19.4 C
Prizren
E shtunë, 25 Prill, 2026
Home Blog Page 6708

Mashtruesi italian lihet në burg

0

Shtetasi italian, Aleksandër Donadon, 59 vjeç, i dyshuar se ka tentuar të përdorë Shqipërinë për pastrim të 640 mijë eurove, u la nga gjykata nën masën arrest me burg.

Prokurori i tha gjyqtares Teuta Hoxha se Donadon kishte depozituar çeqe në një bankë të nivelit të dytë, të sjella nga një bankë e San Marinos, një vend i njohur si parajsë fiskale. Këto çeqe në vlerën e 640 mijë eurove dyshohet se nuk kanë burim të pajustifikuar, ndërsa Donadon priste që pas mbarimit të afatit 45-ditor, këto çeqe t’i konvertoheshin nga banka në Tiranë.

Sipas organit të akuzës, dokumenti justifikues i burimit të këtyre fondeve është i paqartë. Gjithashtu prokuroria thotë se janë të falsifikuara edhe dy faturat e paraqitura nga i dyshuari me jusifikimin se do t’i tërhiqte depozitat për të blerë pajisje dentare që do t’i shiste në një kompleks spitalor në Tiranë.

Prokuroria thotë se ka dyshime që shtetasi italian të jetë pjesë e një grupi italian të proceduar për mashtrime financiare, por avokati i tij, i cili deklaroi se do ta apelojë çështjen, këmbëngul se Aleksandër Donadon është një biznesmen që kishte zgjedhur Shqipërinë të investonte për shkak të krizës në vendin e tij.

Mbi Donadon rendon vepra e pastrimit të parave dhe falsifikimit të dokumentave. /Top Channel/

Dy persona lëndojnë policin në Prizren

0

Policia e Kosovës bën të ditur se ka arrestuar dy persona në Prizren, pasi që kanë sulmuar një patrullë policore, me që rast një polic ka pësuar lëndime trupore.

“Kur patrulla policore i kishte  ndaluar ata të njëjtit me veturën e tyre kishin tentuar që me  vrull të largoheshin nga vendi i ngjarjes me që rast njëri nga zyrtarët policor ka pësuar lëndime të lehta trupore në shuplaken të dorës për çka dhe i është ofruar tretmëni mjekësor”, thuhet në raportin 24 orësh të PK-së, raporton PrizrenPress.

Me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit dërgohet në mbajtje, ndërsa i dyshuari i dytë lirohet në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Thaçi “zbraz” tre pozicione, ja pasuesit e tij

0

Zgjedhja e Hashim Thaçit President i Kosovës lë të zbrazët postin e kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, por edhe dy postet që ai mban në Qeverinë “Mustafa”, atë të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme.

Meqenëse Kushtetuta e Kosovës ja ndalon Presidentit të vendit që të ushtrojë çfarëdo aktiviteti tjetër publik, Thaçi deri në dhënien e betimit si president më 7 prill, duhet të japë dorëheqje nga të gjitha këto poste partiake dhe qeveritare.

Top Channel ka mësuar nga zyrtarë të lartë në PDK se deri tani emri më i mundshëm për pasardhës të Thaçit në parti është zëvendëskryetari Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, në postet qeveritare, sipas burimeve të Top Channel, Thaçin do ta pasojnë dy zyrtarë të lartë të PDK-së.

Nga ajo që është diskutuar deri tani brenda lidershipit të partisë, në pozitën e ministrit të Jashtëm, Thaçin pritet ta zëvendësojë nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, i cili edhe më parë ka qenë në këtë post gjatë kohës që vetë Thaçi ka qenë Kryeministër.

Postin e zëvendëskryeministrit të parë në Qeveri, pritet të zëvendësojë Thaçin ministri aktual i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ose ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi.

Hatim Baxhaku tregon pse bojkotoi votimin e Thaçit president

0

Deputeti i LDK-së, Hatim Baxhaku ka treguar përmes Facebookut, se pse nuk mori pjesë dje në seancën e kuvendit për zgjedhje të kryetarit të Kosovës.

Ai thotë se vendimi i tij ishte i pavarur dhe pa imponim nga askush.

“Për këtë vendim jam udhëheqë nga parimi se po bëjë më të mirën në interes të përgjithshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj në radhë të parë dhe pastaj interesave të LDK-se dhe aspak nga interesa të mija personale”, ka shkruar Baxhaku.

Postimi i plotë i Baxhakut:

Të nderuar miq,qytetar dhe anëtarësi e gjërë e LDK-se

Dje në seancën e Kuvendit të Kosovës u zgjodh Kryetari i Kosovës dhe kjo ngjarje padrejtësisht dhe pa asnjë arsye po duket se po shkakton një debat jo të dobishëm në LDK.

Dua t’ju bëjë me dije të gjithë qytetarëve të Kosovës,anëtarësisë dhe simpatizuesve te saj se vendimi im për mospjesmarrje në Seancen e Kuvendit për zgjedhje të Kryetarit te Kosovës ka qenë krejtësisht i pavarur,dhe pa inponim nga askush.

Për këtë vendim jam udhëheqë nga parimi se po bëjë më të mirën në interes të përgjithshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj në radhë të parë dhe pastaj interesave të LDK-se dhe asapk nga interesa të mija personale.

Unë dhe familja e ime me shekuj kemi punuar dhe jetuar gjithmonë me nderë dhe dinjitet,kurrizdrejt dhe ballëlartë.

Të nderuar elektorat i LDK-se,është e padrejtë dhe gabim të dyshohet në patriotizmin,atëdhedashurinë dhe besnikërinë në filozofinë Rugoviane për secilin Deputet.

Prandaj ju ftoj që të gjithëve që të ndalin kualifikimet e Deputetëve në Rugovista dhe jo Rugovista.

Dhe te gjithë të punojmë ne forcimin e radhëve te LDK-se dhe ta lejojmë Qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin Isa Mustafa që të bëjnë punë të mira për Kosovën dhe qytetarët e saj ashtu si ka bërë edhe deri më sot,për zhvillimin më të shpejt ekonomik dhe integrimet euroatlantike të Kosovës.

Shkrimtarët më të famshëm të të gjitha kohërave

0

Revista “TIME” duke mbledhur mendimin e 125 shkrimtarëve dhe kritikëve të njohur të kohëve të sotme ka vlerësuar autorët më të shquar të të gjitha kohërave.

Jo dhjetë shkrimtarët më të mirë, por më të famshmit. Shkrimtari rus Leon Tolstoi, i vlerësuar si shkrimtari më i famshëm botëror. Më pas vjen Uilliam Shekspir.

Ndërkohë në një listë tjetër po të revistës TIME, Tolstoi zinte sërish vendin e parë. Këtë herë për librin më të mirë të historisë.

“Ana Karenina” e Leo Tolstoit u shpall si libri më i mirë i të gjitha kohërave.

Historia klasike e Leo Tolstoit mbi një dashuri fatkeqe, është një nga novelat më të admiruara në literaturën botërore.

Gjenerata të tëra lexuesish janë magjepsur nga heroina e tij e mrekullueshme, me një martesë jo të lumtur të Ana Kareninës dhe marrëdhënies së saj tragjike me kontin e pashëm Vronski.

Në botën e tyre, lidhjet e parëndësishme janë të zakonshme, por pasioni që lind mes Anës dhe Vronskit i kthen ata në objekt përçmimi dhe çon në izolimin e Anës.

Mënyra se si marrëdhënia e tyre shkatërrohet është në kontrast të plotë me gëzimin që rrethon miqtë dhe familjen e saj, sidomos çiftin e ri Kiti dhe Levin, që përjetojnë një marrëdhënie prekëse.

Ana Karenina është një kryevepër, jo vetëm për gruan e paharrueshme që përjeton dramë në fatin e saj, por gjithashtu sepse ajo eksploron dhe hedh dritë mbi pyetjen e madhe se si duhet jetuar plotësisht jeta!

Në këtë listë në vend të dytë vinte kryevepra e Gustav Flobert “Madam Bovari”. Ndërkohë rusi Leo Tolstoi vinte sërish në këtë listë me vendin e tretë që e zë me veprën “Lufta dhe Paqja”.

Leo Tolstoi ishte i vetmi autor që në këtë listë është më dy libra.

Në atë listë nuk kishte si të mbetej jashtë “Aventurat e Hakëleberri Fin” të shkrimtarit të famshëm, Mark Tuein. Gjithashtu në listën e librave Uilliam Shekspir me kryeveprën e tij “Hamleti”.

1. Leon Tolstoi, i vlerësuar si shkrimtari më i madh botëror. Ndonëse në kohët e sotme është kaq shumë i çmuar, jeta e tij në periudhën kur jetoi, pati shumë dhembje dhe moskuptim. Ai ishte i pambështetur prej familjes dhe miqve prej pikëpamjeve të tij të ndryshme mbi jetën, fenë, dashurinë dhe mënyrën e ndërtimit të shoqërisë. Në vitin 1910, në moshën 81-vjeçare, si shenjë e revoltës së tij dhe për të mbrojtur më së miri ideologjinë që predikonte, Tolstoi u largua nga shtëpia dhe vdiq në ndërtesën e stacionit të trenit të Astapovos prej sëmundjes dhe pleqërisë.

2. Uilliam Shekspir, dramaturgu, poeti dhe shkrimtari më i njohur anglez, me shumë mister që e rrethon, është vlerësuar i dyti. Ai e bëri botën të qajë e të qesh me dramat dhe komeditë e tij të papërsëritshme. Është shkrimtari më i lexuar në botë, me 4 miliardë libra të shitur. Talenti i tij në depërtimin e botës së çdo personazhi dhe mjeshtëria e gjuhës, e bëjnë Shekspirin “Lordin e shkrimit anglez”. Shekspiri realizoi gjithsej 37 vepra: 13 tragjedi, 10 drama dhe 14 komedi. Tragjeditë e tij më të famshme janë “Hamleti”, “Henri IV”, “Makbeth” dhe “Romeo e Xhulieta”. Te komeditë përmendim “Shumë zhurmë për asgjë” dhe “Nata e dymbëdhjetë”.

3. Xhejms Xhojs, është i akuzuar prej shumë kritikëve si shkrimtari irlandez me stil të pakuptueshëm, të vështirë dhe monoton. Në listën e shkrimtarëve më të mirë botëror, renditet i treti. Xhejms Xhojs konsiderohet si një nga autorët më me ndikim të shekullit XX. Ai është i njohur për romanin e tij “Uliksi” (1922), me veprën e shumë të diskutuar “Zgjimi i Fineganëve” (1939), për përmbledhjen me tregime të shkurtra “Dublinasit” (1914), si dhe për romanin gjysmë autobiografik “Portreti i artistit djaloshar” (1916).

4. Vladimir Nabokov, shkrimtari rus i famshëm për romanin e tij tërësisht tronditës për shoqëritë e të gjitha kohërave, “Lolita”, është vlerësuar i katërti. Karriera e tij filloi pas përkthimit të veprave në anglisht, ku u bë shumë i njohur sidomos me romanin “Lolita”, i cili është realizuar shumë herë në filma, ku përmendet filmi i vitit 1997 aktruar nga i madhi Xheremi Ajrons dhe Melani Grifit.

5. Fjodor Dostojevski, shkrimtari, filozofi dhe eseisti rus, është i njohur për veprat e tij madhështore. Në këtë klasifikim është vlerësuar i pesti. Veprat e tij hulumtojnë thellë në psikologjinë njerëzore nga pikëpamjet politike, shoqërore dhe shpirtërore të Rusisë së kohës. Ai është themeluesi i ekzistencializmit të shekullit të 20 në Rusi. Për Dostojevskin thuhet se është ndër shkrimtarët më të mëdhenj dhe më me influencë të të gjitha kohërave.

6. Uilliam Folkner, shkrimtari i rëndësishëm që prej natyrës së tij të tërhequr ishte gati-gati i panjohur për lexuesit, derisa në vitin 1949 mori çmimin “Nobel” për letërsi. Ai është vlerësuar në këtë listë si shkrimtari i gjashtë më i shquar.

Vepra e tij, që korri më shumë sukses dhe që i dha emër, është “Një trëndafil për Emilinë”. Në fjalën e tij, gjatë marrjes së çmimit “Nobel”, ai tha: “Është veç një fjalë goje të thuash se njeriu është i pavdekshëm, vetëm sepse ai do të mbijetojë, kur të ketë kumbuar tiktaku i mbramë i fundit të botës, pasi të jetë shuar me shkëmbimin e sprasëm e krejt të pavlerë të përshkënditjes së mbrëmjes së fundit, edhe atëherë do të ketë mbetur kumbi i një zëri: kumbi i mezindier, i pashtershëm i njeriut që ligjëron ende.”

7. Çarls Dikens, shkrimtari i madh anglez vjen në këtë listë i vlerësuar i shtati. Ai mendohet se është ndër të parët shkrimtarë anglezë, të cilët lëvruan romanin shoqëror. Si veçori e këtij autori është se veprat e tij përbëhen nga personazhe kryesisht fëmijërorë, nga ku vijnë dhe titujt e librave. Mendohet se shkak i kësaj është fëmijëria e tij e mjerueshme.

I varfër dhe pa asnjë mjet jetese, ai i nënshtrohet punës në moshë shumë të re. Ndoshta ky është edhe çelësi i suksesit të tij, nëpërmjet personazheve që krijoi, ai pasqyroi dhe rishkroi fëmijërinë e tij për t’i dhënë një fund të lumtur. Veprat e tij më të njohura janë: “Oliver Tuist”, “David Koperfild”, “Dombi e Biri”, “Vogëlushja Dorrit”, “Vogëlushja Nell” dhe “Nikolla Nikëllbi”.

8. Anton Çehov, konsiderohet si novelisti më i madh dhe më i shquar jo vetëm rus, por mbarëbotëror. Ai vlerësohet i teti nga kritikët e sotëm. Çehov u diplomua në Mjekësi, por me shaka shprehej: “Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja”. Përmbledhja e novelave të tij është një nga librat më të shitur dhe më të vlerësuar të të gjitha kohërave, thellësia që pasqyron Çehov në novelat e tij, të magjeps dhe njëkohësisht të fut në kolapsin e shoqërisë ruse të shekullit të 19.

9. Gustav Flober, është një nga novelistët më të njohur francezë të shekullit të 19, kohë kur po lulëzonte romantizmi i Hygoit dhe miqve të tij. Ndjenjat që ushqente ndaj zonjës Eliza Shlesinzher e orientuan drejt formës më origjinale dhe më të thellë të romantizmit europian. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: “Zonja Bovari”, “Tundimet e Shën Andonit”, “Salambo” dhe “Një zemër e thjeshtë”.

10. Xhejn Ostin është shkrimtarja e vetme që arrin të përfshihet në listën e shkrimtarëve më të mirë botërorë, pavarësisht se shumë femra të tjera kanë dhënë kontributin e tyre në letërsi. Që më 1787-n, Xhejn filloi të shkruante poema, histori dhe drama për zbavitjen e vetes dhe familjes së saj.

Xhejn më vonë përpiloi kopje të 29 prej këtyre punimeve të hershme në tri blloqe, tashmë të quajtura “Juvenilia”, që përmbanin pjesë të shkruara mes 1787-s dhe 1793-shit. Veprat e saj të mëpasshme janë frymëzim i shumë filmave hollivudianë, tepër të ndjekur dhe të lexuar. Ajo është një autore që nuk do të harrohet për veprën e saj “Krenari dhe paragjykim”.

Presedani Pacolli rrezon Thaçin!?

0

Halil Matoshi

Nëse mbështetemi në aktgjykimin “Pacolli” të GJykaytës Kushtetuese HTH asht zgjedhë ilegalisht. Sepse sipas këtij nomosi të ri, Kryetari zgjedhet me 2/3-at e 120 deputetëve, të cilët oblogohen me qenë të parnishëm dhe me votue, pos atyne që kanë leje.

Tash Kadri Veseli duhet me u deklarue dhe me e dokumentue a u ka dhanë leje sepaku atyne pesë (5) deputetëve të LDK-së që munguan në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit me ç‘rast u zghjodh Kryetari I shtetit!?

Juristët e HTH kanë me e pasë shumë zheg këto ditë!

Pika 85 e aktgjykimin ne Rastin Pacolli thotë: Lidhur me këtë, GJykata vëren se lidhur me nurmin e votive që kërkohet për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, neni 84.4 I Kushtetutës siguron se Presidenti I Republikës së Kosovës do të zgjidhet me dy të tretat (2/3-at) e “votave të te gjithë deputetëve” të Kuvendit, që do të thotë se të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë minus ata deputetë të cilët kanë marrë leje nga Kryetari I Kuvendit, dhe kandidati I cili merr 80 ose më shumë vota (në raundin e parë dhe të dytë) do të zgjidhet. Vetëm nëse nuk arrihen dy të tretat e shumicës, mbahet raundi I tretë. Neni 27 I Ligjit për deputetë dhe neni 27.4 i Rregullores së pouëns së Kuvendit, përmban formulim identik të fjalëve: “dy të tretat (2/3) e votive të te gjithë deputetëve të Kuvendit”.

P.S.

Ku jane miqt e Gjykates Kushtetuese qe tash po heshtin?

BE: Skenat në Kuvend ishin ekstremisht shqetësuese

0

Bashkimi Evropian, nëpërmjet një kumtese të sotme, ka theksuar se “Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Hashim Thaçin si president të Kosovës, në një atmosferë të tenisonuar dhe përçarëse” dhe ka shtuar se “skenat që i kemi parë dje në kuvend me këtë rast janë ekstremisht shqetësuese”.

Mëtutje, theksohet se “aktet e dhunës në çfarëdo forme dhe nga çdokush janë të papranueshme” dhe se “retorika nxitëse vetëm e thellon ndarjen dhe e vështirëson dialogun”.

Në fund të një kumtese të shkurtër, lidhur me zgjedhjen e djeshme të ministrit të jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçit, njëherësh lider i PDK-së, për president në Kuvendin e Kosovës, Bashkimi Evropian thekson se pret “që liderët politikë të Kosovës të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe në mënyrë kolektive t’i ulin tensionet”.

Prizren: Dënohen me burg tre persona, një lirohet

0

Gjykata Themelore në Prizren, dje, shpalli fajtor tre të pandehurit me inicialet O.A – shtetas turk, B.F nga Ferizaj dhe N.N – shtetase turke, për veprat penale “krim të organizuar” dhe “kontrabandim me migrantë”.

Trupi gjykues i përbërë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë dhe një gjyqtar vendor ka dënuar O.A me 6 vjet burgim dhe me gjobë prej 6 mijë euro, B.F dënohet me 5 vjet burgim dhe me gjobë prej 4 mijë euro, dhe N.N dënohet me 6 vjet burgim dhe me gjobë prej 6 mijë euro.

Ndërsa, i pandehuri F.A, nga Prizreni, lirohet nga të gjitha akuzat e aktakuzës.

Në komunikatë të Gjykates Themelore të Prizrenit thuhet se është lëshuar një aktvendim i veçantë, ku është vendosur në lidhje me masën e paraburgimit për të pandehurit e dënuar të cekur më poshtë.

“Për secilin nga të pandehurit O.A, B.F dhe N.N, koha e kaluar dhe që duhet të kalohet në paraburgim do të zbritet nga dënimet e lartcekura që janë shqiptuar, sipas nenit 73 të KPK-së. Të gjitha palët kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë ndaj Aktgjykimit të shpallur brenda pesëmbëdhjetëditësh nga momenti kur ata e marrin atë, dhe në mënyrë specifike në lidhje me aktvendimin e veçantë mbi masën e paraburgimit, ata e kanë të drejtën e njëjtë që brenda tre ditësh që llogaritet nga momenti i marrjes së tij. Ky aktvendim i veçantë u është dërguar palëve sot”, thuhet në kumtesën e gjukatës së Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Mustafa tallet me deputetët e LDK-së që bojkotuan votimin e Thaçit

0

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, e ka përjetuar fitoren e Hashim Thaçit për President edhe si fitore të tij personale.

Një ditë pas votimit, Mustafa ka folur për deputetët e LDK’së që s’ishin pjesë e seancës ku u votua lideri i PDK’së për kreun e shtetit. Ka thënë se është frikësuar se mos disa prej tyre janë zënë peng në çadrat e Vetëvendosjes.

“Dikush më tha se i kanë frikësuar, e tjetri se kanë fluturuar, me marrë udhëzime në çadrat e verës australiane. Kryesorja që janë gjallë! Ata që e respektuan votën e qytetarëve ishin në Parlament. Nuk u frikësuan”, ka shkruar Mustafa, në Facebook.

“Dje, derisa VV po bënte terror mbi institucionet e Republikës së Kosovës, derisa ma sulmonin shtëpinë me shishe molotovi, pyeta ku janë edhe disa deputet që kanë marrë vota në emër të LDK-së, sepse nuk shiheshin se janë me shumicën e kolegëve të tyre. Frikohesha se janë zënë peng në çadrat e VV. Por, jo!”.

Christie mbështet Trumpin

0

Guvernatori i New Jersey dhe kandidati republikan Chris Christie i ka dhënë mbështetjen e tij në garën për president miliarderit Donald Trump.

Christie u tërhoq nga gara për besimin e partisë për zgjedhjet presidenciale pas dështimeve të njëpasnjëshme dhe sondazheve që e nxirrnin jo mirë.

“Jam i lumtur që do të jem në ekipin e Trump dhe mezi pres të punoj me të”, ka thënë Christie.

Trump është mundësia më e mirë që Republikanët t’i fitojnë zgjedhjet, ka shtuar ai.

Christie ka theksuar edhe se senatorët e rinj Ted Cruz dhe Marco Rubio janë të papërgatitur për atë që i pret.

Nuk kam dyshime që Trump do të ndryshojë shumë gjëra dhe se do ta mposhtë kandidaten demokrate, ish sekretaren e shtetit, Hillary Clinton në zgjedhjet presidenciale, ka përfunduar Christie.