17.1 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025
Home Blog Page 6603

Thaçi: Askush s’mund të bëjë balancë të gjenocidit të Serbisë në Kosovë

0

Ministri i jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervisë për Zërin e Amerikës ka thënë se asnjë gjykatë nuk do mundë të i barazoj gjenocidin serb në Kosovë me ndonjë krim eventual individual që mundë ta ketë kryer nga ndonjë shqiptar.

“Natyrisht askush nuk do të mundë t’i barazoj apo të bëjë balancë të gjenocidit të Serbisë të kryer në Kosovë me ndonjë lëshim eventual apo gabim individual të individëve të dëshpëruar në periudhën e luftës prej komuniteti shqiptar. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe kjo gjë tanimë dihet botërisht”, ka thënë Thaçi .

Lidhur me gjykatën speciale, ai ka deklaruar që vendimet politike janë marrë dhe tashmë është duke u pritur vetëm vendimi i gjykatës kushtuese për këtë çështje e më pastaj do të bëhen hapat e parë drejt themelimit të speciales.

“Tanimë është çështje e institucioneve të Kosovës bashkërisht me autoritetet ndërkombëtare, të Bashkimit Evropian, kjo çështje tanimë është në Gjykatën Kushtetuese, si çështje e ngritur nga paritë opozitare. Do të merret opinioni i Gjykatës Kushtetuese, ne besojmë plotësisht që vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe votimi ka qenë i drejt dhe kushtetues”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se shpreson që gjërat do të lëvizin gradualisht dhe sipas tij kjo cështje tashmë është më shumë aspekt procedural sesa çështje e vendimeve politike.

Gjendet i vrarë një person në Prizren

0

Një preson është gjetur i vrarë në Prizren. Trupi i viktimës është gjetur në shtëpinë e tij. Policia e Kosovës ende nuk e ka konfirmuar rastin.

Burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se afër trupit të viktimës, janë gjetur edhe armë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë mjekët dhe prokurori. Mjekët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, ndërkaq, me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Prishtinë. Dyshohet së viktima mund edhe të jetë vetëvrarë. /PrizrenPress.com/

Partia e Drejtësisë në Prizren, vizitohet nga ajo e Turqisë

0

Kryetari i Partisë së Drejtësisë në Prizren, Qemal Mehmeti së bashku me bashkëpunëtorë ka pritur një delegacion të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Turqisë.  Mehmeti e çmoi lart vizitën e delegacionit turk, duke e vlerësuar si një mundësi dhe hap të rëndësishëm në thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe ekonomike të Komunës së Prizrenit dhe komunave të Turqisë.

Poashtu, edhe bashkëpunimi ndërpartiak midis AK dhe PD u vlerësua shumë strategjik dhe u shpreh pajtueshmëri dhe gadishmëri që i njëjti të intensifikohet dhe të thellohet në të gjitha nivelet.

Edhe me këtë rast populli turk dhe institucionet shtetërore, ato ekonomike dhe joqeveritare të Turqisë u falenderuan për ndihmën që i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës , me theks të posaqëm në ndihmat Komunës së Prizrenit.

Mehmet Babacan, këshilltar i zëvendëskryeministrit të parë të Turqisë, Numan Kurtulmus, në emër të delegacionit turk, por edhe në emër të Qeverisë së Turqisë, falënderoi kryetarin e degës së PD në Prizren Qemal Mehmeti dhe bashkëpunëtorët e tij , për pritjen, duke siguruar se do të angazhohen që ky bashkëpunim në të ardhmen të thellohet edhe më shumë.

Nga të dy palët u konkludua se vlerat e përbashkëta duhet të ruhen dhe kultivohen edhe në të ardhmen./PrizrenPress.com/

Kjo sex-bombë ka çuar në shtrat yjet e futbollit

0

Janë të shumta lajmet për modelen nga Argjentina, Claudia Ciardone.

Për të janë shkruar shumë lajme për lidhje me futbollistë të njohur argjentinas.

Për të paktën 3 prej tyre mediat thonë se ajo i dërguar në shtrat.

Bëhet fjalë për emrat e mëdhenj si: Lionel Messi, Gonzalo Higuain dhe Carlos Tevez që sipas medieve në vendin e saj kanë pasur në krah bukuroshen në fjalë.

Flori sot feston ditëlindjen e 33-të

0

23 gushti siç duket është datë historike pasi që dy nga këngëtarët tonë të njohur festojnë sot ditëlindjen.

Përpos Ermal Fejzullahut, në këtë datë ka lindur edhe këngëtari dhe producenti e kantautori Flori Mumajesi.

Flori sot feston ditëlindjen e tij të 33 ndërkaq nuk kanë munguar as urimet nga miqtë e tij.

A ka njerëz në anën tjetër?

0

(Shënime për përmbledhjen me tregime “Bardhëezi”, Ballsor Hoxha)

Nga Agim Baçi

Kufiri tokësor është ende i padukshëm. Ai në mendje vijon të mos mundet as me e mendu se mund të jetë aty pranë. Askush nuk dëshiron ta shohë, as kur në stomak fluturat nisin të bëjnë lojën e vet, të ngrenë gjithçka brenda për fluturim drejt syve të vajzës apo djalit që të ka mbetur në mendje.

Por, një pyetje vjen e bëhet një Himalajë e vështirë për t’iu ngjitur: mund ta kuptojmë tjetrin që s’na pranoi dot kurrë? Ballsor Hoxha ka vendosur ta testojë këdo bashkëqytetar të tij prishtinas përmes syve të brendshëm të paraluftës me serbët, e të jetës më pas pa to. Por sapo vendos të hedhësh një hap, e shkuara bëhet e fortë. Zemra nuk do me u ndalë. Dashuri është e nuk ka gjuhë tjetër veç asaj që zemra flet me veten. Por ja që këmbën e drejtoka mendja. Paradoks. Por ja që duhet, sepse “tjetri” është në kufijtë e së pamundurës e ajo që ngrihet më shpejt se gjithçka është pushka.

“Janë njëzet e një vjeç, janë të lodhur jete. Dhe nuk e dinë ku takojnë. Por u duhet të kthehen ku u rrinë trupat e këputur, mes lindjes dhe vdekjes, ditës dhe natës, në Prishtinën e viteve të 90-ta”. (Tregimi “Ku” në përmbledhjen “Bardhëezi”, Ballos Hoxha, f. 84).

Tregimet janë një udhëtim drejt humnerës së brendshme që krijon “tjetri i pamundur”. Ose edhe më keq, tjetri që të sheh si pjesë e argëtimit të tij ku mendja prodhon veçse grafikën e perverses së gatuar me dhunë. Nisin ashtu, mes ëndrrës dhe pushkës gati. Gresën e ëmbël në mendje dhe pushkën që i duhet djaloshit, i ndan një fill i hollë, ashtu si jeta me vdekjen, gati-gati bardh e zi.

Më pas rizgjohet njeriu i Prishtinës. Por një pyetje tjetër nuk është kurrë e lehtë për t’iu përgjigjur: Paslufta, a mundet me jetu pa e menduar atë që ka ndodhur me fqinjin që i ka dhunuar? Pasi ka “ndezur makinën’ në një “ndërmjetësi”, Hoxha i kalon personazhet e tij nëpër kufij, banesa, nëpër rrugë e rrjedha, prekje të vazhdueshme e padyshim në mungesa, si për të thënë se ajo e shkuar duhet lexuar brenda së tashmes.

Ka thuajse një amok që, nëse nuk i ke vënë emër, mund të të rrëmbejë, të të lërë pa ditur të lexosh mirë të shkuarën. Janë tregime që mund të lexohen si roman. Jetojnë gjithkund, por të duket sikur kanë të njëjtën lagje, të njëjtin armik, të njëjtën vajzë apo djalë që dëshirojnë ta kenë thellë brenda vetes, derisa asnjë kufi të mos mundet me u dallu. Por sërish vijnë pyetjet, që edhe kur dalin jashtë, janë sërish aty, deri sa njeriu të mundet të kthejë një përgjigje: a mundet me e pa si njëri tjetrin që ty s’të pa kurrë si të tillë?

“Ç’është e imja në të vërtetë? A është po e njëjta tavolinë, nuk e kemi ndërruar ende, megjithëse na ndjell të gjithëve, e di, për këtë jam i sigurtë që na ndjell të gjithëve atë qetësinë shtazë me frikën tonë më të madhe të pritjes, apo ndoshta edhe të projektimit të vdekjes në mënyrë sa më pak të dhunshme; e shikoj dhe pyetem, kjo tavolinë që rri si dele e matufosur në kuzhinën time, a është e imja? I afrohem dhe e shikoj, e ndjej ngjyrën e llakut mbi sipërfaqen e saj, e di këtë, por nuk e di a është e imja. Në hapësirën në mes të tavolinës dhe perdeve, gjendet topi plot ngjyra të hareshme i mbesës, vajzës së vëllait lindur pas lufte dhe kjo e bën tavolinën më të afërt, më të prekshme, por a është e imja?”. (Tregimi “Shion” në përmbledhjen “Bardhëezi”, Ballos Hoxha, f. 167).

Ndoshta autori s’do duhej t’i kish paraprirë tregimet me shpjegime. Udhëtimet nga brenda jashtë, në formatin bardhëezi kanë nevojë për sytë e gjithsecilit për t’i shtuar apo hequr kontrastin dhe prania e autorit veçse ua vonon këtë nisje. Ai ka rreshtuar përditshmëri të brendshme e të jashtme me një gjuhë gati intime, e vrazhdë ndonjëherë, në kufijtë e instinktit.

Gjithsesi, të gjithë kanë nevojë të kuptojnë me vetveten se ku është filli që lidh paraluftën me pasluftën. Jo për të mbetur pas, por për të parë përpara dhe larg, edhe pse torbën e së djeshmes nuk e shmangim dot nga supet, sepse ajo ka aty atë që duhet ta dimë, ndaj ia vlen ta mbajmë për t’ua lënë amanet nipave dhe mbesave. E arti është ndoshta torba që mbahet më lehtë e që mundet me thënë më shumë. Kemi nevojë të vrapojmë drejt së nesërmes. E kur të ulemi pak për të pritur sprintin e rrallës, duhet me pa rrugën nga erdhëm. Sepse s’ka luftë që e mund Njeriun. As nga brenda. As nga jashtë! Thjesht e trand dhe e lidh me historinë që s’ka pushuar për të tronditur, por edhe për ta rritur.

“Vjetrohet” shkolla e re në Gjonaj të Hasit

0

Ka pesë vite që në Gjonaj të Hasit, ka filluar ndërtimi i objektit të ri shkollor. Kryetari i fshatit Haziz Hodaj thotë se ky objekt shkollor ende nuk është kryer edhe pse ka filluar para pesë vitesh.

“Kjo shkollë na ka ” zgjat veshët” dhe ende s’po kryhet. Moti ka filluar që në vitin 2010”, thotë Hodaj për Kosova Sot.

“Siç duket ajo duke u ndërtuar ka filluar të vjetrohet”, shprehet ai.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Prizren Nexhat Çoçaj, thotë se objekti i shkollës në Gjonaj të Hasit do të përfundon këtë vit.

“Ajo shkollë është shkollë moderne dhe do të përfundojë në këtë vit. Është financim i Komunës dhe këtë vit kemi ndarë nga rishikimi i buxhetit edhe 92 mijë euro, prandaj së shpejti besoj, se do të kryhet ai objekt madhor”, thotë Çoçaj

Versioni modern i Don Kishotit, a mund të rishkruhet Servantes?

0

Versioni i gjuhës moderne i klasikut të Migel Servantesit nga Andres Trapiello është i nevojshëm, thonë ekspertët, ndërsa akademikët spanjollë rebelohen.

Një botim i ri i “Don Kishoti”, romanit të shekullit të 17-të nga Migel Servantes, që e sheh historinë klasike të shtegtarit që do të bëhet kalorës, të përshtatur në spanjishten moderne, mund të bëjë zhurmë në Spanjë, por studiuesi i Don Kishotit, Ilan Stavans ka thënë se ky version i ri nga Andrés Trapiello është i nevojshëm nëse spaniardët duan të lexojnë një nga veprat më të kremtuara të letërsisë së vendit të tyre.

“Don Quijote de la Mancha” i Trapiello-s, që besnikërisht dhe plotësisht përshtat fjalorin e shekullit të 17-të në spanjishten e ditëve të sotme, ishte i nënti në listën e bestsellerëve spanjollë në fund të korrikut, sipas AFP-së. Por, megjithatë ka shkaktuar debate me akademikun nga Madridi, David Felipe Arranz, që e përshkruan si “krim kundër letërsisë” në AFP, duke shtuar: “Kam pyetur librashitësit në Madrid dhe ata më kanë thënë se askush nuk ble më romanin origjinal të Servantesit, sepse lexuesit preferojnë këtë version “më të lehtë”… nuk mund të ndryshosh shijen e fjalëve të shkrimtarit më të madh në gjuhën tonë”.

“Asgjë nuk e trishton Spanjën më shumë se njerëzit –shpesh, njerëzit e saj –kur përzihen me Don Kishotin”, – pranon Stavans, profesori i Kulturës latine e latino-amerikane në kolegjin Amherst në ShBA. Por Stavans tregon se kjo përshtatje e romanit nga Trapiello ndjek autorin bestseller Arturo Pérez-Reverte me botimin e shkurtuar nga “Real Academia Espanola” vitin e shkuar dhe thotë se ishte një zhvillim i nevojshëm.

Pse e bëri Akademia këtë? Sepse, nëse nuk bën diçka për njerëzit që nuk lexojnë Don Kishotin, vetë instituti do të bëhej i parëndësishëm”, – ka thënë ai. “Si rezultat i një sërë faktorëve, përfshirë ndryshimin në kurrikulat e shkollës, të rinjtë në Spanjë nuk po lexojnë. Termometri është Don Kishoti dhe ai është braktisur…Përshtypja ime…është se nëntë në dhjetë njerëz që lexojnë romanin e Servantesit sot janë jashtë Spanjës. Dhe një pjesë e madhe e këtyre lexuesve e aksesojnë në përkthim”.

Stavans, i cili ka shkruar hyrjen e botimit të ri të Don Kishotit në gjuhën angleze për “Restless Books”, si edhe të riun “Kishoti: Romani dhe Bota”, thotë se megjithatë nuk është e vërtetë që lexuesit spanjollë nuk mund të kuptojnë gjuhën e Servantesit, me gjuhën që vjetrohet më pak se anglishtja në 400 vitet e fundit. ‘Me këtë e kam fjalën që Shekspiri është më i vështirë të kuptohet sot sesa bashkëkohësi i tij, Servantesi. Një version i ri duhej, megjithatë”.

“A ishte i nevojshëm një përkthim modern atëherë? Sigurisht që po. Shekspiri është përditësuar, përshtatur, modernizuar si edhe rishkruar gjatë gjithë kohës dhe askush nuk e bën të madhe. Këto qasje në sytë e mi, janë një homazh, një kremtim, një njohje e borxhit të pamatë që i kemi atij”, – thotë akademiku, duke hequr paralele mes situatës në Spanjë dhe asaj me gdhendjen e botuesit në Aladma me fjalën “zezak” nga libri i Mark Tuejnit, “Aventurat e Hakëllberri Finit”.

Botimi i Trapiello-s është prezantuar nga nobelisti në letërsi, Mario Vargas Llosa, i cili shkruan se versioni i ri “rinon” romanin e Servantesit, ndërsa e lejon të jetë vetja. “Shumë lexues, thotë Llosa, dekurajohen nga leximi i Don Kishotit prej fillimit deri në fund për shkak të ‘fjalorit antik’ dhe fusnotave akademike. Por pasi kanë shijuar versionin e Trapiello-s, shton ai, ata mund të inkurajohen të lexojnë tekstin origjinal”.

Me Don Kishotin e përkthyer në 145 gjuhë sot, (botimi i ri nga “Restless Books”, që shënon 400 vite që prej botimit të vëllimit të dytë, përdor versionin e John Ormsby-it), Trapiello thotë se ka qenë një “paradoks” që lexuesit e huaj mund ta shijojnë romanin “pa asnjë problem” në përkthim. “Por lexuesit spanjishtfolës nuk kuptojnë as gjysmën, nëse nuk e lexojnë me shënime”.

“Ka shumë njerëz të mëdhenj që nuk e kanë lexuar ose janë dorëzuar disa herë, sepse është shumë e vështirë”, – ka thënë Trapiello. “Ata janë detyruar ta lexojnë në gjuhë që nuk kuptohet sot. Ata detyrohen ta lexojnë në shkollë dhe shumë njerëz kanë kujtime të këqija nga kjo”.

Një version i rishkruar i romanit më të nderuar spanjoll “Don Kishoti” është bërë ‘bestseller’, por versioni është etiketuar ‘krim kundër letërsisë”.

“Don Kishoti” u botua për herë të parë më 1605-n. Është përkthyer në 145 gjuhë dhe Instituti “Servantes” thotë se është libri më i përkthyer pas Biblës.

Shkrimtari spanjoll Andres Trapiello ka shpenzuar thuajse 14 vite për të përshtatur kryeveprën e Servantesit për lexuesit e ditëve të sotme. Sipas tij, është e pamundur të kuptohet Don Kishoti pa lexuar fusnotat. Botimi i ri përfshin një set gjithëpërfshirës, për ta bërë më të kuptueshëm. Servantes vdiq më 1616-n, në moshën 68-vjeçare.

Kur nisi fillimisht ta ekzaminojë tekstin prej afro 1000 faqesh, ai ngeci në një fjalë të pahasur “trompogelas”. “Ishte krejt e pakuptueshme”, është shprehur Trapiello. Pas një kërkimi mëngjesor, ai vendosi se kishte kuptimin “se hyri në një vesh e doli nga tjetri”. “Ka shumë njerëz të mëdhenj që nuk e kanë lexuar apo janë dorëzuar disa herë, sepse është shumë e vështirë”, është shprehur ai.

Publiku duket se e ka pëlqyer versionin e ri. Në korrik 2015, adaptimi i Trapiello-s ishte i nënti në listën e bestsellerëve të Spanjës, pas “50 hijeve të Grejit” nga EL James.

Sipas një vëzhgimi në qershor nga Instituti shtetëror i Spanjës, afro 6 në 10 njerëz në Spanjë janë përgjigjur se kanë lexuar pjesë të Don Kishotit ose përshtatje të tij. Por më shumë se gjysma kanë menduar se origjinali ishte i vështirë për t’u lexuar. Libri i Trapiello-s nuk është i vetmi version i thjeshtëzuar i asaj çka kritiku Harold Bloom e ka quajtur “romani i parë modern”. Më 2014-n, Akademia Mbretërore e Spanjës, autoritet zyrtar në gjuhë, botoi versionin e vet për shkollat nga romancieri historik dhe akademiku Arturo Perez-Reverte.

Shkrimtari britanik, Martin Amis ka thënë dikur për romanin: “Megjithëse qartë një kryevepër e pathyeshme, Don Kishoti vuan një të metë serioze: atë të palexueshmërisë”.

Francisco Rico, kreu i Akademisë Mbretërore të Spanjës është shprehur: “Çdo përpjekje për ta bërë Kishotin të lexueshëm është pozitive. Shekspiri u harrua një kohë. Për shekuj, askush nuk mbante mend Danten. Volteri ka pasur ulje-ngritjet e veta. Por Kishoti ka qenë një bestseller qëkur është botuar”. Ashtu siç vetë Don Kishotit ka thënë në roman: “A kemi pasur ndonjëherë më shumë se duhet diçka të mirë?”

Erotizimi i Servantesit

Vëllimi i parë i Don Kishotit të Mançës u botua më 1605-n. Brenda pak vitesh u përkthye në gjuhën angleze me dialogët e personazheve të përshtatura në zhargon dhe më pas në frëngjisht, që i shtuan skena seksi të shpikura nga përkthyesit.

Pjesa e dytë doli 10 vjet pas dhe Servantesi vdiq në varfëri një vit më vonë, më 1616-n.

Në Institutin “Servantes” shfaqen raftet të mbushura me botime të huaja elegante të Kishotit.

Instituti ka paraqitur koleksionin e vet të përkthimeve, bashkë me postera dhe një ekran që shfaq versionet kinematografike, në një ekspozitë që do të çelet në shtator.

Ndërsa degët e institutit në botë kanë mirëpritur biseda, lexime dhe shfaqje filmash me tematikë Kishotin. Akademia këtë vit botoi një botim të ri standard të tekstit me fusnota dhe ese.

“Botimi i fundit, më 2005-n, ka shitur 3 milionë kopje”, – thotë Francisco Rico, kreu i serisë akademike të titujve klasikë. Ai mirëpret përshtatje të reja.

Kur Kishoti foli shqipen e Nolit

Fan S. Noli ka meritë të trefishtë ndaj lexuesit shqiptar për takimin e parë që organizoi me Servantesin dhe me romanin “Don Kishoti”. Në kushtet e motit të zgjatur të zbrazëtive të njohjes të lexuesit shqiptar me më të mëdhenjtë e letërsisë botërore, ua bëri të mundur bashkatdhetarëve të shkolluar kontaktin me kryeveprën e Servantesit, duke ia shtuar kështu listës së përkthimeve që kishte hartuar me kujdes për t’i shqipëruar. Kjo zgjedhje, me siguri duhet të ketë pasur kuptim të dyfishtë në kohën, kur Shqipërisë i ishte imponuar përdhunshëm, e ashtuquajtura “Mbretëri”, si një akt vërtet donkishotesk, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Nuk duhet të kishte qenë aspak e thjeshtë dhe aq e vogël kjo dëshirë e përkthyesit, sepse ato kohë kishte asisoj, siç vazhdon të ketë edhe tani, njerëz që zotëronin ndonjë gjuhë të huaj, të cilën mund ta përdornin për të fituar para, lavdi e famë, të paktën, sançopançiane, domethënë jo aq shpirtërore se sa materiale, financiare, duke përkthyer e vënë në qarkullim romane si “Ura e Psherëtimave” ose, siç po ndodh edhe në ditët e sotme, ndonjë roman tejet të munguar me përmbajtje të mirëfilltë pornografike, nga ata më të shiturit e më fitimprurësit, ndoshta, për t’i dhënë një dorë shpejtimit të stërzgjatur për t’u përfshirë “kulturalisht” në Bashkimin e adhuruar Europian, që shumëkush e barazon me “Arkadinë” e ëndërruar të Don Kishotit. Fan Noli nuk e përktheu, por shqipëroi një prej veprave më të mëdha e më të vështira të letërsisë botërore dhe na kumtoi një mesazh të vlefshëm,

për të mësuar edhe lexuesit e sotëm të njohin e t’i dallojnë midis përkthyesve të kohës sonë, që turren për të fituar pakëz lavdi me dy mënyra: ose duke shtuar apo ndrequr diçka nga vepra të përkthyera më parë, që shpejtojnë t’i ribotojnë për të fituar, ose duke i përkthyer vetë për herë të parë po, ama keq, shumë keq.

Vepra të shquara me qëllim që të ngjyejnë kafshatën e famës së tyre në lëngun e përkthimeve që katranosin me lejë e pa leje. Në të tilla raste është më mirë ta braktisësh këtë zanat të vështirë, siç bënte kalorësi guximtar i famshmi, Don Kishoti, kur e kuptonte se s’ishte i zoti të përballonte një “ushtri” të mbrapshtë të armatosur bagëtish. Me këtë nuk duam të themi se çdo kryevepër e përkthyer një herë, nuk bën të ripërkthehet edhe herë tjetër për më mirë se, fatbardhësisht, tashmë ekzistojnë mjaft përkthyes të aftë, që nuk kanë për t’u turpëruar, duke u krahasuar me kryemjeshtrit e njohur të shqipërimeve.

Për kulturën shqiptare përkthimi i “Don Kishotit” ka jo vetëm meritën e shqipërimit të një kryevepre, që ishte përkthyer në gjitha gjuhët e botës, por ka qenë edhe një kontribut i shquar në begatimin e gjuhës sonë, që dëshmohet e begatë, si edhe spanjishtja e Servantesit. Madje përkthyesit e rinj kanë një model të përsosur shqipërimi, nga i cili mund të mësojnë mjeshtërinë e vështirë në këtë fushë të kulturës. Lexuesi ynë ka qenë me fat të mbarë, që edhe vëllimi i dytë i “Don Kishotit” meriton lëvdatat më të mira, i shqipëruar mjeshtërisht nga Petro Zheji.

Në dy botimet e fundit, 1976 dhe 2006, të “Don Kishotit” është ruajtur varianti fanolian i përkthimit të vëllimit të parë, për të mos harruar vlerat e asaj pune të madhe të bërë nga Fan Noli, për ta begatuar intelektualisht lexuesin shqiptar. Habitesh se ç’fuqi e madhe është përdorur nga Peshkopi në një kohë, kur mbyllte një varg shtegtimesh tragjike dhe betejash të humbura, të ngjashme me ato të Don Kishotit, instrumentet e të cilave nuk i zëvendësoi me armë të hekurta, por me ata libra dritëdhënës, që i kujtoi Kalorësi i Fytyrës së vrerosur në çastin e fundit të jetës së tij heroike.

Prof. Alfred Uçi

“Ben Blushi më dhuroi për ditëlindje Vepra 19 të Enverit”

0

PYETESORI I LIBRIT/ AGIM DOKSANI

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Romani Pse i Sterjo Spasses.

–Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Autori i mirë mbetet gjithnjë i tillë, pavarësisht gjinisë që lëvron.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Jo, sepse një pjesë janë literaturë në rusisht, e trashëguar nga babai.

–Libri i parë që keni lexuar…

Megjithëse nuk jam shumë i fortë në kujtesë, por besoj, ndonjë libër për fëmijë. Gjithsesi, libri që më ka lënë mbresë të pashlyeshme është Xinxifillua i Mitrush Kutelit, libër që i ka dhënë trajtë formimit të hershëm gjuhësor dhe krahë fantazisë fëminore.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Si familje letrarësh (babai redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”), librat gjithnjë i kam pasur me bollëk dhe nuk e kam provuar joshjen e kursimit për të blerë një libër (ndoshta do të më shijonte më tepër kjo e fundit).

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Kam pasur fatin të kem qenë student me bashkëmoshatarët e mi (Blushin, Bushatin, Fevziun, Shkullakun, Ardian Kyçykun), me të cilët jo thjesht ndanim libra, por edhe ide e debate pa fund me një cigare e ndonjë gotë. Të paharrueshme mprehtësia dhe nuhatja për letërsi e Blushit, shpirti poetik i Ardian Kyçykut dhe biblioteka fort e pasur, sidomos literaturë frënge, e Bushatit.

–A keni pasur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Po, megjithëse brezi ynë më shumë ka ndarë libra mes vedit, sidomos ndonjë shkrimtar të ndaluar. Ka qenë sharmi i asaj kohe, por edhe një mënyrë për t’u dalluar nga të tjerët.

–A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Brezi ynë bibliotekën e shfrytëzonte kryesisht për sezone provimesh, sidomos atë të ish-pallatit “Ali Kelmendi” (Estrada e dikurshme). Ishte një vend i spikatur studimi dhe socializimi.

Sot, me keqardhje e them, bibliotekën e frekuentoj vetëm kur shkoj për ISBN e ndonjë botimi të Institutit.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?

Po. Gjeniu i Teodor Drajzerit. Ia kam marrë një shoku të gjimnazit dhe aq fort më joshi sa nuk ia ktheva më. Gjithsesi i thashë, nuk ta kthej se më pëlqeu shumë. Pra, hajni konsensuale, le te themi.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Pas humbjes së Aventurat e Hakelberri Finit (ia dhashë një vajze që e pëlqeja dhe s’guxova t’ia kërkoja më) nuk u kam dhënë libra të tjerëve.

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni disa tituj dhe si i siguronit?

Për ditëlindjet e 1968-s kjo pyetje e ka të nënkuptuar një PO të plotgojshme. Kësi librash ishin për ne si oazi në shkretëtirë, ku njomnim sadopak zhuritjen socrealiste ku jetonim.

Duke filluar nga Gjeniu i Drajzerit (s’di pse e ndalonin e atë libër!), Kundera shumë në modë asokohe me Shakaja, por sidomos Jeta është gjetiu, I huaji i Kamysë, ideali i rinisë sonë, Miti i Sizifit, që asokohe nuk arrita ta zbërtheja dot (ndoshta ende as sot) dhe që aq thellë më zhyste në mendime duke më dëmtuar edhe shëndetin (cigaret litar), por edhe Kalvino, Buxati, Elsa Morante, Alberto Moravia, Ennio Flaiano.

Në librat e ndaluar, megjithëse i lejuar, do të rendisja edhe Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, për mua një maskëçjerrje e hapur e falsitetit të kohës (censori i asokohshëm duhet të ketë qenë sylesh, ose Dritëroi me pozita të forta).

Dy fjalë për leximin e librave të ndaluar asokohe: nuk ishte thjesht lexim, por edhe përbrendësim i personazheve, ndoshta edhe me naivitet rinor (pas skenës së varrimit të nënës së Mersosë [I huaji] e kam parë time më me shpërfillje filozofike plot gjashtë muaj! Qesh kur e kujtoj!)

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Për mua çdo libër i dhuruar është vlerë dhe mbetet dhuratë e çmuar, pavarësisht vlerës që ka. Më cingëris paksa debati libër i mirë/libër i keq. Nuk ka libër të keq, ka lexues të keq! Libri është si piktura, apo muzika apo çdo formë e shprehjes shpirtërore, dhe unë e shoh thjesht si një shpërfaqje këndvështrimi, botëkuptimi, emocioni, arsyetimi të dikujt. Si në jetë, ku të rastis të bisedosh me të mençur e teveqelë, por të gjithë duhen dëgjuar sepse gjithçka është përvojë. Varet nga mënyra sesi ti vetë e përtyp dhe e përbrendëson kumtin.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Zakonet e leximit them se ndryshojnë me moshë. Në rininë e hershme, shtrirë e në gjithfarë pozicionesh duke masakruar sytë…

-A lexoni në banjë?

Çdo ditë. Vendi ideal për reflektim. Mbaj zakonisht përkthime të miat, të cilave u rikthehem dhe për çudi, vazhdimisht gjej gjëra për të ndryshuar e përmirësuar (aksh koncept apo ide mund ta kisha shprehur ndryshe, kjo fjalë s’më duket e goditur, mund ta shprehja kështu apo ashtu), shkurt fjala, trazime të zanatit që s’di pse, po në banjë më dynden më vrullshëm në kokë. Sinqeritet i pavend ndoshta, po nejse.

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Italishtja është gjuha që shijoj, anglishtja më duket gjuhë e thatë, gjuhë konferencash dhe workshop-esh.

-Ç’libër keni në duar aktualisht?

Francesco Piccolo, Çaste lumturie të papërfillshme.

–Mbani shënime kur lexoni?

Kurrë. Leximi është kënaqësi mbi të gjitha, po mbajta shënime më duket pune.

–Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

S’mund të bëhet ky dallim. Çdo mbresë e hedhur në letër bukur është visar, pavarësisht gjinisë.

Jo gjithnjë. Më pëlqen të lexoj autorë të ndryshëm për të përthithur impresione dhe ide njerëzish të ndryshëm. I druhem edhe zhgënjimit të librit të dytë apo të tretë, se mos ma zvjerdh kënaqësinë e të parit që kam lexuar nga një autor i caktuar. Më ka ndodhur me Kadarenë. Dimri i vetmisë së madhe (mbresa të pashlyeshme) Koncert në fund të dimrit (zhgënjim).

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Ia rezervoj vetes këtë gjë. Kurrsesi s’do t’i rekomandoja kurrkujt një libër. Ndoshta një sugjerim fare të vagullt dikujt.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

E pamundur të ekzistojë një i tillë.

–Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?

Do t’i fusja të gjithë dhe do lija jashtë gjithçka tjetër.

-Na thoni një maksimë për librat, që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

Po citoj të madhin Fabrizio De Andre…“Kaq fort ëndërrova, sa gjaku çurg hundës më shkoi”.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

Nuk më pëlqen të mësoj përmendësh poezi. Na kanë keqtrajtuar që në fëmijëri me këto broçkulla. Të mësuarit përmendësh më duket punë manjakësh!

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Merso, I huaji.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Një dhuratë nga Ben Blushi. Vepra 19 e Enver Hoxhës, për ditëlindje! Gallatë, kuptohet, bënim dhurata kuptimplote asokohe!

Të varfërit mund të revoltohen kundër oligarkisë

0

Mr.Ali Hertica

Në programin e shkencave politike thuhet se është e rëndësishme të shpjegohet se si mund të shkatërrohen llojet e ndryshme të legjislacioneve dhe si mund të ruhet secila prej tyre. Në trajtimin e këtyre dy temave, Aristoteli na i kujton pikëpamjet mbi drejtësinë, që janë tema e formave të ndryshme të qeverisjes, veçanërisht demokracisë dhe oligarkisë.

Demkracia vjen nga mendimi se ato që janë njësoj në një aspekt, janë absulutisht të barabartë,përderisa kanë lindur të lirë. Në të njëjtën mënyrë , oligarkia vjen nga mendimi se ata që nuk janë njësoj në një aspekt, janë të pabarabartë në të gjitha aspektet e tjera.

Asnjë nga këto parime nuk është absolute,sespe drejtësia absolute është kur secili merr në raport me atë që ka dhënë.

Ndihëmesa ,mençuria dhe cilësia morale hyjnë gjithashtu në këtë kontekst,andaj a i kemi ne të gjitha këto parime stabile për të udhëhequr shtetin me këtë qeveri që ka Kosova.

Kur një grup shikon se legjislacioni ose politika që udhëheq këtë ligjeslacion,kjo është e përshtatëshme,atëherë ku duhet hapur rrugë për ndryshime,të një mundësie që ligjeslacioni të zëvendësohet me një legjislacion të një lloji tjetër.

Një demokraci e re mund të zëvendësohet me oligarki,mundësia tjetër është ndryshimi i legjislacioni,për tu bërë më shumë ose më pak demokrtike,ose ndryshon një pjesë të tij.Këtë mundësi e ka edhe Kosova,duke zëvendësuar njerëzit që janë në pushtet,pa ndryshuar legjislacionin.

Në themel të ndryshimeve të legjislacionit thuhet se gjendet,,pasioni për barazi”si barazi numerike,që është parimi i demokratëve,ashtu dhe barazia e përpjesëtueshme që është e oligarkëve.

Të varfërit mund të revoltohen kundër oligarkisë,sespe nuk kanë të njëjtat të drejta si të pasurit dhe të pasurit mund të revoltohen kundër demokracisë që japin në arkën e shtetit siq është në Kosovë tek firmat e mëdha që paguajnë tatimin shtetit.

Ata që,në shumë raste kanë shkaqe më shumë se të tjerët për të kërkuar ndryshime të legjislacionit,janë ata që për shkak të cilësive të tyre se pikërisht janë këta më pak të prirur se të tjerët për t’u revoltuar.

Në analizat e ndryshme të bëra në Kosovë se ndryshimet në ligjeslacion dhe përmbysjeve rrënjësore del si e pafundme.Në oligarki njerëzit nuk janë të interesuar të jenë në pushtet,megjithatë ata kundërveprojnë energjikisht,në qoftë se dyshojnë se pushtetarët pasurohen në funksionet e tyre siç është në Kosovë me pushtetarët tanë që kanë pasuri marramendëse,nëpërmjet së drejtës së votës së qytetarëve,lidhur me këto shkaqe të përmbysjeve dhe kushteve për stabilitet,ku për këtë, demokracia duhet ruajtur këtë vlerë.