendit. Kuptoje se edhe rrjeti i spiunazhit të tyre është i madh. Kaç ! Kujdes !”

Unë këtë lajm e ruajta si pullë këmishe të qepur me kujdes. I bëra të gjitha përgatitjet: e mora materialin e duhur, e lexova; e lexova rendin ditor dhe e radhita materialin në mesin e materialeve të tjera.
Të dielen, më 17 nëntor 1991, shkova në kohën e caktuar. E kuptova se Kuvendi nuk do të mbahej në ndonjë fshat, ku vështir policia mund të na diktonte, por së paku mendoja se do të mbahej në periferi të qytetit, diku lart në lagjen Tusus, ku rrugët dukeshin si në pëllëmbë të dorës dhe në rast rreziku mund të largoheshim para kohe. Por e vërteta doli ndryshe. U gjeta në qendër të qytetit Prizren, pikërisht në shtëpinë e patriotit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shuaip Spahiut, tash shtëpi muze. Në të, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kish banuar mësuesi dhe patrioti Ibrahim Fehmiu me familje. Aty e kish kaluar fëmijërinë dhe ore, Bekim Fehmiu.

Nuk vonoi shumë dhe dhoma e madhe e katit të dytë, dhomë që ishte më e madhe se vetë kati sepse ishte vendosur në një bazament druri, të pjerrtë, të dalë jashtë në dy anë dhe me çardak karakteristik, u mbush me delegatë nga mbarë Kosova. Ndriçohej nga trimbëdhjetë dritare në anën kah rruga. Lart tavani me gdhendje marramendëse. Përreth mureve kishte dollapë prej druri të gdhendur me dorë nga mjeshtër të zgjedhur, rreth e rreth ishte e shtruar me nimë (mindera), poshtë me qilima të vjetër dhe me të gjitha karakteristikat e një shtëpie orientale të një pasaniku të qytetit. Gjithçka të emociononte.
Çdo gjë bëhej me maturi dhe zë të ulët. Pritej që të vinin vetëm udhëheqësit e Shoqatës, zot. Jahja Lluka nga Peja dhe zotërinjtë Pajazit Nushi dhe Masar Rizvanolli nga Prishtina, dhe ndonjë tjetër. Ata erdhën më në fund. Po e bënim tashmë radhitjen e dokumenteve dhe vërtetimin e kuorumit që i kalonte dyzet e pesë veta, kur u dëgjuan zhurmë makinash që u afruan me shpejtësi te hyrja e ndërtesës, ardhur nga tri drejtime: nga Papa Çarshija, nga rruga që vie prej Shatërvanit dhe nga ajo që vie nga Ura e Naletit. Ishim të rrethuar. Shtëpia kishte vetëm një dalje dhe dy kampanjolla policie e kishin zënë derën. Policë me automatikë gati për shkrehje rrinin rreth e rreth ndërtesës me shikim nga dritaret. Më ra në sy se quditërisht policët ishin kryesisht jevgë.

Dy roje rrinin në dy anë të derës, ndërsa shumë të tjerë hynë brenda dhe na u kërcënuan që të mos lëviznim nga vendi. Filluan të na kontrollonin detalisht. Vërejta se në xhepat e shumicës së delegatëve gjetën, përpos të tjerave, dhe medikamente dhe sharja e parë ishte :”Svi ste vi bolesni, majku vam jebem, a bavite se politikom”(Të gjithë ju jeni të sëmurë, nënën ua q….., por merreni me politikë). Te unë gjetën një fletë gazete ku unë kisha botuar dy poezi dhe s’di si më kish mbetur në xhep. “Shkruan poezi, tha komesari i policisë, ndoshta poezi patriotike !” Unë heshta. E dija se po të flisja do ta keqësoja poziten time. Nuk shitej. “ Ma jep mua, tha polici Nebojsha, i dërgoj në dhomën poshtë për t’i përkthyer . Unë e njoh këtë person si të rrezikshëm”. Ishte polic rezervë që ishte aktivizuar kohët e fundit. E njihja nga shërbimi ushtarak. Te dy kishim shërbyer në një kazermë, në një qetë dhe në një togë në Maribor. Ishte askushi, një llom njeriu, por ç’t’i bësh. E shikova me përbuzje dhe do të duhej t’i thosha “Të di pushkë kur ke qenë revole e papërdorshme”, por ec e thuaja. Atëherë, në një rast alarmi në kazermë, kur të gjithë duhej të dilnim prej kazermës shpejt dhe me të gjitha përgatitjet, ai humbi. E lypën dhe s’e gjetën. Humbi si shurra e pulës. Askuj nuk i kish shkuar mendja se ai fshihej në kontejnerin e bërllogut, ku kish hyrë dhe e kish mbyllur kapakun. Ishte serb dhe tolerohej se po të ishte shqiptar… Mbahej për ta kryer afatin, dënohej me burg javor, për të mbledhur fletë tërë ditën në oborr, për t’i pastruar we-ce-të, por ai i njejtë, një i krisur, një arrogant, pa pikë vlerë njeriu. “O Zot, thashë me vete, sa gjatë ishim mashtruar me parullën mashtruese të vëllazërim-bashkimit e këta gati gjithmonë me thikë pas shpine !”.

Pas kontrollit pyetja e parë bërë kryetarit ishte se çfarë mbledhje ishte kjo, çfarë qëllimi kishte dhe cili ishte rendi i pikave për shqyrtim. Kryetari ish përgjigjur se veprimtaria e Shoqatës ishte humane dhe jo politike. Kryepolici e kish bombarduar me fjalë :”Pse nuk e bëni në mënyrë legale? Pse nuk keni marrë leje ? Ju nuk e njihni shtetin e Serbisë, a ? Ja njiheni dhe provojeni burgun e saj…” Dhe urdhëroi që nga dhjetë veta të na ngarkonin në kombi dhe të na qonin në burg. Na plasën në dhoma të vogla të burgut rras e plas si fishekë në vezme. Rrinim pip në këmbë gati për të na u zënë fryma. Na mbajtën në këmbë plotë dymbëdhjetë orë, derisa na morën në pyetje një nga një. Nuk na lejuan të flasim njëri me tjetrin, as të pimë ujë. E lejuan aty- këtu ndonjë të moshuar për të urinuar duke e përcjellë dhe shtyer me tytë automatiku në shpinë. Madje këta i përqeshnin, i shanin, u vinin emra përbuzës “Pisho…(Pshurran), Seronja (I dhjerë) e ndonjë tjetër.

Tri momente m’u ngulitën në mendje sot e asaj dite. Më i vjetri nga ne Hafëz Ali Mëziu, shtatëmbëdhjetë vjet i burgosur në burgun famëkeq Goli Otok të ish-Jugosllavisë, një burrë-burrash, që kishte qenë në haxh, por mbante plis të bardhë në kokë, jo të haxhinjve. Thoshte “Unë jam shqiptar i besimit mysliman, por nuk jam arab. Unë jetoj në tokë shqiptare, në Evropë”.

Sa më erdhi mirë kur e dëgjova. Atë e merrja shembull në shumë biseda. E merrte fenë në shërbim të kombit dhe atdheut. Zoti Pajazit Nushi nga keqardhja i tha:
– Më vjen keq se si ju zuri belaja edhe juve në këtë moshë, zot. Hafëz!
– Jo, zot Pajazit.- tha Hafëzi. Mua po më vjen keq për ju, jeni të rinj, se unë e kam kaluar timen. Me këtë pushtet jam njohur tash e sa mot. Me pabesitë e tij jam përballur shumë herë: me shpifje, montime, tortura, burgje e djallëzi të tjera. Por mbahuni! Jemi në një rrugë që s’ka kthim prapa. Kush më nuk u beson gënjeshtrave të tyre. Bashkëjetesë me djallin nuk ka.

I tha këto fjalë duke përshpëritur kur roja doli nga dhoma vetëm për një minutë duke na mbyllur brenda me çelës. Ne e zbrazëm ofshamën e mbledhur në grykë dhe lëvizëm duke i shkundur gjymtyrët e mpira.

Kur u hap dera, pas rojes erdhi dhe polici që na merrte me radhë dhe na qonte në dhomën ku merreshim në pyetje. Radhën e pati një vajzë me emrin Zoja që vinte nga Peja dhe rrinte me të fejuarin e saj. Kur iu thirr emri, vajza u step. U bë dyll e verdhë. Thua se do ta lëshonte shpirti. I fejuari që e dinte pak gjuhën serbe tha se do të shkonin së bashku. “Jo,- tha roja prerazi. Hesht dhe rri në vend!”

E tërhoqi vajzën për krahu dhe e shkëputi nga i fejuari, ndërsa vajza e tulatur u tërhoq zvarrë me kokën e mbetur prapa dhe e përlotur klithi:”Kuku për mua!”
Kur më vonë e kthyen prapa te i fejuari i saj, më erdhi mirë. Vajza e kish futur kokën në krahërorin e tij, ndërsa ai e kish mbështjellë me dy duar, me njërën rreth belit e me tjetrën ia kish mbërthyer flokët në pëllëmbë të dorës thuase do ta strehonte thellë e më thellë në zemrën e tij.

Për mua ishte hera e dytë që arrestohesha. Nuk e kisha tremen e arrestimit të parë, po me ta çdo rast ishte një enigmë në vete. Polici më vuri përpara me tytë të automatikut ngulur në shpinë dhe m’u ngërmua: “Përpara!” Ajo që më shqetësonte me këtë rast ishte familja. Praktikohej që kush arrestohej në të njejtën kohë i bëhej dhe bastisja e shtëpisë, kinse për të gjetur armë, material armiqësor, por në këtë akt vandal paraushtarët i kishin duart e lira në keqtrajtimin e familjes, në plaçkitje të stolive, të parave; i kishin duartë e lira për djegie të shtëpisë. Kjo praktikë ishte realizuar sa e sa herë. Droja se mund t’ua vinin zjarrin librave të shumëta në bibliotekën time të pasur dhe do të mbetnim pa kulm mbi kokë.

Nuk më keqtrajtuan si e prisja, nuk m’i përmendën poezitë e gjetura në xhep. Vetëm më pyetën se ku jetoja, ku punoja, a kisha qenë ndonjëherë tjetër i arrestuar, pyetje që i bënin për formalitet, se isha i bindur që ata dinin shumëçka për ne. Më në fund kryepolici më tha se isha i lirë të kthehesha në kthinën e burgut, por nuk e la pa më thënë: “Ako hoqesh da zhivish, pazi !”(Nëse do të jetosh, kujdes!). Kur u ktheva në shtëpi, ishte ora dy pas mesnate. Nëna, si nëna, ishte zgjuar dhe pa më pyetur ajo mua se pse isha vonuar, unë e pyeta se a mos ishte kush gjatë ditës. Kur më tha :”Jo !”- u qetësova.

Kur na morën në pyetje të gjithëve, disi u liruam. Roja nuk qëndronte më te dera e dhomës, por te dera e hyrjes. Tre perj aktivistëve i mbajtën në burg, njërit (pronarit të shtëpisë) ia morën dhe tërë mjetet e punës, ndërsa të tjerët na liruan. Prizrenasit me bujarinë më të madhe i morën nëpër shtëpitë e tyre për darkë dhe për fjetje të gjithë delegatët që nuk ishin prizrenas.

Kaluan ditë e javë e në analiza kërkoheshin dyshimet e arrestimit. Meditonim se çka kish deklaruar secili në hetuesi, a mos kishim spiunë në mesin tonë? Ku e ditën ata se ne i kishim regjistruar të gjithë të zhdukurit prej vitit 1918 e deri më 1991 dhe i kishim dërguar shënimet jashtë vendit për sensibilizimin e situatës politike në Kosovë? Doli fjala se komisari i kish thënë njërit udhëheqës: “Ju e keni vrarë njëri tjetrin për hakmarrje e na fajsoni ne serbëve. Marre!” Ku e ditën ata se ne e kishim themeluar Shoqatën si kundërveprim( krahas Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, të LDK- së, Shoqatës “Nëna Terezë”, Aktivitetit për Pajtimin e Gjaqeve etj.) ndaj Shoqatës për Kthimin e serbëve “Bozhur” me qendër në Fushë Kosovë. Madje Kombinati bujqësor në Pejë po ndante troje për të kthyerit serbë. Gjatë kësaj periudhe (1918 – 1991) dihej se ishin vendosur në Ksovë 12005 familje kolonësh me 65000 frymë. Në aktivitetin tonë në Prizren ne siguruam 546 troje ku do të vendoseshin 125850 veta të lajmëruar për kthim.

Ne po kërkonim diçka që nuk mund ta gjenim. Udhëheqësia kish treguar naivitet për mbajtjen e Kuvendit në qendër të qytetit, vend ku qarkullimi i njerëzve ishte i madh, në shtëpinë që dihej si e pabanuar. Armiku kishte sy Cerberi dhe njerëzit e njohur për çështje kombëtare i përcillnin. S’do mend se ata mund ta kenë përcjellë zot. Pajazit Nushin, zot. Masar Rizvanollin që vinin nga Prishtina, apo Zot. Jahja Lluka që vinte nga Peja, zot. Muhamet Shukriun që lëvizte nga një vend në tjetrin për ta organizuar Kuvendin, e të tjerë.

Kishte dyshim tjetër për dy spiunë ordinerë S.K. dhe S.N. që i kishin aktivizuar dhe gratë e tyre në këtë mision të pistë. Njëra e kish pyetur gruan e njërit nga delegatet se ku e kishte të shoqin e ajo ish përgjigjur se e kish parë të hyjë në shtëpinë e Shuaip Pashait. Gratë si gratë, fshehtësinë e tregojnë që nga dera e oborrit, edhe pse pa dashje ndonjëherë.

Por, dyshimi që rrinte në kupolën e dyshimeve ishte se vetë njëri nga udhëheqësit, i cili dha dorëheqje fill pas kësaj ngjarjeje dhe nuk u aktivizua më ishte se nuk kish pranuar që mbledhja e Kuvendit të mbahej lart në lagjen Tusus, por kish thënë se sipas një marrëveshjeje të sigurtë ka mirëkuptime të besueshme se nuk do të na arrestojnë. Cilat ishin këto mirëkuptime? Me kë ? Ende me iluzione në kohën kur armiku po na gllabëronte ! Ende me shajni ! Peshku së pari qelbet në kokë, por si; edhe vetë ai ishte aty. Dihej si një mendjemadh që rrahte gjoks për guximin që e kishte dhe vërtet e kishte. Por guximi duhej t’i nënshtrohej një discipline dhe maturie maksimale. Ishte në pyetje atdheu. Dyshimi u shtua se pse vetë ai nuk u vendos në njërën nga kthinat, si gjithë të tjerët, por e mbajtën të veçuar në korridor.

Më në fund e kuptuam së paku se ku ishim. Ende forcat tona ishin në konsolidim e sipër. Nga gjithë ky pësim, duhej të merrnim mësim. Më vinte keq sa të qaja kur s’bëja dot gjë më tepër. Më vjen keq edhe sot se si erdhëm si komb në gjendje që t’i ankohemi botës për keqtrajtimet që na janë bërë gjatë historisë, në vend që të krenoheshim me dinjitetin që do të duhej ta krijonim si na mësuan rilindasit.

Viza e dyshimtë për mikun e Ukë Rugovës

0

Izet Beqiri, miku i Ukë Rugovë, ka arritur të habisë autoritetet shtetërore italiane. Drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk besonin se mund të ndodhte ajo çfarë kishte ngjarë në qershor të vitit 2013.

Ndonëse drejtësia italiane për kohë të gjatë ka kërkuar burgosjen e Izet Beqirit, nëpërmjet Interpol-it, ai kishte arritur që të merrte vizë pikërisht nga ambasada italiane në Prishtinë. Nëpërmjet këtij veprimi, Beqiri po bëhej gati ta vizitonte Italinë nëpërmjet rrugëve ligjore. Këtë ia kishin mundësuar përfaqësuesit e shtetit italian në Prishtinë.

Beqiri, bazuar në dokumentet e autoriteteve italiane të siguruara nga Insajderi, ishte dënuar me 14 vjet burg në Itali për trafikim të drogës.

Për të ishte lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtarë, por autoritetet italiane nuk kishin arritur ta kapnin.

Kur ish-ambasadori Giffoni ishte marrë në pyetje nga eprorët e tij, në qershor të 2014-es, ishte pyetur se si gjatë menaxhimit të tij kishte ndodhur që t’i miratohej kërkesa për vizë një të dënuari nga shteti italian.

Inspektorët e ardhur nga Roma në Prishtinë kishin gjetur se në sistemin elektronik të vizave figuronte emri i Giffonit si miratues i kërkesës për vizë, të bërë nga Izet Beqiri.

Giffoni ka mohuar para eprorëve të tij se e kishte bërë këtë veprim. I’a kishte lënë fajin Florian Petanit.

Giffoni ka pohuar se nuk ka kryer asnjëherë ndonjë operacion personal, nëpërmjet llogarisë së tij në sistemin elektronik të vizave.

Thoshte se shtypte fjalëkalimin në mëngjes, pas takimit të përditshëm të stafit. Këtë e bënte kur ishte në dijeni se në zyre nuk kishte zyrtarë tjerë të pranishëm që ishin të autorizuar për të nënshkruar vizat. Stafi, sipas tij, përdorte paswordin e tij për të dhënë vërtetimin përfundimtar për miratimin e vizës me nënshkrim të ambasadorit.

“…Kjo e fundit (vërtetimi përfundimtar në sistemin L-VIS) ishte një operacion që kurrë nuk kam bërë personalisht dhe që kurrë nuk do të isha në gjendje që teknikisht ta bëj “, ka pohuar Giffoni.

Lidhur me vizën e Izet Beqirit, mbrojta e Giffonit i kishte dërguar përgjigje me shkrim drejtuesve të MPJ-së në Itali.

“Petani ndoshta ka arritur të fus vjedhurazi dokumentacionin e paligjshëm ne L-VIS profilin e Shefit te Misionit , pastaj ka arritur ta përfundoj atë në një farë mënyre”, thuhej në këtë përgjigje.

Por, bazuar në gjetjet e inspektorëve italian viza për Ismet Beqirin kishte historinë e saj.

Ai kishte aplikuar dy herë në ambasadën italiane në Kosovë. Herën e parë ishte refuzuar.

“Më 17.06.2013, shtetasi kosovar Izet Beqiri ( i arrestuar nga autoriteti gjyqësor vendas 5 shkurtin e kaluar së bashku me z. Petanin dhe individë të tjerë, të akuzuar si pjesëtar te organizatës kriminale të udhëhequr nga Ukë I. Rugova) ka dorëzuar një kërkesë për vizë me ftesë në zyrën e vizave në ambasadën italiane në Prishtinë (që duket të jetë aplikimi i tij i parë në zyrën tonë). Menaxheri i departamentit te vizave, Z.Charalambopoulos, e mori përsipër këtë aplikim, megjithatë, ai kurrë nuk e ka lëshuar vizën në fjalë”, thuhet në raportin e inspektorëve italianë, të cilin e posedon Insajderi.

Duke parë që menaxheri i vizave nuk e kishte lëshuar vizën, dhjetë ditë më pas më 27 qershor të vitit 2013, Beqiri bën një aplikim të ri. Kësaj radhe për vizë turistike.

“Me atë rast dosja ishte trajtuar nga ambasadori Giffoni dhe i është lëshuar një vizë për 3 vite”, theksohet në raport.

Raporti i inspektorëve përveç që përshkruan të bëmat kriminale të Izet Beqirit, tregon se ai është kushëri i drejtpërdrejtë i Mentor Beqirit, një tjetër i dyshimtë për përfshirje në krim të organizuar.

Beqiri: Vizën e mora nëpërmjet rrugëve ligjore, nuk jam në dijeni se u kërkova nga Interpoli

Izet Beqiri, gjatë intervistimit në maj të vitit 2014, ishte pyetur nga hetuesit e EULEX-it se si kishte arritur të marrë vizë nga ambasada italiane dhe se me kënd ishte në kontakt për ta realizuar kërkesën e tij.

“Kam qenë në kontakt me Ukë Rugovën”, kishte thënë fillimisht Beqiri.

Kur i ishte shtruar pyetja se a ia kishte thënë pikërisht Ukë Rugovës aplikacionin për vizë, Beqiri kishte ndryshuar deklaratën. Kishte thënë se nuk i kujtohet se nëpërmjet kujt kishte shkuar procedura e aplikimit.

“E kam ditur se do të ma bësh këtë pyetje, por vërtet nuk e di nëse ia kam dhënë vëllait tim që e ka bërë në emër të kompanisë, vërtet nuk e di se si ka ndodhur kjo, mendoj se mund të gjendet nëse ishte përmes kompanisë apo ndërmjetësimit të Ukës”, kishte thënë Beqiri, duke shtuar se kjo mund të verifikohet në ambasadë, pasi që gjithçka kishte shkuar nëpërmjet rrugëve ligjore.

Beqiri, po ashtu, ishte pyetur se a ka ndonjë të kaluar penale. Ai kishte thënë se për aq sa ishte në dijeni nuk kishte të kaluar penale.

Por, hetuesit e EULEX-it e kishin përballur me një dokument të gjetur në shtëpinë e tij gjatë bastisjes së realizuar më 5 shkurt të vitit 2014.

Në një sirtar në dollapin e dhomës së gjumit, Beqiri e mbante një dokument. Ishte futur në një mbështjellës të kaltër. Sipas hetuesve, ai dokument ishte një kërkesë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë. Kërkohej nga kjo Ministrit tërheqja e urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nëpërmjet Interpolit.

“Kjo është gjetur në shtëpinë time, kjo është e pamundur”, kishte pohuar Beqiri.

Kërkesa për tërheqje të urdhër-arrestit ishte ende pa nënshkrim, dhe Beqiri thoshte se nuk i kujtohej ky dokument. Madje, pohonte se nuk ishte në dijeni se Interpoli ishte duke e kërkuar. /Insajderi.com/

Begaj: Për Malishevën viti 2016 ka qenë i suksesshëm

0

I kemi përmbushur objektivat. Kemi asfaltuar shumë rrugë si dhe është në realizim e sipër ujësjellësi në 12 fshatra.

E arritura më e madhe gjatë këtij viti ka qenë largimi i rrezikut nga rriqrat, me ç’rast nuk ka pasur asnjë të vdekur. Në përgjithësi për Malishevën viti 2016 ka qenë i suksesshëm, megjithëse në fillim të tij kemi pasur vërshime me dëme rreth një milion euro, të cilat nuk janë kompensuar. Mbi 95 për qind Malisheva ka arritur ta shpenzojë buxhetin për këtë vit.

Prioritet për vitin 2017 është ndërtimi i tri shkollave, vendosja e kanalizimit në disa fshatra si dhe vazhdimi i asfaltimit të disa rrugëve. Një prej sfidave mbetet rregullimi i shtratit të lumit, por meqë komuna e Malishevës e vetme nuk mund ta rregulloj, kemi kërkuar ndihmë nga institucionet. Nëse rregullohet ky problem, atëherë do të ulet shkalla e rrezikshmërisë për vërshimet në të ardhmen.

Ndërkohë sa i përket situatës politike në nivelin qendror, mendoj se ajo ka ndikuar në komuna. Sepse kur niveli qendror nuk është stabil, atëherë nuk është stabil as niveli lokal. Prandaj duhet të kemi një pjekuri politike në nivel vendi./Telegrafi/

Haxhi Avdyli: LDK-ja sivjet rikthehet në Prizren

0

Kryetari i LDK-së në Prizren Haxhi Avdyli, premton se LDK-ja këtë vit do të rikthehet në Prizren. Ai në ditën e dytë të këtij viti është takuar me strukturat e partisë.

“LDK do rikthehet fuqishëm në qytetin e vlerave, në të mirë të qytetarëve dhe në mbrojtje të interesave të tyre”,shkruan Avdyli në Facebook, transmeton PrizrenPress.

“Bashkë me të gjithë ata që duan ndryshimin,dhe që besojnë në vlerat e LDK-së”.

“Bashkë deri te ndryshimi i domosdoshëm”.

“Ndryshim së pari i konceptit të qeverisjes përmes programit të duhur, qeverisjes së pastër dhe punës ekipore të cilin qytetarët e Prizrenit po e kërkojnë”./PrizrenPress.com/