Home Blog Page 6190

Paaftësia e qeveritarëve për të bërë politikë kombëtare

0

Nga Jakup Krasniqi

Çka na kanë treguar bisedimet dypalëshe në mes të Kosovës dhe të Serbisë në Bruksel, natyrisht me ndërmjetësimin e të fundit? Që në fillim duhet thënë se kanë treguar dhe dëshmuar hapur që përfaqësuesit tani ishin më shumë se të papërgatitur për të zhvilluar bisedime. A thua, çka i bëri këta njerëz, eksponentë të politikës sonë, kaq të paaftë për të biseduar me palën serbe, kur të njëjtit në Kosovë janë aq shumë të zhdërvjelltë, derisa të gjitha mossukseset t’ua hedhin oponentëve politikë dhe shumicës së qytetarëve te Kosovës? Për mua mbetet një enigmë vërtetë e madhe! Përse e ngarkuara për bisedime, e sidomos kryeministrat (Thaçi-Mustafa), edhe përkundër lëshimeve të mëdha që ua bënë Serbisë në Bruksel (lëshime këto që vetëm ata mund t’ua dinë arsyen), nuk e arritën liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës? Dhe jo vetëm kaq, por Brukseli, si kusht për liberalizimin e vizave, e futen edhe demarkacionin! Këto çështje hapin shumë pyetje. A thua, përse, si ndodhi dhe përse po ndodhin këto gjëra tepër të dëmshme për Kosovën?

Dhe pyetjet zinxhirore, nuk kanë të ndalur, po më kryesorja do të qe: këta njerëz të veshur me pushtet e “përgjegjësi”, a thua, çfarë mbrojtën atje? Në Bruksel, pra! Kosovën? Nuk ma ha mendja! Veten e tyre? Kjo, mbase, po! Sepse, me kushtetutë e ligjet në fuqi, ata ishin e janë të obliguar që t’i mbrojnë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, tërësinë territoriale dhe sovranitetin e shtetit për çka e kanë mandatin nga qytetarët e Kosovës. Pra, gjatë gjithë këtyre viteve në Bruksel ata nuk i mbrojtën asnjë nga këto kolona e postulate të panëpërkëmbshme! Atëherë, le ta përsërisim pandalshëm: kë mbrojtën këta njerëz në Bruksel? Përgjigjja më e shkurtër do të ishte: Mbrojtën veten e tyre dhe pozitat e marra me makinacione nga më të ndryshmet!

Fundja, nuk jam kundër që të tillët të mbrojnë veten e tyre, se mbrojtja është e drejtë e gjithsecilit, por jo që mbrojtja e tyre të jetë në dëm të interesave të kombit e të shtetit. Prandaj ata duhet t’i dorëzojnë te bashkëpartiakët e tyre pozitat shtetërore që mbajnë, pasi ata janë të shantazhuar nga drejtësia vendore e ndërkombëtare! Druaj se mbase janë të shantazhuar edhe nga Beogradi! Ndryshe s’kanë si arsyetohen të gjitha këto lëshime të njëpasnjëshme, evidentimi i të cilave nuk është objekt i këtij shkrimi, por dukuria, fenomeni, papërgjegjësia! Gjithsesi, kjo zbulon jo pak “faje” të bëra në dëm të qytetarëve të Kosovës në periudha të ndryshme kohore! Këta “përfaqësues” të padenjë duhet ta dinë, ta kuptojnë dhe të reflektojnë esëll se dorëheqja e tyre është shpëtimi i Republikës nga degradimet e mëtejme të politikës sonë në raport me BE-në, veçanërisht por edhe me Perëndimin përgjithësisht. Sepse, mbi të gjitha, do të shpëtojë shteti ynë dhe proceset politike që po zhvillohen në Kosovë dhe për Kosovën. Barrikadimi i tyre në krye të institucioneve më të larta të shtetit, për interesa krejt personale dhe assesi për interesat të vendit, pa dyshim që do të ketë pasoja afatgjate për Kosovën. Kjo gjendje, me pasojat e deritashme dhe ato që pritet të ndodhin si rrjedhojë, nuk i duhen askujt në Republikën e Kosovës! Ne nuk mund të paragjykojmë nëse kanë apo nuk kanë të drejtë, por me akuzat që janë ngritur ndaj tyre dhe kushdo që të ishte në vendin e tyre, do të duhej që t’ia lëshonin frymën zhvillimeve pozitive në Kosovë. Largimi i tyre domosdoshmërisht duhet të ndodhë ose me dorëheqje ose me zgjedhje të jashtëzakonshme. Këta njerëz duhet ta dinë se, kushdo i huaj, që i mbron ata edhe duke bërë me gisht nga opozita “jodemokratike”, po i mbron që sa më parë të përfundojnë disa procese të dëmshme, që janë zhvilluar e pritet të zhvillohen për dhe rreth Kosovës.

Si përfundim do thosha se gjithë procesi i bisedimeve të Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë, rezulton i papërgatitur, jotransparent, i korruptuar, i komprometuar! Si i tillë, s’ka sesi të mos emërtohet me emrin e vërtetë, thënë pa ekuivok se ka rezultuar të jetë shumë i dëmshëm për Kosovën dhe të ardhmen tonë përgjithësisht. Kulmi i dëmeve që kanë prodhuar këto bisedime janë sot e gjithë ditën: Bashkësia e Komunave serbe (jashtë çdo standardi të BE-së!), marrëveshja për gjyqësorin, “integrimi” i strukturave paralele (rojet e urës), marrëveshja për telefoninë dhe lejimi i murit ndarës (amfiteatrit!)… Këto, së bashku me një mori marrëveshjesh që nuk i cekem, jo vetëm që i bëjnë jofunksionale institucionet e shtetit, por i nënshtrohen diktatit të Beogradit, mbase edhe më shumë se kaq!

Prandaj, ndërprerja e këtyre bisedimeve, kështu siç kanë precipituar, është një hap më se i domosdoshëm.

Kësaj domosdoshmërie duhet t’i ndihmojnë edhe deputetët e partive të koalicionit, nëse vërtet duan që të jenë përfaqësues të denjë të kombit e të atdheut. Sepse, ndryshimi nga rrjedhat negative në rrjedha pozitive varet shumë nga këta te fundit!
Muri ndarës, duhet thënë këtë, është alarmi i fundit, kambanë e fundit se Kosova po shkon drejtë ndarjes!

Të veprojmë tani, se nesër mund të jetë vonë!

Hoxha: Prokuroria e Prizrenit po heton 36 persona të dyshuar për korrupsion

0

Prokuroria Themelore e Prizrenit aktualisht i ka në punë 26 kallëzime penale kundër 36 personave lidhur me veprat penale të korrupsionit.

Sipas drejtuesve të këtij organi të ndjekjes, këto raste janë të viteve 2015 dhe 2016, ndërkohë që ato të viteve të mëparshme janë përmbyllur varësisht prej provave që janë gjetur gjatë procedurës hetimore.

“Aktualisht në punë i kemi 26 raporte përkatësisht kallëzime penale lidhur me veprat penale të korrupsionit kundër 36 personave. Këto na kanë ngelur në punë, ngase janë raste të viteve 2015 dhe 2016. Të gjitha janë aktive dhe janë marrë veprime sipas ligjit. Nuk kemi raste të viteve të mëparshme, ngase e kemi zbatuar një strategji që e kemi për lëndët kundër korrupsionit”, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha,transmeton koha.net.

Megjithatë, sipas tij, gjatë tri viteve të fundit, kjo Prokurori ka trajtuar numër të konsiderueshëm të rasteve që janë dyshuar për korrupsion.

LDK në Prizren: Ujësjellësi në Gernqar, realizohet vetëm për mëhallën e kryetarit të nëndegës së PDK-së

0

Dega e LDK-së në Prizren, akuzon pushtetin komunal se ujësjellësin në Gernqar, po e realizon vetëm për mëhallën e kryetarit të nëndegës së PDK-së në këtë fshat.

“Me shqetësim reagojmë ndaj mënyrës së keqqeverisjes dhe keqpërdorimit me paranë publike, paratë e taksapaguesve të qytetarëve të Komunës tonë nga ana e pushtetit komunal në Prizren, ku këto ditë është duke u implementuar një projekt i ujësjellësit të fshatit Gernqar të Prizrenit, ku konkretisht ky projekt po implementohet kryekëput për interesa personale të kryetarit te nëndegës të PDK-së nga ky fshat. Pra, po implementohet projekti në vlerë mbi 53.000 euro për të furnizuar me ujë shtëpinë e kryetarit të nëndegës së fshatit Gernqar, dhe 2-3 shtëpive të tjera të familjareve të tij, ndërsa për banorët e tjerë të fshatit as që qan kokën ky pushtet, edhe pse gjatë zgjedhjeve ua ka marre votën në mënyrë mashtruese dhe me premtime e blerje votash”, thuhet në një komunikatë të LDK-së.

“LDK-ja nuk e mbështet këtë mënyrë të selektimit dhe diferencimit të njerëzve në baza partiake, por synon të punojë në të mirë të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë partiake, etnike apo përkatësisë tjetër, dhe do të jetë jetësisht e përkushtuar për të punuar ekskluzivisht në interes e të gjithë qytetarëve”.
“Ka qindra projekte komunale si shkolla, ujësjellës, kanalizime, rrugë etj që kanë mbetur në gjysmë dhe po zvarriten në pafundësi në mungesë fondesh atëherë ku abuzim me paranë publike po merr formë të korrupsionit politik”.

“Ftojmë qytetarët e fshatit Gernqar, dhe te gjithë qytetarët tjerë qe në të ardhmen, mos të bien pre e mashtrimeve te këtij pushteti, i cili më shumë interesohet për militantin se për qytetarin e ndershëm” .

“Është koha fundit që ky pushtet në ikje të ndal abuzimin me paranë dhe pasurinë tonë të përbashkët në të mirë të gjithë qytetarëve e jo vetëm të bashkëpartiakëve . Por fatmirësisht koha kur sovrani do vendos me votë për fatin e kësaj klase të papërgjegjshme po afron”./PrizrenPress.com/

Sigurohet insulina për pacientët e Suharekës

0

“Njoftojmë të gjithë pacientet të cilën janë insulin varës se QKMF-Suharekë ka siguruar insulin dhe pacientët mund të furnizohen qdo ditë edhe ditëve të vikendit nga ora 08:00-20:00”, thuhet në njoftimin e QKMF-së në Suharekë, përmes llogarisë së tyre në Facebook.

TherandaPost ka kontaktuar me zyrtarët e këtij institucioni, të cilët kanë pohuar arritjen e insulinës e cila ka munguar tash e sa kohë, duke bërë që pacientët të presin.

Sipas orarit të publikuar në njoftim, tashmë furnizimi do të jetë i vazhdueshëm dhe i rregullt.

Përfshihet në flakë kulmi i një shtëpie në Prizren

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Prizren, viktima mashkull, shqiptar, ka raportuar se si pasoj e djegies së një kablloje, është përfshi nga zjarri kulmi i shtëpisë së tij.

Në njoftim të Policisë thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalur Njësitet përkatëse, ndërsa Njësiti zjarrfikës ka lokalizuar zjarrin, shkruan PrizrenPress.

Për veç dëmeve materiale, nuk raportohet për të lënduar. /PrizrenPress.com/

Prizren: Refuzon t’ia çel Policisë derën e fshehur ku mbante aparate kazinoje, arrestohet

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se në Prizren, më 9 dhjetor rreth orës 23:30 është arrestuar i dyshuari mashkull turk pasi që i njëjti ka refuzuar urdhrat e personave zyrtarë për hapjen e një dere të fshehur të një dhome në të cilën janë gjet dhe konfiskuar katër aparate të lojërave të fatit të palicencuara, shkruan PrizrenPress.

“Njësiti policor NJRHKEK ka zbatuar planin operativ ‘Lloto’ në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore e në bashkëpunim me doganat e Kosovës, inspektorët komunalë dhe Inspektorët e ATK-së, kanë bërë bastisjen në dy lokacione të ndryshme të lojërave të fatit në të cilët janë ushtruar veprimtari në mënyre të kundërligjshme”, raporton PK.

“Të dy lokacionet janë mbyllur ndërsa janë konfiskuar kompjuterë dhe dëshmi të tjera lidhur me ushtrimin e këtyre veprimtarive. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”. /PrizrenPress.com/

Ish-drejtori i Inspektoratit në Suharekë: Objekti i biznesmenit kishte leje

0

Ish-drejtori i Inspektoratit të Komunës së Suharekës tha se nuk mund të merrte kurrfarë masash ndaj objektit të një biznesmeni, ngase ai ishte ndërtuar sipas lejes.

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Suharekës Raif Fetiu që akuzohet për shpërdorim detyre paraqiti mbrojtjen para trupit gjykues.

Fetiu së bashku me ish-drejtorin e Urbanizmit në këtë komunë Kurtesh Fondaj dhe dy inspektorët Hafir Maliqi dhe Berat Kabashi, akuzohen se ia mundësuan biznesmenit Muharem Elshani ndërtimin e një objekti banesor në kundërshtim me planin urbanistik dhe në hapësirat e fushës së futbollit të klubit “Ballkani”.

Gjatë paraqitjes së mbrojtjes, Raif Fetiu foli pikërisht për objektin, lidhur me shkeljet rreth të cilit akuzohet ai dhe tre personat tjerë.

“Jam interesuar të di nëse objekti është i vendosur sipas kushteve të përcaktuara me leje përkatëse dhe kam marrë përgjigje se objekti është i vendosur konform kushteve të lejuara,” tha Fetiu në gjykatë.

Ai deklaroi se kur mori detyrën e drejtorit, objekti i biznesmenit Muharrem Elshani ishte në ndërtim e sipër.

Fetiu tha më tutje se nuk kishte si të merrte ndonjë masë për këtë objekt, pasi ai ishte duke u ndërtuar sipas lejes.

“Për herë të parë tek objekti personalisht kam shkuar gjatë muajit shkurt të vitit 2014 dhe kam hasur në objektin, në ndërtim në katër nivele, bodrumi, përdhesa dhe dy kate,” tha Fetiu.

Seanca e ardhshme u caktua për 19 dhjetor, ku pritet të jepet fjala përfundimtare.

Ish-drejtori i Urbanizimit të Komunës së Suharekës, Kurtesh Fondaj, akuzohet se më 22 korrik 2013 miratoi dhe aprovoi kushtet e ndërtimit, duke plotësuar dhe ndryshuar aktvendimin e pëlqimit urbanistik dhe kushtet e lokacionit dhe lëshoi leje të re ndërtimi në emër të Muharrem Elshanit në kundërshtim me planin urbanistik detal të qytetit.

Aktakuza e ngarkon Muharrem Elshanin se ka zhvendosur një pjesë të fushës së klubit të futbollit “Ballkani”, duke shfrytëzuar për nevoja të kompanisë së tij 16 ari nga kjo fushë.

Elshani akuzohet edhe se gjatë ndërtimit të objektit afaristo-banesor ka përvetësuar sipërfaqen prej 50 metrash katrorë, duke kaluar në bazën e themeltë të objektit në pronësi shoqërore, me ç’rast Komunës i shkakton dëme të konsiderueshme.

Ndërsa drejtori i Inspektoratit, Raif Fetiu, dhe inspektorët e ndërtimit Hafir Maliqaj dhe Berat Kabashi akuzohen se prej muajit korrik 2013 deri në muajin prill 2015 me qëllim ia mundësojnë Muharrem Elshanit zhvendosjen e një pjese të fushës së “Ballkanit” në sipërfaqe prej 16 ari dhe hyrjen në pronë shoqërore prej 50 metrash gjatë ndërtimit të një objekti afarist-banesor. /Kallxo.com/

Mitrovica dhe bisedimet gjeodezike në Bruksel

0

Pasi nuk u arrit demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, për të mos na mjegulluar tisi i kotësisë, demarkuan hapësirën tek lumi Ibër. Se kush qe gjeodezisti, nuk e di. Ama një gjë është e sigurt: kishte saktësi të qindpërqindtë në tentimin për të mos dalë jashtë vijës. Vijës politike të Serbisë, pra.

Shkruan: Ditar Kabashi

 

Kufiri është pika deri ku mund të kesh hapësirë veprimi. Shkelja e tij do të thotë tejkalim i të drejtave tua dhe cenim i të drejtave të tjetrit. Në kuptimin e pasurisë private, kufiri tregon se deri ku cilësohet prona e jote ku mund të veprosh sipas vullnetit tënd. Pra, ti je titullar i saj.

Në kontekst shtetëror, kufiri shënjon hapësirën territoriale të një shteti ku ai mund të ushtrojë sovranitetin e vet. Nëse e përkthejmë gjuhën juridike kushtetuese në gjuhë popullore, i bie që sovraniteti nënkupton kompetencën dhe fuqinë e pushtetit që “të mund të kollitet”, pra t’i ecë fjalanë territorin e vet të pranuar ndërkombëtarisht.

Pasi nuk u arrit demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, për të mos na mjegulluar tisi i kotësisë, demarkuan hapësirën tek lumi Ibër. Se kush qe gjeodezisti, nuk e di. Ama një gjë është e sigurt: kishte saktësi të qind për qindtë në tentimin për të mos dalë jashtë vijës. Vijës politike të Serbisë, pra.

Ai mur nuk është vetëm një strukturë betoni; është përçmimi më i madh që i është bërëkohëve të fundit Republikës së Kosovës, është njollë për shtetësinë tonë, është pasojë e paaftësisë sonë në qeverisje. Heqin zallin, sjellin saksitë. Largojnë lulet, ndërtojnë murin ndarës në të cilin dashkan të avancojnë artin me vizatime. Bllokojnë krijimin e ushtrisë dhe vendosin kufirin ku të duan.

Çfarë mundësishpër të përdorë karta të reja në tryezë do t’i ofrohen Serbisë, sa kohë duhet të kalojëdhe sa duhet shpenzuar buxhetin e varfër të shtetit tonë me bisedime shterpe në Bruksel, e mbi të gjitha, edhe sa duhet toleruar nëpërkëmbjen e Kushtetutës së Republikës?

Gjermanisë iu deshën katër dekada për ta rrënuar murin në Berlin. Duke e ditur se për nga kapaciteti nuk jemi Gjermani, sa kohë do të na marrë ta rikthejmë në gjendjen e mëparshme atë pjesë të vendit?

Ngritja e murit përtej Ibrit u bë me muskuj, jo me ligj. Prandaj, edhe largimin e tij duhet bërë me zhargonin e tyre. Atyre që synojnë të rrënojnë shtetin, më e pakta është që qeveria t’u përgjigjet me rrënimin e atij muri shëmtarak dhe sjelljen para drejtësisë, në mos të ideatorëve, bile realizuesit e tij, si cenues të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kufi? Po, gjithçka duhet të ketë një kufi, madje edhe durimi.Jemi dëshmuar si të vonuar çdoherë, por, së paku kësaj radhe, ngutuni, aman!

Qeveria, fajtore për vizat

0

Akuza e kryeministrit Isa Mustafa në drejtim të opozitës se këto të fundit janë fajtore pse Kosovës nuk iu hoqën vizat këtë fundvit, njëjtë si Ukrainës dhe Gjeorgjisë, vlerësohet si e pabazë.

Por, analistët politikë në vend thonë se pikërisht Qeveria e Kosovës është fajtorja pse Kosovës nuk iu hoqën vizat, pasi që, siç thonë ata, ky koalicion qeverisës ka pasur më shumë se 80 deputetë në Parlament, të cilët pa kurrfarë problemi kanë mundur ta kalojnë çdo marrëveshje, apo Ligj, ndonëse kanë dështuar në këtë drejtim.

Ndërsa opozita, sipas tyre, nuk e ka fuqinë politike e as mandatin për të qeverisur me vendin. /Zëri/

Beqir Letaj: Dënimi, absurd!

0

Ish-zëvendësdrejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Beqir Letaj, e ka quajtur absurd dënimin nga Gjykata Themelore e Prizrenit.

Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje në Facebook

Të nderuar miq !

Unë jam Beqir Letaj,njëri nga të apostrofuarit në portale se jam i denuar nga Gjykata Themelore në Prizren. Mjerisht ky lajm është i vërtetë edhe pse për mua është një gjykim apsurd që i ngjanë proceseve gjyqësore të periudhës së komunizmit dhe fashizmit.

Për hirë të miqëve të mi në fb,jap kët skjarim.

Kam kryer detyrën e zëvendësdrejtorit të gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren nga shtatori i vitit 2009 deri në prill të vitit 2016. Gjatë kësaj kohe,sikur edhe më parë, në cilësinë e mesimdhënësit, jam munduar ta kryej detyrën me përkushtim dhe ndershmeri maksimale.

Por, çka ndodhi?

Në vend se për punën time,por edhe drejtorit Shaip Buduri dhe stafit të shkollës ku punojmë të merrnim falenderime, për çudi,ne denohemi nga një paneli gjyqëtarësh të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Pse u procedua ky gjykim ?

Ja po sqaroj
Është bërë si traditë që nga periudha e çlirimit(1999),maturantët e Kosovës ,në fundë të shkollimit të mesëm të shkojnë në ekskursion në Shqipëri.Në vitin shkollor 2013/14,me vendim të Masht,të publikuar në Udhëzim Administrativ,ishte marrë vendim që ekskursioni për maturantë të organizohej në muajët shtator apo tetor.Mbi këtë Vendim,drejtori i shkollës,në bashkëpunim me Këshillin Drejtues të Shkollës,dhe DKA,e shpall tenderin për sigurimin e një kompanie transportuese për maturantë.

Unë,si zëvendësdrejtor nuk isha fare pjesë e këtij procesi.Në finalizimin e këtij tenderimi,drejtori i atëhershëm i Arsimit,nuk e miraton vendimin e KDSH për kompaninë “ATMAXHA” për barjtjen e maturantëve.

Drejtori i DKA,me një arsyetim apsurd,me shkrim i delegon kompetencat të KDSH,që ta përseris tenderin dhe ta shtyrtojë atë deri në fund.Drejtori i shkollës dhe KDSH,e ripërserisin tenderin,dikund me datën 23 apo 24 shtaror 2013.Edhe gjatë fazës së tenderimit të dytë,unë si zv.drejtori ,nuk isha pjesë e këtij procesi.

Ndërkohë që ekskursioni ishte shtyrë, maturantët revoltohën dhe të nxitur nga ndonjëri prej mesimdhënësëve,ditën e premte,me 29 shtator 2013,gjatë pushimit të gjatë,bojkotojnë mësimin dhe shkojnë para DKA për të protestuar.

Në këto rrethana,drejtori dhe unë,për t’i qetësua mbi 600 maturantë,i kemi siguruar ata se ekskursioni do të realoizohët,më së largu deri me datën 6 tetor 2013.Ritenderimi i ekskursionit përmbyllët me datën 3 tetor 2013.atë ditë kur fillonte fushata zedhore për zgjedhjet komunale ,ku kandidat ishte edhe drejtori i shkollës,z.Shqip Buduri.Sipas ligjeve të Arsimit Parauniversitar,kur i pushon funksioni drejtorit,disa kompetenca i kalojnë zëvendësdrejtorit.Dhe, në cilësinë e drejtorit në detyrë,më ra hise ta nënshkruaja vendimin për shkuarjen e mbi 600 maturantëve në Republikën e Shqipëris.

Ju informoj se së paku nga viti 2009,sikur ishte bërë modë që drejtorët e shkollave të mesme të Prizrenit të denoncohën në Prukororinga kompanitë jofituese-se pse kompania e tyre nuk e ka fituar tenderin.

Për rastin konkret,denoncues ishin kompania “Halimaj” dhe “SHARRTRAVELL”.Edhe pse në polici për krime ekonomike ishin ftuar të gjithë anëtarët e KDSH,drejtori dhe zëvendësdrejtori,për çudi,prokororja e gjenë të arsyeshme që të trejgoj kallzim penal kundër 3 personave,drjtorit,Shaip Buduri,kryetarit të KDSH,z.B.Neriovaj dha ndaj meje,Beqir Letaj.Dhe…e dini sa ka zgjatë gjykimi,më shumë se një vit !

Përkundër arsyetimeve tona se nuk ka bazë për ndjekje penale,për shkak se asnjë nxënës dhe asnjë prind nuk është ankuar,gjykimi mori këtë formë denim 1 vit burg joefektiv dhe nga 150 eu pagesë për shpenzimet e gjykatës !

Te nderuar miqë ! Ky ishte denoncimi dhe gjkimi i 3 personave -punonjës të arsimit.Kam përshtypjen se ky gjykim ishte sa për t’i arsyetuar procedurat gjyqë[sore dhe për të plotësuar normat epunës nga prokuroria dhe gjyqëtarët.Dhe..kjo nuk iu çuditë besoj edhe juve.Në këtë Kosovën tonë të martirizuar gjatë,” maririzimi” zgjatë akoma.

Dhe,pa marrë parasyshë se në këtë kohë të apsurditeteve ndodhin gjithë çka,unë ndihëm krenar me punën time 37 vjeçare në arsim, ku gjithëmonë kam qenë në nivel të detyrës.Ky gjykim banal nuk mund dotë të ma baltosë karierën time.Konsideroj se edhe 2 miqëve të mijë,Sh Buduri dhe B. Neriovaj ,i është bërë gjithashtu gjykim banal.

Me rrespekt:Beqir Letaj-Prizren