21.6 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025
Home Blog Page 6620

Sot i jepet lamtumira e fundit akademik Esat Stavilecit

0

Akademikut Esat Stavileci, i cili u nda nga jeta të shtunën, do t’i jepet lamtumira e fundit sot me ç’rast në shenje respekti për jetën dhe veprën e tij do të mbahet një mbledhje komemorative në Prishtinë dhe një Gjakovë, në Gjakovë do të bëhen edhe homazhe, ndërsa varrimi i tij do të behët në ora 17:00 në varrezat e qytetit të Gjakovë.

Mbledhja komemorative do të mbahet duke filluar nga ora 10:00 në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa homazhet nga ora 10:30-11:30 do të bëhen në mjediset e kësaj akademie.

Në Pallatin e kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë nga ora 14:00 do të mbahet mbledhja komemorative, ndërsa homazhet do të bëhen nga ora 14:30.

Esat Stavileci u nda nga jeta, pasditen e së shtunës, ndërsa vdekja e tij është cilësuar si humbje e madhe për familjen, për kolegët dhe miqtë e shumtë anë e mbanë Kosovës dhe trojeve shqiptare, si dhe për shkencën dhe akademinë.

Esat Stavileci ka lindur më 11 korrik 1942 në Gjakovë, ku e kreu shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Studimet pasuniversitare i vijoi dhe i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Zagrebit.

Studimet e Larta të së Drejtës Krahasimtare i vijoi në disa qendra të tjera evropiane. Doktoroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sarajevës në vitin 1974.

Prej vitit 1965 deri në pensionim punoi profesor në Fakultetin Juridik të Prishtinës, ku edhe pas pensionimit ishte i angazhuar në studimet master dhe të doktoraturës. Krijimtaria e tij shtrihet në shumë fusha të interesimit shkencor, veçanërisht në ato juridike-kushtetuese, në fushën e sistemeve politike krahasimore, të administratës dhe të administrimit publik në përgjithësi, të metodologjisë së shkencave shoqërore dhe juridike dhe në fushën e terminologjisë juridike.

Tuneli i luftës në Giirokastër, ndër më të vizituarit

0

Në Gjirokastër një tunel i ndërtuar nga të burgosurit politikë gjatë regjimit komunist po shërben si një pikë turistike ndër më të vizituarat gjatë kësaj kohe.

Vizitorë kryesisht nga vendet ish komuniste ndjekin udhëkalimet e nëndheshme që do të shërbenin si vendstrehim për elitën e kohës në rast të një sulmi berthamor.

Një muaj paraburgim për serbin që i vodhi veturën shqiptarit në Prizren

0

Departamenti i Përgjithshëm Penal i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurit I.Simjanoviq nga fshati Skullonovo Komuna e Graqanicës

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale ‘vjedhje e rëndë’.

“I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 15.08.2015 nga ora 10:00 dhe do të zgjasë deri me datën 14.09.2015”, thotë zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

“I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, se në ditën kritike pasi që ka qenë në hotelin “Theranda” në Prizren me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke vepruar në mënyrë veçanërisht të rëndë dhe të rrezikshëm, ka marrë – vjedh veturën – marka “Citroen” me targa të regjistrimit 04 -337-ES, pronë e të dëmtuarit Sh.M, duke e vërejtur se e njëjta ishte e hapur dhe kishte çelësat, ka ndezur të njëjtën dhe ka ikur në drejtim të Malit të Zi”, thotë Kicaj. /PrizrenPress.com/

Haliti: Çarja e koalicionit, shatërvan dëshirash

0

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, i ka hedhur poshtë zërat se koalicioni qeverisës PDK – LDK është përçarë. Pretendimet e tilla ai i ka quajtur shatërvan dëshirash të njerëzve dhe subjekteve të caktuara politike.

Në një intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se në PDK nuk ka asnjë informacion zyrtar apo jozyrtar që mund ta vë në dyshim koalicionin ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

“Ne si Parti Demokratike nuk kemi mbajtur asnjë mbledhje të kryesisë, as të Këshillit Drejtues për ta analizuar ndonjë të çarë që mund të ketë qenë ose mund të jetë në kuadër të koalicionit qeverisës. Të gjitha këto shkrime ose dëshira për t’u përçarë koalicioni qeverisës po më duket se janë më shumë shatërvan dëshirash të njerëzve të caktuar dhe subjekteve politike të caktuara”, ka thënë Haliti.

Ai është shprehur i çuditur se si dikush nga zyrtarët e PDK-së e të LDK-së mund të flasin për përçarje, ndërsa krerët e të dy partive vazhdimisht deklarojnë se janë në të njëjtat pozicione.

“Përderisa z. Thaçi dhe z. Mustafa janë në të njëjtat pozicione dhe në të njëjtat deklarata, unë nuk e di se si mund të deklarohen të tjerët për këtë lloj përçarje. Pra, unë nuk kam informacion zyrtar të partisë për këtë çështje. Gjithashtu, nuk kam informacion as jozyrtar nga LDK-ja nëpërmjet miqve të mi që mund të kenë informata”, është shprehur Haliti.

Sa iu përket largimeve të disa zyrtarëve që janë bërë nga ministra të caktuar të LDK-së, Haliti ka treguar se çdo ministër mund ta ndërtojë ekipin e tij sipas politikave të veta, por jo të largojë njerëz nga puna për shkak të bindjeve politike.

“Nëse largimet janë bërë për shkak të ndërrimeve politike unë këtë veprim e dënoj personalisht, sepse nuk do të duhej të veprohet kështu. Ndërsa në qoftë se njerëzit ndërrohen për shkak të paaftësive të tyre për ta kryer detyrën të cilën e kanë marrë dhe për shkak të gabimeve që mund t’i kenë bërë gjatë procesit sa kanë qenë në detyra të ngarkuara, atëherë mendoj se ata që e kanë shkelur ligjin duhet të dërgohen në prokurori dhe të japin llogari aty”, ka vlerësuar deputeti i PDK-së.

Haliti ka treguar se brenda koalicionit PDK – LDK po sheh vullnet për të punuar dhe për t’i quar punët përpara. Ai ka uruar të mos ketë ndarje të koalicionit, por të ketë një qeverisje PDK – LDK, e cila do të jetë në fund e suksesshme dhe do t’i shërbejë vërtet interesit qytetar, e jo interesit të klaneve të tyre apo interesit të tenderëve.

Kurse sa i përket postit të presidentit, Haliti beson se LDK-ja do ta respektojë marrëveshjen, në të kundërtën PDK-së do t’i duhet ta shqyrtojë pozicionin e saj në raport me koalicionin.

DW: Politikanët e Ballkanit kanë dështuar

0

Faqja në internet në gjuhën serbe e “Deutsche Welle” shkruan se gati gjysma e të gjithë refugjatëve në Gjermani që kërkojnë azil politik vjen nga Ballkani.

Rrjeti ndërkombëtar i Radio Televizionit gjerman “Deutsche Welle” duke marrë për bazë emigrantët nga Ballkani në këtë shtet bën një analizë ku thotë se politikanët e kësaj pjese të Evropës kanë dështuar të sjellin stabilitet në vendet e tyre.

Faqja në internet në gjuhën serbe e “Deutsche Welle” shkruan se gati gjysma e të gjithë refugjatëve në Gjermani që kërkojnë azil politik vjen nga Ballkani, dhe ata përgjegjës për eksodin i konsiderojnë politikanët vendas, transmeton lajmi.net.

Analiza vazhdon tutje, duke thënë se as Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnja e as Maqedonia, nuk janë në luftë, atje nuk ka uri e as tortura dhe për më shumë se një dekadë popujt atje jetojnë në paqe dhe kanë perspektivë evropiane. Situata në këtë pjesë të Evropës është e pakrahasueshme me atë në Siri, Irak apo Afganistan ku njerëzit vriten çdo ditë për shkak të luftimeve dhe terrorizmit.

Megjithatë, një numër i madh i njerëzve në Ballkan largohen nga shtëpitë e tyre për të kërkuar azil në Gjermani. Ata sipas “Deutsche Welle” po ikin nga varfëria dhe mungesa e perspektivës. Janë të zhgënjyer dhe frustruar me statusin politik dhe ekonomik në vendet e tyre.

Faji për ketë, vazhdon analiza, duhet adresuar te liderët politik që për gjithë këtë kohë nuk kanë arritur të krijojnë një përspektivë në këto vende, ku më shumë se gjysma e të rinjve nuk mund të gjejnë punë edhe pas përfundimit të studimeve.

Telefona dhe drogë në burgjet e Kosovës

0

Ndalja e kontrabandës dhe korrupsionit nëpër qendrat korrektuese dhe ato të paraburgimit në Kosovë, vazhdojnë të mbesin sfidë për institucionet e drejtësisë, tash e 15 vjet pas përfundimit të luftës. Kjo lloj kontrabande, ka kaluar në dukuri nëpër të gjitha qendrat e vendit, për të cilën e pranojnë edhe vetë zyrtarët e drejtësisë.

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi, në një bisedë për “Zërin” e pranon se problem edhe më tej mbetet kontrabanda nëpër burgje dhe sidomos futja ilegale e telefonave mobilë, si dhe e substancave narkotike.

“Jemi të shqetësuar me nivelin e kontrabandës në burgje dhe jemi të fokusuar në luftimin e dukurive negative ku hyjnë edhe keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe korrupsioni”, ka thënë Emrush Thaçi.

Por, që nga marrja e detyrës së drejtorit të burgjeve, në muajin nëntor të vitit të kaluar, sipas Thaçit, kanë punuar në goditjen e dukurive negative qoftë nga ana e të burgosurve por edhe nga ana e oficerëve korrektues.

EULEX, mysafir me kompetenca (Video)

0

Misioni më i madh evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, ka pranuar se gjendja në sistemin drejtësisë nuk është ajo e dëshiruara.

Kështu ka deklaruar shefi i këtij misioni në Kosovë, Gabriele Meucci, me anë të një opinioni që u ka dërguar medieve.

Por, për këtë dështim ai ua lë fajin institucioneve të vendit ngase, sipas tij, suksesi më i madh është arritur në sektorët në të cilët kolegët dhe homologët e Kosovës janë motivuar të ecin përpara dhe ta pranojnë ndryshimin.

“Ne në Kosovë jemi mysafirë”, ka thënë ndër të tjera ai. Ndërsa, analistët këtë fjalim e quajnë të pakuptimtë. /TribunaChannel/

Dhjetë arsye për të mos e vizituar Prizrenin

0

Nga Hajrulla Çeku

Prizreni është qytet i tolerancës. Është vend ku shtëpi të vjetra rrënohen dhe shndërrohen në vendparkingje, kalldrëmi zëvendësohet me asfallt, e gjelbërta me rrasa, e qerpiqi me tulla. Zona historike e qytetit është përplot me ndërtime pa leje, ndërsa hapësira publike e ngufatur me tavolina e karrige. Ku edhe milionat e shpenzuar për restaurime të monumenteve kanë prodhuar më shumë degradim, ndërsa edhe ato pak hapësira kulturore gjenden në listën e privatizimit. Prizreni është qytet që investon më pak se një euro për kokë banori në kulturë dhe ku prokurorët pinë kafe në hotelet e ndërtuara pa leje. Është vend ku inspektorët rrënojnë baraka në lagjet periferike, derisa në qendër të qytetit nuk guxojnë as të kontrollojnë decibelat e muzikës së diskotekave. Më e keqja, i gjithë ky krim mbi kulturën dhe qytetin ndodh dhe kalon në heshtje të plotë. Qyteti sot manifeston nivele të frikshme tolerance ndaj krimit, shkatërrimit dhe tjetërsimit.

Mungesën e aftësisë për të reaguar dhe vepruar kundër shkatërrimit të qytetit e kemi zëvendësuar me rrëfimin mbi bukurinë e qytetit. Lista me arsyet pse duhet vizituar Prizreni, epitete të lavdishme që thirren në lashtësi e civilizim, toleranca e fryrë fetare, qebapa, festivale, çaj rusi… Një rrëfim i rrejshëm si përpjekje për të mbuluar turpin e heshtjes. Një lloj mohimi i realitetit, si mekanizëm ballafaqimi dhe si vetëmashtrim. Me ose pa vetëdije kemi rrëshqitur në diskursin më dominant të dekadës së fundit në Kosovë, atë të imazhit. Një përpjekje e pasinqertë për të promovuar atë që nuk e ke, gjithmonë duke i fshehur të metat. Prizreni është shembull adekuat për të kuptuar potencialin shkatërrues të rrëfimit të rrejshëm mbi të bukurën. Një qytet i tërë vazhdon të mbetet peng i këtij rrëfimi, i cili e neutralizon krimin dhe e mbyt aktivizmin.

Prizreni nuk është qytet i kulturës. Për të shpëtuar qytetin, fillimisht duhet ta pranojmë këtë realitet. Dhe pastaj të konfrontohemi me të keqen. Përndryshe, nga togfjalëshi “qytet i kulturës”, përveç cilësorit “kulturor”, rrezikojmë ta humbim edhe statusin “qytet”.

Me shpalljen e fituesve, mbyllet DokuFesti i sivjetmë

0

“Flotel Europa” ka marrë çmimin e dokumentarit më të mirë ballkanik në edicionin e 14-të të festivalit DokuFest në Prizren. Sipas jurisë, regjisori arrin në kujtesën kolektive dhe përvojën kolektive përmes një historie shumë personale, që tejkalon veten dhe gurgulimet përmes historisë për të paraqitur një ditë. Largimi. Zhvendosja. Pritja. Një ekzistencë e lërë për të notuar në Flotel Europa.

Në natën përmbyllëse të festivalit në ceremoninë zyrtare të edicionit 14 janë shpalosur edhe fituesit e kategorive tjera.

Më poshtë gjeni çmimet e këtij edicioni:

ÇMIMI I PUBLIKUT: REMAKE, REMIX, RIP-OFF nga Cem Kaya

PROCREDIT EKO VIDEO:
1st Je polic i vetvetes nga Albulena Veliu
2nd Shit nga Vali Gjinali
3rd Ruaje Ambientin nga Imer Veliu

GARA KOMBËTARE – FITUES: TË PAFAJSHMIT by Amir Vitija
Juria: Izer Aliu, Delphine Jeanneret, Bujar Kabashi
Deklarata: Filmi përdor një mekanikë të vjetër kinematografike që të na mbajë pezull, dhe ngadalë zbulon një problem shoqëror që i referohet luftes pa na detyruar ta rijetojmë atë.

GARA E FILMAVE TË SHKURTËR – FITUES: LISTEN nga Hamy Ramezan dhe Rungano Nyoni
Juria: Laurence Reymond, Gunhild Enger, Diana Nenadi?
Deklarata: Rreth një gruaje të gatshme për të shprehur veten, filmi përshkruan se si gjuha është një mjet paradoksi. Kjo fytyrë e paparë i bën jehonë shumë çështjeve sociale dhe politike, në një pasqyrim të shkëlqyer të “dështimit” të artit të të dëgjuarit.

GARA E FILMAVE TË SHKURTËR – ÇMIMI SPECIAL: SUPPORTING FILM nga Douwe Dijkstra
Deklarata: Një film argëtues që përdor një përzierje mbresëlënëse të teknikës për të përcjellur ndjenjën e gëzuar të të shikuarit filma.

GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT – FITUES: VIRUNGA nga Orlando von Einsiede
Juria: Flo Stone, Vasif Kortun, Sebastian Mez
Deklarata: Ne shikuam një seri të filmave të bukur, të sofistikuar dhe gjerësisht divergjent për garën. Bërja e disa prej tyre kërkon fonde të mëdha dhe ekipe të konsiderueshme të post-prodhimit, ndërsa bërja e disa tjerave kërkon hulumtime rigoroze dhe përdorimin e ndërlikuar të arkivave të filmit. Disa ishin shumë të sinqertë në lidhje me mesazhin e tyre, të tjerët përgjigjeshin përmes mjeteve të fiksionit.

Të gjithë ata ishin të bashkuar në sensin e këmbënguljes, dëshpërimit dhe shpresës si kur jemi në përfundim të karburanteve fosile ekonomike që ne do ti shterrim vetëm nëse ato nuk i shkatërrojnë shumicën e specieve në tokë, duke përfshirë edhe ne njerëzit.

Pas një shqyrtimi të kujdesshëm ne zgjodhëm filmin “Virunga” për hetimin intensiv dhe krahasimin e tregimeve në zhvillim, për urgjencën në ndjekje të trimërisë fisnike të subjekteve të saj dhe për kompozimin e fuqishëm narrative.

GARA E DOKUMENTARËVE TË MJEDISIT – ÇMIMI SPECIAL: WHITE COAL nga Georg Tiller
Deklarata: Juria e Garës së dokumentarëve të mjedisit jep çmim special filmit “White Coal” për qetësinë e tij delikate dhe minimale, për imazhet e tij magjepsëse dhe tregimin e një historie me shumë pak fjalë.

GARA E DOKUMENTARËVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT – FITUES: DEMOCRATS by Camilla Nielsson
Juria: Charlotte Selb, Oskar Alegria, Agon Maliqi
Deklarata: Ne kemi gjetur në filmin fitues një qasje shumë freskuese, të nuancuar dhe të ndershme për një histori tjetër shumë delikate – luftën e individëve dhe shoqërive për të arritur kompromis dhe harmoni në fytyrën e strukturave përçarëse dhe abuzive të energjisë. Nëpërmjet një kinematografie të mrekullueshme dhe redaktimit, një tregim joshës dhe mahnitës në qasje në prapaskenë. Filmi fitues portretizon funksionimet e brendshme të një procesi të rrallë për shekullin e 21 – përpjekjen e një vendi për të vendosur themelet për të drejtat e njeriut dhe institucionet e përgjegjshme dhe për të sfiduar pushtetin arbitrar të papërpunuar. Fituesi i çmimit për filmin më të mire për të Drejtat e Njeriut është “Democrats” nga Camilla Nielsson.

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I SHKURTË – FITUES: THINGS by Ben Rivers
Juria: Ben Fowlie, Thomas Logoreci, Michael Pattison, Lois Patiño, Jean Pierre Rehm
Deklarata: Çmimi i filmit më të mirë të shkurtë ndërkombëtar i dhurohet regjisorit Ben Rivers për filmin Things, për humorin e tij përmes subjketeve të ndryshme, i cili i mblodhi së bashku në mënyrë interesante dhe personale.

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I SHKURTË – ÇMIMI SPECIAL: SCRAPBOOK nga Mike Hoolboom
Deklarata: Çmimi Special shkon për filmin Scrapbook të Mike Hoolboom për trajtimin e tij të sofistikuar të një subjekti kinematografik i cili është personal dhe historik.

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I GJATË – FITUES: MACHINE GUN OR TYPEWRITER nga Travis Wilkerson
Deklarata: Machine Gun or Typewriter nga Travis Wilkerson fiton çmimin e filmit më të mirë ndërkombëtar për eksplorimin e tij të gjallë politik dhe etnik të romancës dhe qytetit.

GARA E DOKUMENTARËVE NDËRKOMËTARË/METRAZHI I GJATË – ÇMIMI SPECIAL: THE ROYAL TOAD nga Jenni Olson
Deklarata: Filmi i resgjisorit Jenni Olson The Royal Road është shpërblyer me Çmimin Special për kapsulimin e një qyteti kinematografik përmes mjeteve të thella personale dhe rigjallërimit të bukur.

GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT – BALKAN NEWCOMER: COLONY nga Gürcan Keltek
Juria: Pavel Smejkal, Iva Radivojevic, Alexei Dmitriev
Deklarata: Elementet e peisazhit të cilat nxjerrin në dritë gjurmët e ngjarjeve torturuese në këtë film lakonik dhe të ndjeshëm.

GARA E DOKUMENTARËVE TË BALLKANIT – FITUES: FLOTEL EUROPA nga Vladimir Todorovic
Deklarata: Regjisori arrin në kujtesën kolektive dhe përvojën kolektive përmes një historie shumë personale, që tejkalon veten dhe gurgulimet përmes historisë për të paraqitur një ditë. Largimi. Zhvendosja. Pritja. Një ekzistencë e lërë për të notuar në Flotel Europa.

Edicioni i 14 i DokuFest në qendër të tij kishte temën e migrimit me filma nga e gjithë bota dhe rajoni i Ballkanit, masterklasa, punëtori, debate dhe diskutime në panel. Rekordi i ri i shitjeve të biletave është 14,000 bileta të filmave të shitura gjatë nëntë ditëve të festivalit. Performancat muzikore të mesnatës – DokuNights – ka shitur një rekord prej 13,000 biletave për programin muzikor me njerëz që vallëzonin deri në agim. Programi i filmave të këtij viti përbëhej nga 228 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtë, ku 124 prej tyre bënin pjesë nëprogramet garuese./PrizrenPress.com/

Rrëfimet e familjarëve për Esat Stavilecin (Video)

0

Tetëdhjetetrevjeçari Fadil Stavileci, i cili është më i moshuari i kësaj familje, vështirë e ka të pranojë humbjen e kushëririt të tij, akademikut Esat Stavileci.

Me vdekjen e akademikut, sipas familjarit kanë humbur te gjithë shqiptarët, duke treguara se Stavileci, kishte projekte për ta.

Me dhimbje këtë humbje e ka përjetuar edhe një mik i të ndjerit. Bile, ky është i mllefosur me faktin se politikanet e Kosovës nuk e ofruan afër vetes atë, për t’ia marrë këshillat.

Se ai i duhej politikes, këtë ia kishin thënë edhe familjaret, por ai kishte dhënë një përgjigje interesante. Për më shumë, shikojeni videon. /Klan Kosova/