25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Berisha insistonte që Rugova të ndalte thirrjen për pavarësi

Shtetet e Bashkuara dhe shërbimet e tyre inteligjente kanë qenë të shqetësuar për mundësinë e shfrytëzimit nga Sali Berisha të çështjes së Kosovës për përfitime politike të brendshme.

Në një dokument të 21 dhjetorit 1995, që “Shekulli” boton sot, analizohen zhvillimet në rajon pas Marrëveshjes së Dejtonit, që qetësoi një pjesë të Ballkanit.

Raporti i inteligjencës amerikane shprehet se Marrëveshja e Dejtonit ka galvanizuar edhe shqiptarët e Kosovës për të ndryshuar statusin e tyre.

Në një kapitull të veçantë, raporti i grupit të posaçëm për Ballkanin trajton edhe rolin e Shqipërisë, duke u fokusuar te sjellja dhe ndikimi i Presidentit të kohës, Sali Berisha.

Si drejtues i shtetit shqiptar, raporti i inteligjencës nënvizon se Berisha do të ketë një rol parësor për të ruajtur stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

Në komunikimin e tij me diplomatët amerikanë, Berisha është përpjekur të fuqizojë rolin e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, ndaj të cilit kishin nisur presionet e brendshme për një ashpërsim të linjës së veprimit.

“Berisha, me shumë të ngjarë duke njohur dobësinë e pozicionit negociues për shqiptarët etnikë, vazhdon të insistojë që Rugova të ndalë thirrjen për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson që fillimi i negociatave do ta ndihmojë Rugovën t’u shmanget presioneve nga shumë liderë aktivistë të shqiptarëve kosovarë”, thuhet në dokumentin amerikan.

Megjithatë, në dokumentin e inteligjencës amerikane, bie në sy edhe shqetësimi se Presidenti shqiptar mund të “rrëshqiste” edhe vetë në kursin e nacionalizmit, për shkak të zhvillimeve të brendshme politike.

Në momentin e përpilimit të raportit, Shqipëria ndodhej vetëm 5 muaj larg zgjedhjeve të shumëdebatuara të 26 majit 1996 dhe tensioni politik në vend po kapte majat.

“Një sfidë politike nga Partia Socialiste – ish-komunistët – në zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme mund ta shtyjnë Berishën të ndjekë një linjë më të ashpër në çështjet rajonale të shqiptarëve etnikë.

Ai gjithashtu mund të përdorë kartën nacionaliste për të fituar mbështetje nga partitë e vogla të djathta”, vlerësojnë ekspertët e inteligjencës, të cilët kanë ndërtuar edhe një hartë të problematikës së Ballkanit.

Çështja kombëtare dhe zhvillimet rajonale kanë qenë shpeshherë elementë të përdorur edhe në politikën e brendshme të Shqipërisë.

Në jo pak raste, klima nacionaliste është ndikuar nga deklarata të politikanëve, në varësi të problematikave të ndeshura në qeverisje.

Berisha, një politikan me ndikim në faktorin shqiptar në Kosovë, është qortuar në disa raste edhe gjatë drejtimit të qeverisë 2005-2013 për deklaratat e tij nacionaliste.

Tirana zyrtare është vlerësuar vazhdimisht nga faktori ndërkombëtar për rolin stabilizues në rajonin e Ballkanit, ndonëse në momente të veçantë nuk kanë munguar problematikat shqetësuese, që kanë rrezikuar edhe shtimin e tensioneve në trekëndëshin Tiranë-Shkup-Beograd.

Një shtim i deklaratave nacionaliste në Tiranë u vërejt gjatë festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, ku nuk munguan edhe shqetësimet e shprehura në drejtim të Berishës, në atë kohë kryeministër.

Pjesa e dokumentit të shërbimit sekret amerikan, ku flitet për lëvizjet e Berishës

Presidenti shqiptar Berisha do të luajë një rol drejtues, duke u përpjekur të balancojë përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e minoritetit të madh etnikshqiptar në Serbi dhe Maqedoni, me përpjekje për të nxitur stabilitetin rajonal.

Megjithatë, Tirana u ka bërë jehonë kërkesave të shqiptarëve kosovarë për një vëmendje ndërkombëtare në Kosovë, duke u thënë diplomatëve amerikanë në dhjetorin e shkuar se një dështim për futur në rrugën e zgjidhjes problemin e Kosovës do të çojë në një të ardhme të paqartë në Ballkan.

Berisha thuhet se u deklaroi diplomatëve amerikane që Marrëveshja e Dejtonit dhe një moderim i perceptuar në politikën e Beogradit kanë përmirësuar shanset për të ndjekur një zgjidhje për Kosovën.

Ai u tha diplomatëve se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin drejtimin për të ndihmuar të zgjidhet bllokimi në Kosovë, duke ndjekur vendosjen e trupave të NATO-s në Bosnje.

Berisha, me shumë të ngjarë duke njohur dobësinë e pozicionit negociues për shqiptarët etnikë, vazhdon të insistojë që Rugova të ndalë thirrjen për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson që fillimi i negociatave do ta ndihmojë Rugovën t’u shmanget presioneve nga shumë liderë aktivistë të shqiptarëve kosovarë.

Një sfidë politike nga Partia Socialiste – ish-komunistët – në zgjedhjet parlamentare pranverën e ardhshme mund ta shtyjnë Berishën të ndjekë një linjë më të ashpër në çështjet rajonale të shqiptarëve etnikë.

Ai gjithashtu mund të përdorë kartën nacionaliste për të fituar mbështetje nga partitë e vogla të djathta.

Damkosja e zgjedhjeve të majit ‘96

Zgjedhjet parlamentare të 26 majit 1996 i dhanë fund mandatit të parë të Partisë Demokratike në pushtet, por ato u njollosën me parregullsi dhe dhunë të shumtë ndaj opozitës politike. Për shkak të manipulimeve, Partia Demokratike fitoi një mazhorancë të madhe në Kuvend, ndërsa Partia Socialiste u tërhoq prej tyre.

Ato shënuan nisjen e një krize të ashpër politike, ndonëse qeveria e Presidentit Berisha pranoi përsëritjen në disa zona.

Në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë zgjedhjet parlamentare u cilësuan si të manipuluara.

Nga Parlamenti i dalë prej zgjedhjeve të 26 majit 1996, Sali Berisha siguroi në fillim të marsit 1997 edhe mandatin e dytë si President i Republikës. Vetë Berisha do të jepte dorëheqjen pak muaj më vonë, pasi Partia Demokratike humbi zgjedhjet e qershorit. /shekulli/

Më Shumë

Në 25-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, djali i tij publikon një letër të shkruar nga i ati

Kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, Andin Hoti, në 25-vjetorin e zhdukjes së babait të tij, veprimtarit Ukshin Hoti, e ka përkujtuar atë mënyrë...

Kurti: Edhe pas një çerek shekulli fati i Ukshin Hotit nuk është zbardhur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më 16 maj 1999, profesori Ukshin Hoti, pas lirimit nga burgu i Dubravës, u rrëmbye dhe u...

Koha dritëplotë

Lajmet e Fundit