10.9 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026
Home Blog Page 6760

Ramush Haradinaj takohet me studentët e Rahovecit

0

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj është takuar sot me studentët e Rahovecit, të cilët studiojnë në Prishtinë.

Studentët kanë shprehur shqetësimet e tyre për zhvillimet në vend, me theks të posaçëm, mungesën e perspektivës për rininë studentore, e cila pothuajse është e pashpresë për të ardhëm e saj.

Ndërkaq, Haradinaj, ka shpalosur para tyre vizionin e AAK-së për një zhvillim të hovshëm ekonomik të vendit, që do të ishte rrugëzgjidhje edhe për mungesën e të ardhmes për rininë e vendit.

Ai ka folur për një fond që do ta krijonte Kosova, dhe që do të bazohej në pasuritë dhe resurset natyrore që i ka vendi./RahovecPress/

Policia në kërkim të Xhevat Hysenajt, i dyshuar për vrasjen e Egzonit

0

Policia është duke i bërë të gjitha përpjekjet për të kapur Xhevat Hysenajn, i dyshuari kryesor i vrasjes së Egzon Mazrekut nga fshati Sopi e Suharekës.

Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Hazir Berisha, edhe një herë apeloi tek qytetarët, që mos të hezitojnë të informojnë nëse kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e të dyshuarit Xhevat Hysenaj.

Për vrasjen e Egzon Mazrekut, dhe plagosjen e babait të tij, Naimit, në paraburgim ndodhen dy të dyshuar, ndërkaq që mbrëmë është vetëdorëzuar Naser Makolli. /PrizrenPress.com/

Seremb Gjergji aplikon në Kuvend për President

0

Kandidati i pavarur për president të Kosovës, Seremb Gjergji ka deponuar në Kuvendin e Kosovës dhe te të gjitha grupet parlamentare, kërkesën për ta përkrahur me nënshkrime si kandidatë për president të vendit.

Ai në rrjetin social facebook, transmeton kp, ka shkruar se si i pavarur është alternativa më e mirë të cilën po e kërkojnë të gjithë deputetët dhe qytetarët e Kosovës.

“Njëherësh, me këtë veprim e kam njoftuar edhe Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Zgjedhja ime President do të sjellë Pajtim në tërë Faktorin politik në Kosovë. Njëherësh, do ta përmirësoja dhe avancoja Imazhin e Kosovës”, thuhet në postimin e Gjergjit.

25-vjeçarja që u vra se nuk pranoi të dilte në kafe

0

Elidona Demiraj, 25 vjeç, është vajza që u vra mbrëmjen e së dielës në Islington në periferi të Londrës. Autori i krimit është 31-vjeçari Arben Rexha. Fqinjët thonë se, autori e kishte ftuar vajzën për kafe, por jo nuk kishte preferuar të dilte nga banesa.

31-vjeçari i shkoi më pas në shtëpi, ku edhe e masakroi me thikë të renë.

Mendohet se ata kanë qenë të njohur me njëri-tjetrin, por nuk dihet saktë raporti i tyre. Autori ka pranuar krimin dhe del në gjykatë këtë muaj./opinion.al

Sulmohen dy roje të pyllit në Luzhnicë të Suharekës

0

Dy persona, dëmtues të pyjeve nga Suhareka, kanë sulmuar dy roje të pyllit.

Rasti ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Luzhnicë të Suharekës.

“Dy viktimat roje pylli, kanë raportuar se derisa ishin në detyrë kanë hasur dy të dyshuar meshkuj, duke prerë dru ilegalisht, nga të cilët janë kanosur”, njofton Policia e Kosovës, raporton PrizrenPress.

Të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com

Kristo Frashëri la amanet tri vepra në dorëshkrim

0

Krerët më të lartë të shtetit mesditën e së mërkurës janë përkulur para arkivolit të akademik Kristo Frashërit.

Në ceremoninë e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë, dy ditë pas vdekjes së Frashërit në moshën 96-vjeçare, figura e tij është vlerësuar si e pazëvendësueshme sa u përket studimeve në histori.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, akademikë, profesorë e personalitete të tjera janë bërë bashkë për herë të fundit para Frashërit, që t’i jepet lamtumira e fundit në Tiranë.

“Një ndër ato humbje që e bëjnë edhe më të rëndë peshën e veprës së mbetur pas”, ka shkruar Rama në librin e zisë.

Kristo Frashëri njihej si studiues i pandalshëm, gjë të cilën e vërteton edhe krijimtaria e tij.

Amaneti i tij për të birin Gjergji Frashëri ishte botimi i tri veprave që janë pjesë e studimeve të tij, por ende të papublikuara.

“Besoj se i kam bërë gjërat mirë dhe mendoj se kam lënë trashëgimi diçka për vendin tim”, janë fjalët e fundit që Frashëri ia kishte thënë të birit. Komuniteti i studiuesve dhe i historianëve vdekjen e historianit e ka cilësuar si humbje të madhe për qarqet akademike në Shqipëri.

Historiani e diplomati Pëllumb Xhufi ka thënë se Frashëri ishte kolonë e rëndësishme e historiografisë shqiptare, i cili me veprën e tij ka prekur çdo periudhë.

“Pa dyshim është një humbje e madhe. Kristo Frashëri ka qenë një ndër kolonët e historiografisë shqiptare. Një historian që për 70 vjet ka punuar, ka prodhuar dhe ka përfshirë në rrezen e analizës së tij historike të gjitha periudhat”, ka thënë Xhufi. Ndër cilësitë e tij ka përmendur edhe momentin e refuzimit për të marrë titullin Doktor i shkencave në kohën e Shqipërisë socialiste.

Ndërsa historiania Valentina Duka ka thënë se vepra e Frashërit është pikë referimi.

E veprën e tij të fundit të botuar për historinë e Çamërisë, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, e ka vlerësuar lart.

“Do ta quaja një njeri që na kujton gjithmonë se historia përsëritet dhe ne shqiptarët nuk duhet të na zërë amnezia. Do ta quaja një njeri të madh, veprat e të cilit duhet t’i kemi si udhërrëfyes për strategjinë kombëtare shqiptare”, ka thënë Idrizi.

Akademik Kristo Frashëri, i lindur më 17 dhjetor të vitit 1920 në Stamboll, më 1927 bashkë me familje ishte riatdhesuar në Shqipëri. Ishte djali i parë i patriotit dhe rilindësit Anastas Frashëri. Më 1940, pasi kreu shkollën e mesme, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firencës. Dy vjet më vonë ishte burgosur dhe internuar nga administrata fashiste, dhe më 1943 u ishte bashkangjitur aradheve partizane në Shqipëri.

Akademik Frashëri kishte nisur të botonte studimet e tij qysh në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Historia e Çamërisë”, “Principata e Arbërisë”, “Jeta e një historiani”, “Ahmet Zogu: vështrim historik”, “Etnogjeneza e shqiptarëve – Vështrim historik”, “Historia e Dibrës”, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881”, “Ismail Qemali – album”, “E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit”, “Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)”, “Skënderbeu i shpërfytyruar“, “Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (vjeshtë 1809)”, “Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)”, “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë: (28 Nëntor 1912)”, “Historia e Lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (1878 – 1941)”.

Më 1997 ishte zgjedhur zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përderisa më 1999 u pensionua përsëri. /KultPlus.com

Zbulohet një insekt i ri në Kosovë: ‘Drusus sharrensis’ nga Mali Sharr (Foto)

0

“Drusus sharrensis” është insekti i ri që e ka zbuluar profesor Halil Ibrahimi nga Departamenti i Biologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Ky lloj insekti është zbuluar në Parkun Kombëtar Mali Sharr. Insekti është i njohur për momentin vetëm nga Kosova dhe është lloj endemik i bjeshkëve të Sharrit.

Halil Ibrahimi

“Drusus sharrensis” është gjetur në disa përroska malore, degë të lumenjve Lumëbardhi i Prizrenit dhe Lepec, përreth zonës së Brezovicës, Prevallës, si dhe territorit në të cilin planifikohet ndërtimi i kompleksit turistik Brezovica II.

Insekti Drusus sharrensis

“Drusus sharrensis” e ka marr emrin nga Mali Sharr. Këto bjeshkë përndryshe janë shumë të pasura me lloje të rralla bimore dhe shtazore dhe njihen si qendër e biodiversitetit të Ballkanit.

Insekti Drusus sharrensis1

Revista prestigjioze “Zookeys”, në përshkrimin e këtij lloji të ri të insektit ka thënë se ndërtimi i kompleksit Brezovica II, në qoftë se nuk menaxhohet dhe planifikohet mirë, pritet të ketë ndikim në ngushtimin e arealit të vendbanimit të llojit të ri të insektit.

Përveç përshkrimit të llojit të ri në këtë punim është bërë edhe një analizë e detajuar gjenetike dhe filogjenike e këtij lloji, me disa lloje të tjera endemike të përafërta nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Austria etj.

Ky punim shkencor e thekson Kosovën, dhe Malin Sharr në veçanti për potencialin e lartë të biodiversitetit duke i bërë të domosdoshme hulumtimet e ardhshme në këtë drejtim për zbulimin e tij.

Vitin e kaluar ishte publikuar një zbulim tjetër i profesorit Halil Ibrahimi, lloji endemik i insektit Drusus dardanicus nga Llapi.

2016-ta, vit i promovimit të kulturës së Kosovës në Turqi

0

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, ka pritur sot në takim Ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilicim Kiliç, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin e Kosovës dhe Turqisë në fushën e kulturës, me theks në programin e aktiviteteve kulturore të sivjetme që pritet të zhvillohen si në Turqi ashtu edhe në Kosovë në kuadër të përzgjedhjes së vitit 2016 si viti i Kosovës.

Pas përzgjedhjes së vitit 2016, nga Republika e Turqisë si vit i Kosovës, pritet të realizohen projekte të cilat promovojnë kulturën e Kosovës në Turqi, përmes aktiviteteve të ndryshme të cilat do të organizohen në koordinim të dy vendeve.

Hoti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin që po jep Republika e Turqisë në Kosovë përmes përkrahjes dhe bashkëpunimit sidomos në fushën e kulturës. Ai theksoi rëndësinë që ka përzgjedhja e shtetit të Kosovës për përkrahje të aktiviteteve dhe projekteve dhe tha se MKRS-ja është e gatshme për bashkëpunim në këtëprojekt me rëndësi tëveçantë për Kosovën.

Zëvendësministri shtoi se MKRS do t’i shqyrtoj hapat e konkretizimit të bashkëpunimit nëkëtë projekt të investimeve nga ana e Turqisë për Kosovën, qoftë në aspektin e promovimit apo lansimit të projekteve dhe aktiviteteve nga ana e MKRS-së.

Ndërsa, Ambasadorja Kiliç falënderoi zëvendësministrin Hoti për gatishmërinë që ka shprehur MKRS-ja për të bashkëpunuar dhe lehtësuar realizimin e programit të sivjetmë.

Ajo tha se pas përzgjedhjes së viti 2016 si viti i Kosovës në kuptimin e investimit në projekte të ndryshme, pret që me sukses të realizohen aktivitetet të cilat promovojnë kulturën e Kosovës në Turqi si dhe elementet e përbashkëta kulturore që ka Kosova e Turqia.

Ambasadorja turke ndër të tjera u shpreh se marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, edhe me projekte dhe nisma tjera konkrete. /PrizrenPress.com

Anton Çuni: Ushtria është në interes të gjithë qytetarëve

0

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Çuni, ka thënë se bërja e ushtrisë së Kosovës është në interes të gjithë qytetarëve pa dallime etnike.

Në mbledhjen e sotshme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, ai u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që t’i heqin dilemat sa i përket transformimit të FSK-së. Ai ka shtuar se ushtria do t’i mbrojë edhe ata në rast të ndonjë rreziku.

“Formimi i ushtrisë është interes për të gjithë qytetarët e Kosovës, pasi ushtria mbron qytetarët e një vendi pa dallime etnike. Prandaj pala serbe le t’i heq dilemat për formimin e ushtrisë sepse Forcat e Kosovës do t’i mbrojnë dhe ata në rast të ndonjë rreziku”, ka deklaruar Çuni.

Në këtë takim nuk janë duke marrë pjesë deputetët e opozitës, prandaj, sipas Çunit, kjo e pengon funksionimin e punës normale të këtij komisioni. /Epoka e re

31 ditë paraburgim të dyshuarit për vrasje nga Sopija e Suharekës

0

Gjykata Themelore e Prizrenit i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit me iniciale  XH. S. nga fshati Sopi – Komuna e Suharekës, për shkak të dyshimit të bazuar se  ka  kryer  veprën  penale  “vrasje e rëndë në ndihmë” nga neni 179 parg.1.5  lidhur me nenin 33 të KP-së.

“Me datën 03.02.2016, Prokuroria Themelore e Prizrenit – Departamenti për Krime të Rënda i ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit Gjykatës Themelore në Prizren Departamentit për Krime të Rënda ndaj të pandehurit me iniciale  XH. S.  për shkak të veprës penale  “vrasje e rëndë në ndihmë”  nga neni 179 parg.1.5  lidhur me nenin 33 të KP-së”, bën të ditur zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

Sipas Kicajt, po të njëjtën ditë Gjykata Themelore e Prizrenit Departamenti për Krime të Rënda  ka mbajtur seancën e paraburgimit ku të pandehurit me iniciale  XH. S.  i është caktuar masa e paraburgimit në afat prej  1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit, datë 02.02.2016 deri në  ora 14:00, dhe  do të zgjasë deri më datën, 03.03.2016  në ora 14:00. /PrizrenPress.com