17.4 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025
Home Blog Page 6300

Kryeziu: Bashkësia ndërkombëtare lejoi krimin e korrupsionin në Kosovë

0

Njëri prej udhëheqësve të LDK-së për një kohë të gjatë, Eqrem Kryeziu i është kthyer historisë duke folur për kohën e pasluftës. Ka thënë se në atë kohë bashkësia ndërkombëtare përmes kërkesës për stabilitet lejoi krimin e korrupsionin në Kosovë.

Madje, Kryeziu ka thënë se bashkësia ndërkombëtare përmes UNMIK-ut instaloi njerëzit e diktaturës komuniste, të cilët ishin të trajnuar për të shërbyer si skllevër dhe shtetrrënues.

Reagimi i Eqrem Kryeziut:

Të kthehen gjërat në vendin e vet

Arsyetimi se gjërat do rregulluar një nga një ishte një mistifikim i kobshëm që bashkësia ndërkombëtare bëri në Kosovë. Thuhej: së pari stabiliteti, pastaj demokratizimi, pastaj sundimi i ligjit, pastaj zhvillimi ekonomik.

Një shoqëri është e ngjashme me organizmin e njeriut. Ky organizëm vdes po qe se kujdesemi vetëm për qarkullimin e gjakut, por nuk nuk e lejojmë të marrë frymë ose të ushqehet.

Për më tepër, meqë stabiliteti kërkuaka të mos luftohet krimi, atëherë nuk do ta luftojmë krimin. Bashkësia ndërkombëtare sajonte vetë mesazhin që i pëlqente ta merrte, sepse duke e shndërruar Kosovën në pre të krimit ekonomik e të krimit të organizuar, krijonte alternativën e rrënimit të shtetësisë së Kosovës, duke bërë nga ajo një gogol në sytë e kundërshtarëve të saj si dhe duke justifikuar kundërshtinë e pakicave për të mos u integruar me kohë, përkundrazi: duke u larguar revan nga çdo lloj integrimi. Besoj se tani e shohim qartë këtë rrjedhë.

Dhe kur thuhej: stabiliteti është parësor e kishin fjalën për stabilitetin dhe për rehatinë e vet.

A e kanë parë miqtë e Kosovës këtë proces? Nuk kemi ndonjë përgjigje. Mirëpo se UNMIK-u kërkonte me qiri e me pishë njerëzit e diktaturës komuniste, kjo ka qenë evidente. Mund ta marrim me mend se ai mision kërkonte njerëz që janë stërvitur të shërbejnë, duke qenë se padron, madje i paprekshëm, ishte vetë.
Njerëz që shërbejnë, do të thotë – skllevër pa atdhe. Dhe jo vetëm kaq. Mbase edhe shtetrrënues.

Ndërkaq Kosova kishte nevojë për njerëzit që do ta trajtonin si atdhe, madje si atdhe të vetëm. Dhe këta nuk kanë munguar gjatë gjithë historisë së saj. Përndryshe, si do të bëhej çështje për t’u zgjidhur?

As sot nuk mungojnë dhe është koha të japin energjinë edhe mirëkuptimin edhe dashurinë e tyre, në mënyrë që të kalohet nyja e turpshme e Gordit.

Ka vdekur shkrimtari Umberto Eco

0

Mediat italiane njoftojnë se të premten në ora 22:30 vdiq shkrimtari i përmasave botërore Umberto Eco.

Lajmin për vdekjen e shkrimtarit dhe filozofit të famshëm e ka konfirmuar familja e tij e cila ka njoftuar se Eco ka vdekur mbrëmë rreth orës 22:30 në shtëpinë e tij.

Umberto Eco lindi më 5 janar 1932 ndërsa ishte studiues i semiotikës mesjetare, filozof, kritik letrar dhe novelist. Ishte më së shumti i njohur për romanin ” Emri i Trëndafilit” (Il nome della rosa) i botuar në vitin 1980. Romani është një mister intelektual që nderthur semiotikën në një vepër letrare, analizën biblike, studimet mesjetare dhe teorine mbi letërsinë. Ai ka shkruar gjithashtu tekste akademike, libra për fëmijë dhe shumë ese.

Eco ishte president i Scuola Superiore di Studi Umanistici në universitetin e Bolonjës, anëtar i Accademia dei Licei dhe Bursist Nderi në kolegjin Kellogg në Universitetin e Oksfordit.

Eco ka lindur në Alessandria në rajonin e Piemontes në Italinë e veriut. Mori arsimin bazë pranë urdhërit Salezian. I ati i sugjeroi Umbertos të studionte për jurist por ai u regjistrua në Universitetin e Torinës për të studiuar filozifinë dhe letërsinë mesjetare.

Shkroi tezën e vet të diplomës mbi Tomas D’Akuinin dhe fitoi diplomimin në letërsi në vitin 1954. Gjatë kësaj kohe, Eco u largua nga Kisha Katolike pasi pësoi një krizë besimi.

Ai punoi si redaktor kultute te Radio Televizioni i Italisë (RAI) dhe si profesor në Universitetin e Torinos. Një grup avangardë artistësh, piktorësh, muzikatësh dhe shkrimtarësh, me të cilët u miqësua gjatë punës te RAI, të quajtur “Grupi 63”, patën një ndikim të madh te karriera e tij e ardhshme si shkrimtar.

Libri i tij i parë. “Il problema estetico in San Tommaso”, i cili qe një variant i zgjeruar i tezës së tij të doktoraturës u publikua në vitin 1956.

Në vitin 1962, Eco u martua me Renate Ramge, një mësuese gjermane e artit, me të cilën ka një vajzë dhe një djalë. Jetoi pjesërisht në Milano dhe pjesërisht në shtëpinë e vet të pushimeve pranë Riminit. Zotëronte një bibliotekë me 30 mijë volume në Milano dhe një tjetër me 20 mijë volume në Rimini.

Ndër veprat e tij të njohura cilësohen: “Emri i trëndafilit”, “Lavjerrësi i Fukosë”, “Baudolino”, “Viti Zero”, etj.

Jopartiakët, alternativa e shpëtimit

0

Dalja nga bllokada politike dhe shtetërore. Zgjedhjet e reja mund të nxjerrin në skenë subjekte të reja

Derisa edhe me seancën e parë të Kuvendit të Kosovës për fillim të vitit 2017, që filloi punimet gjatë ditës së djeshme, u pa qartë se normaliteti dhe stabiliteti i institucioneve të shtetit të Kosovës nuk mund të rikthehet derisa nuk ka akordim mes pozitës dhe opozitës, përjashtimi i opozitës nga punimet e seancës vetëm sa e ka thelluar edhe më shumë hendekun politik dhe krizën institucionale.

Zgjidhja e vetme mbetet në shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme, njëkohësisht me atë për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, qoftë me gjetjen e një kandidature konsensuale nga spektri politik në vend apo edhe me marrëveshje për zgjedhje të drejtpërdrejtë nga vota qytetare.

Analistët vlerësojnë se zhgënjimi nga partitë aktuale favorizon nismat e reja, të cilat nuk janë të ngarkuara politikisht, por kanë kapacitete për të bërë ndryshime.

Politologu Albinot Maloku për Kosova Sot thotë se Republika e Kosovës, pas zgjedhjeve të fundit, nuk pati një stabilitet politik bash në kohën kur Kosova e pati më të nevojshme stabilitetin e zhvillimin e saj si shtet, dhe kriza u instalua sidomos nga ish-blloku VLAN e më pastaj me ikjen nga ky bllok të LDK-së dhe bashkëngjitjen e saj me PDK-në, për të vazhduar me një situatë kur Kosovën e kapluan krizat e gjithanshme. Maloku pohon se nuk ka shans që kriza tani të zgjidhet.

“Tani, si kurrë më parë, shteti i Kosovës dhe politika e tij ka nevojë për një proces zgjedhor me alternativa të reja”, tha Maloku. /Kosova Sot/

Kuvendi mos të shndërrohet në arenë gladiatorësh

0

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Behxhet Shala, ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës mos të shndërrohet në arenë gladiatorësh.

Ai në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se në vend se të ketë përpjekje për përafrim të pozitës dhe opozitës, fjalori politik i tyre po rëndohet dhe kështu kriza po shkon duke u thelluar.

Shala e ka vlerësuar vendimin e Ramush Haradinajt për dorëheqje nga posti i deputetit.

Sipas tij, Haradinaj me këtë veprim është përcaktuar të jetë opozitë e vërtet.

Shala ka sugjeruar se një hap të tillë ta ndjekin edhe deputetët e tjerë të cilët duan të jenë opozitë e vërtet.

Egërsohet pushteti

0

Republika shndërrohet në shtet policor. Kundërshtarët e Qeverisë përballen me dhunë shtetërore

Barrikadimi i Kuvendit të Kosovës me forca policore, për të pamundësuar pjesëmarrjen e opozitës parlamentare në seancë dhe vazhdimi i arrestimit të deputetëve opozitarë për veprimet e tyre në Kuvend, nga analistët politikë është cilësuar si kulmi i arrogancës së pushtetit.

Duke iu referuar zhvillimeve të djeshme në Kuvend dhe protestës së 17 shkurtit, kërkesave që po injorohen nga ekzekutivi, politologu Faik Krasniqi vlerëson se ky pushtet, i udhëhequr nga dyshja mafioze Mustafa-Thaçi, me arrogancën e tyre kundrejt popullit dhe opozitës, ka kohë që e kanë humbur legjitimitetin e popullit për të qeverisur.

“Kjo dyshe mashtruese dhe arrogante, me gjithë shkeljen e Kushtetutës dhe dështimeve të njëpasnjëshme, nuk janë duke e marrë seriozisht indinjatën masive të popullit të gënjyer dhe të mashtruar skajshmërisht. Edhe pjesëmarrjen masive të qytetarëve në protestat paqë- sore dhe demokratike të 17 shkurtit, ky pushtet nuk e mori seriozisht, por në vend të kësaj ata kërcënuan dhe fyen qytetarët, duke i quajtur egërsira, me të njëjtin fjalor si të Jablanoviqit, dhe me fjalorin e diktatorit serb Milosheviq, kurse dje shpërtheu edhe me arrestime të reja të deputetëve të opozitës, duke e treguar fytyrën e vërtetë të instalimit të një pushteti policor”, tha politologu Faik Krasniqi për Kosova Sot.

“Sa më parë që ky pushtet të largohet, për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja, aq më mirë për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, sepse sovrani më 17 shkurt tregoi që nuk e duan këtë pushtet arrogant, mashtrues dhe mafioz. Në të kundërtën, fundin do ta kenë me një rënie të turpshme nga pushteti, siç kanë rënë edhe diktatorët më të tmerrshëm që ka njohur historia”, tha Krasniqi. /Kosova Sot/

Kënga mes Mozartit dhe Salierit

0

Zbulimi i një kënge të shkruar nga të dy kompozitorët mund të shuajë përfundimisht zërat se Wolfgang Amadeus Mozart u vra nga konkurrenti i tij italian, Antonio Salieri.

Më herët, historianët njëzëri dhe të shumtë në numër, e kanë hedhur poshtë teorinë në bazë të së cilës, italiani ishte një vrasës mediokër i fiksuar dhe xheloz, edhe pse ky perceptim zgjati shumë

Zbulimi

Të shumta kanë qenë versionet që kur Mozart-i vdiq në vitin 1791. Por ideja u përhap anembanë botës gati 200 vite më pas, pas rrëfenjës së shkruar nga Peter Shaffer-i, që tregonte për jetën dhe vdekjen e një prej gjenive më të mëdhenj të muzikës të të gjitha kohërave nëpërmjet syve të rivalit të tij, Salieri-t. Në fillim, vepra e tij mori çmimin “Tony” në 1979, dhe më pas ajo u kthye në një film me regjisor Milos Foreman-in, i cili fitoi çmimin “Oscar” në kategorinë “Best Picture” në 1985-n. Historianët njëzëri dhe të shumtë në numër, e kanë hedhur poshtë teorinë, duke përfshirë këtu edhe portretin e Shaffer-it, në bazë të të cilit, Salieri ishte një vrasës mediokër i fiksuar dhe xheloz, edhe pse ky perceptim zgjati shumë. Por tani, zbulimi më i fundit në një muze në Çeki, i një kënge e cila është shkruar në bashkëpunim, si nga Mozart-i, ashtu edhe nga Salieri mund të bëjë të heshtin përfundimisht të gjithë llafazanët, pas 225 vjetësh. Kjo këngë u gjet në fillim të vitit 2016 nga kompozitori dhe muzikologu gjerman Timo Jouko Herrmann, në librarinë e Muzeut Kombëtar të Çekisë. Ajo u kompozua në 1789, përgjatë një prej periudhave më prodhimtare të Mozart-it që nuk ndali deri në vdekje. “Kjo është një punë e përbashkët e Mozart-it dhe Salieri-t. Një kompozim që duhet vlerësuar. Ne kishim menduar se e kishim humbur atë”, u shpreh zëdhënësja e Muzeut Kombëtar të Çekisë, Sarka Dockalova. Kënga titullohet: “Per la Ricuperata Salute di Ofelia”, që përkthehet “Për shëndetin e shëruar të Ofelias”. Mendohet se Ofelia është sopranoja angleze Nancy Storace, shumë e njohur në fund të shekullit XVII. Roli i Suzanës në krijimin magjik “Le Nozze di Figaro”, Mozart-i e shkroi pikërisht për të. Kjo këngë u kompozua për të festuar kthimin e sopranos në skenë. Ajo u sëmur rëndë dhe për pasojë humbi zërin për një periudhë 5-mujore. Teksti i kësaj kënge është shkruar nga Lorenzo Da Ponte, i cili shkroi gjithashtu libretat për punimet më të famshme të operistike nga gjeniu gjerman: “Le Nozze di Figaro” (1786), “Don Giovanni” (1787) dhe “Cosi fan Tutte” (1790). Të martën e shkuar, muzeu publikoi një video të kësaj pjese, që u luajt për herë të parë pas 200 vitesh.

Në historinë e veprave të kompozuara nga gjeninë e muzikës të zbuluara së fundmi, të arrish të gjesh një krijim të dyshes Moxart-Saliari, do të thotë sikur të kesh gjetur një minierë ari. Kjo do të thotë që përveç kënaqësisë kur notat përkëdhelin mendjen tënde, të tilla janë edhe përfitimet financiare. Thashethemet se Salieri ishte i përfshirë në vrasjen e Mozart-it nisën menjëherë pasi gjeniu gjerman i muzikës u nda nga jeta më 5 dhjetor të vitit 1791, shumë afër ditëlindjes së tij të 36-të. Historianët mendojnë se Mozart-i i tha gruas së tij në muajt që çuan më pas drejt vdekjes, se ai besonte se ishte helmuar. Dhe pavarësisht se bashkëshortja, Constanze diçka të tillë nuk e besonte, ky version i historisë mbijetoi. Edhe vetë Salieri ishte në dijeni të tyre. Madje edhe kompozitori tjetër, Rossini, raportohet se ngacmoi Salieri-n rreth këtyre fjalëve kur ata u takuan në vitin 1822. Kjo tregon se sa masivisht ky thashethem përmendej, pse mbijetoi aq gjatë, dhe me shumë të ngjarë, se sa me humor merrej nga të gjithë. Por situata ndryshoi plotësisht në vitin 1823, kur Salieri tentoi vetëvrasjen dhe supozohet se u rrëfye që ai e helmoi Mozart-in. Edhe pse ai u përpoq të vetëvritej në vitin 1823, ka pak dëshmi që italiani e pranoi se ishte autori i vdekjes së kolegut të tij. Por duhet theksuar se te njerëzit, ky version i ngjarjes mbizotëronte. Në atë kohë italiani ishte 73 vjeç, në një gjendje shumë të keqe shëndetësore dhe në spital, pasi vuante nga dementia (sëmundje mendore ku individi nuk e dallon realitetin nga surrealja). Gjithashtu përflitet se ai ka hedhur poshtë këtë rrëfim fajtori në shtratin e vdekjes në vitin 1825, por sërish dëshmitë janë shumë të pakta në secilin rast. Por dëmi, me sa duket ishte bërë dhe historia më pas nisi të kalonte gojë pas goje derisa mbërriti në ditët e sotme. Në vitin 1830, vetëm 5 vite pas vdekjes së Salieri-t, shkrimtari rus Aleksandër Pushkin shkroi një rrëfim të shkurtër rreth Mozart-it dhe Salieri-t, që më pas u përshtat në një opera me një akt në vitin 1897 nga kompozitori rus Nikolai Rimsky-Korsakov. Në të dyja versionet e përrallës së Pushkinit, Salieri është dukshëm vrasësi, ku ai e fton Mozart-in për darkë, pastaj edhe e helmon. Ndërkohë, tregimi i Peter Shaffer-it “Amadeus” dhe version brilant i filmit të Milos Foreman-it me të njëjtin emër, janë paksa më pak të drejtpërdrejtë. Në versionin e Shaffer-it, edhe pse konkurrenti italian planifikoi që ta vriste Mozart-in dhe t’i vidhte kompozimin e tij të fundit, gjeniu gjerman vdiq pak para se Salieri të përfundonte planin e tij. Pra krijimtaria e Mozart-it nuk u vodh dot dhe ai e çimentoi vendin e vet në historinë e kompozitorëve të mëdhenj. Por ka pak të dhëna që mund të dëftojnë se Salieri kishte një plan të tillë, apo madje ta kishte menduar atë. Rrëfenja “Amadeus” thekson veçanërisht mediokritetin e Salieri-t si kompozitor, si faktori kryesor që nxit dëshirën për të vrarë rivalin e tij shumë më të talentuar Mozart dhe më pas t’i vjedhë punën. Por edhe ky version të çon totalisht në rrugë të gabuar.

Edhe pse nuk mund të krahasohet me Mozart-in, Salieri ishte një kompozitor i arrirë dhe novator në kohën e vet. Për më tepër, mjaft i vlerësuar mes studentëve të tij. Dhe disa emra që kanë marrë mësime nga ai janë: Beethoven, Liszt, Schubert dhe madje, edhe vetë djali i Mozart-it, Franz Xaver Mozart. Ky fakt, edhe një herë tjetër, tregon se sa seriozisht merreshin ato llafe në atë kohë. Si mund të mendohet se djali i tij Franz-i do të studionte me njeriun që dyshohej se i kishte vrarë të atin? Edhe pse italiani dështoi që të përsëriste suksesin e tij në rini dhe kompozoi shumë pak në 20 vitet e fundit të jetës, muzika e tij rigjeti një rilindje të vogël në fillim të viteve 2000, kur mexosopranoja e famshme, Cecilia Bartoli, regjistroi një album të plotë me krijimet e tij në 2003. Më pas, shumë skena operistike shfaqën krijimet e Salieri-t, përfshirë këtu edhe skena e famshme “La Scala”, e Milanos. Për rihapjen madhështore të saj në vitin 2004, drejtuesit përdorën operën e Salieri-t “Europa Riconosciuta”. Sa i përket arsyes së vërtetë të vdekjes së Mozart-it, pistat janë të ndryshme. Ka teori që thonë se ai jetonte në kushte të këqija dhe ishte shëndetligë, por edhe nga ato komplotistet, sipas të cilave, gjeniu gjerman u vra nga masonët, sepse ai tregoi sekretet e organizatës në operën e tij të fundit “Flauti magjik”. Në 2001, doktori Jan V. Hirschmann, specialist i sëmundjeve infektive, shqyrtoi ditarët dhe letrat që Mozart-i i dërgoi gruas së tij. Ai fajësoi për vdekjen e kompozitorit të madh krimbit “trichinae” (parazit mishngrënës), të cilin e mori pasi hëngri mish deri të pagatuar siç duhet. Dëshmia e këtij bashkëpunimi mund t’i japë fund njëherë e përgjithmonë teorisë së vrasjes Salieri-Mozart. Të paktën derisa të dalë një krijim i ri i rrëfenjës “Amadeus”, e cila do të rinisë një debat të gjerë publik.

Filloi shqyrtimi publik i Planit Rregullues “Qendra e vjetër e qytetit” në Rahovec

0

Në galerinë e arteve të Qendrës kulturore ” Mensur Zyberaj” në Rahovec, u mbajt shqyrtimi i parë i Planit Rregullues të Hollësishëm ” Qendra e vjetër e qytetit” në Rahovec, plan ky i cili është aprovuar nga Kuvendi komunal i Rahovecit dhe financohet nga OJQ suedeze ChWB, gjegjësisht Trashëgimia Kulturore pa Kufij e Suedisë.

Fehmi Hoxha, drejtor i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim Hapësinor dhe Mbrojtje e Mjedisit, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje, dhe thotë se janë mbajtur katër punëtori me qytetarët dhe takime të përbashkëta në lidhje me Planin Rregullues, jemi në partneritet me organizatën suedeze CHwb, dhe shfrytëzoj rastin t’ i përshëndes, kryesisht Shkelqim Dacin, i cili ka qenë i angazhuar qysh nga fillimi i hartimit të këtij plani, në këtë drejtim jemi për një hap para të gjitha komunave.

Në vazhdim, Shkelqim Daci, zyrtar nga ChWB, e elaboroi në mënyrë profesionale Planin Rregullues, duke thënë se gjatë hartimit të planit është definuar bërthama e qytetit të Rahovecit, i cili në vazhdim foli edhe për vizionin, qëllimeve dhe parimeve të këtij plani.

Trashëgimia e Rahovecit do të jetë boshti kryesor për zhvillimin ekonomik lokal, ku përmes trashëgimisë kulturore do të zhvillohet ekonomia përmes artizanateve. Daci thotë se janë identifikuara 29 objekte kulturore, nga të cilat 9 janë hyrë në mbrojtje të shtetit.

Plani Rregullues ka paraparë hapësira të gjelbërimit dhe infrastrukturën rrugore, si dhe shfrytëzimin e pronave.

Qytetarët të cilët janë të interesuar të dinë me shumë rreth këtij plani, do të kenë mundësi që të shohin të ekspozuar Planin Rregullues në hollin e Qendrës kulturorë. Gjatë orarit të ditëve të punës nga ora 10:00 deri 14:00, nga data 22 shkurt deri me 19 mars 2016, ku një zyrtar i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, do t?ua shpjegoj planin çdo qytetari si dhe do të i evitoj të gjitha shqetësimet, ndërsa sugjerimet dhe vërejtjet do ti shënoj në librin që do të jetë i hapur dhe i ekspozuar për qytetarë.

Demokracia në Kosovë, kapitulloi !

0

Ernest Luma

Kuvendi i Kosovës, prej sot ka formë, por jo edhe përmbajtje.

Qeveria apo qeverisja është veç një grumbull qelizash maninje, në jetën institucionale e shtetrore të vendit.
Presidenca e Presidentja as që ekzistojnë. Edhe ashtu, bartësja e kësaj përgjegjësie, e shndërroi këtë post nga ai unifikues, gjithëpërfaqësues e reprezentativ, në post e pozicion dekorativ të vendit, pa pikë roli e fuqie, në asnjë fazë që kaloi Kosova, tash e pesë vjet.

Diagnoza përfundimtare çon veç në një burim të krejt kësaj të keqeje, te brejtësi fund e krye i demokracisë, partneriteteve të ndershme e fer-playt politik në vend, në raport me secilin, te kryeqeliza maninje (kancerogjene) e demokracisë dhe shtetit në Kosovë, Isa Mustafa.
Ky brejtës politik i Kosovës, luajti lahperisht me të gjithë, qyshkur ra nga “froni i hyjneshës”, në Prishtinë.

E nisi lahperiadën politike brenda partisë së tij, kur në kuvendin e fundit zgjedhor të saj, e lahperizoi fund e krye demokracinë e brendshme, për t’ia siguruar edhe një mandat disacentimetrash katrorë prapanicës së tij “të kuqe”, në krye të LDK-së.

Ky brejtës poltik, kjo kryeqelizë maninje e vendit, vazhdoi pamarren e tij, me thyerjen e lahperavtë të fer-playt dhe partneritetit me VLAN-in, pasi që pa pikë turpi ia humbi gjashtë muaj vendit.

Lahperhanen e vazhdoi, kur i përpiu fjalët e pisllëqet parazgjedhore përballë elektoratit të tij, e iu fut natën në shtrat atij që me vite e pati “damkosur” si demon e gjakpirës të vendit, e veçanërisht të LDK-së.

Ai e pranoi për gjashtë muaj të mashtrojë tri parti me përqindje më ultë votash se partia e tij, duke marrë rolin e të dytit në marrëveshje, për t’u prostituuar brenda natës në një marrëveshje tjetër, si i pari i qeverisë.

Kjo është qeliza e parë maninje e demokracisë së Kosovës, qyshkur u kthye në institucione dhe në krye të tyre.
Sa më parë që bie ky brejtës, i brejtjeve dhe marrëveshjeve të mesnatës, aq më mirë për vendin dhe më lehtë për krejt proceset dhe të tjerët në Kosovë.

Isa Mustafa e instaloi arrogancën e “shumicës” së kuqe në vend, duke kalkuluar ekskluzivisht zuzën e tij.
Sot, si mi i tavaneve, shfaqet vetëm pasi të ketë brejtur diçka.
Për një brejtës të tillë, veteran të komunizmit, krejt personazhet tjera aktuale politike në Kosovë, janë veç pionierë e çuna të vegjël, në lojën e dredhive e lahperhaneve që i njeh dhe i konsideron si “legjitime” filozofia e pamoralit politik e Isa Mustafës.

Andaj, komunizmi në Kosovë dhe në Evropë do të bie përfundimisht, vetëm kur të bie Isa Mustafa.
Demokracia këtu kapitulloi.

Të mos e lejojmë kapitullimin e shtetit e të pavarësisë.

Zafir Berisha: Deputetët opozitarë nuk duhet të shkojnë në Kuvend

0

Deputeti i Nismës Zafir Berisha ka komentuar zhvillimet e seancës së sotme në Parlamentin e Kosovës. Sipas tij, ajo çka ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës është skandaloze.

Berisha e ka quajtur kryerrugaç liderin e PDK-së, Hashim Thaçin.

“Deputetet opozitar nuk duhet te shkojnë në Kuvend që t’i plotësojnë dëshirën kryerrugaçit H.TH. që të ketë vëllavrasje, sepse ai me metoda makiaveliste synim nuk e ka shtetin po karrigen e vet”, ka shkruar Berisha në Facebook.

“Qeveria kuislinge për interes të projektit serb “zajednica” Kuvendin e ka shndërruar në arenë lufte duke përdorur masat represive policore kundër atyre që mendojnë ndryshe”.

“Nxjerrja me forca policore e të zgjedhurve të qyetearëve nga salla e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe arrestimet është treguesi më i mirë se deri ku ka shkuar logjika diktatoriale e qeveris Mustafa-Thaçi” .

“Nga kjo qe u pa sot mes regjimit dhe deputetëve të opozitës, po besoj se opozita duhet të kërkoj alternativa tjera për me kundërshtua ketë qeveri esadiste e cila me çdo kusht dëshiron ta kthej Serbin ne Kosovë”. /PrizrenPress.com/

Sot u ndjeve më shumë se i lumtur

0

Jakup Krasniqi

Duke e shikuar punën e Kuvendit të Kosovës sot, ndërmend m’u sollën shumë ngjarje historike. M’u sollën vitet kur Kuvendi i Autonomisë se Kosovës votonte për ndryshimet Kushtetuese, kur autonomia nuk humbiste asgjë.

Se çka ndodhi, çka humbi sesi rrjedhën ngjarjet e dimë të gjithë. Se çfarë sakrifica njerëzore e materiale humbi ky vend e ky komb i dinë secili që donë t’i dinë. Dikush kurrë se “ka prishur timin e duhanit” për ketë!

Duke i parë veprimet policore në Kuvendin e Kosovës, duke parë poshtërimin që u bëhet atyre nga policët, rrethimin e Kuvendit me forca policore, me erdhi më shumë se mirë që nuk isha pjesëmarrës në një ambient të tillë policor.

Në vitet e autonomisë, kur rrethohej Kuvendi i Autonomisë së Kosovës, isha duke e vuajtur dënimin në burgun e Novi Sadit, por ndihesha krenar që isha shqiptar. Kur sot e shikoja Kuvendin e Kosovës, krenohesha që nuk isha pjesë e tij, por nuk mund të krenohesha se flas të njëjtën gjuhë, me ata që e kthyen Kuvendin e Kosovës në gjithçka tjetër vetëm jo në shtëpinë e përfaqësuesve të popullit.

Sot me vjen turp që një pjesë të rrugëtimit tim tepër të vlefshme e kam kaluar me disa sundimtarë të sotëm të Kosovës! Ky në shikim të parë dukej se është turpi i Kosovës, por jo, ky është turpi i njerëzve despot ndaj shqiptarëve, e servilë e nënshtrues ndaj gjithë të tjerëve që nuk po ua them emrat. Ndryshe këta despotë, sa edhe ata të ish Jugosllavisë, nuk mund të mbijetojnë ndryshe.

Vasaliteti i shekujve po vazhdon! Se a humbëm, sa humbëm dhe çka humbëm do të dihet se shpejti! Çështja është, a do të jetë vonë apo shumë vonë?