17.2 C
Prizren
E mërkurë, 25 Qershor, 2025
Home Blog Page 6305

Limaj punësoi mikun pa konkurs në Gjimnazin e Malishevës

0

Edhe pse Gjimnazi “Hamdi Berisha” në Malishevë ka të punësuar katër psikologë, nga të cilët dy punojnë me gjysmë norme, atje është punësuar pa konkurs për t’i kryer detyrat e psikologut edhe miku i Fatmir Limajt, Hafir Xhyliqi

Ndonëse në Gjimnazin “Hamdi Berisha” në Malishevë janë të punësuar katër psikologë, nga të cilët dy punojnë me gjysmë norme, Drejtoria Komunale e Arsimit në këtë komunë ka punësuar edhe psikologun e pestë pa shpallur fare konkurs.

Burime të gazetës “Zëri” kanë thënë se në këtë shkollë është punësuar Hafir Xhyliqi, miku i Fatmir Limajt, kryetarit të subjektit politik “Nisma për Kosovën”, i cili subjekt udhëheq me Komunën e Malishevës.

Edhe pse në shkollë punojnë psikologët, Eshref Zogaj dhe Avni Ibrahimi, me vetëm gjysmë norme, kurse Arbnora Halili dhe Bislim Hoti kanë normë të plotë pune, DKA-ja e Malishevës ka gjetur mënyrën për t’i bërë një punë edhe Xhyliqit.

Prindërit nuk e duan Xhyliqin për psikolog të fëmijëve të tyre

Për shkak të ndikimit që ky ka në Malishevë prindërit hezitojnë të flasin me emër, por ka të tillë që kanë dyshime në profesionalizmin e tij dhe nuk e duan për psikolog shkolle.

“Flitet se atij nuk i është vazhduar kontrata në Aeroportin e Prishtinës për shkak të disa dyshimeve që rëndojnë mbi të. Dhe, nuk do të doja që një person i tillë të jetë psikologu i vajzës sime në shkollë”, ka thënë një prind, emri i të cilit është i njohur për redaksinë.

Në Prizren u ngjizën shtetet shqiptare

0

“Ne vetvetiu ndajmë një emocion të veçantë si familje, si unë ashtu edhe nëna ime dhe vëllai Armendi. Është kjo festë që i gëzohemi të gjithë prizrenasit dhe shqiptarët kudo që janë”, thotë Dafina Drini

Ballkani i ka dy shtete shqiptare, por që të dyja rrënjët i kanë në Prizren. Ymer Prizreni bashkë me burrat e tjerë të kombit më 1878 mbajtën Kuvendin e Prizrenit, që synonte autonominë shqiptare nga Perandoria Osmane. Në këtë tetëvjetor të pavarësisë ne takuam një nga trashëgimtaret e kësaj familjeje që bëri historinë. Është kjo Dafina Drini-Hoxha, e cila rrëfen për trungun familjar, për mbajtjen gjallë të frymës patriotike, për ndjenjat e saj dhe të familjes së saj me rastin e përvjetorit të tetë të shtetësisë së Kosovës.

Dafina Drini-Hoxha, stërmbesë e Ymer Prizrenit, shpjegon faktin se Ymer Prizreni kishte vetëm dy vajza, njëra prej tyre ka vdekur në Turqi dhe nuk ka lënë pasardhës e tjetra në Prizren, por nuk ka lindur fëmijë. Ne ishim në një vizitë në familjen Drini në prag të festës. Dafina Drini-Hoxha është e bija e Ahmet Drinit, i cili tani e një vit më parë është ndarë nga jeta. Ajo rrëfen e ka mbajtur shënime e për ato që i ka treguar babai i saj, Ahmeti.

“Ai na shpjegonte se ishte një burrë trupgjatë, me mollëza të qitura dhe mbi të gjithë ishte myderriz, që për kohën e tij ishte personalitet i shkolluar”, na tregon Dafina.

Kjo familje kishte shumë mësues të fesë që njiheshin atëherë si myderrizë, dhe krahas fesë ata mbollën edhe farën e atdhedashurisë. Por, kjo familje la gjurmë edhe në fusha të tjera. Kështu vëllai i Ymer Prizrenit ndërtoi penën e parë mbi Lumbardhë që mos të vërshohet qyteti.

Ky ishte Aliu dhe për këtë prizrenasit në shenjë nderimi këtë familje e quanin Aliu dhe po kështu me vite pastaj familja e barti këtë mbiemër. Kështu kjo familje ka bartur disa mbiemra gjatë dekadave. Ajo njihet edhe si familja Drini, për faktin se kishin çifligun e tyre në Nashec bri Drinit të Bardhë, mbiemër të cilin e mori në vitin 1945.

“Ishin ato kohë të ngjarjeve të furishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, rrëfen Dafina për kujtimet e familjes së saj.

Ajo rrëfen se Haxhi Ymer Prizreni ishte martizuar në Ulqin, kurse gruaja e tij, Fatimeja, me vajzat Ajshja dhe Shefkinazja ishin internuar në Izmir të Turqisë dhe pas gjashtë vitesh ishin kthyer sërish.

“Ajshja pas vdekjes së nënës dhe të shoqit ka jetuar e vetmuar në shtëpinë atërore, në mbikëqyrjen e gjyshit tim”, pohoi ajo./Kosova Sot/

Anton Quni: Qeveria të qartësojë pozicionin tonë në raport me këto dënime

0

Gjykata e Nishit dënoi dje ish-eprorët e UÇK-së, në mungesë, për veprën e ashtuquajtur, vrasjen e ushtarëve serb në luftën e Koshares, në kufirin Kosovë-Shqipëri.

Në mesin e të dënuarve ishte edhe Anton Quni, tash deputet i LDK-së, që ishte pjesëmarrës në luftën e Koshares.

Quni tha për Indeksonline se dënimet e shpallura nuk kanë të bëjnë fare me drejtësinë por me përdorimin politik të drejtësisë dhe të dënimeve në raport me Kosovën.

Madje, sipas tij, një nga përdorimet ka të bëjë pikërisht me implikimin e institucioneve ndërkombëtare, siç janë INTERPOL dhe EUROPOL, në kuptimin e kufizimit të lëvizjes në shtete të ndryshme.

Quni shpreson se Qeveria e Kosovës do të gjejë mënyra për të qartësuar pozicionin e tyre në raport me këto dënime.

“Konsideroj se Qeveria e Kosovës do të gjejë mënyra për të qartësuar pozicionin tonë në raport me këto dënime. Nëse kemi parasysh kohën kur janë shpallë këto dënime, nuk mund të mos kenë ndërlidhje me synimet e Kosovës për t’u anëtarësuar pikërisht në INTERPOL dhe në EUROPOL, duke dëshmuar kështu vazhdimësinë e angazhimeve për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe institucione ndërkombëtare, në kundërshtim me Marrëveshjen e 19 prillit 2013” , tha Quni për Indeksonline.

Më tutje deputeti i LDK-së tha se ngjarja për të cilën janë ngritur akuzat dhe janë shpallë dënimet nga gjykatat serbe, ka ndodhur në shtator 1998, pra në kushtet e luftës së UÇK-së ndaj forcave serbe, dhe ka qenë e drejtuar kundër këtyre forcave, e jo ndaj popullatës serbe.

Pasi që në këtë aksion nuk ka pësuar asnjë qytetar serb dhe askush që nuk ka qenë i përfshirë në luftime, Quni tha se aksioni ka qenë në përputhje me çdo konventë dhe normë ndërkombëtare për luftën prandaj kjo nuk përbën bazë për gjykim dhe dënim.

“Me këto dënime, Serbia ka treguar se trajton krime edhe aksionet e mirëfillta ushtarake ndërmjet forcave ushtarake armike, kurse nuk i quan krime operacionet e organizuara policore dhe ushtarake ndaj popullatës civile shqiptare. Serbia shpallë dënime ndaj shqiptarëve për operacione ndaj forcave të organizuara serbe, kurse ngre zërin kundër dënimeve të serbëve për krime ndaj popullatës civile shqiptare, si në rastin e dënimit të Oliver Ivanoviqit” , tha Quni. /Indeksonline/

Erotizmi “pushton” galeritë (Video+16)

0

Ato kanë pushtuar galeritë e Tiranës.

Erotizëm edhe me figurat historike, nudo që lundrojnë në ngjyra apo thjesht bardh e zi janë ekspozohen këtë javë kryeqytet.

Të gjitha komunikojnë me publikun me telajot e artisteve femra.

E para, ishte Lumturi Blloshmi e cila edhe pse e grishi publikun me punimet që rrëfenin politikanët shqiptarë në një këndvështrim tjetër, nuk shpëtoi pa e tërhequr publikun në këndin e nudove. Mes tablove plot ngjyra, Blloshmi nuk denjoi të përcillte edhe një vepër ku në qendër ishte vetë ajo.

Debati i javës, edhe për më skeptikët do të vinte nga një artiste e re, Meri File, e cila rrëfente përmes një nudoje me ferexhe një shoqëri të ndrydhur seksualisht si ajo shqiptare.

E ekspozuar mes punimeve të 19 artistëve të tjerë në muze, vajza me ferexhe arriti të tërheqë menjëherë vëmendjen e të gjithëve. Ajo që nuk pritej nga grafistja e parë shqiptare do të vinte në Galerinë Kombëtare të arteve pak ditë më vonë.

Artistja Dhrami nuk kishte ekspozuar kurrë më parë pasi veprat e saj të mbetura në Poloni ku kishte studiuar nuk u njohën asnjëherë nga shqiptarët.

Nudot bardh e zi, por edhe ato me ngjyra u ciëlsuan nga kritikët dhe kuratorët si tablotë që do të hynin në historinë e artit shqiptar.

Dhe më e fundit, por jo më pak e rëndësishmja është erotizmi i Ali Pashë Tepelenës.

Ai zhvishet nga mizoria, hakmarrja dhe dëshira për të sunduar.

Sepse në telajot e Natasha Begës ai shkrihet bukur me vajza haremi, sigurisht pa harruar edhe të bukurën Frosinë të Janinës, siç preferonte ta quante vetë Ali Pashë Tepelena./Vizion Plus/

Luftëtarët e Koshares: Të dënuarit nga Serbia të mbrohen institucionalisht

0

Shoqata e Veteranëve të Luftës së Koshares kanë reaguar sot ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të Nishit e cila ka dënuar me burgim dhjetë ish luftëtarë të kësaj Brigade.

“Ne, si ish luftëtarë të Brigadës 138 ‘Agim Ramadani’ shprehim shqetësimin dhe revoltën tonë ndaj vendimit të një trupe gjykuese, mobile e kontrabanduar nga Prokuroria dhe Gjykata e Nishit në pjesën veriore të Komunës së Mitrovicës, që dënon me vendim të formës së prerë, me masë burgimi prej 16 vitesh bashkëluftëtarët tonë: Rrustem Berisha, Anton Quni, Xhafer Gashi, Shiqer Maloku, Demë Maloku, Demush Gacaferi, Agron Jusufi dhe Rabit Alija”, thuhet në reagimin e kësaj Shoqate.

Veteranët e luftës në Koshare konsiderojnë se ky veprim i gjyqësisë serbe, është jashtë realitetit politik dhe juridik të Kosovës në raport me shtetet fqinje përfshirë edhe Serbinë.

Siç potencohet në reagim, statusi juridik ndërkombëtar politik dhe shtetëror i Republikës së Kosovës, që derivon nga marrëveshjet ndërkombëtare si: e Rambujesë, Pakoja e Ahtisarit dhe Kushtetuta e Ahtisarit, pastaj statusi i Pavarësisë së Kosovës dhe identiteti i saj shtetëror kushtetues, e shkëpusin tërësisht sistemin juridik të Kosovës nga juridiksioni i Serbisë.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës i nënshtrohen vetëm drejtësisë dhe legjislacionit pozitiv të vendit tonë, drejtësia dhe gjyqësia serbe është jashtë kontekstit juridik dhe shtetëror, sipas të cilit ajo funksionon sot”, thuhet tutje në reagimin e veteranëve të Koshares.

“Sistemi juridik RFJ-së, mbi bazën e të cilit janë ngritur këto pretendime për penalizim, është një sistem i skaduar, pozitiviteti i të cilit është kontestuar me luftën çlirimtare-mbrojtëse të popullit të Kosovës. Prandaj, si i tillë, nuk përben bazë për veprim juridik ndaj qytetarëve që takojnë me një realitet të ri politiko-shtetëror”, thuhet në reagim.

Veteranët e Koshares kërkojnë nga organet shtetërore të Kosovës, që në koordinim me faktorin ndërkombëtar të tejkalojnë këto veprime me karakter provokues dhe që cenojnë liritë dhe drejtat e qytetarëve të Kosovës.

“Në ketë kontekst, kërkojmë nga Qeveria dhe nga ministria përkatëse, që ky vendim i gjyqeve të kontrabanduara të Serbisë, të shpallet i pavlefshëm NULL dhe qytetarët ish luftëtarë të apostrofuar, tani më bartës të detyrave dhe përgjegjësive publike, të merren në mbrojtje nga institucionet vendore dhe sistemi juridik i Kosovës”, thuhet në reagimin e Shoqatës së veteranëve të luftës së Koshares.

Sonetet e dashurisë

0

Vargjet e profesor Eqrem Çabej për të shoqen Shyhretin. Një histori dashurie që nisi kur gjuhëtari i kishte kaluar të 40-at, ndërsa ajo vetëm 28 vjeçe, në pranverë të vitit 1949

“Kur do të shihemi, lus të bjerë shi / Pikë pas pike gjithë kësaj nate / Që kur të dalim bashkë un’ e ti / Mbi pllaja kodra dielli ka ratë …”

Eqrem Çabej do t’i shkruante këto vargje në vitin 1951, nën padurimin e bukur që i sillte takimi me vajzën 28-vjeçare Shyhret. Mënyra sesi ajo fliste, dashuria e përbashkët për librat dhe gjithçka tjetër në ato biseda të shkurtra, ia shtonin padurimin për ta parë sërish. Në mbrëmjet që i kalonte i vetëm, ai hidhte në fletore vargje për të, vargje që një ditë do t’i radhiste në një fletore për t’ia dhuruar.

Ishte 1 janari i vitit 1951, kur Eqremi 42-vjeçar i dhuron Shyhretit një fletore me tetëmbëdhjetë sonete shkruar për të. Ishin njohur rreth dy vjet më parë, në pranverë 1949, kur ajo sapo ishte liruar nga burgu politik dhe punonte në Bibliotekë Kombëtare.

Kjo fletore do të ruhej me kujdes për vite me radhë nga gruaja, si shenjë e artë e kohëve të dashurisë. Do të ishte e bija e çiftit, Brikena, e cila do t’i zbulonte këto sonete aty nga mesi i viteve ‘70, në fund të dollapit të tyre, duke rrëmuar me kureshti, si bëjnë shumë bij tek rreken të zbulojnë fshehtësira nga e shkuara prindërore, të kohëve kur vetë ende nuk qenë.

“Nga skaji më i errët i do­llapit dora më nxjerr një fletore të kaltër, me shkrimin e pangatë­rrueshëm të Eqremit! Fletorja e vjetër, e kaltër, përmbante vjersha dashurie! E pabesueshme! Natyrisht kisha zbuluar shumë më tepër sesa shpresoja të gjeja! E nxjerr në dritë, e shfletoj dhe me paturpësinë e bijve ndaj prindit, me t’u kthyer Shyhreti nga biblioteka ku kishte rifilluar punë pas vitit të gjëmshëm 1970, ia tund përpara: ‘Po kjo, ç’është?’ E alarmuar dhe e çuditur që e kisha gjetur, sepse ishte e bindur që e kishte fshehur fort mirë, Shyhreti më kërkoi prerë ta ktheja sërish fletoren në vend të vet e kurrsesi mos ta merrte vesh Eqremi që e kisha parë. Pikërisht për këtë arsye, që ‘mos ta shihte fëmija’, për vite me radhë Eqremi e kishte hequr nga shtëpia atë fletore: Ia kishte dhënë ta ruante mikut të tij, Odhise Paskali, i cili e kishte mbajtur nja njëzet vjet dhe ia kishte kthyer vetëm pak kohë më parë. Pa mundur as ta lexoja mirë, fletorja e ndaluar hyri sërish në skutat e errëta nga kish dalë. Kurrë nuk e zura ngoje ekzistencën e saj me Eqremin”, rrëfen Brikena.

Kur Çabej do të ndahej përgjithmonë nga kjo jetë, me trishtimin e një ikjeje që dhemb, ajo do të ndalej gjatë në bibliotekë për të lexuar gjithçka të mbetur prej tij. Ndalesa në gjërat që i kujtonin atë, ishte një ngushëllim i lehtë, si një takim përmes rreshtash.

“Me ikjen e tij nga kjo botë, më 13 gusht 1980, nevoja jetike për të forcuar lidhjen e këputur aq herët me të, më shtyu t’i lexoj e rilexoj pa fund këto sonete. Shyhreti nuk më ndaloi më, por më tha, veç, se qysh në krye të herës kishin vendosur të dy që ato sonete të mos dilnin në gjallje të tyre. “Një ditë kur të mos jemi ne mundet edhe botohen”, i pat thënë Eqremi”, kujton Brikena.

Duket që këto sonete ishin të shenjta për Shyhretin, e cila gjithnjë kujdesej për t’i ruajtur fort. Ajo do t’i merrte me vete dhe në Paris tek e bija, e cila nga frika e bjerrjes do t’i hidhte në kompjuter.

“Shyhreti i kishte sjellë me vete në Paris, bashkë me dorëshkrimin e dy soneteve aq të rralla e të shtrenjta që Eqremi kishte shkruar për Artanin pas vitit 1970, kur Artani vendosi të ikte prej nesh e të nisej drejt qiejsh të tjerë, shpresoj më të kthjellët. I kisha bërë madje dhe gati për shtyp sonetet, e me kalimin e kohës, sidomos këto vjetët e fundit të ‘pleqërisë së thellë’, si thoshte ajo vetë, kisha edhe lejen e Shyhretit për t’i botuar. Mirëpo një frikë besëtyte më ndalonte ta bëja këtë: kisha një si bindje se po t’i botoja, do të më ikte dhe ajo …”, shkruan Brikena.

Poezia ka qenë gjuha e dashurisë mes Eqrem Çabejit dhe të shoqes. Ato vargje që ai i shkroi me pasionin e një të dashuruari, ishin orët më të bukura ku Shyhreti ndalonte shpesh.

“Shyhreti qysh shumë e re e kishte lexuar me pasion poezinë, sidomos poezinë frënge dhe dinte përmendësh perla të saj. Them se dashuria e përbashkët për poe­zinë ka qenë nxitja që Eqremi t’i shkruante e t’i blatonte Shyhretit këto sonete. Shpesh në bisedat e tyre në shtëpi citoheshin vargje poetike, krejt natyrshëm, sidomos të poezisë frënge, si referenca të sublimes në jetë, të fjalës së naltë, fisnike, që e ngre shpirtin njerëzor në maja që s’kapen dot pa magjinë e saj. Poezia besoj u fali atyre atë lidhje të rrallë, unike, atë dashuri e respekt të pashoq e të pabesueshëm që kishin për njëri-tjetrin.

“30 vjet me Eqremin si 30 ditë”, përsëriste Shyhreti thuajse përditë pas ikjes së tij”, shkruan Brikena.

Poezia do të ishte me ta deri në vdekje.

“Fjalët e mbrame të Eqremit në këtë jetë, drejtuar Shyhretit në spitalin e Romës – vetëm të dy, ai dergjur në shtrat të vdekjes, pak minuta para se të jepte shpirt, ajo te kryet e tij, krejt vetëm, e paepur: Si ka thënë ai poeti, Shyhret: ‘Tout lasse, tout casse, tout passe’. Mundet vërtet gjithçka ikën e shkon kësaj bote, poezia nuk tretet kurrë”, kujton Brikena.

Sonetet e prindërve ajo do t’i sillte në një libër, në përvjetorin e parë të ikjes nga jeta të nënës. /Shqip/

Aktakuza kundër imamit Irfan Salihu është e pavlefshme

0

Imami Irfan Salihu është akuzuar për një vepër të amnistuar nga Kuvendi i Kosovës. “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, është në mesin e veprave të amnistuara. Ligji parasheh amnisti për veprat e kryera deri më 20 qershor 2013. Salihu akuzohet se veprën e ka kryer në mars të vitit 2013. Prokurori thotë se do ta tërheq aktakuzën. Arsyetohet se nuk e ka ditur këtë.

Shteti e ka akuzuar imamin Irfan Salihu, për një vepër që ligjërisht është e amnistuar tri vjet më parë.

Ligji për Amnisti i miratuar në korrik të vitit 2013, mes 90 veprave penale, amniston edhe “ Nxitjen e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik e sanksionuar me nenin 147 të Kodit Penal.

Për këtë vepër akuzohet Salihu.

Të martën, Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër imamit të Prizrenit për shkak se në mars të vitit 2013, “ka nxitur dhe ka përhapur publikisht urrejtje, përçarje ose mos durim midis grupeve kombëtare, fetare etnike apo grupeve tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës”.

Salihu akuzohet se me ligjëratën e tij “si ta shtojmë bereqetin”, ka theksuar se “në periudha të ndryshme gjatë pushtimit të perandorisë osmane në trojet tona kanë qenë 1 % shqiptar…, e shajnë atë myslimanë që ju ka dhënë me hektar tokë dhe i ka sjellë për të jetuar në Kosovë… i ka bërë sundimtarë të Ballkanit”.

Këtë ligjëratë në xhami, Imami Salihu e ka mbajtur në muajin mars 2013, saktësisht tre muaj brenda afatit të amnistisë.

Ligji 1.1.8

Ligji për Amnistinë rregullon kushtet dhe procedurën me të cilën jepet amnisti për personat të cilën janë dënuar për një vepër penale, personat të cilët janë nën ndjekje penale për vepra penale, apo personat të cilët mund të jenë objekt i ndjekjes penale për veprat penale të kryera para 20 qershorit 2013 brenda territorit që tani përbën Republikën e Kosovës.

“Të gjithë kryesve të veprave penale të listuara në nenin 3 të këtij ligji të cilat janë kryer para datës 20 qershor 2013 u jepet lirim i plotë nga ndjekja penale apo nga ekzekutimi i dënimit, në përputhje me kushtet e parapara me nenin 3 të këtij ligji”, thuhet në Ligj.

Kësisoj, mundi për të kryer hetime, koha dhe shpenzimet shkojnë huq për shkak të ngritjes së një aktakuze të paligjshme.

Autori i aktakuzës, prokurori Beqë Shala ka thënë se nuk e ka ditur se vepra është e amnistuar. Në një bisedë me telefon, ai ka thënë se do ta shikojë rastin dhe do të heq dorë nga aktakuza. Nuk e ka përjashtuar mundësinë që të humb kohë edhe më shumë – duke e dërguar aktakuzën në Gjykatë dhe gjykata të marrë vendim për hedhjen poshtë të saj.

“Tash ka mundësi ligjore që në momentin kur të caktohet seanca të eliminohet edhe kjo. Të shohim tash se si thuhet decitivisht në ligj. Nuk kam kurrgjë personale”, ka thënë prokurori Shala për Insajderin.

“Kemi një kallëzim penal, veprime inkriminuese ka pas, nëse del ajo që është i përfshirë në amnisti, amnistohet edhe kaq. Normal që prokurori nuk ka çka me ba aty”, ka thënë ai.

Ligji i Amnistisë ishte miratuar në Kuvend pak kohë mas marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë. Ndër kushtet e marrëveshjes ishte edhe ky ligj.

Në fillim, Ligji amnistonte vetëm serbët. Por, pas një interpretimi të Gjykatës Kushtetuese, ligji ishte bërë gjithëpërfshirës dhe ju jepte amnisti të gjitha komuniteteve në Kosovë, përfshirë shumicën shqiptare.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha, ka thënë se nuk mund t’i kontrollojë të gjitha aktakuzat. Për këtë arsye i ka ikur kjo aktakuzë me këtë lëshim.

Imami Irfan Salihu kishte mohuar se ka kryer vepër penale kur është marrë në pyetje nga organet e shtetit. Ishte arsyetuar se deklaratën për përqindje të shqiptarëve e ka mbështetur në një “tezë shkencore” të orientalistit Hasan Kaleshi, të lexuar në Kongresin Ndërkombëtar në Stamboll për Turkologjinë në vitin 1973.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori më 11 nëntor të vitit të kaluar, Salihu ka mbrojtur ligjëratën e tij se Perandoria Osmane ka sjell të mira në Kosovë.

Ka thënë se gjatë ligjëratës “si ta shtojmë bereqetin” ka potencuar se ardhja e Osmanlinjve në Ballkan, shqiptarët i ka bërë agallarë.

“Ashtu e shoh unë. Këtë na e ka bërë pas gjendjes qindravjeçare të okupimeve të mëhershme duke u nisur nga perandoria romake, para erës së re, më pas të bullgarëve, serbëve, bizantinëve, venedikasve. /Insajderi/

Aktakuzta per Irfan Salihun

Limaj bën ftesë për dalje nga kriza

0

Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Kosova është në krizë të thellë politike, se institucionet nuk kanë më legjitimitet dhe se vendi duhet urgjentisht të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Në një deklaratë për media, ai ka ftuar të gjitha subjektet parlamentare që të ulen dhe të merren vesh për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Deklarata e plotë e Limajt:

Në konferencën e djeshme për shtyp të dy partnerëve të koalicionit e thirrur menjëherë pas protestës madhështore të organizuar nga Opozita e Bashkuar, konferencë e cila përveq se ishte trishtuese ishte edhe për keqardhje.

Ajo çka dëgjuam nga ata dje, ishte një arsenal fyerjesh dhe kërcënimesh ndaj qytetarëve protestues. Prezenca e madhe e qytetarëve dhe përfundimi paqësor i protestës, trishtoi ata dhe pa dashje zbuluan skenarin e errët të dhunës të planifikuar po nga ata.

Ata duhet ta kenë të qartë se Kosova është në krizë të thellë politike, populli i Kosovës përmes protestave masive e ka bërë të qartë që këto institucione nuk kanë më legjitimitet dhe se vendi duhet urgjent të shkoj në zgjedhje të parakohshme.

Në emër të daljes së vendit nga kriza aktuale politike, ftoj Kryetarin e Kuvendit që mos të thërrasë seancë parlamentare, sepse tashmë është e qartë se ky parlament nuk ka më legjitimitet dhe nuk kemi kushte për të vazhduar punën normale pa një zgjidhje politike ndërmjet partive politike të cilat janë të përfaqësuara në parlament. Çdo injorim i këtij realiteti politik është provokim dhe veprim i qëllimshëm për ta vazhduar dhe thelluar krizën aktuale politike dhe për këtë ju do të keni përgjegjësinë.

Prandaj, ftoj edhe njëherë që urgjentisht të ulemi, ne të gjitha subjektet parlamentare dhe të merremi vesh për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Për shkak të humbjes së legjitimitetit të këtyre institucioneve duhet të shtyhet zgjedhja e presidentit.

Edhe për zgjedhjen e presidentit duhet të kemi një marrëveshje politike.

Tashmë janë të mundshme dy oscione për zgjedhjen e presidentit, e para duke marr angazhime për të provuar që për president të vendit të gjejmë një kandidat konsesual sipas ligjeve në fuqi ose që të merremi vesh për zgjedhjen e drejtpërdrejt nga populli.

Të gjithë duhet ta kuptojmë dhe pranojmë se kjo është rruga e vetme për t’i dhënë zgjidhje krizës aktuale politike në vend.

Kushtetuesja hedh poshtë nismën për shpërbërjen e Parlamentit në Maqedoni

0

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë ka refuzuar kërkesën e deputetit Pavle Trajanov për shtyrjen e shpërbërjes së Parlamentit dhe u shpall jokompetent për të vendosur për këtë çështje.

Sipas gjykatëses Natasha Gaber, vendimi i këtillë paraqet precedent. Ajo ka sqaruar se në rast të zgjedhjeve të parakohshme afati për zgjedhje është 60 ditë, ndërsa me zbatimin e shtyrë deri më 24 shkurt, i cili sivjet është muaj i brishtë, deri në zgjedhjet e 24 prillit ka 61 ditë.

Sipas saj, siç transmetojnë mediat në Maqedoni, kjo do të thotë se zgjedhjet janë jolegjitime.

“Agnus Dei” interpretohet në Turqi

0

Vepra korale “Agnus Dei” e kompozitorit Memli Kelmendi me datën 22 shkurt 2016 do të intepretohet në Stamboll në sallën e njohur koncertale “Ba?larba?? Kültür ve Kongre Merkezi’nde”, ndërsa me datën 27 shkurt 2016 në “Gazi Üniversitesi Konser Salonu” – Ankara.

Vepra do të intepretohet nga Ansambli koral “Ars Nova” nën dirigjimin e Kübra ?enyaylar.

“Pas intepretimit të kësaj vepre muaj më parë në Santiago de Chile dhe dirigjenti i mirënjohur Jorge Contreras, dhe pas kërkeses që kjo vepër të intepretohet edhe në disa vende të tjera në muajt që pasojnë, kësaj radhe kjo vepër do të interpretohet nga dirigjentja turke Kübra ?enyaylar në Stamboll dhe Ankara. Në momentin kur unë veç jam në kontakt me shumë dirigjent ndërkombëtar nga bota, na doli befasuese kjo ofertë nga Turqia, të cilën unë padyshim e prita me entuziazëm të madh”, tha Memli Kelmendi.

Muajt e ardhshëm kjo vepër do të interpretohet edhe në disa vende të tjera të botës.