Home Blog Page 6189

Malisheva, përgatitet për sezonin dimëror

0

Sot është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve, që udhëhiqet nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Në mbledhjen e sotme, gjatë raportimit të drejtorëve të drejtorive komunale, u tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për sezonin dimëror, si në mirëmbajtjen e rrugëve, ashtu edhe në ofrimin e shërbimeve komunale, ku në fund vit ka fluks më të madh të qytetarëve, kryesisht mërgimtarë që duhet t’iu ofrohen shërbime të shpejta.

Fillimisht kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka kërkuar nga drejtoritë përkatëse, që të jenë më shumë të angazhuar në këtë fund të vitit, si në ofrimin e shërbimeve administrative komunale, ashtu edhe në mirëmbajtjen e rrugëve, por edhe në përfundimin e projekteve në të cilat për shkaqe të ndryshme, ka mundur të kenë vonesa eventuale.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Milazim Krasniqi, tha se “janë kryer të gjitha përgatitjet për sezonin dimëror, përkatësisht, mirëmbajtjen e rrugëve dhe pastrimin e borës”, ndërsa drejtori i administratës Hajrullah Mazreku, deklaroi se drejtoria është përgatitur për ofrimin e shërbimeve komunale administrative, pasi në fund vit ka fluks më të madh të qytetarëve që kërkojnë dokumente, përkatësisht ardhja e mërgimtarëve gjatë festave të fund vitit.

Edhe drejtori i Inspektoratit, Fadil Shala, ka treguar se inspektorët komunal, janë më aktiv në këtë periudhë në kontrollimin e mallrave, përkatësisht produkteve ushqimore, pasi konsumimi i ushqimit është më i madh, prandaj të gjitha marketet dhe dyqanet, do të inspektohen vazhdimisht për afatet e përdorimit të mallrave.

Sa i përket shpenzimit të buxhetit, drejtori për buxhet Vesel Krasniqi, tha se “qëndrojnë mirë në shpenzimin e buxhetit, përkatësisht realizimin e projekteve të parapara, dhe se drejtoria është duke u përgatitur për fillimin e vitit të ri buxhetor 2017”.

Situata shëndetësore në Malishevë duket e mirë, edhe pse ka fluks më të madh të pacientëve në QKMF, për shkak të gripit sezonal. Sipas drejtorit për Shëndetësi, Hajdin Berisha, “është rritur numri i pacientëve, si pasojë e gripit, por stafi mjekësor në QKMF, është mirë i përgatitur për tu përballur me këtë fluks, ndërsa ka pak vonesa të furnizimit me barna nga lista esenciale, të cilën e bën ministria”. Drejtori Berisha, po ashtu njoftoi se është duke vazhduar projekti i vizitave sistematike shëndetësore në shkollat e Komunës së Malishevës.

Drejtoresha për kulturë, rini dhe sport, Blerta Krasniqi, njoftoi se janë drejt përfundimit të aktiviteteve që i takojnë këtyre tre sektorëve, sikur edhe drejtori i arsimit Avdi Morina, gjithashtu bëri të ditur se janë drejt përgatitjeve për përfundimin e gjysmë vjetorit të parë të këtij viti shkollor.

Sa i përket sigurisë, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sejdi Paçarizi, njoftoi se gjatë fundjavës janë regjistruar tri intervenime të njësisë së zjarrfikësve.

Zihen në flagrancë duke vjedhur në çatinë e një shtëpie në Suharekë

0

Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj, pasi që të njëjti janë kapur në flagrancë duke kryer vjedhje në çatinë e shtëpisë së viktimës mashkull në Suharekë

Kurse me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, thuhet në raportin e policisë

Berisha: Muri në Mitrovicë, rezultat i një marrëveshjeje të fshehur

0

Zafir Berisha, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, në mbledhjen e sotme të mbajtur, ka diskutuar problemin e ndërtimit të murit në Mitrovicë.

Sipas tij, muri i ndërtuar në Mitrovicë, është vazhdimësi e projekteve të Serbisë për ndarjen e vendit, njofton Klan Kosova.

‘’Muri është vazhdimësi, e projekteve të Serbisë për ndarjen e Kosovës’’.

‘’Fillimisht në ‘99-2000 atje është bërë një pastrim etnik nga forcat kriminale të mbështetura nga Beogradit’’.

‘’Në vazhdimësi të këtij projekti mund të them lirisht se ky është rezultat i një marrëveshjeje të fshehur’’, është shprehur ai

Arratiset ish-drejtori i Ramadan Mujës

0

Është arratisur ish-drejtori i Inspektoratit në Prizren, Nysret Durmishi. Ai nuk është dërguar në vuajtje të dënimit me burg, në bazë të vendimit të gjyqësorit. Policia nuk e di vendndodhjen e tij.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj ka thënë se kjo gjykatë i ka marrë të gjitha veprimet e duhura.

“Kemi lëshuar fletëarrest, por Policia ka deklaruar se i kërkuari nuk gjendet në territorin e Kosovës”, ka thënë Kicaj për Koha Ditore.

Ish-drejtori i Inspektoratit në Prizren, Nysret Durmishi është dënuar me tetë muaj burg efektiv nga Gjykata Themelore në Prizren.

Ai është dënuar për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Pala kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit ka bërë ankesë në Gjykatën e Shkallës së Dyt, gjegjësisht në Gjykatën e Apelit, dhe e njëjta e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit”, pat thënë ditë më parë, Kicaj, për PrizrenPress.

Sipas saj, me kërkesën e palës lënda, lënda është dërguar në Gjykatën Supreme për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Nysret Durmishi ka qenë drejtor i Inspektoratit në mandatin e parë të Qeverisë së Ramadan Mujës.

Ai është dënuar për shkak të disa mbindërtimeve, që kanë ndodhur në kohën sa ka qenë drejtor.

Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Sylë Hoxha, në kohën kur është ngritur aktakuza, pat sqaruar se ish-drejtori, Durmishi dhe dy punonjësit e Drejtorisë së Inspektorateve, qenë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autorizimit, për shkak të disa mbindërtimeve.

“Si persona përgjegjës në Drejtorinë e Inspektorateve kanë pasë për obligim që t’i përcjellin tejkalimet e shkeljet urbanistike. Për shkak të dyshimit të bazuar se nuk e kanë bërë këtë ndaj tyre është ngritur aktakuza dhe Gjykata pas shqyrtimit gjyqësor ka shpallur aktgjykimin”, pat deklaruar Hoxha.

Inspektorët e ndërtimit në Komunën e Prizrenit dhe drejtues të këtij dikasteri, vite më parë, i kanë mbyllur sytë përballë tejkalimeve pa leje në ndërtimin e objekteve shumëbanesore, gjë që është konstatuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, në tri aktgjykime të ndara.

Kësisoj janë shqiptuar tri aktgjykime fajësuese ndaj një punonjësi, një ish-punonjësi dhe një ish-drejtuesi të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit për shpërdorim të detyrës zyrtare gjatë mbikëqyrjes inspektuese në objekte shumëbanesore në lagje të ndryshme të qytetit. Në dy rastet e para punonjësi dhe ish-punonjësi i DI-së patën pranuar fajësinë dhe qenë gjobitur me nga 4 mijë euro.

Ndërsa në aktgjykimin ndaj Nysret Durmishit, Gjykata Themelore e Prizrenit pat theksuar se ai ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, sepse si drejtor i Inspektorateve gjatë viteve 2009-2010 nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, me qëllim që të përfitojë personi tjetër dobi pasurore dhe të shkelen të drejtat e personit tjetër, pasi që nuk i ka ushtruar autorizimet e tij rreth ndalimit të kryerjes së punëve ndërtimore pa leje ndërtimi, në një kompleks banesor në rrugën “Jeronim de Rada”, ashtu që investitori ndërton katin e tetë dhe të nëntë në kundërshtim me lejen ndërtimore të lëshuar nga DUPH-ja. Gjykata Themelore e pat dënuar Durmishin me tetë muaj burg, gjë që sipas zëdhënëses Kicaj është konfirmuar edhe me vendim të Apelit. Gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallën e parë, Durmishi pat mohuar fajësinë lidhur me këtë vepër penale.

Nysret Durmishi ka qenë drejtor i Inspektoratit në mandatin e parë të Qeverisë së Ramadan Mujës./PrizrenPress.com/

Politikanët e korruptuar shpëtojnë pa “ferrë në këmbë”

0

Drejtësia në Kosovë po amniston politikanët e korruptuar, dhe ata me dosje të grumbulluara, të cilëve po ua zvarritin lëndët, gjersa atyre t’u skadojë afati ligjor, në mënyrë që dikur të njëjtit të rehabilitohen dhe sistemohen diku nëpër kthinat qeveritare, të cilat janë mbushur me udhëheqës debilë e të papërgjegjshëm. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, të cilët kanë thënë po ashtu se korrupsioni i këtij niveli dhe këtyre përmasave veç tjerash në mënyrë direkte e pengon edhe zhvillimin ekonomik të vendit, e sidomos i pengon investitorët e huaj që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë, për shkak se investitorët e vendeve perëndimore nuk investojnë në vende ku duhet dhënë dhjetë apo njëzet për qind për ta marrë një licencë ose për të hapur ndonjë biznes. Ndaj në këtë drejtim është ngritur edhe çështja se a po amnistohen politikanët e korruptuar përmes parashkrimit të lëndëve, dhe se çfarë drejtësie po ndërton Kosova në këtë aspekt, kur politikanët që vjedhin paranë publike shpëtojnë pa ferrë në këmbë, qoftë duke i hedhur në sirtar këto lëndë apo edhe më keq, duke i parashkruar fare, derisa sot nëpër gjykata nuk kemi vendime të prera për politikanë të korruptuar, por vetëm disa hetime e aktakuza që nuk përfundojnë asnjëherë.

Dibrani: Sistemi i drejtësisë në vendin tonë ka dështuar Analisti Shefqet Dibrani në një prononcim për gazetën, “Kosova Sot”, ka thënë se tashmë është e qartë se politikanët e Kosovës e kanë kapur shtetin, kurse me Kosovën dhe pasurinë e saj po sillen sikur ta kishin pronë private, derisa, sipas tij, sot nuk ka sferë e jetës që nuk është rrezikuar, kurse drejtësia është në një gjendje të mjeruar. Sipas tij, gjendja e mjeruar është edhe në arsim dhe në siguri që është katandisur si mos më keq.

“Nëse kthejmë kokën tek zhvillimi ekonomik, Kosova është vendi më i pazhvilluar dhe me një ekonomi, që nuk i përmbush as gjërat elementare të shoqërisë, tek një gjendje aspak më e mirë nuk është as në sektorin e shëndetësisë dhe të kulturës, të cilat në mënyrën e vet janë pasqyrë e realitetit të zymtë në Kosovë. Këtyre ditëve opinioni u alarmua me publikimet e testit PISA, ku Kosovën e radhit në vendet me nivelin më të ulët arsimor në botë?! As ky rast nuk e tronditi dhe as nuk e alarmoi prokurorinë e as drejtësinë e Kosovës, për të kërkuar llogari nga përgjegjësit shtetërorë. Po vite më parë problemin në arsim e ka trajtuar gjerë e gjatë edhe gazeta “Kosova Sot”, por sigurisht ato fakte dhe dëshmi nuk paskan qenë të mjaftueshme për drejtësinë në Kosovë për t’i ushtruar kompetencat e saj në këtë fushë, për të mos lejuar kësisoj degradimin e vlerave nacionale deri në këtë masë ku ka rënë Kosova”, shprehet Dibrani.

Sipas tij, vetëm në Kosovë ndodhin anomali politike ku zyrtarët kryesorë të vendit mashtrojnë popullin e tyre, ndërsa të nesërmen ndodhin ndërtime të mureve mes për mes qytetit, dhe askush nuk merr përgjegjësi për këtë dështim, e për fat të keq edhe drejtësia po hesht. “Ajo po hesht aq shumë sa tashmë me të drejtë qytetarët dyshojnë se kupola e krimit në të gjitha sferat e dështimit është pikërisht drejtësia, e cila po dëshmohet e paaftë dhe shumë e papërgjegjshme”, është shprehur më tej Dibrani. Ai ka shtuar se të gjitha këto anomali që kanë ndodhur dhe po ndodhin për çdo ditë, sikur po amnistohen nga vetë drejtësia, e cila nuk është në gjendje ta ndalë avazin e këtij degradimi kaq shqetësues.

“Drejtësia po amniston politikanët që vjedhin, politikanët e korruptuar, politikanët e papërgjegjshëm dhe politikanët me dosje të grumbulluara, të cilëve po ua zvarritin lëndët gjersa atyre t’u skadojë afati ligjor, në mënyrë që dikur ata të rehabilitohen dhe të sistemohen diku nëpër kthinat qeveritare, të cilat janë mbushur me udhëheqës debilë dhe të papërgjegjshëm. Andaj, për rrjedhojë kjo gjendje e bën edhe më të rëndë jetën në Kosovë, pasi gjykatat nuk marrin vendime të prera dhe deri më tani nuk kanë dhënë sinjale të mjaftueshme se po nis zbardhja e krimit politik, e krimit ekonomik, dhe se do të ndodhë dënimi i politikanëve të papërgjegjshëm dhe të gjithë atyre, që janë të paaftë, ndonëse i gëzojnë gradat më të larta akademike”, theksoi Dibrani.

Sipas Dibranit, si duket sistemi i drejtësisë në vendin tonë ka dështuar, por gjendja e tillë bëhet edhe më shqetë- suese, pasi vetëdija qytetare është e ulët. “Në vende të tjera, pra edhe të rajonit kanë dhënë shembuj se ata dinë të qeverisin dhe t’ua ndalin hovin degradimeve të kësaj natyre. Por, qytetari ynë sikur nuk e di për gjendjen reale, në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë e bashkë me të edhe sistemi arsimor, i cili përcillet edhe me dështime të tjera në fushën e sigurisë, shëndetësor dhe segmenteve të tjera, të cilat po të ishin më mirë do ta bënin jetën e qytetarit më të sigurt dhe më të lumtur”, është shprehur analisti Shefqet Dibrani./Kosova Sot/

Nëntoka dhe korporata “Pronto” sundojnë Kosovën

0

Sado që në Kosovën e pasluftës, në një sistem të ri demokratik, janë mbajtur zgjedhjet e rregullta, qoftë për nivelin lokal dhe atë qendror, është vërtetuar e po vërtetohet katërçipërisht, se sidomos në 10 vitet e fundit, se pa marrë parasysh se kush i fiton zgjedhjet dhe formon qeverinë, qoftë në nivel komunal apo në atë qendror, realisht pushtetin e udhëheq dhe komandon vetëm “nëntoka” e korporatës se zbardhur kohë më parë ‘PRONTO’, zhvatëse dhe e inkriminuar deri në metastazë, vrasëse e kriminale për vendin, për qytetarët dhe bizneset e ligjshme, që nuk u binden. Kjo situatë, sipas disa përfaqësuesve të partive politike, pozitë dhe opozitë, dhe analistëve politikë, e bën qytetarin e Kosovës të pashpresë dhe ia humb besimin edhe në raport me subjektet politike, programet e tyre elektorale që paraqiten gjatë fushatave zgjedhore.

“Në Kosovë që nga përfundimi i luftës sundon nëntoka, e cila ka depërtuar deri në nivelet më të larta të shtetit, kështu që të gjitha institucionet e Kosovës, pa përjashtim, janë të kapura dhe punojnë sipas diktatit të saj. Krimi i organizuar në Kosovë ka arritur që të ketë fuqi aq të madhe, saqë tashmë vepron publikisht dhe nuk brengoset për asgjë. Ai është bashkëpunues me bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë, kështu që bashkëveprojnë pa asnjë problem.

Krimi i organizuar në Kosovë ka bekimin e plotë të bashkë- sisë ndërkombëtare, pavarësisht faktit që bashkësia ndërkombëtare gjoja angazhohet për luftimin e tij në Kosovë. Sa i përket qeverisjes në Kosovë, pavarësisht kush e ka udhëhequr qeverinë dhe parlamentin, krimi i organizuar ka mbetur i pa prekur”, është shprehur deputeti Adem Salihaj për “Kosova Sot”. Sipas tij, këtij krimi askush nuk ka guxuar t’ia turbullojë ujin. “Afera ‘Pronto’ është vetëm një formë e nëntokës dhe i paraqet disa krime shumë sipërfaqësore, ajo është shumëfish më e rrezikshme sesa duket aty”, theksoi deputeti Adem Salihaj nga LDK-ja.

Berisha: Çmontimi i krimit të nëntokës është një sfidë e madhe

Deputeti Ali Berisha nga AAK thotë se rrjeti kriminal ‘Pronto’ është bërë pjesë e sistemit, prandaj vetëm një ndryshim rrënjësor në mentalitetin politik qeverisës të vendit dhe me krijimin e një sistemi efikas të sundimit të ligjit do të mund të lirohet shoqëria e Kosovës nga një rrjetëzim i tillë mafioz. “Rrjeti i nëntokës kriminale në jetën politike të Kosovës ka shtrirë rrjetin e vet të ndikimit qoftë te bizneset, qoftë te politika, qoftë edhe te institucionet, në çdo pore të jetës në Kosovë dhe duke pasur një shtrirje të tillë e ka krijuar edhe bazamentin e vet, përmes të cilit i ka kontrolluar edhe qeverisjet në nivelin lokal, por edhe në atë qendror. Duke pasur një kontroll të tillë ka krijuar edhe një klientelë të fuqishme, e cila edhe sot e kësaj dite e ka ndikimin e madh në jetë politike dhe institucionale të Kosovës”, theksoi Berisha për “Kosova Sot”.

Sado i fuqishëm që është ky rrjet i klanit ‘Pronto’, Berisha thotë se nuk është i pacenueshëm dhe i paprekshëm përjetësisht. “Nevojitet një ndryshim i madh politik në Kosovë, dhe vetëm ardhja e një mekanizmi të ri qeveritar në Kosovë që nuk e ka ndikimin e këtij rrjeti kriminal, dhe të një sistemi paraprak të krijuar, dhe krahas këtij edhe sigurimi i mekanizmave të fuqishëm veprues të sistemit të drejtësisë, sistemit ligjor dhe të sigurisë, besoj që do të mund ta çmontojë suksesshëm këtë sistem të rrjetit kriminal, pavarësisht që nuk do të jetë punë e lehtë, sepse është një sistem mirë i konsoliduar, i shtrirë dhe mirë i financuar, që zhvendosja dhe çmontimi i tij i plotë është sfidë, që do kohë për disa vjet veprimi të guximshëm dhe me instalim të shtetit ligjor në shtetin e Kosovës”, theksoi Berisha.

Analisti politik Shefqet Dibrani thotë se në vendet e zhvilluara dhe ato me demokraci të zhvilluar, ndryshimi i pushteteve nuk reflektohet në standardin dhe mirëqenien e qytetarëve, por se ndryshimi i pushteteve në vendet perëndimore dhe në Amerikë, lidhet kryesisht me industrialistët e mëdhenj, të cilët i kuptojnë përparësitë dhe pasojat e njërit pushtet karshi tjetrit, qoftë përmes taksave apo tatimit mbi vlerën e shtuar. Këtë mendim ai e ilustron edhe me rastin e Italisë, e cila në gjysmëshekullin e kaluar, që nga Lufta e Dytë Botërore, njihet si vendi me zgjedhje të zakonshme dhe aso të jashtëzakonshme, që i bie mesatarisht gati në çdo gjashtë muaj atje janë ndërruar qeveritë, ndërsa vendi i tyre është zhvilluar dhe ka përparuar duke e shndërruar Italinë në pesëshen a gjashtëshen më të industrializuar dhe me ndikimin më të madh në Evropë.

“Mirëpo, në shtetin tonë nuk po ndodhin ndryshime të tilla, sepse shteti është thellë i kapur vetëm nga grupet e interesit kriminal, që nuk shohin përtej interesave të tyre. Por, për fat të keq tek ne ka ndodhur e kundërta jo duke e përparuar Kosovën, por duke e varfëruar atë dhe duke ia sjellë jetesën edhe qytetarit në buzë të greminës. Kosova si projekt amerikan është sulmuar dhe shantazhuar nga të katër anët, nga shërbime të huaja që kanë punuar në tokë, mbi tokë dhe në nëntokë, por pse luftohet dhe shantazhohet kaq shumë edhe nga vetë shqiptarët askush nuk ka mundur ta mendojë, kuptohet përveç mafisë së nëntokës, e cila tashmë e ka kapur Qeverinë dhe shtetin në të gjithë segmentet e saj, prandaj s’ka gjë nëse mbahen zgjedhje, aq më pak kush i fiton ato, pasi nëntoka prapë udhëheq e drejton Kosovën”, theksoi Dibrani.

Sipas tij, sikur oligarkët dhe grupet e interesit të ishin të arsimuar sigurisht shumë segmente do të zhvilloheshin dhe do të përparonin si duhet, por kështu siç është nisur fundi i Kosovës do të jetë tragjik dhe anarkia duket e pashmangshme. Ai konsideron se tani po të bëjmë me gisht kah shkaktarët, të cilët tashmë dihen, në kohën kur siguria dhe drejtësia udhëhiqet dhe drejtohet nga kjo strukturë kriminale është më shumë sesa vetëvrasje individuale, pasi secili që flet izolohet, shantazhohet, kërcënohet, qoftë me vendin e punës ose me pengim në karrierë profesionale, duke mos e hequr nga mundësia as metodën për likuidime fizike, prandaj edhe nuk ka ndryshime.

“Për personat që janë pa ndikim të dhunës së tillë mafioze, përdoren shantazhet duke ua dëmtuar bizneset, nëse kanë, duke ndikuar drejtpërdrejt në zvetënimin e karrierës profesionale, ose duke ua larguar fëmijët ose të afërmit nga puna, kurse në raste të rralla, për individët jashtë këtyre sferave, linçimi, izolimi dhe censura mediatike janë mjete tashmë në duart e sistemit të kriminalizuar, i cili as nuk ka ndjeshmëri dhe përgjegjësi morale, por përgjegjësi shtetërore e të mos flasim për përgjegjësitë kombëtare dhe ato historike”, theksoi Dibrani për gazetën./Kosova Sot/

Deputetët përfshihen në vrasjen e kafshëve në Dragash

0

Shoqeria civile ka ngritur zërin ndajë vrasjeve masive të kafshëve të egra në teritorin e parkut kombëtar të Sharrit. Sipas tyre, në këtë gjueti janë përfshirë gjuetarë të pandërgjetshëm ku në mesin e tyre ka edhe figura publike.

Sipas tyre, në këtë menyrë po rrezikohen disa nga specie e rrallë, në këtë masiv bjeshke Nexhmedin Ramadani, drejtor i organizatës “Finch” në Prizren, që merrët me mbrojtjen e kafshëve, ka ngritur apelin kombëtar për kujdesin ndaj kafshëve të rralla.

“Mos i vrisni speciet e rralla të kafshëve të egra, se po e vrisni të ardhmën e këtij vendi”, është mesazhi që përcjell ai për publikun e gjerë. Duke folur për gazetën “Kosova Sot”,Ramadani ka thënë se ka edhe deputetë të Parlamentit, që po vrasin kafshë të egra të rralla, por nuk deshi të veçoj me emër e mbiemër.

Sipas tij, para pak ditësh janë vra edhe dhi të egra e edhe ujq.

“Tash dhitë janë në zhdukje, por edhe ujërit janë pakësuar shumë”, tha Ramadani, i cili apelon që kjo çështje ta marrin seriozisht, ngase po rrezikojnë faunën e maleve të Sharrit.

Dëmtohen kamerat e vendosura nga organizata e mbrojtjes së kafshëve

“Është shumë shqetësuese ajo që ka ndodhur në këtë sezon të hapjes së gjuetisë”, tregon Ramadani për “Kosova Sot”.

Ramadani shprehet se ata kanë vendosur kamera, por ata që kanë kryer krimin janë kujdesur edhe për demtimin e kamerave. “Jemi munduar të identifikojmë me kamera keqbërësit, por asnje nga kamerat, të cilat i kemi montuar nëpër male nuk i kanë lënë. Të gjitha dikush i ka hekur dhe i ka prishur. Kjo është tepër shqetësuese”, tregon ai.

Me një sipërfaqe rreth 60 kilometra gjatësi, malet e Sharrit posedojnë veçori të ndryshme ekonomike dhe natyrore që e bejnë këtë pjesë më atraktiven në teritorin e Kosovës. Parku nacional “Mali i Sharrit” është themeluar në vitin 1986 në Kosovë. Për shkak të gjendjes së krijuar pas luftës, parku i riaktivizua në vitin 2002 me një staf prej 17 personave. Kjo pjesë e Kosovës cilësohet të jetë një ndër pjesët rekreative që vlen të theksohet relievi unik si dhe bukuritë natyrore që na i ofron. “Fatkeqësisht, bota bimore dhe shtatzore është në zhdukje e sipër”, thotë Ramadani, i cili apelon të mos vriten speciet e rralla të kafshëve të egra.

Heshtja e Institucioneve

“Kemi kërkuar ndihmë edhe prej Presidentit, Kryeministrit dhe deputetëve të parlamentit të Kosovës që ta ngrisin zërin ndajë kësaj dukurie”, ka thënë ai.

Institucionet kopetente për mbrojtjen e kësaj pjese kanë informuar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor rreth kësaj çeshtje. Shpyllëzimi dhe shkatërrimi i kësaj pjese rrezikon ezistencën e rreth 2500 lloje të barishteve, prej këtyrr rreth 323 sos që janë unike, 165 llojë të kafshëve të egra dhe 147 llojë të shpendëve.

“Këtë sezon janë vrarë më të madhe. Bile mund të them se ka edhe deputetë që po marrin pjesë në këtë krim ekologjik”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij, tashmë ka mësuar së është ndalur sezoni i gjuetisë, por, për kohën sa u lejua në malet e Sharrit dhe komunen e Dragashit ka bërë shumë dëme, aq shumë sa vështirë se mund të riparohet lehtë.

Lagjja “Ali Hadri” në Prizren, pa ndriçim publik(Foto)

0

Lagjja “Ali Hadri” në Prizren, ka dy muaj që ka mbetur pa ndriçim publik. Banorët ankohen se në mbrëmje kanë frikë të lëvizin.

“Që dy muaj nuk punojnë dritat. I kemi lajmëruar, por askush nuk ka ardhur që t’i rregullojnë”, tregon A.A. banor i lagjes “Ali Hadri”.

Ai kërkon nga institucionet kompetente që të intervenojnë dhe të rregullojnë ndriçimin publik të tyre./PrizrenPress.com/

Arrestohen shtatë persona në Rahovec

0

Në fshatin Ratkoc të Rahovecit, janë arrestuar shtatë të dyshuar meshkuj K/Shqiptar pasi që të njëjtit, si pasojë e një kontesti pronësor janë përleshur fizikisht ne mes veti, me ç’rast janë përdorur edhe mjete të forta.

Tre nga të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore dhe te njëjtit kane pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Përfaqësuesit dhe të zgjedhurit e popullit!

0

Dr.Shkelqim Millaku

Arsimi!
Jeta politike!
Populli?

Shkrimin tim po e filloj me pyetjen, a ju kujtohet se kush e ka thënë sintagmën “Bëje ose vdis”.  Shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj kaluan dhe janë duke kaluar në sfida psiko-fizike të ndryshme. Momente të lëvdueshme dhe mjaft të rënda. Si shtet kemi dëshmuar tolerancë fetare, racore dhe kombëtare. Dëshmuam dhe respektuam vlerat njerëzore, sidomos të minoriteteve duke ua respektuar gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre. Ky veprim do të duhej vlerësuar edhe nga aleatet e “Republikës Shqiptare”.

Përfaqësuesit dhe të zgjedhurit e popullit besojmë, të gjithë jemi dëshmitarë për ta analizuar gjendjen e përgjithshme në Kosovë, por në veçanti në këtë shkrim do të flas për tri pika thelbësore: Arsimi; Jeta politike; Populli.

I. Sistemi i arsimit në Kosovë ka sfiduar aq shumë sa ndonjëherë po mendohet se si ka mbijetuar (…) mund të themi me kuptim të plotë të fjalës se shumë mirë jemi në krahasim në rrugëtimin që kemi përballuar. Para, gjatë dhe pas luftës synimi thelbësor i Serbisë ishte të ndërhyn në këtë pikë. Kjo shtyllë krijon gjitha mekanizmat e shtetit të qëndrueshëm, të zhvilluar dhe funksional. Sistemi i arsimit në Kosovë ka vështirësi (…), por do të vlerësohet dhe është vlerësuar negativisht për shumë arsye, të cilat do t’i prezantojmë disa prej atyre:

1. Sistemi i arsimit në Kosovë nuk është nën ombrellën e Bashkimit Evropian, apo të sistemit të Bolonjës. Kërkesa e MASHT-it në fillim të vitit është refuzuar. Pse nuk jemi të informuar për arsyet e refuzimit?

2. Hartimi i plan-programeve “Kurrikulat” në të gjitha ciklet janë menduar nga “ekspertet” e panjohur dhe saktësisht nga ekipet politike. Ata nuk i kanë menduar lidhshmërinë psiko-fizike të niveleve, metodave dhe nuk është menduar lidhshmëria teori-praktikë dhe lidhja e tyre me zhvillimin teknologjik. Pasojat janë publike.

3. Çerdhet në Kosovë janë në gjendje fillestare dhe kanë kushte jo premtuese për të ekzistuar (0-3, 3-5). Nuk ka edukatorë dhe shkolla premtuese për të pasur dhe siguruar bazë.

4. Hartimet e programeve parashkollore, fillore dhe të mesme janë krijuar kryesisht nga ekspertet “jo ekspert”, por të dëgjuarit e subjekteve politike dhe ekipe që kanë disa vende pune. Saktësisht jo profesional dhe të papërkushtuar.

5. Nga klasa e parë mësohet anglishtja. Kjo është sfidë psiko-fizike për fëmijët. Pse!

6. Qasja e qeverisjes lokale dhe qendrore nuk ka qenë mbështetëse në zhvillimin e cilësisë së arsimit, por përkundër e kanë ngulfatur. Ata emëruar rektorë, dekanë, drejtorë dhe mësues, profesorë të dëgjueshëm dhe politik!

7. Projekti Norvegjez i dy shkollave profesionale, si ajo një Malishevë dhe Skenderaj janë modele që sigurojnë infrastrukturë. Infrastruktura dhe resurset pse nuk janë siguruara edhe në shkolla të tjera, të cilat janë shtyllat për të siguruar cilësi.

8. Në klasat e Kosovës, ora mësimore është 45 minuta, kurse në klasë ka rreth 50 nxënës. Si të krijohet cilësi? Një situatë e tillë, mos shumë me keq është edhe në universitetet.

9. MASHT-i do të duhej të përkujdeset edhe për këto pika:
10. Ndërhyrje të drejtpërdrejtë në gjitha fakultetet që kanë për program të tyre mësimdhënien, pra siç është fakulteti Edukimit, Filologjisë, Filozofik etj.
11. MASHT-i nuk duhet të ndërhyn në politikat e njësive akademike që të hapin programe për “tregun e punës”, ky veprim do të jetë i gabuar, por duhet të kujdesen dhe të garantojnë monitorim të rreptë dhe cilësi. Deri me tani gjendja është mjaft e rëndë. Kjo gjendje do të shikohet pas njëzet e pesë viteve. Politikat e shtetit dhe të qeverisë e zhvillojnë ekonominë, kurse qytetarët drejtohen aty ku shikojnë mundësinë e punësimit. MASHT-i po synon të kundërtën. MASHT-i vazhdimisht thotë: Po hapin dhe do të hapim programe për tregun e punës! Mendoj është rrugë e gabuar.

12. Pse nuk pati suksese, programi i AKM-së për rikualifikimin e mësimdhënësve!
13. Hapja e universiteteve publike në Kosovë paralelisht është lehtësi për qytetarët dhe dyfish problem dhe vështirësi për ta monitoruar MASHT-i.
14. Ministri i Arsimit duhet të zgjidhet një kandidat i pavarur dhe kjo duhet të rregullohet me Ligj.
15. Përgjegjës për vlerësimit ndërkombëtar të PISA-së – 2015 është PDK-ja dhe LDK-ja. Kryesisht këto dy subjekte e kanë qeverisur këtë dikaster. Po kanë moral politik do të duhej të kërkojnë falje publike dhe të gjithë ata që kanë qenë dhe janë të përfshinë në detyra funksionale do të duhej dhënë dorëheqje.
Të gjitha këto edhe shumë pika të tjera janë për t’i studiuar nga njohësit që nuk janë në politikë.

II. Jeta politike
Për ta regjistruar një fëmijë në çerdhe, në shkollë, në fakultet ka disa vite që është bërë praktikë ndërhyrjet dhe regjistrimet politike dhe keqpërdorimi i familjeve të dëshmorëve.Për ta pranuar një edukator, mësues, profesor, punëtorë të administratës ka disa vite që është bërë praktikë, disa muaj më përpara fillon punën, pastaj e hapin vendin e punës, ose politikisht i hapet vendi i punës.  Në detyra udhëheqëse ka disa vite që kërkohen drejtor, dekan, rektor pavizion, të paditur dhe të dëgjueshëm. Gjithmonë duke përjashtuar. Kemi fëmijë dhe familje, edukator, mësues, profesor (…) mjaft të përkushtuar, të cilët e kanë shpëtuar gjuhën, kulturën dhe kombin shqiptar. Por, politika thellësisht ka dështuar në vlerësimin njerëzor dhe në mbështetje të zhvillimit të sistemit parauniversitar dhe universitar.

III. Populli – “Bëje ose vdis”
Liria erdhi me shumë sfida. Pse e harruam gjakun e dëshmorëve. Pse po i harrojmë të zhdukurit. Ku janë? Ku është Ukshin Hoti – “Bëje ose vdis”? Ku janë motrat, vëllezërit, prindërit tonë, të cilët u flijuan për lirin e vendit. Ku janë dhe ku jemi?!Sot në Prishtinë flitet për pajtim me Beogradin. Pse! Kjo duhet të shkon në referendum. Nëse populli e fal*, mund të (mos) falet*. Bisedat që janë duke u bërë në Bruksel janë modele të dyshimta për të ardhmen e vendit (për arsim, për jetën politike dhe për popullin).  Po e harrojmë të kaluarën! Votuam përfaqësues paprogram, gjithmonë me përjashtime.

Lus për moral politik!

Lus për monitorim të thellë të shkollave dhe universiteteve. Në vitet e ardhshme do të shikohet se kush do ta kalon testin për t’u certifikuar për mësimdhënës. Një gjendje të rëndë e kemi edhe në universitetet. Ligjërojnë pakualifikime. Eproret as që e çajnë kokën, sepse janë të preferuarit e “politikës” dhe të “popullit”. Cilësia është e pamundur për t’u siguruar.
Ndryshim, reformë “bëje ose vdis” në të kundërtën nuk do të kemi shtet i qëndrueshëm dhe të pranueshëm në konkurrencën e tregut vendor, regjional dhe ndërkombëtar. (Autori është profesor në Universitetin “Ukshin Hoti” të Prizrenit)