26.6 C
Prizren
E diel, 29 Qershor, 2025
Home Blog Page 6258

Basha vizitë zyrtare në ShBA

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, është nisur sot për një vizitë zyrtare në SHBA.

Sipas njoftimit të PD-së, Basha do të takohet me zyrtarë të lartë të administratës dhe politikës amerikane. Në këtë vizitë, ai shoqërohet nga një delegacion që ka në përbërje disa deputetë.

Vizita e Bashës në SHBA ndërlidhet me 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së.

Sfidat e Shqipërisë për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe shtetit të së drejtës, zbatimi i reformës së dekriminalizimit, zgjedhjet e lira dhe reforma në drejtësi, do të jenë në qendër të agjendës së Bashës në SHBA.

Gjithashtu gjatë kësaj vizite, Basha pritet të diskutojë edhe për qëndrimet e Partisë Demokratike për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza.

UP rishpall konkursin për rektor

0

Universiteti i Prishtinës rishpalli konkursin për rektor pas dështimit të zgjedhjes së tij dy javë më parë.

Kandidatët të cilët duan të garojnë për pozitën e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nga sot mund të aplikojnë në konkursin që është rishpallur nga universiteti.

Konkursi i rishpallur do të qëndrojë i hapur për 15 ditë, deri më datën 28 mars në orën 15:30.

Kandidatët duhet të aplikojnë me dorëzim të dokumenteve në formë fizike dhe elektronike të cilat pastaj do t’i shqyrtojë komisioni për verifikimin e dokumenteve.

Konkursi për rektor u rishpall pas pamundësisë të zgjedhjes së tij më 4 mars kur asnjë kandidat nuk mori votat e mjaftueshme.

Kandidatë në konkursin e kaluar ishin: Lul Raka, Naser Sahiti, Sali Bashota dhe Anton Berishaj ndërsa kandidati i pestë Isuf Musliu nuk ishte ftuar fare për intervistim.

Babë e bir arrestohen në Vërmicë, kërkoheshin nga autoritetet belge

0

Policia Rajonale e Prizrenit njofton se të shtunën në mbrëmje, rreth orës 17:25 minuta të datës 12 mars, në vendkalimin kufitar në Vërmicë, gjatë kontrollit të dokumentacionit është ndaluar një shtetas i Republikës së Shqipërisë ngase rezultonte të jetë i kërkuar më urdhër arrest ndërkombëtar për llogari të drejtësisë së Belgjikës.

Pas arrestimit, është informuar Ambasada e Shqipërisë dhe prokurori i shtetit në Prizren për procedura të më tejme.

Ndërkaq, të nesërmen, rreth orës 08:30 minuta, në vendin e njëjtë është arrestuar edhe babai i të arrestuarit të mëparshëm ngase edhe ky rezulton të jetë i kërkuar nga drejtësia belge.

Dy të arrestuarit po mbahen nën masën e ndalimit me urdhër të prokurorit të shtetit ndërsa procedurat po i kryejnë hetuesit rajonal të Prizrenit në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse ILEC në Prishtinë. /PrizrenPress.com/

Nuk respektohet gjuha shqipe

0

Gjuha shqipe në Maqedoni vazhdon të mos pranohet nga një pjesë e qytetarëve, kurse shkarravitjet e tabelave me mbishkrimet shqipe janë shndërruar në përditshmëri.

Por nuk mungojnë as shkarravitjet e mbishkrimeve në tabelat me gjuhën maqedonase, nga grupe të caktuara njerëzish. Qytetarët janë shprehur se kjo është rezultat i sjelljes së paedukatë të disa individëve.

“Averzioni ndaj gjuhës së komunitetit të dytë më të madh në Maqedoni, është i theksuar në shumë segmente. Shkarravitja e mbishkrimit në gjuhën shqipe në tabelat në rrugë, vazhdon të jetë një problematikë në vendin tonë”, ka thënë një qytetar, raporton Alsat.

Zyrtarë nga Drejtoria e Ndërmarrjes Publike për rrugë, kanë njoftuar se megjithë përpjekjet së vazhdueshme për eliminimin e këtij problemi, përsëri paraqiten persona që bëjnë shkarravitjen e tabelave.

“Ne punojmë në vazhdimësi në eliminimin e këtij problemi, mirëpo gjithmonë paraqiten persona të cilët shkarravisin tabelat në rrugë. Kjo ndodh edhe në komunat me shumicë maqedonase, edhe në atë me shumicë shqiptare. Mbishkrimet shkarraviten në të dyja gjuhët”, ka thënë Sinisha Ivanovski, drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugë dhe rrugica.

Shenjtërimi i Nënë Terezës, sot Papa firmos kanonizimin

0

Papa Françeskume sot pritet të nënshkruajë dekretin për kanonizimin e shenjtores shqiptare Nënë Tereza.

Papa pritet të bëjë edhe shpalljen e datë për shenjtërimin e Nënë Terezës. Ndër datat e mundshme mendohet të jetë 5 shtatori, dita e vdekjes së shenjtores.

Papa Francesku miratoi në dhjetor të 2015 një dekret për njohjen e një mrekullie që i atribuohet ndërmjetësimit të saj me Perëndinë, transmeton lajmi.net.

Nënë Tereza e cila vdiq në shtator të vitit 1997, u shpall e lume në vitin 2003 nga Papa Gjon Pali i Dytë. Lumnimi është hapi i fundit para shenjtërimit.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që u bë më pastaj në gjithë botën e njohur si Nënë Tereza, u lind në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 në një familje me prejardhje nga Prizreni.

Më 1979 ajo mori çmimin Nobël për Paqe. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë, ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës duke ndihmuar të varfrit.

Erdogan: Terrorizmi do të gjunjëzohet

0

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, është zotuar se do ta qesë terrorizmin “në dy gjunjë”, pas sulmit të fundit  terrorist në Ankara ku mbetën të vdekur 32 persona, shkruan BBC.

Erdogan ka thënë se sulmi me bombë do të shërbejë vetëm për t’i forcuar edhe më shumë forcat e sigurisë së Turqisë.

Shpërthimi që ndodhi në zonën Guven Park, ka lënë të vdekur 125 persona. Që të dy bombarduesit kanë vdekur në vendin e ngjarjes.

Ministri i brendshëm, Efkan Ala ka thënë se hetimet do t’i emërojnë përgjegjësit për sulmin.

Ende asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por burime të qeverisë thonë se bombardimi u bë nga pjesëtarët e Partisë Kurde.

Mos e keqpërdorni luftën e UÇK-së

0

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka bërë thirrje që të mos keqpërdoren vepra dhe heroizmi i atyre që kanë vulosur lirinë e Kosovës.

Në këtë intervistë për ‘Epokën e re’, ai ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk duhet të keqpërdoret nga individët për qëllime politike ose individuale.

Jashari ka vlerësuar se të gjithë atë që kanë qenë në radhët e UÇK-së kanë pasur qëllim çlirimin e vendit, kurse tani kanë obligim ta mbrojnë atë, dhe të ecin të bashkuar drejt realizimit të amanetit të dëshmorëve. Ai ka folur edhe procesin e verifikimit të veteranëve, të invalidëve dhe të dëshmorëve.

Sipas Jasharit, nëse vazhdohet me këtë ritëm të punës, brenda këtij muaji do të përfundojë procesi për të tria kategoritë. /Epoka e Re/

PDK deklaratë me shkrim për koalicionin me LDK-në

0

Dy partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), po synojnë që ta vazhdojnë bashkëpunimin edhe pas përfundimit të këtij mandati qeverisës.

Partia e cila udhëhiqet nga Kadri Veseli, tashmë e ka bërë të qartë se me LDK-në dëshiron bashkëpunim afatgjatë, por pa përjashtuar bashkëpunimin edhe me partitë e opozitës.

Organi më i lartë udhëheqës i PDK-së, Këshilli Drejtues, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, kur emëroi Kadri Veselin ushtrues detyre të kryetarit të PDK-së, miratoi edhe një deklaratë me të cilën shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe pas këtij mandati qeverisës.

“PDK është e vendosur për ruajtjen e koalicionit aktual qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe shpreh gatishmërinë për ndërtimin e partneritetit dhe bashkëpunimit afatgjatë me qëllim të ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit”, thuhet në njërën nga pikat e deklaratës.

Për synimin e PDK-së që të vazhdojë bashkëqeverisjen e LDK-në e thotë edhe nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami, sipas të cilit, PDK-LDK është koalicioni më i mirë për ta përfunduar agjendën e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës edhe në mandatin e ardhshëm.

“Tani të dy partnerët e koalicionit të madh kanë konfirmuar gatishmërinë për të mbajtur këtë koalicion deri në vitin 2018 kur janë zgjedhjet e ardhshme dhe mendoj që edhe pas përfundimit të këtij mandati këto dy parti do të tregojnë gatishmëri për të vazhduar partneritetin. Sepse duhet të përmbyllen, siç e kanë përmbyllur shtetndërtimin edhe agjendën e integrimit evropian dhe hyrjes së Kosovës në NATO”, ka thënë Bajrami për “Zërin”, por duke mos përjashtuar bashkëpunimin edhe me partitë tjera opozitare. /Zëri/

Kujdes politikën me fqinjët

0

Nga Lisen Bashkurti

Ekziston një aksiomë e provuar nga historia dhe e argumentuar nga teoritë e marrëdhënieve, sipas së cilës suksesi ose mossuksesi i politikës së jashtme të çdo shteti varet para së gjithash nga politika me fqinjët. Kjo aksiome varion sipas madhësisë së shteteve, fuqisë së tyre dhe statusit ndërkombëtarë që ato gëzojnë. Për shtetet e mëdha, fqinjët janë me rëndësi, por jo domosdoshmërish dhe ne çdo rast. Për fuqitë e mëdha janë po kaq të rëndësishme marrëdhëniet globale dhe ato me fuqitë botërore homologe.

Për shtetet e mesme, gjithashtu, variabla e prioritetit të politikës me fqinjët ndryshon. Ne mjaft raste shtetet e mesme, sipas përmasave të shteteve fqinje, prioritizojnë marrëdhëniet në nivel rajonal më shumë sesa ato me fqinjët e drejtpërdrejtë.

Ndërsa, për shtetet e vogla si Shqipëria dhe Kosova politika e jashtme nevojitet të prioritizojë gjatë gjithë kohës dhe në çdo rrethanë marrëdhëniet me fqinjët. Kjo është për disa arsye:

Së pari, Shqipëria dhe Kosova kanë për rreth shtete të përafërta për nga madhësia, fuqia dhe statusi ndërkombëtar. Kjo baraspeshë kërkon shumë kujdes për ruajtjen e ekuilibrit, cenimi i të cilit vë në rrezik paqen e stabilitetin në Ballkan.

Së dyti, Shqipëria dhe Kosova kanë komunitete shqiptare në zonat midis tyre dhe shteteve fqinje. Këto kordone komunitetesh shqiptare kanë rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Kosovën. Nëse marrëdhëniet fqinjësore të Shqipërisë dhe Kosovës ruajnë normalitetin e bazuar në politikën e fqinjësisë së mirë si në parimet e normat ndërkombëtare dhe Evropiane për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të pakicave, këto komunitete mund të shërbejnë si ura miqësie midis shteteve. Nëse komunitetet shqiptare përreth Shqipërisë dhe Kosovës diskriminohen nga shtetet fqinje ato shndërrohen nga ura miqësie në kordonë krizash permanente në marrëdhëniet fqinjësore dhe në nivel Ballkanik.

Së treti, në mjedisin gjeopolitik dhe në rrethanat në të cilat ndodhen gjithë shtetet e Ballkanit fati i zhvillimit dhe prosperimit të tyre varen kryesisht nga orientimet e tyre Euro-Atlantike, pra nga integrimet në BE dhe NATO. Këto integrime kërkojnë hapje mendjesh, tregjesh, kufijsh për të siguruar lëvizje të lirë mallrash, kapitalesh, shërbimesh dhe njerëzish, sikundër edhe kërkojnë struktura sigurie kolektive nën ombrellën e NATO. Këto procese kalojnë vetëm përmes politikave të fqinjësisë së mirë.

Së fundit, trendëve të integrimeve Euro-Atlantike i shtohet edhe globalizmi si prirja më e fuqishme e kohës sonë. As integrimet Rajonale dhe as prirjet globalizuese botërore nuk mund të përballohen pa politika fqinjësore të stabilizuara.

Stabilizimi i fqinjësisë së mirë të Shqipërisë dhe Kosovës është sfidë komplekse. Kjo sepse ekzistojnë tre grup-problemesh: probleme të trashëgimisë historike, probleme të lindura mbas rënies së Murit të Berlinit, shpërbërjes së Jugosllavisë dhe tranzicionit demokratik si dhe probleme që lindin nga vetë krizat bashkëkohore.

Asnjë nga këto grup-problemesh nuk mund të nënvlerësohet dhe as të anashkakohet. Këto tri grup-problemesh lypet të mbahen në agjendën politiko-diplomatike në mënyrë permanente që të shkojnë gradualisht drejt zgjidhjeve të pranueshme nga palët dhe n përputhje me normat juridike ndërkombëtare.

Në prioritizimin e marrëdhënieve me fqinjët, me rëndësi themelore është bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë si dhe aleanca e këtyre dy shteteve shqiptare para së gjithash me ShBA si dhe me BE.

Dy shtetet shqiptare duken më të vendosurat në orientimet Euro-Atlantike. Ky avantazh mbarëshqiptar lypet të mishërohet në politikat konkrete me fqinjët nga Shqipëria dhe Kosova, bazuar në specifikat individuale të të dy shteteve me fqinjët respektive si dhe me strategji afatgjata të koordinuara në mënyrë të përbashkët.

Në politikat individuale dhe në strategjinë e përbashkët midis tyre Shqipëria dhe Kosova, edhe individualisht edhe strategjikisht janë dhe nevojitet të jenë faktor paqeje, stabiliteti, demokratizimi, zhvillimi socio-ekonomik dhe integrimi Euro-Atlantik të Ballkanit Perëndimor.

Librat me porosi

0

Ty të ka ardhur një ide shumë e mirë për një libër. Është i thellë, të bën për vetë dhe je i sigurt që do të ketë mjaft shitje. Por, ka një problem. Të shkruarit nuk është pika jote më e fortë. Madje, ti nuk ke as kohë të shkruash në blog, jo më të bësh një libër të tërë.

Pikërisht këtu hyn në skenë shkrimtari fantazmë. Këta njerëz të cilët fjalitë në fletore, mendimet e copëtuara, i kthejnë në romane gati për t’i çuar në një shtëpi botuese, apo për t’i publikuar vetë. Emri i tyre nuk do të thotë se libri yt do të shkruhet nga një person nga bota e përtejme.

Jo, ata janë shkrimtarë profesionistë, të cilët bëjnë libra me porosi dhe në fund, si autorë, nuk do të dalë emri i tyre, por i porositësit.

“Të shkruarit libra nga shkrimtarë për llogari tënden si fenomen është rritur shumë në kohët e fundit, sepse njerëzit dëgjojnë rreth këtij personi, shkrimtarë që mund të bëjë një punë fantastike dhe mund të krijojë një libër nga hiçi. Mendoj se ndonjëherë njerëzit kanë një ide të gabuar të asaj që një shkrimtar fantazmë bën”, tha Marcia Layton Turner, që merret me shkrime për llogari të personave të tjerë dhe është themeluese e “Shoqatës së shkrimtarëve fantazmë”

Shkrimtarja Jenna Glatzer, e cila për punën e saj ka marrë vlerësime edhe nga këngëtarja Celine Dion për librin “For Keeps and Unthinkable”, të ciline shkroi me një nga kandidatët për romanin tjetër “Ironman”, bën shumë pyetje kur ajo është në negociata për të marrë një punë nga një klient. Përgjithësisht ajo tërhiqet kur klientët i thonë se librin e bëjnë ose për biznes, ose për arsye personale. Një libër shton besimin te njerëzit dhe mund të shërbejë shumë si një vegël marketingu, për ta ndihmuar autorin të shesë produktet e tij. Ata autorë, të cilët thjesht duan emrin e tyre t’u dalë si autor libri, zhgënjehen më shpesh nga të tjerët.

“Kur ti punon me një shkrimtar fantazmë, nëse thjesht ke për qëllim që të bësh para me këtë libër, atëherë duhet ta kesh të qartë se kjo nuk është aspak diçka e lehtë për t’u bërë. Për më tepër që do e paguash shkrimtarin në avancë që ta shkruajë librin”, tha ajo.

Një tjetër gjë e rëndësishme për të interesuarit që duan të bëjnë libër, është që të gjejnë shkrimtarin e duhur për zhanrin që ata duan. Përgjithësisht, shkrimtarët që shkruajnë në emër të të tjerëve janë të organizuar në grupe dhe shoqata. Glatzer sugjeron që të flasësh me bashkëpunëtorët e shkrimtarëve që kanë shkruar në të tillë zhanër, në mënyrë që të mësosh për eksperiencat e tyre.

Për shkrimtaren Alisa Bowman, kur ti nis një projekt të ri, duhet që të familjarizohesh mjaft me porositësin. “Lidhja midis të dyve, duhet të jetë pak a shumë si një marrëdhënie e gjatë romantike. Jo se do të ndodhë ndonjë gjë e papërshtatshme, thjesht ti do të jesh bashkë për muaj të tërë me klientin. Si mund t’i bësh gjërat mirë, kur nuk ka komunikim?”, thotë ajo.

Në fillim është mirë që të krijoni një përmbledhje të romanit, në mënyrë që të kuptoni nëse jeni në drejtimin e duhur në lidhje me kërkesat dhe se si materiali do të organizohet.

Bowman këshillon që shkrimtarit t’i lihet koha e nevojshme për të shkruar. Për më tepër që vetëm referenca në shtëpitë botuese nga një shkrimtar fantazmë i njohur, mund t’u kushtojë porositësve minimalisht 5 mijë dollarë. Kurse kur bëhet fjalë për punën përfundimtare, shkrimtarët fantazmë më pak të njohur do të marrin nga 20 mijë deri në 30 mijë dollarë. Kurse kur niveli i tyre është mesatar, shuma shkon në 50 mijë dollarë, apo më shumë. Ata me reputacion të madh fitojnë minimalisht 75 mijë dollarë. “Është një grup shkrimtarësh me porosi që kanë fitime të mëdha me 6 shifra’, shpjegoi Glatzer.

Që të mos të ketë probleme të tjera në vazhdim, është e rëndësishme që të firmoset një kontratë. Por ekspertët këshillojnë që të ketë sa më shumë bashkëpunim mes palëve. “Unë jam i specializuar në libra dhe ajo që ndodh me njerëzit është se ata dinë se mund të shkruajnë, por nuk e kuptojnë se çfarë duhet për ta bërë një libër komercial. Kështu, ata ndjekin rrugën e tyre dhe e bëjnë tekstin jo tërheqës”, analizoi Bowman. Ai theksoi se kur bashkëpunimi është i mirë, përfundimi do të jetë një libër i vështirë për t’u hequr nga duart.