28.7 C
Prizren
E hënë, 23 Qershor, 2025
Home Blog Page 6297

“Zambaku i Prizrenit”, përfundon në gjykatë

0

Festivalit “Zambaku i Prizrenit” ka përfunduar në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Ky festival tradicional, dyshohet se është keqpërdorur nga organizatorët e saj. Të dyshuar kanë qenë edhe zyrtarët e Drejtorisë së Kulturës në Prizren, mirëpo për shkak të mungesës së provave, ndaj tyre kanë pushua hetimet. Në mesin e tyre ka qenë edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kujtim Gashi.

Ndërkaq, organizatori i festivalit, Bashkim Rakaj është i vetmi që nuk ka mundur t’i shpëtojë aktakuzës së Prokurorisë.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj thotë se lënda është në procedurë.

“Pranë Gjykatës Themelore në Prizren është në vijim procedura paraprake ndaj të pandehurit me iniciale B.R. nga fshati Vërmicë – Komuna e Prizrenit për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale të mashtrimit nga neni 335 par.1 të KP-së”, tregon Kicaj për ‘PrizrenPress’.

Ndërkaq, Kujtim Gashi, Lulëzim Ibri dhe Urim Ukimeri në mungesë të provave, janë liruar nga akuza.

“Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj të pandehurve me inicialet K.G, L.I. dhe U.U., përkitazi me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 411 par.1 lidhur me nenin 31 të KP-së janë pushuar hetimet pasi që në bazë të provave të grumbulluara nuk është vërtetuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale të cekur më lartë”, tregon ajo.

Hetimet ndaj festivalit “Zambaku i Prizrenit”, patën filluar në vitin 2014. /PrizrenPress.com/

Vetëvritet për shkak të depresionit, 34-vjeçari në Shkodër

0

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkodër, ku një person ka qëlluar veten me armë zjarri. Burime policore lokale bëjnë të ditur se viktima është identifikuar me inicialet L.S dhe i moshës 34-vjeç.

Sipas policisë, shkak i vetëvrasjes së të riut, me banim në fshatin Vuksanaj, dyshohet të ketë qenë gjendja depresive. Në vendin e ngjarjes uniformat blu sekuestruanarmën e krimit, model 56, një krehër dhe gëzhojën e plumbit të qëlluar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për procedimin e mëtejshëm të çështjes. /albeu.com/

71 vjet nga vrasja e heroit Shaban Polluzha

0

Më 21 shkurt të vitit 1945 në fshatin Tërstenik të Drenicës vritet Shaban Polluzha, njëri ndër komandantët më të njohur të zonës së Drenicës gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shaban Polluzha rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike mesatare. Shabani nuk ishte i arsimuar, por si i ri u inkuadrua në jetën politike, të cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese.

U përball me bullgarë e austriak gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe me regjimin e Jugosllavie borgjeze. Gjatë mbretërisë jugosllave ishte i inkuadruar në jetën politike, kryetar e deputet. Shpesh konfrontohej me qarqet e regjimit antipopullorë dhe për një kohë u detyrua të kalojë në ilegalitet në Shqipëri.

Gjatë luftës se Dyte Botërore ishte komandant i një pjesë të frontit në Mal të Zi,KollashindheSanxhaku i Tregut të Ri, ku u dallua për organizim e strategji. Ishte anëtar i Këshillit te Islihatit (gjyqit paqetues) dhe me propozimin e Miftar Bajraktarit e emërojnë kryetar te Islihatit në Drenicë.

Shaban Polluzha kishte edhe taktike politike. Ai me strategji politi ke kishte bërë njëfarë lidhje formale dhe mashtruese me qarqet komuniste, por në realitet ai asnjëherë këtë ideologji nuk e pranoi si ideologji qe do të zgjidhte çështjen shqiptare. Për këtë paria dhe këshilli organizativ i Kuvendit të Skenderajt e propozuan për komandant të Brigadës së Drenicës. Dihet mirëfilli se pas kapitullimit të Italisë fashiste (shtator 1943) Shtabi Suprem i UNÇJ-së shtoi aktivitetin e vet ushtarak, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare dhe deri në nëntor 1944 (por edhe më herët) në këto hapësira, u formuan njësite të shumta të “UNÇJ-së”, duke filluar nga çetat, aradhet, batalionet e deri në brigada.

Këto formacione partizane edhe pse u formuan në truallin shqiptar nuk u formuan për të mirën e shqiptarëve.

Në gjysmën e dytë të vitit 1944,derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse…)përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Titoja do t´i shfrytëzojë këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare 1 dhe ripushtimin e Kosovës… Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj ,udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi. Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”,urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.

Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij.

Në këto operacione antishqiptare morën pjesë divizionet 24, 26, 44, 46, 52 të Serbisë. Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi (brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) 2 dhe repartet speciale të OZN-s të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq. Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë…, më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së J.B. Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Këtë vendim Titoja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serb: Savo Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin. Me këtë urdhër, i tërë pushteti në Kosovë do t´i kalojë një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe atë gjyqësor.

Kjo makineri ushtarake në Kosovë duke i marrë të gjitha masat gjoja për “spastrimin” e terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundërrevolucionarët” vrau e masakroi pamëshirë mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës. Në këtë fushatë të egër ushtarake më 21/22 shkurt 1945 u shua me gjak edhe kryengritja e Drenicës, pas vrasjes së tribunëve popullorë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica në kullat e Dvoranëve në Tërstenik.

Shaban Polluzha në vitin 2009 është dekoruar me medaljen “Heroi i Kosovës” nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu. Kurse, sot mbahet një Akademi Përkujtimore për heroin dhe komandantin Shaban Polluzha dhe luftën e tij çlirimtare për Kosovën dhe trojet shqiptare.

“The Independent” Qeverinë e Kosovës e quan regjim!

0

Gazeta britanike “Independent”, ka përshkruar zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe hedhjen e gazit lotsjellës si mjet për të kundërshtuar Qeverinë, që kjo gazetë e quan regjim.

Kjo është hera e parë që nje gazetë ndërkombëtare Qeverinë e Kosovës e quan regjim.

Zyrtarët policorë hyrën brenda sallës dhe nxorën jashtë deputetët, pasi u ndërpre puna e Kuvendit si pasojë e shpërndarjes së gazit. Disa kanistra u shpërthyen në Kuvend, si pjesë e protestës së opozitës kundër korrupsionit, papunësisë dhe marrëveshjeve diplomatike me Serbinë dhe Malin e Zi, raporton “Independent”.

Nuk është kjo hera e parë që opozita përdor lotsjellësin, shkruan tutje britanikja. Papunësia mbetet e lartë në Kosovë. Shteti, po ashtu, ka provuar t’i bashkohet OKB-së vazhdimisht, mirëpo është bllokuar nga Rusia në mënyrë të përsëritur.

Vendi ka bërë përpjekje të mëdha për të arritur unitet kombëtar dhe stabilitet, si pasojë e konflikteve etnike dhe ndasive fetare.

Caparci i Prizrenit, fshati i kurbetçinjve

0

Banorët ankohen në Komunën e Prizrenit,duan Shtëpinë e Kulturës dhe Ambulancën

Banorët vullnetarisht kanë ndërtuar xhaminë e tash edhe familja e Luz Thaçit shpreson se do të ndërtojë kishën e këtij fshati. Tashmë vendi është ndarë dhe pritet të merren edhe lejet përkatëse.

Rruga e asfaltuar që lidh fshatin Caparc me rrugën regjionale, disa kilometra infrastrukturë nëntokësore, shkolla e ndërtuar, i japin atributet e një vendbanimi modern fshatit Caparc  Komunës së Prizrenit.

Mirëpo, Xhavit Thaçi, banor i fshatit, pohon se kjo rrugë është dashur të vazhdojë edhe për lagjen e poshtme, që lidhet me fshatin Novakë. Ankesa më të mëdha, si ajo për mungesë kanalizimi dhe mungesë të asfaltit ka shprehur edhe banori Ahmet Shala. Hasan Hasani, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, shprehet se për shkaqe të natyrave të tjera ka mbetur kanalizimi i papërfunduar.

“Brenda muajit maj ai kanalizim atje do të përfundojë. Tashmë drejtoria ka zotuar jo më pak se 81 mijë euro për atë kanalizim. Kurse sa i përket shtrimit të asfaltit, tashmë e kemi përuruar urën në vlerë 40 mijë euro e domosdo se edhe asfaltimin deri tek ajo urë do ta bëjmë për ta lidhur fshatin Caparc me atë Novakë”, ka thënë Hasani/kosova sot/

Presidenti, javën e ardhshme

0

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, ka deklaruar se zgjedhja e tij për president do të bëhet gjatë muajit shkurt. Ndërsa, opozita dhe analistët thonë se Thaçi nuk është njeriu i duhur për t’u zgjedhur në krye të shtetit, prandaj në ditën që votohet në Kuvend, paralajmërojnë protesta në shesh

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, brenda javës së ardhshme pretendon të ngrihet në maje të shtetit, duke u zgjedhur president i pestë i Republikës së Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar vetë Thaçi, i cili ka siguruar se procedura e zgjedhjet së presidentit do të jetë konform rregullave kushtetuese dhe transparente.

Por, pavarësisht kësaj partnerët tjerë të koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë minoritare thonë se ende nuk kanë biseduar për zgjedhjen e presidentit.

Në anën tjetër partitë opozitare dhe analistët thonë se Thaçi nuk është figurë unifikuese, siç kërkohet të jetë një president i vendit, e për këtë kanë paralajmëruar protesta në ditën që del para Kuvendit për votim.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ka thënë se ai dhe partia e tij do ta respektojnë në tërësi marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partnerët tjerë të koalicionit që “përbëjnë rreth 90 deputetë”.

Thaçi ka thënë se zgjedhja e presidentit do të bëhet gjatë këtij muaji, megjithëse, sipas tij, Kryesia e Kuvendit ende nuk ka vendosur për datën e saktë të mbajtjes së seancës.

“Zgjedhja e presidentit të vendit do të ndodhë në afatin e rregullt kushtetues e ligjor në një procedurë të përpiktë dhe një proces transparent gjatë muajit shkurt… Ende nuk është caktuar nga kryesia e parlamentit, por ne do të respektojmë në tërësi procedurat, transparencën e plotë me një president me legjitimitet të plotë qytetar dhe natyrisht në një proces të transparencës së plotë në kuptimin legal”, ka deklaruar Thaçi në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

I pari i PDK-së më tej ka thënë se ai do të jetë njëri nga liderët më legjitimë në historinë e deritanishme të Kosovës/zeri/

Presidentët e marrëveshjeve

0

Katër presidentët e Kosovës së pasluftës, nuk janë zgjedhur pa marrëveshje politike dhe ndërhyrje ndërkombëtare, madje as presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova që ka gëzuar simpatinë më të madhe të popullit.

Presidentët janë zgjedhur në raundin e tretë të votimit. Këtë fat, duket se e ka edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, i cili pritet që të ngjitet në presidencë javën e ardhshme. Gjatë 15 vjetëve të pluralizmit, presidentët e Kosovës kanë qenë të “marrëveshjeve”

Gjatë 15 vjetëve të pluralizmit, në Kosovë kanë qeverisur gjashtë kryeministra e katër presidentë, të cilët janë zgjedhur pas marrëveshjeve të mundimshme politike dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare.

Asnjëri nga presidentët e pasluftës, përfshirë dhe presidentin historik Ibrahim Rugova, i cili ka gëzuar mbështetjen më të madhe të popullit, nuk ka arritur të zgjidhet në raundin e parë me votat e deputetëve. Rugova, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli si dhe Atifete Jahjaga, deri te pozita e presidentit nuk kanë ardhur dhe lehtë, shkruan Zeri.

Kjo praktikë, po e ndjek edhe të nominuarin e koalicionit për president (LDK-PDK) Hashim Thaçin, i cili e ka të vështirë të zgjidhjet në raundin e parë.

Polarizimet ndërmjet partive politike në Kosovë, që nga paslufta kanë qenë shumë të theksuara, që kanë pamundësuar zgjedhjen e presidentit me vota të njërës parti.

Ndonëse partia e tij në vitet e para të pasluftës do të fitojë zgjedhjet me shumicë votash, ish-presidenti i ndjerë Rugova në vitin 2001 është zgjedhur president në raundin e tretë të votimit në Parlament.

Në atë vit ai zgjidhet me marrëveshje, ku kryeministër emërohet Bajram Rexhepi nga PDK-ja, e që njihet si marrëveshja e shkurtit.

Edhe zgjedhja e tij e dytë në vitin 2004 është bërë me marrëveshje politike. Pas shumë negociatave, më 17 nëntor 2004, LDK dhe AAK arrijnë marrëveshjen për koalicionin qeverisës, bashkë me PSHDK-në dhe disa subjekte minoritare joserbe.

Deputetët peng të Isa Mustafës e Hashim Thaçit

0

“Mospërfillja e kërkesave të qytetarëve nga ana e pushtetarëve për të shkuar në zgjedhje, ka të bëjë me frikën e humbjes së pushtetit, peshën e mëkatit që ndiejnë mbi supet e tyre për të bëmat e shumta ndaj popullit të tyre, që për pasojë kanë rënien e kredibilitetit dhe humbjen e legjitimitetit qytetar. Këtë më së miri ua treguan dy protestat e fundit të qytetarëve, që janë në përputhje të plotë me 200 mijë nënshkrimet e qytetarëve kundër veprimeve të tyre antishtetërore dhe antikushtetuese”, thotë analisti Florim Zeqa.

Situata e krijuar së fundmi në Kosovë tregon se ky vend është shndërruar në qeverisje totalitare prej sundimtarësh dhe në shtet policor, për shkak të këtyre pushtetarëve të korruptuar e arrogantë, që kanë vendosur në mënyrë të pashembullt ta luftojnë opozitën dhe qytetarët shumicë me të gjitha mjetet e dhunës. Është evidente se nëse kjo Qeveri do të qeverisë deri në vitin 2018, vendi do të katandiset shumë keq.

Kjo për faktin se kjo Qeveri nuk merr parasysh asgjë, as peticionin me 200 mijë nënshkrime dhe as mundësinë për të bërë dialog me opozitën. Duhet të bëhen bashkë, opozita e bashkuar, shoqëria civile, të pavarurit, iniciativat e reja qytetare, mediet e pavarura, për ta shpëtuar vendin, shtetin e nëpërkëmbur nga ky pushtet i inkriminuar dhe i dhunshëm që po rrëshqet drejt shkatërrimit të shtetit përmes tradhtisë kombëtare e shtetërore. Politologu i njohur kosovar, Nexhmedin Spahiu, duke komentuar situatën e krijuar, thotë se dorëheqja nuk është kiamet i madh.

“Çdo politikan normal në një situatë të tillë do të dorëhiqej. Natyrisht pos atyre që kanë përfunduar në bërllokun e historisë. Ramush Haradinaj dha dorëheqje për t’ua përkujtuar se nuk bëhet kiameti, nëse jep dorëheqje”, ka thënë ai për “Kosova Sot”

Pse Faik Konica refuzoi Kongresin e Manastirit?

0

Kongresi i Manastirit krijoi alfabetin e gjuhës sonë me kritere shkencore në harmoni me tingujt e shqipes. Deri atëherë, si rrjedhojë e mungesës së një shteti të organizuar dhe të institucioneve shkollore, qarkullonin një mori alfabetesh. Buzuku, Budi e Bogdani, shkrimtarët tanë të hershëm, i shkruan librat e parë shqip me alfabetin e latinishtes, por me kombinime ose shenja diakritike që t’i afroheshin gjuhës së folur. Sot ata mund të lexohen vetëm me ndihmën e transkriptimeve, apo transliterimeve. Formula e Pagëzimit e Pal Engjëllit, dokumenti më i vjetër i gjuhës shqipe, i zbuluar deri më sot, gjendet i shkruar me shkronja latine.

Historiku i alfabeteve është i pasur dhe i larmishëm. Më shpesh u përdorën germa latine, e cila qe gjuha e kulturës dhe e akteve administrative për një kohë relativisht të gjatë, por krahas tyre u përdorën edhe shkronjat greke, madje dhe arabe. Bejtexhinjtë i shkruan veprat e tyre me shkronja arabe, duke hasur vështirësi të ndryshme, mbasi alfabeti arab shkruan vetëm bashkëtingëlloret. Mirëpo asnjë nga alfabetet e gjuhëve të tjera nuk u përshtatej plotësisht fonemave shqipe, çka i shtyu dijetarët e shkrimtarët tanë të nisnin përpjekjet për të hartuar alfabete origjinalë. Më i hershmi deri tani njihet alfabeti i Theodhor Haxhifilipit, përndryshe i Dhaskal Todrit. Në fund të shek. XVIII, ai krijoi një alfabet për nevojat e përthimeve të ungjijve dhe për korrespodencën personale. Nuk qe fort i përdorshëm për shkak të njësive të shumta grafike, por gjithsesi qe krejt origjinal. Naum Panajot Haxhi Bredhi nga Vithkuqi, ose Naum Veqilharxhi, hartoi Abetaren e parë (1835) dhe krahas saj edhe alfabetin përkatës me 33 shkronja. Më pas e vazhdojnë tragën arbëreshët Gjergj Guxeta, Kamarda, Zef Serembja e De Rada. Ata problemin e tingujve shqip e zgjidhnin me kombinime dyshkronjëshe të alfabetit italian. Vaso Pasha, guvernatori i Libanit, veç poemit patetik të njohur “Shqypnisë,” hartoi edhe një alfabet për t’iu përgjigjur nevoja kulturore. Vetëm 8 germa janë ndryshe nga alfabeti që kemi sot. Revista “Besa” e Kajros, (1904) përdori një alfabet, të afërt me alfabetin e tanishëm, ku ndryshojnë vetëm tre shkronja. Konica që botoi revistën “Albania” 1897, Bruksel, përdori alfabetin latin, me disa ndryshime për tingujt e shqipes. Revista “Albania” lexohet edhe sot pa vështirësi nga çdo njeri që di shqip.
Fundi i shek. XIX shënon zhvillimin e vrullshëm të alfabeteve. Në atë kohë qarkullonin disa alfabete, sikurse i Stambollit, që nga 1879, i Jezuitëve, i Shoqërisë Bashkimi dhe i Agimit, po në Shkodër. Përpjekje e projekte për një alfabet të veçantë që të shprehte saktësisht tingujt e gjuhës sonë, bëjnë edhe arbëreshët, arvanitasit, edhe shqiptarët e Zarës.

Germat ose simbolet grafike u përdorën së pari nga fenikasit, sipas parimit një shenjë – një tingull. Kjo gjetje ishte më e lehtë dhe më e praktike se shkrimi piktografik, ose kuneiform, prandaj u përhap shpejt dhe pushtoi Lindjen e afërt dhe Europën. Sot, pak vende në botë vazhdojnë të përdorin hieroglifët për arsye tradite apo për krenari kombëtare. Shenjat grafike janë mjet, marrëveshje midis njerëzve për të lehtësuar komunikimin midis tyre, simbole që në vetvete nuk kanë asnjë kuptim.

Kongresi i Manastirit qe finalja e një rruge të gjatë e të spërdredhur për miratimin e një alfabeti modern. Njëjësimi i alfabeteve qe bërë nevojë e ditës për hir të zhvillimit të kulturës dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare. Nisma erdhi nga gazeta “Kombi” e Manastirit dhe komisioni i ngritur për këtë qëllim u dërgoi ftesa gjithë personaliteteve që mendonte se ishin në gjendje të jepnin ndihmesë për çështjen në fjalë, kjo sigurisht ndikoi që Manastirit t’i takonte nderi të priste përfaqësuesit nga krahina të largëta dhe nga kolonitë shqiptare. Autoritetet zyrtare më të larta të vendit, sikurse Valiu dhe Kajmekami, për fat të mirë ishin shqiptarë dhe ata morën pjesë në punimet, u takuan me delegatët e dhanë pritje për ta.

Shpallja e Kushtetutës, (Hyrietit) nga Turqit e Rinj në korrik të atij viti, i ndihmoi shqiptarët të sanksiononin të drejtat e tyre legjitime. Xhonturqit kishin nevojë për përkrahjen e shqiptarëve, prandaj në muajt e parë u treguan tolerues.
Punimet e Kongresit filluan më 1 nëntor dhe vazhduan deri më 9 nëntor me kalendarin e vjetër gregorian, të njohur si alla-turka, pra nga 14 deri më 22 nëntor. Qenë tetë ditë të gjata të ngjeshura me mbledhje e diskutime e po ashtu edhe tetë ditë feste për ngjarjen e madhe.
Para delegatëve shtrohej detyra të shqyrtonin tre alfabetet kryesore dhe prej tyre të hartohej alfabeti i ri. Rrugët qenë tre, pohon Gjerasim Qiriazi, nënkryetar i kongresit.

1) Nëse duhet të përshtatnin njërin nga tre alfabetet kryesore: të “Stambollit” të “Bashkimit” dhe të “Agimit.”
2) Nëse duhet t’i kombinojnë të tria në një.
3) Nëse duhet t’i lënë mënjanë të tria dhe të adoptojnë një tjetër krejt të ri.
Diskutimet vazhduan gjatë për disa shkronja, me argumente pro e kundër. Së fundi u pa se qe e pamundur të shkriheshin në një dhe atëherë u vendos të mbahej alfabeti i Stambollit me disa ndryshime dhe krahas tij, të përdorej një tjetër me shkronja latine, si më praktik për shtypjen e librave dhe transmetimin e telegrameve me kodin Mors. Kjo zgjidhje kompromisi qe e domosdoshme që Kongresi të mos dështonte. U vendos të mbahej një kongres tjetër në Janinë pas dy vitesh për gjuhën e letërsinë e ndërkohë të shihej ecuria e alfabeteve të miratuar. Për shkak të Luftës Ballkanike, kongresi i paracaktuar në Janinë nuk u mbajt, po ndërkohë alfabeti latin u konfirmua gjerësisht, ndërsa ai i Stambollit u la mënjanë, u harrua.

Kushdo mund të pyesë: Si ngjau që Faik Konica, një nga dijetarët më të përgatitur në fushën e gjuhës dhe letërsisë, nuk pranoi të vinte në Kongres, madje e sulmoi ashpër, duke i cilësuar delegatët “Xhon Turqit e Manastirit”? Letra e datës 10 nëntor 1908, e rizbuluar tani së fundi në Arkivin e Shtetit, dëshmon qëndrimin e tij. Faik Konica shpreh rezerva të forta për rezultatet e Kongresit dhe parashikoi se alfabeti nuk do të jetonte gjatë, çka nuk u vërtetua. Besohet se ai u zemërua që ftesën ia dërguan vetëm ditët e fundit, sa për të larë gojën. Pandehmat janë se komiteti nismëtar e mënjanoi Konicën, për arsye të acarimeve midis tij dhe Mitat Frashërit, president i Kongresit. Nga letra e Konicës del se qenka zemëruar me të edhe Gjergj Qiriazi, “për arsye të Antologjisë që botoi Konica dhe ca më tepër se mori anën e priftit shqiptar”. Nuk dihet për cilin prift e ka fjalën Konica, po ndoshta për Fan Nolin. Më tutje shpërthen. “Pas kokës së Qiriazit duhet të bëhemi të gjithë agjentë të Biblës”. Qirjazët s’i kanë kërkuar kurrë askujt të kthehej protestant, ndërsa nderimi që shfaqnin ndaj Shoqërisë Biblike, buronte nga mirënjohja që ajo shoqëri siguroi lejen nga qeveria turke për hapjen e Mësonjëtores së Parë në Korçë. Te letra tjetër e datës më 11.XII.1908 dërguar po atij personi, ka të ngjarë Lef Nosit, Konica shkruan: “Shoh se Xhon Turqit e Manastirit muarnë, përveç abesë, (abecesë) së Stambollit, edhe atë që përdora unë, me nja dy ndryshime në mot të ri të Albanies, nga e keqja. Është e tepërt të ju thom që pas mendjes sime, një abe e tillë nuk mund të jetë përveç se e kohëshme. Por duke pritur, mund të punojmë me këtë abe për të qeshur.” Ironia e tij si gjithmonë është e mprehtë, por kësaj here e pasaktë, sepse alfabeti latin, të cilin ai e ndërmend me fjalët “atë që përdora unë” i qëndroi kohës dhe përfundimisht u bë alfabeti i gjuhës sonë.

Supozohet se Konica u prek në sedër, u fye që nuk e përfillën, që Komiteti nismëtar i Manastirit ia dërgoi ftesën shumë vonë, sa për të larë gojën, vetëm disa ditë para kongresit. Ka të ngjarë që komiteti hezitoi ta ftonte Konicën nga druajtja se ai do të kërkonte t’u impononte alfabetin e përdorur prej tij. Ka një fakt që flet në të mirë të këtij pohimi: alfabeti i Konicës nuk u përmend në punimet e Kongresit, sikur të mos ekzistonte fare.

Komisioni nuk e kopjoi në mënyrë mekanike alfabetin e Stambollit, po kreu disa thjeshtësime dhe pasurime përpara se t’ia paraqiste mbledhjes plenare të Kongresit. Luigj Gurakuqi qe ai që shpalosi para delegatëve germat e të dy alfabeteve te dërrasa e zezë që u vendos në krye të sallës.

Pranimi i dy alfabeteve, sado që qe një zgjidhje kompromisi, u bë që Kongresi të mos dështonte, prandaj dhe nuk ngjalli reagime. Ndërkohë nuk mungonin as shembujt pararendës. Gjermanët, për shembull, prej kohësh përdorin dy alfabete, njërin latin e tjetrin gotik dhe askujt s’i shkon mendja të ankohet.
At Gjergj Fishta dhe Dom Ndre Mjeda, të dy shërbyes fetarë dhe dijetarë të shquar, mbajtën qëndrime të kundërta për sa i përket alfabetit. Shkaku qe se ata u përkisnin dy klubeve të ndryshme, At Gjergj Fishta qe i “Bashkimit” ndërsa Dom Ndre Mjeda i shoqërisë “Agimi”.

Prof. Shaban Demiri, autoritet në fushën gjuhësore, shkruan se Kongresi i Manastirit vlerësohet me të drejtë si ngjarje e rëndësishme në historinë e popullit tonë, sepse forcoi e çoi edhe më tej lëvizjen kombëtare. “Fryma e mirëkuptimit që karakterizoi delegatët e Kongresit pa dallim krahine dhe feje, dëshmon qartë se shqiptarët dinë t’i kapërcejnë dasitë dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët, kur ngrihen mbi pikëpamjet e ngushta vetjake. E ky është mesazhi më kuptimplotë që na ka përcjellë Kongresi i Manastirit.”

Ramush Haradinaj: Më 7 mars duhet të shpallen automatikisht zgjedhjet

0

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është i bindur se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në fillim të muajit mars.
Në një intervistë për Top Channel, Haradinaj shprehet i bindur se lideri i Partisë Demokratike, Hashim Thaçi nuk do të zgjidhet president dhe si pasojë do të ketë zgjedhje të reja.

“Nuk besoj që do të zgjidhet, nuk besoj. Nuk e shoh këtë situatë të mundur. Mendoj se ne, më 7 mars do të shkojmë automatikisht në zgjedhje”, deklaron Haradinaj.

Për këtë arsye, Haradinaj e dorëzoi të premten edhe mandatin e deputetit të AAK-së. “Në fakt, unë mendoj se ky Parlament ka vetëm edhe një punë për të kryer, ajo për të shpërndarë veten. Pra, edhe largimi im nga Parlamenti e dha këtë porosi. Duhet ta shpërndajmë Parlamentin dhe duhet të shkojmë në zgjedhje”, thotë Haradinaj.

Në intervistën për Top Channel, Haradinaj komenton edhe deklaratën e ashpër të ambasadorit amerikan në Kosovë, i cili i quajti të neveritshme veprimet e liderëve të tri subjekteve opozitare në seancën e Kuvendit.

“Lutja ime për të gjithë është që të mos shohin vetëm metodat e opozitës, por edhe argumentet e saj. Të shohim edhe pakënaqësinë qytetare në vend. Të mos harrojmë se unë i kam ftuar në protestë ambasadorët. Sa herë që kemi pasur takime u kam thënë të gjithëve se, jeni të ftuar të vini në protestë. Ashtu siç shkoni të shihni qeverinë, të takoni ndonjë zyrtar apo ministër, ejani edhe në protestë”, nënvizon Haradinaj.

Edhe pse është larguar nga beteja opozitare brenda Kuvendit të Kosovës, Haradinaj shton se do të vazhdojë kundërshtimet opozitare bashkë me dy subjektet e tjera, Vetëvendosje dhe Nisma, me të cilat ai e pranon se ka shumë dallime.