Home Blog Page 6201

A është festë 28 Nëntori?

0

Shkruan: Ditar Kabashi

Festa kremtohet. Në të ka këngë, valle, hare…

28 Nëntori nuk duket të jetë festë. Së paku ky i sivjetmë, jo. Është kushtrim që bën thirrje për zgjim, është akt që i jep vlerë kohës, madje edhe qenësisë shoqërore. IsmailQemali nuk festoi. Ai sakrifikoi. Ismail beu me të tjerët nuk e kufizuan kombin në flamur, por kombit, bashkëme pavarësinë, ia dhuruan edhe atë.

Sfondi i kuq i flamurit nuk është veçse simbolikë e gjakut të dëshmorëve të panumërt që ranë për këto troje. Përse? Për të ruajtur dinjitetin. Këtë që ne, pasardhësit, s’po e gjejmë dot.

Gjaku derdhet për ideal, për nder. Sot Kosova ende vazhdon të tronditet me gjakun e bijve të saj. Në tokën e vet, në duar të shtetit. Dhe, të flitet për celebrim?
28 Nëntorin më së paku duhet parë si festë. Ai vjen për të na dhënë një shuplakë që të kthjellemi nga kjo amulli. Ismail bej Vlora e ngriti zërin dhe fjalën që ta dëgjonte bota mbarë, ndonëse s’kishte fuqi që mund të përfillej asokohe. Por, nuk heshti, nuk u tërhoq mënjanë. Nuk mendoi se “le të bëhet ç’të bëhet me popullin tim”.

Sot, mbyllja e syve përballë padrejtësive që ndodhin dita-ditës në trojet tona është shndërruar në dukurinë më të zakonshme. Si të dinë këto gjenerata të reja se indiferenca nuk i shërben as individit, as kombit?Se ashtu nuk pasohen burrat e 1912-tës?

“Nëse diku është hapur një zjarr dhe dikush ju fton që tëadhuroni Zotin, ta dini se kjo thirrje është e njëtë shituri”, thoshte një mendimtar i huaj. Pa u shuar zjarri, adhurimi s’bëhet, thoshte…E, pa u hequr tisi i zjarrit që po e verbon Kosovën tonë tash e sa kohë, mund të kënaqemi me kremtim?
Sot, flamur konsiderohet veç ajo pëlhura që shitet në treg dhe të tillë mund të gjejmë sa të duam, por ama të zhveshur nga kuptimi. Prandaj, “tregtarët e flamujve” i gjejmë nga pazari e deri në Parlament.

Sot, patriotizmi matet me organizimet (veçanërisht tek punonjësit publikë) që fillojnë nën moton kumbuese “Për nder të Ditës së Flamurit…” në ndonjërin nga hotelet e rivierës shqiptare. A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe mësuesit tanë? Dikur shtylla të shoqërisë, frymëzues për brezat, injektues të dashurisë për vatan… Tani në fundjavë, buzë detit, peshku e vera përpara. Ohhh! Rroftë Pavarësia e Shqipërisë, rroftë Flamuri Kombëtar, rroftë IsmailQemali! Ju bëftë mirë, gëzuar!
“Fshati digjet , …krihet.”
Po, po, plaka.

Mësuesja amerikane sulmohet nga qentë në Suharekë, është në gjendje të rëndë

0

Mësuesja amerikane, Megan, e cila është anëtare e Korpusit të Paqes dhe jep mësim në fshatin Maqitevë të Suharekës, është sulmuar nga qentë para afro një jave dhe tani ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Shkupit.

Ndonëse tani është lënduar rëndë, nuk është hera e vetme që është sulmuar. Rast i ngjashëm i ka ndodhur brenda këtij muaji, nga qentë shtëpiakë të fshatit Maqitevë, të cilët po paraqesin rrezik për të gjithë banorët, duke u lëshuar netëve dhe duke qenë të lirë edhe në mëngjes, kur banorët udhëtojnë për në punë apo në shkollë, raporton portali lokal TherandaPost.

Sipas të dhënave që kemi marrë nga banorët, në muajt e fundit kanë ndodhur katër raste të sulmit nga qentë. Përveç mësueses Megan, janë sulmuar edhe dy fëmijë.

“Megan është sportiste dhe del çdo mëngjes për të vrapuar, pasi që merr pjesë edhe në gara të vrapimit”, kanë thënë bashkëbanuesit e mësueses amerikane.

Ajo do të qëndrojë në spitalin e Shkupit edhe këtë vikend, për t’ju kthyer sërish dhënies së mësimit në shkollën e Maqitevës

Veseli: Ukshin Hoti, ikonë e lëvizjes sonë kombëtare

0

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka përuruar sot shtatoren e Ukshin Hotit në oborin e Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se ndihet i nderuar, që sot, në këtë vend të edukimit të brezave të ri, po përuron shtatoren e njërit prej personaliteteve më të shquar të luftës për liri dhe pavarësi.

“Ukshin Hoti ishte dhe mbeti deri në fund veprimtar i pakompromis i lëvizjes sonë kombëtare për lirinë e Kosovës.
Ai ishte ideologu, që me guximin e tij politik dhe mendimin e thellë intelektual frymëzonte këtë lëvizje. Ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës filozofi i çështjes sonë kombëtare”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Kreu i Kuvendit ka thënë se në fillim të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, kur terrori i regjimit jugosllav po përgjakte rininë e Kosovës, kur shumë kush e zgjodhi heshtjen dhe mbylljen e syve, Ukshin Hoti ngriti zërin e protestës dhe kundërshtimit.

“Ngriti zërin e protestës, sepse besonte fuqishëm se dija dhe intelektuali kanë kuptim vetëm duke qenë në shërbim të lirisë, dinjitetit njerëzor e kombëtar. Dhe Ukshin Hoti i qëndroj deri në fund këtij besimi. U përpoqën ta joshin me poste, por nuk e bën dot ideolog të sistemit. E burgosën, por nuk ia thyen dot përcaktimin intelektual e kombëtar”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.

Ai ka thënë se Ukshin Hoti ndoqi rrugën e Hasan Prishtinës.

“Ashtu si Hasan Prishtina, ai në vend të posteve zgjodhi rrugën e disidencës”, ka thënë Veseli. Amensty International, në vitin 1983 e kishte shpallur Ukshin Hotin të burgosur të ndërgjegjes. Në këtë mënyrë, Veseli tha se emri i tij iu bashkua listës së gjatë të disidentëve që po luftonin për liritë njerëzore gjithandej botës komuniste.

“Në vitet ‘90 kur lëvizja jonë kombëtare po përgatiste formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, regjimi përsëri e burgosi Ukshin Hotin. E izoluan, sepse e dinin shumë mirë se filozofi i çështjes shqiptare do të bëhej zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, përsëri dështuan. Dështuan, sepse tashmë Ukshin Hoti ishte kthyer në ikonë të lëvizjes sonë kombëtare”, ka thënë kreu i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova sot është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, por plagët e luftës ende nuk na janë shëruar.

“Janë më mijëra qytetarë të pagjetur Kosovës, për fatin e të cilëve ende shteti serb nuk jep përgjigje se ku janë. Në mesin e tyre është edhe profesori Ukshin Hoti. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë derisa të dihet fati i tyre dhe të vendoset drejtësia për ta dhe për Ukshin Hotin”, ka thënë ai.

Kreu i Kuvendit ka thënë se duhet të punojmë shumë, pa u lodhur asnjëherë, për ta forcuar shtetin, për ta zhvilluar ekonominë dhe për t’i fuqizuar universitetet tona, në mënyrë që t’iu krijojmë perspektivë të sigurt të rinjve tanë në Kosovë. /Telegrafi/

Urimi i PD-së në Prizren për Ditën e Flamurit

0

Partia e Drejtësisë në Prizren ka uruar të gjithë shqiptarët për 28 Nëntorin – Festën e Flamurit!

“Në këto ditë feste, secili shqiptarë duhet t’i kujtojë vlerat e përhershme kombëtare, të cilat ndër shekuj kanë mbajtur gjallë shpirtin liridashës të kombit tonë deri sot, sakrificat e pareshtura të shumë gjeneratave që kulmuan me mëvetësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës”, thuhet në urimin e kryetarit të PD-së në Prizren, Qemal Mehmeti.

“Edhe ky 28 Nëntor le të nxisë dhe thellojë më shumë se dje, më shumë se sot ndjenjat me të cilat ndër ne shumë më fuqishëm do të manifestohet dashuria, paqja, harmonia , solidariteti dhe mirëkuptimi ndërqytetar dhe mbarëkombëtar”/PrizrenPress.com/

Interneti dhe çmimi sfidojnë leximin e librit

0

Lexueshmëria e librit në kohën e internetit dhe digjitalizimit, besohet se është në një lloj krize globale, e cila nuk e ka lënë anash as Kosovën.

Në disa debate të organizuara për librin dhe lexueshmërinë e tij, është thënë se niveli i leximit nuk është i kënaqshëm, ngaqë e gjithë bota moderne po shkon drejt digjitalizimit që prek thuajse çdo aspekt të jetës.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, studentët e anketuar kanë thënë se pavarësisht që librat mund të shkarkohen nëpërmjetinternetit, ata prapë se prapë do të zgjidhnin formën klasike të leximit.

Por, krahas trendëve aktualë, edhe mundësitë materiale për t’i blerë librat reflektojnë në lexueshmëri, gjithashtu.

Gentiana Sahiti, studente në Fakultetin e Gazetarisë thotë se ndonëse ka shumë dëshirë për të lexuar, librat më shumë i huazon sesa që i blen, për shkak të pamundësisë financiare.

“Më shumë kam lexuar literaturë për studime dhe mendoj se çmimi i literaturës është i shtrenjtë. Shumica e studentëve punojmë ngapak për të arritur mbulimin e pagesave për studime, dhe ky është shpenzim shtesë. Megjithatë, mendoj se leximi i bën mirë secilit student dhe mendoj se duhet gjetur zgjidhja për ngritjen e vetëdijes së studentëve për të lexuar sa më shumë”, thotë Gentiana.

Ndërkaq, Blerina Veseli, është studente e Aktrimit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Ajo thotë se ka mundësi t’i blejë librat, dhe lexon mjaftueshëm, por pavarësisht kësaj, edhe ajo mendon se çmimi është i lartë.

“ Kam lexuar më shumë, një kohë kam pauzuar pak, por tash prapë kam filluar të lexoj. Mendoj se ushqimi i trurit është libri, leximi, informata. Po ashtu, mendoj se janë të shtrenjtë, edhe pse unë kam mundësi t’i blej. Më shumë jam e fokusuar te libri se interneti. Në rend të parë tek unë është libri, pastaj vijnë interneti, rrjetet sociale”, tregon Blerina.

Amar Havziu, student i Arteve Dramatike konsideron se interneti nuk e ka sfiduar librin, pasi që është ndjenjë tjetër kur lexohet libri për dallim nga shfletimi në ekran.

“Unë lexoj për qejfi, por kam edhe libra obligues. Duke i marrë parasysh pagat që i kemi në Kosovë, librat janë të shtrenjtë. Mendoj se interneti nuk e ka sfiduar librin. Libri ka tjetër ndjesi, kur e lexon me fletë është ndryshe. Era e librit i vjen libër”, thekson Amari.

Valdrin Osmani, thotë se është student, por edhe punon, andaj edhe ka mjaft të holla për të blerë libra. Ai pëlqen sidomos të zhanrit dramë.

“Libra kam lexuar një kohë shumë, kryesisht dramë. Artet e vjetra në përgjithësi. Tash kam pauzuar pak se kam më shumë ushtrime praktikë. Unë punoj dhe gjatë vikendit dhe mbledh para, kështu që mund t’i blej librat që më duhen, ndonëse preferoj që çmimi të jetë pak më i ulët”, thotë Valdrini.

Genc Rezniqi, student i Fakultetit Juridik, thotë se i pëlqen leximi dhe i ndodhë që të fillojë njëkohësisht leximin e dy e më shumë librave.

“Sa lexoj, varet prej disponimit, nganjëherë një, nganjëherë dy, nganjëherë i lë në gjysmë nga dy-tre duke i lexuar, varet. Interneti nuk e besoj se e ka zëvendësuar librin. Letra mbetet letër”, shprehet Genci.

Në qendër të Prishtinës, mund të furnizohesh me libra përmes disa pikave të shitjes. Florim Beqiri, një shitës librash thotë se ende mund të vërehet që ka interesim për të lexuar.

“Interesimi për libra për qytetarëve është jashtëzakonisht i madh, por shitja është e vogël për shkak të arsyeve buxhetore. Nuk kanë qytetarët aq të holla sa t’i mbulojnë kërkesat e tyre. Çmimi i librave është jashtëzakonisht i shtrenjtë, mund të them më i shtrenjti në Evropë’’, thotë ai.

Çmimet e shumë librave sillen nga 3 deri në 20 euro, ndonëse ka edhe libra shumë më të shtrenjtë.(REL)

NISMA në Prizren: Shqiptarë, urime Nëntorin e fitoreve historike

0

NISMA për Kosovën, dega në Prizren, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festave të nëntorit.

“Sa herë vjen Nëntori, aty ku frymon shqip, Shqipëri, Kosovë, Iliridë, Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, Mal të Zi, e deri në Çamëri, kujtohet dhe festohet e kaluara heroike shqiptare. Kujtohen të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën e tyre, jetën, që ne sotë të jemi të lirë. Gjërat e mëdha, koinçidojnë ndërmjet veti, prandaj me të drejtë, Nëntori është muaj i shqiptarëve. Kështu, duke kujtuar 28 Nëntorin e 1912-tës, Vlorën historike, pavarësinë e Shqipërisë, 28 Nëntorin e 1955-tës, ku lindi i madhi Adem Jashari, për tu bërë legjendar i përjetshëm dhe themeltarë i Pavarësisë së Kosovës dhe 28 Nëntorin e 1997-tës, ku për herë të parë doli publike UÇK-ja, për të bërë kthesën historike në dobi të shiptarëve”.

“Andaj me këtë rast, NISMA për Kosovën – dega Prizren, iu uron të gjithë shqiptarve kudo që janë, Nëntorin e fitoreve historike”.

“Rroftë për jetë Shqipëria dhe Zoti i bekoftë shqiptarët!” thuhet në urimin NISMA-s. /PrizrenPress.com/

Prizreni e feston 28 Nëntorin edhe me flamuj turq (Foto)

0

Për nder të 28 Nëntorit, Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, qyteti i Prizrenit është dekoruar me flamuj kombëtar shqiptarë e të Kosovës.

Por, ajo që bie në sy në këtë qytet janë edhe flamujt e Turqisë krahas atij shqiptar e të Kosovës.

Lidhur me praninë e flamujve turq, zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, tha për KALLXO.com se Komisioni Organizativ ka vendosur që disa flamuj edhe të shteteve të tjera të vendosen krahas atij kombëtar dhe të Kosovës.

“Vende-vende paska edhe flamuj amerikanë, gjermanë, etj.”, ka thënë Berisha në një përgjigje për KALLXO.com.

Shqiptarët në gjithë botën festojnë nesër Ditën e Flamurit -28 Nëntorin.

104 vjet më parë, Shqipëria shpalli pavarësinë e saj.

Deri më 28 nëntor 1912, trojet shqiptare ishin nën pushtimin osman.

flamujt-shqiptar-e-turk-foto-kallxo-001

Thënie të paharrueshme nga Fidel Castro

0

Ikona e revolucionit kuban dhe antiimperializmit Fidel Kastro u nda dje nga jeta në moshën 90 ­vjeçare.

Këto janë disa nga shprehjet më pikantë gjatë rrugëtimit të tij politik:

  • Idetë nuk kanë nevojë për armë nëse janë në gjendje të masat e mëdha të njerëzve.
  • Për mua kapitalizmi është i neveritshëm. Është i fëlliqur, vulgar, tëhuajëzues, sepse shkakton luftë, hipokrizi dhe garë.
  • Revolucioni është një betejë deri në vdekje midis të ardhmes dhe të shkuarës.
  • Ata flasin mbi dështimet e socializmit, por ku është suksesi i kapitalizmit në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine?
  • Revolucionari beson te njeriu, te qeniet njerëzore. Ai që nuk beson te qenien njerëzore nuk është revolucionar.
  • Më dënoni, nuk ka rëndësi. Historia do më shfajësojë.
  • Rezultati më i jashtëzakonshëm i revolucionit kuban është zgjimi te populli i ndërgjegjes së jashtëzakonshme revolucionare.
  • Një ditë sistemi kapitalist në SHBA do të zhduket, pasi nuk ka sistem klasor të përjetshëm. Një ditë shoqëria e klasave do të zhduket.
  •  Atletët e mirë nuk e njohin lodhjen. Ata nuk e njohin dekurajimin. Atletët e mirë nuk njohin veçse .
  • Unë jam marksist­leninist dhe do të vijoj të jem deri në fund të jetës. /Shekulli

Urimi i PDK-së në Prizren për 28 Nëntorin

0

Dega e PDK-së në Prizren, dhe kryetari i saj, Minir Krasniqi, ka uruar të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit, dhe të gjithë bashkëkombasit shqipëtarë anë e kënd globit me rastin e Festës së Flamurit.

“Data e 28 Nëntorit, është kurorëzim i sakrificës dhe betejave të vazhdueshme të shumë gjeneratave ndër shekuj me synim-krijimin e shtetit shqipëtar”.

“Sot në këtë ditë të madhe për kombin dhe për pasardhësit tanë, duhet të konstatojmë objektivitetet, se shqiptarët si komb vazhdojnë të jenë nën një betejë të vazhdueshme, për të rikonfirmuar veten si anëtarë respektabil në familjen e kombeve euro-atlantike”, thuhet në urim. /PrizrenPress.com/

Ramadan Muja uron prizrenasit për Festën e Flamurit

0

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka uruar të gjithë qytetarët e Prizrenit, me rastin e 104-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Të nderuar qytetarë pranoni urimet më të mira për festën e flamurit në emër të komunës së Prizrenit duke ju dëshiruar mbarësi, shëndet dhe shumë gëzime për ju dhe familjet tuaja. Urojmë që kjo festë e madhe kombëtare të ndahet më të tjerët duke reflektuar për rrugëtimin tonë kombëtar gjatë gjithë historisë sonë deri më sot, të jemi të gatshëm që të punojmë shumë në realizimin e synimeve tona politike e kombëtare, në rrugën e integrimeve euro-atlantike, si synim gjithë qytetar”, ka uruar Muja. /PrizrenPress.com/