12.2 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026
Home Blog Page 6426

Përplasje me armë, një i plagosur

0

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Laçit. 21-vjeçari Albert Spaci është konfliktuar me 54-vjeçarin Mark Lleshi.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të stadiumit të qytetit. Pas konfliktit i riu ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të 54-vjeçarit.

Mark Lleshi është nisur drejt Spitalit të Traumës, në Tiranë, për mjekim të specializuar, pasi gjendja e tij është e rëndë.

Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për konflikte pronësie. Ndërkohë janë ngritur disa postblloqe për të arrestuar 21-vjeçarin. /tvklan.al

Zafir Berisha ia kujton Isa Mustafës, Avni Rrustemin

0

Deputeti i Nismës Zafir Berisha ia ka kujtuar kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, veprën heroike të Avni Rrustemit, që kishte bërë ndaj Esat Pash Toptanit.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës pas marrëveshjes anti-kushtetuese me Serbinë dhe Malin e Zi, dëshiron t’i falë 8 mijë hektar tokë për viza.

“Ju edhe mund të mbani të burgosur këtë popull siç e keni mbajtur që nga paslufta, por me e bindë që tokën e larë më gjak nga shumë breza me ia fal Malit Zi, nuk keni me mujtë me e bindë”, shkruan Berisha në Facebook, transmeton PrizrenPress.

“E vërtet që në këtë vend ka pasur Esad Pash Toptana, por ky vend ka pasur edhe Avni Rustema…”, shkruan ai.

“Boll më! Tokat tona janë nga Tivari në Pazar të Ri e Nish. Nga Nishi në Ohër e deri në Çamëri”.

Sipas tij, Kosova vazhdon të trajtohet si një laborator eksperimental nga evropianët.

“Kemi një qeveri kuislingësh, të cilët me marrëveshje të dëmshme dhe anti-kushtetues që i kanë bërë me Serbinë e Malin e Zi i kanë hipur në qafë popullit pa të drejtë.

“Evropianët edhe në të kaluarën historike kanë bërë pazare me tokat tona”.

“Kushtëzimi për me i falë mbi 8 mijë hektar tokë Malit të Zi për lëvizje të lirë në Evropë, sa është i padrejtë, po aq është jodemokratik, si dhe është shkelje kolektive e të drejtave të njeriut për të jetuar i lirë në pronat e tyre”./PrizrenPress.com/

Haradinaj: Këto janë vonesat që po i bën kryeministri inatçor

0

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, për zvarritjet që i ka bërë në rishikimin e demarkacionit, duke thënë se vonesat eventuale të liberalizimit janë pasojë direkte e padijes së kësaj Qeverie dhe një kryeministri inatçor.

Sipas tij, demarkacioni duhet të rishikohet, kurse, humbja e kohës është faturë krejt e panevojshme që po e paguajnë qytetarët për këtë qeveri pa lidership.

Ja postimi i plotë i Haradinajt në facebook:

Lajmi i keq është Qeveria e korruptuar e Kosovës. Qeveri e cila pa asnjë kuptim ka bërë një marrëveshje që humb mbi 8 mijë hektarë të territorit dhe pastaj edhe më pakuptueshëm e ka zvarritur për gati një vit rishikimin e demarkacionit. Prandaj, edhe vonesat eventuale të liberalizimit janë pasojë direkte e padijes së kësaj Qeverie dhe një kryeministri inatçor.Pse e ka humbur gati një vit kjo Qeveri, nuk ka asnjë lloj kuptimi. Demarkacioni duhet të rishikohet, prandaj humbja e kohës është faturë krejt e panevojshme që po e paguajnë qytetarët për këtë qeveri pa lidership. Që nga Maji i vitit 2015, kur kam inicuar interpelancë në Kuvend për demarkacionin, jam munduar të kontribuojë në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje. Por, fatkeqësisht, kemi të bëjmë me një Qeveri inatçore dhe të pavizion. Kosova e meriton liberalizimin e vizave dhe që demarkacioni të mos e dëmtojë territorin e saj! Qeveria është përgjegjëse para popullit, pse nuk ka ndodhur as njëra as tjetra!

Vlora dhe s’ka tjetër

0

Nga Rudina Xhunga

Unë kam në Vlorë një apartament shumë të vogël, që më mjafton të pushoj dhe mësoj time bijë me dashurinë për qytetin ku linda.

Dikur nga ballkoni shikoja detin, perëndimi mbi Sazan më derdhej në shtëpi, tani e marr me mend që është, aty pas pallateve, ngjeshur e plasur, të gjitha bosh, me tabela mbi dritare, shitet.

Sa herë vij këtu, e vëzhgoj qytetin, ia dalloj dhe tregoj mungesat, më mërzit e trishton çdo kujtim që më kanë prishur e zëvendësuar me asgjënë.

Siç bën një njeri me gjënë që do më shumë. Duke dashur ta shohë më mirë, ta shohë aty ku duhet të jetë, aty ku ti ëndërron për të.

Por tani, kur dëgjoj aq shumë njerëz të thonë se Vlora kaq mundet, kaq di, se ja shikoni Korçën çfarë mrekullie, më kap inati.

Ç’lidhje ka Vlora me Korçën? Përvec faktin që ata kishin Peleshin dhe Vlora Gjikën. Tani Korça ka po Peleshin dhe Vlora Dritanin, fakt që ka të bëjë me qeverisjen dhe fondet për qytetin, asgjë tjetër nuk flet në favor të Korçës.

Keni parë korçar që mendon përveç se për hallet e veta?

Ja shikoni Peleshin, po për Korçën i dhemb zemra, edhe pse është zv/kryeministër.

Ndërsa një vlonjat mendon për të gjithë botën.

Pyesja komshiun dje si ia bën tani, që nuk ka më gruan, atë zonjën e shtatpakët, që dikur mbushte me buzëqeshje gjithe pallatin. Më tha: “Ah, ajo ç’më bëri, po ç’bëhet kështu moj vajzë, është zënë Haxhinasto me Ahmetaj, si zihen këta, këta duhet të shkojnë mirë. Do të na sjellin Berishën këta prapë?”

Apo të jesh në Vlorë të shikosh ndeshjen mes Italisë dhe Gjermanisë, ti harron që je vërtet në Vlorë, qyteti befas shndërrohet në Bari, është më italian se çdo qytet italian, për nervin dhe të sharat që hanë gjermanët, kur shënojnë gol.

Ky është qyteti i njerëzve që nuk rrinë dot pa u bërë merak për çdo hall global. Të vetat iu duken të vogla, por kur nxehen të vënë para, e të mundin, siç kanë bërë me pushtues dhe pushtete.

Qyteti i dhjetëra mrekullive që ankohet se lungomare nuk po ecën dhe harron se thesarin e ka te deti.

Qyteti unik që laget nga dy dete, aty ku Adriatiku përqafohet me Jonin dhe një tunel të çon nga një parajsë te tjetra.

Është qyteti që ka det për gjithë shqiptarët.

Kur i shoh sesi mpleksen e përplasen, kurriz me kurriz, në Sarandë, më vjen të bërtas, po ejani në Vlorë.

Ka plazhin e vjetër me rërë e kum, ku mund të lahen e lozin gjithë ditën, gjithë fëmijët tuaj, ka Ujin e Ftohtë, Radhimën, Orikumin, ka Karaburunin, ka shpella, plazhe të bardha, për nudistet që zhvishen nç Ksamil, duke shijuar më shumë se diellin, aparatet që çojnë fotot e tyre në portale.

Ka restorantet më të mira të jugut, sepse ushqimi këtu nuk gënjen, është si njerëzit e këtij qyteti, i vërtetë.

Mjafton të çohesh në mëngjes dhe shikon peshkatarët plot me merlucë e karkaleca, që në drekë t’i sjellin në tavolinë, pa i ndërruar rrugës me ato që vijnë nga jashtë.

Nëse do të hash peshk, eja vetëm në Vlorë.

Ka restorantet më të bukura ne vend, luksoze dhe të bukura, për kë harxhon më pak e do ta shijojë ushqimin për vete, jo për në instagram, ka Nartën dhe Zvërnecin, plot taverna me ngjala dhe midhje. Ka Italinë dhe Greqinë, bashkë në një qytet.

Ka hotelet më të bukura, në vend, të gjitha me detin në dhomë.

Ka Liron që është unik, edhe pse të pushtuar nga të huajt që ia njohin Vlorës, bukuritë, më shume se ne.

Ka Bolonjën plot histori, buzë shëtitores, ka qindra hotele me emër dhe nam të mirë.

Ka hotele e komplekse pafund nga Radhima në Orikum, është plot plazhe private dhe publike për të gjithe, ka afër Llogaranë, për të ndryshuar klimë, si me thikë, një lagje qyteti është Kanina, ku nuk të ngop, as uji, as ajri.

Pse piktorët më të mirë në Shqipëri janë nga Vlora?

Sepse kanë treguar, çfarë kanë parë. Det, mal, perëndime dielli që nuk i sheh dy mbrëmje njësoj.

Kur thonë Saranda, mbretëresha e verës, e them dhe vetë në te vertetë, habitem sesi nje mbretereshë mund të ketë aq pak det e tokë.

Ajo është ndoshta një princeshë, mbretëresha është Vlora, me shtirjen, me detet, me malet, me peshkun dhe mishin në hell, me këngët, me lulet, me njerëzit.

Vlora është mbretëresha, që pret e përcjell çdo verë e më shumë, duke të magjepsur sesi nuk plaket, nuk ndryshon, nuk mburret, nuk bërtet.

Është si argjinaret e saj, me ngjyra dhe gjemba për kë nuk di ta trajtoje, por për kë di, të jep zemrën, zemrën e madhe të një mbretëreshe.

Nuk ka qytet të bërë për turizmin si Vlora. Unë e shoh çfarë ishte dhe do të jetë, sicc shoh detin, pas këtyre pallateve. E di që ai det, ka qenë dhe do të jetë, ndërsa këto ndërtime janë çeshtje kohe.

Siç po ju gërryhen fasadat e bëra me nxitim dhe leje ndërtimi të dyshimta, ashtu do të përfundojnë, të pavlera.

Vlera e vërtete e qytetit do të dalë, kur rrugët të sistemohen, kur të rritet pisha bregdetare, kur të mbushet me lule, si dikur avllitë e vlonjatëve.

Atëherë çdo njeri do të punësohet në një mënyrë apo tjetër, në të vetmen industri që mund ta zhvillojë Vlorën, turizmi.

Deri sa kjo të ndodhë, çdokush mund të përmirësojë shtëpinë e tij, veten e tij.

Kur shoh peshkatarët ngarkuar për tavernat familjare, mendoj për gratë e tyre, që lajnë peshkun e ujisin luleboret.

Pse nuk bëjnë liko si dikur, kur qyteti i portokalleve e nerenxave, ia kalonte Përmetit, që nuk e bën dot kurre likonë, aq të ëmbël sa duhet, aq të hidhur sa durohet.

Një liko në fund të ushqimit, një fjalë e mirë në fillim të tij, kaq e bën diferencën, ca detaje. Nuk mungon uji, as dritat, as siguria.

Po dëgjove që ankohen, duhet të jenë nga Vlora, ata që e duan të gjithë detin për vete. Por e kemi bashkë dhe do ta kemi plot, më shumë në det, se në rrugë këtë sezon.

E di që kjo verë do të jetë e tejmbushur, e di që ata që ikin do të kthehen sërish, sepse Vlora është e tillë, që ka vend për të gjithë, që ke çfarë të bësh e ku të shkosh, që nuk të mërzit kurrë, sa herë të shkosh e ta shijosh.

Ndaj kur dëgjoj Korça ia doli, e bëri, aty ke ku çon njerëzit, kur të vijnë, nuk e pranoj dot. Sepse Korça është e bukura e një dite, Vlora është gjithë pushimet e tua, Vlora të mëson notin, detin, të mëson peshkun, të mëson malin, të mëson të ecësh, të mëson të shijosh verën e të ikësh i lumtur.

Ndaj, për këto pushime, mos ia kurse vetes Vlorën!

Mariah Carey sërish tregon shumë

0

Jemi mësuar që në kohët e fundit ta shohim Mariah Careyn gjithnjë e më të ekspozuar.

Diva e muzikës pop madje ka filluar që edhe në evenimente të rëndësishme të shfaqë me shumë se që duhet.

Ajo është treguar përsëri ‘e nxehtë’ gjatë një performance në New Orleans duke u shfaqur në skenë me një fustan që i vinte në pah format e saj të bujshme.

Mariah Carey1

Zyrtare: Shitet Milani

0

Silvio Berlusconi ka zyrtarizuar se klubi i Milanit ndodhet në duart e një grupi të fuqishëm kinez, i cili per dy vite pritet të investojë 400 milionë euro.

Deklarata në fjalë është bërë nga spitali San Raffaele, ku Berlusconi ndodhet i shtruar pas problemeve shëndetësore.

“E kam shitur Milanin tek ata që janë në gjendje ta rindërtojnë. Bëhet fjalë për një grup kinez me një investim të rëndësishëm prej 400 milionë euro në dy vitet e ardhshme”, është shprehurBerlusconi.

Çollaku: Po rrezikohet seriozisht liberalizimi i vizave

0

Ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se vendimi për shtyrje të votimit për heqjen e vizave për Kosovën ka qenë i pritshëm për shkak të mosvotimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, njofton Klan Kosova.

“Ky është një lajm jo i mirë, pasi është pritur që së paku në dy komisione të votohet për liberalizimin e vizave edhe pse ka qenë e paraparë që kjo të votohet në shtator. Deklaratat e Tanjo Fajon duhet të merren si një alarm i fundit që marrëveshja kufitare me Malin e Zi duhet të kryhet patjetër nëse qytetarët Kosovës dëshirojnë të lëvizin pa viza. Ky është një kriter eksplicit i qartë”.

Ai ka deklaruar se shtyrja nuk reflektohet përgjatë gjithë procesit, por se është i domosdoshëm finalizimi i të gjitha kritereve që janë vënë nga Bashkimi Europian.

“Në aspektin kohor kjo nuk paraqet ndonjë shtyrje pasi vendimi përfundimtar për vizat është pritur të merret në shtator jo në korrik. Bashkimi Europian nuk diskuton me kriteret që i vë. Për të përshpejtuar vendimmarrjen në Bashkimin Europian në Komisionin Europian duhet që ta përmbushim kushtin për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Për ta qartësuar këtë çështje Parlamenti i Kosovës të paktën duhet ta mbaj një seancë, të mos votohet menjëherë, të vijnë ekspertët të ballafaqohen faktet”.

Çollaku ka kërkuar nga politikanët e vendit që të mos e mbajnë peng lirinë e qarkullimit të qytetarëve, pasi nuk ka kompromis për cështjet të cilat kërkohen nga Unioni.

“Nuk kemi të drejtë ta mbajmë peng të ardhmen europiane të Kosovës dhe t’ua pamundësojmë lëvizjen e lirë qytetarëve. Nëse gjatë këtij muaji nuk bëhet ratifikimi i vijës kufitare nuk mund të presim nga zyrtarët e BE-së që të kenë mirëkuptim në këtë çështje, duke i ditur edhe komplikimet e fundit në BE. Nuk besoj që Komisioni Europian dhe vendet anëtarë do të bëjnë kompromis në këtë çështje”.

Pa Demarkacion s’ka liberalizim të vizave

0

Tanja Fajon, raportuesja e Bashkimit Europian për liberalizim të vizave për Kosovën, ka njoftuar se votimi për rekomandim për liberalizim të vizave për Kosovën është shtyrë për shtator dhe se ky votim varet shumë nga ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“Shtyrja e votimit për lëvizjen pa viza të Kosovës për shtator varet në masë të madhe nga ratifikimi i marrëveshje së demarkacionit me Malin e Zi”, ka shkruar ajo në Twitter.

Rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave prë Kosovën nga Komisioni Evropian në Prishtinë erdhi në muajin shtator.

Komisioneri Evropian për zgjerim Johannes Hahn gjatë qëndrimit në Prishtinë më 17 maj tha se Kosova ka përmbushur, kryesisht, kriteret për liberalizim të vizave.

Gjallërohet jeta në Billushë të Prizrenit

0

Billusha si vendbanim përmendet qysh në vitin 1332. Në dokumentet historike llogaritet ndër vendbanimet më të vjetra.

Shani Berisha, kuvendar i KK të Prizrenit, shprehet për gazetën se ky fshat shquhet në të gjitha periudhat historike, po të dhënat flasin me së shumti nga koha e Lidhjes së Prizrenit, ku disa delegatë të Lidhjes kanë pasur konak edhe në këtë fshat.

”Fshati Billushë ka qenë një nga mbështetësit e Hasan Prishtinës dhe komitëve të tjerë, si Qazim Lita, të cilët nuk janë pajtuar asnjëherë me pushtuesin dhe jo rastësisht fshat Billushë është djegur dy herë, më 1912 dhe 1916, nga pushtuesit serbë e bullgarë, të cilët kanë masakruar gra, pleq e fëmijë, ku janë shuar shumë familje”, tregon ai, shkruan gazeta Kosova Sot.

Një fis i tërë u shua nga spastrimi

Berisha thotë se fisi Alaj është shuar nga ajo fushatë spastrimi.

Kurse Zafir Berisha, deputet, tregon se rebelimi i banorëve të këtij fshati ka vazhduar në Luftën e Dytë Botërore, ku fshati është identifikuar me çetën e Destan Billushës, bashkëpunëtor i ngushtë i Xhem Gostivarit dhe Muharrem Bajraktarit.

“Billusha asnjëherë nuk është pajtuar me komunizmin dhe regjimin serb në Kosovë dhe më 1981 në një grup të organizuar arrestohen shumë të rinj që kërkoni Republikën e Kosovës ku u mban me shumë vjet burg të rëndë në burgjet famëkeqe të ish- Jugosllavisë”, tregon Zafir Berisha.

Florim Gashi, banor i fshatit, thotë se vendosmëria për liri e banorëve të këtij fshati kulmon me luftën e UÇK-së ku për herë të parë në komunën e Prizrenit UÇK-ja del publikisht dhe fillon mobilizimi për luftë të armatosur që është udhëhequr nga Zafir Berisha, në mbështetje të shumë djemve të këtij fshati dhe fshatrave te rajonit të Vërrinit.

Dasmat mbushin shtëpitë me hare e aheng

Myrfert Shasivari, banor nga Billusha, ish-kryetar i fshatit e i arrestuar politik, shprehet se ky fshat tani ka mbi 200 shtëpi dhe mbi 300 kurbetçinj. Ai shton se ky fshat jeton me remitencat e ardhura nga jashtë, por pohon se këta banorë janë punëtorë të vyeshëm.

Ai për Kosova Sot shprehet se fshatin e karakterizojnë dy stinë, stina kur piqen dredhëzat, sepse ai është i dalluar për prodhimin e dredhëzave dhe vera kur kthehen bashkatdhetarët.

“Kthimi i tyre sjell jetë në fshat. Ajo që e karakterizon ende janë dasmat në gjithë fshatin, ku bëhet aheng i madh”, shprehet ai.

“Jam i pasionuar me dasmat e fshatit”, thotë ai.

Shton se Komuna së fundi në këtë fshat po i kryen disa shërbime, si shtrimin e rrugëve dhe rrugicave, por ankohet se fshati nuk ka një ambulance dhe shtëpi kulture. Ankohet për ujin e pamjaftueshëm gjatë stinës së verës.

Shasivari tregon se në këtë fshat janë bërë mjaft investime.

Zyrtare: Nani në La Liga

0

Skuadra spanjolle, Valencia ka njoftuar se ka nënshkruar me sulmuesin portugez të Fenerbahces, Luis Nani.

Valencias ka paguar klauzolën e lojtarit prej 8.5 milionë eurosh.

“Valencia ka arritur marrëbeshje me përfaqësuesin portugez Luis Nani, me të cilin ka nënshkruar kontratë tre vjeçare”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.