Home Blog Page 6792

Aksident në Sopijë të Suharekës

0

Tri vetura me targa vendore me drejtues dy meshkuj dhe një femër janë përfshirë në aksident trafiku në mes veti në fshatin Sopijë të Suharekës, raporton PrizrenPress.

Policia e Kosovës njofton se aksidenti ka ndodhur për shkak të vozitjes së pakujdesshme nga ana e drejtuesit të njërës nga veturat e involvuara.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar një mashkull – pasagjer në njërën nga veturat e përfshira në aksident. I lënduari pas pranimit të ndihmës mjekësore është liruar. /PrizrenPress.com/

Fundi i diktatorëve!

0

Nga Faik Krasniqi

Ky pushtet i udhëhequr nga dyshja mafioze dhe kriminale, Mustafa-Thaçi, ka kohë që e kanë humbur legjitimitetin e popullit për të qeverisur. Kjo dyshe mashtruese dhe arrogante, shkeljen e Kushtetutës, mashtrimeve dhe gënjeshtrave, dhe me gjithë dështimet e njëpasnjëshme, nuk janë duke e marrë seriozisht indinjatën masive të popullit të gënjyer dhe mashtruar skajshmërisht. Por kështu është fundi i çdo diktatori dhe diktature. Ju kujtohet kur shpërtheu revolucioni i Libisë, diktatori libian Gaddafi kërkoi prej forcave të tij t‘i zënë ata që ai i quajti minj. Ai dha urdhër të prerë: “Tërhiqni ata, pastroni rrugët prej tyre!” Pastaj përsëriti shprehjen e tij të njohur: “shtëpi – shtëpi, rrugë- rrugë, skutë- skutë, sokak – sokak”, duke përdorur edhe një shprehje të papërdorur arabe “zenga-zenga”, e cila nga revolucionarët u kthye në një hit të llojit të vet. Por, ky ishte vetë fundi i diktatorit, i cili për më shumë se 42 vjet e sundoi vendin e vet me zjarr e hekur. Me këto metoda diktatoriale janë duke vepruar edhe këta diktatorët tanë në pushtet, me popullin e saj dhe opozitën. Dhe fundin do ta kenë me një rënie të turpshme nga pushteti, siç kanë rënë edhe diktatorët më të tmerrshëm që ka njohur historia. Prandaj, sa më këmbëngulës të jenë që nuk do të dorëhiqen, sikurse diktatori sirian Bashar Al Asadi, pavarësisht se kanë humbur legjitimitetin për të qeverisur, aq më dhimbshëm do të largohen nga pushteti.

Opozita s’duhet të ndalet me protesta paqësore të përditshme

Por shtrohet pyetja se çfarë duhet të bëjë opozita që t’i japë fund më shpejt kësaj Qeverie kriminelësh dhe oligarkësh? Opozita s’duhet të ndalet me protesta paqësore të përditshme, derisa ky pushtet kriminal dhe mafioz, të lëshojë pe për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja. Por, përveç organizimit të protestave për largimin nga pushteti këtë pushtet mafioz dhe kriminal, opozita duhet urgjentisht të bëjë edhe një platformë të përbashkët me shoqërinë civile dhe mediet, për udhëheqjen e këtij vendi, se si të dalim nga kjo gjendje e mjerueshme dhe si të ecim përpara. Sepse këtij populli i ka humbur besimi nga institucionet dhe duhet me vepra që t’i kthehet besimi i humbur. Prandaj, në zgjedhjet e ardhshme, partitë opozitare dhe ato jashtëparlamentare, duhet të bëhen të gjitha bashkë, por duke përfshirë në atë listë gjysmën e kandidatëve nga shoqëria civile, mediet dhe personalitete të pavarura dhe të respektuara në opinion. Me këtë listë të përbashkët jo vetëm që pushteti do jetë i garantuar, por kjo listë do të shënonte fitore të thellë karshi këtij pushteti mafioz dhe të kriminalizuar, të cilët mbajnë përgjegjësinë kryesore për shkatërrimin dhe degraduan këtij shteti.

Opozita e përbashkuar

Nëse opozita vepron në këtë mënyrë, në zgjedhjet qytetarët e Kosovës këtë kastë politike kriminale dhe mafioze, të cilët janë shndërruar në kancerin jo vetëm të shtetit, por të çdo qytetarit, me votën e tyre do ta ndëshkonin shumë keq. Këtë gjë përfaqësuesit e opozitës duhet ta mendojnë mirë, që është momenti i fundit për t’u bërë bashkë të gjithë ata që ia duan të mirën këtij vendi dhe duan t’i largojnë këta qelbësira nga pushteti. Opozita duhet t’i kontaktojë personalisht të gjithë personalitetet e pavarura dhe të respektuara, nga mediet, shoqëria civile dhe bota akademike, që janë kundërshtarët e mafio-politikës në pushtet, për t’iu bashkuar kauzës për parandalimin e degradimit, shkatërrimit dhe zhbërjes së shtetit.

Protestuesit godasin me vezë dhe domate objektin e bashkisë

0

Partia Demokratike ka nisur protestën e paralajmëruar para godinës së bashkisë së Tiranës.

Qytetarët janë mbledhur në rrugën kryesore përballë bashkisë, në sheshin “Skënderbe”.

Ata kundërshtojnë projektin e bashkisë së Tiranës për parkun e Liqenit, ku do të ndërtohet këndi i lojërave për fëmijë, mjaft i debatuar.

Protestuesit kanë qëlluar me vezë e domatë godinën, teksa para hyrjes së bashkisë është vendosur një kordon policësh, raporton Top Channel.

Komunat fqinje të Prizrenit nuk po i publikojnë Raportet e Auditorit

0

Raportet e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat financiare të vitit 2014 janë publikuar nga vetëm dy komuna fqinje të Prizrenit në ueb faqet e tyre zyrtare, derisa katër komunat tjera nuk i kanë prezantuar ato deri më tani.

Komuna e Suharekës dhe Komuna e Rahovecit janë të vetmet që kanë krijuar mundësinë për vizitorët e ueb faqeve zyrtare të tyre që të njihen me përmbajtjen e plotë të Raportit përkatës të Auditorit. Ndërsa Raporti i Auditorit nuk figuron në ueb faqet e komunave të Dragashit, Malishevës dhe Mamushës. Komuna e Shtërpcës në anën tjetër ka të publikuara raporte të viteve paraprake të Auditorit, por jo edhe atë për vitin 2014.

Raportet e nxjerra nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, siç thuhet edhe në hyrjet e Raporteve të Auditimit, “promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien pasi ato ofrojnë bazë për t’i kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore”. Në këtë rast, Raportet e Auditimit, ofrojnë bazë për të kërkuar llogari nga kryetarët e komunave përkatëse për mënyrën e qeverisjes së parasë dhe pasurisë publike, si dhe për të parë nëse shpenzimi i fondeve publike është në përputhje me interesin e taksapaguesve.

EC Ma Ndryshe e ka parasysh faktin se Raportet e Auditimit për këto komuna janë të publikuara dhe të qasshme për të gjithë në ueb faqen e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. Megjithëkëtë publikimi i tyre edhe në ueb faqet e komunave do të dëshmonte një përkushtim të vet lidershipit komunal për llogaridhënie dhe transparencë në menaxhimin e fondeve publike.

Po ashtu konsideron se informimi i publikut për praktikat e mira por edhe të metat e komunave në menaxhimin e financave publike paraqet një tregues të rëndësishëm për nivelin e transparencës së tyre.

Duke i marrë parasysh të gjitha këto, EC Ma Ndryshe rekomandon komunat fqinje të Prizrenit që Raportet e Auditorit të Përgjithshëm t’i publikojnë në ueb faqet e tyre në vazhdimësi, sikurse që të nisin edhe praktikën e hartimit dhe publikimit të raporteve periodike mbi gjendjen e zbatimit të rekomandimeve të adresuara nga Auditori i Përgjithshëm. /PrizrenPress.com/

Ragip Begaj sot del para gjykatës

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, do të dalë sot para gjykatës në rastin ndaj tij që ka të bëjë me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Seanca e dytë në rastin ndaj tij do të mbahet në Gjykatën Themelore të Gjakovës.

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Begajt pasi që dyshohet se gjatë muajve qershor – gusht të vitit 2014 në cilësinë e personit zyrtar ka shpërdoruar pozitën zyrtare dhe autorizimet e tij, me qëllim që një të dëmtuari t’i shkaktojë dëme, duke ia shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës.

Prokuroria pretendon se edhe pse i dëmtuari kishte kontratë të lidhur me Drejtorinë e Arsimit deri më 01.10.2015 si drejtor i shkollës fillore të mesme të ulët ‘Ganimete Tërbeshi’ në fshatin Astrazub, i pandehuri me dashje dhe me dijeni ka hapur konkurs pa ia ndërprerë më parë marrëdhënien e punës të njëjtit, duke e lënë pa vend pune dhe të ardhura për jetën. /Kallxo.com/

Arrestohet hajni serik i Suharekës

0

Pas një pune intensive, Policia e Suharekës ka arritur t’i bie në gjurmë të dyshuarit A. Jashari, i cili se bashku edhe me një tjetër që është në kërkim policor kishin kryer një seri vjedhjesh të rënda në Suharekë e rrethinë, raporton PrizrenPress.

Policia njofton se gjatë arrestimit të të dyshuarit i cili është kryer në Prishtinë, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësi të provës materiale nëntë kompjuterë lap-top, një televizor “plazma” dhe një “Mikst” muzikor.

Në konsultim me prokurorin e shtetit, i dyshuari ndalët nën masën e arrestit policor. /PrizrenPress.com/

Vjedhje-laptop

Meta, vizitë zyrtare në Suedi

0

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Suedi me ftesë të kryetarit të Parlamentit suedez (Riksdag), Urban Ahlin.

Mësohet se gjatë vizitës dyditore Meta dhe delegacioni parlamentar që e shoqëron do të zhvillojnë takime me personalitete të larta të Suedisë.

Kryetari i Kuvendit do të pritet në takime të veçanta nga ministri i Sipërmarrjes dhe Inovacionit, Mikael Damberg, ministrja e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit, Sabella Lovin dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Margot Ëallstrom.

Të martën delegacioni shqiptar do të vizitojë Parlamentin e Suedisë, ku do të zhvillohen takime me kryetarin e Parlamentit, Urban Ahlin dhe me kryetarët e disa komisioneve parlamentare.

Delegacioni shqiptar përbëhet nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Arta Dade, deputetët Kejdi Mehmetaj dhe Agron Duka./Shekulli.al

Anton Quni: Beogradi po dëshiron tensione në Kosovë (Video)

0

Deputeti Anton Quni, e quan paradoksal vendimin e Gjyatës së Nishit e cila shpalli fajotor ish- eprorët e UÇK-së, të brigadës 138 “Agim Ramadani”.

Në mesin e tyre bën pjesë edhe vetë deputeti Anton Quni.

Duke sqaruar se në 1998 ushtria serbe pësoi humbje të mëdha nga UÇK-ja, Anton Çuni thotë se me këtë vendim regjimi i Beogradit ka për qëllim të krijoj tensione në Kosovë. /21 Media/

Peticioni kundër Delawies, sulm kundër pavarësisë

0

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, peticionin e iniciuar për largimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, e ka cilësuar sulm ndaj pavarësisë së Kosovës.

Ai në një intervistë për “Epokën e re” ka thënë se kjo tendencë antiamerikane në Kosovë nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Hoxhaj i ka ftuar të gjitha subjektet politike ta dënojnë këtë akt. Ish-shefi i diplomacisë së Kosovës ka vlerësuar se frymën antiamerikane në Kosovë po e nxit përplasja e disa subjekteve politike me bashkësinë ndërkombëtare.

“Çdo sulm ndaj SHBA-së është sulm mbi qenësinë dhe identitetin tonë”, ka thënë Hoxhaj.

Opozita mobilizohet kundër Thaçit

0

Tri partitë opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, po mobilizohen për ta penguar zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës.

Jozyrtarisht mësohet se partnerët e koalicionit qeverisës po planifikojnë që zgjedhja e Thaçit president të ndodhë këtë të mërkurë, në një seancë të Parlamentit, të cilën gjë opozita po planifikon që të mos e lejojë.

Adonis Tahiri nga Lëvizja “Vetëvendosje” ka thënë për “Zërin” se ashtu siç kanë vepruar në seancat paraprake, njësoj do të veprojnë edhe në seancën kur pritet të bëhet zgjedhja e presidentit.

“Siç kemi vepruar edhe në seancat e fundit të Kuvendit, do të veprojmë edhe në seancën e ardhshme kur ajo të caktohet. Një president i zgjedhur në kushtet e një krize institucionale nuk mund të përfaqësojë asnjë institucion e aq më pak unitetin të cilin supozohet ta përfaqësojë edhe me Kushtetutë”, ka thënë Tahiri për “Zërin”.

Sipas Tahirit, Thaçi assesi nuk bën të jetë president i Kosovës, pasi që, siç ka thënë ai, kreu i PDK-së është një nga shefat kryesorë të nëntokës në Kosovë.

“Për më tepër, profili i Thaçit nuk bën assesi për president. Kundërshtimi i tij kap një front të gjerë shoqëror. Madje edhe shumica e elektoratit të LDK-së, që e kanë partner të koalicionit, janë kundër tij”, ka deklaruar Tahiri. /Zëri/