21 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025
Home Blog Page 6299

Rrah një person për pronë në Suharekë, e arreston policia

0

Në fshatin Breshanc të Suharekës një person ka sulmuar fizikisht një tjetër pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor, raporton PrizrenPress.

Viktima ka pranuar tretmanë mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Policia e Kosovës njofton se të dyshuarin e ka arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

‘Plani sekret’ i opozitës?

0

Nëse deri më 27 shkurt Qeveria nuk jep dorëheqje, në protestën e radhës, do të ngrenë shatorët përballë Qeverisë dhe do të qëndrojnë aty deri në dorëheqjen e saj.

Partitë Opozitare tashmë i kanë dhënë Qeverisë ultimatum që të dorëhiqet, deri me një datë finale 27 shkurt. Por çka nëse kjo qeveri nuk tërhiqet?

Burime të gazetës Botapress kanë kuptuar se Lëvizja Vetëvendosje në partneritet me dy partitë opozitare AAK e Nisma kanë përgatitur një plan tjetër të protestës dhe të kundërshtimit të Qeverisë deri në dorëheqje. Ky plan megjithëse ende nuk është detajuar dhe ende mbahet “sekret” mendohet që të jetë pak më ndryshe nga protestat e deritashme.

Pra, nëse deri më 27 shkurt Qeveria nuk jep dorëheqje, në protestën e radhës, partitë opozitare nuk do të mjaftojnë vetëm me fjalimet e liderëve por do të ngrejnë shatoret përballë Qeverisë dhe do të qëndrojnë aty deri në dorëheqjen e saj.

Të kujtojmë se një praktikë e tillë është përdorë edhe nga Partia Socialiste e Shqipërisë disa vjet më parë në kërkim të dorëheqjes së Qeverisë Berisha. Por deputetët socialist u tërhoqën pas 3 muaj proteste në shatore, pa e realizuar qëllimin e tyre të shkakrimit të qeverisë së atëhershme Berisha.

Botapress ka kontaktuar dje deputetin e Vetëvendosje Rexhep Selimi i cili ka konfirmuar se edhe kjo mundësi nuk përjashtohet, por para asaj kemi plane më të mira.

“Ne kemi paralajmëruar protestën e radhës me 27 shkurt, dhe nuk heqim dorë deri sa të tërhiqet kjo qeveri, e kemi shumë përnime, dhe nuk e kemi ndërmend të ndryshojmë mendje, qëndrim apo qasje”, tha Selimi për Botapress.

I pyetur se nëse nuk dorëhiqet qeveria a është e vërtetë se ju si Lëvizje do të ngeni shatore para Qeverisë në shenjë proteste, Selimi tha se është herët të flitet për një veprim të tillë por që nuk e përjashtojmë as këtë formë të protestës si mundësi, por para kësaj kjo Qeveri duhet të jep dorëheqje dhe duhet të mbahen zgjedhje të reja tha deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi.

Nita Deda emërohet drejtoreshë e DokuFestit

0

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, njofton që ka emëruar Nita Dedën si drejtoreshë të Festivalit.

Nita Deda, që më parë ka qenë Drejtuese e Komunikimt të DokuFest dhe DokuNights, ka pranuar rolin dhe do të jetë kreu i DokuFest nga viti 2016 dhe tutje.

Kontributi i Dedës në DokuFest gjatë gjashtë viteve të fundit ka qenë qendror në rritjen dhe suksesin e festivalit. Deda udhëhoqi ekipin e komunikimit dhe e transformoj DokuNights në një ndër ngjarjet më të njohura të muzikës në Kosovë.

Deda vjen me një eksperiencë në prodhimin e filmave (Producente Atis: me regji të Daniel Mulloy), artit (Koordinatore e projekteve ndërkombëtare në Galerinë Kombëtare të Kosovës), marrëdhënieve me publikun (Koordinatore e komunikimit të Pavilionit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, në Edicionin e 55-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit 2013) dhe menaxhimit (Menaxhere e festivalit SURF në vitin 2011) dhe sjell një energji të fuqishme dhe krijuese në rolin e ri të Drejtorit të Festivalit.

Zhvillimi në udhëheqje është pjesë e planit strategjik për përmirësimin e strukturës së menaxhimit të organizatës. Eroll Bilibani, i cili ka qenë Drejtor i Festivalit për katër vitet e fundit, ka marrë rolin e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të organizatës duke u fokusuar në menaxhimin e projekteve vjetore të organizatës dhe zhvillimin e tyre të mëtejshme.

Si drejtoreshë e festivalit, Deda do të drejtojë rritjen strategjike të DokuFest dhe mbikëqyrë iniciativat dhe partneritetet e saj të reja. /PrizrenPress.com/

20 kosovarë me HIV

0

“Të diagnostikuarit me HIV përveç hallit për sëmundjen, vuajnë edhe nga paragjykimet se si të tjerët do ta presin lajmin për sëmundjen e tyre”, kështu thotë punëtorja sociale në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Sipas saj një numër i madh i pacientëve kur e kuptojnë që vuajnë nga kjo sëmundje, mbyllen në vetvete nga frika se si të tjerët do t’i  presin.

Në këtë klinikë  janë më shumë se 20 pacientë të cilët marrinë terapitë për HIV/AIDS

E në të gjithë Kosovën sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, për rreth 30 vite deri më tani janë infektuar 100 persona janë prekur me virusin HIV/AIDS,  në mesin e tyre ka edhe fëmijë.

E gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë regjistruar dy raste me sëmundjen HIV/AIDS.

Zëdhënësi në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë për Gazetën Fjala se  mosha mesatare e të prekurve me HIV është nga 15 deri në 24 vjet.

“Ka pasur raste të moshave të ndryshme, si të grup-moshës 15-24 vjeçe ashtu edhe të grup moshës 45-54 vjeçe. Por, ka pasur edhe raste të prekurish fëmijë, të cilët infeksionin e kanë marrë nga prindërit e prekur me HIV/AIDS”, ka thënë Hoti.

Sipas  tij nga 100 rastet e prekura me këtë sëmundje 41 persona kanë vdekur.

“41 kanë përfunduar me vdekje si pasojë e AIDS-it”, thotë Hoti.

Ai tregon se  në aspektin gjinor, 69 për qind i takojnë gjinisë mashkullore, ndërsa 31 për qind gjinisë femërore.

Ndërkaq  Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, është shprehur se bota është e përkushtuar për t’i dhënë fund epidemisë së AIDS-it dhe se deri në vitin 2030 kjo dukuri pritet të minimizohet.

“Tani më është bërë përparim i dukshëm. Synimi zhvillimor i mijëvjeçarit lidhur me frenimin dhe përmbysjen e HIV-it në nivel global është arritur. Në fund të vitit 2014 numri i vdekjeve të shkaktuara nga HIV-i është reduktuar në 42% nga 2 milionë sa ishte në 2004 në përreth 1.2 milionë në vitin 2014”, ka thënë ai në një raport të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar.

.Mirëpo vetëdijësimi i shoqërisë kosovare për këtë sëmundje nuk vlerësohet të jetë në shkallën e duhur.

Sociologu, Enver Hasani shprehet se pacientët që bartin këtë virus paragjykohen nga shoqëria. Sipas tij këtë kompleks nuk e partin vetëm pacientët por edhe familjarët e tyre të cilët vazhdimisht i  sigmatizon shoqëria.

“Momenti dhe impakti i parë kur këta persona marrin vesh diagnozën është shumë dramatik. Kanë ngarkesë të madhe emocionale. Nga njëra anë sepse se ka një sëmundje “vdekjeprurëse” dhe nga ana tjetër, është meraku se mos e marrin vesh të afërmit apo shoqëria”, ka thënë Hasani për Gazetën Fjala.

“Në pjesën më të madhe të rasteve këta persona kërkojnë mbështetje tek familja andaj si e tillë familja është një nga komponentët dhe aleatë për të asistuar të sëmurin për ta tejkaluar atë sfidë”, ka shtuar ai.

E ndëkohë Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë, njofton se në të gjitha rastet kur dyshohet se personi është i infektuar me HIV duhet të bëjë këshillimin dhe testimin vullnetar sa më të hershëm, që mundëson diagnostikimin e HIV infeksionit e me këtë edhe ndërmarrjen e masave të trajtimit dhe parandalimit të përhapjes së mëtejme tek të tjerët.

Përfaqësuesit e këtij Instituti tregojnë se trajtimi bëhet nën kujdesin mjekësor dhe në institucionet e specializuara për trajtim.

Vitin e kaluar, 1.2 milion njerëz në të gjtthë botën kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me AIDS-in. HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar, të tilla si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale./GazetaFjala/

Thaçi: Javën e ardhshme votohet Presidenti

0

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në Kosovë nuk ka krizë institucionale, por, siç tha ai, anarki opozitare.

Zëvendëskryeministri Thaçi, tha se zgjedhjet e reja do të mbahen në afatet kushtetuese, pas dy vjetësh, ndërsa zgjedhja e presidentit gjatë muajit shkurt.

Ai mohoi zërat se kriza aktuale në Kosovë po shfrytëzohet për të zvarritur ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, Kosova po shënon tetë vjetorin e pavarësisë së saj në një kohë kur po përballet me krizën politike më të rëndë që nga shpallja e saj. Si e shihni zgjidhjen e kësaj krize?

Hashim Thaçi: Kosova po shënon tetë vjetorin e pavarësisë në një rrethanë të përparimit, kemi fituar 111 njohje ndërkombëtare, është anëtarësuar në shumë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare në mesin e tyre edhe 29 federata sportive dhe presim që shumë shpejt Kosova të anëtarësohet në UEFA dhe FIFA, ndërsa sivjet për herë të parë do të marr pjesë edhe në lojërat olimpike në Rio De Janeiro. Kosova këtë tetë vjetor e shënon në një stabilitet shtetëror me një forcim të subjektivitetit të vet ndërkombëtar, si një vend i respektuar prej miqve dhe partnerëve të bashkësisë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë mund të them lirisht se ky tetë vjetor shënon edhe vitin e Kosovës evropiane sepse vetëm sa është nënshkruar marrëveshja e Stabilizim Asocimit por edhe tash kur jemi në prag të rekomandimeve për liberalizimin e vizave. Pra, kemi të bëjmë me një sukses të konsiderueshëm dhe në të njëjtën kohë shteti i ri i Kosovës përballet me sfida që i kanë edhe vendet tjera të rajonit, para se gjithash për të vazhduar trendin pozitiv të zhvillimit ekonomik, për të vazhduar thellimin e reformave në të gjitha sferat, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.

Zëri i Amerikës: Sipas jush, në Kosovë nuk ka krizë?

Hashim Thaçi: Në Kosovë ka anarki opozitare, por jo krizë institucionale, ka veprime arbitrare që e cenojnë dhe rrezikojnë demokracinë dhe të arriturat e Kosovës. Por, ne jemi të vendosur si institucione legjitime, legale dhe me një mazhorancë të fuqishme të vazhdojmë reformat e nevojshme, zbatimin e plotë të kritereve të Kopenhagës edhe në ekonomi, politikë dhe legjislacion, të punojmë për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, të krijojmë një ambient që çdo qytetar të ndihet mirë dhe krenar për të jetuar në Kosovë. Kosova është një vend i sigurt dhe me perspektivë të sigurt evropiane dhe se asnjë veprim anarkist ose që nuk përkon me traditën e qytetarëve të Kosovës, politikës së Kosovës dhe vizionit politik të vendit tonë nuk do të ngadhënjejë mbi vullnetin e qytetarëve, mbi institucionet legjitime, pra nuk do të mund të sfidohet as shteti e as institucionet prej asnjë ambicie që përmes rrugës të vijë në pushtet. Mund të ketë vërejtje dhe sugjerime për punën që bëhet, por ato duhet të prezantohen në institucionin më të nderuar të shtetit në Parlamentin e Kosovës. Ne e respektojmë të drejtën e njerëzve për të ngritur zërin ndaj çështjeve që janë të diskutueshme, por, në të njëjtën kohë duhet kuptuar se në pushtet arrihet përmes kutisë së votimit dhe jo përmes proceseve të dhunshme apo veprimeve arbitrare. Opozita kauzën e ka të gabuar dhe metodat i ka plotësisht të papranueshme.

Zëri i Amerikës: Opozita po kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kur kemi parasysh që ky është vit i zgjedhjeve edhe në një pjesë të madhe të rajonit, a mund të presim që kjo të ndodhë edhe në Kosovë?

Hashim Thaçi: Opozita është duke kërkuar ardhjen në pushtet edhe pa zgjedhje, është duke kërkuar shpërbërjen e parlamentit, por se kur shpërbëhet parlamenti vendoset në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe në afatin e rregullt kushtetues. Zgjedhjet do të organizohen në vjeshtën e vitit 2017 ato lokale ndërsa të përgjithshmet në qershor të vitit 2018. Vlerësoj që do të ishte me interes që udhëheqësit opozitar të kuptojnë, e para që të distancohen nga dhuna dhe e dyta të vihen në shërbim të përparësive të shtetit që ta forcojmë edhe më tepër dhe në asnjë rrethanë të pretendojmë për të dëmtuar pushtetin e në të njëjtën kohë janë duke e lënduar rëndë shtetin e Kosovës sepse koalicioni ka një mazhorancë të fuqishme dhe nuk është i cenueshëm politikisht prej këtyre veprimeve opozitare, por është duke u lënduar rëndë shteti i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ç’të keqe do të kishte nëse Kosova i mban zgjedhjet e parakohshme?

Hashim Thaçi: Ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje çdo herë që dikush humb garën elektorale dhe pastaj pretendon të përsërisë edhe njëherë atë proces elektoral. Zgjedhjet mbahen një herë në katër vite, mazhoranca në Kosovë është shumë e fuqishme dhe në zgjedhje shkohet nëse nuk ka mazhorancë koalicioni ose humb shumicën në parlament apo situata tjera, por në një situatë normale nuk ka arsye që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Përkundrazi, shteti do të funksionojë dhe do të kryej të gjitha obligimet që dalin përball me përparësitë që kemi si vend edhe në të njëjtën kohë përball bashkësisë ndërkombëtare. Ftoj të gjithë ata njerëz të distancohen prej veprimeve të tilla sepse i kanë qitur një hije të keqe shtetit tonë në këto gjashtë muajt e fundit.

Zëri i Amerikës: Kosova tash duhet të zgjedh edhe presidentin meqë skadon mandati i presidentes Atifete Jahjaga, Sipas marrëveshjes suaj me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ky post ju takon juve. A do të jeni ju presidenti?

Hashim Thaçi: Partia Demokratike e Kosovës dhe unë do ta respektojë në tërësi marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partnerët tjerë të koalicionit që përbëjmë rreth 90 deputetë. Zgjedhja e Presidentit të vendit do të ndodhë në afatin e rregullt kushtetues e ligjor në një procedurë të përpiktë dhe një proces transparentë gjatë muajit shkurt.

Zëri i Amerikës: Kur është kjo datë?

Hashim Thaçi: Ende nuk është caktuar nga kryesia e parlamentit, por ne do të respektojmë në tërësi procedurat, transparencën e plotë me një president me legjitimitet të plotë qytetar dhe natyrisht në një proces të transparencës së plotë në kuptimin legal.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, kundërshtarët nga opozita dhe një pjesë nga partneri juaj i koalicionit shprehen kundër kandidaturës suaj. Sa mund ta vështirësojnë zgjedhjen tuaj ata?

Hashim Thaçi: Unë nuk jam kandidat i ndonjë individi të caktuar, jam kandidat i një marrëveshjeje të përbashkët në mes dy partive të fuqishme në vend, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partnerëve tjerë të koalicionit. Unë kuptoj zërin opozitar, në të njëjtën kohë kuptoj edhe zërat që mund të dëgjohen aty, por mund të them se presidenti i ardhshëm i Kosovës do të jetë një prej presidentëve më legjitim që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës duke vlerësuar lartë edhe punën e presidentit Rugova, presidentit Sejdiu, presidentit Pacolli dhe presidentes Jahjaga.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, kriza politike në Kosovë pasoi mospajtimet për rezultatet e bisedimeve me Serbinë dhe se kundërshtarët e tyre thonë se nuk e kanë ndryshuar qasjen e Beogradit, dhe në të njëjtën kohë e kanë dobësuar Kosovën. Sa realisht kanë ndikuar këto bisedime për normalizimin e marrëdhënieve?

Hashim Thaçi: Dialogu në Kosovë ka shënuar një kthesë dramatike në kuptimin e largimit të ndikimit të Serbisë në Kosovë. Në anën tjetër të afrimit të komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës. Më herët disa prej tyre kanë qenë nëpër barrikada tash janë në Parlamentin e Kosovës, në institucionet legjitime, në anën tjetër ne kemi organizuar zgjedhje për herë të parë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës edhe në veri të vendit si ato të përgjithshme dhe lokale. Tash policia dhe doganierët e Kosovës janë në pikat kufitare me Serbinë. Kemi funksionimin e sistemit të drejtësisë, janë integruar serbët në policinë e Kosovës, po e ri integrojmë veriun përmes këtij procesi dhe po e largojmë ndikimin e plotë të Beogradit. Arsye për reagime të tilla nga opozita nuk ka pasur sepse këto reagime armiqësore ndaj komunitetit serb në Kosovë vetëm sa mund ta lëndojnë dhe dëmtojnë Kosovën e re evropiane, shumë etnike dhe të largojnë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën. Pra, thirrjet e tyre armiqësore janë të frikshme dhe shqetësuese edhe për serbët, por në të njëjtën kohë edhe për demokracinë në tërësi në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, procesi i bisedimeve lidhet me emrin tuaj. Sa ndjeheni përgjegjës për krizën që ka kapluar vendin?

Hashim Thaçi: Gjitha veprimet tona kanë qenë kushtetuese dhe ligjore. Marrëveshjen që kam nënshkruar në vitin 2013 është ratifikuar në Parlamentin e Kosovës. Ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese dhe është vlerësuar se është gjithçka në përputhje me Kushtetutën. Marrëveshjen e vitit 2013 që e kam nënshkruar ka marr pjesë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe e kanë votuar në parlament, e ka votuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës kështu që e vlerësoj edhe partinë e zotit Haradinaj për votimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në të njëjtën kohë vlerësoj lartë dhe konstruktivitetin të udhëheqësit opozitar dhe Lidhjes Demokratike të zotit Mustafa tash kryeministër aktual. Në atë kohë, unë kam arritur që të krijojë një unitet më të gjerë dhe të pranueshëm prej gjithë subjekteve politike në Kosovë ndërsa sot ata po reagojnë ndaj gjërave dhe çështjeve të cilat vet i kanë pranuar dhe vet i kanë votuar.

Zëri i Amerikës: Zoti zëvendëskryeministër, shumë veta në Kosovë por edhe jashtë saj pohojnë se kriza aktuale po shfrytëzohet për të zvarritur funksionalizimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte. Si i vlerësoni pohimet e tilla?

Hashim Thaçi: Unë sinjale të tilla nuk kam dhe opinione të tilla nuk kam. Kam dëgjuar opinionet e lira, por është një proces i pandalshëm. Kosova ka kryer të gjitha obligimet e veta, ne i besojmë sistemit të drejtësisë ndërkombëtare, nuk kemi asgjë për të fshehur dhe mendoj se ky proces duhet të shndërrohet në përparësi për Kosovën dhe jo të pretendohet që të paraqitet si frikë apo për të keqen e vendit tonë.

Zëri i Amerikës: Transparency International e radhiti Kosovën shume poshtë sa i përket shkallës së korrupsionit. Edhe, Këshilli i Evropës e cilësoi atë madje endemik. Ju jeni tashmë që nëntë vite në qeveri. Sa ndjeheni përgjegjës për këtë situatë?

Hashim Thaçi: Është fat që sistemi  i drejtësisë në Kosovë në kuptimin ekzekutiv është udhëhequr prej bashkësisë ndërkombëtare tash e 16 vite, njëherë prej UNMIK-ut dhe pastaj prej EULEX-it. Pavarësisht prej opinioneve të ndryshme, unë vlerësoj se EULEX-i ka bërë një punë të mirë, ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar së bashku me institucionet e vendit ndërsa tash po ndodh një proces krejt normal i bartjes së autoritetit më të fuqishëm tek institucionet e vendit. Institucionet tona kanë krijuar përvojën dhe ekspertizën e duhur, por natyrisht duhet të vazhdojmë edhe më tepër në këtë drejtim dhe do të jemi të pakompromis sepse është një prej kushteve themelore për të ardhmen evropiane të vendit.

Solana: Ballkani në rrezik

0

Ish-sekretari i NATO-s, Javier Solana, ka përshkruar ngjarjet e fundit në Ballkan dhe lëvizjet nacionaliste.

Në një konferencë në shkollën Diplomatike në Madrid, Solana ka thënë se Bashkësia Ndërkombëtare e ka humbur interesin për Ballkanin. Ai ka ngritur shqetësim mes raporteve te Serbisë dhe Kroacisë.

“Më së shumti i frikohem raporteve mes Serbisë dhe Kroacisë, pasi Kroacia është duk u udhëhequr nga një qeverisje patriotike, e ngjashme me atë të Hungarisë”, ka thënë ai.

Solana i cili është njohur vazhdimisht për raporte të mira me serbët, ka shtuar se Kroacia është më shumë e favorizuar nga shteti më i fuqishëm i BE-së, Gjermania, për shkak të raporteve tradicionale dhe katolicizmit, kurse Serbia, për këtë shkak, është rrezik që nga inati, të lidhet me Rusinë.

“Nuk duam një Serbi të tillë e cila do të mundësonte që përmes saj, të fute Rusinë në BE”, ka thënë ai.

Anëtari i partisë Socialiste Punëtore në Spanjë (PSOE), shtet ky që hynë në mesin e pesë të tjerave në BE që nuk e kanë njohur Kosovën, ka thënë se gjërat në shtetin e ri, nuk kanë kaluar mirë.

“Kufijtë mes Serbisë dhe Kosovës janë jolegale, por prapë janë kufij, por Serbia tregoi gatishmëri për bisedime. Gjithashtu duhet ta kem parasysh edhe Shqipërinë, si një shtet i vështirë”, ka thënë ai.

Solana, i cili ishte sekretar i përgjithshëm i NATO-s, gjatë kohës kur kjo aleancë ndërmori sulmin ajror ndaj Kosovës, ka thënë se Spanja do të vazhdojë të mbajë qëndrim të njëjtë ndaj Kosovës. /lajmi.net/

Lirohet nga burgu pas 43 vitesh izolim

0

Albert Woodfox, është liruar pas 43 vitesh që qëndroi në izolim.

69 vjeçari është liruar nga burgu i Luisianas ku mbahej nga prilli i vitit 1972 nën akuzën për vrasjen e një roje burgu, transmeton Klan Kosova.

Gjatë gjithë këtyre viteve ai vetëm një orë në ditë kishte të drejtë të “stëvitej në oborr” mirëpo gjithmonë i prangosur dhe ndaras nga të tjerët kurse për 23 orët e tjera të ditës ai mbahej i izoluar.

Woodfox ishte shpallur fajtor për vrasjen e Bren Miller, mirëpo ai asnjëherë nuk e ka pranuar këtë gjë. Tani pas më shumë se katër dekadave ai më në fund pranoi fajësinë kështu duke bërë marrëveshje me prokurorët e Lousianas.

I pyetur se çfarë do bënte tani që është i lirë, Woodfox është përgjigjur se do shkonte ta vizitonte varrin e nënës që kishte vdekur gjatë kësaj kohë, mirëpo që ai nuk kishte pasur mundësi të ishte në ceremoninë e varrimit.

Vrau me thikë 39-vjeçarin, arrestohet autori

0

Policia e Tiranës ka arritur të arrestojë të dyshuarin si autor të ngjarjes së Shkozës, ku një 39-vjeçar humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga një mjet prehës.

Uniformat blu të kryeqytetit arrestuan 29-vjeçarin Ergest Zhupani, pasi nga hetimet paraprake besohet të ketë qenë ai që ka goditur viktimën A. Lico mbrëmjen e së premtes.

“Arrestimi i tij u bë sepse më 19 shkurt, në orën 22.00, në rrugën ‘Shemsie Haka’, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prehës në kraharor, shtetasin A. Lico, 39-vjeç, banues në Tiranë, i cili ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagës së marrë”, thuhet në raportin e policisë.

Nga të dhënat e para, autori mendohet të ketë qenë në gjendje të dehur në momentin kur ka kryer krimin, ndërsa më pas është larguar në këmbë, duke përfituar edhe nga errësira. /Top Channel/

Në paqe, Harper Lee

0

Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare shkrimtarja e mirënjohur amerikane, Harper Lee, autorja e librit “Të vrasësh zogun përqeshës”. I botuar në vitin 1961, libri që trajton temën e racizmit në Amerikën Jugore, u kthye në një pikë referimi për letërsinë e shekullit të 20-të.

Beteja e një avokati në një qytet të vogël amerikan, për të shpëtuar jetën e një njeriu me ngjyrë që kërcënohej vazhdimisht nga një turmë raciste, shiti më shumë se 40 milionë kopje në mbarë botën.

Ky libër i dhuroi Harper Lee çmimin “Pulitzer”. E ndërsa në vitin 2007 George Bush e nderoi me  medaljen presidenciale të lirisë.  Ndonëse shumë e dashur për publikun, intervistat e saj për mediat  ishin të rralla. Por, përveçse nuk donte të ishte në qendër të vëmendjes së publikut, Harper Lee këmbëngulte vazhdimisht  se nuk kishte ndërmend të publikonte vepra të tjera. Derisa në vitin 2015, autorja e theu premtimin dhe botoi librin “Të vendosësh një roje”.

Fansa të shumtë dhe personalitete anë e mbanë botës nderuan kujtimin e shkrimtares së mirënjohur amerikane, e cila përveçse kontributit të saj letrar do të mbahet mend edhe për shprehjen: “Asnjëherë  nuk mund të kuptosh një person, derisa t’i shohësh gjerat nga këndvështrimi i tij… apo derisa të futesh nën lëkurën e tij dhe të ecësh bashkë me të”.

Tri dorëheqjet e Ramush Haradinajt

0

Ramush Haradinaj është larguar nga dy mandate deputeti dhe nga pozita e kryeministrit. Dy dorëheqje i ka ofruar për shkak të akuzave për krime lufte. Të tretën për “gjendjen e krijuar në Kosovë”.

Për pesëmbëdhjetë vjet karrierë politike, Ramush Haradinaj ka dhënë tri herë dorëheqje. Herën e parë nga pozita e kryeministrit. Të dytën dhe të tretën nga pozita e deputetit.

Ai mund të cilësohet si lideri më fatkeq sa i përket posteve politike.

Seanca e fundit e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si deputet, është ajo e së premtes. Gjatë kësaj seance përjetoi tërheqjen zvarrë të kolegëve të tij opozitar nga Policia e Kosovës për shkak të hedhjes së mjeteve të klasifikuara si armë – gazit lotsjellës në Kuvend.

“Në mandatin tim prej deputeti, jam munduar që të ngre shqetësimet e mia serioze për çështje me interes për vendin, duke përfshire edhe gabimet që po bëheshin me nënshkrimin e dy marrëveshjeve kontestuese, Demarkacionin dhe Asociacionin, por jam injoruar nga uzurpatorët e pushtetit e të Kuvendit”, ka thënë Haradinaj në arsyetimin e dorëheqjes.

“Pikërisht si rezultat i një injorimi të tillë dhe e një papërgjegjësie ekstreme të pushtetarëve të këtij vendi, e vetmja rrugë veprimi e imja si deputet, kishte mbetur logjika e kundërshtimit me gaz”.

Ai i liroi vendin Ali Berishës në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj ka dhënë dorëheqje edhe në vitin fillim të vitit 2008 nga pozita e deputetit. Asokohe ndodhej në Gjykatën e Hagës në rigjykim për krime lufte që supozohej se kishte kryer në rajonin e Dukagjinit ku kishte komanduar gjatë viteve 1998-1999.

“Nuk mund të lejoj që në burg të mbahet një deputet”, ishte arsyetuar ai kur kishte dhënë dorëheqje pas certifikimit të zgjedhjeve.

Paraburgosja në Hagë nuk e kishte penguar Haradinajn që në ato zgjedhje të ishte prijës i listës për deputet dhe kandidat për kryeministër, pozitë kjo e lakmueshme prej tij.

Dy vjet e gjysmë më herët, Haradinaj kishte mbajtur pozitën e kryeministrit për 100 ditë falë zemërgjerësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe liderit të saj të ndjerë, Ibrahim Rugova. Me tetë për qind të votave, ai kishte fituar pozitën e kryeministrit.

Haradinaj u zgjodh në këtë pozitë më 3 dhjetor 2004.

Më 8 mars të vitit 2005, Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi publikoi aktakuzën për krime lufte ndaj tij.

“Sot kam dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës”, kishte thënë ai në një konferencë për media. Prapa tij qëndronte i terë kabineti qeveritar. Astrit Haraqija, ministër i Kulturës kishte derdhur lot për të.

Të nesërmen shkoi vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Me të mbërritur atje, u burgos. U gjykua për krime të rënda.
Por u shfajësua prej të gjitha akuzave.

Në Hagë u thirr për rigjykim dhe sërish u shpall i pafajshëm. Nga Haga u detyruar ta lirojë pozitën e deputetit.

E, Kur u kthye në Kosovë, u prit si hero lufte. Hashim Thaçi ia shtroi edhe tepihun e kuq në Aeroport. Ai tepih është vlerësuar si djegia më e madhe politike që ka përjetuar Haradinaj. Donte që Thaçi t’ia lëshonte postin e kryeministrit.

“Nuk kemi kohë, duhet me punu”, kishte thënë ai.

Këtë dëshirë e ushqeu disa muaj, derisa Thaçi ia bëri me dije se nukia lëshon postin e kryeministrit.

Në zgjedhjet e fundit, u zgjodh deputet ku qëndroi deri të premten. Ai është vetëm kryetar partie, mirëpo i gatshëm për të punuar për Kosovën nga pozita e kryeministrit. /insajderi.com