Home Blog Page 6192

Si vdiq Astrit Dehari?

0

Derisa Ministria e Drejtësisë po garanton transparencë në zbardhjen e vdekjes në burg të aktivistit Astrit Dehari, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosjes në një Konferencë të jashtëzakonshme që kanë mbajtur të dielën kanë thënë se vdekja e Astrit Deharit në burg është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit
Kur të burgosurit tjerë kishin dalë në shëtitje të shtunën, Astrit Dehari iu kishte lutur oficerit të Shërbimit Korrektues që të qëndrojë tek dhoma e tij. Lutjen oficerit ia kishte bërë, me qëllim që të bënte pastrimin e dhomës. Por, kur të gjithë të burgosurit janë kthyer në dhomat e tyre, Astritin e kanë gjetur në tokë dhe në gjendje shumë të rëndë e me të vjella, nga ku pastaj është nisur për spital.

Atje është konstatuar vdekja e të ndjerit. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga një burim i gazetës “Zëri” në Burgun e Prizrenit, sipas të cilit është herët të flitet për shkakun e saktë të vdekjes së 26-vjeçarit. Enigma e kësaj vdekjeje, që është e dyta me radhë në familjen Dehari, pas vdekjes së Arbnor Deharit, vëllait të Astritit, pritet të zgjidhet përmes obduksionit që do të bëhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. /Zeri

Drejtësia i amniston politikanët milionerë

0

Krijimi pa mbulesë dhe pa asnjë frikë e pasurisë marramendëse të pushtetarëve e politikanëve kosovarë, që dyshohet se është fituar në mënyrë antiligjore dhe të pashpjegueshme, duke i bërë kësisoj ata edhe si shtresën më të pasur në Kosovë, sipas analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, është bërë për shkak se politika dhe drejtësia janë në një martesë të vazhdueshme. Prandaj, kjo politikë qëllimisht ende nuk e ka bërë ligjin antimafia, ngase po të bëhej ligji në fjalë, sipas tyre, të gjitha këto fare lehtë do të zbuloheshin dhe nuk mund të fshiheshin dhe përveç tjerash do të konfiskohej pasuria e fituar në mënyrë me korrupsion dhe forma të tjera të krimit të organizuar.

Veç kësaj është shtruar edhe pyetja se përse Kosova nuk ka mekanizma ligjorë e institucionalë të besueshëm dhe kredibil për hetimin serioz se si politikanët kosovarë u bën të milionerë e multimilioner brenda një kohe shumë të shkurtër, pasi ka një shpërputhje të madhe të pasurisë me pagat që ata i marrin. Po ashtu është ngritur edh pyetja se pas gjithë kësaj, pse hesht dhe nuk vepron Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dhe a ka shpresë se më në fund kjo e fundit do të nisë hetimet serioze kundër zyrtarëve e politikaneve të dyshuar si të korruptuar që po zhvatin buxhetin e shtetit duke ua nxirë jetën qytetareve të këtij vend.

Dibrani: Asnjë politikan nuk është bërë multimilioner, pa e ditur edhe prokurorët Analisti Shefqet Dibrani në një prononcim për gazetën, “Kosova Sot”, ka thënë se tashmë dihet se shtresa më e pasur në Kosovë janë pushtetarët politik, të cilët nuk kanë asnjë veprimtari prodhuese e profitabile, derisa sipas tij, kjo e dhënë është e mjaftueshme për të kuptuar rrugën e vërtetë të pasurimit të tyre.

“Po ashtu shtresa politike është më së paku e arsimuar dhe kjo kuptohet fare lehtë nga secili, qoftë nga diskutimi i tyre në parlament apo në mediumet publike, e qoftë në takime të drejtpërdrejta, por siç janë kamur me pasuri po aq janë të pajisur me grada akademike e tituj shkencorë, madje edhe vlerësimet dhe çmimet zakonisht ndahen vetëm për ta. Prandaj, shoqëria jonë është në krizë të thellë, e kjo vjen nga kjo shtresë oligarkësh, të cilët edhe nëse i kanë dërguar fëmijët e tyre nëpër universitetet më të mëdha botërore, të rrallët janë fëmijët e kësaj kategorie, që pajisen me dije e kulturë për t’i shërbyer vendit dhe të ardhmes së tij. Ai shton se kudo nëpër universitete ka nota minimale kaluese, dhe ato maksimale të cilat fitohen me mund, angazhim dhe përpjekje të mëdha. Dibrani ka shtuar se pa dyshim, në Kosovë nuk është bërë asnjë multimilioner pa e ditur edhe prokurorët, derisa sipas tij janë marrëveshje të ndërsjella, për të cilat një pjesë e përgjegjësisë bie mbi drejtësinë.

“\Sikur nuk kemi politikan të dënuar të cilëve iu ka konfiskuar edhe pasuria, nuk kemi në anën tjetër as prokuror e gjykatës që janë dënuar pse nuk e kanë kryer punën si duhet. Madje nuk është dënuar askush pse ka shkelur ligjin dhe as prokuror që nuk e kanë respektuar atë. Përndryshe, asnjë politikan nuk ka mundësi të këtë krijuar pasuri nga të ardhurat e tyre sado të mëdha le të jenë ato sepse shpërputhja është aq e madhe sa nuk bëhet më”, shprehet Dibrani. Tutja ai shton se në kundërshtim me ligjin kanë nga dy -tre paga që i marrin në të njëjtën kohë duke mos shkuar kurrë në atë institucion, i cili i paguan politikanët nga taksapaguesit e Kosovës./kosova sot/

Hilja e Thaçit për t’ia zgjatur jetën koalicionit

0

Takimi i javës së kaluar me përfaqësues të subjekteve politike të pozitës dhe minoriteve, por pa treshen opozitare, që u zhvillua me ftesën e presidentit Thaçi me qëllim të inicimit të ri të reformës zgjedhore, nga vetë opozita dhe një numër analistësh politik, po konsiderohet dhe vlerësohet si një taktikë e mirë menduar e vetë ish kreut të PDK-së Hashim, një skenar i paramenduar perfid për t’i zgjatur jetën koalicionit PDK-LDK. Ky koalicion, sipas tyre, do të telekomandohej dhe mbisundohej si deri më tash nga PDK-ja, dhe rrjeti kriminal “Pronto”, deri në fund të mandatit. Ky skenar konsiderohet të jetë menduar kështu edhe për faktin se është një kërkesë këmbëngulëse e faktorit ndërkombëtar, edhe e BE-së, që reforma zgjedhore megjithatë të finalizohet gjatë këtij mandati, pavarësisht se si do të luhej loja politike brenda kornizave politike e institucionale në vend. Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, konsideron se edhe kërkesat dhe standardet e BE-së, mafia politike e Kosovës është munduar t’i adaptojë për nevoja të saj dhe t’i mashtrojë njëkohësisht edhe BE-në edhe qytetarët e Kosovës, sepse veprime të tilla, sipas tij, ka pasur edhe në të kaluarën. Sidoqoftë, Salihaj për këtë tolerim fajëson edhe vetë strukturat e BE-së që e japin këtë mundësi.

“Kjo është një praktikë e vazhdueshme në Kosovë, që aplikohet në vazhdimësi. Mafia politike abuzon me çdo gjë dhe çdo gjë e përdorë për interesa të saj. Nuk është e rastit që BE-ja vazhdimisht është e pakënaqur me zhvillimet në Kosovë dhe nuk e bën liberalizimin e vizave. Por,nuk duhet harruar se edhe BE-ja ka instaluar në pushtet një mafi politike, e cila e ka mbuluar Kosovën me krim dhe korrupsion të pafund. Të kërkosh prej mafisë politike reforma të mirë- fillta zgjedhore, që e bëjnë Kosovën një vend ku sundon ligji dhe rendi, është njësoj sikur të kërkosh nga hajni që të ‘reformohet’ dhe të mos vjedh më”, u shpreh Salihaj për “Kosova Sot”.

Deputeti Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën konsideron se loja perfide e Thaçit me inicim të reformës zgjedhore ka për qëllim blerje kohe për interesin e qeverisjes kriminale nga klani ‘Pronto’ dhe mbulesën e aktualitetit të krizës politike që e kanë zhytur vendin marrëveshjet e dëmshme e kundër kushtetuese.

“Tani, mendoj se momenti, në të cilin është nxjerr kjo temë, ka për qëllim për të improvizuar diçka, gjëja se Hashim Thaçi po bënë diçka serioze për vendin. Më shumë ka të bëjë me nxjerrjen e disa temave të reja në opinion dhe lënien anash të temave jetike për vendin, sikur është kolapsi institucional në aspektin e krizës sociale dhe ekonomike por edhe të krizës politike që ka përfshi vendin si rezultat i dy marrëveshjeje kundër kushtetuese dhe të disfavorshme, që cenojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit. Për t’i mashtruar qytetarët duke ju hedhur hi syve ka nxjerrë këtë temë të re në kohën kur ne veç jemi duke pritur ditët kur koalicioni i interesave të ngushta do të shpërthej dhe vendi do të detyrohet të shkoj në zgjedhje, në afatin prej 43 ditësh”, u shpreh Berisha. Sipas Berishës, është momenti jo i duhur dhe jo i volitshëm që të merremi tani me një temë të cilën sado që ka nevojë vendi/kosova sot/

Specialja ‘nis gjahun’ në pjesën e parë të 2017-së

0

Pa hyrë në fuqi Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Holandës rreth vendit nikoqir të Gjykatës, nuk do të ketë nisje të proceseve gjyqësore. Megjithatë, gjithçka do të qartësohet në pjesën e parë të vitit 2017, kur pritet të jenë edhe akuzat e para për krime lufte. E në Kosovë thonë se në bankën e të akuzuarve pritet të ulen edhe figura të rëndësishme politike

Funksionalizimi i Gjykatës Speciale për Kosovën po shkon sipas planit dhe në koordinim me të gjitha instancat relevante. Rrjedhimisht edhe akuzat e para për ish guerilët e UÇK-së të dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-2000, do të nisin në pjesën e parë të vitit 2017.

Në një prononcim për gazetën “Zëri”, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes, ka thënë se aktualisht janë duke u zgjedhur gjykatësit dhe presidenti i Dhomave të Specializuara. Vetëm më pas do të bëhet miratimi i rregullores së procedurës gjyqësore dhe provave nga gjyqtarët, i cili është një dokument kyç që rregullon kryerjen e procedimeve para Dhomave të Specializuara.

Megjithëkëtë, edhe pse Mbretëria e Holandës ka votuar pro ratifikimit të Marrëveshjes që parasheh vendosjen e Dhomave të Specializuara në këtë shtet, kjo ende nuk ka hyrë në fuqi. /Zëri/

Rahoveci përkujtoi Tonin dhe Micin

0

Me homazhe dhe vendosje të buqetave me lule, te vendi i rënies mbi fshatin Opterushë dhe te varrezat e dëshmorëve në qytetin e Rahovecit dhe përmendoreve të heronjve Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici, kanë filluar të dielën aktivitetet për shënimin e 18-vjetorit të rënies së tyre.

Pas homazheve dhe vendosjes së buqetave me lule në sallën e Qendrës kulturore “Mensur Zyberaj” në Rahovec, është mbajtur akademia përkujtimore kushtuar rënies së heronjve Xhelal Hajda-Toni dhe Selajdin Mullabazi-Mici.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka folur për veprën e dy heronjve të Kosovës, Tonit dhe Micit. “Jemi bashkë sot që t’i përkujtojmë dy trima, Xhelal Hajda- Tonin dhe Selajdin Mullabazi-Micin dhe dëshmorët nga komuna e Vushtrrisë. Po i përkujtojmë këta dy trima që ishin me karakter të fortë, inteligjencë të lartë, këmbëngulës në idealin e tyre dhe kërkesën për t’i shijuar të drejtën elementare, e që është liria. Të gjitha këto cilësi që i përmenda, Toni dhe Mici i zbatonin në shumë beteja kundër okupatorit serb deri në ditën e rënies heroike. Ata janë krenaria jonë dhe drejtimi jonë se si duhet jetohet dhe mbrohet vendi. Siç kanë qenë bashkë deri në vdekje, ata janë bashkë edhe sot në të njëjtin oborr, ku dy shkolla të mesme në qytet mbajnë emrin e tyre”, ka thënë Vehapi.

Në akademi kanë folur edhe Vajdin Berisha, kryetar i Degës së OVL-së në Rahovec, si dhe Remzije Shehu- Cana, drejtoreshë e shkollës së mesme ” Xhelal Hajda-Toni”.

Shyqri Hasani: Astrit Dehari u soll i vdekur në Spitalin e Prizrenit

0

Ushtruesi i Drejtorit të Infermierisë në Spitalin e Prizrenit, Shyqri Hasani tregon se aktivisti i VV-së që ishte në paraburgim, Astrit Dehari është sjellë pa shenja jete në spital. Sipas tij, mjekët kanë bërë të gjitha përpjekjet për të kthyer në jetë Astritin, mirëpo nuk kanë pasur sukses.

“Nuk ka pasur shenja jete kur është sjellë në spital. Eipi i mjekëve është angazhuar që të kthejë në jetë Astritin, mirëpo nuk kanë pasur sukses”, tregon Hasani, shkruan PrizrenPress.

Hasani, sikurse kryeprokurori Sylë Hoxha tha se viktima Astrit Dehari ka pasur gërvishtje në qafë.

“Ka pasur në qafë gërvishtje”,tregon ai./PrizrenPress.com/

Dhurata Hoxha në Prizren: Jemi transparent në rastin e Astrit Deharit

0

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha ka thënë se e kanë marrë me shqetësim të thellë rastin, ku të shtunën ka ndërruar jetë aktivisti i Vetëvendosje, Astrit Dehari që po mbahej në paraburgim.

Në një konferencë që po mbahet në Prizren pikërisht për këtë rast ka thënë se si institucione janë plotësisht transparente, njofton Klan Kosova.

Ministrja Hoxha ka shtuar se ata kanë lejuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i vizitojnë të paraburgosurit.

Ajo ka thënë se janë duke pritur edhe për propozimin e familjes së Deharit që në autopsi të marrin pjesë edhe ekspertët që ata do t’i angazhojnë.

Më tej Hoxha ka thënë se duhet tu lihet organeve kompetente që të merren me rastin.

Më tej ka shtuar se është duke u punuar në raportin zyrtar në lidhje me rastin që do të qartësojë rrethanat e vdekjes së Deharit.

Ky raport do të bëhet publik, ka thënë në fund ministrja Hoxha.

“Që nga dita e djeshme Ministria e Drejtësisë dhe organet tjera relevante, janë duke u marrë me rastin, ndërsa aktualisht jemi duke pritur vendimin e familjes për anëtarin i cili do t’i bashkëngjitet ekipit i cili do ta kryej autopsinë”, theksoi Ministrja Hoxha në konferencën e mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Ajo me tej shtoi se në kuadër të mandatit të saj, shpreh përkushtimin e plotë dhe gatishmërinë për sqarimin e rastit, me transparencë dhe ftoi që të mos bëhen paragjykime lidhur me rastin. Ministrja Hoxha theksoi se raporti do të jetë publik dhe transparent.

“Menjëherë kam urdhëruar hetim të brendshëm të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me rrethanat e vdekjes së të paraburgosurit A. D. dhe në pajtim me të gjeturat e raportit dhe kompetencat, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”, tha Hoxha.

Ministrja Dhurata Hoxha theksoi se Ministria e Drejtësisë do të japë informacione zyrtare dhe ato të cilat nuk e pengojnë hetimin dhe shkaktimin e çfarëdo paqartësie lidhur me rastin tragjik.

Fshatrat e Prizrenit, rrezikohen nga qentë

0

Banorët e fshatrave të Prizrenit, por edhe të lagjeve brenda qytetit ankohen për numrin e madh të qenve endacakë që po rrezikojnë jetët e tyre. Sadri Morina, nga fshati Landovicë, ankohet se çdo ditë përballet me probleme të mëdha dhe se në oborrin e tij vijnë dhjetëra qen të rrezikshëm nga deponia dhe rrezikojnë tërë lagjen. Tani e sa kohë Sadri Morina, nga lagjja e epërme e fshatit Landovicë, ankohet se ka një hall të tillë.

“Çdo mbrëmje e çdo mëngjes përballemi me qentë endacakë, të cilët pasi që ushqehen në deponi zdirgjen në fshat dhe rrezikojnë jetën e të gjithë banorëve”, tregon Morina për “Kosova Sot”. Ndërsa, Naser Brea, këshilltar në Kuvendin Komunal të Prizrenit, shprehet se problemi i qenve endacakë paraqet shqetësim për gjithë qytetarët e Prizrenit. Sipas tij, disa prej qenve janë edhe të sëmur dhe mund të infektojnë edhe qytetarët. Sipas tij, qentë endacakë mund të shihen madje edhe në qendër të qytetit, në sheshin “Shatërvan”, shkruan gazeta Kosova Sot.

Komuna e pafuqishme për të zgjidhur problemin

Lidhur me këtë, kemi biseduar edhe me drejtorin e Bujqësisë, Pal Geci. Sipas tij, këtë vit Komuna e Prizrenit për trajtimin e qenve endacakë ka ndarë 40 mijë euro.

“Deri më tani ka trajtuar një mijë qen të këtillë. Por, numri i tyre është i madh dhe është ende njëri ndër problemet e rënda që ka komuna”, thotë ai. Drejtori Geci shprehet se do të kërkojë angazhim shtesë për të ndërmarrë preventivën sipas Ligjit për Veterinarinë për trajtimin e këtyre qenve. Sipas tij, probleme me qentë endacakë kanë edhe fshatrat përreth, si Zhuri, Landovica, Smaqi, Vlezha dhe fshatra të tjerë. Sipas Gecit, Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të përgatisë një informatë të sakë, me të cilin edhe do të njoftohet Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Komuna e Prizrenit tani e sa kohë ka krijuar një vendtrajtim për qentë endacakë, tregon ai. “Rrezik permanent qentë endacakë janë duke krijuar edhe në fshatrat Zhur, Landovicë, Smaq, apo në ato vende ku edhe ka ndonjë deponi të egër”, thotë Geci. Ai kë përmendur edhe rastet e intervenimeve në Hatmaxhë, pastaj në fshatra të Luginës së Lumëbardhit, por prapë ka probleme.

Më të rrezikuarit janë nxënësit e shkollave

Asllan Ndrecaj, nga Legjenda, ka paraqitur rastin e qenve endacakë që i sjellin nga qytetet e tjera dhe i lëshojnë aty. Edhe shumë qytetarë kanë ankesa sa u përket qeneve endacakë. Që mos të përsëriten rastet e kafshimeve kërkohet ndërhyrja e autoriteteve. Drejtori Pal Geci shprehet se ky nuk është problem aq i lehtë për komunën e Prizrenit. “Ngase ata tashmë nuk mund të eliminohen, por duhet zënë dhe pastaj të trajtohen. Kjo edhe ka ndikuar në shpeshtimin e tyre”, thotë Berisha. E derisa autoritetet nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme, banorët kanë veçanërisht frikë për fëmijët që shkojnë në shkollë. Nxënës të shkollave në fshatrat si në Has, Përdrini dhe Luginë të Lumëbardhit po kanë probleme me qentë. Mitat Berisha shprehet se edhe nxënësit e shkollave në periferi po rrezikohen nga qentë endacakë. Numri i qenve në regjionin e Prizrenit arrin afër 2 mijë dhe ata lëvizin lirshëm edhe në zonat e banuara. Madje, disa prej tyre kanë shenja të dukshme të sëmundjeve, siç janë rruazat në lëkurë.

(Kosova Sot)

Adem Sallauka mohoi se largoi profesorin nga puna

0

Sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prizrenit Adem Sallauka tha në gjykatë se nuk kishte kompetenca ta largojë nga puna profesorin Enver Sopjani.

Adem Sallauka, sekretari i përgjithshëm i Universitetit të Prizrenit paraqiti mbrojtjen në gjykimin ku akuzohet për shpërdorim detyre.Sallauka bashkë me Mazllum Baraliun,ish-rektorin e Universitetit “Ukshin Hoti” dhe zyrarin për buxhet e financa të këtij universiteti Halim Hazirajn akuzohen se duke shfrytëzuar postet e tyre me dashje dhe dijeni shkelën seriozisht të drejtat e profesorit Enver Sopjani, duke ia shkëputur marrëdhënien e punës.

Por gjatë mbrojtjes së tij Adem Sallauka deklaroi se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për shkëputjen e marrëdhënies së punës Enver Sopjanit që në këtë proces është palë e dëmtuar.

Ai tha se largimi nga puna i dikujt është kompetencë e rektorit, ndërsa bëri të ditur se për vendimin e largimit nga puna të profesorit Sopjani ka marrë vesh vetëm në Prokurorinë e shtetit kur është intervistuar për këtë rast.

Sallauka u pyet më pas nga avokati i tij Fatmir Jelliqi se a është i obliguar sekretari i përgjithshëm i universitetit të zbatojë vendimet e Ministrisë së Arsimit.

“Sekretari i përgjithshëm i universitetit nuk është i obliguar të zbatojë asnjë vendim që vjen nga jashtë universitetit,” u përgjigj i akuzuari Adem Sallauka.

Naser Sopjani, avokati i profesorit Enver Sopjani tha se i akuzuari Sallauka u mundua t’i ikë përgjegjësisë duke ia lënë fajin ish-rektorit.

“Komplet u konstatua veprimet e tij që kanë qenë në atë formë që tani mundohet t’i fshehë pas autoritetit, apo pas pozitës, kinse çdo gjë është bërë me urdhra apo kërkesat e ish rektorit të asaj kohe,” tha Sopjani.

Sopjani parashikoi që në fund të gjykimit do të vërtetohet se të akuzuarit me qëllim ia ndërprenë marrëdhënien e punës Enver Sopjanit.

“Besojmë që do të vërtetohet që në tërësi këta persona veprimet e tyre i kanë kryer me dashje të plotë dhe me qëllim nuk i kanë zbatuar vendimet e MASHT-it, si institucion që është më i lartë dhe ka qenë obligative që Enver Sopjani ta nisë punën e tij si profesor i asocuar në Universitetin e Prizrenit,” tha avokati Sopjani.

Seanca ardhshme u caktua me 15 nëntor, ku do të jepet fjala përfundimtare në këtë rast./Kallxo.com/

Mamushë: Edukatorja e larguar kthehet në punë

0

Inspektorati i Arsimit ktheu në punë edukatoren e larguar nga procesi arsimor i Komunës së Mamushës.

Indira Haliti tha se nënshkroi kontratën e punës pasi u ankua në inspektoratet e arsimit dhe punës, si dhe në Sindikatën e Bashkuar të arsimit dhe Kulturës (SBASHK).

“Pas ankesave të ushtruara në këto institucione, ata kanë ndërmarrë hapin duke i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe mua më është rikthyer puna ime. Vendimi ka ardhë prej inspektoriatit të arsimit dhe të punës dhe dje e kam nënshkru kontratën,” tha Haliti.

Edukatorja tregoi se ka nisur punën, ndërsa do të kompensohet edhe për muajin kur u largua nga puna. /kallxo.com/