26.8 C
Prizren
E mërkurë, 4 Qershor, 2025
Home Blog Page 6533

Peticioni: Mblidhen 82 mijë nënshkrime

0

Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë me dije se vetëm për shtatë ditë janë mbledhur 82 mijë e 287 nënshkrime kundër marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Opozita vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen këtij peticioni.

Shala: Opozita po luan rrezikshëm

0

Behxhet Shala thotë se opozita po dëshiron të vijë në pushtet nëpërmjet bllokimit të Kuvendit.

Ai i ka bërë thirrje Presidentes Atifete Jahjaga që të ndërhyjë në mes të pozitës dhe opozitës për ta zhbllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.

Shala për ‘Epokën e Re’ ka thënë se opozita nëpërmjet bllokadës në Kuvend po dëshiron të vijë në pushtet. Ai ka vlerësuar se opozita është duke luajtur me kartë të rrezikshme meqë po merret me tema të mëdha për t’i aktivizuar votuesit në favor të saj, por, sipas tij, mund të ndodhë e kundërta, meqë votuesve u intereson vetëm krijimi i kushteve të mira jetësore.

Në këtë kontekst, Shala ka thënë se zgjedhjet e parakohshme më shumë shkojnë në favor të pozitës sesa të opozitës.

Jahjaga: S’besoj se vendi do të shkojë në krizë të re politike

0

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka folur për situatën e krijuar politike në vend, sidomos pas bllokimit të punës së Kuvendit nga ana e opozitës.

Në një intervistë për emisionin “Komiteti”, Jahjaga nuk beson se do të ketë krizë të re politike.

“Nuk dua te besoj se partitë politike do të lejojnë që vendi të shkojë drejt një krize të re politike. Ne kaluam krizën e zgjedhjes së presidentit, gjithashtu kaluam krizën me bllokadën institucionale vitin e kaluar, tani ka ardhur koha që Kosova të prodhojë lajme të mira. Nuk besoj se vendi do të shkojë në përshkallëzim të krizës”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Kurti: Zajednica ia garanton luftën Kosovës

0

Ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes Albin Kurti thotë se kryeministri Isa Mustafa është duke shkuar hapave të paraardhësit të tij Hashim Thaçit. Kurti tha se Mustafa tentoi në seancën e fundit të Kuvendit tentoi që të flasë broqkulla lidhur me “Zajednicën”.

Sipas tij, opozita nuk do të lejojë të mbahet seanca e Kuvendit përderisa kryeministri Mustafa ta heqë nënshkrimin nga Asociacioni i Komunave serbe nënshkruar në Bruksel.

Sipas Kurtit ky Asociacion e qon shtetit drejt siç tha ai “abortimit”.

Ish lideri i VV-së ka thënë se aksioni me vezë në Kuvend ishte i qëlluar dhe se shumë njerëz janë pajtuar me të.

Ai tha se me aksion e bëmë të qartë se nënshkrimi duhet të hiqet, si kërkesë e jona dhe për këtë Kurti tha se qytetarët që i përkasin klasës së mesme dhe të varfër i përkrahën në atë veprim

Albin Kurti tha se kjo Zajednicë ia garanton luftën pas 10 viteve fëmijëve tanë.

Kurti në rrafshin e tërheqjes së nënshkrimit tha se nuk ka kuptim kur Jabllanoviqi është shkarkuar dhe Zajednica po themelohet, duke kujtuar se edhe në fillim të kërkesës për shkarkimin e Jabllanoviqit ka kundërshtuar.

Ai tha se Kosova është një shtet i kapur që e mban deficitin tregtar të Kosovës me një eksport të vogël dhe me remitanca që dalin shpejt jashtë Kosovës.

“Nuk mjafton debati, janë të domosdoshme aksionet dhe demonstratat dhe protestat. Përderisa nuk punon kuvendi,po punojnë qytetarët duke nënshkruar peticionin”, tha Kurti.

Haradinaj: Aksioni me vezë ndaj kryeministrit, i shkëlqyer

0

Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj në emisionin në “Info Magazinë” ka folur edhe rreth seancës të së martës ku u ndërpre për shkak të hedhjes me vezë nga opozita në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa.

Haradinaj theksoi se nuk është më rëndësi se kush ka hedhë vezë e kush jo, me rëndësi është që opozita janë bërë bashkë.

“Nuk është me rëndësi kush ka hedh vezë, me rëndësi është se opozita është bërë bashkë.
Aksioni ka qenë i shkëlqyer dhe nuk ka pasur për qëllim ta lëndojë kryeministrin. Në fund të fundit vetëm vezë janë dhe asnjë dëm nuk kanë shkaktuar”, u shpreh Haradinaj./Indeksonline/
……………….
Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë në Info Magazine, të Klan Kosova se, ai nuk i frikësohet Gjykatës Speciale sepse nuk ka arsye për ta bërë.
“Kam qenë njëri nga luftëtarët më të mirë, prandaj nuk frikësohem aspak, nuk kam nevojë për t’u frikësuar, ne e kemi larë veten, edhe si Dukagjin, edhe si luftëtarë”.
“Lufta jonë do të mbahet mend si luftë e pastër”

Arsim Bajrami kritikoi mësimdhënësit

0

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në raportimin që pati të mërkurën para Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës tha se nuk është i kënaqur me cilësinë e arsimit në Kosovë. Por Bajrami, fajin nuk e la tek nxënësit.

“Çka po tregon sistemi arsimor në Kosovë, po tregon se problemi kryesor në cilësinë e arsimit nuk janë nxënësit, por mësimdhënësit e papërgatitur, rezultatet do të vijnë në vitin e ardhshëm dhe do ta shohin se ku jemi me matematikë, ku jemi me gjuhën shqipe, dhe se problemi është te mësimdhënësit”, tha Bajrami

Sipas Bajramit, e gjithë e meta e kësaj cilësie është tek mësimdhënësit, të cilët po kualifikohen në institucione jocilësore.

“Ne nuk njohim as me ligje e as tani si ministri, asnjë autoritet privat për të dhënë kurrfarë kualifikimi për mësimdhënës”, vërejti ministri.

Ndërsa kundër këtij deklarimi doli kryetari i Komisionit për Arsim, Nait Hasani nga PDK.

“Vendimin qe e keni nxjerr e këtyre që me punu në arsim, të cilët kanë kryer në kolegje private të cilët nuk kanë drejtë në bazë të Ligjit për Arsimin e lartë, janë vendime që i keni nxjerr e mendoj që janë në kundërshtim me ligjin. Vendimin që e keni nxjerr me 4 gusht është për njohjen e studentëve të cilët e kanë kryer në kolegje private”, tha Hasani.

Hasani tha se nëse këtyre studentëve do ju njihej kjo e dejtë, atëherë a do ju njihet e drejta që të punojnë në arsim edhe ata studentë nga Peja nga Gjakova të cilët janë të penalizuar.

“Asnjë student i asnjë kolegji privat të licencimit nuk ja kam lejuar, dhe as s’do ja lejoj dhe s’ka të bëjë me këtë vendim. Vendimi ka të bëjë me programet e arsimit të cilat kanë qenë të akreditime para themelimit të Agjencisë së Akreditimit para themelimit të agjencisë së akreditimit, dhe që kanë pasur akreditim për periudhën e caktuar, dhe nuk është akredituar pas themelimit të Agjencisë së Akreditimit është i paligjshëm dhe kurrë nuk do gjen vend pune”, tha Bajrami. /kallxo.com/

Prokurori i papërgatitur në gjykimin e ish-zyrtarit policor në Prizren

0

Në gjykimin kundër ish-zyrtarit policor Famir Gjurgjeali që akuzohet për zbulim të fshehtësisë zyrtare prokurori nuk mundi të gjejë disa dokumente.

Për këtë seancë ishte planifikuar që prokurori Bajram Hamitaga të sigurojë urdhëresat me të cilat ishin bërë bastisjet e zyrave në stacionin e policisë dhe shtëpia e të akuzuarit.

Mirëpo Hamitaga edhe pse kishte pasur kohë një muaj për të siguruar këto urdhëresa, kërkoi që dy urdhëresat të shikohet se mos janë në shkrimore, duke ndërprerë gjykimin dy herë-herën e parë 20 minuta e të dytën 15.

Gjatë këtyre pauzave, palët duhej të prisnin në korridor të Gjykatës Themelore në Prizren. Pas kontrollit të dosjes së lëndës, prokurori Hamitaga erdhi në përfundim se nuk ka shkresa zyrtare për urdhëresat e bastisjes së objekteve të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Pas këtyre zhvillimeve, Bashkim Nevzati mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Gjurgjeali, i propozoi gjykatës që të gjitha provat e siguruara me rastin e bastisjes të veçohen dhe të mos konsiderohen si prova valide në mungesë të dokumentacionit zyrtar që prokurori nuk arriti ta sigurojë.

Prokurori më tutje duke prezantuar dokumentet konfidenciale, propozoi që si provë të merret një CD për të cilën nuk dinte se çfarë përmbante, pasi u arsyetua se ishte provë e propozuar nga prokurori që më parë e kishte ngritur aktakuzën e këtij rasti.

Hamitaga pati edhe propozime tjera, për të cilat gjykata i dha kohë që t’i precizojë deri në seancën e ardhshme.

Në fund të seancës, Bashkim Nevzati avokati i të akuzuarit Gjurgjeali tha për KALLXO.com se provat e propozuara nga prokurori kanë shumë mungesa.

“Prokurori ka disa propozime të cilat duhet të nxirren si prova, por për të cilat për fat të keq ekzistojnë mungesa të shumta në shkresat e lëndës, gjithashtu ekziston një kërkesë nga ana e prokurorit që të bëhet ekzaminimi i një CD-je, por gjithashtu edhe kjo provë është me mungesa të caktuara për arsye se nuk ka përmbajtje të cilën duhet parashtruar gjykatës,” sqaroi avokati Nevzati.

Aktakuza ndaj Fatmir Gjurgjealit e ngritur në maj të vitit 2012 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit e ngarkon atë se nga viti 2009 në vazhdimësi, në cilësinë e mbikëqyrësit të zyrës dhe zëvendësshefit të Njësisë së Inteligjencës Kriminale Rajonale në Prizren pa autorizim i ka dërguar informacione një shtetasi të huaj.

Sipas prokurorisë, këto informacione Gjurgjeali në mënyrë elektronike i ka bartur fillimisht në e-mail-at e tij privatë, e pastaj u ka mundësuar personave të paautorizuar të kenë qasje në këto dosje.

Seanca e radhës do të mbahet më 1 dhe 2 tetor./kallxo.com/

Mënyra e vetme e Isa Mustafës për të qetësuar opozitën

0

Nga Adrian Çollaku

“Qeveria e Elefantëve”, e ashtuquajtur nga njëri prej themeluesve të koalicionit PDK-LDK, Lutfi Haziri, duket se është në pozitën me të vështirë të funksionimit të saj, që nga themelimi para gati një viti.

Mënyra se si opozita e bllokoi Kuvendin në seancën e fundit, duke këmbëngulur se nuk do të lejoj funksionimin e institucionit më të lartë qeverisës në vend, nëse Isa Mustafa nuk e tërheq nënshkrimin për marrëveshjen e nënshkruar ne Bruksel me kryeministrin serb, Aleksander Vucic, për Asociacionin e Komunave Serbe, është për fajin më të madh të sjelljes së qeverisë në raport me opozitën.

Arroganca që kjo qeveri, e sidomos Isa Mustafa e përdori në raport me opozitën, mund edhe të pritej një sjellje e tillë e opozitës, sado e dëmshme mund të jetë për ta, si parti, ndoshta edhe për vendin dhe për jetën institucionale.

Statistikat duket se e kanë mashtruar ekonomistin kryeqeveritar.

Akademik Isa Mustafa, përkundër profesionit prej ekonomisti, duket të jetë gabuar kur e gjuajti për toke opozitën, duke mos i konsideruar kurrfarë faktori, e as duke mos e menduar ndonjëherë se duhet bashkëpunuar me ta.

Ai u vetëmjaftua dhe u vetëkënaq me numrat qe i ka në Kuvend, 87 deputetë të koalicionit, plus Hashim Thaçin.

Nëse i ka konsideruar numrat thjesht si statistika, Isa Mustafa edhe mund të ketë pasur të drejtë, mirëpo numrat nuk janë gjithçka në politikë, për dallim prej ekonomisë e biznesit.

“Koalicionit të Elefantëve”, po shihet se nuk do t’ju bëjnë punë 87 kokrrat në Kuvend, nëse opozita bash vendos që të mos tërhiqet nga kërkesa e saj për bllokimin e Kuvendit, pa marrë parasysh pasojat që mund t’i kenë, qoftë në elektorat apo na raport me ndërkombëtarët.

E, Isa Mustafa para se t’ia shtroj këtë pyetje vetit, çka tash?, është dashtë që të komunikoj edhe me opozitën, pavarësisht pse i tradhtoi, pas 5-6 muajsh “martese” me ta.

Isa Mustafa do ta kuptoj se ka qenë shumë gabim mbështetja vetëm tek Hashim Thaçi, sepse ka pasur raste e raste se si “Gjarpri” i dogji të gjithë, një nga një.

Do ta kuptoj gjithashtu se Hashim Thaçi, vështirë se do ta shpëtoj kësaj radhe. Përkundrazi, vetëm sa do të mundohet qe ta djegë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Isa Mustafa dhe mbështetësit e Koalicionit të Elefantëve në LDK mos t’ i besojnë në asnjë mënyrë deklaratave pompoze të njerëzve të PDK, se ata janë kundër veprimeve të opozitës.

Tërë këtë situatë, pra PDK në krye me Hashim Thaçin po e shfrytëzojnë për mrekulli duke u dëshmuar edhe njëherë ndërkombëtarëve se ata dhe vetëm ata, janë që e mbajnë stabilitetin në këtë vend, se vetëm ata dhe vetëm ata janë që u kryejnë punë ndërkombëtarëve, se vetëm ata dhe vetëm ata janë që nënshkruajnë bash çka të duan për këtë vend…

Thjesht, ndërkombëtarëve po shihet se ju intereson vetëm stabiliteti, e jo numrat e as statistikat prej ekonomisti të Isa Mustafës.

Dhe, Isa Mustafa besoj se tashmë ia ka shtruar pyetjen vetit e çka tash?

Përgjigja nuk do të jetë as “çlirimi” i Kuvendit nga opozita me polici, ngase situata edhe më keq do të eskaloj…

E, tash krejt çka i mbetet Isa Mustafës është që ose t’i lus ndërkombëtarët që ta ndihmojnë në raport me opozitën, ose ta gjej ndonjë formë dhe mjeshtri që të nis dialogun me opozitën.

Në të kundërtën, nëse mendon të vazhdojë sjelljen arrogante ndaj opozitës, vetëm sa do t’ia vështirësojë punën vetit. Pasojat do t’i kuptojë ndoshta më vonë…/gazeta blic/

Kadare: Ballkani ka pjesë në krimet e Perandorisë Osmane

0

Është e vërtetë se popujt e Ballkanit i bënë qëndresë Perandorisë, por po aq e vërtetë është se ata u bënë pjesë e saj, pra pjesëtarë në trofetë, në bëmat dhe në krimet e saj”. Kështu shkruan Ismail Kadare në veprën “Arti si mëkat”, e dalë dje në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”.
I nxitur nga vepra e piktorit me origjinë shqiptare, Omer Kaleshi, nga kokat e tij mistike, Kadare shtyhet drejt një teme tepër të prekshme: Ballkani dhe Europa. Pritjen e gjatë të ballkanasve në portat e Europës, për t’u bashkuar me familjen biologjike, ai e sheh të pandashme nga raporti që Ballkani dhe ballkanasit kanë me të shkuarën nën Perandorinë Osmane.

Kadare shkruan se ballkanasit e kanë “harruar” dhe kanë spastruar historinë e tyre prej faktit se kanë bashkëpunuar me Perandorinë, duke u bërë pjesë e sundimit, e administratës, e ofiqeve… ndër të tjera shkrimtari vë re edhe një tjetër fakt, që… “të mbërthyer… pas armiqësisë ndaj njëri-tjetrit, ballkanasit, këta shkretanë të pandreqshëm e armiq të vetvetes, nuk arritën të dëshmojnë asnjëherë epilogun e historisë së tyre të gjatë me Perandorinë Osmane”.

Bëhet fjalë pikërisht për ndikimin që ata patën mbi Perandorinë Osmane. “Turqia, bërthama e Perandorisë pushtuese, ajo që me shpatë dhe Kuran kishte bërë çnuk e çmos për t’i kthyer ballkanasit nga europianë në otomanë, e nga të krishterë në islamikë, në mbarim të kacafytjes përfundoi ajo vetë në një shtet laik e republikan”, shkruan Kadare. Por jo vetëm kaq, ëndrra e saj është pikërisht t’i bashkohet Europës.

Çka ka ndodhur midis Ballkanit dhe Perandorisë? Çka ka ndodhur midis të dyve dhe Europës? Përse në këtë vit të fundit të mijëvjeçarit, bashkë me ballkanasit që rrinë kokulur përpara zonjës-nënë të tyre të dikurshme, Europës, duke pritur që ajo t’i pranojë në shtëpinë e vet , ka zënë radhën e po pret të hyjë edhe Turqia, bërthama e Perandorisë së lemerishme Otomane, ajo që ishte betuar mbi Kuran e mbi shpatë se do t’i shembte kulm e themel Europës së krishterë? Ç’ka ndodhur? A mund të shpjegohet?A duhet? Le të përpiqemi: Pas gëlltitjes së Bizantit, gëlltitje pas së cilës Perandoria Osmane nuk ishte më ajo që kishte qenë, asaj i doli përpara një det i trazuar popujsh, një lëmsh i vështirë, nga më të vështirët e kësaj bote, qoftë për miqësi, qoftë për armiqësi. Shtriheshin rresht, me gjuhë dhe fytyra të rrezikshme, të ndryshme, heroike dhe groteske, njëkohësisht befasues, të paparashikueshëm.

Ishin, pa dyshim, një ledh mbrojtës i Europës së krishterë, por disa mendje vizionare të Perandorisë e kuptuan shumë shpejt se nga mbrojtës të kontinentit mëmë, mund të shërbenin në sulmin kundër tij. Dhe kështu, ashtu siç kishte bërë më parë me princat bizantinë, Perandoria zhvilloi me princat ballkanas politikën e njohur të fshikullit e të kulaçit. Plagët që hapte shpata e saj ushtuese, rrekej t’ua zbuste me postet e nishanet që u jepte bujarisht.

Të rënë kështu në kurth, ballkanasit përjetuan gjatë 400 vjetëve një histori kundërthënëse, të cilën ende sot nuk janë në gjendje ose, më saktë, nuk kanë kurajën ta shpjegojnë. E parë nga një pikëshikim i distancuar, historia e Gadishullit Ballkanik është historia e një gjymtyre të prerë të kontinentit europian.

Një mijë e ca vjet më parë, një tjetër gadishull të prerë, atë të Pirenejve, Europa arriti ta rimerrte, me anë të Riconquistës. Me Ballkanin puna është më e ndërlikuar. Nuk është më Europa që rreket për ta fituar, me shpatë apo me diplomaci, janë ballkanasit vetë që duan të kthehen, ndërsa Europa mëdyshet. Te popujt ballkanas e kaukazianë tregojnë legjendën e shqiponjës së zënë rob, e cila arrin t’i shpëtojë robërisë e të kthehet prapë te familja e saj. Mirëpo, robëruesi i ka vënë shqiponjës një unazë në kthetra.

Është kjo shenjë që e bën shpendin e arratisur të huaj për racën e vet. Familja nuk e pranon më shpendin e kthyer. Popujt ballkanas, pas mungesës së gjatë, qëndrojnë përpara portave të Europës, pa mundur ta fshehin dot shenjën që u ka lënë në trup e në ndërgjegje Perandoria Osmane. Ata kanë nostalgji për Europën, por bashkë me nostalgjinë ndiejnë nervozizëm e zemërim.

Nervozizëm për fajet e tyre, që s’duan t’i pranojnë, zemërim për harresën e gjatë të nënës kontinentale. Natyrisht, ashtu si çdo shtëpi që kërkon të dijë se ç’ka bërë në mërgimin e tij të gjatë djali plëngprishës që po i troket në portë, edhe Europa ka dashur të dijë se ç’kanë bërë këta popuj në atë mjegull e në atë terr pesëqindvjeçar. Dhe këtu nis një dramë e re: ajo e shpjegimit ose, më saktë, ajo e përçartjes.

Sepse, më shumë se një shpjegimi të besueshëm, ajo që ballkanasit tregojnë për të kaluarën e tyre i ngjet një belbëzimi pa kuptim. Mund të thuhet kështu se as versioni otoman, sipas të cilit Perandoria i zbuti dhe i kultivoi ballkanasit kokëfortë, e as version i këtyre të fundit, sipas të cilit ata paraqiten si popuj martirë, që veç vringëllonin shpatat kundër pushtuesit, nuk i qëndron të vërtetës.

Një version i tretë na e jep atë që ka ndodhur. Është e vërtetë se popujt e Ballkanit i bënë qëndresë Perandorisë, por po aq e vërtetë është se ata u bënë pjesë e saj, pra pjesëtarë në trofetë, në bëmat dhe në krimet e saj. Në shekujt XIX e XX, kur popujt e Ballkanit, njëri pas tjetrit po shkëputeshin nga Perandoria, kur erdhi pra, ora e kujtimeve, secili nga këta popuj nisi të harronte atë pjesë të historisë që quhej e “turpshme”, domethënë bashkëpunimin, dhe të kujtonte veç pjesën “heroike”, atë të rebelimeve.

Të mbërthyer kështu pas armiqësisë ndaj njëri-tjetrit, ballkanasit, këta shkretanë të pandreqshëm e armiq të vetvetes, nuk arritën të dëshmojnë asnjëherë epilogun e historisë së tyre të gjatë me Perandorinë Osmane. Ky epilog, ky bilanc përfundimtar i ndeshjes, është i çuditshëm e i madh, e megjithatë, ndonëse ka ndodhur në shekullin XX, në prani të të gjithëve, ende qëndron në terr, i pakapur prej syve tanë të verbër.

Epilogu ka të bëjë me pyetjen se a ka pasur një fitues e a ka pasur një humbës në këtë ndeshje pesëqindvjeçare midis Perandorisë Osmane dhe ballkanasve? Përgjigjja e kësaj pyetjeje përbën një paradoks të madh. Në përfundim të këtij rravgimi shekullor, ballkanasit, ndonëse në shumicën e kohës të mundur e të rrëzuar tragjikisht përtokë, pikërisht në kohën kur gongu i mbarimit të dramës po binte, arritën t’i jepnin një goditje fatale Perandorisë së tmerrshme.

Goditja ishte e padukshme, e pabujshme, e tillë që s’kuptohej nga vinte, ndaj ishte e madhërishme: Turqia, bërthama e Perandorisë pushtuese, ajo që me shpatë dhe Kuran kishte bërë çnuk e çmos për t’i kthyer ballkanasit nga europianë në otomanë, e nga të krishterë në islamikë, në mbarim të kacafytjes përfundoi ajo vetë në një shtet laik e republikan. Ishte vepër e ballkanasve? Pa asnjë dyshim.

Pesë shekuj përkitjeje pasiononte, një klimë e vazhdueshme zie dhe feste, dashurie dhe urrejtjeje, kur pas goditjes mizore, vinte përqafimi, e pas përqafimit, pra pesë shekuj bashkëjetese të tillë, diçka të tillë do të jepnin. Diçka të epërme, befasuese, që qëndronte sipër dekreteve, flamurëve, minareve e kishave. Në dyluftimin e Perandorisë, ballkanasit u dëmtuan vërtet, u shfytyruan, u gjymtuan rëndë, por ndryshimin më të madh e pësoi Perandoria.

Ndryshimi ndodhi në thellësi: në frymën e saj. Te qendra e shtetit të tmerrshëm, ëndrra e të cilit kishte qenë shfarosja e Europës së krishterë, lindi papritur ëndrra e kundërt: t’i bashkohet Europës, të kthehet në një rajon të saj. Vepër e ballkanasve, hakmarrja e tyre e vonuar? Pa dyshim. Vetëm ballkanasit mund t’ia ngjitnin atë virus. Gjithë ata gjeneralë që morën praktikisht në dorë ushtrinë, ata vezirë që drejtuan shtetin, ata guvernatorë e vezirë të mëdhenj, që komanduan pushtimet e mëdha, ata arkitektë që ndërtuan tempujt, në shumicën e tyre ishin me prejardhje ballkanase.

Kishin qenë të krishterë e ishin kthyer në myslimanë, për hir të karrierës. Kështu që ishte e kuptueshme që, bashkë me frymën luftarake, zotësinë profesionale, ambicien e marrëzinë, do të pikonin në dejtë e plakur të Perandorisë nostalgjinë për europianizimin dhe krishterimin e tyre të humbur. Dhe bashkë me të do të pikonin ide të laicitetit e të lirisë. Dukuria nuk ishte e re.

Dihej tashmë nga të gjithë se, në kushte e rrethana të tjera, rreth dy mijë vjet më parë, në marrëdhëniet Romë-Greqi, kishte ndodhur pak a shumë diçka e ngjashme: pushtimi i fitimtarit prej frymës së të mundurit. Por ballkanasit nuk arrijnë ta kuptojnë e, aq më pak, ta shpjegojnë atë që ka ndodhur.

Vazhdojnë të qëndrojnë në portat e Europës, dramatikë në moskuptimin e tyre, tragjikë në verbërinë e tyre. Smira për njëri-tjetrin ua errëson mendjen e çartur, përçartja e tyre vazhdon të jetë e pabesueshme. Kështu që ata s’janë në gjendje t’i shpjegojnë zonjës dhe nënës së tyre europiane trofenë që i kanë sjellë, njerkën e tyre të zënë robinjë, Turqinë.

Veseli: Heronjtë që i duhen sot Kosovës janë heronjtë që denoncojnë dhe luftojnë korrupsionin

0

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.
Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli potencoi sfidat me të cilat po përballet vendi ynë, si në konsolidimin e brendshëm shtetëror, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Në rrafshin e brendshëm, theksoi kryetari Veseli, janë bërë hapa të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit, por punët e pakryera ende janë shumë të mëdha.
“Fatkeqësisht, punët e mira që janë bërë, po errësohen nga një mori fenomenesh negative, sikurse janë korrupsioni dhe brishtësia institucionale. Të dy këto fenomene e ushqejnë njëra-tjetrën. Brishtësia institucionale krijon tokë pjellore për lulëzimin e korrupsionit. Dhe anasjelltas : korrupsioni i bën edhe më të brishta dhe më joefektive institucionet”, tha kryetari i Kuvendit.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari Veseli vuri në pah rëndësinë e ballafaqimit me faktin se perceptimi mbi korrupsionin në Kosovë është tejet i përhapur dhe raportet ndërkombëtare vazhdojnë ta theksojnë këtë perceptim, sikurse edhe mediat e opinioni publik.

Figura e zyrtarit shtetëror, në masë të madhe është diskredituar, duke krijuar kështu imazhin e një shoqërie të korruptuar. Pasojat prej kësaj, sipas kryetarit Veseli, janë tejet të mëdha: Kosova rrezikon të humbas kredibilitetin te mbështetësit dhe partnerët ndërkombëtarë, te të gjithë ata që mendojnë të investojnë kapitalin e tyre zhvillimor në Kosovë, si dhe te vet qytetarët tanë.

“Humbja e besimit të brendshëm dhe të jashtëm është lajmi më i keq për një shtet në zhvillim. Prandaj është urgjente që luftimin e korrupsionit ta ngrisim në prioritet nacional. Sot ne duhet që luftën kundër korrupsionit ta kuptojmë si akt patriotik. Sot, shteti i Kosovës ka nevojë për këtë lloj patriotizmi. Ky patriotizëm duhet të kultivohet së pari brenda vet institucioneve, duke filluar nga elitat politike. Kjo nuk bëhet përmes edukimit apo fushatave të vetëdijesimit, por përmes veprimit të pakompromis të ligjit. Heronjtë që i duhen sot Kosovës janë heronjtë që denoncojnë dhe luftojnë korrupsionin”, tha në fjalën e tij kryetari Veseli.

Kreu i legjislativit të vendit shtoi se përveç sundimit të ligjit, nuk ka formulë tjetër për të ecur përpara në zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin demokratik të shtetit.

“Sot në botë janë përhapur shumë modelet politike që kombinojnë autoritarizmin politik me zhvillimin ekonomik. Ne kemi luftuar, kemi derdhur gjak, për t’i hequr qafesh këto modele. Rruga jonë është tjetër. Rruga jonë është modeli perëndimor i zhvillimit dhe mirëqenies. Duke luftuar korrupsionin ecim më shpejt drejt këtij modeli. Duke e luftuar përnjëmend, e jo duke bërë sehir me deklarata pompoze”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. /Telegrafi/