10.8 C
Prizren
E diel, 28 Prill, 2024

Rikthimi i Enver Hoxhajt në bastionin suharekas, goditje për MPJ-në

Ministri në ardhje instaloi rrjet klientelist dhe korruptiv

Drejtimi i Ministrisë së Jashtme nga ana e PDK-së gjatë mandatit të kaluar, saktësisht nga i zgjedhuri prej këtij subjekti politik, Enver Hoxhaj, sipas raportimeve të ndryshme në medie, gjatë atij mandati ishte cilësuar si njëri nga rastet më eklatante të instalimit të rrjetit nepotik dhe lokalist në një dikaster qeveritar. Tani me rikthimin e tij në të njëjtën pozitë, po cilësohet nga opozita dhe analistët politikë si një vazhdimësi e shndërrimit të MPJ-së nga Hoxhaj në një bastion akoma më të fuqishëm të suharekasve, me një rrjet të fortë nepotist, duke krijuar mundësi rehatimi dhe sistemimi të njerëzve më jokompetentë, thuajse analfabetë, nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës dhe ambasada gjithandej nëpër botë. Ky rrezik vlerë- sohet të jetë dëmi më i madh që pritet t’i bëhet, për pjesën e mbetur të këtij mandati, politikës së jashtme të Kosovës.

Deputeti i lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Ismail Kurteshi, tha për “Kosova Sot” se jo vetëm në këtë ministri, por pothuajse në të gjitha dikasteret ministrore, praktika e instalimit të rrjeteve nepotiste dhe joprofesionale në punësim është bërë “Ligj” i llojit të vet të kapjes së shtetit nga kjo klasë politike e korruptuar, prandaj është e nevojshme që shteti sa më parë të lirohet nga keqqeverisja e tyre.

“Një ndër të këqijat e mëdha, që i karakterizon institucionet e vendit në të gjitha nivelet, është nepotizmi. Kusht shumë i rëndësishëm për punësim, pavarësisht kualiteteve, janë lidhjet qoftë partiake qoftë familjare, ose korrupsioni. Këto dukuri të shëmtuara e pamundësojnë parimin – njeriu i duhur – në vendin e duhur, kështu i kemi degraduar institucionet, shkollat, spitalet e pse jo edhe ambasadat, pasi që me detyra të përfaqësuesit të vendit janë angazhuar njerëz, që nuk janë të zotët t’i përfaqësojnë as familjet e tyre”, u shpreh ai.

Dështoi në arsim, pa sukses në MPJ

Edhe anëtari i kryesisë së AAK-së, Muhamet Kelmendi, vlerëson se rikthimi i Hoxhajt në këtë ministri është kulmi i të gjitha dështimeve të deritanishme dhe jo vetëm ruajtjes dhe instalimit të klientelës së ngushtë lokaliste të ministrit Hoxhaj, bastionit suharekas të punësuar në MPJ. Kelmendi tha se edhe sa ishte në krye të MASHT-it, ky ministër qe i dështuar.

“Në tërësi mund të themi se kemi dështim të këtij njeriu në të gjitha drejtimet. Sa ishte ministër i Arsimit e shkatërroi në ato përmasa, saqë nuk bëri as më të voglën ecje në modernizimin dhe në rritjen e kualitetit të mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Si ministër i Punëve të Jashtme pati dështuar gjithashtu. Në mandatin e tij, pastaj edhe të Thaçit, e kështu pritet të vazhdojë edhe tash, nuk e kemi asnjë rezultat konkret në raport me botën e jashtme”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Ai ka pohuar se tri zhvillimet pozitive, dhënia e MSA-së, pranimi në UEFA dhe tash propozimi për liberalizimin e vizave janë një politikë me dy tehe e interesit politik evropian, por assesi zhvillim pozitiv i punës së MPJ-së.

“Përveç UEFA-s, ku mund të flitet për sukses të lartë, sepse Kosova u bë anëtare e barabartë e këtij subjekti të futbollit, derisa në dy çështjet e tjera kemi dështim të plotë që ndërlidhen me MPJ-në dhe drejtuesit e saj të deritanishëm. MSA-ja e ka refuzuar Kosovën si shtet, kurse edhe propozimi për liberalizimin e vizave e ka refuzuar po ashtu specifikimin dhe adresimin e këtij propozimi për Kosovën si shtet i pavarur, i barabartë me shtetet e tjera. Pra, të dy këto çështje nuk e njohin shtetin e pavarur dhe sovran. Ky është dështim absolut i politikës së jashtme në vazhdimësi. Dhe, në këtë rrugë, duke i ditur dështimet e tërësishme të Enver Hoxhajt, nuk është as politike dhe as diplomatike, zgjidhje dhe vendosja e tij përsëri në një dikaster, ku ka dështuar dhe nuk ka arritur asnjë sukses”, theksoi Kelmendi.

Dikasteri i luksit dhe jo i punës

Veç vazhdimit të traditës së dështimit të mandatit të kaluar dhe fuqizimit të klientelës rajonale në punësim në këtë ministri, asnjë qëllim tjetër të kthimit në këtë ministri të ish-ministrit Hoxhaj nuk sheh edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Albinot Maloku.

“Politika e jashtme e vendit tonë e drejtuar nga ministri i rikthyer, Enver Hoxhaj, që në start vihet në dyshim për suksese, e për të cilat suksese ka nevojë shteti i Kosovës. Dikasteri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së vendit është parë më shumë si luks sesa si angazhim maksimal në rrugëtimin e shtetndërtimit të mirëfilltë dhe pasjen e një strategjie zhvillimore të shteti të Kosovës. Mandati i parë i ministrit të rikthyer është përcjellë me dështime nga më të ndryshmet, e deri në skandale të diplomatëve të Kosovës dhe kjo për shkak të virusit më të keq për sistemin shtetëror, e që është nepotizmi familjar e politik. Angazhimi i mirëfilltë e profesional në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës nuk duket gjëkundi. Rikthimi i Enver Hoxhajt pa e menduar periudhën e tij me skandale, është pjesa kryesore e këtij virusi që po e ndrydh shtetin e shoqërinë kosovare”, tha Maloku për “Kosova Sot”.

Më Shumë

Lajmet e Fundit