Home Blog Page 6195

Zhduket e mitura në Prizren

0

Një vajze e moshës së mitur është larguar nga shtëpia ndërsa familjarët e saj nuk kanë njohuri për vendndodhjen e të miturës.

Babai i saj ka raportuar zhdukjen e vajzës në polici ditën e premte.

Ngjarja ka ndodhur në Prizren, ndërsa nga policia kanë njoftuar që njësia përkatëse policore është duke hetuar rastin.

Zjarr në Brezovicë

0

Për shkaqe ende të pa njohura për Policinë e Kosovës, është përfshirë nga zjarri shtëpiza e stacionit fillestar të teleferikut të qendrës së shijimit Brezovicë.

Si pasojë e zjarrit është dëmtuar shtëpiza si dhe disa pajisje të një operatori kabllor të cilat ndodheshin në kabinë, thuhet në raportin 24 orësh të PK-së, përcjell Koha.net. Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe fikur zjarrin.

Nuk raportohet për të lënduar.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:30.

Mbi 800 vetëvrasje në Kosovë

0

Që nga janari e deri në këtë muaj janë evidentuar 19 raste të vetëvrasjeve, ku shumica janë të gjinisë femërore. Mosha mesatare e femrave, të cilat kanë kryer vetëvrasje, është nga 30 deri në rreth 40 vjeç. Vetëvrasje po kryejnë edhe nënat e më shumë se një fëmije

Numri i vetëvrasjeve në Kosovë po rritet vazhdimisht, ndërsa vetëm brenda një jave katër vetëvrasje të femrave kanë ndodhur në Kosovë. Pas luftës mbi 800 vetëvrasje kanë ndodhur në Kosovë. Nga disa raste të izoluara vetëvrasjet tani janë shndërruar në dukuri, sidomos tek gjinia femërore.

Njëra nga të vetëvrarat i takon moshës 18-vjeçare, e cila u hodh para katër ditësh nga një ndërtesë e lartë në Prishtinë. Mosha e femrave që po kryejnë vetëvrasje deklarohet më shumë rreth 30 deri në 40 vjeç, shkruan gazeta ‘Zeri’.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se gjatë javës së fundit (27.10.2016 deri më 02.11.2016) janë evidentuara katër raste të vetëvrasjeve (Vdekje e dyshimtë), ku të përfshira kanë qenë katër femra. Ndërsa, sipas të dhënave të Policisë nga 1 janari 2016 deri më 02.11.2016 janë evidentuar 19 raste të vetëvrasjeve, ku të vetëvrarat janë të gjinisë femërore.

Ymeri: Këtij koalicioni po i vjen fundi

0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka thënë bashkëpunimi qytetarë ka treguar se mund të ndalin gjërat e këqija që koalicionin qeverisës synonte t’ia bënte vendit.Ai gjatë fjalimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, të shtunën ka thënë se dialogu me Serbinë praktikisht është ndalur.Ymeri është shprehur se ndalja e Zajednices, siç e quan ai Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ka ndalë dialogun, pas sipas tij bisedimet janë zhvilluar për këtë bashkësi.

“Sot nuk ka vazhdim të dialogut me Serbinë, ndalja e Zajednicës ndali dialogun, sepse ky dialog zhvillohej për të”, ka thënë Ymeri.Ai po ashtu ka thënë se këtij koalicioni po i vjen fundi dhe se Vetëvendosje po rritet.Ymeri ka thënë se qeveritarët po keqpërdorin luftën e UÇK-së dhe për këtë arsye kanë kërkuar që lufta e UÇK-së, të hyjë në Kushtetutë.Kreu i VV-së ka folur edhe rreth kërcënimeve, siç tha ai, që ua ka bërë Kadri Veseli.

Sipas tij, kryeparlamentari këto deklarata i bëri me paramendim ndaj deputetëve të opozitës.“Kadri Veseli i kërcënoi hapur deputetë e LVV me jetë, me fjalimin për vetëvrasje. Nuk pati tërheqje për atë fjalë, ishte fjalim me paramendim. Nëntoka nuk i duron kundërshtarët politik, e aq më pak kur e ka Lëvizjen Vetëvendosje. Paniku e ka kapur këtë regjim. Ata po bien, ne po rritemi”, ka pohuar ai.Ndërsa duke folur për situatën e Trepçës, ai ka thënë se ky koalicion me ligjin e ri ka bërë hapin parë për privatizimin e saj.

Jenuzi: Jam në kërkim të emrit për drejtor të Arsimit

0

Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, premton se shumë shpejtë do të emërojë drejtorin e ri të Drejtorisë së Arsimit.

“Jemi në kërkim e sipër, do të shohim”, thotë ai për Koha Ditore.

Muajin e kaluar, Jenuzi pati liruar nga detyra drejtorin komunal të Arsimit, Hajri Ramadani, i cili ishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar me vendim të plotfuqishëm të organeve të gjyqësorit të Kosovës.

Një vendim të tillë, i pari i Dragashit e kishte marrë pasi që kishte pranuar një shkresë nga Gjykata Themelore e Prizrenit, me anë së cilës njoftohej për nevojën e ekzekutimit të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit ndaj Ramadanit, që vërtetonte dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë e gjyqësorit për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Jenuzi ka vendosur që Drejtoria e Arsimit në këtë komunë përkohësisht të udhëhiqet nga drejtori për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike, Tafil Krasniqi.

Ndërtime pa leje në bjeshkët e Kabashit

0

Në Parkun Nacional Bjeshkët e Kabashit,në një vend ku mund të shkohet vetëm me makina terreni,ndodhen ndërtimime të vilave pa leje.

Në këtë zonë e cila është nën mbrojtjen shtetërore disa banorë të fshatit Korishë kanë filluar ndërtimin shtëpive-vila dhe kanë arritur që të përfundojnë ato,përkundër intervenimit të zyrtarëve të inspektoratit.

Ndërtimet ilegale i bënë të ditura disa banorë tjerë të Korishës,të shqetësuar për dëmtimin e parkut.

“Jena 5 veta të gjitha lagjeve, unë jam i mahallës Guri,të cilët kemi shprehur shqetësimin tonë për dëmtimin e pronave publike në Bjeshkët e Kabashit, ose në parkun nacional. Personat që e kanë ba këtë uzurpim janë disa fshatarë tanë të cilët i kemi lajmëruar në organet përkatëse të komunës së Prizrenit,” tha Shaip Dakaj, njëri nga denoncuesit e ndërtimeve pa leje.

Në emër të banorëve të fshatit Korishë të shqetësuar nga ndërtimet pa leje në Bjeshkët e Kabashit, avokati Esat Gutaj ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

“Këtu sipas vlerësimeve të mia si avokat ka disa vepra penale, e para është uzurpimi i pronës së paluajtshme, e dyta është degradimi i mjedisit, e treta është vepra penale shkretimi i pyjeve dhe punimet pa kritere, kjo është sipas vlerësimit tim, por prokuroria do të bëjë vlerësimin në mënyrë më profesionale, por për katër vepra penale janë,” shpjegoi për KALLXO.com avokati Gutaj.

KALLXO.com i ka mësuar emrat e personave që ndërtuan pa leje në Bjeshkët e Kabashit, por pasi ata po hetohen nuk janë përmendur emrat e tyre.

Zyrtari për informim i Komunës së Prizrenit Ymer Berisha deklaroi se inspektorët komunalë kanë dalë në terren.

“Drejtoria e Inspekcionit me inspektorët e vet ka dalë në terren, ka biseduar me qytetarët, janë në pretendim e sipër për të ndërhyrë në këtë zonë, kanë marrë vërejtjet e para. Kërkesa e komunës është që ata nuk kanë të drejtë të ndërtojnë në këtë zonë dhe normalisht bashkë me sistemin prokurorial të komunës së Prizrenit, kemi me bë më të mirën për këtë zonë,” tha Berisha.

Edhe zyrtarë të Drejtorisë së Parkut Nacional për Regjionin e Prizrenit, një institucion nën menaxhimin e Ministrisë së Mjedisit kanë dalë në vendin e ndërtimeve pa leje.

Drejtori i kësaj drejtorie Hazer Dana tha se janë vendosur shiritat e ndalimit të punimeve në Bjeshkët e Kabashit, por ata janë hequr nga ndërtuesit ilegalë.

“Ata prapë kanë filluar me ndërtu, e kemi njoftuar inspektoratin. inspektorati ka shkuar në inspektimin e dytë ka konstatuat heqjen e shiritave dhe vazhdimin e ndërtimeve,” tha Dana.

Hazer Dana tregoi se ndërtuesve ilegalë u është kërkuar të rrënojnë vilat e ndërtuara.

“Nga këto që ka konstatuar inspektorati, ka marrë vendimin për rrënimin e këtyre objekteve dhe presim që pala të bëjë rrënimin sipas vendimit të inspektoratit. Këtë ta bëjë vetë pala, nëse pala nuk e bën vetë, inspektorati i Ministrisë së Mjedisit është i obliguar që të shkojë të bëjë vetë rrënimin, ndërsa shpenzimet i bart vetë pala që e ka bërë ndërtimin,” tha Dana.

Banorët e fshatit Korishë thonë se janë të shqetësuar për degradimin e kësaj zone dhe presin nga organet shtetërore që të ndërmarrin masa për t’i mbrojtur bjeshkët në të cilat vazhdojnë t’i dërgojnë bagëtitë për kullosa.

“Porosia jonë, u lutem organeve kompetente më të larta të Republikës së Kosovës që e quajmë shtet të marrin masa sa më shpejt, sa më të ashpra, që të ndalin degradimet e bjeshkëve të Kabashit dhe të parkut nacional,” apeloi Shaip Dakaj.

Ç’jemi ne?

0

Nga Petro Marko

Gjaku i himjarotëve është shqiptar, një histori me Ali Pashën dhe propaganda greke

Pra ç’jemi ne? Shqiptarë! Po pse e humbëm gjuhën? Unë do të them ato që di: Pse nënat plaka, gjyshët dhe gjyshet dinë më mirë shqipen se greqishten? Pse qajmë e këndojmë në shqip? Pse fjalët e urta i themi në shqip?

Siç duket që nga viti 1820 e këtej, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptarë, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë, as Shqipërinë, së cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun.

Erdhi koha që Himara u nda: Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e brendshme, Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe nuk e humbën kurrë lidhjet e gjakut dhe të fisit.
Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës.

Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t’u mbrojtur, siç bënin gjer në atë kohë, por iknin me varka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve.

Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijët. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës në Gjirit.

Prandaj dhe, kur flasin greqisht, dhërmijasit flasin si korfjanët, kurse himarjotët, si gjiritlinjtë. Pastaj shkollat ishin greke. Mesha këndohej greqisht, tregtinë e bënin me Korfuzin, Janinën. Pak nga pak u shkëputen lidhjet me Labërinë, me Dukatin.

Greqia, që u çlirua e para, thoshte se kudo ku janë ortodoksë, janë grekë; myslimanët janë turq. Nisi antagonizmi turq e kaurë! Propaganda bënte punën e saj. Kjo u thellua në kohën e Ali pashë Tepelenës, i cili dërgoi një delegacion në Himarë, që dhe Himara të myslimanizohej.

Paria e Himarës delegacionin e priti në Qeparo, se kishte më shumë kapedanë. Delegatët e Ali pashë Tepelenës u thanë mendimin dhe qëllimin e vizitës. Më plaku i kuvendit himarjot u tha delegatëve:

– E falënderojmë pashanë, që mendon për të mirën tonë. Po i thoni pashait se këtu poshtë, në fshat, kemi një fushë që s’ka ujë. Thahet në verë dhe nuk na jep asgjë. I jemi lutur Krishtit dhe Shën Mërisë, Shën Kozmait dhe Shën Spiridhonit, po s’na dhanë ujë. Në na dhëntë Muhamedi ujë, menjëherë bëhemi myslimanë. Kështu i thoni pashait. Kur vajtën e ia thanë pashait përgjigjen e bregasve, ai qeshi me zemërim dhe tha:
– Eh kaurët e dreqit, do të ma paguajnë!
-Pastaj, duke qeshur: – Pizevengët, janë të zgjuar, s’ke ç’thua, janë rrufjanë të mëdhenj!

Pak nga pak propaganda greke bëhej më e madhe, duke pretenduar se Himara ishte krahina heroike e Greqisë. Shumë kapedanë, sidomos paria, kishin privilegje.
Dhe paratë e mirëbërësve himarjotë, që i kishin lënë në bankat greke për shkollat e Himarës, ishin një shkak shumë serioz për propagandën greke.
Gjikë Bixhili nga Dhërmiu kishte fituar shumë para në Rusi, ku e kishte marrë Pano Bixhili, përfaqësues i himarjotëve pranë Carit, në Petërsburg. Mësuesit dhe shpenzimet për shkollën merreshin nga fondi i Gjikë Bixhilit. Gjikë Bixhili ndërtoi dhe një shkollë, që është sot e kësaj dite. Ne kur ishim të vegjël, në shkollën e fshatit shihnim portretin e tij, të varur në klasë.

Siç i la Gjikë Bixhili paratë në bankën greke, ashtu i lanë dhe shumë mirëbërës të tjerë nga Jugu, si Zhapa me shokë. Ishin miliona, të cilat u bënë burim për të ushqyer propagandën greke në vendin tonë, sa u krijua miti i Vorio Epirit dhe sillogu vorioepiriot, që merrej me çlirimin e Vorio Epirit, domethënë të Shqipërisë së Jugut. Paratë u vunë në dispozicion të parisë, e cila merrte një mijë dhe shpenzonte një…
Paria merrte para nga banka greke, e cila qe e autorizuar nga qeveritë reaksionare nacionaliste të Megali Idhesë (Megali Idheja: që Greqia të behej e madhe duke përfshirë në kufijtë e saj jugun e Shqipërisë dhe vendet ballkanike ku janë ortodoksë).

Himarjotët që emigronin në Greqi, kishin privilegje: përkraheshin si bij të një “krahine heroike greke” me histori trimërie e burrërie.
Fatkeqësia ishte se Shqipëria u çlirua e fundit në Ballkan. Himara kishte ushqyer shpirtin e aneksartisë, autonomisë, si Suli, i cili pak nga pak u greqizua.
Dhe, pasi u çlirua Shqipëria, me kufijtë të cunguar shumë, propaganda greke e ushqeu shumë idenë e autonomisë së Himarës: as shqiptarë, as greke! Kishte hedhur rrënjë të thellë kjo propagandë në shpirtin e himarjotëve, të cilët sytë i mbanin nga Greqia.

Krerët himarjotë, si Spiro Miloja, një luftëtar që e ndihmoi shumë Greqinë, ishte në krye të kësaj propagande, me gjithë farefisin dhe sojin e tij të përndarë në Dhërmi, Vuno e gjetkë.
Spiro Miloja ishte nga Progonati. Në fshatin tonë ai kishte farefis Llukë Zh. e të tjerë, që propagandonin ndarjen e Himarës nga Shqipëria. Si bazë kryesore të propagandës përdornin dhe këtë: Pse Labëria u bë turke?
E pse te mos bëhemi edhe ne me Greqinë, që është armike e betuar e Turqisë, siç jemi dhe ne armiq të betuar të turkut. Shumë fanatikë ishin fshatarët e mi! Njëzet e gjashtë kisha kishte. Mbaj mend unë se kishte tetë priftërinj.

Lidhjet ekonomike, privilegjet në Greqi, interesimi i Greqisë për himarjotët, sillogu vorioepiriot ndikuan shumë për t’i bërë himarjotët t’i kthenin sytë nga Greqia dhe të ëndërronin për një autonomi. Pastaj, edhe në kohën e pavarësisë himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdesua asnjëherë për ta. Nuk shkonin as xhandarë dhe nuk merreshin në asnjë punë.
Ata pëlqyen të mërgonin: herën e parë në Llavrion, ku kishte miniera; në Korint, për të hapur kanalin; në Vllahi, në Rusi, pastaj në Amerikë, në Francë, në Meksikë, në Argjentinë, në Australi, Kanada e gjetkë. Kështu ne dinim më mirë ku binte Buenos Airesi sesa Kukësi, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Australia dhe jo Kosova, që nuk ja kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Athina dhe Korfuzi ose Tirana e Shkodra. Ishim pa asnjë lidhje me atdheun tonë.

Disa përçarës, vetë regjimi i Zogut, sidomos Musa Juka, na përçau. U ndamë në fshat në dy parti: pendëkuqet që deshën Shqipërinë dhe shkollat shqipe; dhe pendëbardhët, që deshën Greqinë e shkollat greke në fshat. Këtë përçarje e ushqeu shumë Musa Juka, duke na armiqësuar vëlla me vëlla.
Familja jonë bënte pjesë në partinë e pendëkuqeve dhe mbanim në ballkon kurdoherë flamurin e Shqipërisë.
Kapedanët e Spiro Milos na kishin ardhur disa herë në shtëpi, duke na thënë se Andrea Deshën që ne të linim shtëpinë e të shkonim në Korfuz, ku do të na mbante me shkolla e me pensione Athina.

Qoftë im vëlla, Fotoja, qoftë kushëriri im Jani, i sikterisnin duke u thënë: “Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajmë dhe flamurin ditë e natë në ballkon. Ne e dimë gjakun tonë se nga buron”.

(Pjesë e shkëputur nga libri i “Intervistë me vetveten”/ Tirana Observer)

Njoftimi tronditës i Michael Buble

0

Këngëtari Michael Buble ka bërë një njoftim tronditës në profilin e tij në Facebook, ku mes të tjerash ka bërë të ditur se ka anuluar të gjitha angazhimet profesionale.

“Jemi të tronditur për diagnozën e fundit të djalit tonë të madh, Noah, që ka rezultuar me kancer”, ka njoftuar Buble.

Artisti kanadez ka deklaruar se, aktualisht djali i tij ndodhet për mjekim në Shtetet e Bashkuara.

“Unë dhe Luisana i kemi lënë karrierat mënjanë për t’i kushtuar gjithë kohën dhe vëmendjen tonë djalit, për ta ndihmuar të shërohet”, ka thënë Buble, i cili gjithmonë e ka shprehur rëndësinë e të qenit baba.

Përmes mesazhit të tij, ai u ka kërkuar të gjithë fansave e ndjekësve në rrjetet sociale që të luten për Noah, por edhe respektimin e privatësisë.

“Kemi një rrugë të gjatë përpara dhe shpresoj se, me mbështetjen e familjes, miqve dhe fansave në të gjithë botën do të mund ta fitojmë këtë betejë, natyrisht me vullnetin e Zotit”, ka thënë Buble.

/ Top Channel

Bisedime për koalicionin AAK – ‘Nisma’ – AKR

0

Përfaqësuesit e AAK-së dhe të “Nismës” ia kanë hapur dyert AKR-së së Behgjet Pacollit për ta përfshirë në koalicion. Madje, përfaqësuesit e këtyre partive nuk e kanë përjashtuar mundësinë e takimeve me AKR-në për të ecur bashkërisht në procesin e ardhshëm qeverisës

Aleanca Kosova e Re (AKR) mund t’i bashkohet AAK-së dhe “Nismës” në koalicionin parazgjedhor. Kështu kanë vlerësuar analistët politikë, të cilët kanë thënë se po qe se ndodh një gjë e tillë, atëherë do të krijohet një parti me fuqi solide politike, shkruan gazeta ‘Zeri’.

E një gjë të tillë nuk e kanë mohuar asnjëra prej këtyre partive. Madje AAK-ja dhe “Nisma” kanë thënë se ka gjasa të jetë biseduar në këtë drejtim. Përfaqësues të këtyre dy partive opozitare kanë deklaruar se i kanë dyert e hapura për AKR-në dhe për partitë e tjera të vogla për të ecur bashkërisht në procesin qeverisës. Mirëpo, për një çështje të tillë nuk ka dashur të komentojë fare Aleanca Kosova e Re.

Megjithëkëtë, para pak ditësh lideri i këtij subjekti politik, Behgjet Pacolli, tha se i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i vetmi prej opozitës që është treguar konstruktiv. Ndërkaq në një prononcim për gazetën “Zëri” ai tha se vijë të kuqe ka vetëm për PDK-në dhe LDK-në/zeri/

Veteranët, nën ‘llupën’ e Prokurorisë

0

Ndonëse statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet ta gëzojnë mbi 46 mijë qytetarë të Kosovës, listat e publikuara për këta veteranë tanimë janë objekt trajtimi i Prokurorisë së Shtetit. Kush me meritë dhe kush pa meritë një numër i madh i qytetarëve do të futen në skemën pensionale për përfitimin e veteranit të UÇK-së. Ndërkaq, fillimi i hetimeve për keqpërdorimin e mundshëm të këtyre listave ka ardhur pas publikimit të tyre nga ana e Qeverisë, ku është parë një numër enorm i personave të të cilëve do t’u njihet statusi i veteranit të UÇK-së, shkruan gazeta ‘Zeri’.

Organi i ndjekjes në Kosovë, Prokuroria e Shtetit, ka bërë të ditur se prokurorët janë duke e bërë grumbullimin e informatave në lidhje me keqpërdorimin eventual të listave të veteranëve të UÇK-së. Zyrtarja për Informim e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi, ka thënë se hetimet për këto lista janë duke vazhduar.

“…Prokuroritë janë duke marrë veprimet e nevojshme në bazë të kompetencave që kanë dhe më pas varësisht nga grumbullimi i informatave do të përcaktohet nëse ka fakte për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës dhe rrjedhimisht edhe për ngritje të aktakuzës. Tani në këtë fazë, ku hetimet janë duke vazhduar në prokuroritë kompetente, nuk mund të bëhen publike informatat tjera”, ka thënë Kozmaqi..