Home Blog Page 6191

Psikiatri tregon gjendjen e të akuzuarit para se ta vriste Zejnepe Berishën

0

Ekspertë të psikiatrisë forenzike thanë se ekspertiza e tyre tregon se Nebih Berisha kur e vrau bashkëshorten e tij, Zejnepe Berishën, ka qenë në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore. Prokurori, ndërkaq, pati vërejtje në ekspertizën e ekspertëve psikiatrikë.

Në gjykimin e Nebih Berishës nga Suhareka, i cili akuzohet se e vrau bashkëshorten e tij, Zejnepe Berishën, në cilësinë e dëshmitarëve janë ftuar ekspertë të psikiatrisë forenzike.

Kryetari i Komisionit të psikiatrisë forenzike, Fahri Drevinja, tha se ekspertizën e kanë bërë si komision prej tre ekspertëve në Institutin e Psikiatrisë, aty ku edhe i pandehuri kishte qëndruar nga muaji prill deri në qershor për ekzaminim.

Eksperti përmendi edhe ndikimet post-traumatike tek i akuzuari, për të cilin tha se ka qenë në luftë dhe është invalid i luftës, përdorimin e alkoolit dhe problemet e mëhershme bashkëshortore.

“Tepora criminalis – siç thoni ju apo në momentin e kryerjes ka qenë në gjendje të sipërpërshkruar, pra aftësia për të gjykuar drejt, rëndësia e veprës si dhe aftësia për t’i kontrolluar dhe ndaluar veprimet e tij ka qenë e zvogëluar esencialisht. Edhe nga vizita që e patëm drejtpërdrejt edhe sapo mora informacion nga mbrojtësi se i njëjti është i aftë të përballohet me procesin e gjykimit dhe deponimet e tij janë valide”, tha ai.

Ndërsa, prokurori i shtetit kundërshtoi ekspertizën e ekspertëve me vërejtje të përgjithshme për shkak se ai konsideroi se ekspertët nuk kanë qenë në gjendje të japin përgjigje në disa pyetje të shtruara nga prokurori.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Esat Gutaj, tha se e vlerëson mendimin e ekspertëve të psikiatrisë.

“Sipas mendimit tim si jurist, si avokat me përvojë, një ekip i ekspertëve ma kulminantë të forenzikës së Kosovës i kanë dhënë vlerësimet e veta. Nëse dikush mendon ndryshe le të lypë superekspertizë dhe superekspertiza mundet me thënë se kanë pasë apo nuk pasë të drejtë”, tha ai.

Nebih Berisha akuzohet se në mbrëmjen e 23 tetorit 2015 në shtëpinë e tij familjare me dashje privoi nga jeta bashkëshorten Zejnepe Berisha dhe i shkaktoi lëndime trupore vajzës së tij/kallxo.com/

Goranët kundër hidrocentraleve në Vranishtë të Dragashit

0

Në fshatin Vranishtë të Dragashit, goranët po kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në lumin e Brodit, transmeton Koha.net.

Për këtë arsye, ata qe më shumë se një javë, pothuaj çdo ditë, po tubohen e po kundërshtojnë me protesta këto ndërtime.

Behar Ramadani nga Vranishta i ka thënë tanjugut se ky lum për banorët është jetë, ekzistencë në atë anë dhe për këtë arsye fshati po mblidhet për të protestuar.

Përkrahje në protesta banorëve të dielën u ka dhënë edhe deputeti i Kosovës nga kjo anë Adem Hoxha.

Detaje të vdekjes së Astrit Deharit

0

I ndjeri Astrit Dehari nuk ka qenë duke përdorur kurrfarë terapie në Burgun e Prizrenit, kanë bërë të ditur burime brenda shërbimit mjekësor të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Policia nuk ka gjetur asnjë gjurmë të barnave në dhomën e Deharit, të burgut të Prizrenit të cilën e ndante me katër të burgosur tjerë.

Burime nga Prokuroria dhe Policia kanë thënë për Insajderin se afër trupit të shtirë është gjetur një shishe plastike mjalti 400 gram, të cilën Dehari e kishte blerë në burg pak ditë para vdekjes.

“Nuk është gjetur asnjë provë që mund të dëshmojë se i ndjeri ka kryer vetëvrasje me përdorim të barnave. Nuk ka asnjë shenjë dhune në trup. Nuk ka qenë asnjë person brenda dhomës kur i ndjeri ka vdekur”, ka thënë një burim i përfshirë në hetim.

Ky burim e ka përjashtuar mundësinë e vrasjes nga dikush të aktivistit të Vetëvendosjes.

“Ditën e vdekjes, në orarin e shëtitjes, të burgosurit tjerë i kanë thënë se a po vjen në shëtitje. I ndjeri u ka thënë se ndjehet i lidhur dhe se dëshiron të pushojë. Pas pak kohësh, është gjetur pa shenja jete i shtrirë në dysheme”, ka thënë ky burim.

Një burim tjetër brenda sistemit shëndetësor ka treguar se të burgosurve nuk i jepen dhe nuk u lejohen barna në dhomë, por terapia u jepet nga vetë mjekët. Megjithatë, ka raste kur të burgosurit grumbullojnë barna duke mos i përdorur barnat që u jepen nga mjekët dhe infermierët.

“Ka pasur shumë raste kur infermierët u japin barnat pacientëve. Ata bëhen sikur po i pijnë, por i heqin fshehtas nga goja dhe i fshehin. Ka shumë raste kur të burgosurit nuk janë të sëmurë, por deklarohen si të sëmurë për të krijuar dosje mjekësore të cilat pastaj i përdorin për të kërkuar lirim nga burgu apo vizita mjekësore jashtë burgu”, ka thënë ky burim.

Megjithatë, të gjitha këto dyshime pritet ti zbardhë autopsia që pritet të kryhet gjatë ditës. Ekipi tashmë është mbledhur dhe pritet nisja e autopsisë për të zbuluar shkaqet e vdekjes./Insajderi.com

Homazhe në “Shatërvan” të Prizrenit për Astrit Deharin

0

Kryetari i Vetëvendosjes në Prizren, Artan Abrashi njofton se sot do të bëhen homazhe në shehsin “Shatërvan” për nder të Astrit Deharit.

“Sot në ora 17:00, në sheshin ‘Shatërvan” ne Prizren, do të mbahen homazhe në nderim të aktivistit dhe shokut tonë Astrit Dehari. Ftohen të gjithë aktivistët dhe qytetarët e Prizrenit që të marrin pjesë”, njofton Abrashi në Facebook.

“Drini i Bardh”, vërshohet nga mbeturinat

0

Me vetëm 5 euro në muaj, qytetarët e fshatrave të Anadrinit do t`i hudhnin mbeturinat nëpër kontejnerë dhe do të përfundonin në deponinë e mbeturinave në Landovicë dhe jo si tani në shtratin e lumit “Drini i Bardhe”.

Kështu ka shkruar në facebook anëtari i Kuvendit Komunal të Rahovecit, Xhafer Bytyqi, i cili ka publikuar edhe një video, ku “Drini i bardh”, shihet i vërshuar nga mbeturinat.

Shëmtia dhe ndotja që po i bëjnë lumit këto mbeturina, duhet të troket fuqishëm në ndërgjegjen e çdo qytetari në mënyrë që këto mbeturina të hudhen në vendin e duhur. Është shumë e nevojshme që institucionet tona lokale e qendrore të marrin hapa konkret që ta ndryshojnë këtë gjendje”, ka shkruar Bytyqi.

Shi

0

SKENDER BERISHA

Rrëmbyeshëm resh mbi rreshtin e blinjve kokëulur
kokërron mbi asfaltin e hidhëruar
pa fije mëshire pa fre
sa i pafre nën këto re
sa rrëmisht lag lag lag gjithçka mbi dhe
një jetë e tërë e lagur
një qytet i mbledhur nën ombrellë
nën ombrellën ku nuk ka vend
sot nuk ka vend
dhe ujë ujë që mblidhet drejt lumit tim
me mërmërimë me mërmërime
kush ma pret stuhinë që afron
me sa milionë
me sa
ndalem e shikoj i lagur përtej së laguri
këtë lemeri bredhëse shiu
ku të shtrihen petkat e lagura
ku të shtrihet shpirti i mledhur i bërë shuk
gjithçka dridhet rrebeshit sikur thupra
lagshtë nga koka deri te putra
tetor 2016,Prizren

Mustafa: Të zbulohet shpejt çka ka ndodhur me rastin e Astrit Deharit

0

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur ngushëllime për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Kryeministri kërkoi nga institucionet relevante që të hetohet se çfarë ka ndodhur.

“Shpreh dhimbjen dhe hidhërimin për vdekjen e një të riu në burgun e Prizrenit. Shpreh ngushëllimet e mia, kërkoj që institucionet të bëjnë veprimet e pavarura dhe të konstatohet se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Mustafa në mbledhjen e Qeverisë.

Astrit Dehari ka ndërruar jetë të shtunën, ndërsa ishte i paraburgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Autopsia e trupit të Astrit Deharit në orën 14:00

0

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxhaj ka shprehur ngushëllimet dhe keqardhjen për vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari që ka ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Hoxhaj ka treguar se autopsia e trupit të të ndjerit do të bëhet në orën 14:00 derisa ka shtuar se për zbardhjen e këtij rasti që është cilësuar si vdekje e dyshimtë janë aktivizuar të gjithë mekanizmat.

“Janë aktivizuar të gjithë mekanizmat, ekipi i mjekësisë ligjore, Prokuroria, Policia si dhe është lejuar përfshirja e një eksperti vëzhgues. Familjarët kanë identifikuar ekspertët derisa autopsia do të fillojë në orën 14:00 derisa për hir të transparencës do të jetë edhe EULEX-i”, ka thënë Hoxhaj, njofton Klan Kosova.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë se me qëllim të sqarimit sa më transparent është angazhuar edhe Inspektorati.

Gjykata Speciale tërmet PDK-së

0

Faton MEHMETI

Para një viti u miratua nga Parlamenti i Kosovës, Ligji prej 50 faqesh mbi Dhomat Speciale dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar. Pas muajsh të tërë debatesh, protestash në rrugë, spekulime nëpër media dhe vonesa të shkaktuara nga opozita politike. Kjo çështje u negociua midis BE-së dhe Kosovës,por ende nuk ka filluar punën e saj.

Edhe pse ende nuk dihet kur Gjykata Speciale kur do të fillojë me aktakuzat e para, por thuhet se aktakuzat e para nga Zyra e Prokurorit të ri Speciali në Hagë për krime të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë, të cilat priten në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2017, disa nga emrat e mundshëm që do të jenë cak i kësaj gjykate përmenden.

Kryesisht përmenden emrat e Kadri Veseli, pastaj Fatmir Limaj, Agim Çeku, Xhavit Haliti etj. Kjo Gjykatë do të trajtojë rastet e viteve 1998-99 e madje edhe ato të fazës së parë të pas luftës. Mandati i saj pritet të jetë pesë vjeçar. Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykata Speciale mund të trondit skenën politike në vend sidomos PDK-në,që ishin pjesë e lidershipit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, gjatë luftës. Pavarësisht skepticizmit në lidhje me efikasitetin e Zyrës së Prokurorit Special dhe Dhomave Speciale (e njohur si Gjykata Speciale ) dua të besoj se ekziston një mundësi që skena politike e Kosovës do të ndryshojë, me kusht që drejtësia të ndiqet në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje politike.

Përveç akuzave në lidhje me krimet kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të dyshuar si bashkëpunëtorë të regjimit të Sllobodan Millosheviçit, pjesë e sferës së juridiksionit të gjykatës speciale janë edhe vrasjet e motivuara politikisht të kryera nga viti 1998 deri në vitin 2001. Një sërë bashkëpunëtorësh të ngushtë të ish Presidentit Ibrahim Rugovës, u vranë apo u plagosën në sulme gjatë kësaj periudhe.Këtu përfshiheshin vrasja në e tentativë e anëtarit presidencial të LDK-së Sabri Hamiti në vitin 1998 dhe vrasja e mikut të ngushtë dhe aleatit të Rugovës Enver Maloku, në vitin 1999.

Ahmet Krasniqi, ministër i mbrojtjes në qeverinë e Rugovës në mërgim, u qëllua gjithashtu për vdekje në Tiranë në vitin 1998, pastaj Ekrem Rexha, i njohur ndryshe edhe si komandanti Drini, Tahir Zemaj, ish-deputeti Smajl Hajdaraj, Shaban Manaj dhe miku i afërt i Rugovës dhe këshilltari i tij, Xhemajl Mustafa etj . Rreth 100 aktivistë të LDK-së, zyrtarëve dhe mbështetës të shquar janë rrëmbyer, vrarë apo të plagosur midis viteve 1998 dhe 2001. Do të ishte në interes të së tashmës dhe të ardhmës, që këto vrajse të zbulohen dhe personat përgjegjës të marrin dënimin, kusho që të jenë.
Drejtësia kosovare ka dështuar dhe kjo na ka sjell Gjykatën Speciale. Ish ministri Hajredin Kuçi ka përgjegjësi për dështimin e drejtësisë, Kuçi nuk ka arrit të krijoj një drejtësi kualitative dhe ai ka dështuar, sidomos në rastet penale ku dëshmitarët janë kërcënuar. Kemi kapje te drejtësisë, të shtetit dhe çdo gjëje tjetër, prandaj edhe në mungesë të aftësisë sonë për të krijuar shtet ligjor dhe të drejtë, duhet të turpë rohemi që të huajt të na krijojnë drejtësi..

Dylan dhe era e idiotit letrar

0

Bernard-Henri Levy

Paris – Oh, çfarë zemërate e mykur ndaj shpalljes së Bob Dilanit fitues të Çmimit Nobel! Çfarë proteste nga akademia – jo ajo suedeze, sikurse mund ta mendonit, por nga ajo e kishës botërore të literaturologjisë. Paniku i burokracisë letrare, i kapur në kurth tek siguritë e tij dhe i rrethuar nga llogaritjet e tij mesnike, në parashikimet gjysmë të pjekura, ndryshimet dinake të qëndrimeve të saj, ka qenë i dukshëm.

A qe politike apo jopolitike zgjedhja e Dilanit? Pse një amerikan? Pse jo një grua? Ose një zë, çfarëdolloj zëri nga një pakicë e dukshme? Ose ky, që e ka pritur për 20 vjet? Apo ai tjetri që ka reshtur së shpresuari? E vërteta, sado e pakëndshme që mund të jetë për fanatikët, është se dhënia e çmimit Nobel në letërsi një autori që ka shkruar vetëm një libër, nuk është më e çuditshme sesa dhënia e tij për Dario Fo apo Uinston Çërçillin.

Dhe këtu është e vërteta edhe më e madhe: akordimi i këtij çmimi njërit prej poetëve tanë të fundit të njohur, i afërm i largët i Rutebëf, Vijo, dhe të gjithë fyelltarëve dhe këngëtarëve të vetmisë dhe braktisjes; shugurimi i një rapsodi, një bardi të vëllazërisë së shpirtrave të vetmuar dhe të humbur; kurorëzimi i autorit të baladave që kanë qenë, sa për të huazuar frazën e Andre Suarezit mbi Artur Rembonë “një moment në jetën” e kaq shumë njerëzve në shekullin XX dhe XXI, ka shumë më tepër kuptim se sa nxjerrja si me magji nga kapela e të errëtit Rudolf Oken Kristof apo plakut të ngratë Salli Prudom në vend të Tolstoit.

Sigurisht, është e gabuar t’i përgjigjesh në mënyrë moralizuese moralistëve. Por i ballafaquar me ata që çirren “Kjo nuk është letërsi! Thjesht nuk është”, dikush tundohet të marrë anën e Frensis Ponzhesë që duke cituar Lutremonin, e përcaktoi poetin (ai do të thoshte “proet”) si një bard apo rapsod, që duke shprehur “zërin e gjërave”, bëhet “qytetari më i dobishëm i fisit të tij”.

Dhe a bën kjo që përcaktimi të zbatohet më mirë se sa me autorin e “Majat e Lirisë” apo “Vitet e gjata të shpërdoruara”, e cila sjell në jetë dhe në muzikë atë që kritiku Greil Markus e ka quajtur “republika e padukshme” e kulturës amerikane? Dikush tjetër tundohet të rreshtohet edhe me Malarmenë, i cili na kërkoi, pak a shumë në të njëjtat terma, t’i “japim një kuptim më të pastër të fjalëve të fisit”. Sërish, kush më mirë se ky artist kolazhesh, ky kameleon i citimit dhe intertekstualitetit, ky liricist lakonik, alkimist verbal qe e kaloi jetën e tij duke rishpikur fjalët e të tjerëve dhe të vetat, duke zbuluar thëngjijtë e kohës nën hirin e humbjeve e ditës, për ta shndërrruar në ar, plumbin që ai dëgjoi në radio?

Ose kini parasysh dallimin e njohur midis skribëve, të cilët përdorin gjuhën në mënyrë instrumentale, dhe shkrimtarëve që e tjerrin atë në mëndafsh. A nuk qe Dilani ai që aludoi mbi diçka të ngjashme, kur pas viteve të luftës për të drejtat civile, rezistencës ndaj luftës në Vietnam, si dhe mbështetjes për revolucionin feminist, titulloi një nga këngët e tij më të bukura “Unë s’jam atje”, si në “Unë s’jam më këtu, jo më shërbëtori yt, lamtumirë gjithçkaje, për sa kohë?

Por, pyetja e vërtetë qëndron diku tjetër. Ushtrimi më bindës do të ishte të krahasoheshin mollët me mollët dhe autorin e “Bjonde mbi Bjonde”, me ato që ishin dhe mbeten bashkëkohëset e tij kryesore. Dilan është një Keruak që mund të këndojë. Ai është një Barou që vë në muzikë paradën e madhe të Brezit të Ritmit, me festat e tij të egra dhe drekat lakuriq.

Ai është ajo që ka thënë Alen Ginsberg në përshkrimin e tronditjes së tij, kur dëgjoi herën e parë “Një shi i madh do të bjerë” në vitin 1963, një këngë në të cilën thekset dhe ritmet, me ndryshimet e menjëhershme në emfazë, lundrimi në zemër i fjalëve dhe imagjinatës, të gjitha i bënin jehonë letërsisë më të mirë të kohës – por edhe me muzikë gjithashtu!

A do të vazhdojë të mbajmë këtë qëndrim kundër Dilanit, ta ngarkojmë atë me mëkatin e shartimit të ritmeve të muzikës bluz, soul dhe kantri me ato të Biblës, Uilliam Bllejkut dhe Uollt Uitmanit? Pse duhet të varet nga trupa e Turit të Pafundëm (më shumë se dy mijë shfaqje!) dinjiteti i dhënë pa hezitim për autorin e “On the Road”?

Mendoj se qe Luiz Aragon, që tha se përdorimi i poemës në muzikë ishte si të kalohej nga ngjyra e zezë në atë të bardhë. Aragon, poeti i kënduar nga Leo Fere dhe të tjerët, besonte se një poemë e pakënduar ishte thuajse e vdekur. E pra, duket që Dilan ishte i vetmi i kohës së tij në gjendje të mishëronte plotësisht muzikalitetin, që është thelbësor për poezinë e madhe, zëri i dytë që përndjek çdo poet, por të cilët ai në përgjithësi ua delegoi atyre që e recitonin apo e lexonin atë, fuqia e këngës që është e vërteta e tij përfundimtare dhe e fshehtë, dhe që disa janë marrosur – fjalë për fjalë dhe tragjikisht të çmendur – në përpjekje për ta tërhequr nga kafazi në kanto.

Bard dhe rapsod njëkohësisht. Një revolucion poetiko-muzikor në një burrë dhe një vepër. Më pëlqen të mendoj se kjo është shfaqja e forcës – kjo goditje e zgjatur e gjeniut që është përherë i ri – që komisioni i çmimeve Nobel ka njohur me zgjedhjen e tij.

www.bota.al / Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016