18.9 C
Prizren
E enjte, 26 Qershor, 2025
Home Blog Page 6278

EC Ma Ndryshe, Hasan Hasanit: Ofendimet nuk janë shërbime publike

0

EC Ma Ndryshe reagon ndaj gjuhës ofenduese që drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Hasan Hasani ka përdorë të martën në komunikimin me monitoruesit e organizatës sonë, pak para fillimit të takimit të rregullt të Kryetarit të Komunës me drejtorët e Ekzekutivit lokal.

“Drejtori Hasani një pakënaqësi të tij, në lidhje me aktivitetet e organizatës, që lidhen ngushtë me interesin publik, e ka shprehur në bisedë me monitoruesin duke përdorë shprehje ofenduese, që nuk duhet të jenë pjesë e fjalorit të një zyrtari të lartë publik, e aq më pak të drejtuesit të dikasterit që angazhim kryesor ka shërbimet publike”, thuhet në reagim.

EC Ma Ndryshe përkujton se ky nuk është rasti i parë që ky zyrtar i lartë publik komunikon në këtë mënyrë me bashkëbiseduesit e tij. Përmes këtij reagimi EC Ma Ndryshe ia bën me dije drejtorit Hasani se ofendimet nuk janë shërbime publike. Prandaj, në vend të përdorimit të shprehjeve të ulëta ai duhet të koncentrohet në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Në të njëjtën kohë nënvizojmë se posti publik nuk është pronë as posedim i tij personal, prandaj dhe duhet të sillet konform përgjegjësive që ka marrë për t’i shërbyer publikut, dhe jo tekeve apo nervozës së tij personale”.

“Fyerjet dhe ofendimet në adresë të cilësdo palë nuk guxojnë të jenë pjesë e diskursit të zyrtarëve publik. Prandaj EC Ma Ndryshe shpreh indinjatën për këtë kulturë të shprehjes dhe kërkon nga drejtuesit e Komunës që ta kenë parasysh se sjelljet e tilla nuk përkojnë me standardet e qeverisjes së mirë dhe në interes të publikut”.

Pavarësisht nga ky incident, EC Ma Ndryshe thekson se nuk do të zmbrapset nga angazhimi i deritanishëm civil për një ambient më të mirë jetësor për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Arrestohet Visar Ymeri

0

Në mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës ka arrestuar në banesën e tij kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymerin.

Sipas VV-së, Visar Ymeri është arrestuar edhe pse gëzon imunitet, si deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Ai është dërguar me forcë në gjykatë, ku është i thirrur si dëshmitar”.

“Arrestimi i kryetarit të subjektit më të madh opozitar vjen pas qindra arrestimesh të aktivistëve e deputetëve të Lëvizjes në gjashtë muajt e fundit”.

“Arsyet e kësaj përndjekje mesjetare janë tërësisht politike, duke qenë se për gjashtë muaj me radhë Lëvizja VETËVENDOSJE! ka arritur të bllokojë marrëveshjet e dëmshme për vendin, atë për “Zajednicën” dhe “Demarkacionin””.

“Të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, përfshirë këtu kryetarin Visar Ymeri, shefin e grupit parlamentar Glauk Konjufca apo sekretarin organizativ Dardan Molliqaj, nuk janë njerëz që arratisen prej Kosovës për t’i ikur drejtësisë, siç bëjnë zyrtarët e lartë të partive në pushtet”.

“Të gjithë ne jemi të arrestueshëm, ndryshe nga kriminelët dhe multimilionerët e PDK-së dhe LDK-së që janë të paprekshëm. Por nuk do të vijmë vetë në gjyqet politike të urdhëruara nga pushteti. Do të vazhdojmë rezistencën deri sa ta shpërfaqim krejt dhunën policore dhe shumëstandartësinë gjyqësore të këtij pushteti me karakteristika totalitare”, thuhet në një reagim të VV-së. /PrizrenPress.com/

Hapet ekspozita “7 dhe 8 Marsi”

0

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot në orën 10:00, do hapë ekspozitën me temë “7 dhe 8 Marsi”.

Kjo ekspozitë do të organizohet dhe zhvillohet në objektin e Galerisë së Fakultetit të Arteve, dhe në të do të prezantohen punimet e realizuar nga nxënësit e nivelit parauniversitar të Komunës së Prishtinës.

Në hapje do të marrin pjesë Drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Triumfojnë Clinton dhe Trump

0

Përpara 8 nëntorit, ditës së zgjedhjeve presidenciale, e marta në SHBA ishte dita më e rëndësishme pasi u votua në 11 shtete njëkohësisht për të preferuarit e tyre republikanë apo demokratë, dhe fitorja në këtë ditë konsiderohet si një hap vendimtar dhe përcaktues për kandidaturën presidenciale. Për këtë arsye kjo ditë është cilësuar edhe si “super e marta”.

Demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump, janë dy kandidatët që kanë triumfuar të martën, duke siguruar përkatësisht nga 6 shtete.

Kandidatët demokratë

Hillary Clinton ka fituar: Xhorxhian, Virxhinian, Alabaman, Tenesin, Arkansas dhe Teksas

Bernie Sanders: Vermont, Oklahoma, Kolorado, Minesota.

Kandidatët republikanë

Donald Trump ka fituar: Xhorxhian, Alabaman, Masaçusets, Tenesin, Virxhinian dhe Arkansas

Ted Cruz: Teksas, Oklahoma.

Marco Rubio: Minesota

“Unë besoj se Amerika sot ka më shumë sevojë se kurrë për më shumë dashuri dhe mirësi”, tha Hillary Clinton duke iu drejtuar përkrahësve të saj në Majami, Florida.

“Kjo fushatë, siç mund ta dini ju të gjithë, nuk është thjesht për të zgjedhur një president, por për të transformuar Amerikën. Ajo është për ta bërë vendin tonë një vend të madh, ashtu siç ai ka mundësi të bëhet”, tha Sanders.

Triumfi i ditës së martë është mjaft i rëndësishëm, pasi do të përcaktojë një të katërtën e votave të nevojshme për të fituar emërimin nga partitë përkatëse si kandidatë për president.

– See more at: http://politiko.net/triumfojne-clinton-dhe-trump/#sthash.Yi4XGBAk.dpuf

Edhe Ibrahim Rugova ishte zgjedhur president me vota të PDK-së

0

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë se asnjë president deri më tani nuk është zgjedhur me vota të vetëm një subjekti politik.

Ai në këtë intervistë për “Epoka e re”, ka thënë se edhe Ibrahim Rugova është zgjedhur president me vota të deputetëve të subjekteve të tjera politike, edhe të atyre të PDK-së.

Mustafa ka bërë me dije se në seancën e Kuvendit të 26 shkurtit vota për president ka qenë edhe votëbesim për Qeverinë që drejton. Për thyerjen e disa zyrave të LDK-së, Mustafa ka thënë se opozita e bërë një veprim të tillë si hakmarrje pse deputetët e LDK-së mbrojtën institucionet dhe shtetin e Kosovës.

“Unë nuk shoh krizë politikë. Shoh vetëm veprime të dhunshme, joligjore dhe antikushtetues të opozitës”, thotë Mustafa, duke bërë me dije se LDK-ja me PDK-në kanë marrë përgjegjësi për të bashkëqeverisur dhe, sipas tij, gjatë kësaj periudhe marrëdhëniet kanë qenë shumë korrekte.

“Prandaj nuk kemi arsye t’i frikësohemi ditës së nesërme”, ka deklaruar Mustafa. /Epoka e re/

Përdhunimi i 15­-vjeçares shqiptare, gjykata liron grekun e akuzuar

0

Gjykata në Iraklio të Kretës ka vendosur sot pasdite të lirojë nga paraburgimi, 33 vjeçarin grek i akuzuar për përdhunimin e përsëritur të një vajze të mitur shqiptare, si dhe për disa akuza të tjera.

Vendimi i gjykatës greke ngjalli irritim te vajza e mitur, prindërit dhe familjarë të tjerë të saj të cilët ishin në sallën e gjyqit kur u komunikua rikthimi i lirisë për të riun grek, disa ditë pasi u vu në pranga në Hersonisou.

I riu u akuzua nga policia dhe prokuroria e ishullit të Iraklios (Kretë) për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur në mënyrë të përsëritur, prodhim dhe mbajtje materialesh pedofilie dhe pornografie me të mitur, kërcënim me jetë të të miturës, mbajtje pa leje të municioneve luftarake dhe posedim lëndësh narkotike.

Të gjitha këto akuza nuk mjaftuan për të bindur gjykatën që të mbajë në burg të dyshuarin grek. Gjykata vendosi ta lërë të lirë duke i ndaluar largimin nga Greqia dhe paraqitje periodike pranë autoriteteve policore lokale. Mësohet se në seancën e sotme të vlerësimit të masës së sigurisë në gjykatë, 33­vjeçari pretendoi se nuk e kishte përdhunuar të miturën, porse me të kishte një lidhje intime prej vitit të kaluar. Detajet e ngjarjes dhe dëshmia rrënqethëse e vajzës /Mapo/

Hashim Thaçi vizitoi Prizrenin

0

Presidenti në ardhje i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qëndruar sot në Prizren. Ai gjatë vizitës ka takuar pirë kafe në ‘Shatërvan’.

“Ndjehem i lumtur që sot ndodhem në qytetin e lashtë të kulturës, paqes, dashurisë, mirëkuptimit dhe tolerancës që e karakterizojnë Prizrenin”, tha Thaçi.

Ai premtoi se do të angazhohet edhe në postin e ri për të qenë zë i fuqishëm në mbështetje të të gjithë popullit të Kosovës.

“ Do të përkushtohem me tërë qenien time për ndërtimin e një Kosove të re me zhvillim të gjithanshëm”./TV Prizreni/

Arrestohet aktivisti i VV-së në Prizren, Faruk Dakaj

0

Aktivisti i VV-së në Prizren është arrestuar sot nga policia. Lajmin për arrestimin e Dakajt e kanë dhënë në rrejtin social në Facebook anëtarët e VV-së, Arbër Rexhaj,Artan Abrashi dhe Drita Millaku.

“I vetmi gabim i Farukut ishte që angazhohej maksimalisht kundër qeverisë së Rashkës”, shkruan Rexhaj.

“Arrestime të tilla të aktivistëve opozitarë gjithandej nëpër komunat e Kosovës, do ta sjellin shumë më afër fundin e kësaj qeverie”!/PrizrenPress.com/

Policia rajonale e Prizrenit me plan operativ

0

Përmes një komunikate për media, Njësia e Trafikut Rajonal në Prizren ka njoftuar se do të filloj me zbatimin e planit operativ “Kontrollimi i transportit publik-autobusët dhe kombibusët” i cili ka të bëjë me vendosjen e rregullit dhe mbarëvajtjes së komunikacionit në rajon, kryesisht me vendosjen e rregullit në transportin publik të udhëtarëve.

Më tej Njësia e Trafikut Rajonal në Prizren njofton se gjatë analizimit të situatës në terren janë gjetur shumë parregullsi si: parkimi i kundërligjshëm i automjeteve,ndalja në vende të rrezikshme në kundërshtim me rregullat e trafikut,mosrespektimi i të drejtës në vendkalimin për këmbësorë, ndalja dhe parkimi i pavend i autobusëve, lëvizja e autobusëve me shpejtësi të vogël me ç’ rast pengohet rrjedha normale e komunikacionit,transporti ilegal i udhëtarëve, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes se automjetit e tjera.

Trafiku Rajonali i Prizrenit bënë apel tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të jenë të vëmendshëm gjatë ngasjes me qëllim që t’i minimizojnë aksidentet e trafikut ku shpeshherë ka edhe jetë të humbura të njerëzve dhe dëme të mëdha materiale.

DokuFest rritë të hyrat në Prizren

0

Instituti GAP sot ka publikuar një analizë me titull “Ndikimi Ekonomik i DokuFestit 2015 si dhe parashikimet për 2016 – 2018”.

Blend Hyseni nga Instituti GAP prezantoi analizën e cila përmban të dhënat për ndikimin ekonomik të DokuFestit për qytetin e Prizrenit dhe ekonominë kosovare në përgjithësi në një periudhë afatmesme katër vjeçare.

Ky është raporti i dytë me radhë i Institutit GAP, i cili vlerëson ndikimin ekonomik të DokuFest-it, raporti paraqet ndikimin direkt dhe indirekt të festivalit në Bruto Produktin Vendor si dhe parashikime makroekonomike për vitet 2016-2018.

Përfituesit kryesor nga ky festival ishin bizneset lokale në qytetin e Prizrenit, si: hotelet, qiradhënësit, restorantet, kafe-baret, shitësit ambulant, por edhe bizneset në nivel kombëtar, si avio-kompanitë, bankat dhe kompanitë e telekomunikacionit. Ky festival po ashtu njihet për krijimin e mundësive për punësim, krijimin e investimeve të reja, ngritjen e të hyrave tatimore, dhe stimulimin e ekonomisë lokale përmes turizmit.

Duke u bazuar në të dhënat e grumbulluara gjatë festivalit të fundit 2015, ishin të pranishëm më shumë se 15,000 pjesëmarrës. Mostra e të anketuarve ka qenë me 1,015 respodent, paraqet 1/15 e vizitorëve total të DokuFest-it, ose çdo i katërti person qe ka blerë diçka në dyqanet e DokuFest. Kjo mostër konsiderohet gjithëpërfshirëse dhe e pranuar. Hulumtimi është bërë me vizitorë rezident dhe jorezident të qytetit të Prizrenit. Hulumtimi ka zgjatur nëntë ditë. Nga ta, rreth 7,000 apo 48%, merrnin pjesë për herë të parë, ndërsa mosha mesatare e tyre ishte rreth 26 vjet. Që nga viti 2011 e deri më tash, numri i pjesëmarrësve është rritur për më shumë se 50% dhe bazuar në trendet paraprake, ky numër do të vazhdojë të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme. Si rezultat, ndikimi i DokuFest 2015 në Bruto Produktin Vendor kap vlerën vjetore prej 2.4 milionë euro. Nëse llogariten edhe shpenzimet për konsum, ndikimi vjetor vlerësohet të jetë mbi 4.7 milionë euro.

Të dhënat e shpenzimeve tregojnë se një numër i madh i konsumit është i koncentruar tek shërbimet, e të cilat janë kryesisht vendore. Mirëpo me qarkullimin e parasë, në bazë të të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), 48% e produkteve të konsumuara importohen, për dallim me analizën e ndikimit ekonomik të DokuFest 2011, kur prirja për importim ishte supozuar 20% e që ka ndikim më të vogël në uljen e GDP-se se vlera e vitit 2015 që është 48%. Po ashtu, rritje në të hyra janë regjistruar edhe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Në krahasim me muajin korrik 2015, gjatë mbajtjes së DokuFest, të hyrat tatimore janë ngritur për 44%. Ndikimi ekonomik nuk kufizohet vetëm me qytetin e Prizrenit, ngase rritja e aktivitetit ekonomik përmes multiplikatorit qarkullon paranë në tërë Kosovën.

Venton Nurkollari nga DokuFest u shpreh se janë të zhgënjyer me përkrahjen që e kanë nga Komuna e Prizrenit, duke e parë buxhetin që operon DokuFest është shumë fish me i vogël se sa të hyrat që i gjeneron vetë festivali për qytetin e Prizrenit dhe ekonominë në përgjithësi. Duke u bazuar në faktet nga të dhënat e kësaj analize dhe nga Administrata Tatimore e Kosovës del se gjatë muajit Gusht kur mbahet Dokufesti të hyrat tatimore janë ngritur për 44%.

Andaj, DokuFesti si ngjarje kulturore më e madhe në Prizren si dhe në tërë Kosovën, duhet të përkrahet më shumë, jo vetëm nga Komuna e Prizrenit por edhe nga Ministria e Kulturës, që ta konsiderojnë festivalin si ambasador ku e përfaqësojnë Kosovën në vende të ndryshme të botës.

Ndërsa Agron Demi, drejtor në Institutin GAP, rekomandoi që ketë një linjë buxhetore të veçantë nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prizrenit që Dokufest të rendit si ngjarje kulturore të interesit nacional në Kosovë. /PrizrenPress.com/