26.2 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025
Home Blog Page 6591

Bernard Përlazri: Hekuranin e vrava në vetëmbrojtje(Video)

0

Bernard Përlazri, i dyshuari kryesor për vrasjen e Hekuran Morinës dhe plagosjen e 2 të tjerëve të hënën në Prizren, tash e katër ditë ndodhet në arrati, bashkë më dy djemtë e vëllai të tij, që po ashtu dyshohen për pjesëmarrje në vrasje.

Gazeta Express ka arritur të intervistojë Përlazrin, i cili ka rrëfyer atë që ka ndodhur të hënën mbrëma. I dyshuari për vrasje ka treguar se si ka nisur konflikti me vëllezërit Morina, për borxhin që ai pretendon se ia ka marrë Beg Morina, babai i të vrarit, Hekuran Morinës.

Përlazri, gjatë këtij rrëfimi, pranon se ka qëlluar për vdekje Hekuran Morinën dhe ka plagosur vëllain e këtij të fundit, Fadilin, dhe një tjetër person, kalimtar të rastit. Por, Përlazri pretendon se zjarr ndaj tij dhe djemve të vëllait të tij fillimisht kanë hapur vëllezërit Morina dhe disa persona të tjerë që kanë qenë me ta. Ata, sipas Përlazrit, e kanë ndjekur atë me dy vetura, njëra BMW X5 dhe tjetra BMW X6 gjatë gjithë kohës sa ai po pinte kafe në kafenë “Karamel”, që ndodhet në afërsi të biznesit të vëllezërve Morina, “Parket Sefa”.

Sipas tij, ai ka qëlluar në vetëmbrojtje, ndërsa djemtë e vëllait të tij, të cilët po ashtu po kërkohen nga policia, kanë ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes para se të fillojnë të shtënat.

Ai ka treguar versionin e tij se si ka nisur i gjithë ky konflikt me Hekuran Morinën, që ka përfunduar me vrasjen e këtij të fundit.

Ka folur edhe për borxhin 70 mijë euro se gjoja Beg Morina, babai i Hekuranit, i ka marrë te Përlazri disa vite me parë. Ai pretendon se nuk e ka falsifikuar letrën që e ka treguar si marrëveshje mes tij dhe Beg Morinës, edhe pse prokuroria pohon se shkrimi në atë letër nuk është i këtij të fundit, i cili tashmë, po ashtu, është i vdekur. Thotë se Hekuran Morina fillimisht kishte pranuar t’ia kthente vetëm gjysmën e shumës që pretendon ta ketë trashëguar nga babai i tij, por ai nuk ka pranuar t’i marrë vetëm 25 mijë euro.

Bernard Përlazri hedh akuza të rënda ndaj Komandantit të Policisë së Prizrenit, Nexhmedin Krasniqit, pasi, sipas tij, ky i fundit ka çuar deri tek incidenti i të hënës. Këtë të fundit, ai e bën fajtor për 600 mijë euro, që sipas tij, i ka humbur familja e tij në vitit e fundit, dhe po ashtu pse ai dhe vëllai i tij duhet të qëndrojnë në arrati. Në këtë rast si ndërmjetësues ai e përfshin edhe inspektorin e Policisë së Prizrenit, Besim Rexhepin.

“Nexhmedin Krasniqi i ka thanë Hekruan Morinës merre armen del vraje Bernard Përlazrin, sa ta kam unë ketë uniformë një ditë burg ski me shku” thotë Bernard Përlazri gjatë rrëfimit të tij nga arratia për Gazetën Express.

Përlazi thotë se e ka ndërmend të dorëzohet, por këtë s’do ta bëjë tek organet e drejtësisë në Prizren pasi thotë se ata vetëm e kanë dëmtuar.

Gazeta Express ka provuar të takoj edhe komandantin Krasniqi por ai nuk ka gjetur kohë të flasë për gazetën.

Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore e Prizrenit për Gazetën Express kanë pohuar se dyshohet se pikërisht Bernard Përlazri dhe dy të tjerë i kanë zënë rrugën viktimës Hekuran Morina dhe personave të tjerë që udhëtonin me dy vetura BMW X5 dhe X6. Sipas, Prokurorisë dyshohet se së paku dy persona kanë gjuajtur në drejtim të vëllezërve Morina.

Deri me tash, sipas Prokurorisë janë kryer 4 bastisje në shtëpitë e personave të dyshuar në rast, porse nuk kanë rezultuar me ndonjë të arrestuar.

Incidenti në fjalë ka ndodhur të hënën rreth orës 20:300 në lagjen Bazhderhane të Prizrenit. Familja Morina, një ditë pas vrasjes, kanë akuzuar të dyshuarin Bernard Përlazri se ai i kishte kërkuar Hekuran Morinës reket që nga janari i këtij viti. Ky i fundit e kishte denoncuar Përlazrin në Polici, ku ishte mbajtur në paraburgim për 6 muaj. /GazetaExpress

Kallashi në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’

0

Në emisionin e parë për këtë sezon emisioni “Drejtësia në Kosovë” sjell hulumtimin ekskluziv për të kaluarën kriminale të valltares Donjeta Kasumi e njohur si Kallashi.

Hulumtimi sjell detaje për rastet që policia dhe prokuroria kanë të hapura ndaj Kallashit dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, ka dhënë detajet rreth dyshimeve që policia i ka për këtë grup. Ai ka kritikuar punën e prokurorisë dhe gjykatës.

Krasniqi ka dhënë detaje për rastet ku është përfshirë Kallashi dhe Dibran Hoxha, personi që i qëndron afër asaj.

Në anën tjetër, Donjeta Kasumi ka thënë për “Drejtësia në Kosovë” se nuk ka informacione se policia dhe prokuroria ka lëndë të hapura ndaj saj. E pyetur për kallëzimet penale, ajo është shprehur se nuk di gjë për to.

Ndërsa Dibran Hoxha, i përmenduri si person me 155 vepra të kundërligjshme, është ankuar në sjelljet e Policisë së Kosovës. Ai flet edhe për dyshimet se policë dhe zyrtarë të qeverisë janë vizitorë të rregullt të lokalit “Kobra” në Prizren.

Intervistat me Drejtorin Rajonal të policisë në Prizren Nexhmi Krasniqin, shefin e hetimeve Lumi Graishtën, Kryetarin e Gjykatës së Prizrenit Ymer Hoxhën, Kryeprokurorin e Prizrenit Sylë Hoxha, valltaren Donjeta Kasumi dhe rojën e sigurisë Dibran Hoxha mund t’i ndiqni të premten nga ora 20:20 në RTK.

Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton rubrikën “Policia” ku do të shfaqet aksioni i policisë në shkatërrimin e një fabrike të përpunimit të duhanit.

Drejtësia në Kosovë transmetohet çdo të premte nga ora 20 e 20 në RTK, ndërsa do të reprizohet të hënën në mesditë.

Supremja ia kthen prokurores ankesën për rastin e Ramadan Mujës

0

Gjykata Supreme e Kosovës ia ka kthyer ankesën një prokuroreje ndërkombëtare rreth rastit të kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja.

Prokurorja Judit Eva Tatrai ishte ankuar në supreme ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit që ta kthejë në rigjykim rastin ndaj Mujës dhe pesë drejtorëve komunalë të Prizrenit.

Në komunikatë të lëshuar nga Gjykata Supreme thuhet se “ankesa është pranuar, por për shkaqe teknike është kthyer prapa”.

Gjykata Supreme është në pritje që prokurorja “ta kompletojë lëndën”.

“Njoftojmë opinionin se Gjykata Supreme, do ta formalizojë me një njoftim këtë apel që e ka adresuar prokurori ndërkombëtar, mirëpo, meqë Gjykata e Apelit e ka anuluar gjykimin e shkallës së parë dhe çështja është kthyer në rigjykim, ndaj aktvendimit të tillë nuk lejohet ankesë”, thuhet në komunikatë.

KALLXO.com ka raportuar të mërkurën se në këtë ankesë, Prokurorja ka kërkuar që Gjykata e Apelit ta rishqyrtojë lëndën e Mujës, por me një panel tjetër gjykatësish.

KALLXO.com ka siguruar ankesën e prokurores së EULEX-it, Judit Eva Tatrai, në të cilën thuhet se Gjykata e Apelit në thelb hodhi poshtë aktgjykimin e shkallës së parë dhe “nuk e ka shqyrtuar individualisht çështjen e ngritur në ankesat e mbrojtësve apo çështjet që përbejnë qëllimin e shqyrtimit ankimor”.

Testi i Maturës Shtetërore – Kopjim apo Avancim?

0

Muhamet Hajrullahu

Testi i Maturës Shtetërore këtë vit ka shënuar një avancim në krahasim me atë të vitit të kaluar, por nevojiten përmirësime të mëtejme në aspektin administrativ dhe të mbikqyrjes së procesit nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).

KALLXO.com ka monitoruar dy afatet e Testit të Maturës Shtetërore 2015 sikurse edhe vitin e kaluar.
Në afatin e parë në qershor, Testit të Maturës këtë vit i janë nënshtruar rreth 33 mijë nxënës në 250 qendra të testimit ndërsa në afatin e dytë testit i janë nënshtruar mbi 16 mijë maturantë.

Ekipet tona ishin mirëpritur në shumicën e Qendrave të Testimit dhe stafi administrues kryesisht ka qenë bashkëpunues. Përjashtim në afatin e gushtit bëjnë rastet e shkollës “Bahri Haxha” në Vushtrri , “Xhelal Hajda- Toni” në Rahovec, ku përgjegjësit kanë refuzuar hyrjen apo ia kanë pamundësuar monitorimin ekipeve të KALLXO.com. Pengesa të ngjashme janë paraqitur edhe në shkollën “Selajdin Mullabazi Mici”, gjithashtu në Rahovec, ku sërish ekipi i monitoruesve është penguar ta kryejë punën sipas marrëveshjes.
Sipas gjetjeve nga monitorimi i KALLXO.com, është vërejtur një mobilizim dhe seriozitet më i lartë në insistimin për të siguruar mbarëvajtje të administrimit të Testit të Maturës.

Sidoqoftë, edhe këtë vit, në të dyja afatet janë shënuar lëshime në aspektin administrativ si dhe në mbikëqyrjen e Testit të Maturës.
Kopjimi dhe shpërndarja online e Testit të Maturës në rrjetet sociale mbeten edhe mëtej një nga problemet më të mëdha në këtë proces.

Në këtë drejtim nevojitet një komunikim më i rregullt ndërmjet MAShT dhe Policisë së Kosovës për ta parandaluar dhe luftuar këtë fenomen që po përsëritet.
Mbetet sfidë të tejkalohen situatat, si mungesat ose vonesat e administratorëve, problemet dhe mospërputhja e listave me emrat e nxënësve të cilët kanë të drejtë t’i nënshtrohen Testit të Maturës, e sidomos qartësimi, informimi dhe uniformimi i rregullave të testimit.

Ekipet tona monitoruese, sikurse edhe vitin e kaluar, kanë vërejtur laramani të aplikimit të rregullave të përcaktuara nga MAShT-i. Jo vetëm në mes të qendrave të ndryshme të testimit, por edhe brenda një qendre testuese është interpretuar dhe zbatuar në mënyra të ndryshme procedura e identifikimit të nxënësve, mbajtjes së pajisjeve elektronike (telefonave mobil, etj.), vendosjes së çantave, lejimi i papenguar i qasjes në internet, etj.

Si probleme kryesore të identifukura janë: vonesat e fillimit dhe mbylljes së testit; administrimi i Testit të Maturës; qasje në Internet në Qendra të Testimit; përdorimi i telefonave celularë gjatë testit; shpërndarja e paautorizuar e pyetjeve dhe përgjigjeve të Testit si dhe rastet kur janë penguar në punë ekipet e KALLXO.com

Ekipi i KALLXO.com e konsideron si inkurajues faktin që shumica e rekomandimeve nga monitorimi i Testit të Maturës të vitit të kaluar janë marrë parasysh dhe zbatuar nga MAShT-i.
Si rekomandime kryesore për MAShT-in mbesin:

Testi të vazhdojë të zhvillohet në klasa me nga 15 nxënës; Testi të zhvillohet me dyer të hapura; të shpërndahen me shkrim, me kohë dhe në formë të qartë protokollet dhe përgjegjësitë e zyrtarëve të përfshirë në administrim të testimit, në mënyrë që të jenë të njoftuar dhe të përgatitur në detaje për të gjitha situatat e mundshme që mund të paraqiten gjatë procesit të testimit, për të siguruar një reagim uniform në tërë Kosovën gjatë mbarëvajtjes së testimit; MAShT-i të publikojë një listë udhëzimi ku i sqarohet çdo nxënësi në mënyrë të qartë së çfarë do të duhej të mbajë me vete një nxënës gjatë kohës së testimit (p.sh. laps, kalkulator, shishe uji, etj.), dhe të sqarohet se çka e ka të ndaluar të posedojë me vete (p.sh. telefon, materiale të ndryshme, libër, etj.); Të zbatohet në mënyrë të uniformuar rregullorja e MAShT-it për administrim të Testit të Maturës dhe të mos lejohen interpretime të ndryshme të rregullave të njëjta; Të shqyrtohen mundësitë për aplikim të testimit digjital për Testin e Maturës; Të ngritet niveli i bashkëpunimit me Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës për t’i ndjekur rastet e keqpërdorimeve gjatë testit të maturës. Për të gjitha të gjeturat në detaje nga monitorimi i Testit të Maturës 2015 mund t’i gjeni në këtë link.

Arrestohet një person në Kushnin, shtiu me armë në aheng

0

Një person është arrestuar në fshatin Kushin, pasi që ka shtënë me armë në aheng.

“I dyshuari në gjatë një ahengu familjar ka shtënë me armë zjarri”, njofton Policia e Kosovës.

“Njësiti policor nga i dyshuari ka konfiskuar armën pushkë gjysmëautomatike e cal. 7.62 mm me një karikator të zbrazët. Me urdhër të prokurorit pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje”. /PrizrenPress.com/

Katër aksidente në rajonin e Prizrenit, 9 të lënduar

0

Policia e Kosoves njofton se brenda 24 orësh në rajonin e Prizrenit kanë ndodhur 4 aksidente me ç’rast janë lënduar 9 persona.

Në fshatin Dragobil të Malishevës, ka ndodhur një aksident trafiku në mes të dy veturave me targa lokale nga mospërshtatja e shpejtësisë se lëvizjes me kushtet e rrugës nga ana e të dyshuarit, i cili me veturën e tij është aksidentuar – e ka godit në pjesën e prapme duke u kyçur veturën që drejtohej nga viktima. Si pasojë e aksidentit njeri drejtuesit ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti me urdhër te prokurorit dërgohet në mbajtje.

Aksidenti i dytë ka ndodhur në Prevallë të Prizrenit në mes të dy veturave njëra ‘Citroen Xantia’ që drejtohej nga i dyshuari shtetas maqedon dhe veturës se dytë ‘BMW’ me targa që drejtohej nga shqiptari. Deri te aksidenti ka ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës nga i dyshuari i cili humb kontrollin ndaj veturës dhe në shiritin e kundërt aksidentohet me veturën tjetër që drejtohej nga viktima. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar viktima-drejtuesi i veturës se dytë dhe dy pasagjerë meshkuj K-Shqiptar. Të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Prizrenit dhe pas tretmanit mjekësor janë liruar.

Ndërkaq në fshatin Reqan të Prizren ka ndodhur një aksident trafiku në mes të dy veturave njëra ‘Opel Astra’ që drejtohej nga i dyshuari boshnjak dhe veturës së dytë ‘BMW’ që drejtohej nga viktima shtetas maqedon. Deri te aksidenti ka ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës nga i dyshuari i cili humb kontrollin ndaj veturës dhe ne shiritin e kundërt aksidentohet me veturën tjetër që drejtohej nga viktima. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e veturave dhe një pasagjere femër shtetase maqedone në veturën e viktimës. Te lënduarit janë dërguar në Spitalin e Prizrenit dhe pas tretmanit mjekësor janë liruar.

Aksidenti i katërt ka ndodhur në fshatin Hisar të Suharekës. Dy vetura, njëra ‘Mercedes’ që drejtohej nga i dyshuari dhe vetura tjetër ‘Ford Fiesta’ që drejtohej nga viktima. Deri te aksidenti ka ardhur nga mospërshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës nga ana e të dyshuarit i cili me veturën e tij ne anën e kundërt aksidentohet me veturën qe drejtohej nga viktima. Si pasojë e aksidentit një mashkull dhe një femër K-Shqiptare kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor ne Spitalin Rajonal të Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Prokuroria e Shtetit refuzon ta njohë Sylë Hoxhën si ish-ushtrues zyrtar

0

Me dy vota për dhe pesë kundër, Këshilli Prokurorial në mbledhjen e sotme vendosi që ta refuzojë kërkesën e kryeprokurorit të Prizrenit, Sylë Hoxha, që atij t’i takojnë të gjitha privilegjet e një ish-zyrtari të lartë të shtetit.

Hoxha në një periudhë të caktuar 8 mujore ka ushtruar detyrën e kryeprokurorit të shtetit, pasi që ish-kryeprokurori Ismet Kabashi ka shkuar në pension. Ai ishte zgjedhur nga vetë Këshilli Prokurorial i Shtetit, por asnjëherë atë vendim nuk e kishte dërguar tek presidenti i shtetit për ta konfirmuar një gjë të tillë.

Për këtë arsye, ushtrimi i detyrës si kryeprokuror i shtetit nga ana e Hoxhës konsiderohet i paligjshëm, pasi që është presidenti i shtetit ai që duhet emëruar një kryeprokuror.

Kryeprokurori i tanishëm i shtetit, Aleksandër Lumezi, në takimin e 105-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës,e hodhi në votim këtë kërkesë, ku shumica e anëtarëve të KSHK-së ishin kundër.

“E qes në votim, kush është që të realizohet kërkesa p ër realizimin e të drejtave për përfitimin e ish-zyrtarit shtetëror, respektivisht për ushtruesin e detyrës së kryeprokurorit të shtetit Sylë Hoxha. Kush është kundër? Atëherë vendoset që të refuzohet kërkesa e ish-ushtruesit të detyrës së prokurorit të shtetit për t’i takuar privilegjet e ish-zyrtarit shtetëror. Me 2 vota për dhe 5 vota për t’u refuzuar kërkesa”, tha Lumezi.

Sevidje Morina, e arsyetoi këtë qëndrim të tyre, duke thënë se një gjë e tillë nuk i takon në bazë të ligjit.

“Sa i përket kërkesës së ish-ushtruesit të detyrës, bindja ime është pa asnjë subjektivitet, se nuk i takon në bazë të legjislacionit dhe në bazë të ligjit nuk i takojnë këto privilegje dhe kërkesën e tij nuk mendoj që duhet ta aprovojmë… Meqenëse koha prej 8 muajve, nuk janë 6 muaj, e ka ushtruar detyrën por nuk ka qenë ligjërisht i emëruar, mendoj që nuk mund t’i gëzojë këto privilegje”, tha Morina.

Gjithashtu, nga KSHK u miratua edhe Raporti i Mekanizmit Përcjellës dhe Raporti i Gjeografisë Kriminale për periudhën kohore janar-qershor 2015.

Sipas këtyre dy raporteve, ku janë përfshirë veprat më të rënda si krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafikimi me substanca narkotike, trafikimi me armë, kontrabandimi me migrantë dhe trafikimi me qenie njerëzore, kanë mbetur vetëm edhe 1.770 lëndë të pakryera nga prokuroritë themelore dhe ajo speciale.

“Kanë mbetur gjithsej pa u krye 1.770 lëndë që unë mendoj që nuk është një numër i madh i lëndëve të pakryera, n ë proporcion me numrin e prokurorëve në departamentin e krimeve të rënda nëpër prokuroritë themelore dhe prokurorinë speciale, të cilët i trajtojnë këto lëndë. Sa i përket aspektit profesional të aktakuzave të cilat janë paraqitur në gjykata nga prokurorët kemi rezultate shumë të mira, ku 76 % të aktakuzave kanë kaluar dhe gjykatat për këto aktakuza kanë marrë aktgjykime dënuese”, tha Lumezi.

Gjatë takimit të sotëm u miratuan edhe disa vendime që ishin në rend të ditës, ndër to edhe kërkesa nga ana e EULEX-it për miratimin e emërimit nga KPK, të dy prokurorëve të EULEX-it – Paul Clin dhe Ana Kastam.

Gjithashtu, u miratua edhe formimi i Komisionit Disiplinor, themelimi i Komisionit për Integrime Evropiane, formimi i Grupit Punues për Hartimin e Rregulloreve, kërkesa e prokurorit Besim Kelmendi për angazhim në projektin GIZ për hartimin e formave të shkresave penale etj.

Vetëvritet një person nga Ura e Fshajt (Foto)

0

Një persona sot gjatë ditës ka bërë vetëvrasje duke u gjuajtur prej Urës së Fshajtë. Ende nuk dihen se cilat janë arsyet e vetëvrasjes

Këtë e ka konfirmuar Krist Gjoka për Express por nuk ka dhënë detaje të tjera sepse policia rajonale e Rahovecit është duke u marrë me rastin. Express ka provuar të kontaktojë edhe me policinë atje po ka qenë e pamundur.

Vdekje te Ura e Fshajt

Jahjaga dekoron Kadaren me ‘Urdhrin e Pavarësisë’

0

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në vizitën e saj në Shqipëri, është takuar edhe me shkrimtarin e madh shqiptar Ismail Kadare, të cilin e ka dekoruar edhe me dekoratën e lartë shtetërore, “Urdhrin e Pavarësisë”.

“Pata nderin që në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri ta takoj shkrimtarin Ismail Kadare, të cilin e dekorova me Urdhrin e Pavarësisë për kontributin e jashtëzakonshëm për afirmimin e kulturës dhe letërsisë shqipe dhe për kontributin e madh në përpjekjet e Kosovës për liri, pavarësi dhe shtet sovran”, ka shkruar Jahjaga në Facebook. /PrizrenPress.com/

Pse e ndërpreva mbledhjen e Senatit?

0

Shkruan: Ramadan Zejnullahu

Para gati katër muajsh ju drejtova publikut të gjerë me një shkrim ku e përshkrova në hollësi problemin e respektimit të kritereve akademike me rastin e avancimeve të stafit në Universitetin e Prishtinës. Në këtë shkrim theksova se të merituarit në Universitetin e Prishtinës nuk janë shumicë dhe ftova të gjithë kolegët të reflektojmë nëse i përmbushim kushtet minimale për të fituar një gradë më të lartë akademike nga ajo që mbajmë.

Kriteret minimale të Statutit që e kemi aprovuar vet janë shumë të qarta. Pretenduesi për profesor asistent duhet të mendojë nëse e ka një punim në revistë ndërkombëtare si autor kryesor; pretenduesi për profesor të asocuar përpos tjerash duhet t’i ketë tri punime në revista ndërkombëtare si autor kryesor, ndërsa para pretenduesit për profesor të rregullt shtrohen kërkesa akoma më komplekse – pesë punime në revista ndërkombëtare si autor kryesor.Kur thuhet “punime në revista ndërkombëtare”, bëhet fjalë për revista kredibile që nuk lënë asnjë vend për dyshime për vet vlerën e punimit, prandaj edhe kemi insistuar që këto të jenë revista të indeksuara në njërën nga bazat e njohura ndërkombëtarisht ose me recension të besueshëm ndërkombëtar.

Këto janë kritere të matshme dhe për të gjykuar për plotësimin e tyre nuk nevojitet ndonjë ekspertizë e veçantë, por vetëm një korrektësi elementare akademike nga ana e atij që e bën vlerësimin. Duket se edhe këtë herë kjo korrektësi, në masë të madhe, mungoi.Kjo shihet nga raportet e komisionevevlerësuese ku vërehet qartë tendenca që secilit t’i jepet drita e gjelbër për avancim, pavarësisht nëse i plotëson kushtet statutare ose jo. Komisioni për Mësim i Senatit bëri një punë të shkëlqyeshme, duke e analizuar secilin rast veç e veç dhe duke vënë në dukje në shumë raste interpretimet e gabuara të kritereve në raportet e komisioneve vlerësuese. Po ashtu, Komisioni për Mësim sqaroi se“punime në revista ndërkombëtare” nuk janë prezantimet që bëhen në konferenca, sado të vlefshme qofshin ato, nuk janë as artikujt në gazeta ditore, sado me interes që mund të jenë për publikun, e as punimet që publikohen në revista vendore që nuk kanë asgjë ndërkombëtare në vete, përveç ndoshta emrit. Prandaj, publikimet e tilla nuk mund të merren si bazë për avancime siç propozohej në shumë raporte të komisioneve vlerësuese.

Për fat të keq, gjetjet e Komisionit për Studime u injoruan nga një numër i anëtarëve të Senatit, në tri mbledhje radhazi. Fillimisht, në shenjë revolte, u kërkua shkarkimi i anëtarëve të Komisionit.Pastaj, u shfaq qartë tendenca që vendimet të merren me “shumicë votash”, pavarësisht plotësimit të kritereve. Dhe kjo rezultoi me ndërprerjen e mbledhjeve nga ana ime, pasi unë nuk mund të lejoj që, me shumicë votash të merren vendime që nuk janë në përputhje me Statutin, duke vazhduar kështu avazin shumëvjeçar të avancimeve edhe të pamerituara.

Kam bërë përpjekje që kjo situatë të zhbllokohet duke propozuar që të shqyrtohen në Senat ato raste për të cilat nuk ka vërejtje, e të tilla janë me dhjetëra, por nuk kam gjetur mirëkuptimin e shumicës së anëtarëve të këtij organi. Përkundrazi është kërkuar, shprehimisht, që rastet të procedohen sipas radhitjes dhe më është bërë me dije se vendimet do të merren me “shumicë votash”.

Dje u bë përpjekja e katërt që të procedohet me shqyrtimin e aplikacioneve, por edhe kjo dështoi, si tri të tjera para saj. Me rastin e shqyrtimit të propozimit për avancim të një kolegu të nderuar, emri i të cilit u lakua pa nevojë dhe jashtë kontekstit në disa media, u dokumentua qartë se kandidati nuk i ka tri punime të nevojshme për avancim në thirrje, por vetëm dy. Atëherë, erdhi, në formë të “zgjidhjes solomonike”, kërkesa që punimi në një revistë vendore të një kolegji privat, e cila nuk ka asnjë peshë në publicistikën shkencore, të konsiderohet si ndërkombëtar, pasi revista në fjalë na e paskësh emrin “ndërkombëtare” dhe i paska përfshirë disa ndërkombëtarë në përbërje të redaksisë. Si mund të jetë një revistë e një kolegji privat që nuk ka asnjë lloj veprimtarie kërkimore-shkencore, pikë referimi për një Universitet që ka shumë probleme me cilësi, por, megjithatë, është institucioni më prestigjioz në Kosovë?

Si rektor që ka marrë obligime për t’i prirë procesit të përmirësimit të cilësisë, unë nuk mund e lejoj që ky lloj kontesti të zgjidhet me “shumicë votash”, pasi asnjë shumicë nuk mund të vendosë së një revistë vendore e një kolegji privat është revistë ndërkombëtare. Një “vendim” të tillë mund ta merr vetëm komuniteti shkencor ndërkombëtar, duke e përfshirë revistën në fjalë në bazat relevante të të dhënave dhe duke cituar punime prej saj, gjë që deri tani nuk ka ndodhur. Po të avancohej kolegu i nderuar mbi bazën e punimit nga kjo revistë vendore, atëherë do të vinin pas tij dhjetëra të tjerë që do të avancoheshin me punime nga po kjo revistë. Ne e dimë ku e solli Universitetin trendi i avancimeve mbi bazën e publikimeve në revista që nuk e kanë kredibilitetin e duhur. U turpëruam një herë para gjithë botës dhe nuk do të duhej të na ndodhë përsëri diçka e tillë.

Unë nuk mund të kryesoj mbledhje ku “shumica” do të vendosë për avancimin e atyre që nuk i plotësojnë kushtet minimale për avancime, prandaj edhe e kam ndërprerë mbledhjen. Më vjen keq që, për shkak të ndërprerjes së mbledhjes, nuk janë shqyrtuar disa kërkesa urgjente të studentëve, por askush nuk duhet të presë që të bëjmë shkelje sistematike në procesin e emërimit të stafit vetëm për të ardhur deri tek pika e rendit të ditës që ka të bëj me studentët. Gjatë ditëve në vijim, menaxhmenti i Universitetit do të bëj përpjekje që, në kuadër të autorizimeve të veta, t’i adresojë këto kërkesa, në mënyrë që viti i ri akademik të fillojë me kohë.

( Autori i shkrimit është rektor i Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina”)