13.6 C
Prizren
E mërkurë, 13 Maj, 2026
Home Blog Page 6582

Rikthimi i Enver Hoxhajt në bastionin suharekas, goditje për MPJ-në

0

Ministri në ardhje instaloi rrjet klientelist dhe korruptiv

Drejtimi i Ministrisë së Jashtme nga ana e PDK-së gjatë mandatit të kaluar, saktësisht nga i zgjedhuri prej këtij subjekti politik, Enver Hoxhaj, sipas raportimeve të ndryshme në medie, gjatë atij mandati ishte cilësuar si njëri nga rastet më eklatante të instalimit të rrjetit nepotik dhe lokalist në një dikaster qeveritar. Tani me rikthimin e tij në të njëjtën pozitë, po cilësohet nga opozita dhe analistët politikë si një vazhdimësi e shndërrimit të MPJ-së nga Hoxhaj në një bastion akoma më të fuqishëm të suharekasve, me një rrjet të fortë nepotist, duke krijuar mundësi rehatimi dhe sistemimi të njerëzve më jokompetentë, thuajse analfabetë, nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe ambasada gjithandej nëpër botë. Ky rrezik vlerë- sohet të jetë dëmi më i madh që pritet t’i bëhet, për pjesën e mbetur të këtij mandati, politikës së jashtme të Kosovës.

Deputeti i lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Ismail Kurteshi, tha për “Kosova Sot” se jo vetëm në këtë ministri, por pothuajse në të gjitha dikasteret ministrore, praktika e instalimit të rrjeteve nepotiste dhe joprofesionale në punësim është bërë “Ligj” i llojit të vet të kapjes së shtetit nga kjo klasë politike e korruptuar, prandaj është e nevojshme që shteti sa më parë të lirohet nga keqqeverisja e tyre.

“Një ndër të këqijat e mëdha, që i karakterizon institucionet e vendit në të gjitha nivelet, është nepotizmi. Kusht shumë i rëndësishëm për punësim, pavarësisht kualiteteve, janë lidhjet qoftë partiake qoftë familjare, ose korrupsioni. Këto dukuri të shëmtuara e pamundësojnë parimin – njeriu i duhur – në vendin e duhur, kështu i kemi degraduar institucionet, shkollat, spitalet e pse jo edhe ambasadat, pasi që me detyra të përfaqësuesit të vendit janë angazhuar njerëz, që nuk janë të zotët t’i përfaqësojnë as familjet e tyre”, u shpreh ai.

Dështoi në arsim, pa sukses në MPJ

Edhe anëtari i kryesisë së AAK-së, Muhamet Kelmendi, vlerëson se rikthimi i Hoxhajt në këtë ministri është kulmi i të gjitha dështimeve të deritanishme dhe jo vetëm ruajtjes dhe instalimit të klientelës së ngushtë lokaliste të ministrit Hoxhaj, bastionit suharekas të punësuar në MPJ. Kelmendi tha se edhe sa ishte në krye të MASHT-it, ky ministër qe i dështuar.

“Në tërësi mund të themi se kemi dështim të këtij njeriu në të gjitha drejtimet. Sa ishte ministër i Arsimit e shkatërroi në ato përmasa, saqë nuk bëri as më të voglën ecje në modernizimin dhe në rritjen e kualitetit të mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Si ministër i Punëve të Jashtme pati dështuar gjithashtu. Në mandatin e tij, pastaj edhe të Thaçit, e kështu pritet të vazhdojë edhe tash, nuk e kemi asnjë rezultat konkret në raport me botën e jashtme”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Ai ka pohuar se tri zhvillimet pozitive, dhënia e MSA-së, pranimi në UEFA dhe tash propozimi për liberalizimin e vizave janë një politikë me dy tehe e interesit politik evropian, por assesi zhvillim pozitiv i punës së MPJ-së.

“Përveç UEFA-s, ku mund të flitet për sukses të lartë, sepse Kosova u bë anëtare e barabartë e këtij subjekti të futbollit, derisa në dy çështjet e tjera kemi dështim të plotë që ndërlidhen me MPJ-në dhe drejtuesit e saj të deritanishëm. MSA-ja e ka refuzuar Kosovën si shtet, kurse edhe propozimi për liberalizimin e vizave e ka refuzuar po ashtu specifikimin dhe adresimin e këtij propozimi për Kosovën si shtet i pavarur, i barabartë me shtetet e tjera. Pra, të dy këto çështje nuk e njohin shtetin e pavarur dhe sovran. Ky është dështim absolut i politikës së jashtme në vazhdimësi. Dhe, në këtë rrugë, duke i ditur dështimet e tërësishme të Enver Hoxhajt, nuk është as politike dhe as diplomatike, zgjidhje dhe vendosja e tij përsëri në një dikaster, ku ka dështuar dhe nuk ka arritur asnjë sukses”, theksoi Kelmendi.

Dikasteri i luksit dhe jo i punës

Veç vazhdimit të traditës së dështimit të mandatit të kaluar dhe fuqizimit të klientelës rajonale në punësim në këtë ministri, asnjë qëllim tjetër të kthimit në këtë ministri të ish-ministrit Hoxhaj nuk sheh edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku.

“Politika e jashtme e vendit tonë e drejtuar nga ministri i rikthyer, Enver Hoxhaj, që në start vihet në dyshim për suksese, e për të cilat suksese ka nevojë shteti i Kosovës. Dikasteri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së vendit është parë më shumë si luks sesa si angazhim maksimal në rrugëtimin e shtetndërtimit të mirëfilltë dhe pasjen e një strategjie zhvillimore të shteti të Kosovës. Mandati i parë i ministrit të rikthyer është përcjellë me dështime nga më të ndryshmet, e deri në skandale të diplomatëve të Kosovës dhe kjo për shkak të virusit më të keq për sistemin shtetëror, e që është nepotizmi familjar e politik. Angazhimi i mirëfilltë e profesional në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës nuk duket gjëkundi. Rikthimi i Enver Hoxhajt pa e menduar periudhën e tij me skandale, është pjesa kryesore e këtij virusi që po e ndrydh shtetin e shoqërinë kosovare”, tha Maloku për “Kosova Sot”.

Femra më e dëshiruar në botë

0

Aktorja e bukur, Jennifer Lawrence, është përzgjedhur përsëri si femra më e dëshiruar në botë sipas anketës së organizuar nga ueb-faqet amerikane.

Edhe pse që nga fillimi i karrierës vazhdimisht ka qenë në goditje të kritikëve për shkak të formave të saj trupore dhe rreth disa kilogramëve të tepërt, që janë standardet rigoroze të Hollywood-it, Jennifer Lawrence, duket se po i pëlqen popullatës së meshkujve dhe atë aq shumë saqë vizitorët e këtyre ueb-faqeve e kanë vendosur në krye të top-listës së 100 femrave më të dëshiruara.

“Format e saj paksa më të plota trupore, janë ato që preferohen më shumë nga meshkujt dhe jo format thatanike. Dhe pikërisht Jennifer Lawrence ka forma të tilla të dëshirueshme, prandaj në anketë ka marrë më së shumti vota”, thuhet në komunikatën e ueb-faqeve.

Në pozitën e dytë të kësaj liste, gjendet supermodelja amerikane dhe njëra nga engjëllushet e “Victoria’s Secret”, Kate Upton, e cila gjithashtu dallohet për trupin e saj jashtëzakonisht seksi dhe paksa të plotë.

Për befasinë e shumicës, pozitën e tretë në këtë listë e ka zënë këngëtarja e mirënjohur nga Barbadosi, Rihanna.

Haradinaj: Të shtunën protesta më masive

0

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se protesta e së shtunës do të jetë edhe më e madhe sesa protesta e 9 janarit dhe se ajo e 17 shkurtit.

Presioni për dorëheqje ndaj Qeverisë, siç thotë Haradinaj në një intervistë për “Zërin”, do të rritet dhe më shumë, ndërsa zgjedhjet, sipas tij, do të mbahen në vjeshtë.

Lideri i AAK-së është optimist se protesta e të shtunës (14 maj) e organizuar nga partia e tij dhe nga Nisma do të jetë edhe më e madhe se sa protestat e kaluara të opozitës.

Ai e konsideron të dhimbshëm faktin që nuk ka vazhduar presioni i filluar me protesta të organizuara nga blloku opozitar, “VV, AAK dhe Nisma”, por lufta po vazhdon e ndarë.

Mirëpo, Haradinaj shprehet i bindur se presioni për dorëheqje ndaj Qeverisë “Mustafa” do të rritet dhe se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

I pari i AAK-së gjithashtu ka thënë se do të ishte mirë që të shfrytëzohet koha për t’u korrigjuar gabimet në Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në të kundërtën, sipas tij, kjo Marrëveshje nuk kalon në Kuvend. /Zëri/

“Anadrinia Jehon”, po ruan trashëgimin e kombit shqiptar

0

Në fshatin Dejn të Rahovecit, mbrëmë ka nisur festivali tradicional treditor folklorik, edicioni i 15-të me radhë, ku marrin pjesë ansamblet folklorike nga e gjithë treva shqiptare.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Gardalin Shtavica, potencoi se festivali “Anadrinia Jehon 2016”, tash e 15 vite e ruan traditën e trashëgimisë së muzikës folklorike të mbarë trojeve shqiptare, lashtësia e cila vazhdohet të pasqyrohet ende.

“Përmes kësaj trashëgimie pasqyrohet, jeta, puna dhe begatia kulturore dhe etnografike e një populli”, tha Shtavica.

Vajdin Berisha, kryetar i degës së OVL në Rahovec, thotë se ky festival madhështor mbahet në kuadër të “Javës së Dëshmorëve”, dhe nuk është e rastësishme që përshëndetjet i fillova nga familjarët e dëshmorëve, sepse ata janë më meritorët për iniciativën e mbajtjes të këtij festivali madhështor, i cili do të mbijetoj edhe shumë vite e dekada.

Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, tha se me festivalin “Anadrinia Jehon” tashmë indetifikohet komuna e tyre.

“Jam i nderuar që sonte gjendem në mesin tuaj për të hapur një ngjarje kaq të rëndësishme, ngjarje me të cilën tashmë identifikohet komuna jonë, festivali “Anadrinia Jehon 2016”. Ky festival tashmë i përmbush 15 vjet jete, i cili na sjell një trashëgimi të lashtë të kombit shqiptar, gjithë ato të bëmat, doket, zakonet dhe traditën kulturore përmes folklorit burimor dhe autokton dhe na sjell frymën e të parëve tanë. Përmes festivalit, i cili mbahet në kuadër të Javës së Dëshmorëve, ne i kujtojmë edhe dëshmorët të cilit kanë rënë për liri, dhe përkujtimet janë traditë e jona”, tha Vehapi.

Festivalin e kanë hapur Sh.K.A. “Anadrinia” nga Dejni, nikoqir dhe Sh.K.A. “Rahoveci”. Ndërkaq, natën e parë në konkurrencën garuese janë paraqitur me programet e tyre Sh.K.A. “Shqiponja” nga Saraji i Shkupit, Sh.K.A. “Ardhmëria” nga Gjakova dhe Sh.K.A. “Isa Boletini” nga Rogova e Hasit .

Të gjitha paraqitje i vlerëson juria në përbërje: Dilaver Kryeziu koreograf, Sami Piraj kompozitor, dhe Zymer Neziri folklorist. /PrizrenPress.com/

Prizren: Pamjet ekskluzive në sekuestrimin e pronave të familjes së dyshuar për fajde

0

Në edicionin e radhës, të premten, rubrika “POLICIA” e cila transmetohet në kuadër të emisionit “Drejtësia në Kosovë” sjell pamjet ekskluzive të operacionit të fundi të policisë në konfiskimin e pronave të familjes Kqira në Prizren, të dyshuar për fajde.

Operacioni i cili është zhvilluar javën e kaluar ka pasur cak sekuestrimin e pronave me vlerë milionëshe të cilat dyshohet se janë fituar nga veprimtaria kriminale e fajdeve.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar: një hotel, një restorant dhe veranda e tij, një objekt dhe një parcelë toke (6664 m2).

Policia në lidhje me këtë rast ka sekuestruar më herët edhe “para të gatshme 303,235.00 euro, 1,100 franga zvicerane, 700 gramë ar, 7 vetura private.

Në sekuenca të shkurtra ‘Drejtësia në Kosovë’ tashmë ka publikuar disa nga pamjet e këtij operacioni.

Clinton vetëm 1 % para Trumpit

0

Sipas rezultateve të anketës Reuters /Ipsos, të publikuar sot përkrahja e Donald Trumpit është rritur dhe tani ai pothuaj është barazuar me Hillary Clintonin.

Në hulumtimin më të ri, 41 për qind e amerikanëve që me siguri do të votojnë, do ta zgjedhin Hillary Clintonin, kandidaten e demokratëve, e 40 për qind do ta zgjidhnin Trumpin e republikanëve, ndërsa 19 për qind e votuesve janë të pavendosur.

Hetime për vdekjen e Prince

0

Detektivët në Minnesota morën në pyetje mjekun e yllit të popit, Prince, i cili e kishte vizituar këngëtarin dy herë brenda një jave, përpara se ai të ndërronte jetë.

Në mandatin e policisë thuhet ndër të tjera se, doktor Michael Schulenberg i kishte dhënë edhe një mjekim Princit më 20 prill, që do të thotë vetëm një ditë para se të vdiste. Dokumenti nuk tregon megjithatë se për çfarë ilaçi bëhej fjalë saktësisht, e as nëse 57-vjeçari e ka marrë vërtet

Forcat e policisë zhvilluan edhe një kontroll tjetër në shtëpinë e gjeniut të popit në Minneapolis, e kanë kërkuar t’i hedhin një sy kartelave mjekësore nga spitali ku punon Schulenberg. Ende nuk është e qartë se çfarë roli mund të kenë pasur narkotikët në shuarjen nga jeta të këngëtarit të famshëm.

Rezultati i ekzaminimit pas vdekjes e përjashton vetëvrasjen, ndërsa rezultatet e verifikimit të plotë mjekësor mund të kërkojnë disa javë kohë.

I përshkruar si kitarist gjenial, këngëtar i përkryer, autor fantastik e plot fantazi, Prince karakterizoi muzikën pop të shekullit të XX-të, e me vdekjen e tij të parakohshme skena humbi një nga figurat më me influencë të saj.

Spektaklet me shumë efekte të këngëtarit trupvogël, Prince Roger Nelson, janë përshkruar rëndom si panaire me ngjyra të forta të një gjeniu ekscentrik të muzikës.

Debatohet rregullorja për vullnetarizmin në Rahovec

0

Rregullorja për fuqizimin dhe promovimin e vullnetarizmit në komunën e Rahovecit i është nënshtruar një debati të gjerë me publikun. Me këtë rast në Rahovec, Krushë të Madhe dhe Ratkoc janë zhvilluar debate me të rinj dhe grupe të ndryshme të interesit që merren me angazhime vullnetare në kuadër të shoqërisë civile.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport Gardalin Shtavica, duke folur për rëndësinë e miratimit të kësaj rregulloreje, tha se aktualisht shumë të rinj e të reja angazhohen në punë vullnetare, mirëpo tani e tutje puna e tyre do të jetë e evidentuar dhe e vlerësuar.

“Rregullorja do të shërbejë për të stimuluar vullnetarizmin në komunën tonë, si dhe do të ndikojë që në këto aktivitete të përfshihen sa më shumë të rinj e të reja në punë vullnetare”, tha Shtavica.

Qemajl Krasniqi, shef i sektorit për Rini dhe Sport, ka shpalosur nene të veçanta të rregullores, duke informuar për dobinë që ka komuniteti nga puna vullnetare dhe përfitimet e vetë vullnetarëve.

Zana Morina-Zllanoga, zyrtare në qendrën rinore “SHL-Kosova”, potencoi faktin se angazhimi në punë vullnetare i disa të rinjve ju ka ndihmuar atyre që të zgjedhin një profesion dhe të sigurojnë bursa e mbështetje të ndryshme në formimin e tyre intelektual. Ndër të tjera Morina-Zllanoga ftoi të rinjtë e të rejat që frekuentojnë qendrën rinore, si dhe të stimulojnë idetë kreative të tyre.

Sead Raba, zyrtar i OSBE-së, tha se kjo rregullore është hartuar edhe me ndihmën e OSBE-së dhe qëllimi ka qenë që të nxitet puna vullnetare, të normohet çdo aktivitet vullnetar, ndërsa kontributdhënësit të stimulohen për angazhimin e tyre në të mirë të publikut.

Në debat ka kontribuuar edhe Enis Berisha, aktivist i shoqërisë civile, i cili foli për përvojat e tij shumëvjeçare në angazhime të ndryshme vullnetare, duke potencuar faktin se puna vullnetare është gjithmonë e dobishme për komunitetin.

“Aksione të ndryshme janë organizuar dhe përfitimet janë më të mëdha se sa angazhimet, prandaj ftojmë të rinjtë që të organizohen dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të jetës shoqërore”, deklaroi Berisha.

Debate janë organizuar edhe në qendrën rinore në Krushë të Madhe dhe në shtëpinë e kulturës në Ratkoc, ku kanë marrë pjesë numër i konsiderueshëm i të rinjve. Vërejtjet dhe sugjerimet e dëgjuara në këto debate do të inkorporohen në dokumentin final, që do të dërgohet për miratim në mbledhjen e radhës të Kuvendit të Komunës.

Debatet janë organizuar nga DKRS, Qendra Rinore, OSBE dhe grupet e shoqërisë civile në Rahovec, Krushë të Madhe dhe Ratkoc.

Të interesuarit mund të kontribuojnë në plotësimin e kësaj rregulloreje duke e shfletuar atë në faqen zyrtare të Komunës së Rahovecit, duke dërguar komente në DKRS, zyrën e OSBE-së në objektin e vjetër të Komunës, si dhe duke dërguar vërejtje me shkrim në zyrën e kryesuesit të Kuvendit të Komunës, Nahit Elshani. Afati i dërgimit të vërejtjeve, sugjerimeve dhe plotësimeve zgjat deri më 27 maj 2016. /PrizrenPress.com/

Jepet fjala përfundimtare në gjyqin ndaj Nexhat Çoçajt e Shaip Budurit

0

Prokurori ka kërkuar dënimin e drejtorit të Arsimit, Nexhat Çoçaj dhe drejtorit të gjimnazit “Gjon Buzuku”, Shaip Buduri, të cilët akuzohen për punësim të kundërligjshëm të profesorit Besnik Krasniqi. Mbrojtja, ndërkaq, kërkoi lirimin e të akuzuarve.

Mehdi Sefa, Prokurori në rastin e gjykimit të drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçajt dhe të drejtorit të Gjimnazit “Gjon Buzuku”, Shaip Buduri, kërkoi sot në fjalën përfundimtare që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Prokurori Sefa, i cili ka zëvendësuar kolegun e tij të suspenduar Bajram Hamitaga, tha se qëndron plotësisht pranë aktakuzës. Ai theksoi se në cilësinë e personave zyrtarë, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në mënyrë të kundërligjshme të akuzuarit kanë mundësuar dobi për tjetrin, në rastin konkret për profesorin Besnik Krasniqi, duke i mundësuar punësim jo të ligjshëm.

Prandaj, tha ai, kërkoj nga trupi gjykues që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Ndërsa, mbrojtja e kundërshtoi në tërësi aktakuzën me arsyetimin se ajo është e pabazuar në prova dhe fakte.

“Nëse me vëmendje e analizojmë dispozitivin e aktakuzës dhe provat të cilat janë administruar nga trupi gjykues e sidomos me dëgjimin e dëshmitarëve dhe vet të akuzuarve këtu dhe Ligjin për Arsimin dhe provat materiale që janë proceduar, me plot gojën mund të them se aktakuza juridikisht dhe faktikisht nuk mund të qëndrojë”, tha Esat Gutaj, avokati i të pandehurit Shaip Buduri.

Për më tepër, avokati Gutaj tha se klienti i tij nuk është punëdhënës dhe nuk ka mundur as ta punësojë e as ta largojë nga puna profesorin Besnik Krasniqi, prandaj edhe nuk e ka kryer veprën penale.

Aktakuzën e kundërshtoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Çoçaj.

Avokati Rexhep Hasani tha se për rastin konkret në bazë të udhëzimit administrativ nuk është dashur të hapet konkurs dhe se klienti i tij në bazë të këtij udhëzimi ka qenë i detyruar të nënshkruajë kontratë me profesorin Krasniqi, i cili deri në atë kohë ka qenë drejtor në një shkollë tjetër.

Prandaj, kërkoi nga trupi gjykues të marrë aktgjykim lirues.

Të akuzuarit e mbështetën në tërësi fjalën përfundimtare të mbrojtësve të tyre.

Sipas aktakuzës, drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Nexhat Çoçaj, i ka nënshkruar në mënyrë të kundërligjshme kontratën e punës Besnik Krasniqit. Ai punësimin e Krasniqit e ka bërë pa shpallur konkurs për vendin e punës – profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Ky i fundit kishte punuar edhe pa kontratë pune në gjimnazin “Gjon Buzuku”, drejtor i të cilit është dhëndri i tij, Shaip Buduri.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 16 maj.

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit Çoçaj është duke u gjykuar edhe për dy raste të tjera të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, për të cilat KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi. /Kallxo.com/

Selimi, Krasniqit: VV s’luti për Policinë në Kuvend

0

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka reaguar pas një shkrimi të ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se në seancën e 19 prillit 2013, një deputet i VV-së e ka lutur atë që ta fusë Policinë në Kuvend.

“E lexova me vëmendje reagimin e e Kryeyarit të atëhershëm të Kuvendit Jakup Krasniqit dhe detajet në lidhje me seancën e Kuvendit ku është miratuar marrëveshja e 19 Prillit 2013, e cila hodhi bazat për krijimin e “Zajednicës” në Kosovë.

Pra siç thash më lartë dhe siç mund të gjendet në gjithë procesverbal dhe në video-materialet e asaj dite në seancë, kemi kërkuar nga Jakup Krasniqi që ta ndërpres seancën. Të rezistojë bashkë me ne dhe të mos e lejojë miratimin e Marrëveshjes për “Zajednicën”. Si kryetar Kuvendi ai vërtetë do të kishte ndikuar shumë, së paku në vështirësimin e miratimit të asaj marrëveshjeje. Ai po arsyetohet se nuk e ka bërë këtë ngase shumica e deputetëve ishin PRO miratimit të marrëveshjes dhe se në Kuvend vendosë vota e shumicës së deputetëve.

Por a nuk e kemi thënë, bashkë me Jakup Krasniqin dhe krejt opozitën, tash e 7 muaj, që nuk mund të ketë numra kundër sovranitetit shtetëror?! A nuk kemi qenë pakicë gjatë gjithë rezistencës tonë opozitare dhe a nuk kemi thënë që nuk ka shumicë që mund ta zhbëjë shtetin?! Kush mendon ndryshe, po thotë Jakup Krasniqi, nuk ka lidhje me demokracinë. Por cila demokraci mund të votojë për zhbërjen e Republikës?! Këtë e kemi thënë dhe kundërshtuar, bashkë me Jakupin, tash e 7 muaj. Argumenti i pushtetit vazhdimisht ka qenë “ju nuk e keni idenë çka është demokracia”, “nuk po e respektoni vendimin e shumicës”, etj. Nuk mund të ketë numra kundër Republikës. Pozicioni i sulmit mbi Republikën nuk mund të jetë kurrsesi demokratik. Me numra kalon edhe ‘Zajednica’ edhe ‘Demarkacioni’, por aksioni direkt i opozitës i ndali e do t’i ndalë.

Jakup Krasniqi po e justifikon futjen e Policisë në Kuvend, me një “kërkesë” që i paskësh bërë një deputet Vetëvendosjes!

Unë kam qenë në atë seancë dhe e di që vetëm dy njerëz kanë mundur të flasin dhe të bëjnë kërkesa në emër të VETËVENDOSJE!-s dhe/apo Grupit të saj parlamentar. Ata njerëz kanë qenë Albin Kurti (atëbotë kryetar i Lëvizjes) dhe Visar Ymeri (në atë kohë Drejtues i Grupit tonë Parlamentar). Unë e di që nuk ka shanse që ndonjëri nga ta të ketë kërkuar intervenimin e policisë.

Por ja po e zëmë që dikush të paska kërkuar intervenimin e policisë. Nëse për Kryetari e atëhershme të kuvendit, futja e policisë në Kuvend ka qenë e papranueshme dhe i ka rezistuar kësaj ideje kur është kërkuar nga kryeministri, atëherë si është e mundur që e paska komprometuar qëndrimin e vet, për shkak të një kërkese nga një deputet i cilësdo parti qoftë ai.

Problemi i dytë është ky: pse e paska dëgjuar atë deputet që paska kërkuar ta sjellë policinë, e nuk e ka degjuar gjithë Grupin Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s që bënte lutje të ndërpritej dhe anulohej ajo seancë, ku po miratohej ndarja etnike dhe cenimi i sovranitetit të Republikës sonë. Aq më tepër që për ta bërë këtë ka pasur edhe hapësirë që Kryetari I kuvendit të bazohet në rregullore të Kuvendit.

Baca Jakup, nuk ka heshtje parimore. E vërteta duhet të nxirret në shesh. Çdo e vërtetë e përgjysmuar është e pavërtetë dhe joparimore.

Baca Jakup, kur ta pranosh që ke marrë urdhëra nga deputetët e Vetëvendosjes trego se sa i ke zbatuar ato!

P.S. Një detaj që e vërejta është që Jakupi qenka marrë vetëm me një paragraf nga shkrimi i Dardan Molliqajt. Më intereson shumë ta di se a nënkupton kjo që ai është dakord me pjesën tjetër të artikullit të tij?” (sic.), ka shkruar Selimi në profilin e tij në Facebook.