Shënimet statistikore tregojnë se numri i përdoruesve të drogës në Kosovë është në rritje dhe më të prekurit nga kjo dukuri negative janë adoleshentët dhe të rinjtë, kryesisht në mjediset urbane, veçmas në qytetet e mëdha.
Sipas shënimeve statistikore problemi i përdorimit të drogës në Kosovë më së shumti prek grupmoshën 22-35 vjeçare, që shprehur në përqindje janë 46% të përdoruesve të drogës që i takojnë kësaj moshe.
Njohës të këtij problemi tregojnë se viteve të fundit ka nj? rritje t? përdorimit të substancave narkotike mariuhanë, heroin?, kokain? apo të drogave t? tjera sintetike, por n? rritje ?sht? dhe numri i p?rdoruesve t? drogës me injektim.
Gjithashtu thuhet se më së shumti drogat përdoren në ambiente të mbyllura, kryesisht në të ashtuquajturat lokale të natës, por drogat përdoren edhe në secilin ambient që përdoruesit e tyre e shohin si të përshtatshëm, sepse vartësit e drogës nuk zgjedhin kohë të caktuar e as ambient të caktuar për të konsumuar drogën, si e quajnë ata në zhargonin e tyre ‘bari’, ‘pluhur i bardh’, ‘pluhur i parajsës’, etj.
Nga të dhënat zyrtare që i ka siguruar KosovaLive, gjendja ekzistuese është alarmante, pasi numrit të përdoruesve të drogës po i shtohen çdo ditë e më shumë moshat minore, nga 12 vjet e tutje, ndërsa në vend mungojnë institucione adekuate për t’i trajtuar të prekurit nga kjo dukuri.
Gentiana Kuqi-Tishukaj, psikologe në Qendrën specialistike psikiatrike “Labyrinth” në Prishtinë, e cila merret me problemin e përdoruesve të drogës, ka thënë për KosovaLive se përdorimi i drogës në përgjithësi është në rritje. Sipas saj, rritje ka shënuar përdorimi i disa llojeve të drogave dhe në veçanti marihuana dhe kokaina.
Ajo tregon se edhe mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë shumë ndër vite dhe tani sillet në 16 vjeç e më ulët. Sipas saj, kjo qendër ka të regjistruar 1.130 përdorues, kuptohet se në këtë shifër janë të përfshirë vetëm përdoruesit problematik të drogës, të cilët kërkojnë trajtim në këtë qendër.
Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, duke iu referuar statistikave të Drejtorisë për hetimin e trafikimit me narkotikë (DHTN) të Policisë së Kosovës ka thënë se në krahasim me vitin paraprak ka një ulje të rasteve të përdoruesve dhe të konfiskimeve të narkotikëve. Sipas tij, raste më të shpeshta janë në rajonin e Prishtinës, i cili prinë për të tilla raste në krahasim me rajonet e tjera.
Hoxha thotë se problemi i përdorimit të drogës në Kosovë më së shumti prek gruposhën moshën 22-35 vjeçare me 46%. Kjo grupmoshë pasohet nga grupmosha 19-21 vjeç me 27%, pastaj nga ajo 14-18 me 15% dhe mbi 35 vjeç me 12%.
“Për të parandaluar dhe zvogëluar qarkullimin e drogës në Kosovë, Drejtoria e trafikimit me narkotikë angazhohet në veprimtarinë e parandalimit, hetimit, zbulimit dhe arrestimit të personave qe kryejnë të gjitha format e veprave kriminale që kanë të bëjnë me substancat narkotike (drogat) të parapara me legjislacionin e Republikës së Kosovës.
Kjo drejtori angazhohet në realizimin e objektivave të parapara me strategjinë kombëtare kundër drogës dhe implementimin e planit të veprimit. Përkushtim i shtuar i është kushtuar parandalimit dhe zvogëlimit të ofertës dhe furnizimit. Në mënyrë që të arrihet efikasiteti në parandalim janë ndërmarrë hapat si në vijim: janë intensifikuar takimet me burime në terren, vizitat në lokacionet e ndryshme të frekuentuara nga trafikantët (kryesisht mbrëmjeve), janë mbajtur takime me institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, në shkollat e mesme të Kosovës janë mbajtur ligjërata me qëllim të vetëdijesimit për pasojat nga përdorimi i drogave, janë shtuar kapacitetet logjistike (pajisje për identifikimin e drogave) e kështu me radhë”, ka thënë Hoxha.
Sociologu Genc Xërxa ka thënë për KosovaLive se në periudhën e paraluftës ishin disa individ si përdorues të drogës, ndërsa tani viteve të fundit ky numër është shtuar dhe në vazhdimësi ka tendencë rritjeje. Sipas tij edhe pse nuk ka një statistikë të saktë në nivel nacional në lidhje me këtë fenomen numri i përdoruesve të drogës në vendin tonë ka tendencë rritje.
Në bazë të perceptimeve nga institucionet relevante që merren me këtë problematikë Kosova tani është bërë vend transitor i qarkullimit të drogës dhe një pjesë e konsiderueshme mbetet për konsum në vendin tonë, madje numri mesatar i moshës së përdoruesve të narkotikëve në vazhdimësi po bie dhe kjo po i bie që konsumuesit më të mëdhenj sot janë rinia jonë.
“Rinia është trageti më i ekspozuar dhe më lehtë i bërë konsumues droge, për shkak të natyrës së tyre të re, mendjelehte dhe dëshirës për të eksperimentuar me gjërat dhe kureshtjes në vitet e caktuara të adoleshencës së tyre, për këto arsye rreziku permanent i kanoset kësaj kategorie të shoqërisë”, ka thënë Xërxa.
Në prononcimin e tij Xërxa prek edhe problemin se droga dhe përdorimi i saj në Kosovë ende vazhdojnë të konsiderohen si temë tabu edhe pse numri i përdoruesve të drogës është vazhdimisht në rritje. Kjo bën që njerëzit të cilët kanë nevojë për të kërkuar ndihmë për t’u liruar nga vartësia e drogës ndjejnë turp për të shkuar në vizitë në Klinikën Psikiatrike të Qendrës Klinike Universitare të Prishtinës, pasi vizitën në këtë klinikë e ndërlidhin me çmendurinë.
Shpeshherë edhe familjarët e kanë fajin se e fshehin problemin e fëmijëve të tyre dhe nuk kërkojnë trajtim mjekësor për ta, gjë që është shumë e nevojshme për ta tejkaluar gjendjen e tyre të vartësisë nga droga.
Qytetari nga Prishtina, T. S. ka pranuar të rrëfejë për KosovaLive se çfarë ai ka përjetuar qysh prej kohës kur ai e provoi drogën.
Ai ka treguar se para tri vitesh, kur ai ishte 21 vjeçar, kishte filluar të merrte substanca narkotike dhe fillimisht një gjë e tillë nuk u kishte rënë në sy prindërve të tij. Por, siç thotë ai, dita- ditës ndjente nevojën për të shtuar sasinë e konsumimit dhe për një gjë të tillë nuk i mjaftonin të hollat që i jepnin prindërit dhe kishte filluar që ato t’ua vidhte. Prindërit pasi vunë re se po mungonin paratë dhe po pakësoheshin disa nga gjësendet e shtëpisë, të cilat djali i tyre i shiste, e kuptuan se djali ishte përdorues i drogës ndaj të cilës kishte krijuar varësi.
Ai ka thënë se fillimisht nuk ka dashur të kërkojë ndihmë për shërim pasi që mund ta imagjinonte se çfarë do të mendojnë të tjerët për të. Mirëpo, me insistimin e prindërve dhe të disa miqve ishte bindur se më e rëndësishme është vetë jeta e tij sesa paragjykimet e njerëzve.
“Për tri vite me radhë kam qenë konsumues i rregullt i substancave narkotike dhe dita ditës fillova të shtoja dozën. Kur e kuptuan prindërit e mi mundoheshin të më jepnin mbështetje dhe më këshillonin të mos merrja më drogë, por unë nuk mund ta largoja këtë ves, e ndjeja të nevojshme të merrja vazhdimisht, sepse kjo më kishte kaluar në vartësi.
Nuk kisha guxim të kërkoja trajtim në ndonjë institucion, sepse frikësohesha nga ajo se çfarë do mendojnë të tjerët për mua dha një gjë të tillë nuk e dëshironin as prindërit e mi.
Kanë qenë dy shok të mi që vazhdimisht janë munduar të më bindin se unë duhet t’i drejtohem ndonjë qendre dhe të lirohem nga varësia e drogës pasi ata e kanë parë se gjendja ime po keqësohej dita-ditës. Edhe familja ime insistonte se më e rëndësishme është shërimi im sesa paragjykimet e njerëzve.
Kështu unë u drejtova në njërën nga qendrat ku trajtohen personat që konsumojnë drogë, në fillim e kisha shumë të vështirë, por tani u jam falënderues për tërë jetën shokëve të mi më të mirë dhe familjes që më binden për një gjë të tillë. Tashmë jeta ime ka ndryshuar për të mirë dhe me këtë unë i kam ndihmuar vetës dhe familjes sime, sepse kam filluar t’i kthehem realitetit dhe jetës normale”, ka rrëfyer ai për KosovaLive.
Në Kosovë nuk ka shumë mundësi për trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike pasi mungojnë qendrat për rehabilitimin e tyre. Në Kosovë ekziston vetëm një qendër e tillë, e cila është e regjistruar si organizatë joqeveritare, Qendra specialistike psikiatrike “Labyrinth” që ofron shërbime për personat me vartësi nga droga, këshilla psikiatrike, shërbime terapeutike dhe trajtime zëvendësuese, si dhe psikoterapi për individë, familje dhe grupe./KosovaLive/