25.1 C
Prizren
E shtunë, 7 Qershor, 2025
Home Blog Page 6521

LDK-ja në Prizren nuk mbështeti protestën kundër arrestimit të Xhemshit Krasniqit

0

Lidhja Demokratike (LDK) në Prizren, ka qenë subjekti i vetëm politik, që nuk ju ka bashkuar sot protestës kundër arrestimit të ish-eprorit të UÇK-së, Xhemshit Krasniqi.

Zëdhënësi i Degës së LDK-së, Shkëmbim Cikaqi thotë se nuk është i autorizuar të flasë për këtë temë.

“Lidhur me këtë nuk jam i autorizuar të flasë”, thotë shkurt Cikaqi.

Shoqatat e dala nga lufta dhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prizrenit, kanë organizuar sot protestë kundër arrestimit të Xhemshit Krasniqit.

Protestës ju kanë bashkuar të gjitha partitë politike në Prizren, përjashtuar LDK-së.

Përfaqësuesi i Këeshillit Organizativ të Protestës, Isë Berisha thotë se organizatorët e protetës kanë vizituar dhe kërkuar mbështetje vetëm te Lëvizja Vetëvendosje!

“ Nuk kemi pasur kohë që të shkojmë të të gjitha partitë politike. Kemi qenë vetëm te VV-ja, kurse subjektet e tjera publikisht përmes komunikatave për media kanë konfirmuar mbështetjen e protestës”, thotë Berisha për “PrizrenPress”.

Xhemshit Krasniqi u arrestua më 6 tetor nën dyshimet për krime lufte, ndërsa një ditë më pas atij iu caktua paraburgimi prej 30 ditësh/PrizrenPress.com/

Vetëplagoset një person në Kabash të Prizrenit

0

Policia në Prizren bën të ditur se dje ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se një qytetar ishte sjell për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal për shkak të plagës së shkaktuar nga arma.

Hetues policorë pasi kanë shkuar në spital janë informuar nga mjekët për lëndimin dhe për gjendjen shëndetësore të personit të plagosur i cili në ato momente ndodhej në sallën operative.

Një dëshmitar i rastit e ka njoftuar policinë për rrethanat e rastit. Sipas tij, i dyshuari me disa të tjerë kanë dalë për gjah në malet e Kabashit dhe në rrethana ende të pasqaruara është vetë plagosur në bark me pushkë gjahu.

Policia ka kryer hetime dhe e ka sekuestruar një pushkë gjahu italiane me katër gëzhoja. Është informuar prokurori i shtetit i cili ka sugjeruar që rasti të trajtohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe të procedohet me procedurë të rregullt.

Dritëro Agolli Jeta, mes dy kohësh

0

Një udhëtim në jetën e një prej personazheve më të njohur të letrave shqipe të këtij gjysmëshekulli në 84-vjetorin e lindjes… Historia e djaloshit nga Korça, që udhëtimi në Petërburg do t’i ndryshonte përgjithmonë jetën, duke iu përkushtuar letërsisë… Ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve gjatë regjimit komunist, deputet i Kuvendit të Shqipërisë pas viteve ’90 dhe një njeri që nuk i ka fshehur bindjet e tij të majta, ai ka ruajtur profilin e një njeriu që politika nuk ka mundur t’ia zbehë atë tisin e hollë, por magjik të shkrimit.

dritero agolli_1“Kur ikja larg, drejt teje vija/Kur vija afër ikja larg/ për dreq më trembte largësia/ dhe afërsia bëhej çark…. as e kuptoja si të desha/ një mjegull plus një çmenduri/ si një poet që shkruan vjersha/ dhe ndez një shkrepëse dhe i bën hi…”. Dritëro Agolli i shkroi herët këto vargje, kur kujtimi i Petërburgut të largët, i ngatërrohej në heshtjen e gjatë që pushtonte Tiranën në mbrëmje. Teksa tymoste cigare, ves që vazhdon ta bëjë ende sot, pakkush mund ta mendojë se çfarë orvatej në mendjen e djaloshit, që ishte lidhur fort me letërsinë. Por vargjet kanë aftësinë të zbulojnë brendësinë. Ndaj rreshtat në fletoret e thjeshta të dikurshme tregonin gjithë botën e tij. Në vitin 1958, vetëm 27 vjeç, ai do të botojë vëllimin e parë poetik “Në rrugë dolla”. Një libër që do të tregonte poetin e ardhshëm, që do të lidhej fort me këtë vend. Në historinë e letërsisë shqipe të këtij gjysmëshekulli të fundit, Dritëro Agolli është padyshim një nga personazhet më të rëndësishëm të saj. Ish- kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve gjatë regjimit komunist, deputet i Kuvendit të Shqipërisë pas viteve ’90 dhe një njeri që nuk i ka fshehur bindjet e tij të majta, ai ka ruajtur profilin e një njeriu që politika nuk ka mundur t’ia zbehë atë tisin e hollë por magjik të shkrimit. Me një aftësi për të mos ndryshuar nga personazhet e butë të librave që shkroi, Agolli mbetet sot një figurë ku e shkuara nuk ia cenon të tashmen. Pardesyja e bardhë elegante, nuk e bëri të shihej i largët dhe nga lexuesi. Ashtu si rakia që i pëlqen të pijë, dhe që nuk mungon në tavolinën e drunjtë të apartamentit të tij, ai krijoi një figurë popullore, me një autoritet që vazhdon të jetë i tillë edhe sot. Në një kohë debatesh mbi disidencën në letërsinë shqipe, apo rolin që shkrimtarë apo artistë kanë pasur në raport me diktaturën, ai qëndron jashtë këtij debati fare lehtë, si të mos kishte jetuar në atë periudhë. Kjo, pasi Agolli ka qenë i vërtetë në raport me jetën që ka bërë dhe nuk ka nguruar të fshehë ndonjëherë dhe “gabimet”. Dje (13 tetor) ai mbushi 84 vjeç. Një ditë e mbushur me miq, dhe telefonata lexuesish apo të njohurish që nuk reshtnin si uruari jetën e gjatë.

Një ditë që në njëfarë mënyre nuk ndryshon shumë nga ditët e tjera në familjen Agolli, ku telefoni dhe miqtë janë pjesë e ritualit të përditshëm. Një poet nuk mund të jetojë pa biseda dhe miq, dhe që në rininë e hershme e deri tashmë kur shëndeti shpesh i kujton vitet që kanë shkuar, Agolli ka preferuar bisedat me miq. Duket se shumë gjëra kanë mbetur ashtu si në vitet ’60, kur botimi i librit të dytë “Hapat e mia në asfalt” (1961), do të bënte të pakthyeshme rrugën e tij drejt letrave. “Zhurma e erërave të dikurshme” tre vite më vonë, do të sillte një tjetër dimension të Agollit i shfaqur deri atëherë si poet, atë të tregimtarit. Një libër i botuar në kulmin e diktaturës, dhe i konsideruar si një nga librat më të mirë të kohës. Një përmbledhje me tregime të shkruara diku në fillim të viteve ’60, që duket sikur të fusin në pasazhe imazhesh nga të cilat nuk mund të ndahesh, edhe pasi ke lexuar librin. Tregime ku ndihet poeti, shkrirë mes rreshtash që vazhdojnë të jenë edhe sot si frymëzimi i një Shqipërie të bukur, imagjinuar në kohët më të errëta të saj. Në ribotimin që i bëri gati 40 vite më vonë, në parathënie Agolli do të shpjegonte dhe historinë që fshihej përtej këtij libri.

Një histori që i kishte sjellë kohë jo të qeta, shkrimtarit atëherë gazetar tek “Zëri i Popullit”. Nga botimi i librit, unë mora pesë kopje. Ishte një rregull që pesë kopje dërgoheshin në drejtorinë e shtypit të KQ të Partisë së Punës. Kaloi një kohë dhe libri “Zhurma e erërave të dikurshme” nuk po dilte nëpër librari. Nuk vonoi shumë dhe mua më thirrën në Komitetin Qendror, bashkë me redaktorin e librit dhe me shefin e redaksisë së tregimit të shtëpisë botuese “Naim Frashëri”.

Në atë takim ishte përgjegjësi i shtypit, drejtori i drejtorisë së propagandës dhe një tjetër. Në takim u diskutua, me libër përpara, se çfarë duhej bërë me atë botim: a mund të lejohej të qarkullonte për librari, apo të ndalohej. Vërejtja kryesore ishte se nxihej realiteti i jetës së atëhershme socialiste dhe se deheroizohej Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare: personazhet e partizanëve pasqyroheshin të zymtë dhe me shumë kontradikta mes tyre, pushkatoheshin kur bënin gabime dhe shkelnin rregullat e luftës. … kujton Agolli. Vetë tregimi që mban dhe titullin e librit, të jep një ndjesi tjetër për luftën. Libri do të kritikohej fort si një vepër me gabime ideologjike, do të kishte kritika për të në Plenumin e 15-të të KQ-së të PPSH-së të vitit 1965, ku vërejtjet morën një formë zyrtare, ku bashkë me të do të kritikoheshin dhe dramat e Naum Priftit, Qamil Buxhelit, Fatos Arapit, do të thumbohej Ismail Kadare dhe ndonjë tjetër. Duke ironizuar me sistemin e dikurshëm, shkrimtari kujton sesi dhe bashkëshortja e tij, Sadija, duhet të kritikonte burrin e saj si mësuese e letërsisë në shkollën “Partizani”. Një vit më vonë, më 1966, Agolli do të botonte librin “Shtigje malesh dhe trotuare”, për të vijuar më pas me librin “Mesditë”.

“Komisari Memo” më 1969, duket se do të ndryshonte raportin e shkrimtarit me kohën për të mbërritur në një nga veprat më të njohura të tij, të cilën e botoi në fillim të viteve ’70 “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Një roman kundër burokracisë dhe servilëve shkruar me humor, duke i kthyer dy personazhet kryesorë të tij Zylon dhe Demkën nga më popullorët e letërsisë së kohës, duke të kujtuar shembuj të ndryshëm të letërsisë botërore si Don Kishoti dhe Sanço Pançën. Një shkrim jo i lehtë, duke pasur parasysh kohën në të cilën është shkruar. Vetë shkrimtari ka pohuar në një intervistë se “Zylo” ka qenë më i sikletshmi. Zylo ka qenë më i sikletshmi, siç e the, sepse merrte përsipër diçka shumë të vështirë, sepse përmes Zylos unë godisja burokratët e aparatit shtetëror. “Shkëlqimin dhe rënien e shokut Zylo” nisa ta botoj te “Hosteni” dhe kjo u bë mirë, sepse në atë kohë nuk besoja se do të botohej i tëri për vetë kritikën që nisi të merrte. Niko Nikolla, që drejtonte revistën satirike “Hosteni” në fillim të viteve ’70, nisi ta botonte kapitull pas kapitulli të gjithë librin që unë e kisha në dorëshkrim. Kur botohej ky roman te “Hosteni”, Mehmet Shehu ishte në Paris për të bërë një operacion. Që nga Parisi, ai mori Niko Nikollën dhe i tha: “Kur do të mbarojë ky Zyloja?”, duke treguar një lloj sikleti dhe bezdie që i kishte krijuar libri. Nikoja i mblodhi kapitujt e mbetur në një broshurë dhe e botoi në një vëllim, sepse ndryshe mund edhe të bllokohej. Nëse nuk do ta kisha botuar te ‘Hosteni’, jam shumë i bindur se Zyloja do të ishte bllokuar si botim”, kujton ai. Mehmet Shehu do ta kritikonte këtë roman, por për një periudhë do të mbetej në heshtje. Askush nuk u mor me të, as kritika. Munguan dhe vlerësimet letrare. Mehmet Shehu është shprehur në atë kohë se ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’ e bën përshesh administratën tonë”.

Poema “Nënë Shqipëri” më 1974, do të kthehej në një monument të atdhedashurisë duke i dhënë Agollit staturën e një prej shkrimtarëve më të mirë të kohës. “Fjala gdhend gurin”, “Trëndafili në gotë”, “Fytyra e dytë”, “Mosha e bardhë”, “Udhëtoj i menduar”, “Njeriu i mirë”, “Kalorësi lakuriq”, janë të tjera libra që autori do t’i botonte deri në vitet ’90. I frymëzuar nga folklori dhe gojëdhënat, Agolli i dha një tjetër jetë trashëgimisë sonë gojore në librat që ka shkruar. Ai diti të vendoste në të njëjtën histori folklorin dhe modernitetin, duke bërë që të lexohej nga të gjithë. Por sot teksa kthejmë vështrimin në krijimtarinë e tij, ndiejmë të ndalemi më gjatë te poezia. Qindra vargje të shkruar në më shumë se 50 vjet krijimtari, nuk kanë mundur të humbin atë ndjesinë që të jep poezia e mirë. Të gjitha gjendjet e dashurisë mund t’i gjesh në vargjet e Agollit. Trishtimin e një mungese të gjatë, mallin, apo gëzimin e një takimi të parë. Ashtu siç shkruante për bujqit, fshatin, nënën, atdheun me të njëjtën patos ai shkroi për dashurinë… Sot, ai mund të konsiderohet si dashnori më i mirë i letrave shqipe, me vargjet e pafundme që i ka kushtuar kësaj ndjenje. I tërhequr vitet e fundit nga jeta aktive, Agolli nuk ka hequr dorë nga shkrimi. Ashtu besnik i të shkruarit me dorë, ai vazhdon t’i lexojë vargje dashurisë dhe mikes së tij më të mirë Sadijes, duke i hedhur në letra që dikur do të vijnë në një libër. Tepër i lidhur me vendin, Agolli bën pjesë tek ata intelektualë që nuk mund të heshtin nga tryeza e punës, teksa shohin që gjërat nuk shkojnë mirë në vend. I papërtueshëm në çdo prononcim që do të ndihmonte në përcjelljen e një mesazhi, ai ka reaguar shpesh ndaj politikës, duke bërë rolin e mesazhuesit për të parë përtej. I ndjeshëm ndaj çështjes shqiptare të Kosovës, nuk kanë munguar dhe intervistat e tij për Kosovën në anën tjetër të kufirit apo këtej. Një shkrimtar i angazhuar ashtu si letërsia e tij, Dritëro Agolli vazhdon të jetë një nga figurat më të rëndësishme që ka nxjerrë ky vend në këtë gjysmëshekull, si modeli më i mirë që duhet të ndjekin intelektualët e së nesërmes…

Ligjet dhe shteti

0

Ali Hertica

Edhe pse ndërthurja mund të japë një fugurë të mirë të zhvillimit të modeleve,ajo lë shumë pytje të rëndësishme.Çfarë roli do të luajnë ligjet në shtetin e drejtuar.A duhet të mbshteten në ligje të gjitha vendimet.. A mund të ndrushohen ligjet.Në qoftë se po,në çfarë konditash .A duhet qeverisja të bazohet në miratim…..?

Në qoftë se një shtet drejtohet nga një udhëheqes me njohuri të vërteta,që ka parasysh mirëqenjen e shtetasve,çfarë reformash,drejtimi duhet bërë në qoftë se shteti nuk e ka një udhëheqes të tillë..? e cilat gjëra duhet të shmangen..të gjitha keto pztje ngrihen nga i huaj gjat dialogut.

Lidhur me rolin e ligjeve,japet prëgjigjja; Në një kuptim të përcaktuar është e qartë se i mbretruari i ngertjen ligjet,mirëpo e mira nuk është pushteti për ligje,por pushteti i plotë për atë njeri që e kupton të mbretruarin dhe ka afëtsi për të mbretruar( burri i shtetit).I huaj e krahason burrin e shtetit me një mjek.Në qoftëse një mjek do të largohet dhe duhet t,i lërë të smurit e tijë në dorën e një përsoni që nuk i ka aftësitë e tij.është e natyrshme që duhet të lerë një tufë porosihs ,që do të përdoret gjatë mungeses së tij.Të marrim me emnd se mjeku kthehet më përpara sesa ishte llogaritur .Ai nuk ka ndonjë arsyje të ndihet i lidhur me porosit që ak lëen,megjithëse ato janë në fuqi. Ai duhet të përdorë menjëherë kompetencat e tijë,që janë shumë më të mëdha sesa porositë që l;n me shkrim,e njejta gjë ndodh edhe me një burr shteti.

Mendimi i të huajit është se vetëm pak njerëz kanë munëdsi që të kanë njohuri dhe të zhvillojnë aftësitë që duhet për të drejtuar një shtet.Në qoftë se i drejtuari ekziston në formen e tijë të paster në botë,mund të flitet vetëm për një ose disa të zgjedhur në çdo shtet.Duke i dhanë një personi fuqi të plotë si burrë shteti i mirëfilltë,sipas analizave së mësipërm ,rrezikojmë të bim në tirani.Kjo na jap srsye të mbshtetemi në një formë qeverisej që jo vetëm duhet të drejtoj sipas ligjeve,por edhe ai ose ata që qeverisni duhet të qeverisnin brenda kuadrit ligjor.Ligjet,thot i huaj ,duhet parë si kopje të shkruara të njohjes së vëtetës për që mbulojn .Shteti i mirë duhet të krijojë respekt të plotë për ligjet që mos të shkelen ato nga vet qeveritarët.

Ka tri lloj qeverisje që e plotësojn këtë kërkesë,mbretria ose monarkia,që qeveriset nga një njeri,aristokracia ,që qeveriset nga shum njerzë dhe demokracia,që është një qeverisje nga shumë njerzë.këto pak a shumë janë kopje të një legjislacioni të vërtetë.
Ato mund të degjenerojnë ,momarkia degjenarohet ne tirani,po të mos respektohen ligjet.Në të njenjtën menyrë degjeneron aristokracia në oligarki.Për demokracin e degjenaruar nuk ka ndonjë emër të perveçm.

Nga kopjet e mira,monrkia është më e mira ,sepse është më efektive nga të tjerat,pastaj vjen aristokroacia dhe më pas demokracia.Për të njejten arsye tirania është më e keqja e shmangejeve,pastaj vjen oligarkia dhe demokracia .demokracia shihet si më e keqja e legjislacioneve të mira dhe më e mrira e të kqijave te ketyre dy udhëheqjave të shkqëris apo të sistemeve në shoqëri.

Pamuk me zemër të plasur

0

Në Stamboll, jeta gjatë dy muajve të fundit është bërë e pamundur. Miqtë vazhdojnë të këshillojnë: mos zbrit të marrësh metronë, mos shko në Sheshin Taksim, mos frekuento vende me shumë njerëz. Sindroma e bombës po rrethon jetët tona. Por, të gjithë njerëzit në Turqi, edhe intelektualët, si unë, nuk duan asgjë tjetër veç paqes.

Vetëm disa muaj më parë, gjithçka dukej e fituar, por lufta që shpërtheu kundër kurdëve ka shkaktuar vetëm një rikthim tek frika. Frikë në fytyrat e njerëzve, në zemrat e tyre, në mendjet tona: fatkeqësisht, kjo është ndjenja që dominon sot në Turqi.

Kështu flet Orhan Pamuk, në një intervistë për La Repubblica, nga New York’u – ku prej disa ditësh, ashtu si çdo vit, ka nisur kursin e tij në Universitetin e Columbia’s.

Dëshiron ta thotë mendimin e tij pas masakrës në Stacionin e Ankarasë. Eshtë larg, por mendja e tij sigurisht është në qytetin të cilit i ka kushtuar librin me të cilin fitoi Nobelin për Letërsinë.

Kur e morët lajmin për atentatin?

Orhan Pamuk: Menjëherë, sapo u zgjova. Më telefonuan nga Turqia, ndeza televizorin dhe pashë pamjet, fotografitë, është një gjë e frikshme. Vendi im nuk e meriton këtë.

Dhe çfarë menduat menjëherë?

Orhan Pamuk: Pata një reagim instiktiv: ky lajm na e copëton zemrën. Por, më pas, reagova duke i thënë vetes: të gjithë turqit liberalë, demokratët, laikët, të gjithë ata sot janë me kurdët dhe i mbështesin ata. Sepse, ky popull dëshiron paqen.

Stacioni i Ankarasë ku ndodhi masakra, a ka ndonjë domethënie për ju?

Orhan Pamuk: Për mua Stacioni i Ankarasë do të thotë Kemal Ataturk (themeluesi i Turqisë laike). Fotografohej kurdoherë që nisej për diku, gjatë viteve Njëzetë dhe Tridhjetë.

Në të kaluarën, ky vend ka parë katër grushte shteti. Ju a keni frikë nga një rikthim tek lufta civile, siç ndodhi gjatë viteve Gjashtëdhjetë dhe Tetëdhjetë?

Orhan Pamuk: Sigurisht që kam frikë. Mbi të gjitha, në vitet ’70, rrugët në qytetin tim kanë parë një konflikt të vërtetë mes njerëzve, të majtë e të djathtë. Ata që sot janë mbi 35 vjeç, kanë ende një kujtim fatkeqësisht të tmerrshëm të asaj periudhe dhe nuk dëshiron ta shohë kurrë më.

Por tani, në vitin 2015, çfarë ka ndodhur? Përse ky rikthim në përplasjen mes turqve dhe kurdëve?

Orhan Pamuk: Deri vetëm para tre muajsh, ky vend ka përjetuar një periudhë paqeje relative. Dhe Presidenti Erdogan ia kish dalë të niste një negociatë me PKK’në, pas disa dekadave luftë mes ushtrisë dhe guerilasve. Dhe në momentet e parë, kjo përpjekje shkoi mirë.

Më pas, çfarë e devijoi këtë projekt?

Orhan Pamuk: Humbja e Erdoganit në zgjedhjet e qershorit (partia e tij shkoi nga 49.9 në 49.9%). Nuk ia kish dalë të bindte kurdët, të cilët nuk ia besuan votat për të shkuar tek projekti i tij i Republikës Presidenciale. Kështu, për ironi të fatit, ka humbur pikërisht votën e kurdëve, që në zgjedhje i munguan në mënyrë vendimtare.

Dhe si u mbërrit më pas në luftën me PKK?

Orhan Pamuk: Humbja elektorale e zemëroi Erdoganin. Ai synon të ribëjë një ekzekutiv njëngjyrësh, të përbërë vetëm nga partia e tij, konservatore dhe me frymëzim islamik, ai nuk donte një koalicion qeverisës. Kështu u vendos rikthimi tek votimet në 1 nëntor. Por, duke mos qenë të kënaqur me mënyrën si janë gjërat, qeveria dhe ushtria vendosën të rinisin luftën kundër lëvizjes kurde.

Por, në Turqi ka gjithësesi njerëz që mbështesin Erdoganin.

Orhan Pamuk: Por, është kombi i tërë që sot e kupton llogarinë e tij. Në fillim nuk donte të ishte pjesë e koalicionit ndërkombëtar që lufton Kalifatin Islamik. Më pas ka pranuar të bëjë atë që i kërkonin amerikanët: por, bashkë me Kalifatin ka bombarduar edhe kurdët.

Dhe njerëzit në rrugë, në zyra, në shkolla, si reaguan?

Orhan Pamuk: Mbetën të habitur, të shastisur. Zbuluan se nga një vend në paqe, krejt papritur u gjendën në një vend në luftë, si me Kalifatin, edhe me PKK.

Rrëfimi i gjithë këtyre për gazetarët është bërë i vështirë. Ka nga ata që janë arrestuar për një tweet kritik kundër Presidentit, siç ndodhi dy ditë më parë me drejtorin e të përditshmes “Zaman”, Bulent Kenes…

Orhan Pamuk: Dhe sa shumë gazetarë të zotë shoh sot që i pushojnë nga puna, në gazetat e opozitës. Dua të them: SHBA ndonjëherë bëjnë luftëra të tmerrshme, por këtu askush as nuk e çon nëpër mend që të prekë lirinë e shprehjes.

Po ju mendoni që zgjedhjet e ardhshme të 1 nëntorit, mund ta ndryshojnë këtë situatë frike në Turqi?

Orhan Pamuk: Unë shpresoj që po. Unë jam me liberalët dhe demokratët që janë zemëruar me Erdoganin.

Ju, Pamuk, e doni thellësisht vendin tuaj, të cilin e keni përshkruar shumë herë në librat tuaj. Sot, a nuk jeni i shqetësuar për Turqinë?

Orhan Pamuk: Po, jam. Sepse, di që në fund partia e Erdoganit dëshiron të qeverisë e vetme me çdo kusht. Unë shpresoja që të mbërrihej në një koalicion qeverisës. Tani Erdogani nuk do të fitojë as simpatinë, as mbështetjen, nga ana e kurdëve. Jam i shqetësuar. Dhe jam prej mënyrës gjithnjë e më autoritare me të cilën Presidenti qeveris vendin. Tani, fatkeqësisht pozicionet janë polarizuar. Ai nuk dëshiron ta ndajë pushtetin. Përkundrazi, dëshiron të kontrollojë të gjithë Turqinë.

Në Prizren protestohet kundër arrestimit të Xhemshit Krasniqit

0

Qindra qytetarë protestuan kundër arrestimit të komandantit të UÇK-së Xhemshit Krasniqi.

Marshi protestues i organizuar nga shoqatat e dala nga lufta dhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prizrenit filloi në orën 12:00 në sheshin e UÇK-së që ndodhet në rrethin e Spitalit Rajonal të Prizrenit dhe vazhdoi drejt sheshit “Shatërvan”.

Nehat Gashi nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prizrenit paralajmëroi se marshi i sotëm nuk do të jetë aktiviteti i vetëm

“Flas edhe në emër të rinisë në Prizren, e po ashtu edhe në emër të gjithë qytetarëve të Prizrenit se ne nuk do të ndalemi asnjëherë dhe për asnjë moment deri në lirimin e tij (Xhemshit Krasniqit),” tha Gashi.

Në emër të këshillit organizativ të shoqatave të dala nga lufta dhe familjes së Krasniqit foli Isa Berisha.

“Shumë dëshmitarë që ishin bashkëpunëtorë të Serbisë, së bashku masakruan, dogjën dhe e vranë me dekada këtë popull dhe sot ende flasin dhe shëtisin lirisht brenda dhe jashtë Kosovës, duke shpifur me akuza të pavërteta ndaj çlirimtarëve dhe abuzojnë me realitetin në Kosovë. Ata janë individë të mbrojtur, të garantuar dhe të stimuluar nga vetë EULEX-i,” tha Berisha.

Me fjalimin e tij u përmbyll marshi protestues. Në marsh u panë edhe përfaqësues nga partitë politike si të pozitës, po ashtu edhe të opozitës.

Xhemshit Krasniqi u arrestua më 6 tetor nën dyshimet për krime lufte, ndërsa një ditë më pas atij iu caktua paraburgimi prej 30 ditësh./Kallxo.com/

Kërcënoi gjyqtarin në Prizren, hetohet për pengim të personit zyrtar në detyrë

0

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër të pandehurit, R.K. me dyshimin se ka penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

I pandehuri R.K. dyshohet se më datë 01 tetor 2015 dhe 12 tetor 2015, ka penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Derisa gjyqtari, Agron Hoxha, ishte duke mbajtur seancën në çështjen juridike rikthim në gjendjen e mëparshme, i pandehuri e kanos me fjalët: “Nëse ju dëshironi që të vdisni si gjyqtar dhe si palë, atëherë edhe unë do të vdes dhe do të mbroj pronën time”, ku gjyqtarit më tej ia pamundëson mbajtjen e seancës gjyqësore.

I pandehuri me këto veprime ka kryer vepër penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 409 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KP-së.

Po ashtu, më datë 12 tetor 2015, i pandehuri R.K., seriozisht ka kanosur me fjalë të dëmtuarin N.P., palë në procedurë, më qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit. Gjatë seancës përmbaruese në vendin e ngjarjes, e kanos me fjalët: “unë po të them mos hyj në pronën time, po nëse hyn, unë kam me të ngre zhag”. Me këto veprime i pandehuri R.K., ka kryer veprën penale kanosje nga neni 185 paragrafi 1 të KP-së. Prokuroria e Prizrenit ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore të Prizrenit, për caktimin e paraburgimit.

Festivale të mëdha në botë po hapin dyert për filmin “Babai”

0

Filmi “Babai” i regjisorit Visar Morina, i cili edhe është zgjedhur për të qenë propozimi i Kosovës për Oscar, po vazhdon rrugëtimin e suksesshëm nëpër festivale evropiane e botërore.

Çelësin e suksesit duket se “Babai” e mori në edicionin e 50-të të Festivalit Ndërkombëtar të filmit, Karlovy Vary, ku triumfoi me 2 çmime për të vazhduar me 4 të tjera që i mori në Film Fest Munchen, e gjithashtu ky film u shfaq edhe në edicionin e 23-të të festivalit prestigjioz, The Hamptons, dy herë me radhë.

Pas suksesit që pati “Babai” në disa festivale, ai u prezantua edhe para publikut kosovar gjatë shtatorit në Prishtinë, e ekipi i tij u prit edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Shala.

“Ndihem shumë i lumtur që filmi më në fund do të shfaqet në Kosovë, meqenëse edhe ka të bëjë me Kosovën dhe gati i gjithë ekipi i filmit është nga Kosova. Shpresoj që edhe publikut do t’i pëlqejë”, pat thënë për KosovaLive regjisori.

Tanimë janë paralajmëruar edhe disa prezantime të këtij filmi gjatë muajit tetor, nisur nga Belgjika, ku filmi do të shfaqet në festivalin e Genti më 15 e 16 tetor, për të vazhduar në Londër më 17 dhe 18 tetor në festivalin “BFI London Festival 2015” dhe për ta përfunduar muajin në “LA Screenings”, në SHBA.

Filmi shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë, i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të 90-ta. Kur babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani, i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë – bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë. /KosovaLive

Marlon James, fitues i “Man Booker Prize 2015”

0

Shkrimtari nga Xhamajka, Marlon James, është fituesi i çmimit prestigjioz për letërsi, “Man Booker Prize 2015” për romanin e tij “A Brief History of Seven Killings”, inspiruar nga tentimet për ta vrarë Bob Marley-n, në vitet 1970, raporton BBC.

Michael Wood, kryetari i jurisë, e përshkroi romanin si librin “më emocionues” në listën e ngushtë të garuesve.

Marlon është i pari autor nga Xhamajka që fiton këtë çmim. Gjatë marrjes së çmimit ai tha se ai tha se një pjesë e madhe e romanit është frymëzuar nga muzika reggae. Çmimi ka vlerë 50.000 funta.

Ky ishte edicioni i 47-të i çmimit prestigjioz “Man Booker Prize” që për herë të dytë përfshiu të gjithë shkrimtarët që shkruajnë anglisht nga e gjithë bota.

Kurti: Mustafa e Thaçi të shitur tek Serbia

0

Një ditë pas ndalimit dhe mbajtjes për 3 orë me radhë nga Policia e Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes dhe ish-lideri i saj ka thënë për News24 se nuk do të ndalet deri në anulimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Kurti ka treguar momentet e para të arrestimit duke u shprehur se vetëm falë protestave policia e la të lirë.

“Unë mbrëmë po kthehesha nga Shkupi për në Prishtinë, dhe në hyrje të Prishtinë një task-forcë e policisë së Kosovës me 15 policë na kishte organizuar një pritë dhe kërkuan të dal nga makina. U kërkova të më tregonin urdhër-arrestin apo fletë-arrestin më thanë se është urdhër i prokurorit, por nuk kishte emër prokurori. Pas refuzimit tim me nxorën dhunshëm nga makina, rrugës më premtuan se kur të shkonin në postë do më tregonin urdhrin. Por as atje nuk ma treguan, më morën në pyetje hetues, por jo prokuror. Më thanë nuk je i arrestuar, por i ndaluar, kur i thashë se a mund të shkoj më thanë jo nuk mund të shkosh. Deshën që të më intervistojnë për atë që ndodhi në parlament, por nuk dhashë asnjë deklaratë. Dhashë vetëm gjeneralitetet e mia. E gjitha ka të bëjë me gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Prokurori nuk erdhi, thanë që janë duke biseduar me prokurorin. Ata kishin të drejtë të më mbanin 6 orë, por më liruan pas 3 orësh për shkak të protestave”, u shpreh Kurti.

I pyetur nga gazetari Edvin Parruca nëse do të dëshmonte në prokurori për ngjarjet në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u hodh gaz lotsjellës, Kurti tha se nuk do të përgjigjej në një situatë hipotetike. Ai deklaroi se VV nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojë të vijojnë seancat në Kuvend.

“Nuk kam parë ende asnjë dokument. Nuk do të isha përgjigjur në një situatë të tillë hipotetike, këtu gjithçka është e parregullt. Vetëvendosje është këmbëngulëse në kundërshtim të “Zajednicës” (asociacionit të komunave serbe) dhe demarkacionit me Malin e Zi. Nuk do të lejojmë që të vazhdojnë seancat e Kuvendit. Nga marrëveshja Mustafa e bosnjëzon Kosovën. Marrëveshja me Malin e zi, i fal 9 mijë hektarë. Ne jemi të vendosur që të mos ndalemi, deri sa ti tërheqin këto marrëveshje të dëmshme dhe të turpshme”, theksoi deputeti i VV.

Kurti justifikoi mënyrat e dhunshme të përdorura nga opozita në Kuvend, pasi sipas tij nuk mund të ketë shumicë kundër republikës.

“Nuk mund të ketë shumicë numrash kundër Republikës. Koalicioni qeverisës nuk mund të rebelohet kundër Republikës së Kosovës, duke e futur këtë kalë të Trojës, asociacionin e komunave serbe”, u shpreh ai.

Kurti ka shpjeguar pse VV është kundër asociacionit të komunave serbe. Ai nënvizoi faktin se ky asociacion do të ketë kompetenca të plota në të gjitha fushat, do të kenë qasje në sistemin kosovar, por qeveria nuk do të ketë qasje tek këto komuna.

“Në Kosovë janë 10 komuna me shumicë serbe, si rezultat i planit të Ahtisarit. Tani këto komuna duan të bëhen bashkë kundër Kosovës. Pra qeveria e Kosovës do të formojë diçka që nuk e shpërbën dot. Ky asociacion do të ketë kompetenca të plota në shumë fusha. Do ketë asamblenë e vetë, presidentin dhe zëvendëspresidentin, flamurin e saj, do ketë të drejtë të hyjë në marrëdhënie me vende të tjera, me Serbinë e Rusinë. Komandant i Policisë për veriun thuhet se do të jetë serb. Pra ata kanë qasje në sistemin tonë, ndërsa ne nuk kemi tek ata. Do financohet nga Beogradi”, tha Kurti.

Ish-lideri i Vetëvendosjes tha se ata që i kanë pranuar këto marrëveshje janë njerëz të shitur, dhe po kërkojnë të shesin edhe Kosovën.

“Ne kemi shumë njerëz të shitur, ata nuk mendojnë, ata janë të shitur. Qëndrimet e tyre pasojë e faktit që janë të shitur. Po kërkojnë të shesin edhe Kosovën. Është shkelur kushtetutshmëria e Kosovës. Ne nuk kemi ligj për referendum. 9 veta në gjykatën Kushtetuese do vendosin për këtë, kur aty janë 3 të huaj dhe njerëz të biznesit. Gjykata Kushtetuese në Kosovë nuk është as Gjykatë dhe as Kushtetuese. Kosova është në krizë të thellë për shkak të kësaj qeverie, që pas marrëveshjes Mustafa-Thaçi-Jabllanoviq. Këta janë marrë vesh me Serbinë dhe po sundojnë Kosovën, kjo është kriza. Nëse bie në krizë edhe një marrëveshje me Serbinë është mirë, por nuk ka marrëveshje me Serbinë në krizë. Nga njëra anë po na zhysin në borxhe tek FMN dhe nga ana tjetër po na bosnjëzojnë”, deklaroi Kurti.