17 C
Prizren
E shtunë, 2 Gusht, 2025
Home Blog Page 6429

Furtunë ndaj kundërshtarëve politikë, të korruptuarit të paprekshëm

0

“Aleksandër Lumezi është orientuar kah gjyqet politike, sipas urdhrave të Isa Mustafës e Hashim Thaçit. Kjo na vërteton edhe një herë se duhet çrrënjosur ky pushtet, në mënyrë që pushteti i gjyqësisë të veprojë i lirë, i pakërcënuar dhe në ndjekje të krimit të organizuar”, deklaroi Albulena Haxhiu

Kosova, që nga përfundimi i luftës, më shumë se nga çdo gjë tjetër po lëngon nga niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar, që dyshohet se janë të përfshirë zyrtarët e lartë. Kapja e shtetit është thelluar vitet e fundit, ndërsa drejtësia e politizuar i ka amnistuar deri tash të korruptuarit. Shumë politikanë, që kanë pasur ose kanë pozita të larta, kanë bërë pasuri të pajustifikueshme, të cilat edhe i deklarojnë çdo vit në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Brukseli ka kërkuar që të luftohet korrupsioni i niveleve të larta, por rezultatet mungojnë, edhe pse një mision i BE-së vazhdon të jetë prezent në vendin tonë. Edhe liberalizimi i vizave mbetet i kushtëzuar nga arrestimet e të ashtuquajturve “peshqit e mëdhenj”.

Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Këshillit Prokurorial të Kosovës, thotë se prokurori i Shtetit vepron në çdo moment aty ku dyshohet se ka vepër penale apo krim të organizuar. “Në momentin që dyshohet se ka vepra të lartcekura, prokurori i Shtetit menjëherë fillon hetimet lidhur me rastet në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Lutfiut, i cili nuk ka pohuar asgjë nëse sivjet mund të ketë furtunë arrestimesh në nivele të larta…/kosova sot/

Hoxhaj zëvendëson Thaçin

0

Zgjedhja e zëvendëskryeministrit dhe njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në postin e presidentit mund ta rikthejë në krye të diplomacisë ish-ministrin Enver Hoxhaj. Mësohet se ai është kandidati më i mundshëm për ta marrë postin e kryediplomatit kosovar, i cili aktualisht drejton Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme.

Burime të “Zërit” kanë thënë se janë disa opsione, por më i përafërti është opsioni i rikthimit të ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, si pasues i Thaçit. “Në postin e ministrit të Punëve të Jashtme, pas zgjedhjes së ministrit aktual, Hashim Thaçi, në postin e presidentit të Kosovës do të shkojë ish-ministri, Enver Hoxhaj”, ka thënë një burim brenda koalicionit qeveritar.

Gjatë kësaj kohe sa Kuvendi është në pushim para nisjes së sesionin pranveror, sipas burimeve të “Zërit”, po diskutohen edhe opsione tjera. E, njëra prej tyre është edhe ndërrimi i ministrave në kabinetin qeveritar.

Pas zgjedhjes së Thaçit në postin e presidentit, njëri nga opsionet e menduar është edhe emërimi i ministrit aktual të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në postin e kryediplomatit, derisa PDK-ja ta marrë drejtimin e MPB-së. Mirëpo, ky opsion shihet si vështirë i realizuar.

Ende s’kemi folur në organet e partisë për emër konkret

Mirëpo, në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se ende nuk kanë biseduar në organet e partisë për emra konkretë, se kush do ta marrë drejtimin e diplomacisë kosovare pasi Hashim Thaçi të votohet për president të vendit.

Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, ka thënë për “Zërin” se së pari do të respektohet marrëveshja e koalicionit me të cilin do të zgjidhet kreu i PDK-së në postin e presidentit, pastaj do ta zgjedhin edhe njeriun e duhur për ministër të Punëve të Jashtme.

Opozita: Të shtunën nis rënia e Qeverisë

0

Përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare besojnë se protesta e 9 janarit për rrëzimin e Qeverisë “Mustafa” do të jetë protesta më e madhe në Kosovë që nga përfundimi i luftës, ndërsa demonstratat do të vazhdojnë deri në dorëzimin e kryeministrit.

Në anën tjetër përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës konsiderojnë se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen për Asociacionin, opozitës i është rrënuar preteksti për të protestuar, ndërsa arsyeja është “verbëria pas pushtetit”.

Zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, ka thënë se edhe në të kaluarën ka pasur mjaft shumë protesta politike në të cilat pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë shumë e madhe. Ndërsa, në raste tjera, sipas tij, Qeveria ka manipuluar me qytetarët, prandaj protestat nuk kanë qenë shumë masive.

“Mendojmë që një nga arsyet për mospjesëmarrje të njerëzve në të kaluarën, është manipulimi i opinionit të tyre që është bërë nga Qeveria duke i trajtuar protestat si të pavlefshme dhe të panevojshme. Sidoqoftë, sot në Kosovë po ndryshon situata. Çdo herë e më shumë ka gatishmëri qytetare për protesta, dhe kjo u vërtetua edhe në manifestimet e organizuara nga opozita gjithandej Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi/zeri/

Asllanaj: Gjendja në Suharekë është normalizuar

0

Kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj ka shpalosur detajet më të reja në lidhje me situatën e krijuar nga vërshimet e shiut të rrëbeshëm në këtë komunë.

”Sot kishim një ditë mjaft të mundimshme, dhe pamjet kanë qenë mjaft trishtuese në disa fshatra”, tha Asllanaj në një lidhje direkte në edicionin e së mërkurës të emisionit Ora e Fundit në Klan Kosova.

”Por fatmirisisht kjo gjendje është mbuluar mjaft mirë pa dëme në njerëz të humbur, megjithatë duke iu falënderuar ekipeve të shpëtimit, me kompani të Therandës që kanë ndihmuar për të përballuar këtë situatëpasi që uji kishte kapluar bodrumet”.

”Kjo ishte sfida më e madhe këtu qysh nga viti 1994, ndërsa tashmë Suharekës iu është kthyer normaliteti pas një dite me pamje tejet dramatike”.

”Kishte mjaft vështirësi të mëdha për qarkullim prandaj e kishim mjaft të vështirë për të evakuar nxënësit”.

”Në këtë rast nuk kemi mundësi shumë për të llogaritë në fonde, por mund të themi se kjo qështje është përfundu mjaft mirë me ndihmën e secilit që kanë rrezikuar jetën e tyre”.

”Telashet për mësim kanë qenë minimale prandaj ndrrimin e pasditës për mësim e kemi ndërpre prandaj nuk ka pasur ndonjë rrezik”.

”Nesër do të formohet komisioni për të shqyrtuar edhe për dëmet materiale, natyrisht që për fondet emergjente që kemi do të kompenzojmë gjithcka”.

Morina: Ka filluar normalizimi i gjendjes në Malishevë

0

Drejtori i emergjencave të Malishevës, Ahmet Morina, në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, tregoi për situatën gjatë gjithë ditës të reshjeve dhe vërshimeve, menaxhimin e problemeve dhe çfarë po ngjan aktualisht në Malishevë.

”Gjendja momentale në Malishevë ka filluar të normalizohet, edhe pse gjatë ditës kishte gjendje emergjente, por fal ekipeve tona emergjente kemi arritë me kalu ketë situatë në komunën tonë”, tha Morina.

”Të gjitha fshatrat që kalon lumi Mirusha kanë qenë të rrezikuara, por për shkak të kushteve kemi pas të pamundur me ndihmu të gjitha shtëpitë, e që në një mënyrë ne kishim mundësi përmes kontakteve me të tjerët ndihmuam aq sa kishim mundësi”.

”Të gjitha mjetet që kishim ekipet emergjente, zjarrëfikësit, u mobilizuam me të gjithë për të kaluar situatën e krijuar, ne u mobilizuam që të mos lëshohen nxënësit pa përcjelljen e mësuesve sepse kjo ishte më e vështira për ne, por ajo cfarë neve na u shpërblye ishte se nuk patëm pasoja në humbje njerëzish”.

”Tani për momentin rruga Prishtinë-Rahovec është liru por ajo për Kjevë është e pamundur të kalohet, për dëmet që kanë qenë i kemi biznese të dëmtuara, kanë gjëra të tjera të dëmtuara bukur shumë”.

”Kanë qenë dy figura kryesore që na kanë përkrahur moralisht Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga si dhe Kryetari i Nismës Fatmir Limaj”.

”Për këtë nivel të ujit jemi kriju disa ekipe emergjente, është bukur vështirë të bëjmë një vlerësim se sa është dëmi por qysh nga nesër do të mundohemi që të konstatojmë dicka më konkrete”.

Limaj shpreh mirënjohje për qeverinë komunale të Malishevës

0

Në lidhje me dëmet dhe vërshimet e shkaktuar gjatë ditës së sotme në vend e sidomos në komunën e Malishevës, ka reaguar edhe kryetari i NISMA për Kosovën Fatmir Limaj.

Ai nëpërmjet rrjetit social Facebook ka shprehur mirënjoje dhe mbështetje për qeverinë komunale e cila është shumë e mobilizuar dhe në krye të detyrës së saj për t’u dal në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë.

“Reshjet e shiut mbrëmë dhe sot kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në disa pjesë të Kosovë. Deri më tani komuna e Malishevës është në situatën më të vështirë nga këto përmbytje. Shfrytëzoj rastin të shprehi mirënjohjen dhe poashtu mbështetjën tonë për qeverinë komunale e cila është shumë e mobilizuar dhe në krye të detyrës së saj për tu dal në ndihmë qytetarëve që kanë nevojë”, ka shkruar Limaj.

“Gjithashtu mirënjohje për qytetarët të cilët janë aktivizuar së bashku me qeverinë komunale në ofrimin e ndihmës familjeve të prekura”.

“Unë pres që organet qendrore të aktivizohen dhe tu dalin në ndihmë zonave të prekura nga vërshimet”.

“Falenderoj zotin që deri tani nuk kemi pas viktima në njerëz”. /PrizrenPress.com

Visar Ymeri në Prizren: “Zajednica” dhe Demarkacioni, kanë vdekur

0

Vetëvendosje! në Prizren ka mbajtur dy tubime, një në lagjen “Bajram Curri’ dhe tjetrin në lagjen “Bazhdarhane”.

Në këto tubime para të pranishmëve kanë folur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Tmeri, si dhe Qednra e Vetëvendosjes! në Prizren: Drita Millakum, Arbër Rexhaj, Artan Abrashi dhe Jeton jagxhiu.

Kryetari i VV-së Visar Ymeri tha se nuk ka kuptim që të qëndrojë kjo Qeveri, sepse e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur derisa ka shkelur kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Zajednica dhe demarkacioni me Malin e Zi kanë vdekur, por kjo Qeveri po mundohet t’i ngjallë sërish këto marrëveshje, prandaj për ne kjo është e papranueshme”, tha Ymeri,raporton PrizrenPress

“Aksionet tona simbolike si opozitë e bashkuar, protestat tona mbrenda Kuvendit të Kosovës kanë dhënë rezultate, prandaj ka për të dhënë rezultat edhe presioni i qytetarëve në protestën masive të 9 janarit, me ç’rast do të jetë fundi i kësaj Qeverie”, tha ai.

Ndërsa, në fjalën e aktivistëve të VV-së në Prizren u theksua nevoja e mobilizimit të qytetarëve të Prizrenit për të marrë pjesë masivisht në protestën e 9 janarit.

Prizreni nuk është vetëm qytet historik, ku ka lindur kombi, por është edhe qytet kulturor ku ka treguar edhe qytetari aktive, prandaj theksuan ata, qytetarët e Prizrenit e kanë obligim të marrin pjesë në protestën ku do të rrëzohet qeveria. /PrizrenPress.com

Organet e drejtësisë në Prizren, bashkë kundër korrupsionit

0

Drejtuesit e organeve të drejtësisë në Prizren, kanë premtuar se bashkërisht do të punojnë në luftimin e korrupsionit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Sylë Hoxha, kryetari i Gjykatës Ymer Hoxha dhe u.d. i drejtorit të Policisë në Prizren , Lumni Graishta, në një takim të përbashkët, janë pajtuar që bashkërisht të angazhohen në luftimin e korrupsionit dhe krimeve të tjera.

“Qëllim i takimit të sotëm është thellimi i bashkëpunimit të këtyre institucioneve, që si prioritet mbi prioritetet kemi luftimin e krimit dhe të korrupsionit”, tha kryeprokurori Sylë Hoxha

“Me shtimin e numrit të prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesional, Prokuroria e Prizrenit do të jetë edhe më efikase në angazhimet e saj”.

Ndërkaq, Ymer Hoxha, kryetar i Gjykatës Themelore, pranoi faktin se këto institucione po hasin në vështirësi.

“Me koordinimin e veprimeve të duhura ndërinstitucionale, funksionimi i organeve të drejtësisë dhe atyre të rendit do të jetë më i suksesshëm”.

Këtë takim e vlerësoi të rëndësishëm edhe u.d i drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, Lumni Graishta.

“Policia do t’i shtojë aktivitetet e saj më tepër këtë vit në suaza të përgjegjësive që ka ajo, për të pasur një ambient sa më të sigurt për të gjithë qytetarët”, tha Graishta. /TV Prizreni/

Alarmante: Ndotet uji i pijshëm në Prizren

0

Reshjet e shiut kanë ndotur ujin e pishëm në Prizren.

Zëdhënësja e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, Verije Krasniqi- Ibrahimi, njofton se për shkak reshjeve të shiut dhe ndodtjes, një sasi e ujit të pieshëm është duke u derdhur në lumë.

“I njoftojmë konsumatorët, se për shkak të intensitetit të madh të reshjeve, ka ardhur deri te turbullimi i ujit, ku jemi të obliguar që një sasi të ujit me derdh në lumë”, njofton ai.

“Si pasojë, do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijes në qytetin e Prizrenit”.

.”Lusim konsumatorët që të vlojnë ujin para përdorimit”.
“Ekipet e Kompanisë janë në vendngjarje, dhe në momentin që bëhet kthjellimi i ujit, do të normalizohet furnizimi me ujë”/PrizrenPress.com/

.

Kur viti nis me “stupca”!

0

Viti të cilin e lamë pati nisur me një ngjarje që nuk e pati zgjuar vëmendjen e shoqërisë. Në minutat e parë të dymbëdhjetëmuajshit të ri, në Klinikën Gjinekologjike në Prishtinë pati ardhur në jetë fëmija i parë. Tradita e kërkonte që kjo foshnje të urohej nga presidentja e shtetit, Atifete Jahjaga. Thuhej se ajo ishte bërë gati për këtë gjë, megjithatë vizitën nuk e pati realizuar. Kishte hequr dorë kur kishte marrë vesh se nëna që e kishte lindur foshnjën, ishte një e mitur.

Kështu, ajo kishte vendosur ta diskriminonte fëmijën e parë të vitit e bashkë me të edhe nënën e saj. Më pas, askush nuk e pyeti të parën e shtetit në mos foshnja ishte fajtore që ishte fryt i një nëne 16 vjeçe, apo nëse ishte dashur që nëna e re ta abortonte atë për shkak se ende nuk e kishte arritur moshën ligjore për t’u martuar.

Askush nuk i tha presidentes se edhe në shtetet më të zhvilluara, ka raste kur femrat lindin pa i bërë 16 vjet. Por, kjo ngjarje nuk përbënte temë debati në një kohë kur autobusët po mbusheshin me fëmijë të tjerë që bashkë me prindërit e tyre po mësynin Perëndimin, në kërkim të mirëqenies. Kështu viti nisi mbrapshtë dhe si i tillë përfundoi, si rrjedhojë edhe e protestave dhe krizës politike të mëpastajme.

Shenjat nuk qenë të mira as për vitin në të cilin tashmë kemi hyrë. Nuk besoj që as vetë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mundur ta parashikojë që viti 2016 do të niste me “Stupca”, kur në prag të ndërrimit të moteve paralajmëroi se ky vit do të jetë më i rëndi që nga paslufta.

Ka plot indikacione që të shtyjnë të besosh se ajo që e ka thënë ish-shefi i Shërbimit Informativ mund të dalë e vërtetë, për aq sa edhe nisja e vitit me “Stupca” të jep për të kuptuar se gjatë rrugës mund të dalin edhe zhvillime të paparashikuara. E mira do të ishte sikur zgjidhja e çdo problemi të kalonte përmes debatit dhe rendit ligjor e jo të manifestohej me veprime të dhunshme. Se cila formë do të dominojë, do ta shohim rrugës. Fillimi megjithatë është i mirë – me debat!

Skeçi i “Stupcave”, në të cilin humoristet satirizojnë “padronët e paqes”, dikur komandantë të UÇK-së dhe ironizojnë atë pjesën tjetër të ushtarëve të devotshëm të lirisë që verbërisht u kanë besuar eprorëve por që nuk kanë arritur ta gëzojnë lirinë, në mos për tjetër, ka arritur ta hapë debatin mbi të kaluarën e një pjese të vogël të Ushtrisë që pretendohet se janë bërë milionerë në rrugë të paligjshme dhe pjesës së madhe të po asaj ushtrie, që presin për ta marrë pensionin mujor. Natyrshëm, debati dominohet nga fryma që i jep mbështetje shumicës që edhe sot e këtë ditë nuk kanë një tretman të duhur në shoqëri, pikërisht për shkak të veprimeve të asaj pakicës që ka uzurpuar e privatizuar pasuritë e përbashkëta dhe që ushtron kontroll mbi pushtetet.

Debati, pavarësisht gjuhës që përdoret, në parim është i shëndoshë, sepse si kurrë më parë, ish-ushtarët dhe shtresa tjetër e shoqërisë janë kurajuar që të flasin haptas për atë që e ndjenjë. Kam lexuar dhjetëra komente e postime në rrjetin social mbi skeçin, pro dhe kundër tij, por vëmendjen ma kanë tërhequr ata që kanë qenë ushtarë. Ajo që më ka bërë përshtypje, është se në asnjë reagim nuk është kontestuar fakti se disa komandantë të luftës janë shndërruar në uzurpatorë të të mirave publike në paqe. Të gjithë flasin për misionin e shenjtë që kishte UÇK-ja – çlirimin. Dhe mirë bëjnë!

Por edhe sikur dikush të mundohet t’i demonizojë çlirimtarët, nuk mund ta bëjë këtë gjë. Krejt çka mund të bëhet është çmitizimi i disa prej figurave që janë pasuruar në emër të lavdisë e që kanë kontribuar më shumë se kushdo tjetër, që të krijohet masa kritike kundrejt tyre. Të jemi të qartë, jo ndaj ushtarëve!

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në një rast të ngjashëm, mund ta shtronte çështjen kësisoj para komandantëve. “Nëse i ulni kokat dhe shihni se në dorë mbani një orë që kushton më shumë se pensioni vjetor i një ushtari, atëherë dijeni se nuk jeni të pastër”. Apo mund të ishte edhe më i drejtpërdrejtë dhe të thoshte: “Nëse keni kërkuar nga pushteti t’u japë ndonjë tender dhe në kundërvlerë ua keni dhënë 10 apo 20 përqindëshin, dijeni se jeni edhe korruptues edhe të korruptuar”.

Në këtë pikë, por përmes satirës kanë goditur edhe “Stupcat”. Humoristët edhe po të duan nuk mund ta dëmtojnë imazhin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por, këtë gjë në një masë mund ta bëjnë vet ish-komandantët. Ata që sot nuk e dinë datën se kur u themelua Ushtria. Ata që i kanë fryrë listat e “ushtarëve” dhe e kanë mbuluar të vërtetën mbi numrin real të atyre që kapën pushkët për çlirim. Ata që e bënë Fatos Klosin veteran të luftës. Apo, ata, që sot marrin pensione të ushtrisë, pavarësisht se mbajnë poste të larta publike.

“Stupcat” mund të jenë vetëm meritorë që e hapën këtë kaptinë, megjithëse, në gjithë këto vite, gazetarët kanë qenë të vetmit që janë përpjekur të tregojnë se çka po ndodh në vendin tonë. Gjasat për t’i ndryshuar gjërat, si më herët, si tash kanë qenë e janë të pakta, për faktin se një pjesë e prokurorëve dhe gjykatësve kanë qenë e janë të korruptuar.

“Stupcat” arritën ta shpërfaqin ndjesinë që mund ta kenë një pjesë e popullit ndaj disa komandantëve, në rast se nesër ata do të jenë të akuzuar potencialë nga Gjykata Speciale. I gjithë debati po zhvillohet vetëm pak ditë përpara protestave të “opozitës së bashkuar”. Paralajmërimet janë se ato nuk do të ndalen deri në rrëzimin e Qeverisë. Gjasat që t’ia arrijnë këtij qëllimi, pavarësisht formës së veprimit, nuk janë, dhe kështu shpejt do të futemi në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.

Nuk do të varet nga mosvullneti i disa deputetëve të LDK-së për ta votuar Hashim Thaçin për kryetar shteti, sa do të varet prej kryetarit të PDK-së, nëse do të jetë i interesuar ta çojë ose jo vendin në zgjedhje të parakohshme. E, qetësia apo trazirat do të jenë të ndërvarura në masë të madhe nga ecuria e procesit të Gjykatës Speciale. Ky proces pritet t’i prekë pikërisht disa prej komandantëve të luftës. Ata që u bënë subjekt i “Stupcave”.