22.4 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025
Home Blog Page 6602

Nik Xhelilaj me një karrierë të re në Gjermani

0

Pas 50 vitesh, RTL, Televizioni Publik Gjerman, rikthen aventurat e “Winnetou”, një nga prodhimet më të suksesshme dhe më të ndjekura të kinematografisë gjermane. Krijuesit e saj, ia kanë besuar protagonistin kryesor, “Winnetou”, Nik Xhelilajt, aktorit shqiptar që regjisori Philip Stolzl e quan ylli i shndritshëm ndërkombëtar.

Xhirimet kanë nisur në Kroaci. Filmi do të jetë me tre pjesë dhe aventurat përbëjnë letërsinë klasike gjermane për të rinj. Ai është i bazuar në librin e Karl May, një nga shkrimtarët më të suksesshëm, me 200 milionë kopje të shitura në gjithë botën. Tre heronj që ende sot janë frymëzim për të rinjtë, do të interpretohen nga dy yje të kinemasë gjermane dhe shqiptari Nik Xhelilaj, një karakter shumëdimensional dhe i shkëlqyer, ndërsa protagonistët e tjerë të “Winnetou”, do të interpretohen edhe nga aktorë dytësorë të Hollivudit.

Premiera botërore e tre filmave, secili nga 90 minuta është menduar në 2016 në RTL.

Ndahet grupi One Direction

0

Një nga grupet më të famshme në botë, One Direction po ndahet. Katër djemtë e mbetur mund të fillojnë shumë shpejt një karrierë solo – njofton gazeta “The Sun”. Ata do të ndahen në muajin Mars të vitit të ardhshëm, pas publikimit të albumit të pestë.

Grupi i famshëm One Direction arritën një sukses të jashtëzakonshëm për pesë vite me radhë që nga bashkimi i tyre në X – Factor Uk.

Një burim i tha “The Sun” se ata mund të ribashkohen sërish në një të ardhme, por për momentin ky është fundi si grup. Në Mars të 2015 nga grupi u shkëput Zayn Malik duke e lënë One Direction me katër anëtarë.

Anastasia sjell këngët e kurajës në Tiranë

0

Anastasia do të jetë në Tiranë më 25 gusht, në vijim të turit të saj “Resurrection”, që këtë radhë është shtrirë thuajse në të gjithë Europën. Një artiste e skenave live, një këngëtare e hiteve botërore, e cilësuar nga kritika si “zonja e vogël me zërin e madh” apo “këngëtarja e bardhë me zërin e zi”. Është hera e parë që Shqipëria bëhet pjesë e turit ndërkombëtar promovues të një artisteje e për më tepër në artistë të përmasave të tilla. Sikurse tashmë është bërë e njohur edhe në faqen zyrtare të këngëtares, koncerti i saj në Tiranë do të jetë më 25 gusht, ora 20:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku Anastasia do të ndalet pas koncertit të Austrisë.

Është pikërisht Living Room Albania që pas më shumë se 45 koncerteve dhe eventeve të organizuara në Tiranë sjell edhe divën e popit, Anastasia. Sikurse bëjnë të njohur organizatorët, koncerti i datës 25 gusht nuk do të jetë thjesht një event i muzikës, por një shou i kërcimit dhe performancave live. Ashtu si edhe në qytetet më të mëdha të Europës, edhe në Tiranë, Anastasia ka përgatitur një sërë performancash koreografike për të shoqëruar këngët e albumit që do të prezantojë. Dikur ajo ka qenë një balerinë e suksesshme, gjë që i jep mundësinë të ofrojë në skenë një shfaqje të mrekullueshme baleti dhe energjie. Nga ana tjetër, në uebsajtin zyrtar të këngëtares, gjenden materialet e saj promocionale, të cilat nga sa kemi mësuar do të jenë në shitje në stendat në hyrje të stadiumit, ashtu si në të gjitha qytetet europiane, edhe në Tiranë.

Bëhet fjalë për bluzat me imazhin e këngëtares, varëset me germën A, veshjet e telefonit apo çantat. Sipas organizatorëve, qëllimi i eventeve të tilla nuk është thjesht dhe vetëm organizimi i tyre si të tilla, por përmes organizimit të këtij koncerti dhe të tjerëve që do të pasojnë, synohet që publiku shqiptar të edukohet me ritmin e koncerteve live, të cilat thuajse mungojnë. Nga ana tjetër, koncerte të përmasave të tilla shërbejnë edhe si një mënyrë socializimi për të gjithë të pranishmit, të cilët do të kenë mundësinë që nën tingujt e muzikës live, të shijojnë një birrë të ftohtë e të këndojnë bashkë me artisten hitet e saj e të ndajnë me miqtë e tyre shijet dhe përvojat muzikore. Bëhet e ditur se gjithçka është e organizuar sipas standardeve ndërkombëtare të koncerteve të tilla, ku nuk do të mungojë as komunikimi i vazhdueshëm i artistes me publikun e pranishëm në stadium, si pjesë integrale e koncertit.

Ky koncert, i cili është mbështetur nga Kryeministri i vendit, Edi Rama, sjell edhe një mesazh të fuqishëm sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi drejtuar grave shqiptare, nisur nga historia personale e këngëtares, e cila pas një lufte gati 10-vjeçare kundër kancerit të gjirit, ka arritur të mposhtë çdo paragjykim lidhur me sëmundjen. Anastasia u diagnostikua për herë të parë me kancer në vitin 2002 në moshën 34-vjeçare, ndërsa në tetor të vitit 2013 iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, që çoi në heqjen e të dy gjinjve. Ka kaluar vetëm një vit, nga momenti kur ajo deklaroi se kishte dalë triumfuese në betejën e saj me vdekjen, ndaj dhe ajo sjell albumin “Resurrection”, (Ringjallje) dedikuar pikërisht jetës. Siç shkruan ajo vetë në faqen zyrtare: “Albumi është thjesht trullosës. Një udhëtim i vërtetë melodioz, prekës, emocional, por edhe ekzaltues. Është deklarata e një luftëtari, që i dërgon botës një mesazh kuraje. Mos u dorëzo, qëndro pozitiv, gjej forcën tënde të brendshme!”. Ndërkohë, artistët mbështetës në koncertin e yllit të popit në Tiranë do të jenë finalistët e të gjitha edicioneve të “The Voice of Albania”, ndërsa partner mediatik i aktivitetit është “Top Channel”./Shqip/

Berisha insistonte që Rugova të ndalte thirrjen për pavarësi

0

Shtetet e Bashkuara dhe shërbimet e tyre inteligjente kanë qenë të shqetësuar për mundësinë e shfrytëzimit nga Sali Berisha të çështjes së Kosovës për përfitime politike të brendshme.

Në një dokument të 21 dhjetorit 1995, që “Shekulli” boton sot, analizohen zhvillimet në rajon pas Marrëveshjes së Dejtonit, që qetësoi një pjesë të Ballkanit.

Raporti i inteligjencës amerikane shprehet se Marrëveshja e Dejtonit ka galvanizuar edhe shqiptarët e Kosovës për të ndryshuar statusin e tyre.

Në një kapitull të veçantë, raporti i grupit të posaçëm për Ballkanin trajton edhe rolin e Shqipërisë, duke u fokusuar te sjellja dhe ndikimi i Presidentit të kohës, Sali Berisha.

Si drejtues i shtetit shqiptar, raporti i inteligjencës nënvizon se Berisha do të ketë një rol parësor për të ruajtur stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Në komunikimin e tij me diplomatët amerikanë, Berisha është përpjekur të fuqizojë rolin e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, ndaj të cilit kishin nisur presionet e brendshme për një ashpërsim të linjës së veprimit.

“Berisha, me shumë të ngjarë duke njohur dobësinë e pozicionit negociues për shqiptarët etnikë, vazhdon të insistojë që Rugova të ndalë thirrjen për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson që fillimi i negociatave do ta ndihmojë Rugovën t’u shmanget presioneve nga shumë liderë aktivistë të shqiptarëve kosovarë”, thuhet në dokumentin amerikan.

Megjithatë, në dokumentin e inteligjencës amerikane, bie në sy edhe shqetësimi se Presidenti shqiptar mund të “rrëshqiste” edhe vetë në kursin e nacionalizmit, për shkak të zhvillimeve të brendshme politike.

Në momentin e përpilimit të raportit, Shqipëria ndodhej vetëm 5 muaj larg zgjedhjeve të shumëdebatuara të 26 majit 1996 dhe tensioni politik në vend po kapte majat.

“Një sfidë politike nga Partia Socialiste – ish-komunistët – në zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme mund ta shtyjnë Berishën të ndjekë një linjë më të ashpër në çështjet rajonale të shqiptarëve etnikë.

Ai gjithashtu mund të përdorë kartën nacionaliste për të fituar mbështetje nga partitë e vogla të djathta”, vlerësojnë ekspertët e inteligjencës, të cilët kanë ndërtuar edhe një hartë të problematikës së Ballkanit.

Çështja kombëtare dhe zhvillimet rajonale kanë qenë shpeshherë elementë të përdorur edhe në politikën e brendshme të Shqipërisë.

Në jo pak raste, klima nacionaliste është ndikuar nga deklarata të politikanëve, në varësi të problematikave të ndeshura në qeverisje.

Berisha, një politikan me ndikim në faktorin shqiptar në Kosovë, është qortuar në disa raste edhe gjatë drejtimit të qeverisë 2005-2013 për deklaratat e tij nacionaliste.

Tirana zyrtare është vlerësuar vazhdimisht nga faktori ndërkombëtar për rolin stabilizues në rajonin e Ballkanit, ndonëse në momente të veçantë nuk kanë munguar problematikat shqetësuese, që kanë rrezikuar edhe shtimin e tensioneve në trekëndëshin Tiranë-Shkup-Beograd.

Një shtim i deklaratave nacionaliste në Tiranë u vërejt gjatë festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, ku nuk munguan edhe shqetësimet e shprehura në drejtim të Berishës, në atë kohë kryeministër.

Pjesa e dokumentit të shërbimit sekret amerikan, ku flitet për lëvizjet e Berishës

Presidenti shqiptar Berisha do të luajë një rol drejtues, duke u përpjekur të balancojë përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e minoritetit të madh etnikshqiptar në Serbi dhe Maqedoni, me përpjekje për të nxitur stabilitetin rajonal.

Megjithatë, Tirana u ka bërë jehonë kërkesave të shqiptarëve kosovarë për një vëmendje ndërkombëtare në Kosovë, duke u thënë diplomatëve amerikanë në dhjetorin e shkuar se një dështim për futur në rrugën e zgjidhjes problemin e Kosovës do të çojë në një të ardhme të paqartë në Ballkan.

Berisha thuhet se u deklaroi diplomatëve amerikane që Marrëveshja e Dejtonit dhe një moderim i perceptuar në politikën e Beogradit kanë përmirësuar shanset për të ndjekur një zgjidhje për Kosovën.

Ai u tha diplomatëve se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin drejtimin për të ndihmuar të zgjidhet bllokimi në Kosovë, duke ndjekur vendosjen e trupave të NATO-s në Bosnje.

Berisha, me shumë të ngjarë duke njohur dobësinë e pozicionit negociues për shqiptarët etnikë, vazhdon të insistojë që Rugova të ndalë thirrjen për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson që fillimi i negociatave do ta ndihmojë Rugovën t’u shmanget presioneve nga shumë liderë aktivistë të shqiptarëve kosovarë.

Një sfidë politike nga Partia Socialiste – ish-komunistët – në zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme mund ta shtyjnë Berishën të ndjekë një linjë më të ashpër në çështjet rajonale të shqiptarëve etnikë.

Ai gjithashtu mund të përdorë kartën nacionaliste për të fituar mbështetje nga partitë e vogla të djathta.

Damkosja e zgjedhjeve të majit ‘96

Zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996 i dhanë fund mandatit të parë të Partisë Demokratike në pushtet, por ato u njollosën me parregullsi dhe dhunë të shumtë ndaj opozitës politike. Për shkak të manipulimeve, Partia Demokratike fitoi një mazhorancë të madhe në Kuvend, ndërsa Partia Socialiste u tërhoq prej tyre.

Ato shënuan nisjen e një krize të ashpër politike, ndonëse qeveria e Presidentit Berisha pranoi përsëritjen në disa zona.

Në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë zgjedhjet parlamentare u cilësuan si të manipuluara.

Nga Parlamenti i dalë prej zgjedhjeve të 26 majit 1996, Sali Berisha siguroi në fillim të marsit 1997 edhe mandatin e dytë si President i Republikës. Vetë Berisha do të jepte dorëheqjen pak muaj më vonë, pasi Partia Demokratike humbi zgjedhjet e qershorit. /shekulli/

Adem Jashari e Skënderbeu në kanionet e Mirushes (Foto)

0

Portetet e Skënderbeut dhe Adem Jasharit, së bashku me flamurin kombëtar, janë skalitur në njëren prej kanioneve të Mirushes, dhjetra metra në lartesi.

Gazeta Fjala sjell disa foto të kësaj vepre artistike.

Adem Jashari e Skenderbeu në kanionet e Mirushes1

14 vjeçari pa duar, gjeniu i artit nga Malisheva (Foto)

0

Në njërën nga klasat e shkollës fillore “Ibrahim Mazreku” në Malishevë është vendosur një tavolinë e veçantë për nxënësin e klasës së nëntë, Arijon Krasniqi.
Mungesa e dy duarve nuk ka qenë asnjëherë pengesë, që ai të jetë ndër nxënësit më të mirë në shkollën e tij.

Madje, shkrimi i Arijonit, edhe pse me këmbë, është më i bukur e më i lexueshëm se i shumicës së nxënësve të tjerë.

Arijon Krasniqi pa duar1

Edhe pse shkolla ka klasë të ndarë për nxënësit me aftësi të kufizuara, Arijoni ka vijuar mësimin me nxënësit e rregullt falë zgjuarsisë së tij.

“Ai falë zotësisë ka kaluar në klasën e rregullt dhe është një nxënës i shkëlqyer, me të cilin mburremi edhe ne. Ndonëse është pa duar, por me shkrimin e tij na e kalon edhe ne të tjerëve që i kemi duart”, shprehet Januz Mazreku, drejtor i shkollës fillore “Ibrahim Mazreku”, Malishevë.

Ai që i dha mësimet e para është mësuesi Adem Hoti, i cili i kushtoi shumë kohë e vëmendje Arijonit.

“Në fillim kemi pasur vështirësi, por më pas dalëngadalë kemi kaluar shumë mirë. Vështirësitë kanë qenë për faktin se duhej t’i kapnim këmbët, pasi dilte jashtë vijave të ngushta, mirëpo me punën dhe angazhimin tim gradualisht arrita ta mësoja që të shkruante brenda vijave. Në orën e edukatës fizike, kur kemi luajtur, jam angazhuar dhe kam hyrë në lojë edhe unë bashkë me Arijonin. Kam vrapuar ngjitur me të, në mënyrë që të mos haste ndonjë pengesë e të rrëzohej”, deklaron Adem Hoti, mësuesi i parë i Arijonit.

Arijon Krasniqi-piktura e tij

Arjonit nuk i mungon as përkrahja e shoqërisë.

“Më duket se ai mëson më shumë se ne”, thotë një shoqe e tij. “Jo më duket, por Arijoni mëson më shumë se ne”, konfirmon një shok klase i tij.

Shoqja e pandashme e klasës, që për 9 vjet e ka ndihmuar, është vetë motra e Arijonit.

“Arijonin nuk e kam vetëm si vëlla, por e kam si shok, si gjithçka. Ai i di gjërat shumë më mirë se sa unë”, thotë e motra Qelebie Krasniqi.

Edhe në shtëpi, Arijoni është pothuajse tërësisht i pavarur. Ushqehet me këmbë, madje përdor edhe rrjete sociale në laptopin e tij, që iu dhurua si donacion.

Arijon Krasniqi-piktura e tij1

Vizatimi e piktura janë pasione të Arjonit, që po ashtu i realizon me këmbë.

“Jo, nuk kam aspak vështirësi. Nuk më pengon asgjë”, shprehet Arijon Krasniqi.

Ndërsa vendosja e protezave, që mund të bëhet vetëm jashtë Kosovës, ka kosto prej 45 mijë deri në 70 mijë euro, shumë të cilën familja nuk ka mundësi ta paguajë. /Gazeta Express/

Çitaku fillon punën si ambasadore

0

Vlora Çitaku, ambasadorja e re e Kosovës në Washington, tanimë ka filluar edhe zyrtarisht aktivitetin e saj si ambasadore.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ajo nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Vetëm sa arrita në Washington. E nderuar me detyrën time të re…”, ka shkruar Çitaku.

Prizreni, kryeqyteti i xhamive

0

Nga Qani Sulku

Disa vende të tërheqin për t’i vizituar për shkak të bukurisë natyrore që kanë. Disa të tjera për shkak të arkitekturës së veçantë të ndërtesave. Disa, për shkak të klimës, e disa për shkak të detit e kështu me radhë. Prizreni i Kosovës ka të tjera veçori dhe karakteristika, të cilat me patjetër të ftojnë që t’i vështrosh nga afër dhe më pas t’i përshkruash, ashtu siç di dhe mundesh, kudo që shkon.

Që në momentin e parë që vendos ta vizitosh Prizrenin, një gëzim i madh të përshkon shpirtin, pasi ai është më i bukur seç paraqitet nëpër foto. Rruga drejt tij sado e gjatë qoftë, shkurtohet nëpërmjet ndjenjës së kënaqësisë dhe deshirës së zjarrtë për ta shkelur dhe prekur fizikisht një çast e më parë. Ashtu siç e ndjen nga larg aromën e këndshme të një kopshti dhe bahçeje të mbushur plot e përplot me lule shumëngjyrëshe dhe të llojllojshme, ashtu edhe Prizreni, që në hyrje të tij të ofron një pamje spektakolare me minaret e shumta të xhamive, të cilat ngjajnë si një kurorë zbukuruese e qytetit.

Në mes të Prizrenit, të mirëpret nëna e xhamive, ajo e Sinan Pashës, e vjetër pothuajse sa vetë Prizreni, por e meremetuar dhe rifreskuar së fundmi, duket më e reja në mesin e xhamive. Sa herë që vjen koha e çdo namazi jehona e ezaneve vjen nga secila anë që kthen kokën dhe të duhet të vendosësh se në cilën xhami do të falesh, pasi ato janë aq pranë njëra-tjetrës, sa janë edhe shtëpitë e banimit. Edhe pse numri i xhamive në Prizren është i madh, prapë se prapë ato nuk janë bosh. Në çdo kohë faljeje, ato gumëzhijnë nga besimtarë të moshave të ndryshme, duke filluar që nga fëmijët, të cilët sapo kanë filluar të çapëlojnë me këmbët e tyre të vocka e deri tek të moshuarit, që mezi ecin dhe ndihmohen nëpërmjet bastunit. E gjithë kjo dëshmon se, fryma fetare tek familjet e këtij vendi trashëgohet nga brezi në brez dhe konsiderohet një nga punët më me vlerë që bën familja në mirë-rritjen e fëmijëve të tyre. Kudo dëgjon përshëndetjen “Selamun alejkum” (Paqja qoftë me ju) dhe kjo është përshëndetja e përgjithshme, dhe kudo të ftojnë me “Merhaba” (Mirsevini), ç’ka tregon për njerëz të paqtë dhe mikpritës.

Të gjitha xhamitë janë të bukura, por këto të Prizrenit duken më të veçanta, pasi ndërtimi i tyre është realizuar nga arkitektë profesionistë turq, tashmë të njohur në të gjithë botën për dizajnin e tyre karakteristik të xhamive. Forma e kubeve dhe kupolave të xhamive të Prizrenit, minaret e tyre, arabeskat, afresket, vizatimet e brendshme si dhe çezmat që shoqëronin secilën xhami në ambientet e jashtme të tyre, të jepnin përshtypjen sikur je në xhaminë “Blu” në Stamboll. Bukuria më e madhe e xhamive reflektohet sapo bie muzgu dhe dita i lë vendin natës. Bukuria e tyre është e jashtme dhe e brendshme: nga jashtë janë ndriçuar si kështjella thesaresh, të cilat të ftojnë t’i zbulosh, ndërsa ndriçimi i tyre i brendshëm të mahnit, të mrekullon, të zhvendos nga jeta e përditshme drejt një bote, ku prehja dhe qetësia shpirtërore mbretëron dhe aty ku hyjnorja mbisundon.

Në qytetin e Prizrenit nuk e ke të nevojshme të vendosësh alarmin e orës për t’u zgjuar për namazin e Sabahut, pasi kumbimi i zërave melodioz të muezinëve, ta largojnë gjumin ëmbëlsisht dhe të ftojnë drejt diçkaje më të mirë se ai, drejt takimit të parë të ditës me Atë që të krijoi, ta falënderosh që ta dha jetën edhe për këtë ditë, si dhe t’i kërkosh bekimin dhe ndihmën për punët e tua.

Ashtu si filxhanët e kafesë në tabaka, ashtu duken xhamitë e Prizrenit nga kalaja e tij. Ashtu si rruazat e një gjerdani, ashtu duken minaret e xhamive. Nga lart, nga kalaja, i gjithë Prizreni duket si bakllavaja në tepsi, ku ti do të doje të shijoje çdo kallëp të saj. Fillon e i numëron xhamitë dhe të duket vetja sikur je futur në muzeun e xhamive, ku ti vetë je ciceroni i tij.

Prizreni, gjithmonë tërheq turistë, por gjatë verës numri i tyre është aq i madh, saqë duken si turma milingonash që kanë mbuluar çdo centimetër tokë. Të gjithë i shikon teksa bëjnë foto dhe në sfond dëshirojnë që të kenë bukuritë e pashoqe të xhamive. Edhe nëpër dyqanet e suvenireve i shikon teksa blejnë panorama të Prizrenit, ku xhamitë duken si koka dhe zemra e tij, ndërsa ndërtesat e tjera si pjesët e tjera të trupit. Prizreni të ofron intimitet dhe familjaritet, pasi në çdo pjesë të tij, nuk e ndjen veten të huaj, por vendas, dhe kjo falë mikpritjes së vendalinjve, të cilët janë mësuar që të kenë gjithmonë vizitorë.

Prizreni është qyteti i këmbësorëve, pasi të ofron rrugë kryesore dhe rrugica, të gjitha të shtruara me gurë karakteristikë, që presin t’i përshkosh, si dhe të ofrojnë pamje dhe peizazhe që vështirë se mund t’i harrosh. Prizreni nuk është vetëm qyteti muze i xhamive, por ai mban brenda tij edhe shtëpinë më muze të të gjithë shqiptarëve, atë të Lidhjes së Prizrenit, ajo e cila mblodhi burrat më të ndritur të të gjitha krahinave shqipfolëse dhe i bashkoi për një qëllim të vetëm, për liri dhe pavarësi. Të shkosh në Prizren dhe të mos shikosh nga afër shtëpinë muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, është njësoj sikur t’i shkosh mysafir dikujt për Bajram dhe të refuzosh bakllavanë apo ëmbëlsirën që të ofron.

Në qendër të Prizrenit, është shatërvani me çezmat e tij, që të fton të shijosh ujin e ftohtë në Verë dhe të freskët në Dimër. Nuk ka të huaj, që ka kaluar nëpërmjet Prizrenit, apo vendas, që të mos i ketë hapur gojën ujit të këtij shatërvani identifikues të këtij qyteti. Mbrëmjet në Prizren janë të veçanta, pasi të madh e të vogël i gjen jashtë shtëpive, në shëtitjet tradicionale në rrugët më kryesore të qendrës së tij. Në Prizren edhe gjumi ka tjetër shije, ndërsa zgjimi është tepër i veçantë, me një ajër të pastër, me një freski mëngjesore, me një pamje përrallore nga secila dritare apo ballkon shtëpie apo hoteli. Çaji karakteristik i vendit, qebapët e njohur të Prizrenit, ushqimet hallall që ofrojnë restorantet, lumi që përshkon qytetin mes për mes, urat harkore të këtij lumi, që lidhin njerën pjesë të qytetit me tjetrën, të bëjnë të ndihesh rehat dhe ta shijosh qëndrimin më shumë.

Prizreni është një qytet prej të cilit do të doje të mos ndaheshe kurrë. Është një qytet që të magnetizon, të elektrizon, të bën për vete që me shikimin e parë. Bie në dashuri me të, dhe kjo dashuri sa vjen e rritet pa u venitur asnjëherë. Në momentin që vjen koha për t’u larguar prej tij, të krijohet një hapësirë dhe një boshllëk që nuk e di se me çfarë ta mbushësh. Të duket sikur po largohesh prej diçkaje që do të doje të mos mbaronte kurrë.

Por jeta kështu e ka. Çdo gjë që ka fillim ka edhe fundin e vet, përveç Zotit, I Cili është I Pari pa fillim dhe I Fundit pa mbarim. Por përpara se të përshëndetesh me këtë vend, mundohesh që të marrësh me vete diçka prej tij, një kujtim sado të vogël, me të cilin do të rifreskosh gjithçka që ke përjetuar në një vend të paharruar si Prizreni. Ashtu sikur nuset e kohëve të vjetra, të cilat e shprehnin hapur dhimbjen e ndarjes nga shtëpia e prindërve të tyre ditën e dasmës, ashtu e ndjen veten gjithsecili vizitor në momentin që i duhet të largohet nga Prizreni.

Aq shumë të bën për vete ky vend, saqë ende pa u larguar prej tij, ti planifikon se kur do të kthehesh sërish, sepse vetëm kështu, dhimbja e ndarjes sikur zvogëlohet sadopak. Në Prizren të kënaqet syri duke parë, e veshi duke dëgjuar. Oreksi për të qëndruar në Prizren sa vjen dhe shtohet. Në momentin që largohesh koka të rri pas, pasi Prizreni të thotë: “Mos ik, por edhe nëse ikën kthehu sërish, pasi unë këtu do të jem e do të pres. Ky jam unë. Kush më sheh njëherë, do të donte të mos ndahej kurrë prej meje. Eja sërish mysafiri im!”

Prizrenasit mahnitin kroatët

0

Kësaj radhe, kosovarët ishin të prezantuar nga Ansambli Folklorik i Prizrenit.

Gjatë të premtes, në Vodnjan të Kroacisë është mbajtur një manifestim multikulturor, i këngëve e valleve popullore, zakoneve e traditave popullore, ku kanë marrë pjesë 250 folkloristë nga dhjetë grupe, nga Kroacia, Sllovenia, Italia, Kosova, Hungaria dhe Polonia.

Grupet e folklorit e kishin hapur festivalin duke parakaluar nëpër qytet, ndërsa më pas, në skenën e sheshit të qytetit, ata edhe zyrtarisht i janë paraqitur publikut, në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të gjithë pjesëmarrësit, me krenari e kanë bartur veshjen e tyre popullore, duke treguar edhe kësaj here koloritin e kulturës së vendeve prej nga kanë ardhur. Kësaj radhe, kosovarët ishin të prezantuar nga Ansambli Folklorik i Prizrenit./zhurnal.mk/

Aksident në Prizren e Dragash, pesë të lënduar

0

Në rrugën “Edit Durham” në Prizren, një person gjersa ishte duke lëvizur me motoçikletë, nga pakujdesia ka goditur një këmbësor i cili pastaj është goditur nga një veturë tjetër e cila ishte në lëvizje.

Sipas policisë, si pasojë lëndime trupore kanë pësuar tre persona të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit.

Aksidenti tjetër ka ndodhur në fshatin Plavë të Dragash, ku një motoçiklist ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Si pasojë lëndime trupore ka pësuar ngasësi dhe një pasagjer, të cilët janë dërguar për trajtim të nevojshëm mjekësor në Spitalin e Prizrenit dhe në QKUK. /PrizrenPress.com/