12.7 C
Prizren
E martë, 12 Maj, 2026
Home Blog Page 6532

Roman i ri i Veton Surroit

0

Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi shfaqet tani me një roman të ri, me titull “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”.
Romani “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit” është njëri nga gjashtë titujt që Botimet Koha do t’i prezantojë në Panairin e Librit që do të mbahet gjatë muajit qershor në Prishtinë.

“Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit”, romani i ri i Veton Surroit është një rrëfim mjeshtëror që mund të lexohet si roman dashurie, rrëfim historik, thriller politik dhe analizë psikologjike. Me një stil të veçantë, “Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit” është rrëfimi i Kosovës së shekullit XX dhe padyshim shënon një faqe të re e të rëndësishme letërsinë shqipe.

Surroi me librat “Miliarderi”, “Ambasadori i Melkizedekut”, “Këmbët e Gjarprit” dhe publikimet tjera ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e lexuesit në gjitha hapësirat shqiptare. “Ambasadori i Melkizedekut” vjet ishte libri më i shitur i edicionit të 17 të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Prishtinë.

Striptistja futet në festën e gjimnazistëve(Video)

0

Festat e përfundimit të një viti shkollor mes gjimnazistëve janë të rëndësishme dhe janë kthyer në traditë, që në Gjermani monitorohet rreptësisht nga mësuesit.

Por në një gjimnaz të Mynihut, studentët arritën që të fusin në festën e tyre një striptiste, madje edhe ta filmojnë atë duke u performuar në prehër.

Gjithçka ka ndodhur në gjimnazin Luitpold dhe mediat gjermanë shkruajnë se mësuesve dhe drejtuesve të gjimnazit u është thënë nga nxënësit se striptistja e njohur si Jarly ishte e ftuar për të folur “për barazinë gjinore”.

Kur mësuesit dhe drejtuesit morën vesh se për ç’barazi gjinore bëhej fjalë, ishte tepër vonë dhe nga videoja dhe fotot e shpërndara, Jarly, 33 vjeç, duket se ka folur më shumë se për barazinë.

https://youtu.be/t0B5ge0tkro

 

Kolumnistët ballëngrysur zviceranë!

0

Kjo letër nuk do të duhej të dërgohej nga Shqipëria por nga Kosova. Por meqë Shqipëria dhe jo Kosova është zyrtarisht vend pjesmarrës në Kampionatin Europian në Francë, po e lëmë me Shqipërinë. Nëse njeriu do të numëronte dhe bashkonte lojtarët e kombëtareve të Shqipërisë dhe Zvicrës, të cilët kanë prejardhje nga Kosova, atëherë kjo do të ishte e mjaftueshme që në Francë të bëhej një Kombëtare nga Kosova. Pra le të flasim hapur: Zvicra dhe Shqipëria pa këta lojtarë nga Kosova zor se do të kishin arritur të shkonin në Francë!

Kjo gjë duhet të thuhet njëherë, sidomos tashti, pas pranimi të Kosovës në Uefa dhe Fifa. Ajo që pas pranimit ngjau është gadi se tragjike: tifozë, funksionarë futbolli, gazetarë nuk munden ta bëjnë zemrën guri dhe ta urojnë anëtarin më të ri. Ata nuk ishin të lumtur por shumë më shumë të brengosur. “E tërë Zvicra” klithte. Por edhe Shqipëria nuk heshtte.

Kjo është pikëlluese. Me një mënyrë të padurueshme erdhi tek fyerje dhe kërkesa për futbollistët që të sqaronin dhe pranonin. Ushtrohej presion në lojtarët e kombëtareve me moton: “Jeni për Zvicrën apo për Kosovën?”. Kam lexuar një mori të kolumnistëve zviceranë dhe nuk mundja, nuk doja ta besoja, se çfarë shtronin në pyetje. Kjo ballëngrysje është fillimi i një rrëfimi pikëllues i cili përfundonte me teori konspiracioni tek media në Shqipëri. Atje në të vërtetë u lansua edhe një teori bizare: perëndimi ka për qëllim që të shqiptarët në Ballkan t’i ndajë në dy ekipe kombëtare. Pra, konspiracionistët dilnin edhe me propozimin: shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë mundësisht ta bëjnë vetëm një Kombëtare në mënyrë që të mos ndahen.

Kisha shpresuar që ta gjej së paku një dhe të vetmin kolumnist, pamarrparasysh zviceranë apo shqiptarë (nga Shqipëria), i cili me një dhe të vetmin rresht do ta tregonte historinë dhe para së gjithash arsyen e pranimit të Kosovës në Uefa përkatësisht Fifa. Por e kotë ishte ajo shpresë.

Për këtë shkak po e bëj vet: Kosovës për 25 vite me radhë nuk i është lejuar të ketë përfaqësuesit e saj të Futbollit në Europë. Pa sport. Pa ëndërra. Pa heronj! Me fillimin e shkatërrimit të ish- Jugosllavisë, proces ky i cili në këtë pjesë të Europës zgjati dhjetë vite (1990-1999) shqiptarët e Kosovës u shpërndanë gjithandej si refugjatë dhe azilkërkues. Pas çlirimit në vitin 1999 Kosova u vendos nën protektoratin e OKB-së deri në vitin 2008 kur edhe e shpalli pavarësinë. Por Serbia edhe mëpas pengonte praninë në sportin ndërkombëtar.

Së paku katër gjenerata të të rinjve nga Kosova u desht të mbanin trikotë e kombeve tjera ose të përfundojnë në ujërat e anonimitetit. Kjo tash mori fund!/klan kosova/

Dëshmori Nuhi Krasniqi, u rivarros me nderime ushtarake

0

Me nderime të larta ushtarake nga Forca e Sigurisë së Kosovës, u bë rivarrimi i dëshmorit Nuhi Krasniqi, i vrarë në gusht të vitit 1992, gjatë luftës në Kroaci.

Dëshmori Nuhi Krasniqi është shpallur edhe hero në Kroaci, pasi kishte treguar trimëri dhe heroizëm, në mbrojtje të qyteteve kroate, gjatë luftës së fundit në këtë vend.

Paraprakisht, në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, është mbajtur një akademi përkujtimore, në nderim të dëshmorit Nuhi Krasniqi, e ku morën pjesë, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ministri i veteranëve të Kroacisë, Tomo Medved, i shoqëruar edhe nga ministri i kulturës Zllatko Hasanbegoviç, ambasadorja kroate në Kosovës, Marija Kapitanoviç, zv/ministri i FSK-së, Fadil Gashi, deputet të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta në Kroaci, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, eprorë dhe ushtarak të FSK-së dhe të ushtrisë kroate, bashkëluftëtar të Nuhiut, familjarë e qytetarë të shumtë.

Këto personalitete e kanë vlerësuar lartë figurën e dëshmorit Nuhi Krasniqi.

Përkujtohen martirët e “Tusuzit”

0

Sot në 17 vjetorin e vrasjes , janë përkujtuar dhe nderuar me homazhe 27 martirët e masakrës së Tusuzit. Halim Arifi, i përlotur dhe në moshë të shtyrë kujton mëngjesin e 26 majit të vitit 1999, kur pjesëtarë të makinerisë vrastare serbe kishin rrethuar lagjen “ Tusuz”, me ç’rast e kishin ndarë nga familjarët edhe djalin e tij 22 vjeçar , Hajrimin, student të historisë , të cilin e kishin vrarë në oborrin e shtëpisë.

Atij nuk i hiqet nga mendja tmerri i asaj dite ku fatin e djalit të tij e kishin edhe 54 civilë tjerë në mesin e të cilëve 27 banorë të kësaj lagje.
Për të përkujtuar të vrarët në këtë masakër, jetën dhe veprën e martirëve e kanë nderuar me homazhe në Memorialin e Tusuzin familjarë të martirëve dhe dëshmorëve, veteran e invalid të luftës, qytetarë dhe përfaqësues të të institucioneve lokale dhe disa partive politike.

Veterani i UÇK-së nga kjo lagje, Hajrim Çengaj, dhe sekretari i degës së OVL të UÇK-së në Prizren, Isa Berisha, thanë a se armiku gjakpirës, duke parë se nuk mund të të arrinte suksese në fushën e nderit kundër ushtarëve të lirisë, nga humbjet e shumta masakroi popullatën e pafajshme siq ndodhi në lagjën Tusuz 17 vite më parë, ndaj civilëve të cilët nuk deshën të largohen nga pragu i shtëpive të tyre. Për të nderuar jetën dhe veprën e martirëve të Tusuzi, kishte ardhur edhe një delegacion i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast deputeti Mytaher Haskuka, tha se liria të cilën po e gëzojmë sot kishte sakrifica sublime nga tërë populli ynë, dhe çmimi i asaj lirie tha ai, ishte edhe gjaku i martirëve të shumtë të cilët me sakrificën e tyre nuk i shpëtuan dorës gjakatare të armikut në kuadër të përpjekjeve shekullore për lirinë e Kosovës.

Në emër të familjeve të martirëve të kësaj lagje, ka folur Islam Thaçi, i cili tha se sot është një ditë ku ne si familjarë jemi të përfshirë nga emocione të shumta, sepse kujtojmë prindërit, vellëzerit dhe motrat tona, të cilët u vranë vetëm se ishin shqiptarë. Shqetësim i yni tha ai, mbetet fakti se deri më tani autorët e këtij krimi nuk janë vënë para drejtësisë, dhe për këtë ai kërkoi më shumë angazhim nga institucionet vendore e ndërkombëtare. Gjatë luftës, lagjja Tusuz ishte njëra nga bazat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe luajti një rol të rëndësishëm në masovizimin e radhëve të UÇK-së për zonën e Vërrinit, prandaj kjo lagje si e tillë ishte bërë halë në sy për regjimin pushtues serb. Në muajt mars – maj 1999, në kohën kur forcat miltare dhe paramilitare serbe me dhunë e shpërngulte popullatën shqiptare për në Shqipëri, Tusuzi ishte shndërruar në një çerdhe të fuqishme për UÇK-në, dhe prandaj shumica e banorëve të saj nuk i lëshuan shtëpitë e tyre… /TV Prizreni/

Shtyhet gjykimi ndaj Ragip Begajt

0

Kryetari i Malishevës e kishte njoftuar Gjykatën se do të mungonte për shkak se do të priste një delegacion nga Kroacia. Begaj akuzohet se ka shpërdoruar pozitën zyrtare dhe autorizimet e tij.

Seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj, i akuzuar për vepër penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, është shtyrë për mungesë të tij.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, kishte pranuar një parashtresë nga Emrush Kastrati, avokati i të pandehurit, për shtyerjen e kësaj seance pasi që Begaj do të priste sot një delegacion nga shteti kroat.

Për këtë Gjykata kishte njoftuar edhe prokurorin special, Haki Gecaj, që të mos paraqitej në gjykimin e sotshëm pasi ai do të shtyhej për mungesë të kushteve për mbajtje të gjykimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës i pandehuri Ragip Begaj gjatë muajve qershor-gusht të vitit 2014, në cilësinë e personit zyrtar, ka shpërdoruar pozitën zyrtare dhe autorizimet e tij me qëllim që një të dëmtuari t’i shkaktojë dëm, duke ia shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës.

Prokuroria e Shtetit pretendon se edhe pse i dëmtuari kishte kontratë të lidhur me Drejtorinë e Arsimit deri më 01.10.2015 si drejtor i shkollës fillore të mesme të ulët ‘Ganimete Tërbeshi’ në fshatin Astrazub, i pandehuri me dashje dhe me dijeni ka hapur konkurs pa ia ndërprerë më parë marrëdhënien e punës të njëjtit, duke e lënë pa vend pune dhe të ardhura për jetën.

Rreth këtij rasti gjyqësor KALLXO.com ka raportuar edhe më parë.

Shembja e dheut në Korishë mund të jetë fatale për banorët

0

Tash e një vit, në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit, shembjet e dheut janë duke rrezikuar qytetarët e këtij fshati. Për këtë çështje, banorët e këtij fshati nuk lanë derë pa trokitur si në institucionet komunale ashtu edhe në ato qendrore, si dhe kanë organizuar peticionin të cilin do ta dorëzojnë në organet kompetente të Komunës së Prizrenit.

Asambleisti i VETËVENDOSJE!-s në Prizren, Arbër Rexhaj, tha se në pjesën e sipërme te fshatit Korishë javëve të fundit dheu ka përbirë disa objekte, ndërsa ka prekur edhe shtëpitë. “Prona dhe sidomos jeta e qytetarëve është në rrezik. Nëse nuk intervenohet brenda një jave, Korisha rrezikon ta pësojë njëjtë si Restelica, madje edhe më keq. Drejtoria e Emergjencës duhet të reagojë menjëherë dukë bërë evakuimin e dy lagjeve të këtij fshati, ashtu që t’i parandalojmë dëmet në njerëz nga një katastrofe të mundshme”, tha ndër të tjera Rexhaj, duke shtuar se Drejtoria e Emergjencave po mundohet me një ekskavator ta sanojë gjendjen, por një gjë e tillë është e pamundur.

Drita Millaku, asambleiste e Lëvizjes në Prizren, i bëri apel Komunës dhe drejtorive përkatëse që të intervenojnë sa më shpejt në këtë fshat. “Shpëtimi i jetës dhe pronës së qytetarëve është obligim për të gjithë ne, prandaj kërkojmë ndihmën e të gjithëve ashtu që të rritet presioni publik ndaj institucioneve gjegjëse. Nëse nuk intervenohet menjëherë, përgjegjëse për gjendjen atje do të jenë institucionet”, theksoi Millaku.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga Komuna e Prizrenit që urgjentisht t’i qaset këtij problemi me seriozitetin më të madh, sepse çdo vonesë mund të jetë fatale për shumë banorë të Korishës./PrizrenPress.com/

Itali, mbytet anija me emigrantë, 30 të vdekur

0

Një tjetër anije me emigrantë është fundosur në Mesdhe. Sipas mediave italiane anija është përmbysur në kanalin e Sicilisë, 35 milje larg nga brigjet e Libisë.

Në anije raportohet se ishin rreth 100 persona. Alarmi është ngritur nga përfaqësues të misionit të Bashkimit Europian, të cilët kanë nisur operacionet e kërkimit-shpëtimit në det. Raportohet se deri më tani kanë humbur jetën 20-30 persona, ndërsa 50 të tjerë janë shpëtuar.

Lavatriçja më e madhe e pastrimit të parave? Londra!

0

Nëse shtrohet pyetja se cili është vendi më i korruptuar në botë, përgjigjia e parë që jepet bazohet në nivelin e korrupsionit të perceptuar. Zakonisht mendohet për vendet amerikano-latine, ato afrikane, apo edhe ballkanase. Por vendi më i korruptuar është Anglia.

Nuk bëhet fjalë për një korrupsion që ka të bëjë me administratorët publikë, policët, apo kryetarët e bashkive, por për një lloj korrupsioni që ushqen sistemin ekonomik të Anglisë. Dhe në të gjithë këtë, qeveria dhe qytetarët britanikë nuk e kanë kuptuar emergjencën që po kalon vendi.

Këto vlerësime janë dhënë nga gazetari i njohur Roberto Saviano në Parlamentin britanik, i thirrur nga deputeti laburist David Lammy pikërisht për të ekspozuar situatën.

Sipas gazetarit italian, “në Mbretërinë e Bashkuar llogaritet të pastrohen 57 miliardë stërlina në vit”. “Bursa City e Londrës, por edhe Wall Street, janë lavatriçet më të mëdha të parave që rrjedhin nga trafiku i drogës”, ka thënë Saviano, duke cituar studime të institucioneve si National Crime Agency, apo Transcrime.

Për shkak të shërbimeve që ofron, Londra është një sistem financiar ndërkombëtar ku kryhen transaksione nga e gjithë bota, me vlerë miliarda stërlina në vit. Por njëkohësisht, kryeqyteti anglez ndodhet në qendër të sistemit më të rëndësishëm “offshore” në botë.

Shumë kapitale ndërkombëtare që kalojnë përmes parajsave fiskale si ishujt Kajman, apo të tjera, kanalizohen më pas në bankat e Londrës dhe konsiderohen të pastra, pavarësisht se më parë kanë qenë para të pista që kanë ardhur nga trafiku i drogës.

Në vijim të raportimit të tij, Saviano ka vënë në dukje se, mafiet tradicionale italiane, por edhe ato ruse e të tjera që nuk kanë problem si të bëjnë para por se si t’i pastrojnë ato, kanë depërtuar në sistemin financiar britanik në heshtje.

“Nuk ka kufoma në rrugë, apo masakra. Në Meksikë apo Itali, mes kufomave, gjakut dhe konfiskimeve të drogës nuk mund të mos mendosh se mafia ekziston. Edhe në Londër ekziston, por është e heshtur, vepron nën hije. Nuk ka aromën e gjakut, por atë të sigurimit të parave”, ka thënë gazetari i njohur.

Rëndësinë e situatës duket se e ka kuptuar shtypi britanik. Një shkrim investigativ i “The Guardian” për grataçelën rezidenciale më të lartë të Londrës, St George Wharf Tower, tregon se shumica e apartamenteve zotërohen nga të huaj dhe qëndrojnë të boshatisur shumicën e kohës, ndërkohë që shumica e anglezëve nuk arrijnë të gjejnë shtëpi me qera të pranueshme.

Është një ndërtesë që ofron të gjitha shërbimet, por që nuk përdoret për t’u banuar dhe shërben më tepër si një kasafortë prej çementoje për të ruajtur paratë e investuara.

/ Top Channel

Botohet monografia “Luleborë Sharri”

0

Para 10 vitesh, kur shënohej 15-vjetori i themelimit të Klubit Letrar “Luigj Gurakuqi” nga Dragashi, ishte marrë iniciativa dhe vendimi për hartimin e një monografie, madje që atëherë ishte kryer pjesa më e madhe e punës, por për shkaqe financiare kjo monografi kishte mbetur pa u botuar. Sot, në shënimin e 25-vjetorit të klubit, monografia e ka parë dritën e botimit dhe, siç thotë për Radio Sharrin, njëri nga autorët e saj – Demir Reshiti, në këtë çerekshekull ishte vendosur nga kryesia e klubit qe kjo monografi të botohej medoemos.

“Përfundimisht i përvolëm krahet dhe e plotësuam këtë vendim të para një dekade. Krejt kjo, falë disa njerëzve të vullnetit të mirë, të cilët nuk janë biznesmenë por vetëm dashamirë të artit”, tha Reshiti.

Klubi Letrar “Luigj Gurakuqi” ishte themeluar nga një grup i të rinjve opojanë, të cilët reflektuan talent në të shkruar, në krijimtari poetike apo publicistike. Themelimi i Klubit Letrar ishte një ngjarje me rëndësi historike dhe sot, me qëllim të afirmimit të kësaj ngjarjeje historike si vlerë që la gjurmë në kulturën e kësaj treve, dy krijues opojanë, anëtarë dhe themelues të Klubit, Demir Reshiti dhe Ibrahim Skenderi, janë angazhuar në hartimin e një monografie kushtuar 25 vjetorit të aktivitetit të Klubit.

Monografia me titullin simbolik “Luleborë Sharri” sot ka dalë nga shtypi, me 140 faqe përmbajtjeje dhe me një dimension të veçantë, i shtypur në letër kualitative dhe me album fotografish në kolor. Përurimi i monografisë është paraparë të bëhet më 4 qershor 2016, në kuadër të Manifestimit tradicional letrar “Sofra e Ymer Prizrenit”, në fshatin Zgatar të Opojës/Radio Sharri/