21.4 C
Prizren
E martë, 17 Qershor, 2025
Home Blog Page 6399

Revoltohet Alush Shala: Turp për Ramadan Mujën e Kujtim Gashin

0

Kuvendari i PDK-së në Prizren, Alush Shala, ka reaguar pas vënies së gurthemelit të objektit të Qendrës Kulturore Boshnjake, për shkak se nuk është ftuar në ceremoninë e prerjes së shiritit.

Ai, në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se është i papranueshëm fakti se si përfaqësues (ai dhe kuvendarja Fahrije Bytyçi) të zgjedhur të banorëve të lagjes “11 Marsi” ku do të ndërtohet ky objekt, dhe si kryetar i nëndegës së partisë në këtë lagje, nuk janë ftuar nga kryetari i komunës dhe kryesuesi i Kuvendit.

“Turpi nuk ka kufi. Sot në lagjen 11 Mars vëhet gurthemeli i Qendrës Kulturore Boshnjake po nuk ftohemi ne si përfaqësues të zgjedhur të kësaj lagje dhe njëherit edhe si kryetar i kësaj nëndege”, ka shkruar Shala.

Ai ka thënë se gurthemeli është vënë nga njerëz që nuk kanë marrë asnjë votë në lagjen “11 Marsi”.

“Gurthemelin e vënë ata që nuk e kanë marrë asnjë votë në këtë lagje”.

Shala për këtë çështje fajëson drejtpërdrejt kryetarin Ramadan Muja dhe kryesuesin Kujtim Gashi.

“Në emër të kryesisë së nëndegës dhe në emër të dy kuvendarëve shprehi revoltën për veprime të pahijshme si të kryetarit ashtu edhe të kryesuesit të komunës”, ka shkruar Shala. /PrizrenPress.com

Alush Shala-facebook

Në Prizren vihet gurthemeli i Qendrës Kulturore Boshnjake

0

Me një solemnitet rasti, sot i është vënë gurthemeli objektit të shumëpërfolur të Qendrës Kulturore Boshnjake në Prizren.

Pjesë e këtij solemniteti ishin zyrtarët më të lartë komunal të Prizren dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe disa organizmave ndërkombëtar.

Me këtë rast kryetari i komunës, Ramadan Muja, tha se me ndërtimin e këtij objekti po mundësojmë zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme, në radhë të parë për të rinjët e komunitetit boshnjak.

Nënkryetarja e komunës, Sabina Birdaini-Dana, tha se në këtë qendër parashihet që të realizohen aktivitete të ndryshme kulturore, por edhe ato rinore.

Ndërkaq, drejtori i kulturës, Arhim Ajazi, tha se për ndërtimin e këtij objekti i cili ka një sipërfaqe prej 8 ari, komuna nga buxheti i vet ka ndarë 226 mijë euro, ndërsa i tërë projekti pritet të finalizohet deri në vitin 2018.

Ndryshe, përzgjedhja e lokacionit për ndërtimin e QKB-së ishte bërë “mollë sherri” ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës në Prizren PDK-NDS, ku këta të fundit kishin kërcënuar me largim nga koalicioni, por mosmarrëveshjet janë tejkaluar kohët e fundit dhe është arritur një kompromis nga palët që në afërsi të Shkollës së Mjekësisë të ndërtohet kjo Qendër Kulturore. /Tv Prizreni

Grabovci: Sfidë, ndryshimet kushtetuese për Gjykatën Speciale

0

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) tha se është për të shprehur keqardhje ajo që ka ndodhur pas zgjedhjeve parlamentare. Ai tha se në zgjedhjet e vitit 2014 kanë fituar të gjithë, pasi kanë fituar vlerat.

Në një konferencë për media për fundvit, duke folur për veprimet e opozitës, ai tha se në vendet demokratike opozita jep hapësirë qeverisë që të bëjë një rezyme, por se ajo u sfidua që në ditët e para. Ai tha se PDK-ja ka një strategji pune 2015-2018, ku gjatë këtij viti ka mbajt 37 mbledhje të zakonshme, 36 pyetje parlamentare dhe një kërkesë për debat.

Ai shtoi se çështjet që i kanë ngritur kanë qenë për shëndetësi, arsim, siguri etj. Mirëpo ka theksuar se sfidë ka qenë ndryshimet kushtetuese për gjykatën speciale.

“Kemi konsultuar shumë njerëz dhe ekspertë të ndryshëm, por me gjithë vërejtjet kemi ardhur në përfundim, se duhet të ketë një vlerësim edhe pse kishte mundësi që Kosova të ketë një gjykatë vendore dhe të ketë ekspert edhe ndërkombëtar. Por u kërkua që të kem një gjykatë të veçantë dhe ne nuk i jemi frikësuar kësaj. Ne kemi marrë një përgjegjësi për t’i larguar akuzat nga supet”, tha Grabovci.

Sfidë tjetër ai ka quajtur edhe marrëveshjet si ajo për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Ai tha se kjo është shfrytëzuar nga partitë politike për interesa të tyre.

“Nuk është pritur se edhe ne kemi vërejtjet tona për të, por nuk janë lejuar që t’i themi”, tha Grabovci.

Sa i përket veprimeve të opozitës për demarkacionin ai tha se ka qenë e ngutshme, pasi sipas tij, ende nuk ka material dhe se për këtë do të duhet të diskutohet në Kuvendin e Kosovës. /KosovaLive

Drejtori i Ragip Begajt, tallet me protestën e opozitës në Malishevë

0

Drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrës në Malishevë, Fatmir Ademaj, është tallur me protestën që tri partitë opozitare, dje kanë mbajtur në këtë qytet. Ai në llogarin sociale “Facebook” ka posutuar një fotografi, gjatë kohës së protestës së opozitës, me përmbjatje fyese.

Pas reagimit të komentuesve, Ademaj fillimisht ka ndryshuar përmbajtjen e tekstit, ndërkaq në mesantë e ka hequr tërësisht fotografin.

‘PrizrenPress’ ka arrit të sigurojë fotografin e Ademajt.

Fatmir Ademaj në postin e drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës në Komunën e Malishevës, që udhëhiqet nga kryetari Ragip Begaj, është emruar pas koalicionit të Nismës më LDK-në. /PrizrenPress.com

Kosova pranohet në Kornizën Evropiane të Kualifikimeve

0

Kosova është pranuar anëtare e Grupit Këshillëdhënës të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (KEK) me Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve (AKK), si pikë koordinuese në nivel shteti, njofton Ministria e Arsimit, përmes një komunikate..

“Ftesa për anëtarësim është rezultat i interesimit dhe inciativës së shprehur nga AKK përmes hartimit të raportit të ndërlidhjes së Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, raport që mundëson krahasimin e kualifikimeve që ofrohen dhe lëshohen në Republikën e Kosovës me kualifikimet e vendeve të BE-së”.

“Pranimi i Kosovës në KEK hapë rrugën që të bëhet lidhja zyrtare në mes të Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK)  me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (KKK) përmes prezantimit të raportit të referencimit të KKK me KEK, duke mundësuar në këtë mënyrë mobilitetin e fuqisë punëtore, në vendet e BE-së”.

“KEK është një Kornizë e përbashkët referuese evropiane, e cila i ndërlidh sistemet e kualifikimeve të shteteve të ndryshme Evropiane dhe shërben,  si një mjet  për t’i bërë kualifikimet  më të lexueshme dhe më të kuptueshme  nga vendet  dhe sistemet e ndryshme.  KEK  është krijuar pas rekomandimeve të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian  për të promovuar të mësuarit gjatë gjithë jetës, si dhe lëvizshmërinë e fuqisë punëtore ndërmjet shteteve të ndryshme të BE-së”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.

Delawie-prokurorëve: Punoni më shumë

0

Ambasadori amerikan në Kosovës, Greg Delawie ka thënë se po raportohet se ka shumë dhunën në familje, por megjithatë me miratimin e ligjit, ky problem po merr një vëmendje të duhur nga institucionet.

Delawie në konferencën vjetore të Forumit të Gjyqtarëve dhe Prokuroreve të Kosovës, tha se departamenti i drejtësisë i Ambasadës Amerikane është përkrahës i fuqishëm dhe mbështet forumin e grave gjyqtare dhe prokuroreve.

Libra për komunat e Kosovës

0

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami do të merr pjesë në ceremoninë e dorëzim – pranimit të librave shkencorë për komunat e Republikës së Kosovës, të cilat janë dhuratë nga MASHT-i.

Ceremonia mbahet në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, Salla e Kuqe, duke filluar nga ora 14.30.

Me këtë rast fjalë rasti do të mbajnë, ministri i arsimit, Arsim Bajrami dhe rektori i UP-së, Ramadan Zejnullahu.

Prizren: Një muaj paraburgim për falsifikatorët e dokumentit zyrtar

0

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve për falsifikim të një dokumenti zyrtar.

I pandehuri me inicialet Z.S. nga Mlladenovc të Republikës së Serbisë, dyshohet se ka kryer veprat penale ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘deklarim i rremë’, kurse i pandehuri i dytë me inicialet H.A. nga Ferizaj, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

“Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 16.12.2015 dhe do të zgjasë deri me datën 15.01.2016”, njofton zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

“Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, sepse në bashkëpunim me njëri tjetrin me dije vënë në lajthim një dokument publik, me qëllim të vërtetimit të një çështje të pavërtetë, duke përpiluar, falsifikuar autorizimin si dhe nënshkrimin, të cilën e vërtetojnë tek noteri i cili me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka vërtetuar të njëjtën dhe me atë rast, kanë shitur një parcelë katastrale e cila ka qenë pronë e të ndjerit GJ.A.- tani trashëgimtares D.A., duke i shkaktuar dëm material të njëjtës në shumën prej 50.800 Euro”, bën të ditur Kicaj. /PrizrenPress.com

Shuplaka e BE-së për qytetarët e mashtruar të Kosovës!

0

Nga Faik Krasniqi

Kur ishim të vegjël, kur kërkonim diçka nga prindërit për të na blerë, na thoshin hajt se nesër ta blej, e në fakt kalonin shumë të nesërme…edhe me çështjen e vizave kështu po ndodh.

Mali i Zi mori ftesë për anëtarësim në NATO. Serbia filloi me hapjen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Liberalizimin e vizave e mori edhe Kolumbia e Pablo Eskobarit dhe Ukraina e përgjakur tash e gati dy vite.

E, Kosova ku po shkon dhe çfarë përfitoi deri më tash? As liberalizim të vizave nuk përfituam deri më tash, pavarësisht dhjetëra marrëveshjeve të nënshkruara, pjesa dërrmuese e tyre madje edhe në dëm të shtetit. Kjo tregon se kemi politikëbërës të dështuar dhe idiotë që s’e kanë shokun. Ky vend po më ngjan me një laborator për eksperimente të fuqive të mëdha, prandaj kemi një pushtet dhe një klasë politike të tillë, me lloj-lloj gangsteri, mafiozi, hajni, krimineli, banditi, aventurieri, rrugaçi, vrasësi, debili, psikopati, tradhtari, sepse janë të ndërtuar në laboratorin eksperimental ndërkombëtar.

Përralla me mbret!

BE-ja duke mos liberalizuar vizat për qytetarët e getoizuar të Kosovës, po na tregon qartë se Kosova nuk është shtet, por është një laborator për eksperimentet e tyre djallëzore, që padyshim produkt i këtij eksperimenti janë edhe këta politikanë tanë kriminelë e mafiozë. Përralla me mbret se jemi pjesë e Evropës. Po të ishim pjesë e Evropës, dhe kjo BE po ta kishte seriozisht ndërtimin e një shteti serioz në Kosovë, fati i këtij vendi dhe këtij populli që 16 vjet, nuk do kishte ngelur në dorën e kësaj klase politike mafioze, banditeske dhe kriminale, e aq më pak në dorën e idiotëve si Hashim Thaçi me Isa Mustafën dhe bishtat e tyre!

Po të kishim një lidership serioz e jo të shantazhuar, që sot do t’i kishte ndërprerë bisedimet me Serbinë në Bruksel. Për çfarë të zhvillohen ato bisedime, për t’i bërë favore Serbisë dhe ne mos të përfitojmë asgjë?

Shuplaka e BE-së dhënë Kosovës, për mosliberalizim të vizave edhe për një afat të pacaktuar, nuk ishte shuplakë për politikanët e Kosovës, sepse ata kanë pasaporta dhe dyert e hapur jo vetëm në vendet e BE-së, por në shumicën e shteteve të botës. Shuplaka dhe sinjali i BE-së, ishte për qytetarët naivë të Kosovës, të cilët akoma po i hanë gënjeshtrat dhe mashtrimet e këtyre politikanëve mafiozë. Sinjal më të qartë për këtë popull besoj që BE-ja deri tash nuk ka dhënë, që me shqelma duhet t’i largojnë nga politika këta banditë, kriminelë e mafiozë.

Hashim Thaçi gjoja e përjetoi “rëndë” lajmin për mosliberalizim të vizave, dhe apeloi për protesta para zyrës së BE-së në Prishtinë. Kurse, Isa Mustafa filloi të tallet me qytetarët e Kosovës ”se kosovarët mund të jetojnë edhe pa viza”. Kadri Veseli me këtë deklaratë goditi fortë dy të parët kur tha “BE le të na i marrë vizat neve- politikanëve, jo t’i ndëshkojë qytetarët”.

Megjithatë, Thaçi beson se në javët e para të vitit 2016 do të ndodhë rekomandimi për liberalizim të vizave për Kosovën. Shumë të sigurt për këtë gjë janë edhe Isa Mustafa, Bekim Çollaku dhe Skënder Hyseni!

Ia pinë gjakun me pambuk!

Për shkak të dështimit të liberalizimit të vizave në 2016, përgjegjësinë e ndëshkimit duhet ta paguajë kjo Qeveri mashtruese dhe mafioze, sepse popullata, përveç keqqeverisjes së tij, kapjes së shtetit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe papunësisë së madhe, varfërisë ekstreme dhe padrejtësive të tjera, është në shpërthim e sipër nga stërlodhja e të jetuarit tash e më shumë se 16 vite në kafaz. Dhe me të drejtë, por edhe nga “zemërgjerësia” e përfaqësuesve të BE-së, qytetarët e dërrmuar të Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave në vitin 2016, të cilët kanë mbetur peng i kësaj klase politike mafioze dhe kriminale, dhe po ndëshkohen nga BE-ja, por jo edhe pa fajin e bashkësisë ndërkombëtare, prej të cilëve këta politikanë mafiozë edhe kanë mbështetjen për krimet dhe djallëzitë e tyre.

Me një fjalë BE-ja na tregoi që ky vend me këta politikanë mashtrues, të paskrupullt dhe mafiozë, ka shkuar për lesh, në dreq të mallkuar! Prandaj, s’kemi pse të ndëshkohemi nga BE-ja, për shkak të këtij pushteti kriminal e mafioz, por t’i largojmë nga skena politike dhe t’i fusim të gjithë në burg! Popull, a nuk po e shikon se ky pushtet kriminal e këta politikanë mafiozë po tallen me ty? Zgjohu, mos fli! Tregoja dhëmbët këtyre kriminelëve që po tallen me ty. Mos lejo që fati yt dhe e ardhmja e fëmijëve të tu, të ngelet në duart e këtyre gjakpirësve, të cilët tash e 16 vite po ta pinë gjakun me pambuk!

Akademia e Shkencave shënoi 40-vjetorin e themelimit

0

(E plotësuar) Me një program të veçantë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës përmbylli këtë vit duke shënuar një përvjetor të rëndësishëm, 40-vjetorin e themelimit.

Në programin që u hap me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, gjatë fjalimit të tij tha se në fillim të viteve të ’70-ta nevoja për dije, kulturë dhe emancipim shtyri krijimin e një institucioni të shkencës dhe artit me emrin akademi.

“40 vjet histori të këtij institucioni mund mos të duken shumë krahasuar me jetën e akademive me traditë të lartë, por për ne janë si katër shekuj të përshkruar me shumë sakrifica, ngritje dhe rënie si rezultat i zhvillimeve politike e shoqërore në Kosovë. Kthesat e mëdha shoqërore, urrejtjet dhe represionet e deri te përpjekja për zhbërjen biologjike janë ngjeshur në ecjen tonë e në rrugën e mundimshme për të arritur gjer këtu”, tha ai.

Tutje, Islami foli edhe për pritjet e shoqërisë kosovare që ASHAK të reagojë për zhvillimet politike, duke thënë se detyra e akademisë nuk është të luajë rolin e opinionistëve dhe të komentojë politikat ditore.

Për t’u takuar me akademikët e për të folur për veprimtarinë e akademisë ndër vite erdhën edhe presidentja, Atifete Jahjaga, kryeministri, Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Presidentja Jahjaga tha se shtetbërja e Kosovës bazohet në punën e përbashkët të secilës pjesë së shoqërisë sonë dhe se Akademia e Shkencave dhe Arteve ka forcë dhe potencial për të dhënë kontributin e vet.

“Rëndësia e inkuadrimit të akademisë në këto procese është jetike për vendin sepse ndërton konsensuse në shoqëri dhe strategjia zhvillimore do të bazohej në vlerat e rezultateve shkencore e në rrethana shoqërore. Akademia ka rol në ndërtimin e shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e demokracisë sonë të re, sepse në duhet të ndërtojmë kulturën tonë të dialogut dhe ta pasurojmë diskursin në sferën tonë publike”, tha ndër të tjera Jahjaga.

Për rolin e ASHAK-ut foli edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke përmendur edhe akademikët që nuk jetojnë më. Veseli tha se nëse ka një thënie që më së miri e shpreh punën e akademisë ajo është “Urtia jonë e lashtë dhe e vërteta na bën të lirë”.

“Ne u bëmë të lirë kur e vërteta historike e popullit tonë triumfoi mbi gënjeshtrën dhe falsifikimin e historisë. Të nderuar akademikë, ju duhet të ndiheni krenarë me punën tuaj në shërbim të kësaj të vërtete dhe të drejtës natyrore që ka secili popull për të qenë i lirë”, tha Veseli.

Anëtar i kësaj akademie, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se ka nderin dhe kënaqësinë që këtë përvjetor të 40-të po e uron në emër të Qeverisë së Kosovës.

“Duke shërbyer si prijës e shkencës dhe e dijes, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka luajtur rolin më të rëndësishëm, rolin shkencor dhe kulturor. Angazhimi që ka buruar nga akademia është i rëndësisë esenciale për progresin në vendin tonë në rrafshin historik, politik, ekonomik e social. Një gjë është e sigurt, pa Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, pa mendimin veprues të saj, Kosova dhe populli i Kosovës nuk do të ishin këtu ku jemi ne sot”, tha ndër të tjera Mustafa.

Fjalë rasti majtën edhe disa akademikë të tjerë, anëtarë të ASHAK-ut. Në shënimin e këtij përvjetori morën pjesë edhe mysafirë nga akademitë simotra nga Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia e Sllovenia.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u themelua në vitin 1975, fillimisht si Shoqatë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e në vitin 1978 shndërrohet në Akademi. Shoqata u transformua në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përmes Ligjit mbi Themelimin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës i datës 18 prill 1978. /KosovaLive

Akademia e Shkencave shënon 40-vjetorin e themelimit

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, me një program festiv sot shënon një përvjetor të rëndësishëm – 40-vjetorin e themelimit.

Në shënimin e këtij përvjetori pritet të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë të shtetit: Atifete Jahjaga, presidente e Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Isa Mustafa, kryeministër i Republikës së Kosovës, të cilët edhe do ta përshëndesin këtë manifestim.

Po ashtu pritet të marrin pjesë edhe shumë mysafirë nga akademitë simotra: si nga Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Sllovenia. Në programin festiv janë edhe disa pika të zgjedhura muzikore.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës u themelua në vitin 1975, fillimisht si Shoqatë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e në vitin 1978 shndërrohet në Akademi.