Home Blog Page 6203

Sindikata e Arsimit po përgatitet t’i padisë të gjitha komunat

0

Sindikata e Arsimit ka konfirmuar se janë në përgatitje të një padie për të gjitha komunat që nuk po ua japin tri pagat mësimdhënësve që po pensionohen.

Disa mësimdhënës kosovarë kanë arritur që të marrin tri pagat me rastin e pensionimit, por vetëm pasi kanë bërë padi në gjykata ndaj komunave të cilave iu takojnë. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka vendosur që të bëjë një padi në emër të të gjithë mësimdhënësve që nuk kanë marrë tri pagat me rastin e pensionimit dhe nuk po i marrin. Sipas kësaj sindikate janë vetëm disa veta që përmes gjykatës kanë realizuar të drejtën e tyre për t’iu takuar tri pagat me rastin e pensionimit.

Kryesia e kësaj sindikate konfirmon se këta mësimdhënës kanë shpenzuar për avokatë, kurse tash SBASHK-u është në përgatitje të një padie për të gjitha komunat që e kanë obligim t’iu japin këto paga mësimdhënësve që po pensionohen dhe nuk po e bëjnë këtë. Padia do të jetë kolektive, që sipas udhëheqësve të SBASHK-ut iu kursen kohë dhe mund mësimdhënësve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahaman Jasharaj, ka thënë se përveç disa rasteve që kanë kërkuar nga organet e drejtësisë realizimin e së drejtës së tyre, mësimdhënësit tjerë nuk kanë marrë këto paga ende. Ai thotë se komunat nuk i janë përgjigjur kërkesës së SBASHK-ut. Jasharaj ka theksuar se tri pagat mësimdhënësve duhet t’iu kompensohen sipas ligjit nga niveli lokal dhe jo ai qendror.

Edhe një vit pa FAK

0

Institucionet e Kosovës, edhe pse çdo vit po vazhdojnë të organizojnë ceremoni festive për të shënuar Ditën e Forcës së Kosovës- si forcë ushtarake, përveç fjalëve të mëdha që fliten nëpër përvjetor të tillë, akoma nuk kanë arritur të bëjnë asgjë konkrete në themelimin e Forcave të Armatosura. Edhe pse Kosova po shkon në përvjetorin e tetë nga shpallja e pavarësisë, formimi i forcës ushtarake të mirëfilltë, në kapacitetet që i duhen shtetit të Kosovës, vazhdon të mbetet një nga dobësitë kryesore të spektrit politik, që po udhëheq vendin.

Tani kur bota është e trazuar dhe po vazhdon të trazohet me të madhe, sikurse edhe Evropa e Ballkani, çështja e sigurisë së shtetit të Kosovës akoma mbetet vetëm në duart e faktorit ndërkombë- tar. Edhe politika, por edhe analistët konsiderojnë se pavarësisht që Kosova aktualisht është nën ombrellën e mbrojtjes nga NATO, domosdo se i duhet këtij shteti të ri edhe ushtria. Peng kryesor në këtë proces po vazhdon të paraqitet faktori politik minoritar serb, por një përgjegjësi të madhe mbajnë edhe zyrtarët e lartë të shtetit, që nuk po gjejnë kurajë të bashkohen në një zë me opozitën për të gjetur një formulë alternative ligjore të themelimit të FAK-ut, duke tejkaluar veton minoritare.

Opozita dhe analistët politikë tehun e kritikës ia dresojnë Qeverisë së Kosovës. “Është fatkeqësi që Kosova edhe pas 17 vjetësh në liri nuk e ka ushtrinë e vet, që është një obligim i institucioneve të këtij shteti, sidomos pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të të gjitha kushteve për formimin e ushtrisë, e që nuk e kemi akoma për shkak të interesave të ngushta të liderëve, të cilët e kanë udhëhequr dhe po e udhëheqin vendin”, tha për “Kosova Sot” nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi.

Duhet vota e dyfishtë e serbëve

Përfaqësues të pozitës flasin për bllokimin që po i bëhet këtij procesi nga përfaqësuesit serbë në koalicionin qeverisës, pa votën e të cilëve tash për tash nuk mund të votohen ndryshimet kushtetuese dhe ligji për FAK-un. Këta të fundit zgjidhjen e shohin vetëm te ndikimi i fuqishëm i faktorit ndërkombëtar- konkretisht SHBA-së. Deputeti nga LDK-ja, Anton Çuni, tha se në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, udhëheqës ushtarakë të SHBA-së dhe të NATO-s kanë vlerësuar se FSK-ja mund të transformohet në Forcë të Armatosur.

“Ka mbetur vetëm vendimi politik nga Kuvendi për të bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore, për të cilat ndryshime kushtetuese kërkohet vota e dyfishtë prej 2/3, pra edhe e komuniteteve etnike. Në këtë drejtim, ka pasur shqetësime nga komuniteti serb lidhur me sigurinë e tyre. Mendoj se bashkë me partnerët tanë SHBA-në dhe NATO-n do të arrijmë t’i sigurojmë serbët se Ushtria e Kosovës nuk do të jetë rrezik për ta, por do të ofrojë më shumë siguri për paqen në Kosovë dhe rajon”, tha deputeti Çuni për “Kosova Sot”.

Ai konsideron se formimi i Forcës së Armatosur të Kosovës po bëhet akoma më i rëndësishëm, tani kur siguria në rajon dhe më gjerë po duket të jetë e brishtë me tendenca të rritjes së aktiviteteve të ndryshme, që e sfidojnë atë. “Në kushtet e rritjes së kërcënimeve globale sidomos nga terrorizmi botëror dhe faktorë të tjerë destabilizues dhe cenues të paqes globale, nevoja që edhe Kosova të ketë Ushtrinë e vet është shumë e madhe. Nëpërmjet Ushtrisë, Kosova realizon marrëdhënie të reja me partnerët strategjikë dhe me NATO-n. Në këtë aspekt, FSK-ja i ka kapacitetet për t’u shndërruar në Forca të Armatosura dhe me ndihmën e NATO-s dhe SHBA-së do të vazhdojë të rrisë kapacitetet e saj mbrojtëse”, tha Anton Çuni për “Kosova Sot”.

Fajin e kanë liderët

Analisti i politikave të sigurisë, prof. Jeton Kelmendi, thotë se çështja e mosbërjes së Forcave të armatosura është shqetësim i madh për qytetarët e Kosovës. Ai thekson se ata, të cilët flasin fjalë të mëdha si formë e angazhimit për themelimin e ushtrisë, për interesat e tyre personale, janë penguesit dhe kundërshtarët kryesorë të këtij procesi. “Për mendimin tim kundërshtarët e Ushtrisë se Kosovës janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Derisa Hashimi të gjitha pazaret i bëri me serbët vetëm për pozitën e tij në krye të shtetit, madje lëshoi shansin më të mirë për të siguruar mbështetjen për FAK-un, tani edhe ky tjetri, pra Mustafa, as që mendon fare për Ushtrinë e vendit, por vetëm po i prolongon gjërat. Mendoj se kjo është një skenar i rrezikshëm, sepse këta drejtues të shtetit po na lënë pa ushtri”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

Kritik për këtë lojë pa fund është edhe analisti Florim Zeqa. “Mbetet e pajustifikueshme neglizhenca e institucioneve shtetërore rreth formimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), apo siç po e parapëlqejnë pushtetarët dhe ndërkombëtarët për heqjen e akronimit të “Republikës” në ushtrinë e ardhshme të Kosovës. Edhe përkundër ombrellës së sigurisë nga NATO, mosbërja e Ushtrisë së Kosovës paraqet rrezik dhe pasiguri për të ardhmen e shtetit tonë, kur dihen rrethanat e gjithëmbarshme globale, kur bota, Evropa dhe Ballkani janë të trazuara çdo ditë me kriza të reja dhe nga më të ndryshmet deri tek terrorizmi i përmasave globale”, tha analisti Zeqa. Edhe ai shpreh dyshimin se arsyeja pse pushtetarët aktualë e kanë lënë në harresë themelimin e Ushtrisë së Kosovës, qëndron tek paaftësia qeverisëse, vasaliteti ndaj Brukselit e Beogradit, e në veçanti varësia nga kushtëzimet e Listës Serbe, sikur kjo e fundit ua ka vënë ‘lakun në fyt’ pushtetarëve kosovarë.

Prizren: Bllokohen trotuaret te shkolla, rrezikohen nxënësit

0

Banorët e lagjeve të ndryshme të Prizrenit ankohen për mungesën e trotuareve në rrugët e qytetit. Ilmi Berisha, banor i rrugës “Ismet Jashari -Kumanova”, ankohet për gjendjen aspak të mirë të trotuareve. “Unë si gjysh kam mbesa e nipa në shkollën ‘Mustafa Bakija’ dhe beso aty rreziku është shumë i madh për të pasur aksidente. Të thuash se aty as që ka trotuare tash”, shprehet Berisha. Rreziku edhe më i madh në këtë rrugë është tek shkolla “Lidhja e Prizrenit”. Zyrtarët policorë ndërkaq thonë se ka problem në këtë rrugë, pasi aty po punohet në disa shtëpi të rrënuara. Edhe shoqëria civile ka ngritur zërin për zënien e trotuareve dhe mungesën e qasjes për kalimtarët.

Kanë drojë për fëmijët që shkojnë në shkollë

Për shkak të strukturës ndërtimore, Qendra e Prizrenit dhe vetë qyteti i vjetër kanë probleme shumë të mëdha me trotuare dhe ato tashmë janë bërë brengë për secilin. Banori Avdi Krasniqi shprehet se gjendja e keqe e trotuareve është në të gjitha rrugët e qytetit.”Prizreni me trotuaret që i ka është duke krijuar probleme të rënda për të gjithë këmbë- sorët”, thotë Krasniqi. Sipas tij, problemet më të mëdha i kanë ata që janë të hendikepuar, derisa shprehet se më së shumti kanë drojë për fëmijët që shkojnë në shkollë.

“Rreziku më i madh është për fëmijët”, thotë ai. Ilmi Berisha, banor i rrugës”Ismet Jashari – Kumanova”, shprehet se në këtë rrugë është rrëmujë e vërtetë. Ndërsa, Vesel Gashi, zëdhënës i Policisë Rajonale, pohon se ka telashe me rrugën “Ismet Jashari – Kumanova”, pasi aty po punohet lidhur me disa shtëpi të rrënuara. “Ne çdo ditë jemi në operativë dhe japim dënime për zënien e trotuareve. Jemi të vetëdijshëm që ka probleme të këtilla, por ne jemi aktivisht në aksione për të liruar këto hapësira, por ja problemet vazhdojnë”, pohon Gashi

Mungesa e qasjes në trotuare

Në kuadër të vetëdijesimit për të pasur qasje në trotuare, OJQ-ja “EC Ma Ndryshe” ka organizuar një protestë simbolike, duke vendosur karroca të personave me nevoja të veçanta në rrugë, tek ura e “Arastës”.

“Kërkojmë trotuare për të gjithë” ishte motoja e këtij organizimi në kuadër të projektit “Prizreni, një qytet pa pengesa”. Qëllimi i përgjithshëm i projektit përfshin ngritjen e pjesëmarrjes së personave me nevoja të veçanta dhe të rinjve në projektimin e Prizrenit pa pengesa. Ndërsa Antigona Shestan, nga OPMDK, kërkon që trotuaret të jenë në funksion të këmbë- sorëve.”Ne një kohë të gjatë kemi kërkuar që personat me aftësi të kufizuar të kenë qasje në trotuare. Por, tashmë po e shohim se qasja e këtyre personave është e pamundur, ngase trotuaret janë zaptuar dhe të zëna e po kështu edhe të gjitha mundësitë e qasjes së personave të kësaj kategorie. Andaj, ne sot jemi këtu që të shohin edhe vetë vozitësit se çka do të thotë të kesh pengesa në rrugë”, thotë Shestan. Edhe Remzije Rrahmani shpjegon se forma se si janë zënë trotuaret e bën të pamundshëm lëvizjen e personave me nevoja të veçanta. “Tash pengesat në trotuare janë të shumta dhe kjo po e vështirëson lëvizjen e lirë. Bile shumë pjerrina në trotuare tashmë janë zënë nga lokalet dhe aty po vendosen mallrat, kurse neve po na pamundësohet qasja në pjerrina dhe në trotuare. Prandaj, sot jemi këtu që të themi kundërshtimin tonë dhe njëherësh të kërkojmë të drejtat elementare tona. Tash, kur të gjitha rrugët janë njëdrejtimëshe, rreziku për të lëvizur në rrugë është shumë i madh”, tha ajo.

Këtij rreziku për zënien e trotuareve i frikësohen të gjithë

Studenti Arsim Gashi derisa flet për këtë temë, pohon se Prizreni ndoshta është shembulli më i keq në gjithë Kosovën sa i përket mosçasjes dhe lirimit të trotuareve. “Këtu është vështirë të ecet lirshëm në trotuare. Vlen të përmendet rruga “Ismet Jashari”, pastaj ajo “Remzi Ademaj”, e mos të flasim më për ato në periferi, të cilat kurrë nuk janë të lira. Ajo tek shkollat vërtet është një rrezik permanent”, thotë Gashi. Qytetarja Fahrije Musa tregon se shpesh është e detyruar ta ndërrojë edhe kahun e udhës që mos të kalojë pranë atyre dy shkollave, se vërtet aty ka probleme me trotuaret.

(Kosova Sot)

Aksident te “ABI” (Foto)

0

Dy vetura janë aksidentuar te Qendra Tregtare “ABI” në Prizren. Aksidenti ka ndodhur në ora 17:15 minuta.

Nuk ka të lënduar.

Policia ka dal në vendin e ngjarjes./PrizrenPress.com/

3

Pyetjet e Zafirit për Aleksandër Lumezin

0

Deputeti i Nismës,Zafir Berisha i ka drejtuar disa pyetje publike për Kryeprokurorin Aleksandër Lumezit.

Ai pret se do të marrë përgjije nga Lumezi.

Postimi në Facebook

Pytje që presin përgjigjen e kryeprokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi.

Çka u bë me ,,hajdutët,, që ju kan hyrë në shtëpi, kush jan ata, përveqë telefonit, cilat jan gjërat tjera ,,personale,, që të mungojnë që nga ajo natë?

Çka u bë me hetimetë për këtë rastë dhe a mendoni se ,,vjedhja,, është identike me vjedhjen në dhomën e dëshmive që ka ndodhur para disa viteshë?

Çka mendoni për sigurin e qytetarve, a duhet t,ju besojnë ata kur ju as edhe vetin nuk mundë ta siguroni si kryeprokurosrë i shtetit?

Çka mendoni, vjedhja në shtëpin tuaj ka qen vjedhje e rëndomtë apo diçka me shum?

Çka mendoni, a kemi të drjetë të dyshojm se ,,vjedhja,, në shtëpin tauj ka qen inskenim por jo edhe vjedhje?

Çka mendoni, nëse prokurori i Palermos Xhovani Falkone është vrarë fizkishtë nga mafija a e llogaritni se me këtë rastë ju jeni i vrarë për së gjalli?

Vjedhësit, para se të hyjnë në një shtëpi informohen për pronarin e shtëpisë, ju para shtëpis keni pasurë policë, telefoni dhe gjërat e vogla personale që ju mungojnë a kan mundë me qen aq ,,joshës,, për hajdutë?
Zafa

Rënia e burrave

0

Politikat aktuale gjinore po lënë në hije dhe njorojnë problemet me të cilat përballen sot meshkujt, kryesisht ata të rinj

Nga Tom Slater

Gazetarë, autorë dhe aktivistë kanë folur për një “krizë të mashkulloritetit” gjatë të paktën 50 viteve të fundit. Kjo temë është shndërruar në një shaka të rëndomtë. Çdo dekadë apo më shumë, shfaqet një varg librash të rinj që shqyrtojnë gjendjen e burrave dhe djemve. Dhe ne jemi në mes të një cikli të tillë. Në vazhdën e krizës financiare të vitit 2008, është bërë e zakonshme – të paktën në disa qarqe më pak feministe – të shihen burrat si humbësit kryesore të ekonomisë post-krizës.

Dhe kjo ka përtërirë shqetësimet më të hershme në lidhje me rënien e dukshme të statusit të burrave, teksa ata përpiqen të gjejnë vendin e tyre në një botë post-patriarkale. Siç vëren Hana Rozin tek libri i saj “Fundi i burrave”, kriza financiare e rrënoi klasën e mesme amerikane, por preku burrat dhe gratë në mënyra të ndryshme. Ajo shpejtoi trendet ekonomike që dukej se godisnin më tepër burrat dhe ku përfituese nga ana tjetër ishin gratë.

Që nga viti 2000, ekonomia amerikane ka humbur mbi 6 milionë vende pune në prodhim. Ndërsa fitimet e punës në sektorë të tillë si arsimi, shëndetësia dhe shërbimet bëjnë diferencën, këto janë sektorë thuajse tërësisht të dominuar nga gratë. Për rrjedhojë, shkruan Rozin, burrat janë “ç’montuar” dhe gratë janë lejuar të “mbledhin pjesët”. Rënia e industrive prodhuese shkon dorë për dore me rritjen e numrit të grave që punojnë, dhe rënien e numrit të burrave – një prirje që reflektohet edhe në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, ndërmjet viteve 1971- 2013, shkalla e grave në punë u rrit nga 53 për qind në 67 për qind, ndërkohë që për burrat pësoi një rënie të ndjeshme nga 92 për qind në 76 për qind.  Kjo, nënvizon zyra, është vetëm pjesërisht rezultat i reduktimit të barrierave të hyrjes për gratë – dhënies fund të diskriminimit të grave në vendin e punës dhe zbatimit të pagesës së barabartë.

Në vend të kësaj, është rënia e industrive prodhuese të dominuara nga meshkujt – duke filluar që në vitet 1960 – ajo që duket se luan rolin më të rëndësishëm në rënien e punësimit të meshkujve.

Dhe nuk është vetëm se ekonomia po vuan nga prodhimi i më shumë “punëve për gra” apo “për burra”. Në hapësirën e vetëm disa dekadave, gratë kanë uzurpuar profesionet tradicionalisht mashkullore. Sipas Byrosë Amerikane të Statistikave mbi Punën, në vitin 2011 gratë mbanin 51.4 për qind të vendeve të punës menaxheriale dhe profesionale; 61.3 për qind të vendeve të punës e kontabilitetit; dhe rreth gjysmën e vendeve të punës në banka dhe kompanitë e sigurimeve.

Prirjet sugjerojnë që gratë do të tejkalojnë shumë shpejt burrat edhe në sektorin e shëndetësisë. Kjo pasqyron një fenomen që Rozin e etiketon si “Gratë plastike” dhe “Burrat karton”, ku gratë kanë qenë më fleksibël ndaj situatave, duke gjetur mundësi të reja ekonomike, ndërsa burrat kanë mbetur në vend duke hezituar të ndryshojnë. Sipas shifrave të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, gratë kanë tashmë 35 përqind më shumë gjasa për të shkuar në universitet sesa meshkujt.

Dhe djemtë e bardhë të klasës punëtore, kanë  më pak gjasa për ndonjë rritje demografike, me vetëm 8.9 përqind. Zhvendosja e tregjeve të punës në perëndim, ka krijuar një kërkesë më të lartë për punëtorë të arsimuar në universitete, dhe sërish edhe këtu meshkujt mbeten dukshëm më prapa. 

Në hapësirën e disa brezave, paragjykimi gjinor në arsimin e lartë ka ndryshuar. Tanimë, disa administratorë në kolegjet amerikane kanë pranuar të praktikojnë diskriminimin pozitiv ndaj kandidatëve meshkuj. Edhe pse gratë janë ende të nënpërfaqësuara në sallat dhe korridoret e pushtetit, hapat që kanë ndërmarrë kanë qenë të jashtëzakonshme.

Sikurse e vë në dukje Rozin ”duke patur parasysh shpejtësinë e dukshme të forcave ekonomike dhe forcave të tjera në punë, këto rrethana kanë më shumë gjasa të jenë reliket e fundit të një epoke në zhdukje, dhe jo një konfiguracion i përhershëm”. E megjithatë, gjatë kësaj periudhe, pozita e burrave në punë dhe familje ka mbetur në vend dhe i dobët. Gratë tashmë punojnë më shumë dhe prindërojnë më shumë. Ndërsa burrat punojnë më pak dhe prindërojnë vetëm paksa më shumë. “Ata e humbën arkitekturën e vjetër të burrërisë, por nuk e kanë zëvendësuar ndonjë tjetër të re e të dukshme”- përfundon Rozin.

Të drejtat e burrave

Situata në të cilën e gjejnë veten tani burrat, është e shoqëruar me një rritje të interesit ndaj të ashtuquajturit aktivizëm për të drejtat e meshkujve. Edhe pse ka ekzistuar më heret – në një formë apo një tjetër – të paktën prej viteve 1970, deri kohët e fundit ka qenë i fshehur si një përgjigje e ashpër për ngritjen e feminizmit dhe përfitimet e grave. Tani, kjo lëvizje po synon të zhvendoset në qendër të skenës.

Në Mbretërinë e Bashkuar, shkrimtarë si Martin Dabnej dhe Piter Lloid po shfaqen në faqet e para të gazetave dhe emisionet kryesore televizive. Edhe disa deputetë, si Filip Dejvis, kanë filluar të bëjnë fushatë mbi gjendjen e “burrave dhe djemve”. Megjithatë, shumë nga shqetësimet aq të përfolura, kanë mbetur mjaft konstante. Aktivizmi i të drejtave të burrave siç e njohim ne sot, u rrit nga puna e Uoren Farrellit, një ish-aktivist feminist që dikur numëronte Gloria Shtejnhajmin në mesin e aleateve të tij politike.

Teksti themelues i lëvizjes, “Miti i Pushtetit Mashkullor” nga Farell (1993), kërkonte të ripërcaktonte ato që më hëret cilësoheshin si treguesit e pushtetit mashkullor në tregues të nënshtrimit mashkullor. Ai e theu konsensusin feminist, duke argumentuar se mbështetja e familjes mbi burrat- të cilët qenë të detyruar të kishin sukses, duke siguruar një punë dhe punuar më orë të gjata edhe kur u shtuan divorcet – përbënte një formë të shtypjes gjinore që shoqëria këmbëngultë ta injoronte.

Për Farrell, dominimi ekonomik dhe social i meshkujve qe një perde tymi. Ai e përcaktoi pushtetin si kontrollin mbi jetën e dikujt. Dhe  ndonëse burrat ishin fillimisht të lirë për të ushtruar lirinë e tyre sociale dhe ekonomike, ai argumentoi se ata mbeteshin gjithësesi të socializuar në pranimin e detyrimeve kufizuese, vetë-shkatërruese për familjet e tyre dhe

gratë në përgjithësi.

Në një pasazh të çuditshëm, ai do të pyeste nëse burrat ishin shndërruar në “zezakët e rinj”:”Zezakët detyroheshin nga skllavëria të bënin punët më të rrezikshme të shoqërisë, burrat janë të detyruar nga një socializimi të kryejnë në punët më të rrezikshme të shoqërisë … Kur skllevërit u lironin vendet e tyre në ambjentet publikke të bardhëve ne e quanim atë nënshtrim, kur grate u lirojnë vendin grave të tjera, ne e quajmë këtë edukatë”.

Lëvizja për të drejtat e meshkujve, cilësohet shpesh si një reagim mizogjenik kundër feminizmit. Kritikët e saj kanë argumentuar paturpësisht se ajo ka ndihmuar në ushqimin e imagjinatës vrastare të Eliot Roxhersit, 22-vjeçarit që vrau 6 vetë dhe plagosi 14 të tjerë në Isla Vista në vitin 2014, duke lënë pas një “manifest” që shfaqte urrejtjen e tij të grave dhe minoriteteve. Në fakt, të drejtat e burrave janë imazh në pasqyrë i feminizmit.

Gjatë dekadave të fundit, kërkesat egalitare për çlirimin e grave janë eklipsuar nga një feminizëm i ri, i fiksuar me pikturimin e të gjitha grave si viktima. Sot feministet jo vetëm që përjetësojnë mitet mbi kulturën e  përdhunimit dhe hendekut gjinor të pagave, por këmbëngulin në lidhjen e nyjave në çështje të gjera që nuk kanë lidhje – a thua se këngët pop “seksiste” dhe taksat tampon, janë një vazhdimësi e dhunës në familje. Nëse jeni në kërkim të shenjave të viktimizimit femëror – në rast se shpërfillni të gjithë faktorët e tjerë socialë dhe përvojat e të gjitha grave së bashku – nuk do t’i gjeni dot ato. Të drejtat e burrave kanë dëshmuar se të dy mund ta luajnë atë lojë.

Përtej luftës gjinore

Në një kohë kur njerëzit në Perëndim po përballen pasiguri ekonomike dhe sociale, një rikthim tek politikat gjinore mashkullore, është paradoksalisht sa vetëm sa duke e turbulluar çështjen. Dhe politika gjinore e ka bërë këtë në shumë mënyra. Edhe pse gjeneratat e mëparshme kanë luftuar për një nivel pabarazish gjinore, ata e kuptuan se këto pabarazi qenë ekonomike, ligjore dhe sociale në natyrë.

Por politika gjinore – me parrullën e saj “personalja është politike” – rilëshon sfidat që ndikojnë sa burra po aq edhe gratë, në termat e viktimës specifike gjinore dhe vlerësimit. Prandaj pyetjet rreth asaj se si burrat dhe gratë janë parë nga shoqëria – se sa janë vlerësuar –bëhen papritmas tepër të rëndësishme. Siç e ka theksuar luftëtari i të drejtave të burrave Piter Lloid “fikni çdo kanal televiziv ose radionik, dhe ja ku do keni një bisedë globale mbi burrat – nganjëherë të maskuar sikur është për gratë – që do të zhvillohet pa ne. Këto të gjitha Ndikojnë gradualisht botët tona”’.

Hapësira e fundit për të dyja lëvizjet është klasa. Kjo është arsyeja pse grate e arsimuara privatisht, që ndjekin universitetet e Russell Group, të ndjehen rehat kur i etiketojnë ”të privilegjuara” gratë e klasës punëtore. Dhe mbetet fakti se kjo nuk është thjesht për burrat dhe djemtë, por për burrat dhe djemtë e klasës punëtore, të cilët janë duke i parë gjithnjë e më të kufizuara mundësitë jetësore që nga lindja e tyre.

Nëse duam të kuptojmë thelbin e problemit, duhet të gjejmë mënyrën si t’i zëvendësojnë ato miliona vende pune në prodhim që janë zhdukut, si të ndërtojmë një ekonomi dhe një sistem arsimor që u shërben të gjithëve. Përndryshe seancat terapeutike për meshkujt nuk do të ndihmojnë aspak.

Ekzistojnë shumë pyetje që mbeten pa përgjigje. Pse femrat janë përshtatur aq mirë në këtë botë të re post-industriale, ndërsa burrat kanë mbetur prapa? A janë gratë tashmë të destinuara të dominojnë arsimin e lartë? Por një gjë është e qartë. Nëse burrat realisht janë të humbur, politika gjinore nuk ka asnjë mënyrë për t’u kthyer pas. /Spiked Review – Bota.al/

Arrestohen dy burra në Suharekë, dërgohen në burgun e Prizrenit

0

Policia e Kosovës në raportin e sotshëm bën të ditur për dy të arrestuar në Suharekë, njërin në fshatin Grejkoc e tjetrin në Sopij, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Suharekë, shkruan PrizrenPress.

Më pas, sipas Policisë, të njëjtit janë dërguar në vuajtje dënimi në burgun e Prizrenit. /PizrenPress.com/

Përfshihet nga zjarri një objekt në Malishevë

0

Një objekt në Malishevë, në të cilin ndodhej selia e një banke është përfshirë nga zjarri gjatë ditës së enjte.

Mirëpo, pasi njësiti i zjarrfikësve ka shuar zjarrin, nuk është raportuar për të lënduar, shkruan PrizrenPress.

“Për shkaqe ende të panjohura është përfshirë nga zjarri një pjesë e objektit në të cilin ndodhej selia e një banke. Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar dhe fikur zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar. Shkaktarët e zjarrit janë duke u hetuar”, thuhet ne raportin 24 orësh të Policisë. /PrizrenPress.com/

Prizren: Policia kap një burrë me marihuanë

0

Policia në Prizren ka arrestur një mashukll të nacionalitetit turk, pasi gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 3,98 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, shkruan PrizrenPress.

Rasti ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Tranziti i ri”, në ora 20 e 20 minuta.

Policia njofton se me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar, kurse rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Policia në Suharekë arreston dy persona për vjedhje të rëndë

0

Sektori i hetimeve të stacionit policor në Suharekë, ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë dy të dyshuar G. B. dhe SH. F., lidhur me katër vepra penale: Dy vjedhje të rënda dhe dy vjedhje në tentativë të kryera më 20.11.2016 në fshatin Mushtisht të Suharekës.

Dy të dyshuarit e kanë pranuar fajësinë, ndërsa policia ka treguar edhe për gjëra që i kanë vjedh, shkruan PrizrenPress.

“Të dyshuarit janë intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ku i ka pranuar se i ka kryer veprat, ndërsa gjësendet e vjedhura si: Një palë dylbi, një thikë gjahu, 30 pako cigare “Marlboro”, dy telefona mobilë, një aparat i rrojës, bateri të dorës dhe një palë mbathje sportive. Të dyshuarit kanë treguar vendin ku i kanë fshehur gjësendet e vjedhura, ku policia së bashku me të dyshuarit ka shkuar në vend ku janë fshehur sendet e vjedhura, ka bërë fotografimin dhe i ka konfiskuar: Një çantë ngjyrë hiri, një parfum, një aparat elektrik për rroje, një palë këpuca, tri fletore, një uniformë shkollore dhe mbetjet e boksave të duhanit të vjedhur. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit për të Mitur me urdhër të të cilit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatën e Policisë. /PrizrenPress.com/