Home Blog Page 6793

Opozita mobilizohet kundër Thaçit

0

Tri partitë opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, po mobilizohen për ta penguar zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës.

Jozyrtarisht mësohet se partnerët e koalicionit qeverisës po planifikojnë që zgjedhja e Thaçit president të ndodhë këtë të mërkurë, në një seancë të Parlamentit, të cilën gjë opozita po planifikon që të mos e lejojë.

Adonis Tahiri nga Lëvizja “Vetëvendosje” ka thënë për “Zërin” se ashtu siç kanë vepruar në seancat paraprake, njësoj do të veprojnë edhe në seancën kur pritet të bëhet zgjedhja e presidentit.

“Siç kemi vepruar edhe në seancat e fundit të Kuvendit, do të veprojmë edhe në seancën e ardhshme kur ajo të caktohet. Një president i zgjedhur në kushtet e një krize institucionale nuk mund të përfaqësojë asnjë institucion e aq më pak unitetin të cilin supozohet ta përfaqësojë edhe me Kushtetutë”, ka thënë Tahiri për “Zërin”.

Sipas Tahirit, Thaçi assesi nuk bën të jetë president i Kosovës, pasi që, siç ka thënë ai, kreu i PDK-së është një nga shefat kryesorë të nëntokës në Kosovë.

“Për më tepër, profili i Thaçit nuk bën assesi për president. Kundërshtimi i tij kap një front të gjerë shoqëror. Madje edhe shumica e elektoratit të LDK-së, që e kanë partner të koalicionit, janë kundër tij”, ka deklaruar Tahiri. /Zëri/

Skenari i pistë për “kontrabandimin” e Thaçit për president

0

Demokracia kosovare në rrezik për t’u varrosur

Partnerët e koalicionit PDK-LDK dhe minoritetet kanë planifikuar, që duke e ndëshkuar opozitën me përjashtim nga punimet e Kuvendit, të gjejnë një model, të ligjshëm, sipas tyre, për ta përmbyllur tani vetëm proceduralisht zgjedhjen e Hashim Thaçit për president të vendit, pasi që afati kushtetues i skadimit të mandatit të presidentes në detyrë Atifete Jahjaga po shpenzohet.

Mirëpo, analistët politikë konsiderojnë se çdo formë antidemokratike e përpjekjes për ta zgjedhur kreun e PDK-së, Hashim Thaçi, në pozitën e kryetarit të shtetit, duke vepruar me një lloj kontrabandimi vetëm të votave të instrumentalizuara paraprakisht nga deputetët e koalicionit qeverisës, pa opozitën, vetëm sa do ta thellojë akoma më shumë krizën në vend në të ardhmen, ngase bëhet fjalë për një figurë me të cilën që tani janë ndërprerë të gjitha urat e komunikimit politik për shkak të arrogancës dhe mos durimit politik ndaj oponentëve. Në të ardhmen, për të gjitha temat e interesit nacional, që mund të bisedoheshin në tryezën e ftuar nga presidenti i ardhshëm, janë tri subjekte politike të cilat as tani dhe as në të ardhmen nuk do të pranojnë të kenë kurrfarë komunikimi më Zyrën e presidentit të Kosovës nëse Hashim Thaçi “aksidentalisht” zgjidhet në atë pozitë.

“Në rast se Hashim Thaçi zgjidhet president me vota të kontrabanduara, do të ishte një skenar i keq, sepse përveç që zgjedhja e Hashim Thaçit për president s’do të ishte bërë në mënyrë legjitime, krizën politike dhe bllokadën shtatë- mujore, do ta thellonte akoma më shumë. Kjo krizë do të mund të shpërthente edhe me revoltën e qytetarëve në rrugë. Kosovës nuk i duhet një president, që zgjidhet në këtë mënyrë dhe me skena të tilla, me skenar të pistë dhe jodemokratik. Kosova ka me qindra e mijëra probleme të tjera, sesa problemi e zgjidhjes së presidentit. Kosovës i duhet një president, që përfaqëson interesat e popullit dhe të shtetit, që zgjidhet direkt me votat e qytetarëve, e një njeri si Hashim Thaçi që këtë popull që e quan egërsirë, s’mund ta përfaqësojë këtë popull”, shprehet politologu Faik Krasniqi për “Kosova Sot”.

Kurse, analisti Ali Hertica shprehet: “Zgjedhja e Thaçit president “aksidentalisht” do të thotë një ndezje e xixës së opozitës, me çka mund të vijë edhe deri tek ndonjë situatë akoma më e keqe për shtetin e Kosovës, të them ndoshta edhe mbarimin e shtetit si shtet demokratik, sepse e gjithë kjo situatë politike, që po e përdhos shtetin është gjenerim nga të parët e kësaj qeverisjeje, e që ju ngjasojnë atyre brigadave të kuqe e që janë këta të LDK-së dhe Qavezët e PDK-së”. /Kosova Sot/

Sekretet e pozitës për presidentin

0

Partnerët e koalicionit qeverisës nuk po guxojnë ta zbulojnë datën e zgjedhjes së presidentit nga frika e kundërshtimeve të ashpra që pritet të vijnë nga opozita. Ata nuk e mohojnë se zgjedhja e Thaçit në krye të shtetit mund të ndodhë këtë të mërkurë, tri ditë para protestës së paralajmëruar.

Partnerët e koalicionit qeverisës po i bëjnë përgatitjet e fundit që Hashim Thaçi të zgjidhet këtë javë president.

Jozyrtarisht përmendet dita e mërkurë (24 shkurti), dita kur Thaçi do të votohet në krye të shtetit, disa ditë para se partitë opozitare ta mbajnë protestën e paralajmëruar.

Madje partnerët e koalicionit thonë se zgjedhja e Thaçit president pritet të ndodhë gjatë një seance solemne të Kuvendit të Kosovës, të cilën seancë partitë opozitare janë të vendosura që të mos e lejojnë që të zhvillohet.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë për “Zërin” se ende nuk e di datën se kur do të votohet Thaçi për president të vendit, por nuk e ka mohuar se një gjë e tillë mund të ndodhë gjatë kësaj jave.

“Mendoj se kur do të jetë dita, më shumë i takon Kryesisë së Kuvendit e cila mund të vendosë në përputhje me procedurat në fuqi se kur ta thërrasë seancën. Por në anën e partnerëve të koalicionit, PDK-së dhe LDK-së, dhe komuniteteve ekziston një qartësi e plotë që presidenti mund të zgjidhet brenda një kohe të shkurtë. /Zëri/

Kuorumi s’është problem për zgjedhjen e Presidentit

0

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK’së, Xhavit Haliti, ka deklaruar se Kryesia e Kuvendit të Kosovës është e gatshme që kurdo të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit kurdo, mirëpo nuk e di se kur do të zgjedhet Presidenti.

Në një prononcim për RTK, sidoqoftë, Haliti ka thënë se partia e tij nuk e ka asnjë problem.

“Si PDK, jemi gati dhe nuk e kemi atë problem, as me nënshkrime dhe as me procedura”.

“Problem është më shumë dëshira dhe vullneti që të ketë një konsensus për ta zgjedhur Presidentin e vendit, të jenë të paktën të gjithë deputetët në sallë, pa përjashtim, të Opozitës dhe të Pozitës”.

“Besoj se do të kemi kuorum, sipas raportimeve që janë bërë në Grupin Parlamentar dhe në organet e partisë. Unë kësaj i besoj. Nuk besoj se do të ketë mungesë kuorumi në seancë”, ka thënë Haliti për RTK.

Shpëthimi i dy makinave me bombë vret 46 presona në Siri

0

Të paktën 46 persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë lënduar në një shpërthim me bombë në dy makina në Siri, raporton BBC.

Sipas raporteve thuhet se shumica e të vrarëve janë civilë.  Ende nuk dihet se kush qëndron prapa këtij sulmi, por thuhet se ky vend ishte sulmuar më parë nga ISIS-i.

Shpërthimi ka ndodhur në qytetin Homs, në të cilin dominon sekti Alawite, sekt të cilit i takon edhe presidenti Assad. Sipas raporteve thuhet se numri i të vdekurve mund të rritet.

Mytaher Haskuka: Nuk do të lodhemi së protestuari

0

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mytaher Haskuka ka thënë se po arrestohen ngase janë kundër ‘Zajednicës’ por nuk do të lodhen së protestuari derisa të ndalen të gjitha padrejtësitë sipas tij kundrejt Kosovës dhe fëmijëve të këtij vendi.

“Ne sot po arrestohemi ngase jemi kundër ‘Zajendicës’, një marrëveshje për ndarje etnike (segregim) të Kosovës, këtë e vërtetoi edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Prandaj ne nuk do të lodhemi së protestuari derisa nuk ndalen plotësisht këto padrejtësi kundrejt Kosovës dhe kundrejt fëmijëve tanë” ka thënë Haskuka, në një status në Facebook.

Haskuka ka bërë edhe një krahasim me kandidatin për President të Amerikës i cili është arrestuar për protest kundër ndarjes racore në Universitet.

Lexojeni postimin e plotë të deputetit Haskuka:

“Ky është Bernie Sanders njëri nga kandidatët për President të Amerikës nga rradhët e demokratëve. Ai është duke u arrestuar nga policia amerikane për protestë kundër segregimit (ndarjes) racor në universitet. I pyetur për këtë arrestim ai tregon që është arrestuar shumë herë ngase gjithmonë ka qenë kundër padrejtësive.

Ne sot po arrestohemi ngase jemi kundër Zajendicës, një marrëveshje për ndarje etnike (segregim) të Kosovës, këtë e vërtetoi edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Prandaj ne nuk do të lodhemi së protestuari derisa nuk ndalen plotësisht këto padrejtësi kundrejt Kosovës dhe kundrejt fëmijëve tanë.

?#?BernieSanders” (sic), ka shkruar Haskuka.

Atmaxha, fshati i traditës së dasmave

0

Bëheshin shpenzime marramendëse për të martuar një çift në Atmaxhë

Samil Gashi tregon se ende e mban mend se si shumë familje detyroheshin të shisnin edhe tokë buke për të kryer një martesë. Në Atmaxhë njerëzit mateshin me atë se çfarë dasme bënin, se sa krushq kishin në dasmë dhe kjo traditë deri diku është ruajtur edhe sot e kësaj dite

Atmaxha është një fshat që gjeografikisht i përket Përdrinisë, por ende e ruan traditën e Vërrinit dhe është i vetmi fshat që ka bërë hapa të mëdhenj në shkollim dhe integrim të popullatës. Mendohet se emërtimi i këtij fshati vjen nga fjala Ati, që është fjala për kali të shalës dhe magje, kur atje me punën e atit mbushet magjja. Atmaxha aktualisht ka rreth 300 shtëpi me mbi 2000 banorë. Kujtim Gashi, njëri ndër banorët e këtij fshati, tregon për “Kosova Sot” se ajo që këtë fshat ende po e mundon është fakti se mbi 35 për qind e popullatës jetojnë në Evropë, si në Zvicër, Gjermani etj, raporton Gazeta Kosova Sot

Kjo, sipas tij, nuk ka gjë të keqe po të mos bëhet fjalë për humbjen e këtyre banorëve që kishte dikur ky fshat. Megjithatë, shumica e atyre banorëve që kanë mbetur në këtë fshat bëjnë punë të rënda dhe mund të konceptohet se janë disa grupe që merren me ndërtimtari, blegtori dhe bujqësi. Gashi tregon se fshati Atmaxhë ka ndërtuar xhami, shkollë, ka terrene sportive, rrugët dhe rrugicat, kanalizimin, ndriçimin publik, në proces të ndërtimit edhe rrjeti elektrik. Në 10 vitet e fundit janë investuar mbi 1 milion euro në infrastrukturë, të cilat janë bërë nga komuna e Prizrenit. Kryetari i këtij fshati, Samed Gashi, tregon se mbi 95 për qind e banorëve janë me mbiemrin Gashi dhe të gjithë janë kushërinj ndërmjet vete, nga një familje e cila para 120 vjetësh është zhvendosur nga Malësia e Vrrinit në Atmaxhë, ku edhe ka filluar banimi në këtë lokalitet, e cila tashmë është paralagje e qytetit të Prizrenit.

Grafite kundër Thaçit President edhe në Suharekë

0

Sot në mëngjes në pjesën ballore të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”, është shkruar emri i tij por me një porosi.

“Baci Ukë u kry, Salihi ka votu për Thaçin president”, shkruhej me të mëdha në murin e shtëpisë së kulturës, raporton TherandaPost.

Më parë, kryetari i Komunës së Suharekës, pasardhësi i Ukë Bytyçit në këtë post, është deklaruar pro Hashim Thaçit president, si pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeveritar qendror, PDK-LDK

Ky është rrëfimi i Fadil Hoxhës për vrasjen e Shaban Polluzhës

0

Sot janë mbushur 71 vjet prej vrasjes së Shaban Polluzhës i vrarë nga komunistët e udhëhequr prej Fadil Hoxhës. ?Ky i fundit, sa ishte gjallë, kishte thënë se Shaban Polluzha ishte likuiduar dhe pas kësaj ishte qetësuar edhe Drenica. Madje, komunisti Hoxha kishte thënë se në likuidimin e Polluzhës kishin marrë pjesë edhe njerëz të Drenicës

Fadil Hoxha, krykomunisti i Kosovës prej vitit 1943-1969, kishte rrëfyer ngjarjen e vrasjes së Shaban Polluzhës dhe ushtarëve të tij.

Në librin e Veton Surroit “Fadil Hoxha në vetën e parë”, kishte treguar versionin e tij për vrasjen e Polluzhës dhe anëtarëve të tjerë të Çetës së Drenicës, më 21 shkurt të vitit 1945, shkruan Gazeta Express.

Hoxha kishte thënë se kur ishte likuiduar Shaban Polluzha ishte qetësuar Drenica.

“Ne luftë u vranë shumë njerëz tanë. Kjo ka zgjatur afër një muaj ditë, qetësimi i situatës në Drenicë afër një muaj e kusur. Lufta kundër asaj njësie, siç quhej të Shaban Polluzhës, një pjesë e të cilës shpejt është shpërndarë ka ikë, por një pjesë e tyre kanë luftuar kundër nesh, sidomos Mehmet Gradica edhe të tjerë, si dhe Shabani. Ashtë vra Shabani, asht vra i biri. Kjo ka zgjatë nja një muaj ditë, por aty janë vra bukur edhe do partizanë tanë. Nuk e di numrin taman”.

“Me likuidimin e këtij grupi të Drenicës gati është qetësue Drenica. Deshta me të thanë se edhe populli i Drenicës, një pjesë e madhe e tij, ka marrë pjesë me ne, mbasadndej kundër këtyre. Kështu që kjo asht jashtëzakonisht me rëndësi përndryshe do të kishim probleme edhe masandej në Drenicë”, thotë Fadil Hoxha, cituar në librin e Veton Surroit, në intervistën e tij të dhënë përmes magnetofonit Rexhai Surroit, në gusht të vitit 1963.

Sipas versionit të Hoxhës, Shaban Polluzha e kishte thyer marrëveshjen me komunistët dhe nuk kishte mbajtur premtimin për ta çuar Çetën e Drenicën në frontin e Sremit, aty ku luftohej mes gjermanëve e komunistëve, në kuadër të luftës së dytë botërore.

Sipas Hoxhës, Shaban Polluzha me ushtarët e tij ishin pajtuar t’iu bashkoheshin komunistëve dhe të merrnin pjesë në frontin e Semi, në Serbi, ku po luftohej kundër gjermanëve.

Mirëpo, kur çeta e Shaban Polluzhës po kalonte prej Drenicës për në Podujevë, duke shkuar për në frontin e Sremit, qindra banorë të Llapit kishin kërkuar Polluzhës dhe ushtarëve shqiptarë të mos shkonin në Serbi e të lënin qytetet e Kosovën në dorën e komunistëve shqiptarë e serbë.

Dhe, kështu edhe kishte ndodhur. Luftëtarët e Shaban Polluzhës ishin kthyer në Drenicë, ku pastaj ishin vrarë nga komunistët e Fadil Hoxhës.

Para se të vdiste Fadil Hoxha ishte bërë anëtar nderi i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ishte varrosur me nderime nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës të cila kishin qenë trashëgimtare të UÇK’së.

Shaban Polluzha ishte nderuar nga Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, në vitin 1993 me dekoratën “Urdhri për Veprimtari Patriotike të Klasitë të Parë”, ndërsa, Presidenti Fatmir Sejdiu, në vitin 2009, Pollzhën e shpallë “Hero i Kosovës”.

Para pak kohësh, qyteti i vetëm në Europë, Gjakova kishte nisur procedurat për nderimin e një komunisti, siç ishte Fadil Hoxha. Madje, ishte paraparë ndërtimi i bustit të tij midis Gjakove. Ky projekt ende nuk është realizuar.

Ende nuk ekziston në Kosovë një dokument me të cilin dënohen krimet e komunizmit. Ka pasur disa përpjekje por kanë dështuar edhe në Parlamentin e Kosovës për të nxjerrë një Rezolutë me të cilën do të dënoheshin krimet që kanë ndodhur në kohën e komunizmit.

Kadri Veseli përkujton Shaban Polluzhën në 71 vjetorin e rënies

0

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka përkujtuar heroin Shaban Polluzha në 71 vjetorin e rënies së tij.
“Në dimrin tragjik të vitit 1945, ky burrë i madh i Kosovës, u priu mijëra luftëtarëve në kryengritjen kundër terrorit komunist jugosllav, i cili po përgjakte pasivisht fshatrat dhe qytetet e Kosovës”, ka shkruar Veseli.

Ky është postimi i plotë i Veselit:

“Sot, në 71 vjetorin e rënies, kujtojmë me përulje, plakun e odave të Drenicës, komandantin me plis të bardhë, Heroin e Kosovës, Shaban Polluzha.

Në dimrin tragjik të vitit 1945, ky burrë i madh i Kosovës, u priu mijëra luftëtarëve në kryengritjen kundër terrorit komunist jugosllav, i cili po përgjakte pasivisht fshatrat dhe qytetet e Kosovës.

Kjo kryengritje tregoi fytyrën e vërtetë të regjimit titist, prandaj për 45 vite ky regjim u përpoq të njollosë dhe zhdukë kujtesën për te, por nuk ia doli. Kryengritja e Shaban Polluzhës përcaktoi vetëdijen politike të gjeneratave të Kosovës, deri në krijimin e UÇK-së.

Nderim të përjetshëm Shaban Polluzhës dhe luftëtarëve të tij!” (sic), ka shkruar Veseli.