Home Blog Page 6749

“A është Shqipëria ndalesa e radhës e refugjatëve?”

0

Me këtë pikëpyetje e nis shkrimin e saj agjencia e lajmeve “Al Jazeera”. Duke bërë një paralelizëm me Shqipërinë e viteve 1990 agjencia prestigjoze shkruan se Shqipëria ka një histori të ngjashme emigrimi, ndërsa mund ta gjejë veten së shpejti në qendër të krizës së refugjatëve në Evropë.

“Sot, situata politik në Shqipëri është stabilizuar disi, por pak më shumë se 100 km larg nga kufiri greko-maqedonase mijëra refugjatë kryesisht sirianë dhe irakiane vazhdojnë të vijnë. Mbyllja e rrugës ballkanike dhe përshpejtimi i krizës humanitare në Greqi ka detyruar njerëzit që të pyesin veten, nëse është Shqipëria e gatshme për të pritur një fluks emigrantësh. Terreni i vështirë në brendësi të kufirit shqiptar, me male, humnera, pyje të ndendur mund të jenë pengesë për emigrantët“, shkuran Al Jazeera.

“Ata vijnë me mijëra çdo natë, të veshur me rroba të leckosura, disa me fëmijë në krah. Duke sfiduar temperaturat nën zero ata ngjiten më këmbë nëpër terrenin me dëborë në malet e thepisura shqiptare. Raportimet për anijet me refugjatë siç po ndodh aktualisht, ishin të zakonshme në vitet ’90 në Shqipëri, ku mijëra shqiptarë pas rënies së diktaturës së Enver Hoxhës kalonin ilegalisht Adriatikun”, vijon shkrimin “Al Jazeera”.

Më tej agjencia e lajmeve Al Jazeera analizon edhe marrëveshjen e arritur mes BE dhe Turqisë, e cila parashikon që të gjithë refugjatët dhe emigrantët që arrijnë në ishujt grek do të kthehen në Turqi.

“Ndërkohë mbetet ende e paimagjinueshme që numri në rritje i refugjatëve në kufirin e Maqedonisë mund të kthehet në mbrapsht ose të mbetet thjesht një dëshirë e parealizuar për të arritur në vendet e dëshiruara të Evropës veriore“, vijon Al Jazeera.

Al Jazeera citon një përfaqësuese të UNHCR-së në Tiranë, Marie Verney, e cila thotë se pavarësisht se janë disa baraka ushtrie gati për emigrantët, ka mungesë stafi dhe burimesh.

“Ata thonë se kanë kazemra ushtarake në kufirin jugor, që janë gati për t’u përdorur si vende për strehim, por ato nuk janë të mjaftueshme, ka mungesë stafi dhe burimesh”, shkruan Agjencia e Lajmeve.

“Sipas vlerësimeve të UNHCR-së, 1,400 refugjatë kryesisht sirianë kaluan në Shqipëri në vitin 2014; në vitin 2015 ky numër ishte 2.600”, shkruan agjencia.

Al Jazeera mbyll shkrimin duke cituar kryeministrin Edi Rama: “Ne nuk kemi as kushtet, as forcën, as entuziazmin për të shpëtuar botën, ndërsa të tjerët mbyllin kufijtë e tyre”.

NISMA sot zbulon një skandal të Kuvendit të Kosovës

0

Nisma për Kosovën ka thirrur një konferencë për media për sot, siç thuhet në njoftim, për të zbuluar një skandal të Kuvendit të Kosovës, që përfshinëMinistrinë e Financave së bashku me Presidencën dhe që ka të bëjë me shkeljet ligjore në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

“Nisma për Kosovën thërret konferencë për medie, (Tema: skandali i Kuvendit të Kosovës në lidhje me shkeljet ligjore në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë), i zbuluar nga NISMA për Kosovën”, thuhet në njoftim.

Sipas Nismës, në këtë skandal janë të përfshirë Ministria e Financave, Kuvendi, Kryetari i Kuvendit, Administrata e Kuvendit dhe Presidenca.

“Nisma për Kosovën ka bërë gati të gjitha dëshmitë që do t’u përcillen mediave të interesuara. Konferenca do të mbahet nesër (e shtunë, 12 mars 2016), në orën 14:00, në selinë qendrore të Nisma për Kosovën, në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

Protesta deri në rrëzimin e Qeverisë

0

Donika Kadaj-Bujupi ka bërë të ditur se pas bojkotimit të Kuvendit opozita do të organizohet në terren, siç ka thënë ajo, për t’i dhënë fund këtij regjimi. Sipas saj, protesta e 26 marsit do të jetë më e madhe që është organizuar ndonjëherë në Prishtinë, përderisa kundërshtimi opozitar do të vazhdojë deri në rënien e Qeverisë.

Shefja e deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se trajtimi fyes, i padrejtë dhe ç’njerëzor ndaj deputetëve të opozitës, të cilët kishin kurajën të viheshin në mbrojtje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, janë disa nga arsyet pse konsiderojnë se legjislativi e ka humbur legjitimitetin dhe se opozita nuk do të vazhdojë të jetë pjesë e tij.

Këto komente Kadaj-Bujupi i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se më 26 mars 2016 do të organizohet protesta më e madhe nga opozita në Prishtinë.

“Protestë paqësore, ku qytetarët do të kundërshtojnë regjimin. Kundërshtimi do të vazhdojë deri në rënie sepse Kosova është vend demokratik, është Evropë dhe ngufatja e tillë nuk mund të zgjasë”, ka bërë të ditur nënkryetarja e AAK-së./Zëri/

Zyrtari shtetëror pjesë e rrjetit të prostitucionit në Prizren

0

Prokuroria Speciale ka ngritur sot një aktakuzë ndaj 6 personave të dyshuar për ushtrim të një rrjeti të prostitucionit në Prizren gjatë viteve 2013-2015.

E ky rrjet ka pasur bashkëpunëtor edhe zyrtar shtetëror. Sipas komunikatës një nga gjashtë të dyshuarit ka ushtruar post zyrtar, por nuk ceket nëse bëhet fjalë për ndonjë institucion qendror apo lokal.

“I pandehuri K.K, si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër duke shkelur ligjin me dashje lidhur me detyrat dhe punësimin e zyrtarit. Me këto veprime i pandehuri K.K., ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me nënparagrafin 2.1. të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër S.K, B.M, H.L, G.M, A.R, K.K, të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës dhe kundër shtetases së Republikës së Serbisë, M.K.

Sipas aktakuzës një pjesë e të akuzuarve gjatë vitit 2013, për të vazhduar gjatë vitit 2014 dhe 2015 komplet të akuzuarit e lartcekur, në Prizren kanë hapur, mbikëqyrur, menaxhuar një lokal dhe kanë zhvilluar veprimtaritë kriminale të prostitucionit, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare.

Në aktakuzë thuhet së të pandehurit S.K., B.M dhe M.K, kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 2, lidhur me veprat penale: trafikimi me njerëz nga neni 171 paragrafi 3 dhe 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe mundësimi ose detyrimi në prostitucion nga neni 241 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. Të pandehurit H.L, G.M dhe A.R, kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 1, lidhur me veprat penale: trafikimi me njerëz nga neni 171 paragrafi 3 dhe 2, lidhur me paragrafi 1 të KPRK-së dhe mundësimi ose detyrimi në prostitucion nga neni 241 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Në Rahovec debatojnë për transparencën

0

Në sallën e Kuvendit Komunal të Rahovecit, sot u mbajt debat me qytetarë për Planin e Veprimit për Transparencë dhe Rregulloren për Transparencë. Qëllimi i mbajtjes së këtij debati ishte që të debatohet për dy dokumente të cilat janë të një rëndësie të veçantë për transparencë dhe llogaridhënie në Komunën e Rahovecit.

Rregulloren për Transparencë e prezantoi drejtori i Administratës së Përgjithshme në Komunën e Rahovecit, Sali Sallteku, i cili tha se Rregullorja e deritanishme ishte miratuar nga Kuvendi i Komunës së Rahovecit me 2 prill të vitit 2013, ndërsa me datë 12.07.2013 është nxjerrë Udhëzimi Administrativ, për Transparencë në komuna, e që rregullorja e deritanishme është në kundërshtim me një sërë nenesh.

“Prandaj duke u bazuar në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, Udhëzimit Administrativ, Nr. 01/2015 për Transparencë në komuna, të hartuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të datës 12.07.2013, ka lindur nevoja për hartimin e këtyre akteve juridike, të cilat do të vihen në funksion të zbatimit sa më të lehtë të transparencës dhe llogaridhënies në Komunën e Rahovecit”, tha Sallteku.

Planin e Veprimit për Transparencë u prezantua nga shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Rahovecit, Haziz Krasniqi, i cili tha se qëllimi i këtij Draft-Plani është promovimi dhe avancimi i transparencës së organeve të Komunës së Rahovecit dhe administratës komunale në informimin efektiv të qytetarëve dhe grupeve tjera të interesit, që kanë të bëjnë me aktivitetet e ndërmarra për ushtrimin e kompetencave.

“Draft-Plani i Veprimit për Transparencë në Komunën e Rahovecit ka për synim t’i ofroi publikut qasje në monitorimin dhe zbatimin e publikimit të akteve të Komunës dhe aktiviteteve tjera, duke përfshirë edhe menaxhimin e financave dhe prokurimin publik, si dhe përgjegjësive të tjera që ndërlidhen me interesin e publikut”, tha Krasniqi.

Në lidhje me të dy dokumentet të cilat lidhën me transparencë dhe llogaridhënie në Komunën e Rahovecit foli Kadri Dellova, kuvendar në Kuvendin Komunal të Rahovecit, i cili tha se të dy dokumentet kanë kaluar edhe nëpër mbledhjen e mbajtur në muajin janarit 2016.

“Konsideroj se të dy dokumentet janë dokumente mjaftë të rëndësishme për transparencë dhe llogari dhënie nga ana e Komunës së Rahovecit”, tha Dellova. /PrizrenPress.com/

Hoxha e Morina bashkërendojnë aktivitetet për Qendrën Historike të Prizrenit

0

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha ka pritur në takim kryetarin e Këshillit për Qendrën Historike të Prizrenit, Arbnor Morina.

Hoxha dhe Morina, kanë diskutuar për bashkërendimin e punëve dhe aktiviteteve që dalin si detyrime ligjore nga Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit.

“Sot pata kënaqësinë që ta pres në takim kryetarin e Këshillit për Qendrën Historike të Prizrenit z. Arbnor Morina, me të cilin diskutuam për bashkërendimin e punëve dhe aktiviteteve që dalin si detyrime ligjore nga Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit”, ka thënë Hoxha.

Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit, përbëhet nga shtatë anëtarë profesionist në fushën e trashëgimisë kulturore ku tre prej të cilëve përfaqësojnë bashkësitë fetare në vend.

Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, ka për qëllim përcaktimin e rregullave për mbrojtjen, administrimin dhe zhvillimin bashkëkohorë të qëndrueshëm kë kësaj qendre, si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtjen e përhershme dhe të klasifikuar si Zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar.

“Angazhimet e përbashkëta nga të gjitha institucionet dhe mekanizmat e involvuar në ruajtjen, mbrojtën dhe administrimin e qendrës historike të Prizrenit do jenë të vazhdueshme me qëllimin të zbatimit të legjislacionit në fuqi”, ka thënë Hoxha. /PrizrenPress.com/

Shkolla e Teknikës në Prizren shënoi 55 vjetorin e themelimit

0

Me një manifestim kulturor në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, sot është shënuar 55 vjetori i shkollës së mesme të lartë teknike “11 Marsi”.

Pjesë e këtij manifestimi ishin nxënës, prindër, mësimdhënës, si dhe përfaqësues të institucioneve në Prizren dhe mysafirë të huaj.

Para të pranishmëve, në emër të këtij institucioni arsimor ka folur mësimdhënësja me e moshuar, Merdije Krasniqi, e cila tha se përkundër sfidave të ndryshme vizioni ynë për edukim, arsimim dhe aftësim të nxënësve po shënon suksese të vazhdueshme.

Për një fjalë rast, para të pranishmëve u paraqit edhe drejtori i Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional që funksionon në kuadër të MASHT-it, Ragip Gjoshi, i cili tha se aftësimi profesional hap perspektivë për punësim dhe vetëpunësim të gjeneratave të reja, si dhe pati fjalë miradije për punën në shkollën “11 Marsi”.

Ndërkaq, drejtori komunal për arsim në Prizren, Nexhat Çoçaj, kërkoi nga drejtuesit e shkollave të ciklit fillor të mesëm që të punojnë më tepër që nxënësit të orientohen në të ardhmen në numër më të madh në shkolla profesionale, siç është “11 marsi“ në Prizren.

Për të gjithë të pranishmit u shfaq një program i pasur artistik nga nxënësit e shkollës së muzikës muzikës “Lorenc Antoni” dhe SHMTL “11 Marsi”, si dhe një film dokumentar për punën në këtë institucioni, ndërsa gjatë ditës, në ambientet e shkollës ka qenë e hapur edhe një ekspozitë. /TV Prizreni/

Përurohet shtëpia e restauruar e atdhetarit Ymer Prizreni

0

Me një solemnitet rasti, sot është përuruar projekti i konservimit të shtëpisë në të cilën ka jetuar njëri ndër ideatorët kryesor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni.

Pjesë e këtij solemniteti ishin drejtuesit më të lartë komunal të Prizrenit, dhe pasardhës të kryeministrit të parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Pas prerjes së shiritit, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, tha se ne si institucione me këtë projekt po dëshmojmë se jemi të përkushtuar për të nderuar jetën dhe veprën e kolosëve tonë të kombit, në mesin e të cilëve ishte edhe Ymer Prizreni, i cili i takon një historie të lavdishme për të cilën amanet duhet lënë brezave të rinj.

Stërmbesa e patriotit të shquar, Ymer Prizreni, Sevime Drini- Dobroshi dhe bashkëshorti i saj Reshat, falënderuan komunën e Prizrenit për këtë investim të rëndësishëm i cili në një farë forme përkujton edhe figurën madhore të Ymer Prizrenit.

Projekti i konservimit të shtëpisë së Ymer Prizrenit që ndodhet në afërsi të LSHP-së është financuar në shumë prej mbi 43 mijë eurove nga drejtoria komunale për Urbanizëm dhe Planifikim. /TV Prizreni/

Një muaj paraburgim të dyshuarit nga Dragashi për vrasje në tentative

0

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurit me iniciale F.Q. nga Dragashi. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale ‘vrasja në tentativë’.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj ka bërë të ditur se i pandehuri F.Q. do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji.

“Kohëzgjatje prej një muaji, do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 10.03.2016 në ora 10:00, dhe do të zgjasë deri me datën 09.04.2016”, thotë Kicaj.

“I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, sepse me datën 25.12.2015. rrethe orës 17:35 minutanë Dragash me dashje tenton të privojë nga jeta personin tjetër, në atë mënyrë që në afërsi të kafiterisë “Taksi” derisa i dëmtuari me iniciale E.S. nga fshati Lubovisht, Komuna e Dragashit, ishte duke e pritur kolegun e tij të punës, i pandehuri me iniciale F.Q i paisur me një thikë i përvidhet nga pas dhe e godet të njëjtin tri herë në shpinë (në pjesën e pasme të kraharorit), dhe largohet nga vendi i ngjarjes , duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit”, bën të ditur Kicaj. /PrizrenPress.com/

Shënohet 17 vjetori i Betejës së Jeshkovës

0

Me aktivitete te ndryshme, sot është shënuar përvjetori i 17-të i njërës nga betejat më të lavdishme të UÇK-së në komunën e Prizrenit, asaj të Jeshkovës.

Aktivitetet për shënimin e Betejës së Jeshkovës, kanë filluar me homazhe në Landovicë ku morren pjesë familjarë të dëshmorëve, veteran e invalid të luftës, qytetarë e përfaqësues të institucioneve te ndryshme.

Me këtë rast kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja tha se herozimi i djemve më të mirë të vendit të cilët u flijuan për Lirinë e vendit në shumë beteja sikurse ishte ajo e Jeshkovës, e çliruan vendin nga robëria e egër.

Kryetari i degës së OVL të UÇK-së, në Prizren, Selim Krasniqi tha se Beteja e Jeshkovës është ndër ngjarjet më të rëndësishme dhe më të lavdishme të luftës sonë çlirimtare, por ai kishte edhe porosi për shumë bashkëluftëtarë dhe institucione për shumëçka që po i’a zbeh imazhin e UÇK-së.

Për sakrificën e dëshmorëve nuk duhet shtuar shumë, sepse ata ishin dhe do të mbetën sinonimet e Lirisë sonë të shumëpritur, theksoi oficeri i FSK-së, Sejdi Krasniqi.

Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Kujtim Gashi tha se amaneti i dëshmorëve do të jetësohet nga të gjallët që Kosova të jetë shtet ashtu si e deshën ata që u flijuan për Liri. Pas Landovicës, homazhe dhe buqeta lulesh janë vendosur në Lapidarin e dëshmorëve në Atmaxhë dhe në Jeshkovë është vizituar Kulla Muze e familjes së dëshmorit, Agim Shala.

Në Betejën e Jeshkovës së 11 marsit të vitit 1999 ranë në fushën e nderit 21 dëshmorë, 9 nga të cilët prehen së bashku me taborrin e luftëtarëve të nderit në Landovicë, kurse 11 të tjerë konsiderohen të zhdukur. Ata kanë vetëm emër, por jo edhe një varrë ku mund t’ju bëhen nderimet e ditëve përkujtimore. /TV Prizreni/