Home Blog Page 6203

Dragash: Banorët vazhdojnë të kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit

0

Të organizuar nga vetë fshatarët dhe të motivuar nga thirrjet që kohët e fundit po iu bëhen nga diaspora, përmes rrjeteve sociale, banorët goranë nga fshati Vraniç, në komunën e Dragashit, sot kanë protestuar kundër ndërtimit të njërit prej disa hidrocentraleve që po ndërtohen në këtë trevë. Ata kanë kërkuar që lumi, i cili kalon në afërsi të pronave të tyre, të mos shfrytëzohet për, siç thanë, përfitime të një kompanie. Protesta u organizua tek ura e fshati Mlikë, ku edhe kanë filluar punimet në ndërtimin e kampit të punëtorëve, të cilët më pas do të punojnë në ndërtimin e një hidrocentrali nga kompania “Eurokos JH”, kompani kjo që tashmë i ka përfunduar së ndërtuari disa sosh në këtë trevë.

Redaksia jonë ka biseduar në vendin e ngjarjes me këta banorë, të cilët kanë thënë se nuk janë të motivuar politikisht, por thjeshtë duan ti mbrojnë tokat e tyre dhe lumin, pa të cilin thonë se tokat e tyre nuk do të kishin vlerë.

“Sikur të ishte ky një investim i shtetit ose i komunës, duke përfillur interesin e këtij komuniteti, gjithçka do të ishte në rregull. Por, ne nuk i japim tokat tona dhe as lumin që na e ka dhuruar Zoti, për interesa të një kompanie private, të cilës i intereson vetëm përfitimi material dhe jo interesi i përgjithshëm”, tha për Radio Sharrin, Fejzo Kamberi, një aktivist nga fshati Vraniç, dikur edhe gazetar.

Kujtojmë se në këtë fshat ndodhet selia e Komunës paralele të Gorës, e cila vepron me ligjet e Serbisë dhe si e tillë dirigjohet nga Beogradi. Prandaj, rreth këtij problemi ka shkruar sot edhe agjencia informative serbe “Tanjug”, e cila e ka cituar koordinatorin për medie të kësaj Komune, Nazim Mehmedin, i cili ka deklaruar se po e mbrojnë tokën e tyre. “Kryesit e punimeve, në mënyrë të paskrupullt po punojnë me makineri të rëndë, duke i shkelur tokat e tyre private, pa kurrfarë leje paraprake nga pronarët”, i ka thënë Mehmedi Tanjugut.

Në protestën e sotme banorët e rrethuan me gardh pronën e parë private, skaj parcelës ku po ndërtohet kampi i punëtorëve, si dhe kërkuan që organet përkatëse që t’i ndërpresin këto punime dhe ta mbrojnë lumin nga devijimi i rrjedhjes së tij. Njëherësh, banorët paralajmëruan se protestat do të zhvillohen çdo ditë, derisa të mos ndërpriten këto punime./Radio Sharri/

Shkelen dy femra në Prizren

0

Dy femra,  të nacionalitetit rom, janë shkelur me veturë në rrugën “Ismail Kryeziu” në Prizren. Viktimat kanë marrë lëndime trupore me c’rast janë dërguar për trajtim mjekësor.

Policia njofton ato janë shkelur për shkak moskujdesit të vozitësit të veturës./PrizrenPress.com/

Kapen hajnat e veturës së vjedhur në Suharekë

0

Policia në Suharekë ka arrit të gjejë dhe të arrestojë hajnat e veturës së vjedhur në fshatin Budakovë.

“Viktima ka njoftuar se të dyshuar të pa njohur kanë hyrë në oborrin e shtëpisë së tij dhe nga aty kanë vjedhur veturën”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

“Pas hetimeve intensive të zhvilluara nga njësitet policore janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar me urdhër të prokurorit dërgohen në mbajtje, ndërsa vetura është konfiskuar dhe e njëjta gjendet në stacioni policor në Suharekë”./PrizrenPress.com/

Gjashtë persona sulmojnë borxhliun në Prizren

0

Gjashtë persona kanë kërcënuar me armë dhe sulmuar fizikisht borxhliun e tyre. Viktima ka pësuar lëndime trupore.
“Të dyshuarit kanë hyrë në lokalin e viktimës dhe kanë kanosur dhe sulmuar”, raporton Policia e Kosovës.

Me urdhër të prokurorit, ndërkaq janë bastisur dy shtëpi të dyshuarave me ç’ rast është gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47 me një karikator dhe 22 fishekë të kalibrit të pa njohur.

“ Një i dyshuar është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje ndërsa të dyshuarit tjerë gjenden në arrati”./PrizrenPress.com/

Kapen 40 kilogramë drogë në Vërmicë

0

Afrim Mulla nga Mamurrasi i Fushkrujës së Shqipërisë është kapur me 40 kilogramë drogë në pikën kufitare të Vërmicës. Ngarkesa vinte nga Shqipëria, kurse destinacion nuk e kishte Kosovën.

Komandanti i Policisë, Shaban Osmanollaj tha për RTK-në se droga është kapur në orët e hershme të mëngjesit të ditës së djeshme.

Në vendin e ngjarjes ka dal edhe kryeprokurori i Prokurorisë në Prizren Sylë Hoxha.

“ Personi që është ndaluar nga policia e kufirit, do të përballet me Kodin Penal të ligjit në fuqi të Republikës së Kosovës dhe se nuk do të ekstradohet në Shqipëri”, tha Hoxha./PrizrenPress.com/

Ballanicës së Malishevës i pengon emri i dëshmorit!

0

Tabela e rrugës në fshatin Ballanicë të Malishevës nuk ka qëndruar gjatë. Ajo është hequr nga banorët e këtij fshati.

Arsyeja e heqjes është skandaloz. Banorët nuk duan që rruga e tyre të mbajë emrin e dëshmorit, Agim Elshani-Malisheva.
Burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se kryetari Malishevës Ragip Begaj, ka caktuar një takim me banorët e fshatit, për të diskutuar rreth heqjes së tabelës së rrugës, që mban emrin e dëshmorit.

“Kryetari ka caktuar një takim me banorët për të parë se heqja e tabelës a është bërë nga individ, apo nga Kryesia e fshatit”, tregon burimi për “PrizrenPress”
Ndërkaq, bashkëluftëtarët e Agimit, e kanë quajtur të ulët veprimin e heqjes së tabelës.

“Është shumë i ulët veprimi i banorëve të fshatit Bellanicë, të cilët larguan tabelën e rrugës me emërimin e dëshmorit të kombit Agim Elshani e cila fillon nga xhamia e Bellanicës dhe vazhdon deri në fshatin Ngucat”, thotë veterani i UÇK-së, Milazim Elshani
Sipas tij, Agimi nuk është vetëm i fshatit të tij, Ngucat.

“Agimi është i Kosovës, Preshevës, Medvegjës , Bujanofcit dhe trojeve tjera shqiptare”.

Ai thotë se Agimi luftoi edhe për lirinë e banorëve të Bellanicës.

“Disa metra rrugë nuk duhet t’i pengojë bartja e emrit të dëshmorit”.

Projekti për emërimin e rrugëve është shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e komunës sonë.

“Mendoj që ekzistojnë rrugë ligjore të cilat merren me parregullsi, por ky veprim i ngutshëm dhe qyqarë nuk i bën nder askujt, përkundrazi lëndon familjen dhe bashkëluftëtarët”.

Elshani thotë se nëse tabela e rrugës me emrin e dëshmorit nuk kthehet në mënyrë ligjore, atëherë bashkëluftëtarët e Agimit, do të vendosin sërish atë në vendin ku ka qenë.

“Bashkëluftëtarët e Agimit nuk do të rrinë duarkryq”,paralajmëron ai./PrizrenPress.com/

Shpërthen Akademia suedeze: Dylan i paedukatë dhe arrogant

0

“Bob Dylan është i paedukatë dhe arrogant” është reagimi që ka bërë Akademia e Shkencave në Suedi, pas heshtjes së kantautorit i cili nuk ka reaguar për marrjen e çmimit Nobel në Letërsi. Ky reagim vjen pas pritjes së gjatë të Akademisë, e cila prej ditësh është përpjekur që të kontaktojë me Bob Dylan, por duket se ai po kënaqet nga kjo lojë.

Shkrimtari Watsberg anëtar i akademisë, e cilësoi arrogante sjelljen e kantautorit amerikan i cili ende nuk ka falënderuar për këtë çmim. Që nga dita kur u bë publik lajmi ai nuk ka shfaqur asnjë lloj interesi duke ngritur shumë pikëpyetje.

“Mendoj se është shumë e drejtë të them që reagimi i tij është arrogant e i paedukatë” shprehet Watsberg për televizionin suedez. Në lidhje me çmimin Nobel ka pasur edhe shumë zëra kritikë, duke menduar se Dylan nuk e meritonte një vlerësim të tillë.

Krasniqi: Moti është dashur të shkojmë në zgjedhje

0

Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA-s, Jakup Krasniqi, ka thënë se zgjidhja e vetme që i ka mbetur Kosovës janë zgjedhjet e parakohshme, të cilat do ta nxirrnin vendin nga bllokada në të cilën e ka futur koalicioni qeverisës

Krasniqi, në një prononcim për Indeksonline, është shprehur se edhe në rast të zgjedhjeve të parakohshme, shqetësimi më i madhe do të ishte sa a do të ketë zgjedhje të lira, e të drejta e të pa manipulueshme.

“Po të kishte politikë normale dhe opinion kritikë, vendi moti kohë është dashur të shkonte në zgjedhje. Ne zgjedhje shkohet për të ndryshuar e jo ricikluar politika fisnore e familjare, politika që më së paku mendojnë për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien qytetare. Ka kohë që NISMA ka thënë e vetmja zgjidhje janë zgjedhje”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli për herë të parë ka shpalosur idenë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Në një intervistë për një të përditshme, ai ka dhënë kritika edhe në drejtim të partnerit të koalicionit, respektivisht Qeverisë së Isa Mustafës. Kryeparlamentari ndër të tjera ka përmendur dështimin e vendit në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit të saj. /Indeksonline/

Eqrem Kryeziu e vlerëson si fatkeqësi për Kosovën, qeverinë Mustafa

0

Ish nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu vlerëson se në të gjitha aspektet, kjo qeverisje është fatkeqësi për Kosovën dhe për këtë, sipas tij, nuk ka pse të numërohen argumentet për t’i bindur qytetarët për këtë pasi është lehtësisht e dallueshme.

Kryeziu në një prononcim për ‘Indeksonline’, ka thënë se kjo qeveri prej fillimit po përpiqet t’i shmangë problemet, e jo t’i zgjidhë ato.

“Kam folë për synimin antikorrupsion si kushti i vetëm i çdo koalicioni, jo me vija të kuqe, që edhe ashtu doli të jetë një rrenë e turpshme”, ka thënë ai.

“Madje, shikoni absurdin e burrnimit tonë: Thuhet se korrupsion nuk ka, se qenka çështje e perceptimit të shtrembër. Ndërkaq, kur Kosovën e vizitojnë autoritetet e larta perëndimore dhe korrupsionin e theksojnë si problemin më të mprehtë, meshkujt tanë premtojnë se do ta luftojnë, duke harruar se mohonin të ketë korrupsion”, ka thënë Kryeziu.

LDK, më këtë lidërship, sipas tij, e ka hallin e pushtetit dhe për ta nuk ka rëndësi kush është partner në qeverisje.

“Në qoftë se nuk shfaqen struktura të tjera, nuk e besoj se këta bukurosha mund ta reformojnë vetveten. Kur je në pushtet nuk reformohesh kurrë, përkundrazi – degjenerohesh gjithnjë e më shumë, në mënyrë të pandalshme e të pashmangshme”, ka shtuar Kryeziu.

Kryeziu, përveç pozitës se nënkryetarit ka mbajtur edhe poste tjera në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për disa legjislatura ai ishte deputet i kësaj partie./Indeksonline/

Zgatari i shumë legjendave

0

Në Zgatarin e Opojës jetojnë rreth 700 banorë, rreth 40 për qind e banorëve jetojnë në diasporë, ndërsa në Prizren janë rreth 150 familje që janë shpërngulur nga Zgatari. Disa familje janë shpërngulur në Turqi

Zgatari shtrihet në skajin verior të fushëgropës së Opojës, rreth 22 km në verilindje të qendrës komunale të Sharrit, shpjegon Muharrem Qafleshi. Sipas tij, është vendbanim i shpatit i eksponuar lindjes.

“Në vitet e fundit në pjesë e tij është zgjeruar në rrafshin fushor, në formë të zgjatur”.

Sipas banorëve vendas thuhet se Zgatari është njëri prej vendbanimeve më të vjetra të Opojës. Ai dikur i kishte pasur 400 shtëpi dhe 7 mahallë. Mirëpo, fshati është “shkatërruar” për shkak të luftës dhe murtajës. Shtrija e gjatë në një luginë në mes dy kodrave malore, tregon edhe vetë toponimi shqip “i zgjatur”, “i zgatur”. Në Zgatarin e vjetër ka rënë një sëmundje dhe aty ishte mjaftë ftohtë, kështu që popullata është larguar nga aty dhe janë vendosur në Zgatarin e sotëm, Pllavë dhe Mlikë. Një kishë e vjetër krishtere ka qenë në vendin Guri i Gjermanit, në veri të Zgatarit, përmbi vendbanimin e vjetër. Aty janë ende themelet e saj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Toponimi gjerman

Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore nga familja e hoxhallarëve, disa prej tyre janë shpërngulur në Turqi.

“Disa familje janë shpërngulur në Reçak të Shtimës, ndërsa më se 60% të zgatarasve janë vendosur në Prizren”, tregon Qaflleshi.

Nga historia e këtij fshati në Opojë lidhet edhe me fakte nga mesjeta. Nëpër Opojë qarkullojnë tregime e legjenda fantastike për varrin e madh dhe toponimin “gjerman”, që gjendet në fshatin Zgatar, fshatin më të vjetër opojar. Një toponim (gjerman) dhe një objekt sakral (varri i madh), që mund të lidhet me ngjarjen më të rëndësishme të Ballkanit dhe të Evropës, që është nga viti 1689, kur forcat osmane ishin angazhuar në luftime me ushtrinë austriake, e cila marshonte me shpejtësi drejt jugut përmes Serbisë. Në saje të kryengritësve shqiptarë forcat austriake mundën të thyenin mbrojtjen osmane dhe të arrinin deri në Lumë. Vlen të thuhet se kryengritësve shqiptarë u printe Pjetër Bogadani, arkipeshkvi i Shkupit e i Prizrenit, që ishte njëri nga personalitet më të shquara të kulturës e të lëvizjes shqiptare të atij shekulli.

Varri i gjeneralit

Banorët e fshatit Zgatar e ruajnë të freskët rrëfimin që është përcjellë brez pas brezi, se ushtria e gjermanëve e kishte çliruar këtë trevë nga zullumi i madh i turqve osmanli, dhe nga atëherë ky vend për nder të çlirimtarëve është quajtur “gjerman”, kurse varri i oficerit quhet “Varri i Madh” dhe këtu banorët kërkonin ndihmë për hallet dhe brengat e tyre.

Nuhi Salihu nga ky fshat tregon se toponimi “gjerman” dhe objekti sakral “Varri i madh i gjermanit”, i cili edhe dallohet nga të gjithë varret e tjerë, lirisht mund të lidhet pikërisht me këtë ngjarje të madhe dhe shumë të rëndësishme për fatin e popujve të Ballkanit e në radhë të parë të shqiptarëve. “Gjermani” si emërtim kishte mbetur pas betejës austriake-osmane, ngase ushtria austriake zmbrapsi ushtrinë osmane, e cila deri në atë kohë mendohej se ishte e pathyeshme.

“Atëbotë ishte zhvilluar beteja pikërisht në vendin që edhe tash ruhet ky emërtuar “gjerman” afër katundit Zgatar të Opojës, që atëbotë i përkiste Rrethit të Lumës, kurse gjenerali i famshëm austriak Pikolomin kishte vdekur nga epidemia e murtajës, por nuk ishte varrosur në Prizren nga frika se mos përhapej epidemia e murtajës edhe tek ushtarët e tjerë”, tregon ai.

Shton se varri i gjeneralit për t’u dalluar nga të tjerët ishte shumë më i madh dhe i rregulluar me gurë të latuar mirë dhe të sjellë nga viset e tjera të Kosovës, sepse gurë të tillë në tërë komunën e Dragashit nuk ka, andaj s’do mend se kemi të bëjmë veç me këtë varr të këtij ushtaraku austriak, që opojanët ende atë vend e quajnë Gjermani, ndërsa varrin e quajnë Varri i madh. Banorët e kësaj ane, meqë nuk kanë pasur shërbim adekuat mjekësor siç janë aktualisht, me vite e shekuj kanë besuar se Varri i Madh do t’ua shërojë fëmijët, të afërmit e sëmurë ose edhe kanë qenë të bindur, se ai Varr do t’iu ndihmojë në zgjedhjen e problemeve të ndryshme, ashtu si u kishte ndihmuar për t’i dëbuar forcat ushtarake osmane nga këto troje. Njëra ndër shpellat e besimit të lashtë në Opojë është shpella e Zgatarit.

“Besimi në këtë shpellë është një besim pagan”, tregon profesori Berat Batiu.

Duhet theksuar faktin, se popullata opojare, në masë të madhe e respekton fenë e besimit Islam dhe ritet e faljes nëpër xhami, të cilat ekzistojnë nëpër të gjitha këto fshatra.

Sipas Nuhi Salihut, fshati Zgatar ende ka ruajtur tradita e dasmave edhe të vdekjeve. Mirëpo, ajo që është brengë për këta banorë sipas Salihut është fakti se janë mbi 40 për qind e banorëve që jetojnë jashtë duke migruar nëpër kohë të ndryshme për një jetë më të mirë. Sipas tij, janë mbi 150 familje nga ky fshat që janë shpërngulur në Prizren për një jetë më të mirë. (Kosova Sot)