Gjithmonë e më shumë po e dëgjojmë kryeministrin Edi Rama teksa sulmon popullin shqiptar si dembel dhe të paaftë.
Teksa thotë se ka mijëra vende pune, Rama ankohet se shqiptarët nuk duan dhe nuk dinë të punojnë.
Duke komentuar këto deklarata të Ramës, analisti Andi Bushati thotë se Rama po bëhet si Hitleri.
“Thuhet se Hitleri, në ditët e fundit të tij në bunker, atëherë kur gjithçka kish marrë fund dhe aleatët po shkatërronin një nga një qytetet gjermane, u tha njerëzve të tij të afërt mes pezmit dhe delirit: “Ky popull nuk më ka merituar mua”.
E njëjta sindromë ka kapluar me sa duket edhe Edi Ramën, i cili po tenton t’i paraqesë shqiptarët si të paaftë për të vënë në jetë politikat e tij. Ideja e artikuluar nga kryeministri dhe idhtarët e tij se Rilindja po krijon vende pune, por punëkërkuesit nuk janë në lartësinë e kësaj sfide, është ilustrimi më i mirë i kësaj.
Kolazhi i paraqitur dje nga “Opinion”, që i krahasonte fjalët e Ramës me mendësinë e “Koncert në vitin ‘36” dhe argumentat se nuk ka kamarierë, hidraulikë, apo vinçierë të kualifikuar janë vërtetë një mjerim i madh.
Miti i shqiptarit dembel, parazit dhe pa profesion nuk mund të shërbejë kurrësesi si një alibi për dështimin e politikave mashtruese për të hapur 300 mijë vende pune,” shkruan Bushati tek Lapsi.al.
“Mjafton ky shembull, për të vërtetuar jo tezën e sotme të Edi Ramës për shqiptarin e paaftë, por atë tjetrën, të disa kohëve më parë, kur ai tentonte të shfajësone me çdo kusht Ilir Metën nga akuzat që i kish ngritur vetë: “Fajin nuk e kanë njerëzit, por sistemi”.
Dhe po të përshtasim të njëjtën tezë edhe për punësimimin: fajin pse shqiptarët braktisin vendin, fajin se pse ata shkojnë me prindërit përdore për të kërkuar punë tek selia e PS, pse ata preferojnë më mirë të bëjnë një kurs për numërues votash, sesa një stazh kualifikimi profesional, nuk e kanë të papunët, por sistemi i mbajtur në këmbë nga Rilindja.
Natyrisht, të gjitha këto, shumica e njerëzve me mend në kokë i di. Madje dhe më shumë se kaq. Të pa mësuar me një rol garantues nga shteti i tyre, shqiptarët nuk kanë ndonjë shpresë të madhe për punësim, as tek demokratët as tek socialistët. Ata e dinë se kur vijnë në pushtet edhe njëra palë edhe tjetra, përpiqen të kënaqin vetëm falangat e tyre. Prandaj kërkojnë zgjidhje individuale. Ose përpiqen me aq sa munden të ngrejnë diçka në vendin e tyre (atëherë kur bazhibozukët e financave, OSSH-së, INUV-it, apo banditët e mbrojtur lokalë ia mundësojnë) ose zgjedhin rrugën e mërgimit.
Kokëulur dhe të pastërvitur për të kërkuar atë që iu takon, ata ndërtojnë në heshtje fatin e tyre”.