14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Haliti: Çarja e koalicionit, shatërvan dëshirash

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, i ka hedhur poshtë zërat se koalicioni qeverisës PDK – LDK është përçarë. Pretendimet e tilla ai i ka quajtur shatërvan dëshirash të njerëzve dhe subjekteve të caktuara politike.

Në një intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se në PDK nuk ka asnjë informacion zyrtar apo jozyrtar që mund ta vë në dyshim koalicionin ndërmjet PDK-së dhe LDK-së.

“Ne si Parti Demokratike nuk kemi mbajtur asnjë mbledhje të kryesisë, as të Këshillit Drejtues për ta analizuar ndonjë të çarë që mund të ketë qenë ose mund të jetë në kuadër të koalicionit qeverisës. Të gjitha këto shkrime ose dëshira për t’u përçarë koalicioni qeverisës po më duket se janë më shumë shatërvan dëshirash të njerëzve të caktuar dhe subjekteve politike të caktuara”, ka thënë Haliti.

Ai është shprehur i çuditur se si dikush nga zyrtarët e PDK-së e të LDK-së mund të flasin për përçarje, ndërsa krerët e të dy partive vazhdimisht deklarojnë se janë në të njëjtat pozicione.

“Përderisa z. Thaçi dhe z. Mustafa janë në të njëjtat pozicione dhe në të njëjtat deklarata, unë nuk e di se si mund të deklarohen të tjerët për këtë lloj përçarje. Pra, unë nuk kam informacion zyrtar të partisë për këtë çështje. Gjithashtu, nuk kam informacion as jozyrtar nga LDK-ja nëpërmjet miqve të mi që mund të kenë informata”, është shprehur Haliti.

Sa iu përket largimeve të disa zyrtarëve që janë bërë nga ministra të caktuar të LDK-së, Haliti ka treguar se çdo ministër mund ta ndërtojë ekipin e tij sipas politikave të veta, por jo të largojë njerëz nga puna për shkak të bindjeve politike.

“Nëse largimet janë bërë për shkak të ndërrimeve politike unë këtë veprim e dënoj personalisht, sepse nuk do të duhej të veprohet kështu. Ndërsa në qoftë se njerëzit ndërrohen për shkak të paaftësive të tyre për ta kryer detyrën të cilën e kanë marrë dhe për shkak të gabimeve që mund t’i kenë bërë gjatë procesit sa kanë qenë në detyra të ngarkuara, atëherë mendoj se ata që e kanë shkelur ligjin duhet të dërgohen në prokurori dhe të japin llogari aty”, ka vlerësuar deputeti i PDK-së.

Haliti ka treguar se brenda koalicionit PDK – LDK po sheh vullnet për të punuar dhe për t’i quar punët përpara. Ai ka uruar të mos ketë ndarje të koalicionit, por të ketë një qeverisje PDK – LDK, e cila do të jetë në fund e suksesshme dhe do t’i shërbejë vërtet interesit qytetar, e jo interesit të klaneve të tyre apo interesit të tenderëve.

Kurse sa i përket postit të presidentit, Haliti beson se LDK-ja do ta respektojë marrëveshjen, në të kundërtën PDK-së do t’i duhet ta shqyrtojë pozicionin e saj në raport me koalicionin.

Më Shumë

Haradinaj: Rahoveci e dëshmoi kontributin ndaj Atdheut përmes shumë luftëtarëve të zotë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës së Dëshmorëve në Komunën e Rahovecit. Haradinaj ka...

Në Prizren vazhdon sekuestrimi i motoçikletave dhe gjobitja e kundërvajtësve (FOTO)

Me datën  8 dhe 9 maj 2024 policia në Prizren ka sekuestruar disa motoçikleta dhe u janë shqiptuar 563 gjoba për kundërvajtje të ndryshme...

Lajmet e Fundit