24.6 C
Prizren
E premte, 6 Qershor, 2025
Home Blog Page 6535

Policia konfiskon armë dhe municion në Prevallë të Prizrenit

0

Në Prevallë të Prizrenit gjatë një kontrolli në veturën e një personi të dyshuar është gjetur dhe konfiskuar një armë gjysmë automatike me 11 fishekë të kalibrit 7.62mm si dhe tre brisqe patentë.

Policia bën të ditur se me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com

Prizren: Gjuajnë me armë në dasmë, arrestohen dy persona

0

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, pasi që në një aheng familjar kanë shtënë me armë zjarri.

Policia bën të ditur se ka konfiskuar një pushkë gjuetie llojit “Altay Magnum” së bashku me pesë fishekë të kalibrit 12mm.

Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com

Dy aksidente në Prizren, goditet një këmbësor

0

Dy aksidente të trafikut kanë ndodhur në Prizren.

Në fshatin Gernqare, një shqiptar duke lëvizur me veturën “VW Caddy” nga pakujdesia dhe mos përshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës ka goditur një këmbësor boshnjak.

Policia bën të ditur se viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor.

Aksidenti tjetër ka ndodhur në rrugën “Ismet Jashari” ku një person deri sa ishte duke drejtuar veturën “Opel kadet” nga pakujdesia ka goditur veturën Renault Clio. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore pëson viktima dhe një pasagjere femër. /PrizrenPress.com

Zëvendësministrat mbi baza politike, e jo profesionale

0

Po bëhen gati 10 muaj që kur Qeveria e Kosovës, në krye me Isa Mustafën, ka marrë pëlqimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por kabineti qeveritar i Mustafës ende po vazhdon në “heshtje” të kompletohet me zëvendësministra, të cilët emërohen herë pas here.

Duket se askush nga ky kabinet nuk e ka të qartë se a ka përfunduar emërimi i të gjithë zëvendësministrave që janë rezultat i pazarit politik të dy partive që bashkëqeverisin – Lidhejs Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Partitë opozitare kanë kritikuar në vazhdimësi qeverinë për emërim kohë pas kohe të zëvendësministrave dhe mungesës së transparencës në këtë drejtim. Kritika të vazhdueshme nga ana e tyre ka pasur edhe për emërimin e anëtarëve të bordeve në ndërmarrje publike.

Edhe pse ishte paralajmëruar se do të ketë mbi 50 zëvendësministra, ky numër ende nuk është përcaktuar, ndonëse krerët e koalicionit Mustafa-Thaçi disi kanë vendosur që emërtimin e tyre ta bëjnë larg syve të opinionit.

Njohës të rrethanave politike në Kosovë dhe përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se emërimi i zëvendësministrave dhe anëtarëve të kabineteve të qeveritarëve, duke filluar nga këshilltarët politikë, që nga paslufta nuk është bërë asnjëherë në baza profesionale në mënyrë që të rrisin përformacën e dikastereve qeveritarë, por vetëm sa për t’i rehatuar njerëzit e partive në pushtet. Kështu po veprohet edhe tash.

Disa nga kritikuesit e kësaj praktike, jo rrallë thonë se kështu si veprohet, më mirë do të ishte të mos kishte fare as zëvendësministra e as këshilltarë, pasi siç thonë ata, kjo vetëm po e ngarkon buxhetin.

Por, për këtë nuk pajtohen edhe krerët e partive politike pasi ata duan që në këto poste t’i rehatojnë militantët partiakë.

Ashtu siç ka raportuar edhe më herët KosovaLive, Qeveria e Kosovës vlerësohet të ketë bërë gabime në strukturën e zëvendësministrave, pasi sipas njohësve të çështjeve politike, ata janë emëruar në bazë të preferencave politike e jo në bazë të profesionit.

Ndonëse në uebfaqet e ministrive mungojnë të dhënat se kush janë zëvendësministrat dhe këshilltarët politikë në ministri të ndryshme, KosovaLive është munduar të mbledh të dhëna rreth numrit dhe përgatitjes profesionale të zëvendësministrave, veçmas përputhjes së përgatitjes profesionale me postin që e ushtrojnë.

KosovaLive ka arritur të siguroi të dhëna vetëm për 28 zëvendësministra, emrat e të cilëve janë bërë publik nga Qeveria e Kosovës.

Më 11 mars, Lirak Çelaj është emëruar zëvendësministër i Drejtësisë, ndonëse ai ka të përfunduar Fakultetin e Arteve në Degën a Artit Dramatik, Drejtimi i Aktrimit më 1995. Çelaj i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Ai është edhe anëtar i Këshillit Drejtues së PDK-së. Thuhet se Çelaj ka ndjekur disa shkolla dhe kurse politike në Kosovë dhe në rajon, por jo edhe në fushën e drejtësisë.

Ramadan Iliazi, i cili në kohën e parafushatës iu bashkua kabinetit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, duke vepruar si këshilltar i tij, nga ky post tashmë është emëruar zëvendësministër i Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Ilazi ka përfunduar studimet master në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, me fokus në studime për paqe dhe konflikt në Universitetin e St.Andrews në Skoci, në kuadër të bursës Chevening të Ministrisë së Jashtme Britanike.

Në Ministrinë e Financave është emëruar zëvendësministër Agim Krasniqi, i cili ka qenë drejtor i buxhetit në këtë ministri. Pas Krasniqit në Ministrinë e Financave është emëruar zëvendësministër Isni Kilaj, i cili ishte kryetar i Malishevës për dy mandate dhe kryetar i Degës së PDK-së në këtë komunë. Ai ka të përfunduar Fakultetin Ekonomik, në drejtimin Ndërmarrje-Kontabilitet.

Nga posti i drejtorit të ndërmarrjes shoqërore “Trepça”, më 11 mars është emëruar zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala. Ai ka të përfunduar Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë, ndërsa për 4 vitet e ardhshme do të jetë zëvendësministri i Ferid Aganit, i cili nga mjekësia synon “t’i shërojë mjedisin edhe ashtu të ndotur të Kosovës”.

Përveç Shalës, zëvendësministër në këtë ministri është edhe djali i madh i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Mendim Rugova. Ai nuk ka qenë aktiv në politikë kurrë. Ai është fotograf, e së fundi është angazhuar në fushën e meteorologjisë. Ministri Agani në kabinetin e tij ministror ka edhe 6 këshilltarë.

E ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, duket se ka nevojë për më shumë zëvendësministra dhe këshilltarë. Ai në kabinetin e tij ka tre zëvendësministra dhe pesë këshilltarë. Kurtan Kajtazi, Kadir Huseini dhe Izet Sadiku janë zëvendësministra të Shëndetësisë.

Qeveria e Kosovës duket ta ketë parë të arsyeshme që në kabinetin e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, të jetë një zëvendësministre, e cila nuk ka të bëjë asgjë me fushën e arsimit.

Anila Statovci-Demaj ka të përfunduar Fakultetin Ekonomik. Ajo ka punuar një kohë si asistente në këtë fakultet, e më pas ka vazhduar studimet e doktoratës në Vjenë pranë Universiteti për Ekonomi dhe Administrim Biznesi.

Ajo është pjesë e politikës nga maji i vitit 2014 me ç’rast i ishte bashkangjitur ekipit të ish-kryeministrit Thaçi si këshilltare politike.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që udhëhiqet nga Arban Abrashi, mungojnë të dhënat për zëvendësministra. Dihet se zëvendësministra në këtë ministri janë emëruar Qazim Rahmani dhe Rita Hajzeraj-Beqaj, por nuk ka të dhëna për përgatitjen profesionale të tyre. Dihet se Hajzeraj-Beqaj ka qenë deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës në mandatin e kaluar.

Këta janë vetëm disa nga emrat të cilët janë bërë publik nga ministri të ndryshme. Ka shumë nga ministritë që nuk kanë publikuar emrat e kabineteve ministrore dhe kjo nga analistët vlerësohet si fshehje nga ky kabinet qeveritar.

Kohë më parë, KosovaLive ka raportuar se sa pritet që të shpenzojë Qeveria e Kosovës për katër vitet e ardhshme, respektivisht sa do t’i kushtojë ajo taksapaguesit kosovar. Sipas një parallogaritje të thjeshtë një zëvendëskryeministër do t’u kushtojë qytetarëve të Kosovës rreth 215 mijë euro.

Duke u bazuar në këto parallogaritje pagat e 20 ministrave do të kushtojnë mbi 1.2 milion euro. Pagat e rreth 170 këshilltarëve në kabinetet e qeveritarëve do të krijojnë rreth 5.4 milionë euro shpenzime për katër vite; pagat e 190 nëpunësve të kabineteve do të kushtojnë 3.1 milionë euro; e pagat e 60 vozitësve mbi 489 mijë euro.

Kabinetet ministrore për telefoni fikse dhe mobile, dreka zyrtare dhe për karburante për vetura do të shpenzojnë rreth 4 milionë euro, shifër kjo që nxirret nëse merren për bazë shpenzimet e këtilla në vitin 2013.

Këto pak të dhëna për shpenzimet që mund t’i ketë kabineti i tashëm qeveritar tejet i madh flasin mjaft për faktin se shteti i varfër i Kosovës, do ta mbajë një qeveri shumë të shtrenjtë. /KosovaLive

Veteranët luftëtarë të zhgënjyer me qeverinë, paralajmërojnë protesta

0

Javën që shkoi Qeveria e Kosovës përcaktoi shumën e pensionit për veteranët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendim të cilin e ndryshoi pas dy ditësh për shkak të presionit nga pakënaqësia e veteranëve.

Fillimisht të mërkurën u vendos që lartësia e shumës së pensionit për veteranët deri në moshën 35 vjeçare të jetë 130 euro, ndërsa mbi moshën 35 vjeçare 170 euro, ndërsa pas dy ditësh u vendos që për të gjithë veteranët shuma e pensionit të jetë 170 euro.

Kryeministri Isa Mustafa, duke mos e pranuar se ndryshimi u bë për shkak të reagimit të shoqatave të luftës, tha se është konstatuar që numri i atyre veteranëve që janë nën moshën 35 vjeçare është shumë i vogël dhe se me pëlqim të Ministrisë së Financave dhe asaj të Punës dhe Mirëqenies Sociale janë dakorduar që kjo shumë të jetë 170 euro për të gjithë.

Ndonëse ende nuk janë publikuar listat përfundimtare të Komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së, në adresë të të cilit kanë arritur afër 22 mijë ankesa, qeveritarët kanë llogaritur se statusin e veteranit luftëtar do ta kenë rreth 14 mijë veta.

Edhe pas vendimit të dytë të Qeverisë së Kosovës janë deklaruar të pakënaqur veteranët dhe përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.

Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, thotë për KosovaLive se në marrëveshjen që kanë pasur veteranët me qeverinë ka qenë e paraparë që ata të paguhen diku 220 euro dhe pagesa të bëhet në mënyrë retroaktive që nga 1 janari i këtij viti.

Qeriqi thotë se vendimet e fundit të qeverisë, janë të papranueshme për veteranët.

“Ne me marrëveshjen që e kemi pasur me qeverinë dhe në takimet që kemi zhvilluar me kryeministrin Isa Mustafa jemi marr vesh që pensioni për veteranet të jetë diku 220 euro, po ashtu e kemi diskutuar edhe për buxhetin që është ndarë për këto kategori dhe premtimi i kryeministrit ka qenë që sado të vonohet ky proces veteranët t’i marrin pensionet në mënyrë retroaktive nga janari i këtij viti. Kjo nuk ka ndodhur dhe ne jemi të dëshpëruar, po ashtu, edhe veteranët e luftës me të cilët jam në kontakt ku sot kam qenë në dy komuna kam biseduar me ta dhe më kanë thënë se është një vendim i tillë është i papranueshëm”, thekson Qeriqi.

Ai thotë se veteranët janë të dëshpëruar me vendimin e fundit të qeverisë që veteranët luftëtarë të paguhen 170 euro, ndërsa paralajmëroi se gjatë javës së ardhshme do të ketë edhe protesta.

“Qeveria fillimisht në vendimin e mëhershëm që e ka marrë ka bërë shkeljen e ligjit për arsye se në bazë të ligjit nuk mund të ketë kategorizime brenda veteranëve luftëtarë pra kur i caktuan dy shuma 130 nën moshën 35 vjeçare dhe 170 euro mbi moshën 35 vjeçare kështu që jemi duke diskutuar dhe do të marrim një vendim rreth protestës që do ta mbajmë. Jemi duke diskutuar me veteranët dhe me gjasë që do të ketë protestë në bazë të asaj që po e shoh tek veteranët “, tha Qeriqi.

Edhe Xhavit Jashari, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, ka pohuar për KosovaLive se marrëveshja e veteranëve me Qeverinë e Kosovës ka qenë që pensionet e tyre të jenë 220 euro dhe jo më pak se paga minimale në Kosovë.

“Reagimi ynë ka qenë për shkak se ky vendim ishte në shpërputhje dhe në kundërshtim me vlerat e luftës . Në ligj thuhet se pensioni i veteranit të mos jetë nën pagën minimale që llogaritet në Kosovë. Ne kemi pasur një marrëveshje me Qeverinë e Kosovës që pensionet e veteranëve pas verifikimit të tyre të merren në formë retroaktive nga 1 janari 2015 dhe gjithashtu një shumë e cila ka qenë e pranueshme deri diku ka qenë që pensioni për veteranin e luftës të jetë 220 euro.

E papranueshmja më e madhe ka qenë që të ndahen veteranët në moshë, kjo s’mund të ndodhë sepse ata kanë dhënë kontribut të barabartë në luftë, kanë qenë në gjendje të sakrifikojnë edhe jetën për të ardhur te liria. Ne kërkojmë që marrëveshja të respektohet sepse ligji nuk lejon që beneficioni ose paga të jetë nën pagën minimale në Kosovë dhe kërkesa jonë është që veteranët ta kenë një pension dhe një jetë të dinjitetshme”, nënvizoi Jashari.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që kur të formoj komision për ta vënë në funksion zbatueshmërinë e kësaj pjese të ligjit për vlerat e luftës së veteranëve të mos nxjerr akte nën ligjore pa qenë prezent edhe përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta.

“Gjithçka që është në përputhje me ligjin dhe që e bën jetën e dinjitetshme për veteranin do të jetë e pranueshme për neve në të kundërtën ne do të reagojmë sepse është obligim për institucionet t’u sigurojë një jetë të dinjitetshme veteranëve”, deklaron Jashari.

Ndërkohë sa i përket verifikimit të listave të veteranëve ai ka thënë se ky proces është në përfundim kurse veteranët që nuk kanë qenë raste të kontestuara tashmë janë pajisur me certifikata që u është njohur e drejta e veteranit.

Rikujtojmë se deri më tani mbizotëron vlerësimi se procesi i verifikimit të luftëtarëve u manipulua dhe dolën shumë probleme e paqartësi që në start kur filluan të publikohen listat e Komisionit qeveritar për verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së.

Se procesi i verifikimit u manipulua dhe u degradua flet fakti se kishte shumë të pakënaqur dhe tani ky komision nuk po ia del në krye me shqyrtimin e rreth 22 mijë ankesave që kanë arritur në adresë të tij nga të pakënaqurit me verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së. /KosovaLive

Mjekët do t’i nënshtrohet vizitave sistematike mjekësore

0

Jo vetëm pacientët, por tani e tutje edhe stafi mjekësorë do t’i nënshtrohet vizitave sistematike mjekësore. Shërbimi Spitalorë Klinik Universitarë i Kosovës (SHSKUK), në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka filluar me realizimin projektit që ka të bëjë me vizitat sistematike të punëtorëve shëndetësorë.

Sali Bllaca, zyrtar për siguri dhe shëndet në punë në SHSKUK, ka thënë se meqë kjo është paraparë edhe më ligjin e punës që të dihet gjendja shëndetësore e punëtorëve shëndetësorë, ky projekt ka filluar të zbatohet në QKUK, ndërsa parashihet që të aplikohet edhe në qendrat tjera mjekësore të Kosovës.

“Rëndësia e këtyre vizitave është që të dihet saktë gjendja fizike dhe psikike e punëtorëve shëndetësor. Në këtë pako përfshihen analizat biokimike, një rengen nga radiologu, pulmologu, kardiologu, psikiatri, neurologu, ORL-ja. Oftamologu dhe të gjinia femërore nga gjinekologu”, ka deklaruar Bllaca.

Ndërsa kardiologu Basri Sejdiu ka thënë për Radio Kosovën se ata që mjekojnë duhet të jenë edhe vetë të shëndoshë, andaj vizitat e tilla, janë të mirëpritura.

“Mund të evidentohen edhe sëmundje të cilat më herët nuk kanë qenë të evidentuara. Sa i përket sistemit kardiovaskular shpesh hasim nëpër ambulance pësona të cilët vuajnë nga s’mundje të ndryshme koronare të cilat nuk kanë pasur simptome, mirëpo gjatë vizitave sistematike mund të evidentohen dhe është një përparësi e madhe se ai që mjekon njëkohësisht duhet të jetë edhe për veti i shëndoshë”, ka thënë Sejdiu.

Projekti do të zgjasë deri në fund të këtij viti, duke përfshirë tërë territorin e Kosovës.

Hetim e ndëshkim për plagjiatët

0

Përgjegjësit për manipulim të dijes në institucione të arsimit të lartë në Kosovë duhet të ndëshkohen. Kështu kanë kërkuar të shtunën anëtarë të Komisionit Parlamentar për Arsim.

Ata kanë thënë se përhapja e plagjiaturës te profesorët, si dhe studentët që u larguan nga lista e bursave të USAID-it, sinjalizon “bombën” që ka rënë në arsimin e lartë.

Ismail Kurteshi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim, ka thënë se për të luftuar plagjiaturën së pari duhet të funksionojë shteti ligjor, duhet të ekzistojë edhe institucioni i përgjegjësisë.

“Por, gjeneratat më të vjetra, profesorë e pushtetarë po e shkelin ligjin përherë dhe në çdo formë, në format më të vrazhda dhe nuk po përgjigjen edhe atëherë kur janë para organeve të drejtësisë, madje po tallen me to siç janë rastet e arrestimeve, spitaleve, daljeve, ikjeve, por dhe po mbeten pa dhënë kurrfarë përgjegjësie për ata që kanë shumë argumente që ose kanë falsifikuar diploma…, dhe askush nuk po merret me këto raste”.

Kurteshi thotë se plagjiaturë kanë bërë profesorët e që në fakt duhet të jenë shembull për studentët. /Zëri

Veteranët ndjehen të përbuzur nga vendimi i Qeverisë

0

Rreth 50 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të kompanisë së parë të brigadës 134 “Bedri Shala”, kanë marr të shtunën certifikatën e veteranit të luftës së UÇK-së.

Komandanti i kësaj brigade, Skender Misiri, tha se është i lumtur që tashmë po shpërndahen certifikata për të vlerësuar punën e ushtarëve gjatë kohës së luftës, ndonëse certifikatat u ndanë vetëm për një pjesë prej tyre.

Misiri duke kritikuar vendimet e qeverisë për të ndarë 170 euro në muaj për veteranët, tha se kjo është shumë është e vogël për punën që kanë bërë ata.

“Kjo brigadë e mban emrin me nder dhe respekt për Bedri Shalën. Sot është numër prej 50 vetave, sepse ushtarët tjerë janë në diasporë dhe nuk kanë mundësi për shkak të kushteve të ndryshme të vijnë të gjithë. Unë mendoj që shuma 170 euro nuk është e mjaftueshme dhe qeveria duhet rishikuar edhe njëherë këtë vendim”, tha Misiri.

Ndërsa, vëllau i dëshmorit Bedri Shala, Ilmi Shala tha se UÇK ka qenë një ushtri e organizuar mirë për mbrojtjen e vendit. Ai kritikoi qeverinë për përbuzjen që po i bënë kësaj shtrese.

“UÇK është një ushtri e përbërë dhe e organizuar mirë për një të ardhme të mirë të këtij populli, i cili ka qenë me shekuj i robëruar. Është një akt që vërtetë ia vlen të ketë një organizim të tillë edhe më të mirë dhe të jetë një datë dhe një certifikim historik. Nuk ia vlen sepse e kjo shtresë e këtyre djemve dhe burrave që kanë dhënë edhe jetën, atë më të çmuarën, nuk ia vlen nëse shteti jonë ose vendi ynë nëse don një të ardhme sikur të gjitha shtetet duhet të përkushtohet për këtë shtresë, e cila dha atë çka patë nga vetvetja”, tha Shala.

Rikujtojmë se edhe veteranët tjerë reaguan lidhur me vendimin e Qeverisë që ata t’i gëzojnë vetëm 170 euro. /KosovaLive

Festari i Suharekës: Muzikë, teatër, sport dhe bamirësi

0

Festa e rinisë, e njohur ndryshe si Festari, në Komunën e Suharekës, ka nisur të hënën dhe do të përfundojë këtë të diel.

Festari, i cili ka filluar të mbahet në komunën e Suharekës, që nga viti 2002, e tani është bërë festë tradicionalë në këtë komunën, mbahet në javën e fundit të muajit shator me aktivitete të ndryshme, kulturore, sportive, artistike, humanitare.

Në kuadër të kësaj feste zhvillohen aktivitet të ndryshme, si gara të ndryshme sportive, shfaqje teatrale, koloni të artistëve nga disa shtete të ndryshme ngjarje bamirësie.

Zëdhënësi i komunës së Suharekës, Reshat Reshitaj, tha për KALLXO.com, se festari është bë tani më një festë tradicionale për komunën e Suharekës.

“Festari është festa e rinisë dhe e gjithë qytetarëve të komunës së Suharekës, e cila ka filluar që nga vitit 2002 dhe kjo është hera e 14, do të thotë është bë tradicionale dhe çdo herë organizohet në javën e fundit të muajit shtator”, thotë Reshitaj.

Po ashtu i njëjtit tregoi se në kuadër të festarit është edhe kolonia e artistëve që vini nga Kanadaja, Bullgaria, Shqipëria, Maqedoni.

“Artistët janë jo vetëm mbarë kombëtar por edhe ndërkombëtarë, kemi nga Kanadaja, Bullgaria, Shqipëria, Maqedoni e kështu me rradhë”.

Artistë vijnë nga disa shtete, ku pikturojnë piktura të ndryshme, për komunën e Suharekës, të cila komuna më vonë i përdorë për dhurata për delegacione të ndryshme.

Në kuadër festarit u realizua edhe dhurimi i gjakut. Disa qytetarë kanë dhënë gjak në kuadër të këtij aktiviteti, me moton “dhuro gjak, shpëto një jetë”.

Festari do të zgjatë deri ditën e diel, ku do të përmbyllet me turnirin e pingpongut. /Kallxo.com

Shkrimtari Ylljet Aliçka botohet në çekisht

0

Gjatë natës dhe promovimit të veprës, do të mbahet edhe debat me temë: “Të mendojmë, të punojmë, të jetojmë si revolucionarë”, me pjesëmarrjen e kritikës dhe medias çeke.

Biblioteka “Václav Havel Library”, organizon më 22 tetor 2015, në ora 19 promovimin e librit “Kur Hrushovi kaloi pranë fshatit tonë” të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar Ylljet Aliçka, me temë: “Të mendojmë, të punojmë, të jetojmë si revolucionarë”, me pjesëmarrjen e kritikës dhe medias çeke.
Gjatë natës do të mbahet edhe lexim nga vepra, ndërsa libri do të prezantohet nga Ambasadori Shqiptar në Ceki, Riza Poda. Nata do të modelohet nga Hana Tomkova.

Tregimet e shkurtra të Aliçkës sjellin në retrospektivë jetën dhe përditshmërinë shqiptare, komunizmin dhe kolapsin. Autori tregon eksperiencën e tij në shtetin i cili në krahasim me shtetet tjera evropiane kaloi në regjime të ndryshme, në zhvillimet politike të rrepta dhe ideologji të llojllojshme. Të lexosh letërsi në vitet e 80-ta në Shqipëri ishte e ndaluar, shumë autorë ishin të ndaluar nga shteti dhe u futën në listën e zezë të shtetit. / KultPlus.com