29.7 C
Prizren
E hënë, 30 Qershor, 2025
Home Blog Page 6335

Po ti ku ishe, Mehmet Kraja?!

0

SALI BYTYÇI

Pasi z. Mehmet Kraja po thotë që ka plagjiaturë në Akademi dhe unë po ia dokumentoj këtë plagjiaturë, është mirë që mos kjo të ngelet vetëm në fjalë, por të fillojë procedura e dhënies së përgjegjësisë. Peshku qelbet nga koka, nga koka të fillojë edhe pastrimi! Akademia të bëjë një gjest, i cili njerëzve do t’i kthente besimin se, megjithatë, jetohet në këtë vend dhe që shpresa po kthehet!

Çdokush që sot e lexon shkrimin e Mehmet Krajës në “Express”, “Ku ishe ti, Adam?”, nuk mund t’i ikë emocioneve. Edhe mua më përfshinë emocione, të forta, të ngjashme me ato të kohës kur UÇK-ja doli hapur… Pastaj, dihet çfarë ndodhi.

Po çfarë do të ndodhë me këtë dalje “hapur” të Mehmet Krajës?! Për mendimin tim, asgjë! Njerëzit do të flasin fjalë miradije, kaq. Askujt prej atyre që i përmend në shkrimin e tij z. Kraja, nuk do t’i mungojë një qime. Po edhe diçka: Mos z. Kraja këtë shkrim e bëri vetëm për t’u arsyetuar: Ja, Akademia e thotë fjalën e duhur në kohë të duhur, ndaj edhe mileti duhet të jenë të relaksuar me të?!

Edhe kjo ka mundësi të jetë e vërtetë.

Po, ndërsa ti e thërret Adamin, një qenie që mund të jetë Të Gjithë Ne ose Askushi, edhe unë i jap vetes të drejtë të bëjë pyetje: Po ti ku ishe, Mehmet Kraja?! A mos je paksa i vonuar në denoncimin e këtij degradimi?!

Nëse nuk mund të jesh përgjegjës për krejt të këqijat e Kosovës, për të këqijat në Akademi nuk mund t’i ikësh përgjegjësisë.

Në vend që Akademia e Shkencave të jetë shembull i së mirës në vendin tonë, është katandisur njëjtë, nëse jo më keq, si të gjitha institucionet tjera të Kosovës, gjë që në këtë shkrim e pranoni edhe vetë ju, Mehmet Kraja!!!

Këtë vit bëhen 10 vjet nga koha kur kam shkruar për plagjiaturën në Akademi, dhe jo vetëm për plagjiaturën, por edhe për skandalet që kanë ndodhur herë pas here aty, nga pranimi i njerëzve pa kurrfarë kriteresh e deri te botimet korruptive dhe “projektet enciklopedike”, në të cilat vend të veçantë do të kenë jo vetëm anëtarët e familjeve tuaja, djemtë e vajzat, po edhe vjehrrit dhe baxhanakeshat tuaja!

Nga ajo kohë, 10 vjet, më ka ngelur në mendje edhe një kujtim i paharrueshëm.

Ishte fundi i vitit 2005. Nuk e di saktë që atë mbrëmje apo ditën e nesërme, do të publikoheshin në Tiranë emrat e atyre që do të merrnin çmime të ndryshme letrare, në mesin e të cilave edhe Pendën e Argjendtë, kur Universiteti AAB po ndante disa çmime për vepra letrare për këtë vit. Atë kohë punoja në gazetën e përditshme “Lajm” dhe, së bashku me Ibrahim Rexhepin, që ishte kryeredaktor, dhe disa të tjerë, shkuam për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Gjatë rrugës, Ibrahimi më tha se, nëse Sabri Hamiti do të merrte Pendën e Argjendtë, ashtu si flitej, unë të mbahesha, pasi e paskësha akuzuar pa të drejtë! Unë i thashë që s’është problem… Kur arritëm te godinat e Universitetit AAB, takuam edhe Mehmet Krajën, i cili kishte konkurruar në Tiranë për çmim, të cilin unë direkt e pyeta: “Vërtet Pendën e Argjendtë po e merr Plagjiatori” (ishte fjala për Sabri Hamitin), ai m’u përgjigj shkurt: “Plagjiatori po e merr!”

Në vazhdim, po jap shkrimin tim, të përgatitur për botim në gazetën “Lajm”, në fund të vitit 2005, pasi Sabri Hamiti mori Pendën e Argjendtë në Tiranë për librin “Tematologjia”, për të cilin unë më 1 maj 2005 kisha bërë një shkrim në të cilin, me fakte, pata ardhur në përfundim se libri i tij është plagjiaturë. Në këtë kohë, Mehmet Kraja ishte redaktor i shtojcës së kulturës në gazetën “Koha ditore”, në të cilën, për çdo javë trajtonte nga një temë që ishte më aktuale në kulturën tonë. Aktualitet i javës, po edhe i vitit, ishte marrja e Pendës së Argjendtë nga Sabri Hamiti, por Mehmet Kraja, në vend që ta problematizonte legjitimimin e plagjiaturës nga Tirana, botoi një shkrim për Teodor Shkodranin (nuk e di i sati shkrim i tij për Teodor Shkodranin ishte ky!!!), në kontekstin: pse na kishin kaq inat intelektualët nga Shqipëria që e kishim zbuluar ne? E dëngla të ngjashme.

Ndërsa unë, edhe pse shkrova për këtë skandal që ndodhi në Tiranë, shkrimin nuk e botova, po e ruajta deri sot. Ndërkaq, vazhdova të shkruajë edhe më tej për plagjiaturat, po edhe për skandalet jo vetëm në Akademi. Në vitin që shkoi, disa nga shkrimet i mblodha dhe i botova në shtëpinë botuese “Onufri” të Tiranës, me titull “Hamitologji”, me ç’rast disa kopje ia dorëzova edhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Pasi z. Mehmet Kraja po thotë që ka plagjiaturë në Akademi dhe unë po ia dokumentoj këtë plagjiaturë, është mirë që mos kjo të ngelet vetëm në fjalë, por të fillojë procedura e dhënies së përgjegjësisë. Peshku qelbet nga koka, nga koka të fillojë edhe pastrimi! Akademia të bëjë një gjest, i cili njerëzve do t’i kthente besimin se, megjithatë, jetohet në këtë vend dhe që shpresa po kthehet!

Shënim: Teksti i selektuar është shkrimi që pata përgatitur për botim në fund të vitit 2005:
Teodor Shkodrani i Mehmet Krajës – etika kulturore që po na mungon
SALI BYTYÇI
Nuk kisha ndërmend të merrem më me “Tematologjinë” e Sabri Hamitit. Sa i përket këtij libri, unë e kam thënë mendimin tim dhe tani më nuk dua ta përsëris. Prita më shumë se një muaj, pasi libri i tij e mori Pendën e Argjendtë dhe këtu nuk e tha kush një fjalë rreth tij. Ndërkaq, “Teodor Shkodrani” i Mehmet Krajës më nxiti që së paku t’i them dy fjalë.

Kujt iu desh pikërisht në këtë kohë Teodor Shkodrani? Në fund të fundit, çfarë kuptimi ka të merresh sot me të, kur në kulturën shqiptare u legalizua plagjiatura? Bile, çka është më interesante plagjiatura, përveç që u legjitimua, ajo edhe u shpërblye me Pendën e Argjendtë, në Tiranë (në dheun e të ashtuquajturave shqipe, ndërsa Konica do të thoshte të zulluve)! Në këtë kontekst, çfarë rëndësie ka zbulimi nëse ka ekzistuar Teodor Shkodrani treqind vjet para Buzukut, treqind vjet pas tij, apo nuk ka ekzistuar fare? Me legjitimimin e plagjiaturës, gjejmë ndonjë libër të lashtësisë (greke, latine apo edhe sumero-babilonase), e botojmë si vepër origjinale iliro-shqiptare dhe e nxjerrim shkrimin e shqipes si të njëkohshëm me shkrimin antik ose si paraprijës të tij!

Edhe dy fjalë juve të Tiranës: Plagjiaturat po i shpërbleni me çmime kombëtare, gazetarët e rëndomtë po i pranoni në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, po shkruani për pak para recensione e parathënie librash të pavlera që po botohen në Kosovë, pa i lexuar fare! E gjithë kjo po ndodh në kohën e internetit!

Shkrimi im për “Tematologjinë” është botuar edhe në gazetat tuaja, po është edhe në internet! Komisioni që e ka ndarë këtë çmim së paku një herë e ka lexuar, ndaj edhe thënia e Krishtit: “O, Zot, fali se nuk dinë ç’bëjnë”, është e pavlershme në këtë rast.

Me shkrimet e mia kritike kam bërë përpjekje që së paku të gjuaj ndonjë guralec në moçalin kulturor të Kosovës, në të cilin janë kredhur plot qenie parazite. Megjithatë, përveç ndonjë gudulisjeje, jam i vetëdijshëm se këtyre qenieve nuk kam arritur t’u shkaktoj asgjë tjetër, sepse janë futur aq thellë në dhjamin e grumbulluar në kohën e komunizmit, si dhe në llumin e anarkisë pas rënies së tij, sa që guralecët e mi nuk kanë arritur t’ua prishin qetësinë kënetore fare…

Pasi e lexova shkrimin e Mehmet Krajës, të botuar së pari në Tiranë e pastaj edhe në Prishtinë, në gazetën që pretendon të jetë opozitare “Koha ditore”), së paku ngase është pronë e një udhëheqësi të opozitës, por kur është fjala për gjëra “delikate” që i ndodhin pozitës hesht, më shkoi mendja se edhe për “Tematologjinë” Kraja do të shkruajë pas pesë-gjashtë vjetësh, kuptohet nëse autori i saj bie nga pushteti! Por me shkrimin që bëri një javë më vonë për “Reumatologjinë”, e kuptova mirë se “Tematologjia” për të është tabu temë. Ndërkaq sa u përket temave tabu, më mirë se ata që janë rritur e “janë rritur” në komunizëm, që lirisht mund të themi se janë edhe produkte të tij, askush tjetër nuk ua di biblën e tyre…

Shoqëria shqiptare, andej e këndej kufirit, ka nevojë para së gjithash për pak etikë, sepse etika është sikur ajo luga e kripës pa të cilën gjella, pa marrë parasysh se çfarë përmban, nuk hahet! Dhe lutjes së personazheve të Migjenit: “O Zot, bukën tonë të përditshme falna sot”, t’ia bëjmë një korrigjim: “O Zot, etikën tonë të përditshme falna sot”. Kjo vlen sidomos për shtresën e ashtuquajtur intelektuale, e cila sot më shumë se kurrë është e zhveshur nga etika, edhe atëherë kur posedon me pak dije; shtresë që e humbi çdo kufi në mes të asaj që është etike dhe asaj që nuk është etike!

Bile edhe këto fjalë që po i shkruaj, e di mirë se po i shkruaj kot…., se Sabri Hamiti sa herë që ka nevojë, plagjiaton, ndërsa këtu, përveç pëshpërimave të një pjese të opinionit, satelitët e tij shkruajnë panegjirike në gazeta e libra për të pa iu trembur syri fare… Të tjerët heshtin.

Mushkolaj: Kundërshtimi i Thaçit për President nga nëndegët, planë i LDK-së!

0

Për njohësin e çështjeve politike në vend, Imer Mushkolaj kundërshtimi i zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi për zgjedhje President nga disa nëndegë të LDK-së, mund të jetë i organizuar nga vetë LDK-ja.

Në një prononcim për Gazeta Blic analisit Mushkolaj, e ka komentuar kundërshtimin e Thaçit për President të Kosovës, nga disa nëndegë të LDK-së, duke mos e hedhur poshtë mundësinë se kundërshtimi mund të vije edhe nga njerëzit që besojnë në një LDK, tjetër, raporton gazetablic.com

“Mund të jenë edhe të organizuara, nga vetë LDK, por më parë janë organizim i njerëzve që vërtet besojnë në një LDK çfarë do të duhej të ishte, njerëzve që besojnë në një LDK që nuk duhet ta bëjë Hashim Thaçin prsident – që besojnë në një LDK të vërtetë, e jo në një LDK patericë të Thaçit dhe parti interesash të ngushta të një grupi të caktuar individësh”, ka thënë Mushkola.

Në media, është raportuar se kandidimi i Thaçit, për President mund të ndodhë para datës së protestës së paralajmëruar nga blloku opozitarë, e cila pritet të ndodhë me 17 shkurt, pikërisht në datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për dorëheqjen e Qeverisë si dhe anulimin e dy marrëveshjeve. Përveç nëndegëve të LDK-së, kundër Thaçit President janë deklaruar edhe disa deputetë të LDK-së, parti kjo në koalicion me PDK-në.

Deklarata shokuese e Majkos: Rama është kokëderr! (VIDEO)

0

Pandeli Majko mbrëmë në emisionin “Top Story” kadeklaruar se Edi Rama ka shumë të meta.

Ai ndër të tjera theksoi se Rama është kokëderr. Majko u shpreh se kokëderr nuk është vetëm Rama, por të tillë kanë qenë edhe Meta, Nano dhe madje edhe vetë.

Sipas tij, ky vend nuk qeveriset nëse nuk je kokëderr. /Albeu.com/

https://youtu.be/2jf0_MFkk4w

Opozita: Protesta e 17 shkurtit, më masivja

0

Subjektet opozitare shprehen të bindura se protesta e 17 shkurtit kundër Qeverisë “Mustafa” dhe Marrëveshjes për Asociacionin si dhe asaj për Demarkacionin do të jetë edhe më masive sesa protesta e 9 janarit, e cila u konsiderua më e madhja e opozitës gjatë viteve të pasluftës në Kosovë.

Përfaqësuesit e opozitës thonë se blloku opozitar është duke zhvilluar takime me qytetarë për çdo ditë nëpër qytete dhe fshatra dhe se ka gatishmëri të lartë qytetare për të protestuar kundër Qeverisë të cilën ata e quajnë shkelëse të Kushtetutës.

Adonis Tahiri nga Lëvizja “Vetëvendosje” ka thënë se opozita e bashkuar po vazhdon me kundërshtimin e marrëveshjeve që ai i quan të dëmshme për Kosovën dhe me kundërshtimin e kësaj Qeverie, e cila, sipas tij, po cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Tahiri ka thënë për “Zërin” se opozitarët për çdo ditë po mbajnë tubime me qytetarë nëpër qytete e fshatra të Kosovës dhe se mobilizimi është shumë i madh dhe niveli i gatishmërisë së qytetarëve për të kundërshtuar këto procese dhe këtë Qeveri po rritet vazhdimisht. “Protesta e 9 janarit ishte sinjal i qartë për Qeverinë e Kosovës..

Gjyqësori mafioz mbron skandalin në Kushtetuese

0

Ish-avokati i Popullit komenton refuzimin nga Prokuroria për trajtimin e veçantë të rastit “Hasani”

Sistemi i drejtësisë, i kapur nga politika

”Do të ishte precedent i rrezikshëm ndryshimi i normës në çdo rast, për çdo vepër veç e veç. Ndryshimet duhet të përcjellin zhvillimet e përgjithshme në një shoqëri, por jo të bëhen ad hoc, sipas dëshirës së kujtdo qoftë”, u shpreh Kurteshi në bisedën me ”Kosova Sot”

Ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, e cilëson skandaloz vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për refuzim të kërkesës së Prokurorisë Speciale për zbatimin e mundësisë së hetimit të veçantë të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Hasani dyshohet për vepër penale të keqpërdorimit të pozitës së autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar – nënshkrimin e gjyqtarit amerikan të Gjykatës Kushtetuese, Robert Carolan. Një panel i Gjykatës Themelore të Prishtinës -Departamenti për Krime të Rënda, ka gjetur në aktvendimin e vet se kërkesa e Prokurorisë Speciale për “zbatimin e mundësisë së hetimit të veçantë është e pabazuar dhe si e tillë nuk mund të pranohet dhe rrjedhimisht refuzohet, për shkak se çështja në fjalë ka të bëjë me imunitet funksional të kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Si arsyetim tjetër në këtë aktvendim të Gjykatës Themelore përmendet edhe pavarësia në vendimmarrje e kryetarit dhe gjykatësve, e cila pavarësi garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet aktuale në fuqi. IshAvokati i Popullit në atë kohë, Sami Kurteshi, ngriti dyshimin për falsifikim të një dokumenti të Gjykatës Kushtetuese nga vetë kryetari i kësaj Gjykate, Enver Hasani… /kosova sot/

Beogradi akuzë tjetër për Thaçin: Trafikoi organe në Nigeri!

0

Shumë pak ditë përpara se të zhvillohet seanca për zgjedhje e Presidentit të ri të Kosovës ku Hashim Thaçi pritet të jetë kandidati kryesor, Beogradi përgatit një akuzë të montuar ndaj tij.

Bëhet fjalë për avazin e vjetër të “trafikut të organeve” që u nxor nga Dick Marty në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Por pasi nuk qullosën gjë në Burrel e në Kukës me të ashtuquajturën “shtëpi të verdhë”, serbët kanë shkuar deri në Nigeri për të gjetur aleatë mbi këtë akuzë që sipas të gjitha gjasave do të dërgohet në Gjykatën Speciale.

Në televizionin shtetëror serb RTS është lexuar një deklaratë që thuhej se ishte hartuar nga “Shoqata e Mjekëve Nigerianë”, të cilët deklaronin se Hashim Thaçi dhe një nigerian, koleg i tyre, ishin parë të zhvillonin trafik organesh kur Thaçi ishte kryeministër.

Deklarata, që dukej tipike një fletë-rrufe e përgatitur nga shërbimet sekrete, thekson seThaçi në bashkëpunim me miliarderin Nigerian Roçasa Okoroçu dhe autoritetet turke e kroate, kanë kryer trafik organesh.

Pra Beogradi, pasi nuk arriti të godiste me akuzën e trafikut të organeve gjatë kohës kur Thaçi ishte në krye të UÇK-së, e ka rimarrë atë në një kohë tjetër. Pra udhëton në kohë me të njëjtën akuzë bajate. Madje implikon edhe Behgjet Pacollin dhe kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ish-ministre e Ekonomisë.

Beogradi ka gjetur edhe një bedel për të dëshmuar mbi akuzën. Quhet Filip Nzhemanze dhe paraqitet si kryetar i shoqatës së mjekëve të Nigerisë.

Ai tha në televizionin shtetëror serb se Thaçi e ka bërë rrugë linjën Prishtinë-Abuja.

Ndxhemaze ka akuzuar edhe autoritetet shtetërore të vendit të tij se janë të përfshira në trafikun e organeve, përcjell tesheshi.com.

“Kemi të bëjmë me një linjë trafiku ndërkombëtar që drejtohet nga Roçasa Okoroçu dhe Thaçi është kreu i këtij trafiku në Europë”, tha në televizionin e Beogradit mjeku nga Nigeria që ka marrë shtetësi serbe.

Tri mandate me Thaçin në krye, asnjë padi ndaj Serbisë

0

Hashim Thaçi, i cili është në mandatin e tretë qeverisës dhe dy mandate ishte kryeministër, pati premtuar, por akoma nuk po guxon që ta padisë Qeverinë serbe për gjenocidin që Serbia e ka bërë në Kosovë

Qëndrimi i vazhdueshëm armiqësor i shtetit serb ndaj Kosovës, pavarësisht bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve që po zhvillohen me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel dhe nënshkrimit të marrëveshjeve në fusha të ndryshme që nuk po japin efekt në zbatimin e tyre, për shkak të rolit destruktiv të palës serbe në raport me Kosovën, e ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut në këtë formë.

Përfaqësuesit politikë dhe analistët e pavarur konsiderojnë se është momenti që tani të rishikohet dialogu me Serbinë, si armike e pavarësisë dhe ndërkombëtarizimit të Kosovës dhe të përdoret strategji krejt tjetër e sjelljes në raport me këtë shtet fqinj. Një nga hapat e parë që do të duhej bërë si kundërvënie ndaj palës serbe do të duhej të ishte edhe aktivizimi pa vonesë i padisë ndërkombëtare për krimet e luftës që ka bërë shteti serb në Kosovë. Hashim Thaçi, i cili është në mandatin e tretë qeverisës dhe dy mandate ishte kryeministër, pati premtuar, por akoma nuk po guxon që ta padisë Qeverinë serbe për gjenocidin që Serbia e ka bërë në Kosovë./kosova sot/

Ymeri: Ramushi gaboi

0

Shkuarja e Ramush Haradinajt në takimin me liderët, të ftuar nga presidentja Atifete Jahjaga, ka qenë gabim politik dhe nuk është bërë në dakordim me Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Kështu ka thënë gjatë një interviste për gazetën “Zëri” lideri i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, duke bërë të ditur se dy ditë para këtij takimi, Haradinajt i kishin sugjeruar që t’i thotë “jo” ftesës së presidentes.

Ai thotë se në Kosovë sa më shpejt duhet të organizohen zgjedhjet e parakohshme, ku partitë e bllokut opozitar, bashkë me pjesëtarët e shoqërisë civile, do të shkojnë me një listë të përbashkët, përderisa rregullat e koalicionit do t’i caktojë “Vetëvendosja”.

Kreu i partisë më të madhe opozitare është i bindur se aktualiteti politik dhe institucional nuk e lejon zgjedhjen e cilitdo politikan president të Republikës së Kosovës, me ç’rast, sipas tij, do të pengohet edhe zgjedhja e Hashim Thaçit, qoftë nëpërmjet gazit lotsjellës, apo formave të tjera të kundërshtimeve politike.

Ai thotë se subjekti i tij politik mund të bashkëpunojë me LDK-në, në qoftë se në krye të saj vjen Vjosa Osmani. /Zëri/

Hoti kërkon qeveri teknike (Video)

0

Deputeti i Nismës për Kosovën, Enver Hoti, ka kërkuar shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe krijimin e një qeverie teknike e cila, sipas tij, duhet ta përgatiste vendin për zgjedhjet e ardhshme të lira, të cilat do t’i jepnin një drejtim të ri Qeverisë.

“Në Kosovë është krijuar një sistem i banditizmit dhe nuk mund të flasim vetëm për një qeveri, prandaj kemi revoltën qytetare e cila po do ta rrënojë atë. Ky sistem që ka ngulfatur vendin në të gjitha institucionet, duhet të largohet sa më shpejt”, ka thënë Hoti në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.

Deputeti ka komentuar edhe takimin e presidentes Jahjaga me disa nga liderët e partive politike.

“Ka pasë takime nga opozita në të cilat janë paraqitur arsyeje pse nuk duhet të shkohet në takim dhe pse Haradinaj ka vendosur të shkojë në të. Ajo tashmë është e kaluar dhe mendoj që nuk ka asnjë përçarje të bllokut opozitar”, ka thënë Hoti.

Ja në cilin raund pritet të zgjidhet Thaçi president

0

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, pritet të zgjidhet president në raundin e tretë të votimit. Kështu ka bërë të ditur një burim brenda koalicionit qeveritar.

Sipas këtij burimi, ka një ujdi që në dy raundet e para shumica e deputetëve të LDK-së do të votojnë kundër Thaçit president, ndërsa në raundin e tretë ata do të ndryshojnë votën e tyre për t’i mundësuar kreut të PDK-së drejtimin e presidencës në pesë vitet në vazhdim.

Gjithnjë sipas këtij burimi, Thaçi nuk do ta ketë problem kourimin e nevojshëm për të nisur procedurat për të votuar, pasi mësohet se janë vetëm dy ose tre deputet të LDK-së të cilët nuk do të qëndrojnë në sallë kur do të hedhet në votim çështja e presidentit. /Gazeta Tribuna/