22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Kujdes politikën me fqinjët

Nga Lisen Bashkurti

Ekziston një aksiomë e provuar nga historia dhe e argumentuar nga teoritë e marrëdhënieve, sipas së cilës suksesi ose mossuksesi i politikës së jashtme të çdo shteti varet para së gjithash nga politika me fqinjët. Kjo aksiome varion sipas madhësisë së shteteve, fuqisë së tyre dhe statusit ndërkombëtarë që ato gëzojnë. Për shtetet e mëdha, fqinjët janë me rëndësi, por jo domosdoshmërish dhe ne çdo rast. Për fuqitë e mëdha janë po kaq të rëndësishme marrëdhëniet globale dhe ato me fuqitë botërore homologe.

Për shtetet e mesme, gjithashtu, variabla e prioritetit të politikës me fqinjët ndryshon. Ne mjaft raste shtetet e mesme, sipas përmasave të shteteve fqinje, prioritizojnë marrëdhëniet në nivel rajonal më shumë sesa ato me fqinjët e drejtpërdrejtë.

Ndërsa, për shtetet e vogla si Shqipëria dhe Kosova politika e jashtme nevojitet të prioritizojë gjatë gjithë kohës dhe në çdo rrethanë marrëdhëniet me fqinjët. Kjo është për disa arsye:

Së pari, Shqipëria dhe Kosova kanë për rreth shtete të përafërta për nga madhësia, fuqia dhe statusi ndërkombëtar. Kjo baraspeshë kërkon shumë kujdes për ruajtjen e ekuilibrit, cenimi i të cilit vë në rrezik paqen e stabilitetin në Ballkan.

Së dyti, Shqipëria dhe Kosova kanë komunitete shqiptare në zonat midis tyre dhe shteteve fqinje. Këto kordone komunitetesh shqiptare kanë rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Kosovën. Nëse marrëdhëniet fqinjësore të Shqipërisë dhe Kosovës ruajnë normalitetin e bazuar në politikën e fqinjësisë së mirë si në parimet e normat ndërkombëtare dhe Evropiane për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të pakicave, këto komunitete mund të shërbejnë si ura miqësie midis shteteve. Nëse komunitetet shqiptare përreth Shqipërisë dhe Kosovës diskriminohen nga shtetet fqinje ato shndërrohen nga ura miqësie në kordonë krizash permanente në marrëdhëniet fqinjësore dhe në nivel Ballkanik.

Së treti, në mjedisin gjeopolitik dhe në rrethanat në të cilat ndodhen gjithë shtetet e Ballkanit fati i zhvillimit dhe prosperimit të tyre varen kryesisht nga orientimet e tyre Euro-Atlantike, pra nga integrimet në BE dhe NATO. Këto integrime kërkojnë hapje mendjesh, tregjesh, kufijsh për të siguruar lëvizje të lirë mallrash, kapitalesh, shërbimesh dhe njerëzish, sikundër edhe kërkojnë struktura sigurie kolektive nën ombrellën e NATO. Këto procese kalojnë vetëm përmes politikave të fqinjësisë së mirë.

Së fundit, trendëve të integrimeve Euro-Atlantike i shtohet edhe globalizmi si prirja më e fuqishme e kohës sonë. As integrimet Rajonale dhe as prirjet globalizuese botërore nuk mund të përballohen pa politika fqinjësore të stabilizuara.

Stabilizimi i fqinjësisë së mirë të Shqipërisë dhe Kosovës është sfidë komplekse. Kjo sepse ekzistojnë tre grup-problemesh: probleme të trashëgimisë historike, probleme të lindura mbas rënies së Murit të Berlinit, shpërbërjes së Jugosllavisë dhe tranzicionit demokratik si dhe probleme që lindin nga vetë krizat bashkëkohore.

Asnjë nga këto grup-problemesh nuk mund të nënvlerësohet dhe as të anashkakohet. Këto tri grup-problemesh lypet të mbahen në agjendën politiko-diplomatike në mënyrë permanente që të shkojnë gradualisht drejt zgjidhjeve të pranueshme nga palët dhe n përputhje me normat juridike ndërkombëtare.

Në prioritizimin e marrëdhënieve me fqinjët, me rëndësi themelore është bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë si dhe aleanca e këtyre dy shteteve shqiptare para së gjithash me ShBA si dhe me BE.

Dy shtetet shqiptare duken më të vendosurat në orientimet Euro-Atlantike. Ky avantazh mbarëshqiptar lypet të mishërohet në politikat konkrete me fqinjët nga Shqipëria dhe Kosova, bazuar në specifikat individuale të të dy shteteve me fqinjët respektive si dhe me strategji afatgjata të koordinuara në mënyrë të përbashkët.

Në politikat individuale dhe në strategjinë e përbashkët midis tyre Shqipëria dhe Kosova, edhe individualisht edhe strategjikisht janë dhe nevojitet të jenë faktor paqeje, stabiliteti, demokratizimi, zhvillimi socio-ekonomik dhe integrimi Euro-Atlantik të Ballkanit Perëndimor.

Më Shumë

Moti sot me temperatura deri në 20 gradë celsius

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot parashihet të jetë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Sipas njoftimit të këtij instituti,...

Fabrizio Romano poston foton me Kylian Mbappen: “Ja ku po shkojmë”

Kylian Mbappe është rrugës për t’u bërë galaktiku i radhës i Real Madridit. Sulmuesi francez njoftoi fundjavën e kaluar se po largohet nga Paris Saint-Germain. Natyrisht...

Lajmet e Fundit