14 C
Prizren
E enjte, 16 Prill, 2026
Home Blog Page 6803

Koncert në kujtim të klarinetistit Qazim Bobaj

0

Në mbrëmjen e së martës do të mbahet një koncert që i dedikohet profesorit Qazim Bobaj i cili ka vdekur në vitin 1995.

Ky koncert prezantohet nga Orkestra Frymore dhe do të nis në ora 17:00 në Filharmoninë e Kosovës.

Nuk është hera e parë që në Kosovë organizohen koncerte me dedikim për klarinetistin Qazim Bobaj.

Qazim Bobaj-koncert

Me 9 janar do kërkohet edhe dorëheqja e Qeverisë

0

Opozita e bashkuar nga nëntë janari do të fillojë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa. Sipas opozitarëve Mustafa nuk ka më vend si i pari i Qeverisë prejse Kushtetuesja e vlerësoi se Asociacioni është në kundërshtime me frymën kushtetuese.

Në protestën e nëntë janarit, të cilën do ta organizojë Opozita e bashkuar, do të kërkohet edhe dorëheqja e Qeverisë së Kosovës, ka thënë në një konferencë për media, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, njofton Klan Kosova.

Por, jo vetëm me nëntë janar, dorëheqjen e Mustafës me ministrat e tij Ymeri tha se do ta kërkojnë tash e tuje vazhdimisht, në secilën protestë që do ta organizojnë.

Madje, Ymeri tha se kjo as që është dashur të kërkohet, sepse, sipas tij, Mustafa do të duhej të largohej nga posti i Kryeministrit në momentin që Gjykata konstatoi se parimet e përgjithshme të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk janë në një frymë me Kushtetutën e Kosovës.

Albini mbetet në arrest shtëpiak

0

Ish lideri i Vetëvendosjes do të qëndrojë në arrest shtëpiak, të paktën, deri më 17 shkurt.

Deputetit të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i është vazhduar arresti shtëpiak.

Këtë lajm e konfirmoi për KALLXO.com avokatja e Kurtit e caktuar sipas detyrës zyrtare, Hedije Ademi.

Nën këtë masë të sigurisë atij do t’i duhet të qëndrojë deri më 17 shkurt të vitit të ardhshëm.

Deputeti dhe ish lideri i Vetëvendosjes është arrestuar më 28 nëntor në Prishtinë pasi kishte marrë pjesë dhe kishte mbajtur fjalim në një tubim të opozitës në qendër të Prishtinës.

Ndaj tij është ngritur aktakuzë për shkak të dyshimeve për hedhje të gazit lotsjellës në sallë të Kuvendit të Kosovës, gjatë seancave të Kuvendit.

Fillimisht ndaj Kurtit ishte caktuar masa 30 ditëshe e paraburgimit, por më vonë kjo masë është zbutur në arrest shtëpiak.

Presioni ‘Special’ i Kosovës

0

Kosova ndjen presionin për Gjykatën Speciale

Plani i mbështetur nga BE-ja për të ngritur një gjykatë speciale për gjykimin e zyrtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte vazhdoi të shkaktonte reagime të zemëruara nga kundërshtarët e saj gjatë të gjithë vitit 2015.

Deputetët e Kosovës në vitin 2014 votuan për ratifikimin e një marrëveshje me Brukselin për ngritjen e një gjykate të re speciale e cila synon të ndjekë penalisht ish-luftëtarët e UÇK-së për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999 me forcat serbe, por polemikat mbi këtë çështje vazhduan të ziejnë gjatë të gjithë vitit 2015.

Kundërshtarët e Gjykata Speciale thonë se ajo do të shënjestrojë në mënyrë të padrejtë heronj kombëtarë që luftuan për lirinë e Kosovës nga sundimi serb, do të dëmtojnë imazhin e një “luftë të drejtë” dhe nga ajo do të përfitojnë armiqtë e vendit.

Disa gjithashtu u shprehën se sovraniteti i Kosovës do të vihet në rrezik sepse dhomat e gjykatës do të jenë pjesërisht të vendosura në Holandë, për t’u siguruar që ato të mund të punojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje.

Plani hasi probleme në qershor, kur deputetët nuk arritën të miratonin ndryshimet kushtetuese që synonin t’i hapnin rrugë themelimit të gjykatës dhe qindra veteranë protestuan kundër saj.

Kjo çoi në rritjen e presionit nga ana e mbështetësve ndërkombëtarë të Kosovës.

“Nëse nuk e krijoni vetë këtë gjykatë, nëse nuk ndërmerrni hapat tuaja për të vënë drejtësi, këtë gjë do ta bëjë komuniteti ndërkombëtar në vendin tuaj,” paralajmëroi diplomatja amerikane Viktoria Nuland gjatë vizitës së saj në Kosovë në muajin korrik.

Ligji prej 50 faqesh mbi Dhomat Speciale dhe Zyrës e Prokurorit të Posaçëm, i cili u negociua midis BE-së dhe Kosovës, u miratua më në fund në gusht, pas muajsh të tërë vonesash.

Tre partitë opozitare që kundërshtuan ashpër gjykatën e re, Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, bojkotuan raundin e dytë të votimeve.

Gjykata Kushtetuese në Prishtinë më pas refuzoi një kërkesë nga tre partitë për të rishqyrtuar themelimin e gjykatës.

Sipas legjislacionit, ‘dhomat speciale’ do të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë në vend, por do të jenë të pavarura nga gjyqësori i Kosovës.

Ato do të ndodhen në Kosovë, por gjithashtu në të ashtuquajturin ‘shtet pritës’ – Hollandë – dhe do të kenë juridiksion mbi krimet e kryera midis 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Gjykata pritet të dëgjojë çështje që rrjedhin nga një raport i Task Forcës Hulumtuese Speciale të BE-së, i cili tha se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së kryen një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besoheshin të ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit. Në krimet e tyre të dyshuara përfshihen vrasje, rrëmbime, burgosje të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Raporti implikonte Ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi, i cili ishte kreu politik i UÇK-së gjatë konfliktit me forcat serbe, por ai ka mohuar me vendosmëri çdo akuzë.

Në shtator Thaçi tha se Prishtina “nuk ka asgjë për të fshehur” nga gjykata e re, por refuzoi të spekulojë për të paditurit e mundshëm.

Në dhjetor, kryeministri Isa Mustafa më në fund lajmëroi atë që pritej prej shumë kohësh – se Hollanda do të jetë vendi pritës për gjykatën.

Marrëveshja nuk u bë publike, por sipas të përditshmes “Koha Ditore” në Prishtinë, pika më e vështirë e bisedimeve ishte çështja e përgjegjësisë ndërkombëtare në rast ankesash për shkelje të të drejtave të njeriut.

Holanda refuzoi të marrë përsipër ndonjë përgjegjësi nëse ankesa të tilla përfundojnë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg apo në Komitetin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Megjithatë, marrëveshja me Holandën duhet ende të miratohet nga dy të tretat e parlamentit të Kosovës.

Protesta dhe përfitime

Viti 2015 filloi me protesta nga shqiptarët e Kosovës të cilët kërkonin shkarkimin e një ministri serb në qeveri, Aleksandër Jablanoviç, i cili u akuzua se kishte ofenduar viktimat e luftës.

Jablanoviç shkaktoi zemërim kur ai i quajti “njerëz të egër” shqiptarët që nuk lejuan pelegrinët serbë të vizitonin një kishë në qytetin e Gjakovës gjatë Krishtlindjeve ortodokse.

“Njerëz të egër në Gjakovë i kanë shkatërruar festën njerëzve që erdhën në shtëpitë e tyre që u dogjën pas luftës në vitin 1999,” tha Jablanoviç.

Protestuesit shqiptarë e qëlluan me akull autobusin që transportonte pelegrinët serbë, duke pretenduar se disa prej tyre kishin marrë pjesë në krimet e luftës gjatë konfliktit të vitit 1998-1999.

Jablanoviç kërkoi falje për ofendimin, por u shkarkua nga kryeministri Mustafa më 3 shkurt.

Disa protesta u mbajtën edhe nga ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kërkonin pensione veteranësh që iu ishin premtuar nga shteti.

Në shkurt, një komision verifikimi i qeverisë njoftoi se kishte 23,684 veteranë lufte të UÇK-së – një shifër shumë më e vogël se 65,000 personat që aplikuan për të marrë statusin e veteranit.

Por vetëm në tetor autoritetet filluan të jepnin certifikata për veteranët e UÇK-së, e cila do të mund t’i lejojë ata të aplikojnë për pensione. Një veteran lufte i papunë do të marrë 170 euro në muaj.

Varrime dhe dënime

Në prill, njerëzit në fshatin Rezallë varrosën 28 trupa viktimash lufte që u zhvarrosën vitin e kaluar nga një varr masiv në jug të Serbisë. Gjatë vitit 2015, në Kosovë u riatdhesuan eshtrat e 54 viktimave të luftës.

Eshtrat u gjetën në një varr masiv në rajonin jugor të Rashkës në Serbi dhe ishin larguar nga Kosova në vitin 1999 si pjesë e një tentative për të mbuluar krimin.

Në janar, Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd publikoi një raport duke pohuar se shefi aktual i Ushtrisë Serbe Ljubisa Dikoviç, si komandant i Brigadës së 37-të të Ushtrisë Jugosllave gjatë konfliktit në Kosovë, ishte përgjegjës për vrasjet dhe largimin më pas të trupave të vdekur nga Rezalla.

Dikoviç ka mohuar të ketë kryer krime lufte dhe presidenti Tomislav Nikoliç këmbënguli se gjenerali ishte “një oficer i nderuar i Ushtrisë Serbe”.

Në nëntor, ai vizitoi Prishtinën për të nënshkruar një marrëveshje me NATO-n për të hequr kufizimet ajrore që u imponuan në vitin 1999, duke shkaktuar kështu zemërim midis viktimave të luftës.

“Kjo është një shkelje e dinjitetit të viktimave,” tha Bekim Blakaj nga zyra e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Prishtinë.

Në maj, dy ish-anëtarë të lartë të celulës “Grupi i Drenicës” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi, u dënuan për krime kundër civilëve gjatë konfliktit të viteve 1998-1999.

Lushtaku, kryebashkiaku i qytetit të Skenderajt në Kosovë, u dënua për vrasje dhe Selimi, ish-ambasador i Prishtinës në Shqipëri dhe ish-kreu i Forcës së Sigurisë së Kosovës, u shpall fajtor për torturimin e një të burgosuri civil.

Lushtaku u dënua me 12 vjet burg dhe Selimi me gjashtë vjet, pas një gjyqi të profilit të lartë që u shoqërua me protesta kundër ndjekjeve penale të ish-luftëtarëve UÇK-së dhe një arratisje nga burgu i tre të pandehurve. Nëntë persona të tjerë u dënuan gjithashtu në gjyq.

Në nëntor, gjykata e apelit në Prishtinë hodhi poshtë apelet nga tre ish-luftëtarë të UÇK-së të njohur si “Grupi i Llapit” – përfshirë edhe dy deputetë aktualë – të cilët ishin dënuar në vitin 2013 për torturimin e të burgosurve gjatë kohës së luftës.

Latif Gashi, një deputet nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK), partia qeverisëse, u dënua me gjashtë vjet burg, ndërsa Rrustem Mustafa, gjithashtu deputet i PDK-së, u dënua me katër vjet burg. I pandehuri i tretë, Nazif Mehmeti, u dënua me tre vjet burg.

Refuzim në Paris

Pas fushatash intensive lobimi si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi, kërkesa e Kosovës për t’iu bashkuar UNESCO-s dështoi kur kjo kërkesë nuk mori mjaftueshëm vota në konferencën e përgjithshme të organit kulturor në Paris në nëntor.

Ministri i jashtë Hashim Thaçi tha pas votimit se Prishtina do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n.

Por presidenti serb Tomislav Nikoliç e përshkroi votimin si një triumf për vendin e tij, i cili nuk do që pretendimi për pavarësi i ish-provincës së tij të pranohet në botë.

“Kjo është një fitore e justifikuar dhe morale në kushte pothuajse të pamundura,” tha Nikoliç.

Midis turbullirave të mëdha politike brenda Kosovës, me deputetët e opozitës që ndërpresin vazhdimisht seancat parlamentare në shenjë proteste ndaj marrëveshjeve të mbështetura nga Brukseli me Serbinë, dhe dështimin e Prishtinës për të siguruar liberalizimin e vizave me BE-në, ky ishte një fund vit zhgënjyes për autoritetet. /Kallxo.com

Begaj: Rezultatet, tregojnë se kemi punuar

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se rezultatet e punëve, janë treguesi dhe vlerësimi më i mirë i punës sonë gjatë këtij viti.

Ai thotë se është munduar maksimalisht t’i realizojë objektivat për këtë vit, gjë që sipas tij, ja ka arritur, duke i realizuar projektet e parapara, por edhe duke filluar me disa projekte tjera.

“Rezultatet e punëve tona, janë treguesi dhe vlerësimi më i mirë i punës sonë gjatë këtij viti. Janë dhënë disa vlerësime të organizatave të ndryshme, që monitorojnë punën e komunës dhe vlerësimi i dalë, deri më tani është pozitiv, por kjo nuk duhet të na kënaq, prandaj, kërkoj që në vitin e ardhshëm të jemi edhe më të angazhuar”, tha Begaj, në fillim të mbledhjes së fundit të rregullt të Këshillit të Drejtorëve.

“Jam munduar maksimalisht ti realizojmë objektivat për këtë vit, gjë që mendoj se ja kemi arritur, duke i realizuar projektet e parapara, por edhe duke filluar me disa projekte tjera, dhe këtë e kemi arritur, falë punës së përbashkët me të gjitha drejtoritë”.

Begaj kërkoi nga drejtorët komunal që në vitin e ardhshëm të jenë edhe më të angazhuar, në realizimin e projekteve.

“Kërkoj që në vitin e ardhshëm të jemi edhe më të angazhuar, në realizimin e projekteve, por mbi të gjitha, në ofrimin e shërbimeve sa më të mira për të gjithë banorët e Komunës së Malishevës”, tha Begaj, duke i porositur përgjegjësit e drejtorive komunale, për angazhim edhe më të madh në vitin 2016.

Në këtë vit, Komuna e Malishevës, duke u bazuar në të dhënat e publikuara nga disa organizata, që e monitorojnë punën e komunave, si KDI, GAP dhe “EC Ma Ndryshe”, është renditur në vendin e parë në regjion për transparencë, për realizimin të premtimeve, si dhe ndër të parët në vend, në realizimin e buxhetit, në investime kapitale, në investimin e të hyrave vetanake në projekte, dhe të tjera. /PrizrenPress.com

Begaj me drejtore

Ndërron jetë Stevie Wright

0

Stevie Wright, njeriu i parë i rock bendit The Easybeats, ka vdekur në moshën 68 vjeçare.

Artisti ishte njëri nga interpretuesit më të dashur të Australisë gjatë vitit 1960.

Ai thuhet të jetë nxituar në spital në New South wales të shtunën, ndërsa vdiq të dielën.

Grupi ishte i famshëm për shumë këngë, duke përfshirë: “Friday On My Mind”, “Sorry”, She’s so Fine”, “Wedding Ring”, dhe “Good Times”, dhe të tjera.

Stevie Wright

Ueb-faqet e komunave, joserioze dhe pa përmbajtje

0

Instituti për Kriminologji dhe Kriminalistikë (ICCJ) në Kosovë, ka bërë një hulumtim-analizë dy vjeçare mbi funksionalitetin, përmbajtjen e informatave dhe lehtësinë e qasjes në ueb faqet zyrtare të komunave të Kosovës.

Nga ky hulumtim, ICCJ ka gjetur se ueb faqet zyrtare të komunave në Kosovë përveç se kanë mangësi në përmbajtjen e tyre, ato kanë edhe mungesë serioziteti dhe mos përgjegjësi në listim të e-mailave zyrtarë të zyrtarëve komunal.

Po ashtu, ICCJ ka konstatuar se tri komuna me shumicë serbe ajo Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, ueb faqet e tyre zyrtare i kanë në konstruksion tash e dy vite dhe kjo tregon pa përgjegjësi ndaj qytetarëve të këtyre komunave dhe mos gatishmëri për të pranuar formatin standard që e kanë edhe komunat tjera në Kosovë.

Kurse një ngecje tjetër në përmbajtje të ueb faqeve komunale është edhe ai i përditësimit të informatave në gjuhët zyrtare duke publikuar informacione vetëm në gjuhën e shumicës që graviton në atë komunë dhe duke lënë anash qytetarët e etnive tjera që jetojnë në Kosovë.

“Sa i përket lidhjes së ueb faqeve komunale m e rrjetet sociale shumica e komunave nuk e kanë bërë një gjë të tillë, por edhe në ato raste kur e kanë bërë këtë e kanë bërë nëpërmjet e-mailit personal të ndonjërit zyrtar e jo nga e-maili gjenerik i komunës.

Mirëpo një tjetër veprim jo serioz i ueb faqeve komunale është edhe mungesa e listimit të e-mailve zyrtar të personelit Një pjesë e madhe e zyrtarëve komunal, në ueb-faqen e komunës kanë të publikuar vetëm e-mail-a personal privat”, thuhet në njoftim.

ICCJ në vitin 2015-të ka kontaktuar gjithsejtë 86 zyrtarë komunal në 29 komuna të ndryshme, kurse përgjigje ka marrë vetëm nga 14 prej tyre, kurse në vitin 2014-të nga 102 zyrtarë të kontaktuar janë përgjigjur po ashtu vetëm 14-të sosh.

ICCJ nëpërmjet një komunikate ka thënë se rekomandon komunat që të fokusohen më shumë në funksionalizimin dhe rifreskimin e ueb-faqeve të tyre, pasi që një pjesë e madhe e qytetarëve iu referohen faqeve zyrtare për të marrë informata, ngase funksionalizmi i ueb faqeve komunale do të ndihmonte zyrat kadastrale, administratën publike, zyrat për urbanizëm etj, të cilat janë të stërngarkuara nga fluksi i qytetarëve, për të marrë një informatë të thjeshtë, dhe e cila mund të gjendej në ueb faqe, nëse e njëjta do të ekzistonte aty.

Në anën tjetër, parakusht për aplikimin e suksesshëm të e-qeverisjes është funksionimi dhe mirëmbajtja e faqeve zyrtare të komunave.

Lidhja e ueb faqeve zyrtare me rrjetet sociale, do të ishte një mundësi e mirë për komunat që të promovojnë punën e tyre, duke pasur parasysh faktin se sa shumë qytetarët e Kosovës i frekuentojnë rrjetet sociale.

Mustafa e Thaçi të shkojnë në shtëpi

0

Pas shkeljes së Kushtetutës, e domosdoshme dorëheqja e Qeverisë

Vazhdimi i rezistencës së dy aktorëve kryesorë të koalicionit PDK-LDK, kryeministrit Mustafa dhe zëvendësit të tij Thaçi, që të mos ndihen fare përgjegjës edhe pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Asociacionit, dhe të mos e pranojnë aktin e dorëheqjes, për ekspertët e fushës së legjislacionit dhe të Kushtetutës kjo është një nga mënyrat më të skajshme të abuzimit dhe kapjes së shtetit nga njerëz të papërgjegjshëm. Sipas tyre, këta zyrtarë të lartë janë në gjendje të rrënojnë gjithçka në këtë vend, vetëm e vetëm që të ruajnë pozitat dhe privilegjet e tyre, edhe duke u sjellë mbi ligjet dhe mbi Kushtetutën.

Profesor Muhamet Kelmendi thotë, për gazetën Kosova Sot, se Qeveria duhet ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të dorëhiqet, për të shkuar në zgjedhje të reja ose për përgatitje të terrenit deri në ato zgjedhje me Qeveri teknike, të anulohen edhe marrëveshjet e nënshkruara nga kjo Qeveri.

“Pas dhënies së vendimit-aktgjykimit, nga ana e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe në Kosove, duke e shprehur mendimin se kjo është në kundërshtim me frymën kushtetuese në tri baza kryesore dhe atë: 1. Me nenin tre mbi multinacionalitetin e shtetit të Kosovës, 2. Mbi nenet që rregullojnë të drejtat dhe detyrat e liritë e qytetarëve të përcaktuara me Kushtetutë dhe 3. Mbi të drejtat e komuniteteve, është e qartë se Qeveria duhet të reflektojë. Pra, me vendim u pa qartë se Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, e këtij viti, nuk është në përputhje me Kushtetutën”, shprehet Kelmendi.

Sipas tij, Qeveria duhet të reflektojë në dy drejtime: 1. Në anulimin e marrëveshjes së këtij viti dhe 2. Në reflektim politik duke dhënë dorëheqje nga pozitat e shtetit.

“Këto dy çështje janë pasojë e drejtpërdrejtë e vendimit të Gjykatës”, thotë Kelmendi.

Ai ka pohuar se me sjelljen injorante të Qeverisë karshi vendimit të Gjykatës Kushtetuese po rrezikohet stabiliteti i shtetit.

“Qeveria nuk duhet të sillet sikurse nuk ka ndodhur asgjë. Në shkencën politike, politikanët e ndërgjegjshëm dhe të moralshëm, edhe për gabime shumë më të vogla japin dorëheqje”, thotë profesor Kelmendi. /Kosova Sot

Opozita nuk do dialog, vetëm zgjedhje

0

Tri subjektet opozitare në vend e përjashtojnë mundësinë e dialogut me Qeverinë për dalje nga kriza politike, ato kërkojnë zgjedhje për të dalë nga kjo situatë.

Opozitarët thonë se pas vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen për Asociacionin, Qeveria e ka humbur përfundimisht legjitimitetin.

Sipas tyre, Kushtetuesja e ka vërtetuar qëndrimin e opozitës se me këtë marrëveshje është shkelur akti më i lartë juridik në vend, prandaj ata konsiderojnë se Qeveria duhet të japë dorëheqje. Përfaqësuesit e opozitës thonë se zgjedhjet janë i vetmi opsion për dalje nga kriza politike në të cilën është zhytur vendi tash e katër muaj.

Por, koalicioni qeveritar nuk është i interesuar tash për tash për zgjedhje.

Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka thënë se zgjedhjet nuk janë opsion për dalje nga kjo situatë, ndërsa, sipas tij, edhe më tutje ka hapësirë për dialog, madje ai ka thënë se oferta për dialog ende vlen për opozitën. /Zëri

Eneda Tarifa shkon në ‘Eurosong 2016’ (Video)

0

Eneda Tarifa me këngën “Përrallë” është fituesja e edicionit të 54 të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Kënga fituese e këtij festivali do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong Contest 2016, në Suedi.

Vendin e dytë e zuri Aslaidon Zaimaj me këngën “Merrmë që sot”, kurse vendi i tretë i takoi Flaka Krelanit me këngën“S’je për mu”.

“Do të bëj të pamundurën që ta përfaqësoj sa më mirë Shqipërinë”, ka thënë menjëherë pasi mori këtë çmim nën emocione të mëdha Tarifa.

 

Eventi më i rëndësishëm i muzikës shqiptare, u zhvillua në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, nën prezantimin e dyshes, Blerta Tafani dhe Pandi Laço dhe me drejtor artistik Elton Dedën.

https://youtu.be/3XAW4Gwcf0Y