22.3 C
Prizren
E premte, 13 Qershor, 2025
Home Blog Page 6387

Aktakuzë ndaj suharekasit për posedim të drogës

0

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit N.R., i lindur në vitin 1971, në një fshat të Suharekës.

Në aktakuzë thuhej se pas një kontrolli të bërë në shtëpinë e shtetasi N.R., atij i është gjetur në posedim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, substanca apo preparate të cilët janë shpallur me ligj si narkotik.

“Gjatë bastisjes se shtëpisë së shtetasit N.R., brenda në oborr i është gjetur një bidon plastike i mbyllur me kapak, brenda së cilit ishte e fshehur substanca narkotike e llojit heroinë dhe kokainë të përziera me preparate tjera”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, shtetasi N.R., ka kryer veprën penale ‘blerje, posedimi, shpërndarje dhe shitje e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, të parapara në neni 273, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës. /PrizrenPress.com

Komuniteti në Prizren të ketë përfshirje të shtuar në politikat e qytetit

0

EC Ma Ndryshe të martën ka realizuar konferencën dhe ekspozitën “Një Qytet për Komunitetin”, duke prezantuar aktivitetet e projektit “Qyteti Gjithëpërfshirës”, i cili gjatë këtij viti ka promovuar aktivizmin komunitar në lagjet urbane të Prizrenit. Në këto organizime kanë marrë pjesë përfaqësues të lagjeve urbane të qytetit, aktivistë të shoqërisë civile, zyrtarë të komunës dhe të institucioneve tjera publike.

Hajrulla Çeku nga EC Ma Ndryshe në hapje të konferencës ka theksuar se aktivitetet e realizuara në kuadër të projektit kanë pas për synim fuqizimin e aktivizmit qytetar përmes organizimit komunitar, që ka rritur presionin te institucionet për përfshirje të qytetarëve në hartimin e politikave publike, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me çështjet e urbanizmit dhe shërbimet publike.

Raportin vjetor të projektit e ka paraqitur Doruntina Ukimeri nga EC Ma Ndryshe duke elaboruar për takimet e zhvilluara në lagje, punëtoritë e vizionimit, zhvillimin e platformës online, performancat publike, hulumtimin mbi perceptimin e qytetarëve për çështjet e urbanizimit në Prizren, aktivizmin në raport me autoritetet, angazhimet për hartimin dhe miratimin e rregullores komunale për planifikim me pjesëmarrje, etj.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kujtim Gashi ka pohuar se EC Ma Ndryshe duke qenë në kontakt me komunitetin ka arritur që brengat e qytetarëve t’i adresoj te organet komunale dhe institucionet tjera, dhe kësisoj një pjesë e tyre në formë projektesh kanë hyrë në agjendë të zbatimit nga Komuna e Prizrenit. Sipas tij përmes këtij projekti shoqëria civile është bërë urëlidhëse që afron pushtetin lokal me qytetarët dhe anasjelltas.

Rezultatet e hulumtimit në lidhje me atë se çka ka ndryshuar në urbanizmin e Prizrenit në këto tre vite i ka prezantuar Rozafa Basha, derisa Edon Mullafetahu ka dhënë udhëzime praktike mbi transformimin e hapësirave publike përmes përfshirjes së komunitetit. E banori i Qyk Mahallës, Latif Bytyqi ka shpalosur një model të mirë të organizimit komunitar në nivel të lagjes.

Në kuadër të këtij organizimi është ndarë çmimin “Lagjja më Aktive 2015”, ku në bazë të vlerësimit të bazuar në 8 kritere është zgjedhur Lagjja Bazhdarhane.

Pas përmbylljes së konferencës është hapur dhe ekspozita me fotografitë nga organizimi komunitar në Prizren për planifikimin urban me pjesëmarrje. /PrizrenPress.com

A e dinë Kryeministri çka është korrupsioni?

0

Nga Jakup Krasniqi

Dje Kryeministri tha: “Le të tregoi opozita se ku ka korrupsion, këtë vit (të qeverisjes së tij) nuk ka asnjë skandal”?! Se vetëm aty ku ka skandale paska korrupsion a?! Ja, me çfarë sigurie flet Kryeministri që i ka 70 dosje në Prokurori dhe që e ka qeverisur tepër keq për dy mandate Kryeqytetin tonë, Prishtinën?!

Njeriut që e dinë çka është korrupsioni, s’ka si mos të pyet: A e dinë Kryeministri që njëherit është edhe Akademik, se çka është korrupsioni?

Kryeministri ka harruar se edhe mashtrimi disa vjeçar, se nuk do të bëjë koalicion me PDK-në e Hashim Thaçit, është korrupsion shumë i madh, bile edhe i rrezikshëm, është korrupsion moral. Korrupsioni moral është një bazament i fuqishëm për të gjitha llojet e tjera të korrupsionit, siç është ai politik e financiar. Lexuesi i vëmendshëm duhet ta dinë, se korrupsioni nuk është vetëm financiar apo ai i ryshfetit dhe i mitos. Nuk besoj që ka njeri në Kosovë që beson se korrupsioni financiar në Kosovë, na qenka zhdukur si “vesa para diellit”, me ardhjen e Isa Mustafës në krye të Qeverisë së Kosovës?!

Korrupsioni moral i filluar nga Isa Mustafa enda pa u bërë Kryeministër, është bërë në momentin kur ai e ka finalizuar koalicionin me “kapsin e institucioneve të shtetit” (për çka ai ka folur shumë herë), të gjithë po e shohim se ai e ka prodhuar, korrupsionin politik duke u bërë vazhdues dhe thellues i marrëveshjeve politike më Beogradin zyrtar. Qytetarët e Kosovës gjatë këtij mandati kanë parë se ky koalicion qeverisës ka humbur një pjesë të sovranitetit të shtetit (te gjyqësorit) dhe me marrëveshjet e Brukseli të 25 gushtit 2015 e ka bërë hisedarë në sovranitetin e shtetit, shtetin e Serbisë. Ky lloj i korrupsionit, që do të reflektoj shumë më shumë sesa korrupsioni financiar që mund të kufizohet në një mandat qeverisës, del të jetë shumë herë më i rrezikshëm sesa cilado formë tjetër e korrupsionit. Forma e korrupsionit politik, len pasoja të pa riparueshme për breza. Kur Mbreti Zog, ia fali Shën Naumin dhe Vermoshin Mbretërisë Jugosllave, ato mbeten të humbura edhe sot e kësaj dite.

Natyrisht që forma më e përhapur e korrupsionit në kohën tonë, është forma financiare e korrupsionit, që në Kosovë ka një shtrirje të gjerë në të gjitha pushtetet dhe përtej tyre. Pa dyshim që është e pa mundshme që mos të ketë korrupsion financiar të kushtëzuar në tenderomaninë tonë të konfirmuar edhe nga organizata ndërkombëtare profesionale, e mos të flasim për ryshfetmarrje e mitmarrje, të shtrira gjithandej në shoqërinë tonë. Ky dyshim rritet edhe më shumë edhe në përqindje, kur në krye të qeverisë vinë njerëz që janë të njohur për formën e korrupsionit moral e politik, të cilat pa dyshim që janë format më të rrezikshme të korrupsionit.

Të përfundojmë: edhe po të ishte e vërtetë, se ketë vit nuk ka korrupsion financiar, do të mjaftonte edhe më shumë sakaq, fakti se kjo qeveri dhe ky koalicion ka shkel çdo normë të traditës kombëtare (sidomos Kryeministri), duke shkelur fjalën e dhënë dhe kjo nuk është bërë pa një interes meskin (financiar). Kur, kësaj ia shtojmë edhe marrëveshjet tepër të këqija e të pa drejta të Brukselit, duke përfshirë “Zajednicën” dhe Demarkacionin, korruptim më të madh, më të pa drejtë e më të dëmshëm nuk i duhen Republikës së Kosovës. Kjo është një dëshmi tjetër, se shqiptarët tradicionalisht kanë probleme të mëdha me korrupsionin moral, politik, gjithsesi dhe financiar?! Zogu dy herë e par zbrazë arkën e shtetit dhe shqiptarët vazhdojnë ta quajnë “mbreti i shqiptarëve”?! Dhe çka është edhe më keq, ne shqiptarët jemi tepër lojal ndaj këtyre fenomeneve prapambetlënse, të cilat po na përsëritën shpesh! Jo me kot, thonë: “Kush nuk mëson, pëson”!

Letër e hapur Thaçit e Veselit: Dorëhiquni

0

Profesoresha dhe ish e burgosura politike,Afërdita Dervishi, përmes një letre të hapur drejtuar Kryetarit të PDK’së, Hashim Thaci dhe zëvendësit të tij në parti, Kadri Veseli, ka kërkuar dorëheqjen e tyre pas zhvillimeve të fundit në vend që lidhen me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Asociacionin me Serbinë.

“Deputetët që kanë dalë në mbrojtje të territorit dhe të Republikës nuk do të thotë se janë më atdhetarë se ju. Në të vërtetë, nëse doni të shikoni, ata po dalin më shqiptarë se ju. Prandaj, lëreni anash etjen për pushtet dhe JEPNI DORËHEQJE!”, shkruan ajo, në letrën e saj publike drejtuar Zv/Kryeministrit të parë dhe Kryetarit të Kuvendit.

Letra e plotë:

Letër e hapur z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli

– Z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, ju ndoshta mund ta burgosni realitetin! Por, a e keni pyetur ndonjëherë veten, në punën tuaj kushtetore, se a mund të burgoset historia? A e keni pyetur ndonjëherë veten se a bën të burgoset Albulena Haxhiu?

Në kohën kur atdheu ka pasur nevojë, ju, Z. Thaçi dhe Z. Veseli, keni qenë të rreshtuar aty ku duhet dhe siç duhet, prandaj kjo thirrje, kjo letër e hapur, është drejtuar te ju.
Me z. Isa Mustafa nuk kam punë as unë, as familja dhe as shqiptarët me dinjitet kombëtar, prandaj ai dhe lloji i tij janë punë e historisë.
E nxitur nga burgosja e 13 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në mesin e të cilëve edhe mbesa ime, Albulena Haxhiu, po ju drejtohem publikisht, për të trokitur në ndërgjegjen tuaj, se duke dënuar atë, keni dënuar, ose keni bërë veprim për të dënuar një pjesë të historisë sonë. Andaj, një ditë historia mund t’ju dënojë, kurse fëmijët tuaj nuk e di a do të kenë guxim t’i shohin në sy të tjerët, sidomos atyre që kanë lindur, janë rritur dhe janë edukuar në familje që bëjnë historinë tonë të re.
Ju nuk i keni burgosur vetëm disa deputetë. Janë burgosur një pjesë e mirë e shqiptarëve. Ngase, e dini edhe ju, populli e ushtron pavarësinë kombëtare nëpërmjet përfaqësuesve të tij. Populli shqiptar i Kosovës këtë të drejtë e ka realizuar e ka deleguar te deputetët e zgjedhur të partive politike. Prandaj, sovrani shqiptar u beson veprave të përfaqësuesve të tij në Kuvendin e Kosovës, sepse janë ata që i përfaqësojnë interesat e përkatësisë së tyre kombëtare, jo interesat e ngushta të ndonjë grupi.
Në një gjendje si kjo që është krijuar, doemos me fajin tuaj, sepse jeni kryesorët, por edhe me veprimet e papëlqyera të opozitës, por të cilët janë të detyruar t’i bëjnë për ta ruajtur këtë Republikë, që nesër do të jetë pjesë e atdheut të bashkuar, kërkesa më njerëzore dhe veprimi më i dinjitetshëm është të JEPNI DORËHEQJE.
Nuk e di a ju ka shkuar ndonjëherë në mendje se edhe ne qytetarët e zakonshëm kemi fëmijë që do të donim t’i shkollojmë jashtë, kur sëmuremi do të donim të kemi një trajtim njerëzor se, ruana zot, për t’i operuar fëmijët tanë në Turqi, apo gjetiu në Evropë, nuk kemi të drejtë dhe mundësi, as në ëndërr ta shohim. Njësoj, edhe ne, jemi njerëz si ju, nga gjaku e mishi, nga kockat e lëkura. Njësoj si ju, kemi shkollë e profesione të lakmueshme, por kemi zgjedhur që në jetë të ecim vertikalisht, siç është në natyrën e njeriut, dhe të mos bëhemi puthadorë e servilë të kujtdo qoftë. Mos harroni se populli është lodhur nga papunësia, nga privatizimi ku përfitues janë individët, kurse punëtorët kanë mbetur pa punë, janë lodhur nga korrupsioni në të gjitha nivelet, nga nepotizmi, nga përbuzja; shqiptarët janë lodhur nga të qenit qytetarë të rendit të dytë e të tretë në tokën e të parëve, prandaj ndaluni dhe shikoni vlimet që po bëhen në këtë popull që ju ka votuar edhe ju.
Ju të dy, z. Thaçi dhe z. Veseli, keni rastin t’i thërrisni mendjes, të hiqni dorë nga ky koalicion i mallkuar që po na djeg në palcë çdo ditë që agon, kur e dini se mund të krijohen situata edhe më të rënda. Pastaj, duke ushtruar pushtet të këtillë, a po e shihni se po e vrisni demokracinë, edhe për të drejtën e kundërshtimit të Albulena Haxhiut që, siç e dini edhe ju, është pjesë e një familje që është bërë pjesë e kujtesës sonë historike!
Jepni dorëheqje pra, o njerëz, në të mirë të kësaj pjese të popullit shqiptar!
Ky popull, pra as ne, më nuk jemi analfabetë, z. Veseli. Edhe ne shumë herë e kuptojmë se pozita dhe pushteti ‘shkelin’ njerëz, z. Thaçi. Por në një vend si ky yni, si Kosova, që historikisht është pjesë e një shteti, për të cilin pak vite më parë kanë rënë 2 261 dëshmorë të kombit, për të cilin janë vrarë dhe masakruar më shumë 12 843 viktima, për të cilin janë vrarë dhe therur më shumë se 1 396 fëmijë, që nga barku i nënës e deri në moshën 14-vjeçare, janë dhunuar 20 400 vajza e gra shqiptare, nënat, motrat dhe nuset tona (Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës), ku as të gjallë as të vdekur nuk gjenden edhe më shumë se 1 700 të vrarë, andaj e keni kohën ta kuptoni se gjaku i këtyre shqiptarëve nuk bëhet ujë. Prandaj, thirrni ndërgjegjes suaj, në mënyrë që ta ruani dinjitetin që ju ka mbetur! Jepni dorëheqje!
Edhe dy fjalë për Albulena Haxhiun që e keni burgosur!
Ju e dini kush ishte Ahmet Haxhiu. Nëse nuk e dini, pyeteni Bacën Adem Demaçi. Ai ende është gjallë. Po ashtu, e dini se armët e sjella nga ai, edhe nga vendet e Evropës, kanë qenë pushkët e para të lirisë. E dini se shtëpia e tij ka qenë strehë e veprimtarëve dhe armëve të lirisë dhe luftës për liri, që kjo pjesë e tokës sonë ta hiqte robërinë sllave. Sa dihet, edhe ju keni qenë pjesë e atij konaku, e veprimtarisë atdhetare të atij burri, që i ka besuar vetëm bashkimit kombëtar.
A e keni pyetur ndonjëherë veten, se ai ju vjen në ëndërr dhe, ashtu siç e kishte zakon, t’ju pyes qetë, pse ma burgoset mbesën, Albulenën?! E di, ai nuk do t’ju thoshte se keni ngritur dorë në familjen e Ahmet Haxhiut, sepse ai kishte vetëm një familje – Atdheun, por ju a do të kishit forcë ta shikonit në sy, njeriun që kishte vënë çdo gjë në shërbim të luftës për liri, shqiptarin që kishte vetëm një atdhe-kurdo që do të bëhet bashkimi kombëtar, njeriun, për të cilin siç kanë thënë, pa ndihmesën e tij, bashkë me Xhavit Hazirin e Nait Hasanin, vështirë se do të themelohej UÇK-ja.
Ju që ishit pjesë e kësaj lufte, lë mënjanë që për kryeshef të policisë së Kosovës e emëroni djalin e udbashit, Enver Maxhuni, tani i burgosni djemtë e vajzat e atdhetarëve, nga të cilët ndonjëri nuk është gjallë. Nuk e di a i frikësohen shqiptarët mallkimit të historisë?! Po ju, a keni frikë nga ky mallkim, kur edhe ju e dini se me ‘Zajednicën’ dhe me caktimin e kufijve, kudo qofshin ata, me Maqedoninë, apo Malin e Zi, me Serbinë, apo me dreqin e të birin, mos po ju mallkon historia për tradhti kombëtare?!
Populli, ky i Kosovës, ju ka votuar për të udhëhequr siç duhet dhe për ta çuar në vend amanetin e dëshmorëve të kombit. Ju e dini më mirë se askush atë amanet! Ndërsa, si po veproni, ju po prekni në integritetin e kësaj Kosove që ka mbetur, po prekni në tërësinë e kësaj Republike që quhet Kosovë.
Deputetët që kanë dalë në mbrojtje të territorit dhe të Republikës nuk do të thotë se janë më atdhetarë se ju. Në të vërtetë, nëse doni të shikoni, ata po dalin më shqiptarë se ju. Prandaj, lëreni anash etjen për pushtet dhe JEPNI DORËHEQJE!

(Autorja është e burgosur politike dhe profesoreshë universiteti)

Shitet për 100 mijë dollarë një dorëshkrim i Betoven-it

0

Zbuluar kohë më parë në një shtëpi në Connecticut, një partiturë muzikore, dorëshkrim i kompozitorit të famshëm gjerman, Betoven, është shitur në një ankand për 100 mijë dollarë.

The Guardian njofton se dorëshkrimi është gjetur nga profesionisti Brendan Ryan, i cili e ka njohur shkrimin e kompozitorit.

Mendohet se kjo partiturë mund t’i takoi veprës “Mbreti Esteban”, që deri tani i mungonte një pjesë.

Eqrem Kryeziu: Deputetët e LDK-së do ta votojnë Thaçin president

0

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, ka bërë me dije se moszgjedhja e Hashim Thaçit president mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ai ka vlerësuar se për këto zgjedhje nuk janë e gatshme as opozita dhe as LDK-ja.

Kryeziu në një intervistë për “Epokën e re”, ka treguar se presioni i zgjedhjeve të reja do t’i shtyjë deputetët e partisë së Isa Mustafës ta votojnë për president liderin e PDK-së. Sipas tij, zgjedhja e Thaçit president është në interest të të gjitha partive.

“Sa po shoh unë, nuk është interesi i asnjë partie t’i masë forcat me zgjedhje të reja”, ka thënë Kryeziu.

“Epoka e re”: Në këtë situatë politike, a do të mund të realizohet ky ‘pazar’, pasi opozita nuk po lejon mbajtjen e seancave në sallën e zakonshme, kurse disa deputetë të LDK-së kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë Thaçin për president?

Kryeziu: Tash unë po flas se si e shikoj këtë proces nga terreni, sepse nuk e kam pasur privilegjin të jem më i madhi në krye. Ju them se nuk është e artikuluar edhe krejt kundërshtia e opozitës ndaj Qeverisë. Nuk dihet se a janë kundër kryeministrit apo janë edhe kundër Thaçit. T’ju them të vërtetën unë nuk e kam të qartë këtë punë. Me gjasë tehu i kundërshtisë së opozitës po shkon kundër kryeministrit. Po jua kujtoj një deklaratë publike të z. Haradinaj, i cili pati thënë: ‘Z. Thaçi nuk mund të krahasohet me Isën. Ai (Mustafa) është shumë larg Thaçit’. Pra që donte të thoshte se është më i dobët. Kështu që këto gjëra janë relative. Sidoqoftë, është normale të ketë deputetë që të mos u pëlqejë kandidati për president, sikurse ka pasur shumë deputetë që nuk u ka pëlqyer Jahjaga për presidente, por Jahjaga e kreu mandatin e saj të plotë.
 
“Epoka e re”: Prisni që Thaçi të bëhet president i ri i Kosovës?
Kryeziu: Marrëveshja që është arritur ndërmjet PDK-së dhe LDK-së është kontratë e dy partive. Nëse ju më pyesni se a do të realizohet kjo kontratë, atëherë unë do t’jua shtroja një pyetje juve: A do të ketë tjetër kandidat? Në qoftë se dikush nuk e ka mbështetjen partiake është e pamundshme të zgjedhet president. Po e marrim edhe variantin se mund të dështojë zgjedhja e presidentit, atëherë sigurisht se shkohet në zgjedhje të lira, të cilat qysh po e shoh, nuk i përshtaten askujt.
“Epoka e re”: Meqenëse kjo mënyrë e zgjedhjes së presidentit e nxit dialogun politik mes partive parlamentare, sa besoni se janë në gjendje që dy partitë në pushtet të dialogojnë me opozitën për këtë çështje?
Kryeziu: Kur Kuvendi e zgjedh presidentin, ashtu si e kemi ne, atëherë duhet të futen doemos partitë politike në dialog, që kjo do të ishte një e mirë për vendin. Besoj se shumica i ka votat për ta zgjedhur presidentin. Kurse ideja se do të mungojnë disa deputetë, e pozita nuk do të mund t’i ketë dy të tretat e pranishme, ndoshta është e mundshme, por ndoshta edhe nuk është e mundshme, sepse nuk kemi alternativë tjetër. Nuk ke kënd e propozon për president. Në qoftë se dikush i ka 80 vota tani, kush tjetër do t’i kishte 80 vota të tjera. Ndoshta Kuvendi më nuk është i gatshëm ta zgjedhë dikë si zonjën Jahjaga, me një farë zemërgjerësie të rastit për ta kaluar krizën.
“Epoka e re”: Ju e njihini z. Thaçi. Besoni se ai do të pranonte të zgjedhej president në një sallë të improvizuar?
Kryeziu: Nuk po mund të parashikoj aq gjatë, sepse deri atëherë mund të ketë edhe zhvillime të tjera.
“Epoka e re”: Çfarë zhvillime të tjera do të mund të ndodhin?
Kryeziu: Demarkacioni pothuajse është hequr prej rendit të ditës. Kur kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, thotë se ia bëjmë diqysh, ani pse kjo Qeveri po duket sikur nuk do për t’i bërë mirë Kosovës. Pra, deri atëherë mund të ndodhin zhvillime të ndryshme, sepse mund të supozoj se edhe Gjykata Kushtetuese ka kurajën që të shohë si antikushtetuese disa formulime për Asociacionin e komunave serbe që, në fakt janë, me aq sa kuptoj unë. Atëherë po del se këto dy kërkesa të opozitës në një farë forme po gjejnë një farë zgjidhje, dhe nuk do të ketë nevojë të gjuajnë bombola të gazit. Në fund të fundit, pavarësisht se në cilën sallë zgjidhet presidenti i ri, legjitimitetin ta njehë bota. Në qoftë se dëshirojnë t’u ikin incidenteve nuk është me rëndësi salla.
 
“Epoka e re”: Në rast se nuk do të zgjedhet Thaçi president, do të ishte e mundshme zgjedhja e një kandidati konsensual?
Kryeziu: Nuk kam menduar për këtë çështje. Ndoshta teza juaj mund të jetë e bazuar. T’ju them të drejtën, nëse shkohet me president konsensual nuk mund të jemi të kënaqur, sepse ajo pozitë e presidentit praktikisht nuk është marrë vesh se ekziston në këtë mandat. Unë kam respekt të madh për zonjën Jahjaga, po flas në aspektin institucional.
“Epoka e re”: Thatë se, nëse Thaçi nuk zgjedhet president, vendi mund të shkojë në zgjedhje. Kujt prej partive i konvenojnë zgjedhjet e reja?
Kryeziu: Sa po shoh unë, nuk është interesi i asnjë partie t’i masë forcat me zgjedhje të reja. Opozita ka bërë gjithë atë rezistencë, por nuk është e sigurt se kjo do të kthehet në vota. As partitë në pushtet nuk kanë ndonjë disponim që të shkojnë në zgjedhje të reja. Ndoshta më e qeta në këtë drejtim është PDK-ja, e cila ka mbetur në një farë forme e paprekur prej eksperimenteve, prej ecejakeve të lideri të LDK-së, i cili për gjashtë muaj e mbajti varur Kosovën.
“Epoka e re”: Ju po thoni se zgjedhjet nuk janë në interes të partive opozitare dhe LDK-së, atëherë a mund t’i shtyjë kjo deputetët e LDK-së ta votojnë për president Thaçin, në mënyrë që t’u shmangen zgjedhjeve?
Kryeziu: Sigurisht se mund të jetë edhe kjo. Po them se kam vërejtur se asnjëra parti nuk është e interesuar të shkojë tash në zgjedhje, sepse nuk është e sigurt se çka fiton më shumë. Dhe duke e parë këtë, mendoj se interesi i tyre është ta votojnë çështjen e presidentit. Në këtë rast e kemi z. Thaçi kandidat për president. Mirëpo, pa marrë parasysh se kush është kandidat, interesi i tyre është ta votojnë zgjedhjen e presidentit. Ne e votuam zonjën Jahjaga vetëm për t’u ikur këtyre gjërave. Kështu që, në qoftë se janë ata të moçmit këta në Kuvend, besoj se do ta votojnë kandidatin për president.

Fyen dhe pengon policët në Suharekë, arrestohet

0

Një person është arrestuar në fshatin Duhel të Komunës së Suharekës, pasi që ka fyer dhe penguar zyrtarët policorë, të cilët ishin në kryerje të detyrës.

“Është arrestuar një i dyshuar mashkull K/Shqiptar, pasi i njëjti ka fyer dhe penguar zyrtarët policorë, të cilët ishin në kryerje të detyrës zyrtare”, njofton Policia e Kosovës.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com

Zafir Berisha: Tre muajt e ardhshëm tronditës për Kosovën

0

Deputeti i NISMA për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se tre muajt e parë të vitit 2016, do të jenë tronditës për vendin.

“Unë mendoj që tre muajt e ardhshëm, pra tre muajt e parë të vitit 2016, do të jenë tre muajt bukur të rëndësishëm për vendin. Në këto tre muaj, do të ketë zhvillime që nuk i ka pa vendi më parë dhe mendoj që do të tronditet skena politike gjatë asaj periudhe. Do të ketë batica dhe zbatica si dhe zhvillime të ndryshme në vend”, ka thënë Berisha në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, duke shtuar se paraprakisht është vështirë të thuhet se çfarë do të ndodhë.

Deputeti Berisha gjithashtu ka folur edhe për skenarin e protestës së 9 janarit, procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, si dhe për zgjedhjet e mundshme të parakohshme./Gazeta Tribuna

Eshref Durmishi flet rreth “Shok”-ut

0

Aktori dhe producenti i filmit “Shok”, Eshref Durmishi, në emisioni NIN në Klan Kosova, ka folur rreth filmit të metrazhit të shkurtër me skenar dhe regji të Jamie Donoughe.

Ky film i cili bazohet në ngjarje të vërtetë, ka një pjesë edhe nga jeta e vet aktorit:

“Kur kam qenë 14 vjeçar gjatë luftës në Kosovë nuk kishim të drejtë të shkonim në shkollë, dhe është dashur të ndjeknim shkollë private. E një ditë rrugës për në Gjakovë nga ku edhe po mësoja, duke hyrë në autobus na ndaluan policia serbe, kur rradha erdhi tek unë ai më pyeti për letërnjoftim, unë nuk dija serbisht dhe i thash nuk kam, kur i thash nuk kam ai më rrahu dhe më tha herën tjetër kur të shoh do të flasësh serbisht”.

Eshrefi tha se ajo çka është më e mira është se gjithçka është rreth Kosovës dhe rreth luftës së Kosovës.

Ai poashtu ka folur rreth dy fëmijëve që janë poashtu aktorë të këtij filmi, Andi dhe Lumi, për të cilët ai tha se ishin fantastik.

Durmishi ndër të tjerat tregoi edhe për momentin kur mori lajmin se filmi “Shok” ka hyrë në 10-shën e nominimeve të Oscar-it.

“Kam qenë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë duke e përcjellë një ndeshje, dhe kur e hapa telefonin pashë që Variety kishte shkruajtur që kemi hyrë në 10-she për Oscar, fillova me bërtit e me fishllu”.

Aktori tha se hapi i tanishëm është lobimi i madh i filmit në Amerikë, për të cilin edhe kishin angazhuar një publicist.

Poashtu ai tha se edhe duhet një shumë e madhe për shkak se nëse filmi nominohet me datë 14 janar atëherë ekipi duhet të jetë patjetër më datë 15 në Los Angelos në mënyrë që të jenë prezent derisa sa të bëhet ndarja e çmimeve.

Beqir Letaj : Nuk e kam keqpërdorë detyrën zyrtare

0

Zëvendësdrejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Beqir Letaj, ka mohuar se ka keqpërdorë detyrën zyrtare. Ai pranon se akuzohet  për nënshkrimin e një marrëveshje për transportimi e maturantëve për në Shqipëri.

“Ju informoj se unë akuzohem se gjoja kam bërë krim ekonomik, se kam nënshkruar në cilësinë e Drejtorit në detyrë një marrëveshje për transportimin e maturantëve e të Gjimnazit “Gjon Buzuku” për në Shqipëri”, tregon Letaj.

Ai thotë se në vitin 2013-të, ka pasur zhegitje të procedimit të tenderit për realizimin e ekskursionit të maturantëve të Gjimnazit “Gjon Buzuku”.

“Për shkak se drejutori,Shaip Buduri me datën 3 tetor 2013, kishte hyrë në garë elektorale për zgjedhjet lokale,dhe   kishte ngrirë postin”.

“Unë, Beqir Letaj,me përgjegjësi morale dhe ligjore ju deklaroj se nënshkrimin e kontratës për bartjen e maturantëve me Kompaninë “Atmaxha”,  e kam bërë për nderë të 595 maturantëve dhe assesi për ndonjë interes material”.

 “Këtë e kam bërë edhe për shkak se në  njëfarë mënyre ishim edhe nën presion të maturantëve,të cilët për shkak të prolongimit të ekskursionit, kishin protestuar para DKA-së dhe kishte rrezik të bëhej kaos në shkollë”./PrizrePress.com/