37.6 C
Prizren
E hënë, 21 Korrik, 2025
Home Blog Page 6492

Ymeri: Pushteti po na e sjell Serbinë në Kosovë

0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes Visar Ymeri ka deklaruar se sot në ditën më të shenjtë janë mbledhur shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare.
Sipas Ymerit, 28 Nëntori është i Ismail Qemalit, Adem Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ymeri tha se pushteti i Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit po na copëton sërish.

“Pushtetit po na e sjell Serbinë Kosovës dhe po ia falë territore Malit të Zi”, tha Ymeri.

Por sipas tij opozita janë të vendosur dhe marrin frymë në nëntorin e gjallë ndërsa pushteti sheh ëndrra me nëntorin e vdekur.

“Republika jonë do të jetë republikë për bashkimin e jo e republikës”, tha Ymeri.

Ai u tha protestuesve të mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti” se ju jeni ata që do ta parandalojnë Asociacionin e Komunave Serbe dhe marrëveshjen për Demarkacionin.

Haradinaj: Kosova, gjaku im që nuk falet

0

Ramush Haradinaj në fjalimin e tij në manifestimin e opozitës, e ka cituar poetin e madh Ali Podrimja “Kosova është gjaku im që nuk falet”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se pushteti i ka detyruar të dalin në rrugë sepse po dëshiron të bëjë zot shpie Serbinë në Kosovë.

“Pushteti na ka detyruar të dalim në rrugë sepse po dëshiron të bëjë zot shpie Serbinë në Kosovë. Kosovën e kemi çliruar së bashku ne me aleatët, Kosova është e të gjithë komuniteteve që jetojnë në Kosovë por nuk është e Serbisë”, ka thënë ai.

Fjalimi i Ramush Haradinajt

Shqiptarë kudo ku jemi, urime Dita e Flamurit. Dita e Pavarësisë dhe e Lirisë. Shqiptar e krenar, trim e bujar, i dijshëm e i vyeshëm. Mik, liridashës dhe i respektuar.

Me 28 Nëntor, nëpër shekuj i kemi thirrë vetëdijes sonë për fatin tonë si komb. Përjetësisht mirënjohje sakrificës së bashkëkombasve tanë për liri.

“Kosova është gjaku im që nuk falet” – ka thënë Ali Podrimja.

Ne jemi evropianë dhe e nderojmë mikun e përjetshëm- Amerikën.

Pse Kosova sot është “e përulur dhe e turpnume”, “e lodhur dhe ekonomikisht e dërmuar”. Një Kosovë me kaq shumë potenicale.

Pushteti na ka nxjerr në rrugë, se po don me e ba Serbinë zot’ Shpije n’Kosovë. Na ka detyru me përdor gaz, se po don me i falë tokë Malit t’ Zi. Ne i themi Jo, se Kosova asht’ Njo e s’bahet dy.

Pushteti po na burgosë e po na i thyen dyert veç me u pajtu me marrëveshjet e tij. Ne i themi Jo. S’kemi as tokë me falë e as nuk e kemi n’mend me e lanë Serbinë me u kthy.

Kosovën e kemi çliru bashk me ju e me aleatët. Bashk do ta mbrojmë.

Kosova është e qytetarëve të saj, e të gjithëve, edhe e serbëve të Kosovës, por jo e Serbisë. Ju kemi thirrë sot, për një shtet unitar e jo për një Kosovë copa-copa.

Jemi bashku sot kundër t’ligut e t’keqit. Ju themi atyre mos e rrezikoni shtetin me këto marrëveshje.

Kur e kemi nisë luftën, na kanë pas thanë se e kemi gabim. Por më vonë krejt bota demokratike ka qenë në anën tonë. Bashkë do të jemi prap.

Të dashur bashkëqytetarë,

Sot, këtu jemi për shtet.

Sot u themi Jo marrëveshjeve. Marrëveshjet nuk kalojnë!

Limaj: Isë e Hashim, marrëveshjet nuk kalojnë

0

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj iu ka drejtuar mijëra të pranishmëve në manifestimin e opozitës së bashkuar, duke thënë se kërkesat e opozitës janë që të anulohen marrëveshjet dhe nëse nuk anulohen, atëherë janë edhe dy kërkesa tjera të dërgohen në referendum ose të shkojmë në zgjedhje të reja
“Bashkimi ynë nuk është drejtuar kundër askujt por është në mbrojtje të interesave të vendit tonë. Bashkimi ynë ka një objektivë mbrojtjen e territorit dhe pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Limaj ftojë qeverisë që të dëgjojë zërin e qytetarëve të Kosovës.

“Po i tregojmë atyre që kanë pas dilema dhe mendojnë se Kosova është në gjumë por jo nuk është në gjumë. Isë dhe Hashim asnjëherë nuk mund ta ndani popullin e Kosovës me këto dy marrëveshje. Dëgjoni zërin e qytetarëve sepse ju e dini se ata që nuk dëgjojnë zërin e qytetarëve se si përfundojnë”, ka thënë ai.

12 autobusë nga Prizreni nisen drejt Prishtinës

0

Nga Prizreni, pritet të nisen 12 autobusë me pjesëmarrës në manifestimin e orës 14 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Përveç Prizrenit, nisje të autobusëve do të ketë edhe nga fshatrat Korishë, Gjonaj, Romajë dhe Zhur, raporton Kallxo.com

Duda Balje uron shqiptarët për 28 Nëntor

0

Deputetja e Parlamentit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka uruar gjithë shqiptarët me rastin e festës së 28 nëntorit.

Balje këtë e ka bërë përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

Ky është postimi i plotë i Duda Balje:

“Të gjithë shqiptarëve kudo në botë ju uroj 28 Nëntorin Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Happy Independence day to all my Albanian friends

Me respekt Duda Balje”.

Googel vendos flamurin kuqezi

0

Në përvjetorin e 103- të pavarësisë së Shqipërisë ‘Google’ ka ndryshuar logon e tij, duke vendosur flamurin kuqezi.

Pas simbolit kombëtar është vendosur edhe një peisazh shqiptar.

Të gjithë ata qytetarë brenda kufijve të Shqipërisë që klikojnë mbi flamurin kuqezi, shfaqen informacione që kanë lidhje me Pavarësinë e vendit tonë dhe festimet për këtë datë të rëndësishme historike.

103-vjetori i Pavarësisë, Nishani e Rama në Vlorë

0

Ceremonia e Pavarësisë në Sheshin e Flamurit në qytetin e Vlorës, mblodhi në qytetin bregdetar pak minuta pas orës 10:00 Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, zv.kryetaren e Kuvendit, Valentina Leskaj, kreun e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli dhe drejtues të tjerë të lartë të vendit.

Krerët e Shtetit vendosën kurora me lule në Monumentin e Pavarësisë në Sheshin e Flamurit dhe pasi përshëndetën qytetarët e grumbulluar në shesh, vijuan me agjendën e festimeve.

Ndërkohë, thuajse në të njëjtën orë, në Tiranë drejtuesit më të lartë të opozitës i qëndruan traditës së vendosur prej tyre duke përkujtuar më 28 Nëntor Pavarësinë dhe Çlirimin.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Berisha dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Partisë Demokratike nderuan dëshmorët duke vendosur kurora me lule dhe përulur para tyre.

Tre persona arrestohen për vjedhje të rëndë në Suharekë e Malishevë

0

Tre persona kanë përfunduar në pranga, pasi që dyshohet se kanë kryer veprën penale të ‘vjedhjes së rëndë’. Sipas policisë, një person është arrestuar në qytetin e Suharekës, kurse dy të tjerë në Bubel të Malishevës.

Në rrugën “Brigada-123” të Suharekës është arrestuar një person nën dyshimin se i njëjti ka kryer tri vepra penale të vjedhjes në lokacione të ndryshme.
Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në fshatin Bubel të Malishevës, policia bën të ditur se më 27.11.2015 janë identifikuar dhe arrestuar dy persona nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer vjedhje në shtëpinë e viktimës. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com

Opozita manifeston “për Republikën”

0

Tri partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje!, AAK dhe Nisma sot do të mbajnë një manifestim me moton “Me Republikën” me anë të së cilit kundërshtohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave serbe që është nënshkruar në Bruksel nga kryeministri, Isa Mustafa.

Në manifestim, i cili është caktuar në Ditën e pavarësisë së Shqipërisë kundërshtohet edhe marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, i cili ende nuk ka shkuar në Kuvendin e Kosovës për ratifikim.

Tri subjektet opozitare kanë kundërshtuar këto marrëveshje me protesta si dhe me veprime të ndryshme edhe në Kuvendin e Kosovës.

Sipas përfaqësuesve opozitarë, manifestimi me moton “Për Republikën” do të jetë paqësor dhe masiv, dhe do t’i jep mesazh të qartë Qeverisë së Kosovës se këto marrëveshje duhet të tërhiqen.

Analistë dhe historianë që e njohin rëndësinë e kësaj feste kombëtare kanë thënë ditë më parë për KosovaLive se kjo datë mund të instrumentalizohet, por në anën tjetër edhe qytetarët e kenë të drejtën e tyre themelore të protestojnë.

Sipas tyre, shënimi i ditëve të veçanta, ajo e flamurit ose e pavarësisë kanë karakter manifestues dhe mobilizues, por nuk përjashtohen edhe protestat, të cilat lidhen me ngjarje të veçanta, siç janë ato që kanë të bëjnë me rrezikimet nga jashtë, të cilave u duhet mobilizimi kombëtar.

Po ashtu e sipas tyre, frikësimi i qytetarëve për të mos demonstruar qetësisht pakënaqësinë e vetë është shumëfish i dëmshëm edhe për vet qeverinë dhe se një gjë e tillë e vret qartë normën apo të drejtën e garantuar edhe me Kushtetutë elementare të standardit që e bënë demokracinë të pranueshme edhe për mentalitetin dhe etnopsikologjinë tonë sociale..

Manifestimi është paralajmëruar që të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë si dhe fillon në orën 14:00.

Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari

0

Komandanti legjendar Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i bënte 60 vjet.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skënderajt.Ishte djali i tretë i Shaban Jasharit dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skënderaj.

Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur.

Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit.

Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalietet, deri në fillimet e luftës çlirimt are në Kosovë.

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore.

Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe.

Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani. Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe f itorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

Policia serbe kishte shenjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.

Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme. Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobel për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Me vendim të ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.