35.2 C
Prizren
E enjte, 26 Qershor, 2025
Home Blog Page 6312

Urimi i veçantë i Jahjagës: Kosova s’është e asnjë lideri

0

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa, kanë organizuar mbrëmë pritjen zyrtare me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë në hotelin Emerald në Prishtinë.

Jahjaga dhe Mustafa kanë mbajtur fjalime ku kanë theksuar shkurtimisht të arriturat dhe ngecjet e vendit 8 vjet pas pavarësisë.

Por, fjalimet e tyre i kanë dëgjuar vetëm qeveritarët, deputetët e PDK-së dhe LDK-së, një pjesë e shoqërisë civile e gazetarë.

Opozita e ka bojkotuar këtë organizim të thirrur nga Jahjaga dhe askush nga pjesëtarët e as deputetët e saj s’i janë bashkëngjitur.

Shumë prej opozitarëve janë parë kohëve të fundit nëpër komuna të ndryshme duke mobilizuar qytetarët për protestën e 17 shkurtit.

Në fjalimin e saj para të pranishmëve, Jahjaga tha se 17 shkurti është ditë madhështore, të cilën për breza të tërë për njëqind vjet ishte ëndërr dhe që për një shekull e u lartësua si synim i përpjekjeve tona kolektive për të jetuar në paqe dhe liri.

“Shteti ynë lindi me shumë mundime. Për të u bë një sakrificë e hatashme njerëzore, vuajtje të thella me pasoja të rënda, të cilat shumë familje vazhdojnë t’i jetojnë 16 vjet pas përfundimit të luftës, edhe në këtë natë përvjetori të pavarësisë. Është pikërisht ky rrugëtim i jonë i përbashkët dhe përjetim i përveçëm për secilin prej nesh që e forcon themelin e Kosovës që e bëmë bashkërisht shtet. Na bën secilit t’i gëzojmë privilegjet dhe përgjegjësitë e të qenurit kosovar – përfshirë përgjegjësinë historike për ta përmbyllur këtë cikël shtetndërtimi – njëkohësisht. E bën Kosovën idealin e vetëm, sepse Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh”, tha Jahjaga.

Sipas saj, sakrifica për të arritur deri këtu na bën të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të përvetësohet.

“Ajo nuk është e asnjë lideri politik. U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie, për të këmbëngulur për rend dhe ligj, për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit, për t’i rikthyer në busullë të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tonë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë. Ju faleminderit që jeni përkrah nesh Ambasador Delawie, Kosova nuk ka mik më të madh. Ambasadorë të nderuar, ju faleminderit për mbështetjen e pakursyer”, potencoi e para e vendit, Atifete Jahjaga.

Ajo tha se ky vit më shumë se çdo vit tjetër ka qenë vit i përjetimit të rritjes.

“Në kontekst të tillë, mospajtimet janë të kuptueshme sikur që janë sfidat e një kushtetute të aprovuar, por të patestuar, e cila përkundër të gjithave duhet të vazhdojë t’i japë peshë e legjitimitet çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie tonë. Zgjidhjet tona duhet të jenë kushtetuese dhe institucionale, sepse vetëm kështu e forcojmë besimin që na duhet për ta rrumbullakuar këtë shtetformim. Është e pamohueshme që në këtë fazë të shtetndërtimit si shoqëri na duhet dialog i brendshëm për rrugën tonë përpara. Por, ky diskutim asnjëherë nuk guxon të sfidojë konsensusin bazik demokratik, të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. Nuk guxon ta testojë miqësinë tonë me aleatët tanë apo ta vë në mëdyshje përcaktimin tonë për të ndërtuar shtet demokratik, të ngjallë frikë e të krijojë pasiguri për të ardhmen tonë. Kjo është ditë e shumëpritur, kjo është ditë e shenjtë që nuk shndërrohet në kontestim të dashurisë për atdheun”, theksoi presidentja Jahjaga.

Ajo tha se Kosova ende ka shumë punë për të kërkuar drejtësi për ata që nuk janë më – punë për të përfshirë secilin qytetar, pa dallim etnie, në ndërtimin e shtëpisë sonë të përbashkët – punë për t’i thënë jo korrupsionit që po monopolizon fuqinë në duart e një pakice që ia mohon të drejtën e barabartë për të konkurruar, punuar dhe për të krijuar mirëqenie qytetarit të Kosovës – punë për të arsimuar gjeneratën e ardhshme – për ta mbajtur atë të shëndoshë – vendosmëri për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë ata që nuk i kanë përfaqësuar interesat e qytetarëve denjësisht.

“Padyshim, Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë reflektimi. Por, mbi të gjitha ajo është ditë feste, ditë gëzimi kur kthejmë kokën prapa dhe ndihemi krenarë për të arriturën tonë më të madhe këtë shekull, bërjen e Kosovës shtet. E ndajmë këtë ditë me më të dashurit tanë për të festuar dashurinë tonë më të madhe – dashurinë tonë për Kosovën, këtë ëndërr gjeneratash që ne kemi fatin dhe përgjegjësinë ta jetësojmë”, u shpreh presidentja Jahjaga.

Ajo u shpreh e bindur se Kosova do të ecë përpara, ballëhapur e e patrembur.

“Qytetarët e saj do të vazhdojnë të jenë insistues për të ardhmen e tyre të pakthyeshme evropiane, të palëkundur në besimin që ditët e mira për Kosovën vetëm sa kanë filluar”, përfundoi Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Sekretari i Shtetit, John Kerry uron Kosovën

0

Sekretari amerikan, John Kerry ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e 8 vjetorit të pavarësisë, duke përshëndetur përparimin që Kosova ka bërë drejt integrimit euro-atlantik.

Në urim thuhet se SHBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës.

“Në emër të Presidentit Obama dhe qytetarëve të Shteteve të Bashkuara,kam kënaqësinë t’i dërgoj urimet më të mira popullit të Republikës së Kosovës, ndërkohë që ju festoni tetë vjetorin e pavarësisë më 17 shkurt. Gjatë vizitës sime në Kosovë në dhjetor, përshëndeta përparimin që vendi juaj ka bërë kohët e fundit drejt integrimit Euro-Atlantik. Ky përparim përfshin avancimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë, nënshkrimin e një marrëveshjeje për kufirin me Malin e Zi, sigurimin e një marrëveshjeje me Korporatën Sfida e Mijëvjeçarit dhe nënshkrimin e një Marrëveshjeje të Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. Këto dhe hapa të tjera tregojnë vendosmërinë tuaj për t’u bërë anëtare e plotë dhe produktive e komunitetit euro-atlantik”, thuhet në urim.

Më tej potencohet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës, ndërkohë që ajo merr vendimet e vështira dhe të nevojshme për të ecur më tej në rrugën drejt stabilitetit, prosperitetit dhe integrimit.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë e me të gjithë popullin e Kosovës dhe ju urojnë edhe një herë në këtë ditë të veçantë”, thuhet ndër të tjera në urim.

Doli nga shtypi libri ‘Retrospektiva’ i autorit Naser M. Bresa

0

Ka dal nga shtypi libri ‘Retrospektiva’ i autorit Naser M. Bresa. Ky libër ka karakter historiko-politik.

Redaktori Qerim Lita thotë se Bresa tashmë renditet në krijues të disa zhanreve të letërsisë në shqip, duke përshkruar në mënyrë sa më të afërt ngjarjet që nga fëmijëria e deri tek procese të ndjeshme politike.

Autori deri më tani është sprovuar në poezi, dramë dhe Monografi familjare, gjithëpërfshirëse me përmasa të standardit intelektual.

“Libri i emërtuar ‘Retrospektiva’, ka në fokus ngjarje që në vete shënojnë pjesë të paharruara të historisë së jetuar nga vetë autori, i cili është mishëruar me të gjitha ngjarjet në mënyrën dhe formën e tyre”, vlerëson Lita.

‘’Vërtet të shkruash në vetën e parë është diç e vështirë, por nëse je i liruar nga ngarkesa e surbje-ktivizmit’’ edhe mund të bëhet, nga në mënyrë shumë profesionale Bresa i paraqet ngjarjet sikur të ishte jashtë ndodhive, thjesht është model i mirë për shumë punime tjera”.

Autori në librin e tij ka disa karakteristika që vërtet rrallë hasen, si për shembull parafrazimi me nga një paragraf fjalësh të urëta origjinale dhe shumë plotësuese në çdo kapitulli.

“Një çështje tjetër me rëndësi që duhet të vihet në dukje është pasqyrimi i jetës në breza. Tre breza, paraqiten në forma të njëtrajtshme varësisht nga pozita që kanë në familje dhe shoqëri ku jetojnë”.

“Në bazë të kronologjisë së ngjarjes që është renditur në libër, do ju ofroj disa elemente që besoj janë të rëndësishme si parathënie, si p.sh.: Jeta në fshat, faza e parë e shkollimit në shoqëri krejtësisht ndryshe nga ajo që ishte brenda familjes, pak a shumë ishte patriarkale”.

“Ç’është e vërteta në këto mbrëmje tuboheshin të gjithë katër shtëpitë-meshkujt, gjatë ndejës bëhej evokim i ngjarjeve ditore me plotë humor dhe satirë, meditime, vërejtje, ndarje detyrash varësisht nga tema argëtuese ose serioze”.

“E rëndësishme është se në këtë fazë shkollimi bëhesh ndërrimi i mentalitetit tek brezat e rijë, nga ai patriarkal drejt atij përditësor-shkollor, që kishin shumë kundërthënie, si në formën e perceptimit po ashtu edhe të meditimit individual dhe grupor”.

Autori, me mjeshtri e kthen memorien në ditët e para shkollore, duke bartur mesazhe nga më të ndryshmet për pranimin në shoqëri nga kolegët e klasës, pastaj tentimi për të ndërruar gjithçka që ishte e getoizuar deri tek ndërtimi i hapave të parë, ta quajmë fazë e ndryshimit racional në shoqëri.

“Për lexuesin, besoj se ofrohet formë atraktive e qasjes, lehtësisht e pranuar, mendoj se ja ka arritur qëllimit të bëjë atraktive edhe at’ që shpesh nuk do të dukej ashtu!”.

“Pasqyrimi kronologjik i copëzave të ngjarjeve në Retrospektivë, përfshinë edhe vitet 1981, vit i epokalipsës shoqërore, për njërën shtresë ishte ngjallje e emocioneve apo rritje në kohë, gjersa për shtresën e majme të shoqërisë që bashkëjetonte me sistemin e kuq ishte prishje e strofullit engjëllor”.

“Viti 1981, autorin e gjen në bankat shkollore dhe atë të mesme Mjekësore “Ali Sokoli” në Prishtinë, ishte sfidë e dyfishtë, udhëtimi për Prishtinë nga fshati Gracë për të kaluar shumë postblloqe të forcave të xhandarmerisë serbe”.

“Rreziku më i madh ishte Trekëndëshi në dalje nga Lipjani, rruga Ferizaj-Prishtinë si dhe postblloku filtrues i vendosur në maje të Vetërrnikut”.

“E para, autori nuk kishte dokument udhëtimi, sepse ishte në cilësi të nxënësit dhe e dyta edhe po të kishte dokument udhëtimi, dokumenti do i jepej përkohësisht, sepse nuk gëzonte statusin e njëjtë me bashkë-kolegët e tij”.

“Fakt që e rëndonte edhe me tepër para-rezervistëve të dikurshëm, paramilitarëve të mëvonshëm dhe para-rojeve të urës të ditëve të sotme”.

“Edhe pse në moshë të re, maturant, autori tregon vendosmëri kundrejt presioneve të pushtetit të dhunës dhe aparaturës diktatoreske serbo-sllave, drejt kauzës gjithë shqiptare”.

“Ky fenomen te shumë të rij, me potencë student u përhap çdo kund edhe në trojet tjera etnike shqiptare dhe më gjerë, Evropë, Amerikë, duke bartur mesazhe bashkim idesh kundrejt sistemit të kuq”.

“Në bazë të argumenteve që ofron autori në punimin me karakter historiko-politik, vend te posaçëm zen angazhimi në studime, kosto e studimeve, investimet intelektuale, dhe shume maltretime që nuk do i shpaguheshin asnjëherë, bazuar ne fatin e pa shpresë për vite të tëra nga sistemi sllavo-bolshevik”.

“Se me të vërtet autori përfaqëson në vete kom-pleksivitet veprimesh të imponuara nga sistemi hegjemonist, pra kjo ishte jeta në Retrospektivë në Kosovën e viteve 1980-2000”.

“Në mes rreshtash autori len të kuptoi diskriminimin që është bërë kundrejt individëve që nuk iu nënshtruan urdhrave të sistemit ultra-shoven, të cilët ishin pre e drejtpërdrejtë apo e tërthortë e atij sistemi hegjemonist”.

“Masat reperkusive ishin, përndjekje, maltretim psikik, dhunë fizike, paraburgosje, burgosje, transferime dhe se fundi likuidime të shumta, politik aparteidi”.

Bresa për më shumë se 5 vite pas diplomimit nuk ishte lejuar të punësohej, përkundër shumë konkurrimeve në vende të ndryshme dhe nivele shkollore alternative. Më konkretisht, autori, kurrë nuk arriti të punësohej si kolegët e tij, asnjëherë, deri sa zgjati aparteidi i sistemit komunist. Për fat të keq të autorit apo të mirë të disa kolegëve të profesionit, ishin punësuar të pa diplomuar, punonin si profesor në lëndën e Biologjisë në shkolla të ndryshme të Kosovës, Prizrenit në veçanti.

“Autori, nuk lëkundej nga qëndrimet e tij, me kalimin e kohës ai çelikosej me qëndrime anti-komuniste, me ide të fuqishme liridashëse, pro bashkimit kombëtar, si zgjidhje e vetme dhe e qëndrueshme”.

“Ai arrin të punësohej vetëm atëherë kur sistemi shkollor shqip ndahet një herë e përgjithmonë nga sistemi Jugosllavë, dhe atë me disa orë mësimi në njërën nga shkollat e komunës së Prizrenit, në vitin 1991”.

“Besoj në cilësi të konstruktuesit të kësaj parathënie vend të veçantë ka terrori psikologjik që i bëhet autorit, ndjekja politike dhe lufta psikologjike me biseda të shpeshta informative nga inspektorë të lartë të shtetit serb”.

“Autori detyrohet të ju nënshtrohet bisedave me karakter informative, pa rreshtuar, pothuajse kronologjikisht dhe shumë guximshëm të pasqyruara në detaje në librin Retrospektiva”.

“Pas gjithë kësaj golgote, autori përfundon në kidnapim, paraburgim nga pushteti i dhunës dhe terrorit serb, si trajtë përfundimtare, dhunshëm përjashtin nga Kosova me vendim të Beogradit dhe deportim për Shqipëri me 30 Mars 1999”./PrizrenPress.com/

Obama: Trump nuk do të jetë president

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka kritikuar miliarderin, Donald Trump, dhe kandidatët e tjerë republikanë presidencialë, duke thënë se pikëpamjet e tyre për myslimanët dhe ndryshimet klimatike, janë “problematike” për gjithë botën.

“Nuk është vetëm zoti Trump; vetëm shikoni deklaratat që janë bërë nga kandidatët e tjerë”, u tha mbrëmë zoti Obama gazetarëve, gjatë qëndrimit të tij në Kaliforni, dhe ka shtuar se “nuk ekziston asnjë kandidat i vetëm në garën republikane, që mendon se ne duhet të bëjmë diçka për ndryshimin klimatik”.

Për më tepër, Donald Trump, i cili pat propozuar ndalesë të përkohshme kundër hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, “mund të paraqes edhe më tepër peshë në ndjenjën kundër myslimanëve, por nëse ju shikoni në atë që kanë thënë edhe kandidatët e tjerë republikanë, kjo është tejet problematike, po ashtu”, tha Obama.

Duke folur për kandidatin Trump, Obama theksoi se “Trump nuk do të jetë president dhe arsyeja është se unë kam shumë besim në popullin amerikan. Mendoj se ata e dinë se të jesh president është punë serioze”.

Pandeli Majko: Kosovë, gëzuar Ditën e Pavarësisë!

0

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë.
Lexoni urimin e ish-kryeministrit Majko:

“Gëzuar Kosovë ditën e Pavarësisë! Ditë e bukur për tu kujtuar. Ditë e vështirë, sot, për tu festuar. Ktheni kokën nga errësira nga e cila erdhët për të kuptuar më mirë të tashmen.

Gëzuar nga zemra të gjithë Jasharëve, ata që janë mbi e nën tokën e Kosovës. Gëzuar Lladrovcëve dhe Haradinajve. Gëzuar Hashim. Gëzuar Albin. Gëzuar Ibrahim Rugova. Gëzuar Rexhep Qosja. Gëzuar Kryeministër. Gëzuar Presidente.
Gëzuar Piro, nipi im prishtinas.

Ju përshendes e ju përqafoj nga Tirana. Festoni, protestoni, kujtoni dhe ëndërroni, për më shumë… 17 shkurt 2016”.

Partitë opozitare: Protesta e sotme, më masivja që nga paslufta

0

Partitë opozitare kanë vlerësuar se protesta e cila do të mbahet sot, në ora 14:00 do të jetë më masivja që nga paslufta.

Visar Ymeri, udhëheqës i lëvizjes Vetëvendosjes, ka thënë ditë më parë se qytetarët e Republikës nuk e ka ndërmend as ta tolerojnë një qeveri që rrezikon rendin kushtetues për t’ia krijuar Serbisë hapësirën për ndërhyrje politike dhe territoriale në Kosovë e as ta tolerojë faljen e tokave të Kosovës, një shteti të tretë, siç është rasti me Malin e Zi.

Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se pushteti aktual është në panik, ndërsa populli është entuziast dhe i guximshëm dhe sipas tij, ndryshimet po vijnë pikërisht prej popullit.

Ai tha se protesta e nesërme do të jetë më masivja që nga përfundimi i luftës.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj një ditë më parë iu ka bërë thirrje grave të opozitës që të marrin pjesë në protestën e nesërme.

”Ju duhet të merrni pjesë patjetër në këtë protestë duke marrë parasysh gjendjen e gruas në Kosovë” ka shtuar ai.
Ai garantoi se protesta do të jetë e qetë dhe paqësore.

Edhe kryetari i NISMË-s, Fatmi Limaj, ka kërkuar që protesta të jetë paqësore.

“Do të protestohet për shtet me sovranitet dhe do të kërkohet dorëheqja e këtij koalicioni aktual qeverisës që refuzon të jep përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës, me nënshkrimin e marrëveshjeve që ka bërë”, ka thënë Limaj.

Pse jeton me këtë kurvë?

0

Zgjidhja e martesës me bashkëshortin e saj, që e dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht, nuk u ka dhënë fund vuajtjeve të një gruaje në Tiranë.

Edhe pas divorcit, ish­bashkëshorti ka vazhduar ta ngacmojë dhe bezdisë atë në mënyrë sistematike.

Marrja e një urdhri mbrojtjeje në Gjykatë e ka shpëtuar të dëmtuarën D.O. vetëm përkohësisht, pasi në përfundim të tij, ish­bashkëshorti, Xhevdet N., 54 vjeç, riniste “terrorin”.

Ai nuk ka ngurruar edhe ta dhunojë, ta ofendojë, si dhe ndjekë atë nëpër rrugët e kryeqytetit.

Duke ndjerë frikë dhe pasiguri për jetën, e dëmtuara e ka kallëzuar ish­bashkëshortin në Policinë e Tiranës.

Bazuar në këtë kallëzim, Xhevdet N. ka përfunduar si i pandehur në gjyq për akuzën e përndjekjes.

Pak ditë më parë ai u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës për këtë akuzës dhe u dënua me 5 muaj heqje lirie. Sipas vendimit, e dëmtuara D.O. është divorcuar nga i pandehuri rreth pesë vite më parë, për shkak se ai ishte alkoolist, i papunë dhe ushtronte dhunë sistematike ndaj saj në aspektin psikologjik.

Edhe mbas divorcit ai ka vazhduar ta ngacmojë në mënyrë sistematike këtë shtetase dhe ajo ka bërë kallëzim lidhur me sjelljet e tij dhe është pajisur edhe me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata.

Mbas mbarimit të urdhrit të mbrojtjes, i pandehuri ka vazhduar përsëri që t’i dalë përpara asaj, duke fyer sistematikisht atë dhe shoqet e saj.

Referuar vendimit, në 16 tetor 2015 i pandehuri është konfliktuar me partnerin e ri të ish­gruas.

Sapo është afruar drejt tyre, i pandehuri është konfliktuar me Arifin duke i thënë që “pse qëndron me këtë k…” dhe më pas e ka goditur me grusht në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Të nesërmen e kësaj dite ai ka kërcënuar të njëjtin person, ndërsa ka ndjekur nga mbrapa ish­bashkëshorten e tij në zonën e “Pazarit të Ri” dhe “Medresesë”, duke e frikësuar atë.

Ndodhur në këto rrethana, ajo është paraqitur e frikësuar në Polici dhe ka bërë përsëri kallëzim ndaj të pandehurit për “përndjekje”./ Panorama.al

Zafir Berisha: Pavarësinë do ta mbrojë me protestë

0

Deputeti i Nismës Zafir Berisha nuk do tw kishte besuar se në 8 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, do të protestojë në rrugë. Ai tregon se në ditën kur e ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë, nuk i ka shkuar as në mendje se do të vije një ditë që të mbrojë me protesta.

“Para 8 viteve kur kam nënshkruar në Deklaratën e Pavarësisë kurrë nuk më ka shkuar mendja se pas 8 viteve të shpalljes së Pavarësisë së vendit do të ketë nevojë me dalë në rrugë me protestu në mbrojtje të sovranitetit të vendit, sovranitet i cili po rrezikohet nga klasa e papërgjegjshme politike me marrëveshje të dëmshme sic është projekti serbe “Zajednica””, thotë Berisha,shkruan PrizrenPress.

Pavarësisht kësaj, Berisha ka uruar qytetarët për Ditën e Pavarësisë.

“Me rastin e 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, uroj këtë festë të gjithë qytetarëve të Kosovës duke shpresuar që festat me simbolikë si kjo do të jenë motivuese për angazhimin tonë në shtet ndërtim”.

“Përpjekjet e qytetarëve të Kosovës, për liri dhe pavarësi të cilat kulmuan me luftën e lavdishme të UÇK-së, na obligojnë të gjithëve, si qytetar, subjekte politike por edhe institucionale që në frymën e këtyre angazhimeve të punojmë edhe më shumë për një jetë më të mirë në shtetin tonë ndaj të cilit kemi obligim”./PrizrenPress.com

Partia Konservatore uron Ditën e Pavarësisë

0

Me rastin e 8 vjetorit te Pavaresise se Republikes se Kosoves,Partia Konservatore e Kosoves ka uruar te gjithe qytetaret e Kosoves,me deshire qe gjithe se bashku te punojme per te bere Kosoven dhe popullin tone te lumtur dhe krenar me vlerat e tij , te integruar ne strukturat Euro-Atlantike dhe ne OKB.

17 Shkurti I vitit 2008 eshte nje dite e bekuar ne te cilen u kurorezua sakrifica shekullore e shume gjeneratave te atdhetareve te devotshem te cilet flijuan gjakun dhe pasurine e tyre per jetesimin e Shtetit te Kosoves.Ne pervjetorin e tete te shpalljes se Pavaresise I kujtojme me pietet dhe lutemi per shpirtarat e te gjithe atyre qe flijuan jetrat dhe familjet e tyre per kete dite te shenuar per kombin tone.

Urojme qe institucionet tona shterore dhe qeveritare te vazhdojne te angazhohen me perkushtim dhe vendosmeri akoma me te madhe ne ndertimin e shtetit te

Kosoves, duke e bere ate shtet ligjor I cili garanton liri ,siguri,zhvillim ekonomik,prosperitet dhe mireqenje per te gjithe qytetaret e vendit tone .

Urime dhe e gezofshim per jete e mot Shtetin e Kosoves!
Zoti e bekofte Kosoven dhe qytetaret e saj!
PARTIA KONSERVATORE E KOSOVES
Munir BASHA
Kryetar

Qosja: Aktivistët e opozitës po arrestohen nga shërbëtori i Millosheviqit

0

Akademik Rexhep Qosja sot ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve më të reja në Kosovë: Mbledhjet e Kuvendit që mbahen në prani shumë të madhe të policëve, arrestimet e deputetëve të opozitës.

Qosja në këtë reagim ka kërkuar ngritjen e zërit kundër Qeverisë aktuale të Kosovës.

Ky është reagimi Qosjes: Regjimi i sotëm në Kosovë ka hyrë në fazën e përdorimit të metodave fashiste në pushtetin që po zbaton dhe këto metoda fashiste nuk po i përdor vetëm sot. Papërgjegjshmëria, shantazhet, gënjeshtrat, kërcënimet, përjashtimet prej pune të familjarëve të kundërshtarëve politikë janë vetëm disa përbërës të metodave fashiste të këtij pushteti. Dëshmi e përdorimit të metodave fashiste në pushtetin e Kosovës sot janë mbledhjet e parlamentit në të cilat gati sa deputetë marrin pjesë policë në uniforma dhe në veshje civile Dëshmi posaçërisht e egër e zbatimit të metodave fashiste në pushtetin e Kosovës janë burgosjet e deputetëve dhe të aktivistëve të Opozitës që tash e sa kohë po urdhëron Qeveria e Kosovës. Këto metoda fashiste, u panë sidomos dje dhe sot: dje – kur, dy ditë para protestës së Opozitës, u thirrën në seancë gjyqësore ish kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, deputetja e AAK-së, Donika Kada Bujupi, dhe deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli dhe sot – kur në orën 6 të mëngjesit, një ditë para protestës së Opozitës, me urdhër të gjykatësit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, u arrestua shefi i grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, dhe shtatë aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes.

Metodën fashiste të arrestimit të tyre e bënë sa brutale aq edhe komike si “0vonesa” ashtu edhe arsyeja e arrestimit të tyre: ata u arrestuan sepse në vitin 2009 i paskan rrotulluar disa xhipa të EULEX-it dhe i paskan rrotulluar për shkak se EULEX-i kishte bërë marrëveshje me Policinë Serbe! Nuk ka dyshim se qëllimi i arrestimit të tyre është dobësimi sa më i dukshëm i protestës së nesërme në njërën anë, kurse frikësimi i pjesëmarrësve si dhe i atyre që kanë menduar të marrin pjesë në protestë, në anën tjetër. Kur burgosen aq lehtë, e në mënyrë aq fashiste krerët e opozitës, çka mund t’u ndodhë qytetarëve të tjerë! Populli shqiptar i Kosovës, inteligjencia shqiptare e Kosovës, inteligjencia shqiptare në përgjithësi nuk guxojnë ta heshtin këtë rikthim të metodave fashiste në pushtetin e Kosovës.

Është detyrë politike, është detyrë morale, është detyrë kombëtare, është detyrë historikë e popullit shqiptar të Kosovës, e inteligjencies shqiptare të Kosovës, e inteligjencies shqiptare në përgjithësi të ngre zërin kundër kësaj të keqeje fashiste që po ia sjell Kosovës qeveria e sotme e kryeministruar prej ish – shërbëtorit politik të Sllobodan Millosheviqit, i cili shtetin e Kosovës, si po shihet, me metodat e tij fashiste, po e bën “ranç” tij privat. Të këqijat politike parandalohen vetëm para se të institucionalizohen. E zbatimi i metodave fashiste në pushtetin e sotëm të Kosovës ka hyrë në fazën e institucionalizimit.