18.1 C
Prizren
E hënë, 21 Korrik, 2025
Home Blog Page 6493

Emilija Rexhepi pajtohet me PDK-në e Prizrenit

0

Kryetarja e NDS, Emilija Rexhepi është pajtuar me PDK-në e Prizrenit.

Ajo tha se mosmarrëveshjet e krijuara për zgjedhjen e lokacionit të QKB-së, duhet të tejkalohen.

“Për këtë çështje i mbetet drejtorit të DKRS-së, Arhim Ajazi, dhe kryetarit Ramadan Muja që të gjejnë zgjidhje për objektin e shumëpërfolur”, ka thënë ajo.
Përcaktimi i lokacionit për ndërtimin e Qendrës Kulturore Boshnjake ishte bërë “mollë sherri” ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës në Prizren PDK dhe NDS.

Emilija Rexhepi, e cila është edhe deputete në Kuvendin e Kosovës, kishte shprehur dyshimin se konflikti me PDK-në në Prizren ishte bërë shkas që persona të panjohur ta rrëmbejnë vajzën e saj për disa minuta.

“Vajzën time e kanë rrëmbyer dy persona dhe e kanë lëshuar mëpas në mënyrë që ajo të më përciellë porosinë se “nëna jote duhet të ketë kujdes se çfarë po bën”, pat thënë Rexhepi.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Minir Krasniqi, e vlerësoi të frytshëm takimin me përfaqësuesit e NDS-së.

Kryetari i Komunës, Ramadan Muja, ka shprehur besimin se mosmarrëveshjet PDK-NDS janë lënë anash, dhe se ai dhe bashkëpunëtorët e tij nga koalicioni qeverisës do të angazhohen konkretisht në realizimin e shumë projekteve në dobi të qytetarëve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Prizren./TVPZ/

Opozita organizon transportin me autobusë

0

Përfaqësuesit e subjekteve opozitare, Glauk Konjufca nga VV, Pal Lekaj nga AAK dhe Bilall Sherifi nga Nisma, në një konferencë për media, kanë ftuar qytetarët që të bashkohen në manifestimin e nesërm të tyre për të kundërshtuar Marrëveshjet për Asociacionin dhe Demarkacion me Malin e Zi.

“Në të dy këto marrëveshje, opozita ka sjellë argumente dhe fakte të mjaftueshme që flitet për cenim dhe shkelje të patolerueshme të shtetësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tri subjekteve ozpoitare.

Ato, po ashtu, ka bërë të ditur se kanë organizuar transportin me autobusë nga të gjitha komunat, për në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

“Manifestimi fillon në ora 14:00 me intonimin e himnit kombëtar, vazhdon me fjalime politike si dhe mbaron me një pikë artistike”, thuhet në njoftim.

Rruga e Kombit mbulohet nga bora, vështirësi në qarkullim

0

Reshjet e dendura të borës që kanë rënë gjatë paradites së të premtes në Rrugën e Kombit kanë vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Trashësia e borës ka shkuar në nivelin e 7 cm , ndërkohë që temperaturat e ulëta kanë sjellë ngrica në rrugë. Kompania të cilës i ka mbaruar kontrata prej 3 muajsh ka ndërhyrë me borëpastruese duke pastruar rrugën, përgjatë së cilës është hedhur dhe kripë.

Shtabi i Emergjencave Civile Kukës u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes, sidomos gjatë qarkullimit në zonat e thella malore.

Abdulla Domi, sekretar i Institucionit të Prefektit: Ka borë në zonat e Bushtricës dhe Shishtavecit. Momentalisht rrugët janë të qarkullueshme. Vëmendja e Shtabit është tek Rruga e Kombit, e cila, edhe pse nuk përfundoi në koncesionim, firma e cila e ka mbajtur deri tani vazhdon ta mbajë. Ka pasur rrëshqitje të dherave, por nuk ka pasur problem.

Reshje bore ka pasur edhe në zonat e Dibrës dhe të Pukës, ndërkohë që nuk janë vërejtur probleme me qarkullimin.

Mesditën e së premtes reshjet e para të borës kanë nisur dhe në fshatin turistik të Dardhës në Korçë, por pa krijuar probleme me rrugët.

Aksident në Prizren, përplasen dy automjete

0

Në rrugën “Dragash” në qytetin e Prizrenit ka ndodhur një aksident trafiku në mes të dy automjeteve me ngasës njëri shqiptar dhe tjetri goran.

Si pasoj e aksidentit lëndime trupore ka pësuar një pasagjer shqiptar të cilit i është ofruar tretman mjekësor në QKMF Dragash e më pas tretmanit mjekësor është liruar për shërim shtëpiak. /PrizrenPress.com

Dëshmitë e asaj nate në Bataclan

0

Edhe një herë për ferrin e përjetuar në Bataclan. Rrëfimi i secilit prej pjesëtarëve të Eagles of Death Metal.

Rock bendi Eagles of Death Metal kishte një orë që luante në shfaqjen e 13 nëntorit, ku të gjithë biletat ishin shitur, në Sallën e Koncerteve Bataclan në Paris. Në ato momente, disa persona të armatosur hynë brenda dhe nisën të qëllojnë. Mes të parëve që kuptoi se çfarë po ndodhte ishte inxhinieri i zërit i grupit, Shaun London, që po punonte pranë portës kryesore. Ai mendoi se ishin fishekzjarre, më pas pa fansa që binin përtokë.

“Plagosje. Vdekje. Dhe pastaj, njerëz që vraponin”, kujton London në një intervistë për Vice, në të parën intervistë që ka dhënë grupi pas sulmeve.

“Nuk kishte ku të shkoje”.

Inxhinieri i zërit pa drejt e në sy një prej personave të armatosur.

“Dhe ai më nguli sytë mua”, thotë London.

“Dhe më qëlloi, por jo në shenjë”.

Plumbat goditën pajisjet e tij. Londoni u shtri menjëherë dhe u bashkua me të tjerët, teksa terroristi vazhdonte të qëllonte.

“Ai qëndroi aty dhe vazhdoi të qëllojë dhe të thërrasë ‘Allahu Akbar’, me sa kishte në kokë. Pikërisht në atë moment e kuptova se çfarë po ndodhte”.

Në skenë, secili pjesëtar i grupit u mbërthye nga paniku, duke zgjedhur rrugë të ndryshme që më në fund i nxorrën nga klubi. Një prej punonjësve të tyre, Nick Alexander, ishte mes atyre 89-ëve që gjetën vdekjen.

Dëshmitë e pjesëtarëve të grupit.

Eden Galindo, kitarist

Galindo mendoi se të shtënat e para ishin fishekzjarre. Kur u bë e qartë se ishin të sulmuar, këngëtari Jesse Hughes, një bashkëthemelues i grupit, rendi drejt tij. Së bashku u strukën në një qoshe të skenës. “Nuk ishim të sigurtë në kishin ne në shënjestër, apo çfarë po ndodhte”, thotë Galindo. Pas pak, një anëtar i grupit që quhet Boot vuri re që atentatori që ndodhej mëpranë ishte ndalur për të rimbushur automatikun. “Ai thirri: Shkojmë! Dhe pastaj ne u ngritëm, dhe dolëm jashtë skene”. Galindo tha se ai dhe Hughes u ngjitën lart për të gjetur të dashurën e Hughes, Tuesday Cross. Ajo nuk ishte aty. U kthyen dhe kërkuan një rrugëdalje.

Matt McJunkins, basist

“Kur nisën të shtënat, hodha basin në tokë dhe u fsheha për një sekondë, prapa perdeve”, thotë McJunkins. Më pas vrapo drejt derës, ku po qendronte menaxheri i grupit. Ajo të çonte në një dhomë, por jo tek dalja. Ata u futën brenda, ku shumë njerëz, shumë prej të cilëve të palgosur, po fshiheshin. Dikush e bllokoi derën me karrike. Një tjetër gjeti një shishe shampanjë, që ta përdorte si armë. “të shtënat vazhduan për 10, 15 minuta”, thotë McJunkins. “Më pas u ndalën dhe patëm një ndjesi çlirimi, por ato nisën sërish. Dhe më pas dëgjuam një shpërthim”. Më pas, ai mësoi se një prej atentatorëve kishte hedhur veten në erë.

Julian Dorio, bateri

Dorio kujton se tëgjoi të shtënat dhe ndjeu erën e barutit. Ai u fsheh pas baterisë dhe u përpoq të shohë se ç’po ndodhte. ‘Pashë dy persona te dera kryesore, dhe mund të ketë qenë gjëja më e tmerrshme, ata që qëllonin pa dallim mbi audiencën”, thotë Dorio. Ai shkoi zvarrë deri tek qoshja e skenës dhe dëgjoi Boot, pjesëtarin, që thirri “Shkojmë!” Më pas ndoqi pas Galindon dhe Hughesin.

Jesse Hughes, këngëtar

Prioriteti i Hughes ishte të gjende Cross, të dashurën e tij. Hapi derën për në dhomën e zhveshjes, por ishte bosh. Më pas doli në holl. “Aty pashë atentatorin, dhe ai u kthye nga unë”, thotë Hughes. “Ai uli armën, dhe tyta goditi kornizën e derës. Thashë me vete: Oh, mos dhe u ktheva”. Kishte njerëz pas tij, që e ndiqnin. “Unë thirra: Jo, jo, jo, mos ejani këndej, mos dhe filluam të gjithë të zbrisnim”. Më pas gjetën një derë që të çonte përjashtë, por Hughes hezitoi, duke menduar për të dashurën. Por më pas, ai dëgjoi zërin e saj. Për një moment, u ndie i çliruar. Më pas pa njerëz që vinin nga qoshja. ‘Njerëzit as nuk dinin se çfarë të bënin”.

Shaun London, inxhinier zëri

London, që përpiqej të gjente një vend ku të futej bashkë me të tjerët, u përpoq të bindte një grua që të pushonte së thirruri. Ata dëgjuan atentatorin që u ndal të rimbushte armën, por nuk nxituan aq sa duhej që të iknin. Kështu që pritën për disa të shtëna të tjera. Kur ai u ndal ta mbushë sërish, u ngritën dhe vrapuan. Ai shtyu gruan e plagosur drejt derës. Më pas, atentatori u kthye nga ata. Plumbat goditën murin pranë tyre teksa vraponin për të dalë. Londoni zgjati dorën te një prej dyerve prej xhami, por sapo do ta prekte, ajo u bë copë e çikë. Ata vazhduan të rendin, deri sa dolën nga dera”, thotë London. “Na u desh të vrapojmë mbi trupa të vdekurish”. Më pas, anëtarët e grupit e gjetën njëri-tjetrin dhe shkuan në stacionin e policisë.

Së bashku, ata premtojnë se do të rikthehen në Paris. “Dua të jem grupi i parë që do të luajë në Bataclan kur të rihapet”, thotë Hughes. “Sepse isha aty kur e pushtoi heshtja për një minutë. Miqtë tanë shkuan atje të shohin rrok, dhe vdiqën. Do të rikthehem të luaj atje”.

NISMA në Prizren uron shqiptarët për festat e Nëntorit

0

NISMA për Kosovën – Dega në Prizren uron të gjithë shqiptarët për festat e Nëntorit.

“28 Nëntori është dita e Flamurit, dita e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e Legjendarit Adem Jashari, si dhe e dalja e parë publike e UÇK-së. Andaj me të drejtë konstatojmë se kjo ditë fisnikron shqiptarët kudo që ata janë si në Shqipëri, Kosovë, Iliridë, Çamëri, Preshevë, Ulqin, Plavë e Guci dhe të gjithë shqiptarët në diasporë”, thuhet në urimin e NISMA-s në Prizren.

“Meqë fisnikëria si virtyt u trashëguanga sakrifica e dëshmorëve që me shekuj derdhen gjakun për këto troje, atëherëdetyrë e jona dhe në veçanti e atyre që kanë për obligim procese të rëndësishme për vendin, është dhe mbetet amaneti i tyre, si dhe frymëzimi i gjeneratave të reja me vepra konkrete, se si duhet dashur dhe mbrojtur Republika. Sepse ata që sakrifikuan jetën e tyre, janë ata që i dhanë shpirt historisë sonë, janë ata që na dhanë forcë e kurajo për rilindjen e shtetit të Kosovës.Ndërsa ne asnjëherë nuk duhet ti ndalim përpjekjet dhe angazhimet tona për shtet, sovranitet dhe dinjitet kombëtar dhe qytetar”.

“Tash edhe pas 8 viteve nga shpallja e pavarsisë, Kosova megjithatë akoma po përballet me probleme bazike lidhur me funksionalizimin e shtetëror të saj. Formimi i bashkësisë së komunave serbe brenda Kosovës, na bënë jofunksional si shtet dhe demarkimi i kufirit me Malin e Zi po na tkurrë akoma edhe më shumë”.

“Prandaj me tendencë për ta madhështuar akoma edhe më shumë festën, NISMA për Kosovën bashkë me partitë tjera opozitare dhe me gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, këtë 28 nëntor do të festojnë dinjitetshëm, në sheshin Zahir Pajaziti, sepse kauza e përbashkët rreth së cilës jemi mishëruar, do ti jep akoma më shumë kuptim këtij manifestimi madhështor”. /PrizrenPress.com

Qeveria kroate në duart e deputetes shqiptare nga Zymi i Hasit

0

Vota e deputetes së parë shqiptare në Kuvendin kroat, Ermine Lekaj Perlaskaj, e cila ka prejardhjen nga Zymi i Hasit të Komunës së Prizrenit, ka gjasa të vendosë se cila parti do të formojë qeverinë e re në Kroaci dhe kush do të jetë kryeministër i ardhshëm i këtij vendi.

Pas konsultimeve të sotme të deputetëve të pakicave me presidenten kroate Kolinda Grabar Kitaroviq, Përlaskaj nuk ka dhënë deklaratë për mediumet, transmeton gazeta “Lajm”. Sipas mediumeve kroate, ka gjasa që ajo të jetë deputetja e vetme, siç e kanë quajtur “pakictare”, që do të përkrahë partinë djathtiste HDZ, deri tani opozitare.

“Ermine Lekaj-Përlaskaj ishte e para nga ‘pakictarët’ që ka filluar konsultime me presidenten. Para arritjes së saj flitej se është e vetmja që ka ‘lëshuar’ anijen e pakicave, duke pasur parasysh se pakictarët kanë vendosur të mbështesin koalicionit e majtë ‘Kroacia Rritet’. Ajo ka mbetur misterioze edhe pas konsultimeve, sepse shpejtë është larguar nga gazetarët dhe nuk ka dashur të japë deklaratë”, shkruan gazeta kroate “Veçernji List”.

PDK në Prizren uron fetstat e Nëntorit

0

Dega e PDK-së në Prizren dhe kryetari i saj Minir Krasniqi, uron të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit dhe të gjithë shiqptarët në mbarë globin me rastin e festave të nëntorit.

“Festa 28 Nëntorin është ditë që shfaq dashurinë për Nëntorin e kthimit të Skënderbeut në Krujë, Nëntorin e Vlorës dhe Flamurit tonë, përmbledhë trimërinë e Adem Jasharit dhe daljen publike të UÇK-së”, thuhet në urim.

Dega e PDK-së në Prizren uron që Festat e Nëntorit të jenë ditë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe të përpjekjeve të mëtutjeshme për realizimin e synimeve tona kombëtare. /PrizrenPress.com

Malisheva shënon 28 Nëntorin

0

Në kuadër të shënimeve, me rastin e festës kombëtare të 28 Nëntorit, Komuna e Malishevës, po mbanë një varg aktivitetesh.

Fillimisht Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka mbajtur një seancë solemne, ndërsa më pas janë bërë nderime para shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë,. Ndërsa gjatë ditës do të vazhdohet me një varg aktivitetesh kulturore, si shfaqje, ekspozita, përurime të shkollave dhe të gjithë këtyre janë kanë parapri një varg aktivitetesh kulturore dhe sportive.

Në seancën solemne, fjalën kryesore e pati kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili foli për rëndësinë e datës së 28 Nëntorit, tek shqiptarët, duke filluar nga viti 1443, 1912, për të ardhur te historia më e re e shqiptarëve, 28 Nëntori i vitit 1955 dhe 1997.

“Kruja, Vlora, Prekazi, Llausha, janë ngjarje historike, që janë zhvilluar në etapa të ndryshme të historisë, e të cilat kanë një datë të përbashkët, atë të 28 Nëntorit. Festë, e cila në historinë e shqiptarëve njihet si, Dita e Flamurit Kombëtar”, tha mes tjerash kryetari Begaj.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Aziz Thaçi, në fjalimin e tij, kryesisht foli për ngjarjen historike të 28 Nëntorit të vitit 1912, kur u shpall Pavarësia e Republikës së Shqipërisë, e më pas foli edhe për Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së. Të gjitha këto, kryesuesi Thaçi, i paraqiti në mënyrë kronologjike, si dhe foli për rëndësinë historike të 28 Nëntorit.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, një fjalë rasti mbajti edhe Hahib Zogaj, veteran i luftës së UÇK-së. Përveç fjalëve të rastit lidhur me 28 Nëntorin, Zogaj, bëri thirrje për përkujdesje më madhe dhe për respekt më të madh institucional, për të gjitha kategoritë e dala nga lufta, me theks të veçantë për familjet e dëshmorëve, raporton PrizrenPress.

Fjalimi i plotë i Ragip Begajt

Jemi tubuar sot këtu, në këtë ditë të shenjtë të kombit shqiptar. Shumë shekuj më parë, para kësaj date të shenjtë , tokat ilire ishin të ndara në shumë fise. Që atëherë, doli një njeri i shenjtë, i cili pati një vizion për të lansuar një shenjë e cila i bashkoi fiset shqiptare kudo që ishin. Kjo ditë e shenjtë për ne është 28 nëntori 1443, kur Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës.

Plot pesëqind vjet, shqiptarët nën sundimin e të huajve, e ruajtën këtë ditë të veçantë, pa e harruar asnjëherë, me shumë sakrifica, duke e festuar dhe kujtuar në mënyra të ndryshme, për ta ruajtur simbolin e bashkimit të shqiptarëve.

Pas kaq shumë vuajtjeve nën pushtimet shekullore, shqiptarët erdhën në ditën e shenjtë të 28 Nëntorit të vitit 1912, ku plaku mjekërbardhë, Ismail Qemali, me shenjën e bashkimit, i bashkoi krerët e të gjitha trojeve shqiptare, për ta shpallur Shqipërinë shtet të pavarur dhe të mëvetësishëm.

Edhe pas nëntorit të dytë, trojet shqiptare mbetën jashtë trungut amë, pasi që Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e njohu Pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë jo real, ku më tepër se gjysma e kombit shqiptar mbeti jashtë shtetit shqiptar.

Me këtë padrejtësi, shqiptarët kanë jetuar në vazhdimësi duke u përballë me sfida, gjatë gjithë historisë.

Shqiptarëve që mbetën jashtë shtetit amë, vuajtjet, persekutimet dhe gjenocidi nuk ju ndal kurrë. Gjithë këto vite në pushtim, tentohej të zhdukej qenia shqiptare, madje duke e ndaluar edhe shkollimin në gjuhën shqipe. Vuajtjet, persekutimet, mohimi i qenies kombëtare, sikur shqiptarët i bën edhe më të fortë, sepse gjatë gjithë periudhave ka ardhur në shprehje rezistenca, mospërfillja, e deri te organizimi i luftës së armatosur, për liri dhe pavarësi të këtyre trojeve.

Shqiptarët, edhe në kohën e Skënderbeut, ishin pjesë e Evropës dhe luftuan për lirinë trojeve të veta. Krah përkrah Evropës, luftuan për lirin e trojeve të tyre, në luftën e parë dhe në luftën e dytë botërore dhe ishin në krah të forcave progresive. Por prapë se prapë kombi shqiptar, nuk mori atë që meritoi dhe atë për të cilën luftoi.

Gjatë pushtimeve të mëhershme dhe pushtimit sllav, janë zhvilluar luftëra të pandërprera. Pavarësisht këtyre luftërave, nuk ka familje shqiptare, që pushtuesit kanë mundur t’ia ndalin, kujtimin dhe shënimin e këtyre datave të shenjta kombëtare.

Këtyre datave të shenjta kombëtare, shqiptarëve ju shtua edhe një 28 nëntor, që lidhet me një emër dhe personalitet të shquar, i cili me luftën dhe heroizmin e tij, ndërroi historinë e shqiptarëve, që kaherë kishin mbetur jashtë shtetit të Shqipërisë. Pikërisht me 28 nëntor 1955, Zoti ja fali Kosovës, Komandantin Legjendar, Adem Jasharin.

Prapë 28 nëntori, data e shenjtë e daljes në skenë, publike, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas këtij emri të shenjtë (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), u bashkua e tërë Kosova.

Kruja, Vlora, Prekazi, Llausha, janë ngjarje historike, që janë zhvilluar në etapa të ndryshme të historisë, e të cilat kanë një datë të përbashkët, atë të 28 Nëntorit. Festë, e cila në historinë e shqiptarëve njihet si, Dita e Flamurit Kombëtar.

Sot, të gjitha trojet shqiptare, ndonëse ende në rrethana jo të duhura, janë mbuluar me petkun Kuq e Zi, duke festuar këtë ditë dhe këtë datë të madhe, Festën e Flamurit.

E këtij karakteri festiv, është edhe kjo mbledhje solemne, dhe unë shfrytëzoj rastin që në emër të institucionit të cilin e drejtoj, ti uroi të gjithë juve të pranishëm, dhe të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, qytetarëve shqiptar ku do që janë, mërgimtarëve tanë që jetojnë në diasporë, 28 Nëntorin, ditën e shenjtë të shumë festave të kombit shqiptar, Festën e Flamurit.

Urime!

/PrizrenPress.com

Në Suharekë 43 raste të dhunës në familje

0

Një tryezë diskutimi kundër dhunës ndaj gruas u mbajt në Suharekë, në vendin ku Zejnepe Bytyqi më 23 tetor vdiq nga dhuna e ushtruar prej burrit të saj.

Tryeza u organizua në kuadër të fushatës “16 Ditë të Aktivizimit Kundër Dhunës ndaj Gruas”.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare Milit Elshani tregoi rastet e kërkimit të ndihmës mjekësore nga dhuna në familje në Komunën e Suharekës.

“Vetëm deri në muajin tetor janë paraqitur 43 raste të dhunës në familje në Qendrën e Mjekësisë Familjare, e cila është shumë shqetësues për një komunë të vogël si Suhareka. Ne i kemi lajmëruar policinë për këto raste, por se çka ka ndodhur me të nuk jemi në dijeni,” tha Elshani.

Por Policia e Suharekës nuk ishte në dijeni se çka ka ndodhur me këto raste.

Numri i madh i rasteve të dhunës në familje u vlerësua shqetësues edhe nga zyrtari ligjor i Komunës së Suharekës Avni Bytyqi që tha se kjo dhunë duhet të merret seriozisht nga organet e drejtësisë që të mos ketë përfundime tragjike.

Flurie Bytyci, kryesuese e grupit të Grave të Asamblesë të Komunës së Suharekës tha se ka mundur të ndodhë parandalimi i vdekjes së Zejnepe Bytyçqt.

“Te zonja Zejnepe Bytyqi është një lëshim nga organet e policisë që e kanë ditë se rasti ka qenë që 6 vjet dhe mua po më doket se ka qenë njëfarë lëshimi, nëse e kanë ditur është dashur me parandaluar, me thirrë, me biseduar më shpesh, me pas një intervenim te ai person,” tha asamblistja Bytyçi.

Por togeri në Policinë e Kosovës Bashkim Krasniqi tha se policia në rastin e të vdekurës nga dhuna e bashkëshortit, ka kryer punën e saj.

“Për dy rastet e Zejnepes që i ka pasë një në vitin 2002 dhe tjetrin në vitin 2012 për dhunë në familje ne punën tonë e kemi kry, pasi i kemi nisë për prokurori,” tha Bashkim Krasniqi.

Tryeza u organizua nga OSBE-ja në bashkëpunim me Komunën e Suharekës, ndërsa morën pjesë edhe përfaqësues të organeve të rendit dhe drejtësisë.

16 ditët e aktivizimit nisën të mërkurën në Prishtinë, ndërsa edhe aty u fol për rastin e Zejnepe Bytyçit. /Kallxo.com