Home Blog Page 6187

Policia në Prizren, gjoba për veturat e parkuara në trotuar

0

Policia në Prizren, ka filluar sërish aksionin për largimin e veturave nga trotuaret përreth rrugëve kryesore të qytetit.

Zëdhënësi i Policisë Hazir Berisha, tha se ky aksion do të realizohet çdo ditë dhe është ndërmarrë edhe sipas kërkesave të qytetarëve, shoqatave të personave me aftësi të kufizuar dhe shoqërisë civile, për largimin e veturave nëpër trotuare.

“Po pengohet në masë të madhe lëvizja e qytetarëve”, tha Berisha.

Sipas tij, gjatë këtij aksioni përveç, shqiptimit të gjobave, do të bëhet edhe konfiskimi i automjeteve, që ata pronarët e tyre të vetëdijesohen dhe në të ardhmen t’i respektojnë ligjet në fuqi. /TV Prizreni/

Ramadan Muja pro ndërtimit të xhamisë në Kalanë e Prizrenit

0

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, përkrah iniciativën për rindërtimin e xhamisë në Kala.

“Ne e përkrahim iniciativën si qytetar dhe, institucione nuk mund të lejojmë të përgjysmohen monumentet. Jemi për ndërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit, sepse ka ekzistuar dhe është pjesë e e kulturës së këtij nënqielli, prandaj ajo duhet të rindërtohet dhe ta kompletojë këtë monument ekskluziv kulturor historik”, tha Muja transmeton TV Prizrenit.

Përfaqësuesit e Iniciativës për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit janë pritur nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

Përfaqësuesi i iniciativës, Ilir Gashi, tha se është një kënaqësi e veçantë që gjithë aktiviteti që është zhvilluar në muajin e kaluar ka kulmuar me mbështetjen e fuqishme të kryetarit të Komunës dhe zyrtarëve të tjerë komunal të tjerë që ishin prezent në takim.

“Është kënaqësi e vërtet që është arrit në një konsensus i plotë. Qytetarët dëshirojnë që kalaja të rindërtohet”, theksoi Gashi.

Udhëheqësit e Iniciativës për rindërtimin e xhamisë në Kala, thanë se deri me tani peticionin për rindërtimin e kësaj xhamie e kanë nënshkruar 28 mijë qytetarë të Prizrenit./PrizrenPress.com/

Protestë para Gjykatës në Prizren: U kërkua lirimi i Ejup Shemollari

0

Mbi 100 qytetarë të Prizrenit, të hënën i janë përgjigjur thirrjes së familjes Shemallari, për protestë para Gjykatës Themelore të Prizrenit, ku është kërkuar lirimi nga paraburgimi i të riut, Ejup Shemollari, i cili po mbahet në masën e paraburgimit së bashku me babain e vet për rastin e vrasjes së trefishtë në mars të vitit 2015. Ditën e hënë para objektit të Gjykatës Themelore në Prizren, familjarët e Eshref dhe Ejup Shemallari kanë organizuar një protestë ku është kërkuar lirimi i Ejup Shemallarit.

Thirrjes së tyre për t’iu bashkuar kësaj proteste i ishin përgjigjur një numër i konsiderueshëm i qytetarëv.

Nëna Hedija dhe motra e të riut Shemallari,Lindita thanë se Ejupi po mbahet padrejtësisht në paraburgim që 20 muaj, sepse sipas tyre ai është plotësisht i pafajshëm, dhe se organet e drejtësisë duhet ta lirojnë atë sa më parë. Nëna e Ejupit, thotë se ajo së bashku me djalin e saj më të vogël jetojnë në kushte tejet të vështira, ndërsa më e keqja e gjithë kësaj thotë ajo është fakti se djali i saj më i vogël nuk mund të vijojë mësimin për të tretin vit me radhë.

Ndryshe, Eshref e Ejup Shemallari që mes vete janë babë e bir akuzohen për vrasje të rëndë të 3 personave në Prizren më 8 mars 2015, dhe ata po mbahen në paraburgim, ndërsa së shpejti pritet të rinisin seancat gjyqësore rreth këtij rasti./TV Prizreni/

Policia shqiptoi 600 tiketa për 24 orë

0

600 tiketa ka shqiptuar Policia e Kosovës, për vozitësit e automjeteve, vetëm brenda 24 orëve. Ndërkohë, që janë shënuar 31 aksidente.

9 aksidente kanë përfunduar me të lënduar, ndërsa 22 pa të lënduar. Fatmirësisht nuk është raportuar për asnjë aksident me fatalitet, shkruan Gazeta Fjala.

Gjatë kësaj kohe, Policia ka arrestuar 6 persona dhe 6 i ka lënë në mbajtje.

Nga sot fillon realizimi i vizitave sistematike shëndetësore në shkollat e Malishevës

0

Duke filluar nga dita e sotme, do të fillojnë vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit e shkollave. Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, të qeverisë komunale në Malishevë, të drejtuar nga kryetari Ragip Begaj, e ku drejtorët e drejtorive komunale, kanë raportuar për punët dhe aktivitetet e tyre, si dhe realizimin e projekteve kapitale.

Drejtori për shëndetësi, Hajdin Berisha, ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe nga dita e sotme, është filluar me realizimin e vizitave sistematike shëndetësore në të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës. Këto vizita shëndetësore, kryhen nga stafi profesional i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe janë vizita të rregullta në kuadër të kujdesit shëndetësor.

Ndërsa sa i përket investimeve kapitale, apo realizimit të projekteve kapitale, drejtori i urbanizimit, Ahmet Morina, ka thënë, se janë duke vazhduar me realizimin e disa projekteve, siç janë kanalizimet në Senik, Drenoc, Astrazup, Gurbardh, Llapçevë dhe disa fshatrat tjerë, si dhe ka filluar rregullimi i oborrit të shkollës në Vërmicë.

Në sektorin e bujqësisë, drejtori Murat Hoxha, tha se kanë përfunduar mbjelljet vjeshtore, ndërsa janë në pritje të nënshkrimit të kontratës për furnizim të fermerëve me lopë qumështore, fermer të cilët janë pjesë e projektit për ndërtimin e stallave.

Muaji dhjetor, është muaji i ardhjes së mërgimtarëve, dhe për këtë qëllim, edhe drejtoria e administratës së përgjithshme, është mobilizuar, në mënyrë që t’iu ofrojnë shërbimet e nevojshme komunale, sidomos në sektorin e ofiqarisë.

Aktivitet në kulturë, rini dhe sport, sipas drejtoreshës Blerta Krasniqi, janë drejt përmbylljes së aktiviteteve zyrtare për këtë vit, ndërsa drejtori i arsimit, Avdi Morina, ka bërë të ditur, se janë furnizuar dy biblioteka shkollare me libra, si rezultat i iniciativës së shkrimtarit Mehdi Krasniqi, e që është përkrahur edhe nga drejtoria e arsimit dhe drejtoria për kulturë.

Edhe drejtori për buxhet dhe financa, Vesel Krasniqi, ka bërë të ditur se, se bashkë me drejtoritë tjera, janë duke i bërë përgatitjet për fillimin e vitit 2017, ndërsa janë drejt përfundimit të vitit buxhetor 2016.

Njerëzit e UDB-së, në piramidën e shtetit

0

Kjo legjislaturë e tanishme e institucioneve të shtetit të Kosovës, Kuvendi dhe Qeveria, do ta kalojnë edhe këtë mandat të radhës, i treti pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, por pa e pasur guximin dhe kurajën që ta nxjerrim dhe miratojnë në Kuvendi Ligjin e lustracionit, për hapjen e dosjeve dhe identifikimin e spiunëve të UDB-së, që akoma janë aktivë gjithandej nëpër institucionet e shtetit, në të gjitha nivelet, madje edhe në medie, në portale e TV që i mbajnë nën kontroll dhe bëjnë politikë që shkojnë jo rrallëherë edhe në dëm të pariparueshëm të interesit të vendit.

Deputeti i LDKsë, Adem Salihaj, thotë se është i madh numri i njerëzve brenda politikës aktuale në Kosovë, që i frikësohet bërjes së këtij ligji, prandaj edhe nuk është e pritshme që procedura e nxjerrjes së tij dhe sjelljes në Kuvend të ndodhë në një periudhë të afërt kohore. Madje, ai beson që në një formë ka edhe dakordancë në mes të një pjese të konsiderueshme të lidershipit politik kosovar dhe atij serb, që hapja e dosjeve të mos ndodhë tash dhe një kohë të gjatë.

“Hapjes së dosjeve të UDB-së i frikësohen shumë njerëz që kanë pasur lidhje me regjimin serb dhe jugosllav, që i kanë shërbyer atij gjatë, në dëm të luftës sonë për liri e pavarësi, në dëm të çështjes sonë kombëtare. Me hapjen e dosjeve të UDB-së do të mund të zbulohej se në piramidat e shtetit të Kosovës, jo vetëm në të kaluarën, por edhe sot mund të jenë bashkëpunëtorët e Serbisë. E ata nuk punojnë për interesat e Kosovës, por punojnë për rikthimin hap pas hapi të Serbisë në Kosovë. Në fund të fundit, as vetë Serbia nuk është e interesuar që të zbulohen njerëzit e saj, sepse përmes tyre ajo po arrin që të rikthehet sërish në Kosovë, duke u bërë faktor dhe duke ndërhyrë drejtpërdrejt në sistemin politik të Kosovës”, theksoi Salihaj për “Kosova Sot”.

Kelmendi: Ish-agjentët e UDB-së hedhin mjegull në opinion

Me një vlerësim të ngjashëm e sheh zvarritjen e kësaj teme edhe analisti i politikave të sigurisë, prof. dr. Jeton Kelmendi. “Çështja e hapjes së dosjeve është një nga problemet serioze, me të cilat duhet të merren institucionet shtetërore të Kosovës, por kjo gjë nuk ka ndodhur deri më tani, dhe madje jam skeptik se do të ndodhë edhe për një kohë të caktuar. Mendoj se problemi qëndron në faktin se shumë nga njerëzit me shumë ndikim në vend janë persona me biografinë e dyshimtë dhe këta persona akoma po e pengojnë një gjë të tillë. Pra, janë pikërisht ish-agjentët e UDB-së, që hedhin ide dhe mjegull në opinion për ta penguar edhe procesin e hapjes së dosjeve”, thotë analisti Jeton Kelmendi. Ai madje shpreh dyshimin që një rrjet i tërë i njerëzve aktivë në institucione akoma mund të jenë pjesë aktive e bartjes së informatave të caktuara, në dëm të shtetit për shërbimet e inteligjencës serbe.

Hertica: Njerëz me të kaluar të dyshimtë nëpër institucione

Sipas magjistrit të shkencave politike, Ali Hertica, derisa tema e dosjeve mbetet tabu dhe nuk bëhet Ligji për pastërtinë e figurës, edhe në zgjedhjet e radhës nëpër institucionet e shtetit do të mund të vazhdojnë të mbeten njerëz me të kaluar të dyshimtë, pse jo edhe shërbëtorë aktivë të shërbimeve të huaja, edhe spiunë të drejtpërdrejtë të UDB-së serbe. “Unë mendoj gjithashtu se miratimi i Ligjit për kontrollin e figurës së personit zyrtar të zgjedhur apo të emëruar në organe të rëndësishme të shtetit vetëm sa garanton transparencën e plotë të dosjeve, por edhe garanton profesionalizmin dhe pavarësinë e autoritetit të posaçëm për kontrollin e pastërtisë të figurës së personave zyrtarë dhe heq mundësinë e manipulimit të mëtejshëm me dosjet e ishpolicisë sekrete të dhe njerëzve të saj të diktaturës.

Gjithsesi konsideroj që hapja e dosjeve nuk e cenon të drejtën e individit, sepse në këtë rast, hapja e tyre bëhet për arsye madhore, atëherë kur duhet të dihet se a ka faje të rënda apo krime të një personi ndaj një tjetri. Pra, hapja e dosjeve duhet parë si një proces i pastrimit të shoqërisë dhe individit, që në këtë rast duhet të vihet në funksion të kësaj kërkese të lartë. Ajo që vlen të dihet është që ky proces të mos të ketë pasoja të rënda për këta individë apo të afërmit e tyre, por t’u pamundësohet atyre drejtpërdrejt angazhimi i mëtejshëm në funksione të larta publike, që mund të jenë me ndikim negativ në funksion të ruajtjes së sekretit të shtetit”, theksoi Ali Hertica. Sado i nevojshëm ky proces, ai thotë se çështja e hapjes së dosjeve të ish-spiunëve të UDB-së nuk pret të bëhet çështje e debatit, madje as për ta vendosur në rendin e ditës, për ta miratuar Ligjin e lustracionit, sepse tani dyshohet me plot të drejtë që edhe një pjesë e vetë kuvendarëve aktualë janë ose kanë qenë bashkëpunëtorë “eminentë” të UDBsë, madje në kohën kur edhe janë bërë ndryshimet kushtetuese- amendamentet për ta shthur ish-Krahinën Autonome të Kosovës dhe rikthimin e saj të egër nën ombrellën e hekurt të shtetit serb/kosova sot/

Për Andrean dhe ata që nuk respektojnë as vdekjen!

0

Blendi Fevziu

Andrea Stefani nuk jeton më. Gazetari i njohur që militonte që prej 25 vitesh në gazetari, protagonisti i debateve të ashpra, kalorësi i të majtës dhe kritiku i ashpër i Berishës iku nga kjo botë në një moshë që askush nuk e meriton që të ikë.

Por vdekja është e tillë. Vetëm ajo e di ku zgjedh dhe në zgjedhjen e saj, askush nuk ndikon dot. Mund të jesh njeri i mirë apo problematik, i zgjuar apo modest, i pasur apo i varfër, i majtë apo i djathtë, mund të duash Ramën apo Bashën, mund të jesh fans i Berishës apo i Metës, mund të kesh një familje të madhe apo të jesh fillikat në këtë botë, ajo troket njësoj tek të gjithë.

Ashtu siç trokiti dje në derën e Andrea Stefanit, për ta marrë me vete në mbretërinë e saj. Shumë vite më parë, kur shkruante romanin “Për kë bien Këmbënat”, Ernest Heminguej e nisi atë me një citim të poetit anglez të shekullit të XVII Xhon Donne, i cili pak a shumë thoshte: “Kur këmbana e kishës bie për të njoftuar një vdekje, mos pyet kurrë për kë ra ajo. Ajo bie edhe për ty. Sepse kur një njeri ikën, të kujton që është edhe rradha jote”.

M’u kujtua ky citim i hershën ndërsa lexoja me dhimbje një pjesë të komenteve nën njoftimin tonë për vdekjen e parakohshme të Stefanit, nga një sëmundje e pashërueshme që ai nuk e mundi dot. Kam ngelur i befasuar nga cinizmi dhe mllefi që shoqëronte një pjesë të komenteve. Ashtu siç më ngjallnin një shije të keqe ekzaltimet pozitive që njerëzit i lëshojnë pa kontroll vetëm kur nuk je më. Andrea Stefani ishte njeri publik.

Ai ishte një komentator shumë i pranishëm në ekran. Si gjithë njerëzit e angazhuar me media dhe politikë ai ndante emocione kontradiktore. Kishte njerëz që e donin dhe të tjerë që nuk e pelqenin. Kishte njerëz që ekzaltoheshin, por edhe që prekeshin nga analizat e tij.

Kjo botë e tillë është, asnjëherë uniforme dhe asnjëherë e kënaqshme për të gjithë. Dhe funksionon pikërisht si e tillë. Stefani nuk e fshehu kurrë se ishte një mbështetës i së majtës; ai mbeti një kritik i palëkundur i Sali Berishës si një njeri politik.

Por njëkohësisht ai kishte një zë indipendent. Më 2008 doli hapur kundër së majtës për ndryshimin e kushtetutës, ndërsa në 2014 bëri një betejë publike kundër portreteve te diktatorit Hoxha që shfaqeshin në mitingjet e mazhorancës së majtë. Më parë, në mes të viteve ’90 – të, ishte një kundërshtar i hapur i piramidave siç kishte qenë në vitet 2004 – 2005 një kundërshtar i korrupsionit në vend.

Përtej gjithë kritikave, besoj se ai i qëndroi bindjeve të tij edhe për 25 vjet mbeti gjithnjë një gazetar, pa u angazhuar direkt në politikë. Ai nuk veproi kurrë me asgjë më shumë se sa me fjalën dhe fjala nuk gjykohet asnjëherë përtej forcës së saj. Mund ta doje ose jo Andrea Stefanin, mund të ishe solidar me bindjet dhe analizat e tij, ose jo, por kjo nuk justifikon kurrë asnjë lloj mllefi publik kur tjetri nuk jeton më. Të jesh me njërën apo tjetrën palë në politikë, të jesh i angazhuar apo jo, është pjesë e kësaj bote. Në atë botën tjetër, kjo s’ka asnjë vlerë. Vdekja nuk bën dallim, as kur të merr të ri; as kur të merr atëherë kur beson se je më i fortë se kurrë. Vdekja s’ka ngjyrë dhe as tesër partie, ndaj përpara saj jemi të gjithë njësoj.

Respektojeni atë, sepse këmbana që po bie sot për Andrean, do bjerë për secilin prej jush siç thoshte Heminguej. Andrea Stefani iku nga kjo botë, me siguri ashtu siç kishte dashur të ikte. Me bindjet dhe qëndrimet e tij. Mbështetës apo kundërshtar, ai ishte një zë origjinal, një zë që do t’ju mungojë të gjithëve, jo vetëm mbështetësve, por padyshim edhe kundërshtarëve të tij. Ndaj e vetmja gjë që mund t’i themi, është ajo që i urohet çdo njeriu që niset për në atë botë ku do shkojmë të gjithë një ditë: u prehsh në paqe o mik!

Digjet një shtëpi në Prizren, dy të lënduar

0

Raportohet se në rrugën “Gani Bajrami “në Prizren dje rreth orës 17:15 një shtëpi është përfshirë nga zjarri në rrethana të panjohura.

Me këtë rast kanë mbetur të lënduar dy persona, të cilët janë dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit, thotë Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

PK më tutje shton se njësit përkatëse dhe zjarrfikësit kanë dal në vend ngjarje dhe kanë lokalizuar zjarrin.

Njësit përkatëse policore janë duke hetuar rastin.

Kujdes mund të hasni në para të falsifikuara në Prizren

0

Gjatë ditës së djeshme në qytetin e Prizrenit një person është shoqëruar në Polici.

I dyshuari mashkull K-Shqiptar është shoqëruar në polici pasi që i njëjti në një market në cilësi të konsumatorit ka dashur të kryen një pagesë me një kartëmonedhë prej 100€ që dyshohet të jetë e falsifikuar.

Me vendim të prokurorit i dyshuar pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Shënohet 18-vjetori i rënies së dëshmorëve në malet e Pashtrikut

0

Me homazhe tek kompleksi memorial në fshatin Krushë e Madhe të Komunës së Rahovecit dhe tek vendi i rënies në malet e Pashtrikut, u shënua sot 18-vjetori i rënies së Dëshmorëve: Muhamet Malsori, Skender Hameli, Sinan Hoti, Isak Hoti, Sedat Hoti dhe Ismet Hoti, të cilët u ranë me 4 dhjetor të vitit 1998.

Në tubimin përkujtimor, të organizuar nga banorët e fshatit Krushë e Madhe të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi me bashkëpunëtor, Ramadan Hoti nënkryetar i Komunës së Gjakovës, familjar dhe bashkë luftëtar të Dëshmoreve.

Selami Hoti, kryetar i këshillit të fshatit Krushë e Madhe, ka thënë dëshmorët të cilët sot po i kujtojnë e dinin më mirë se liri pa gjak nuk ka, të frymëzuar nga filozofia e Ukshin Hotit, këta dëshmor dhe shumë krushjan të tjerë, tani më ishin rreshtuar në brigadën e Zonës Operative të Pashtrikut.

Kryetari i Komunës së Rahovecit në fjalën e tij të mbajtur në shënimin e 18-vjetorit të rënies së Dëshmorëve tha se sa e shtrenjtë dhe e nevojshme ishte liria për vendin tonë, tregon vepra e Muhametit dhe shokëve të tij, të cilët 18-vjet më parë, dikush kishte lënë punën e përditshme si profesor, shumë të tjerë kishin ndërpre studimet e tyre, që fillimisht vendit t’ia sillnin lirinë dhe të sigurojnë kushte më të mira për të gjithë studentët dhe nxënësit dhe gjithë familjet e tyre