Home Blog Page 6219

Malishevasi bie nga ballkoni i katit të dytë të shtëpisë

0

Në Malishevë një mashkull aksidentalisht ka rënë nga ballkoni i katit të dytë të shtëpisë, shkruan PrizrenPress.

Policia njofton se si pasojë viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. /PrizrenPress.com/

Rexhaj: Pse AAK-ja në Prizren nuk del nga koalicioni me PDK-në?

0

Deklarata e nënkryetarit të Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi, që njëherësh drejton edhe degën e AAK-së, se nuk ka bashkëpunim të duhur me kryetarin Ramadan Muja për zbatimin e politikave publike është cilësuar si hipokrizi nga këshilltarët e opozitës.

Sipas tyre, AAK-së në Prizren nuk i shkon përshtati tani që të luajë rolin e opozitarit, ndërkohë që vazhdon të jetë pjesë e koalicionit bashkëqeverisës në nivel komunal.

“Hipokrizia nuk ka fund. AAK-ja në Prizren edhe është në bashkëqeverisje, edhe thotë se Prizreni nuk e meriton një qeverisje të tillë. Atëherë shtrohet pyetja, pse kanë bashkëqeverisur prej 3 vjetësh? Pse tashti, në vitin e fundit e luan rolin e opozitarizmit, duke qenë ende në pozitë? Hajde, po bëhemi edhe ne hipokritë, atëherë shtrohet pyetja, pse nuk del nga koalicioni, pavarësisht që ka bashkëqeverisur Prizrenin së bashku me PDK-në, 3 vjet. Pse tashti nuk del nga koalicioni?”, shkruan në Facebook, Arbër Rexhaj, këshilltar i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Prizrenit.

Sipas tij, nënkryetari i komunës është kujtuar vonë për faktin se kjo pozitë i ka kompetencat e kufizuara ekzekutive.

“Kryetari i kësaj partie ankohet se nuk ka pasur kompetenca ekzekutive. Hajde, edhe një pyetje, a tani ju ka kujtuar atij, se pozita e nënkryetarit nuk na paskësha këso kompetenecash? Gjithmonë, përherë, ka pasur gatishmëri nga VV-ja në Prizren për bashkëpunim politik me AAK-në, dhe jo vetëm me të, por edhe me disa subjekte të tjera politike, ndërsa në anën tjetër përherë kanë mbretëruar interesat e tyre klanore, jo vetëm të AAK-së, duke mos menduar për një veprim teë përbashkët në dobi të qytetarëve, për një bashkë-qeverisje në nivel më të gjërë. Prandaj, dilni nga koalicioni e pastaj na flitni e na mësoni keq-qeverisjen e PDK-së dhe të Ramadan Mujës! Pastaj bëheni opozitar!” shkruan Rexhaj./PrizrenPress.com/

Prizren: Tre të arrestuar për prostitucion

0

Në Prizren janë arrestuar tre persona – 2 femra dhe një mashkull – nën dyshimin se janë marrë me prostitucion, shkruan PrizrenPress.

Policia si provë materiale ka konfiskuar 290 euro.

Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Prizreni ndërton shtigje të reja për biçiklistë

0

Në mbledhjen konsultative të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja me drejtorët e drejtorive komunale që është mbajtur dje janë miratuar disa vendime.

Në mesin e vendimeve të miratuara është edhe projekti i Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit për ndërtimin e shtigjeve të reja për biçiklistë në relacionin lagjja “Bajram Curr” – Vlashnje. /PrizrenPress.com/

Limaj: Të gjendet konsensus për pikat kontestuese të demarkacionit

0

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, e ka ftuar koalicionin qeverisës ta pranojë se demarkacioni me Malin e Zi është gabim dhe të mundësojë që kjo çështje të kthehet në pikën zero.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Limaj ka thënë se ekspertët pro këtij varianti të demarkacionit dhe ata që janë kundër duhet të ulen dhe t’i diskutojnë pikat kontestuese të këtij procesi. Limaj ka theksuar se për këtë çështje, fillimisht duhet të ketë një pajtim të brendshëm, pastaj të kërkohet nga Mali i Zi rishikimi i kësaj marrëveshje.

“Ajo çfarë ne po kërkojmë është të bisedohet për pikat kontestuese të demarkacionit, që janë ofruar argumente të mjaftueshme nga ekspertët e pavarur, të cilat pika nuk janë në rregull. Pra, të ulen ekspertët për dhe kundër këtij varianti të demarkacionit, ta bëjnë një analizë të mirëfilltë dhe t’i nxjerrin përfundimet e sakta, që pastaj kur të vijë kjo çështje në Kuvend, deputetët të mos kenë asnjë dilemë për demarkacionin”, ka thënë Limaj.

Lideri i Nismës nuk e sheh problem rinegocimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ani pse ky shtet tashmë e ka ratifikuar në Kuvend këtë marrëveshje.

“Nuk besoj se paraqet ndonjë problem. Nëse ky proces ka pasur gabime, ato duhet të korrigjohen. Por, fillimisht debatin për këtë çështje duhet të mbyllim brenda nesh, pastaj të kërkojmë nga Mali i Zi që të ulemi dhe ta rishikojmë këtë marrëveshje dhe t’i përmirësojmë ato gabime që janë bërë. Nuk e shoh këtë si problem, sepse as Mali i Zi nuk është i interesuar për asnjë centimetër të Kosovës. Pra, ky shtet nuk ka pretendime territoriale ndaj Kosovës, sikurse askush në Kosovë nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Malit të Zi”, ka thënë Limaj.

Limaj nuk ka dhënë përgjigje të prerë nëse do t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit Mustafa, i cili ka paralajmëruar se do të ndodhë një takim me liderët e të gjitha subjekteve politike për çështjen e demarkacionit.

“Ka një muaj kur është paralajmëruar një takim i tillë, por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje, as nga kryeministri e as nga askush prej koalicionit qeverisës. As unë tani nuk kam ndonjë përgjigje për pyetjen tuaj, derisa nga koalicioni qeverisës nuk ka pasur asnjë hap në këtë drejtim”, ka thënë Limaj, i cili e ka ftuar Qeverinë të heqë dorë nga arroganca dhe të reflektojë sa i përket versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi.

Limaj ka theksuar se riprocedimi në Kuvend i variantit të tanishëm të demarkacionit me Malin e Zi është thjesht riciklim i krizës së panevojshme në vend.

“Koalicioni qeverisës nuk i ka pasur votat për këtë çështje më 1 shtator. Ky variant i demarkacionit me Malin e Zi ka rënë. Qeveria tani duhet të reflektojë dhe të gjendet një zgjidhje. Kjo është ajo çfarë po presim ne. Çdo gjë tjetër është shprehje e arrogancës, shprehje e gatishmërisë për ta trazuar vendin pa pasur nevojë. Për çfarëdo trazimi përgjegjësia i bie këtij koalicioni qeverisës në qoftë se insiston në variantin e njëjtë të demarkacionit”, ka deklaruar Limaj, duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme gjithmonë kanë qenë të nevojshme.

“Edhe pa këtë çështje Kosova ka pasur nevojë për zgjedhje të lira. Sa më shpejt që mbahen zgjedhjet, aq më mirë do të jetë për të dalë nga kjo krizë”, ka thënë Limaj. /Epoka e Re/

Fundviti, i vështirë për Thaçin

0

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fund të këtij viti pritet të rikthehet përsëri në Kuvend, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kreu i shtetit i cili mori votat e deputetëve të koalicionit qeverisës, por jo edhe të atyre opozitarë, pas rreth një viti do t’i ketë përballë përsëri aty ku këta të fundit kundërshtuan ashpër zgjedhjen e tij në postin e presidentit.

Mirëpo, presidenti Thaçi nuk do të mundë të zgjedhë ndryshe, meqë Kushtetuta e Kosovës ia obligon adresimin vjetor para deputetëve të Kuvendit. Presidenti i Kosovës në bazë të Kushtetutës së Kosovës, Neni 84, që ka të bëjë me Kompetencat e Presidentit, obligohet që t’i adresohet deputetëve një herë në vit. “Së paku një herë në vit presidenti i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me fushëveprimtarinë e tij”, thuhet në Nenin 84, pika 30.

Por, kreu i shtetit nuk do të jetë i mirëpritur nga deputetët e opozitës, të cilët, edhe pse ende të pavendosur, nuk do ta dëgjojnë fjalimin vjetor të Thaçit. /Zëri/

Librat që ndryshojnë jetën

0

Këta janë 22 libra që nuk duhen lënë pa lexuar. Nga ata që të ndryshojnë jetën.

1. “Për kë bien këmbanat” – Ernest Hemingueji

Një nga veprat më të mira Heminguejit, “Për kë bien këmbanat” është një roman i botuar në vitin 1940. Libri tregon historinë e Robert Jordan, një specialist shpërthimesh amerikan në Brigadat Ndërkombëtare, i vendosur në një njësi guerilasish republikanë gjatë Luftës Civile në Spanjë (1939 – 1939 ). Ai eksploron një numër temash të tilla si vdekja, dashuria, dhe fanatizmi.

2. “Zoti i mizave” – Uilliam Golding

Kryevepra e Golding, Zoti i mizave flet për një grup djemsh të mirë britanikë, që kanë ngecur në një ishull të pabanuar, të cilët përpiqen të vetëqeverisen, por me rezultate shkatërrimtare. Në libër, Golding trajton temat shumë të debatueshme të natyrës njerëzore dhe mirëqenies individuale, përkundrejt të mirës së përbashkët.

3. “Ana Karenina” – Leon Tolstoi

Ana Karenina është një roman i botuar në seri nga viti 1875 deri në 1877. Duke rrëfyer historinë e aristokrates nga Shën Petërsburgu, Ana Karenina, libri eksploron në mënyrë mjeshtërore një sërë temash, nëpër pothuaj një mijë faqet e tij. Një sondazh i vitit 2007 me 125 shkrimtarë bashkëkohorë, e shpalli Ana Kareninën “librin më të bukur që është shkruajtur ndonjëherë”.

4. “Princi i vogël” – Antoine de Saint-Exupery

I shkruajtur nga aristokrati, shkrimtari, poeti dhe aviatori francez Antoine de Saint-Exupery, Princi i vogël është një novelë shumë popullore e vitit 1943 dhe libri i katërt më i përkthyer në botë. Libri përshkruan me shumë dhembshuri vetminë, miqësinë, dashurinë, dhe humbjen, të përjetuara nga naj princ i vogël që ka rënë në Tokë.

5. “Manifesti komunist” – Karl Marks dhe Frederik Engels

Një pamflet politik i vitit 1848 nga filozofët gjermanë Marks dhe Engels, Manifesti Komunist pranohet sot si një prej dorëshkrimeve politikë më me ndikim. Ai paraqet një qasje analitike unike ndaj luftës së klasave, problemeve të kapitalizmit, dhe natyrës së shoqërisë e politikës.

6. “Mbi origjinën e specieve” – Çarls Darvin

I shkruajtur nga shkencëtari anglez Çarls Darvin dhe i botuar në 1859, “Mbi origjinën e specieve” është një vepër letërsie shkencore që konsiderohet edhe themeli i biologjisë evolucionare. I shkruajtur për lexues jo specialistë, ai paraqet një trupë provash se diversiteti i jetës ka ardhur nga linja e zakonshme e trashëgimisë përmes një modeli të degëzuar të evolucionit.

7. “Zgjedhja e Sofisë” – Uilliam Stajron

“Zgjedhja e Sofisë” është një roman i vitit 1979 nga shkrimtari amerikan Uilliam Stajron. Ai përqëndrohet në vendimin tragjik që Sofia, një katolike polake e mbijetuar e kampeve të përqëndrimit në Gjermani, u detyrua të bëjë pas futjes bashkë me dy fëmijët në kamp. Sofisë iu desh të zgjedhë se cili prej fëmijëve do të jetonte dhe cili do të vdiste.

8. “Në rrugë” – Nga Xhek Keruak

Libri përcaktuas i brezave të kundërkulturës, së pasluftës. “Në rrugë” është një roman i vitit 1957 nga shkrimtari amerikan Xhek Keruak. Bazuar në udhëtimet e Keruak dhe miqve të tij nëpër Amerikë, libri flet për jetën e lirë, xhazin, poezinë dhe drogat. Ai është zgjedhur nga revista TIME si një prej 100 romaneve më të mirë në gjuhën angleze, nga viti 1923 deri në 2005.

9. “Të vrasësh zogun përqeshës” – Harpër Li

Romani fitues i Cmimit Pulitzer me autore Harper Li është shndërruar në një klasik të letërsisë moderne amerikane. Me linjën e tregimit dhe personazhet që janë bazuar kryesisht në vëzhgimet që vetë autorja i ka bërë familjes së saj dhe fqinjëve, romani është i njohur për ngrohtësinë dhe humorin, pavarësisht se trajton problemet serioze të përdhunimit dhe pabarazisë racore.

10. “1984” – Xhorxh Oruell

“1984” është një roman distopik i shkruajtur nga shkrimtari anglez Xhorxh Oruell. Romani i ka të vendosura ngjarjet në një botë të zymtë me luftë të përjetshme, me mbikëqyrje të kudondodhur nga ana e qeverisë dhe manipulim publik, ku individualizmi dhe mendimi i pavarur persekutohen dhe mendohen si “krime”.

11. “Konti i Monte Kristos” – Aleksandër Dyma

I përfunduar në vitin 1844, Konti i Monte Kristos është një roman aventurë që merret me tema të shpresës, drejtësisë, hakmarrjes, mëshirës dhe faljes. Ai përqëndrohet tek një burrë i cili burgoset pa të drejtë, arratiset nga burgu, fiton një pasuri dhe më pas i hyn rrugës së hakmarrjes për ata që ishin përgjegjës për burgosjen e tij.

12. “Getsbi i madh” – Skot Fitzxherald

I konsideruar vepra më e madhe e Fitzxheraldit, Getsbi i Madh eksploron temën e dekadencës, idealizmit, rezistencës ndaj ndryshimit, rebelimit social, dhe teprimeve, duke krijuar një portret të Epoës së Xhazit apo viteve Njëzetë, që është përshkruar si një rrëfim paralajmërues për Endrrën Amerikane.

13. “Alkimisti” – Paolo Koelho

Alkimisti është një roman i autorit brazilian Paolo KOelho, i botuar fillimisht në vitin 1988. Një roman alegorik, ai ndjek një bari andaluzian në udhëtimin e tij në Egjipt, pasi ka parë një ëndërr sikur ka gjetur një thesar atje. Një bestseller ndërkombëtar, Alkimisti është një prej librave më popullorë në histori.

13. “Të drejtat e njeriut” – Tomas Pein

Botuar në dy pjesë në mars 1791 dhe shkurt 1792, Të drejtat e Njeriut është një prej librave më të rëndësishëm të shkruajtur nga Tomas Pein, një aktivist politik anglo amerikan, filozof, teoricien i politikës dhe revolucionar. Libri merret me Revolucionin Francez dhe të drejtat që i duhen dhënë të gjithë qenieve nejrëzore.

14. “Një histori e shkurtër e kohës” – Stiven Hoking

Një histori e shkurtër e kohës është një libër i shkencës popullore i vitit 1988 nga fizikani britanik Stiven Hoking. Në libër, Hoking përpiqet të shpjegojë një sërë temash si kozmologjia, duke përfshirë Big Bangun, vrimat e zeza, si dhe konet e dritës për lexuesit jo specialistë. Libri u bë menjëherë shumë i shitur dhe u përkthye në 35 gjuhë, deri në vitin 2001.

15. “Në egërsinë e natyrës” – Xhon Krakauer

I shkruajtur nga XHon Krakauer në vitin 1996, ky libër është një bestseller ndërkombëtar dhe është botuar në 14 gjuhë. I përdorur gjerësisht në kurikulën e shkollave dhe kolegjeve, libri merret me temat se si të pranohesh në shoqëri dhe se si, ndonjëherë, të gjesh vetveten bie ndesh me të qënit një pjesëtar aktiv i shoqërisë.

16. “Thertorja Pesë” – Kërt Vonegat

Thertorja-Pesë është një roman satirik nga Kërt Vonegat për Luftën e DYtë Botërore. I konsideruar gjysmë autobiografik, romani bazohet pjesërisht në përvojën e vetë autorit në luftë. Përgjithësisht i pranuar si libri më me ndikim i Vonegat, libri përqëndrohet tek ushtari amerikan Billi Pilgrim.

17. “Liza në botën e vudirave”

Eshtë një roman aventurash i shkruajtur nga matematicieni anglez Charles Dodgson nën pseudonimin Luiz Karol. Libri luan mjeshtërisht me logjikën, duke i dhënë një popullaritet të madh si tek të rriturit, edhe tek fëmijët.

18. “Portreti i Dorian Greit” – Oskar Uajlld

I vetmi roman i Oskar Uajlld, Portreti i Dorian Greit është një roman gotik që merret me temat e esteticizmit, dyfishtësisë morale, dhe vetëllastimit. Në vitin 1890 kur u botua fillimisht, ai fyeu ndjeshmëritë morale të lexuesve dhe kritikëve, por sot konsiderohet një prej veprave më të spikatura të shekullit 19.

19. “Kumbari” – Mario Puco

Kumbari është një roman i famshëm krimi, i shkruajtur nga shkrimtari italo-amerikan Mario Puco. Trajton historinë e një familje mafioze në Nju JOrk, e udhëhequr nga Don Vito Korleone, që u bë sinonim me mafian italiane. Romani mbulon vitet 1945-1955 dhe ofron gjithashtu historinë e të kaluarës së Korleones.

20. “Ferma e Kafshëve” – Xhorxh Oruell

Një tjetër vepër e madhe e Xhorxh Oruellit. Një roman alegorik dhe distopik i botuar fillimisht në Angli në vitin 1945. Duke kritikuar në mënyrë alegorike komunizmin, libri u refuzua fillimisht nga një numër botuesish amerikanë, por sot konsiderohet një prej librave më me ndikim që është shkruajtur ndonjëherë.

21. “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” – Ernest Hemingueji

I shkruajtur nga Erih Maria Remark, një veteran gjerman i Liftës së Parë, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” është një roman lufte i botuar në vitin 1928. Libri përshkruan stresin ekstrem fizik dhe mendor të ushtarëve gjermanë gjatë luftës, si dhe shkëputjen nga lufta civile e shumë prej këtyre ushtarëve, pas kthimit në shtëpi.

22. “Njëqind vjet vetmi” – Gabriel Garsia Markez

E konsideruar vepra më e madhe e Markezit, Njëqind vjet vetmi është një roman i realizmit magjik botuar në vitin 1967, që rrëfen historinë e familjes Buendia. I përkthyer në 37 gjuhë dhe me më shumë se 30 milionë kopje, romani njihet si një prej veprave më të rëndësishme në letërsinë e gjuhës spanjolle.

Trajneri Kroacisë vajton mungesat para sfidës me Kosovën

0

Kroacia do të zbresë të enjten mbrëma në ‘Loro Boriçi’ kundër Kosovës pa kapitenin Luka Modric dhe lojtarët tjerë Rakitic, Lovren e Pjacan

Trajneri i Kroacisë, Ante Çaçiç, e ka pranuar se Modric, Rakitic, Lovren e Pjacan, janë mungesa të mëdha, por ka thënë se ata që do t’i zëvendësojnë – duhet të vërtetojnë se meritojnë të luajnë.

“Jemi në disavantash me Kosovën, sidomos pas lëndimeve të disa lojtarëve kyç, por të enjten mbrëma – kushdo që luan, duhet të vërtetojmë se jemi favorit ndaj tyre”, tha fillimisht ai, shkruan ‘Index.hr’.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj Kosovës. Ata nuk luajnë në shtëpi, por në Shkodër do të jetë një atmosferë e madhe”, shtoi ai.

“Kosova do të tentojë të bëjë gjithçka në këtë ndeshje. Ata janë shumë të motivuar, mendoj se kjo e bën edhe më interesante sfidën”, theksoi Çaçiç.

“Formacioni? Jam duke e menduar. Ende nuk kam vendosur, por jam afër. Kush do të luajë nesër do të vendosi pas stërvitjes së sotme”, përfundoi Çaçiç. /Express/

Burg ish-zyrtarit komunal të Rahovecit për keqpërdorim seksual

0

Ish-zyrtari i Komunës së Rahovecit, S.K., është dënuar me tre vjet burgim për keqpërdorim seksual të një personi nën moshën 16-vjeçare.Gjykata e Apelit ka dënuar me 3 vjet heqje lirie ish-drejtorin për Komunitete dhe Kthim të Komunës së Rahovecit, S.K., i cili akuzohej për veprën penale keqpërdorim seksual i personit nën moshën 16-vjeçare.

Në aktgjykimin e siguruar nga KALLXO.com të Gjykatës Themelore të Gjakovës të datës 29 prill 2016, S.K. ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 4 vitesh.

Ndaj këtij aktgjykimi ishte ankuar mbrojtja e të akuzuarit.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se aprovohet ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, duke ndryshuar më pas aktgjykimin e Gjykatës Themelore përkitazi me vendimin për dënim.

“Me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit S.K. ndryshohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë i datës 29.04.2016, përkitazi me vendimin për dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin S.K. për veprën penale – keqpërdorim seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet, nga neni 235 par. 1 pika 1.1 të KPRK-së, për të cilën është shpallur fajtor, e gjykon me dënim burgu në kohëzgjatje prej tri vitesh, të cilin dënim do ta vuajë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në dënimin e shqiptuar i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14.08.2015 e tutje, thuhet po ashtu në aktgjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Gjakovës i akuzuari kishte pasur disa herë marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur.

“Sepse në kohën e pacaktuar të muajit qershor 2015 e gjerë më 12.08.2015, i akuzuari me personin nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç, pikërisht me të dëmtuarën – të miturën NN ka kryer marrëdhënie seksuale, në atë mënyrë që të njëjtën i akuzuari gjithherë e ka marrë me veturën zyrtare të K.K. Rahovec, duke e dërguar në Rahovec, respektivisht në një rrugë malore në dalje te Rahovecit, në një rrugë me vreshta dhe me të ka kryer disa herë marrëdhënie seksuale, e që për këto shërbime seksuale i akuzuari të dëmtuarës i ka dhënë të holla nga 30 euro deri në 50 euro, si dhe një telefon të mençur të tipit “Lenovo”, gjersa i njëjti më 14.08.2015 është arrestuar nga Policia”, thuhet në aktakuzë.

Kryetari i Dragashit në Gjykatë për keqpërdorim të pozitës zyrtare

0

Paradita e së martës e ka gjetur sërish kryetarin e komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, në sallën e Gjykatës Themelore në Prizren, për t’u përgjigjur për rastin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Paradita e së martës e ka gjetur sërish kryetarin e komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, në sallën e Gjykatës Themelore në Prizren, për t’u përgjigjur për rastin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Bashkë me Jenuzin, në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë të tjerë komunalë, përderisa një qytetar i Dragashit akuzohet për uzurpim të paligjshëm të pronës komunale.

Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur në Gjykatën e Prizrenit, kryetari i Dragashit Salim Jenuzi, nuk u deklarua fare, pasi vetëm dorëzoi një kërkesë me shkrim te kryetarja e trupit gjykues, me anë të së cilës kërkoi që aktakuza e Prokurorisë së Shtetit të hedhet poshtë.

Të njëjtën gjë e bënë edhe tre të akuzuarit tjerë pasi pretendonin se aktakuza ndaj tyre nuk është e bazuar në prova të mjaftueshme.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk kishin të angazhuar avokat mbrojtës.

Nga ana tjetër, prokurori i shtetit Sefer Morina, i kundërshtoi kërkesat e të akuzuarve.

“I kundërshtoj kërkesat për hedhjen e aktakuzës të paraqitura nga të akuzuarit, pasiqë aktakuza është e mbështetur në prova të pranueshme dhe se nuk ekzistojnë asnjë nga arsyet të cilat kanë të bëjnë me veprat penale, pasiqë veprat për të cilat akuzohen përbëjnë të gjitha elementet qenësore të saj”, tha prokurori Morina.

Gjykatësja e rastit njoftoi se lidhur me kërkesat e të akuzuarve do të marrë vendim jashtë seancës gjyqësore dhe për këtë palët do të njoftohen me shkrim.

Kryetari i Komunës së Dragashit Salim Jenuzi, së bashku me drejtorin e Urbanizmit në këtë Komunë Behan Haxhihasanin dhe me inspektorin komunal të ndërtimtarisë Vetim Hasanin po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Së bashku me ta, profesori i shkollës së mesme Nexhat Selaj, po akuzohet për veprën penale të uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, kryetari Jenuzi, prej vitit 2009 deri në vitin 2016 në Dragash me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe shkaktimin e dëmit komunës, duke përdorur pozitën e tij si kryetar i ka mundësuar pronarit të furrës “Evropa”, Nexhat Selajt përvetësimin e kësaj patundshmërie.

Selaj, me këtë rast kishte ndërtuar objektin afarist dy katësh pa kompenzim dhe pa vendim të asamblesë komunale në Dragash.

Ndërsa drejtori i Urbanizmit, Behan Haxhihasani, në vitin 2011 fillimisht kishte lëshuar aktvendim me të cilin Nexhat Selajt i lejohet ndërtimi i objektit afarist në patundshmërisë shoqërore të evidentuar në emër të komunës së Dragashit.

Ndërsa më vonë, po gjatë këtij viti Haxhihasani kishte lëshuar aktvendim me të cilin vërtetohet se Nexhat Selaj ka bërë uzurpimin arbitrar të tokës në pronë shoqërore, e evidentuar si pronë e komunës së Dragashit.

Inspektorin Komunal të ndërtimit, Vetim Hasanin, aktakuza e prokurorisë e ngarkon se me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, pasi nuk ka ndërmarrë veprimet për ndërprerjen, ndalimin dhe ekzekutimin e punimeve në objektin e ndërtuar nga i akuzuari Nexhat Selaj, duke lejuar kryerjen dhe përfundimin e ndërtimit të objektit dy katësh.

Salim Jenuzi vite më parë ishte akuzuar për një rast tjetër të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por në janar të vitit të kaluar u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren./kallxo.com/