12.5 C
Prizren
E enjte, 16 Prill, 2026
Home Blog Page 6806

Përfshihet në flakë një shtëpi në Rahovec

0

Në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri shtëpia e një banori nga fshati Senovc i komunës se Rahovecit.

Rastin në polici e ka raportuar pronari i shtëpisë.

Njësitet policore dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin.

Përveç se janë shkaktuar dëme materiale në vlerë të konsiderueshme, nuk raportohet për të lënduar.

Siç bën të ditur policia rasti është duke u hetuar. /PrizrenPress.com

Të përkthesh Martin Amis

0

Pas endjes prej dy vitesh për të sjellë në shqip një autor si Jason Goodwin, përkthyesi Fari Laçka tashmë po punon mbi veprën e një tjetër autori britanik, Martin Amis. “Treni i natës”, dhe “Shtëpia e takimeve” që pritet të vijë së shpejti nga botimet “Saras” na njohin me një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit XXI

“Takimet me Martin Amis nuk janë të thjeshta”. Kështu do t’i quante orët e gjata të punës për të përkthyer në gjuhën gjermane librat më të njohur të këtij autori përkthyesi Werner Schmitz. Pavarësisht gjuhës dhe frazave në dukje të thjeshta, kërkon një përgatitje të madhe kulturore përpara se “të takohesh me të” sipas Schmitz. I konsideruar si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të këtij shekulli, dhe për vetë polemikën aktuale që mbajnë veprat e tij, Amis këtë vit ka ardhur dhe për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese “Saras”. “Treni i natës” është romani i tij i parë në gjuhën shqipe, përkthyer nga Fari Laçka. Një libër që na çon në Brooklin e sotëm, përmes një historie ku mund të gjejë veten çdo lexues pavarësisht se ku jeton. Dramat bashkëkohore, dhe gjërat më të ndjeshme me të cilat shoqëria përballet sot, përbën boshtin e librave të Amis. Kjo vjen dhe nga angazhimi i tij gjithnjë e më në rritje në jetën sociale politike, duke qenë shpesh në qendër të polemikave mbi çështje siç është ajo e terrorizmit, ose emigracionit në SHBA. “Treni i natës” është një histori që lexohet lehtë. Një libër jo voluminoz, por që mbart brenda shumë tema që gjejnë zgjedhje përmes faqeve të leximit, si dhuna, incesti, vetëvrasja dhe dashuria. Më poshtë përkthyesi Fari Laçka vjen në një rrëfim mbi këtë autor.

Së afërmi pritet që shtëpia botuese të hedhë në treg një tjetër libër të autorit Martin Amis, i titulluar “Shtëpia e takimeve”? Ç’mund të na thoni për shkrimtarin?

Ky libër vjen në vazhdën e bashkëpunimit të frytshëm me shtëpinë botuese “Saras”, në përpjekjen për të sjellë në shqip larmi veprash, autorësh dhe tematikash. Në përgjithësi, të përmbledhësh opinionin për një njeri të letrave, apo artit në përgjithësi, e për një shkrimtar si Martin Amis në veçanti, vetëm në një paragraf, apo në disa rreshta, po të përdorim një shprehje popullore, është si të kërkosh gjilpërën në kashtë. Në fakt, unë mendoj se një shkrimtar nuk duhet ‘lexuar’, por ‘studiuar’. Besoj se vepra e cilitdo prej tyre mbështetet në përvojën vetjake, e cila sintetizohet pastaj në mendimet, ose estetikën e shkrimtarit ose shkrimtares në veprat e tyre. Prandaj, gjatë përkthimit të një vepre letrare, vështirësia e punës së përkthyesit paraqitet në disa rrafshe. Kultura e vendit e gjuhës nga vjen vepra, e gjuhës amtare, e autorit dhe pastaj ajo e fituar nga vetë përkthyesi. Në këtë pikë, Martin Amis mund ta quajë autor jo pak të vështirë. Babai i tij ishte shkrimtar me emër. Pra, familja i ka trashëguar dell artisti. Në Shqipëri, vepra e tij po vjen për lexuesit nga shtëpia botuese “Saras” vetëm tani në vitin 2015, ndërkohë që ai është i njohur në shumë vende të botës dhe fitues i shumë çmimeve.

Përpara se të përkthenit Amis, ju keni sjellë në shqip sagën e njohur të librave ku ndërthuret trilleri me historinë të një tjetër shkrimtari britanik, Jason Goodwin. Ku ndryshojnë dhe ngjasojnë këta dy autorë?

E përbashkëta e tyre është se janë të dy autorë bashkëkohorë britanikë dhe të dy rrjedhin nga familje me tradita letrare. Kurse e veçanta, te fakti se ata përcjellin tematika dhe epoka të ndryshme. Nëse si histori, Goodwin e mbështeste veprën te periudha e shekullit XIX, kur Perandorisë Osmane po i vinte fundi, Amis është më i shqetësuar për krizat dhe problemet që po kalon në përgjithësi shoqëria njerëzore sot. Shumë vetë e dinë se ai është shumë i angazhuar me trajtimin e temave sociale dhe diskutimin mbi to. E veçantë tjetër është dhe stili. Jason përdorte një mënyrë të përshkruari me të cilën ndoshta shprehte edhe njëfarë nostalgjie për kohën që kishte kaluar vetë në Stamboll, të cilin e përshkruan mjaft bukur, ndërsa Amis, përdor herë një stil më të dendur, e herë më të thjeshtuar, që bie sidomos në sy në librin e dytë, “Shtëpia e takimeve”.

“Treni i natës”, libri i parë i tij i botuar rreth dy muaj më parë, kishte si temë zvetënimin e vlerave të shoqërisë së sotme, po tema qendrore e librit “Shtëpia e takimeve”?

Kjo pyetje lidhet me atë që shpreha pak më parë. Amis në brendi të veprës së tij ka një larmishmëri të habitshme. Nëse lexuesit do të lexonin librat e tij, pa e ditur se kush është autori, me siguri që do të thoshin se nuk janë shkruar nga një dorë, ose mendje. Është e vërtetë që në librin e parë, si bazë për librin ka marrë një dukuri tepër të hasur, për fat të keq, edhe në shoqërinë shqiptare: vetëvrasja. Por, ai e përdor këtë argument për të shtjelluar pikëpamjet e tij mbi shoqërinë në përgjithësi, mbi problemet aktuale, si dhuna në familje, dhuna ndaj gruas, depresioni, obeziteti, alkoolizmi etj. Është vërtet e mahnitshme që në ato pak faqe të librit, përqendrohet një mori e tillë temash e problemesh. Te “Shtëpia e takimeve”, ai ka vendosur të trajtojë një vend dhe sistem të cilin nuk e ka jetuar vetë. Ngjarja zhvillohet në Rusi, ose më mirë në ish-Bashkimin Sovjetik. Sigurisht që ai nuk është as i pari dhe as i fundit që ka bërë një libër për periudhën e stalinizmit, apo komunizmit në Rusi. Për këtë kanë parë dritën e botimit me dhjetëra libra histori, por përshkrimi nga ana letrare, i jep një ngjarjeje gjithnjë forcë më të madhe emocionale. Kjo ngjarje zhvillohet në pjesën më të madhe në gulagun e famshëm të regjimit komunist në Rusi. Shumëkush i njeh këto kampe pune të detyruara, ku sipas të dhënave vdiqën shumë njerëz. Mos harrojmë se të njëjtën strategji ndoqi edhe regjimi komunist në Shqipëri, i frymëzuar kryekëput nga ai sovjetik. Një regjim majmunesk, do ta quaja unë, i cili nuk kurseu jo vetëm njerëz të thjeshtë, por edhe ata që kishin derdhur gjak e sakrifikuar me ëndrrën për të vendosur një regjim të së drejtës, të lirisë dhe barazisë. Por, siç thotë autori, kjo ëndërr u kthye në zhgjëndërr, në një Delirium Tremens. Jo më kot personazhi kryesor i librit është një ish-partizan, pjesëmarrës i Luftës së Dytë Botërore, i cili në vend të meritave, një ditë të bukur merr dhjetë vjet dënim me punë të detyruar dhe sakaq e sheh veten të rrethuar nga telat me gjemba.

Dhe pse duket një autor i errët, dashuria nuk mungon në librat e tij?

Dashuria, kjo ndjenjë e cila, ndërkohë që duket sikur Amis kërkon ta shmangë, shfaqet edhe më fuqishëm. Libri flet për historinë e pazakontë të dy vëllezërve, të cilët bien në dashuri me të njëjtën grua. Një ‘trekëndësh dashurie’ siç e quan autori që në fillim. Dilema është: kë do të zgjedhë Zoja, një femër e bukur hebreje, vëllain e madh, ish-partizan, i pashëm, i fuqishëm, me emër, apo vëllain tjetër Leon, më të vogël në moshë, thatanik, i shëmtuar, pa asnjë përvojë?

Megjithatë, një roman i Martin Amis nuk është se orvatet vetëm në një temë…?

Po, e drejtë, në një roman të këtij autori mund të gjesh disa tema. Ndër to do të përmendja raportin shtet-individ, i cili siç dihet në atë periudhë ishte krijuar në formën më të keqe të mundshme, gjë të cilën për fat të keq e hasim edhe sot. Është tema e terrorizmit, tepër bashkëkohore, e cila ka ngritur në këmbë shumë shtete e qeveri, por autori tërthorazi del në idenë se ai që quhet terrorizëm jo rrallë përkrahet dhe mbështetet edhe nga vetë shteti. Pra, është terrorizëm shtetëror që bëhet për qëllime të caktuara, të cilat vështirë se kuptohen nga njerëz të zakonshëm. Në majë të kësaj pene të hollë kritikuese vendoset edhe shtypi që shumë shpesh manipulon në funksion të shtetit e synimeve të errëta.

Çfarë kanë të përbashkët këto personazhe?

E përbashkëta qëndron në faktin se deri në njëfarë mase të tre janë viktima të sistemit ku bënin pjesë. Dy vëllezërit u dënuan dhe vuajtën në gulag, ndërkohë që edhe Zoja, nuk ishte më pak e burgosur jashtë telave me gjemba të kampit. Në fakt, atmosfera e përshkruar është disi e zymtë. Pjesën më të madhe shkrimtari flet për gulagun në zonat më të ftohta, në Arktik, por më i ftohtë se klima ishte sistemi i asaj kohe në Bashkimin Sovjetik, ku pa dallim, edhe vetë qytetarët rusë u ndien të zhgënjyer nga rrjedha që mori historia. Dy vëllezërit janë burgosur në një kamp pune të detyruar, ku për një kohë të gjatë nuk shihnin diell me sy dhe e vetmja gjë që i ngrohte ishte ndjenja dhe kujtimet për gruan që e dashuronin të dy: Zojën. Dashuria ishte motivi që mbante gjallë shpresën e tyre të venitur dhe ëndrrat e shuara. Ndërsa, për të tjerat ata paraqesin dy anë diametralisht të kundërta. Vëllai i madh një njeri i ashpër, i dhunshëm jo vetëm për shkak të kohës së kaluar në luftë, por edhe për atë pas luftës, ku për të mbijetuar njerëzit ktheheshin në shtazë, në ujq për njëri-tjetrin. Madje, është interesante se hierarkinë e të burgosurve autori e ka shprehur nëpërmjet personifikimit. Disa të burgosur i quan derra, disa gjarpërinj, disa shushunja, e kështu me radhë.

Ky libër i ri i Amis, duket sikur do t’i kujtojë lexuesit të shkuarën tonë…siç është dhe komunizmi?

Të them të drejtën, kohën e komunizmit në vendin tonë e kam përjetuar në momentet e tij të fundit, por mjaftueshëm sa të jap një gjykim timin. Megjithatë, më kujtohen shumë mirë për shembull radhët e gjata për të blerë shumë produkte që mungonin, ndër të cilat edhe më elementarja: buka. Ky është vetëm një aspekt, sepse në librin e tij Amis cek edhe marrëdhëniet e artistëve, sidomos e shkrimtarëve me pushtet. Ai thotë shprehimisht kështu: dy ishin alternativat, ose bashkëpunimi, ose vdekja. Nga kjo dhe nga shumë të tjera, duket sikur autori ka jetuar edhe në Shqipërinë e epokës së komunizmit. Por, pikërisht ky është gjenialiteti i tij. Siç e thotë edhe vetë te ‘Falënderimet’, ai është frymëzuar edhe nga shumë libra e autorë të tjerë, si për shembull Montefiore, i përkthyer edhe në shqip.

Cilat ishin vështirësitë gjatë këtij përkthimi?

Sipas mendimit tim, në njëfarë mënyre, çdo përkthim ka vështirësinë e vet. Edhe te ky libër vështirësitë dalin në planin leksikor, domethënë të fjalëve që është e natyrshme t’i mungojnë leksikut, dhe në atë stilistik, mënyra e të rrëfyerit. Amis është shumë cinik dhe i thellë në mendim.

Pse një lexues duhet të lexojë librat e Amis?

Pa dashur të biem në klishe, dihet që shijet nuk gjykohen. Në këtë pikëpamje, edhe lexuesi në përgjithësi zgjedh llojin letrar, autorin apo temë që i pëlqen. Por, unë do të thosha se ky libër do t’u shërbente të dyja kategorive të lexuesve: atyre që e kanë përjetuar nga afër një regjim të egër si komunizmin, por edhe atyre që nuk kanë qenë pjesë e tij. Kjo shërben që historinë jo thjesht ta lexojmë, por ta studiojmë, të mos e harrojmë, ndërkohë që brezat e rinj të nxjerrin mësimet e duhura dhe të shmangin përsëritjen e epokave kaq të errëta për njeriun. Ata që shijojnë letërsinë e vërtetë, kurrsesi nuk do të ndihen të zhgënjyer nga një autori si Martin Amis. Ndërsa unë do ta përktheja gjithnjë me po aq endje, edhe pse kur punoj me veprën e tij, kam përherë dilemën se çfarë mund të kisha bërë edhe më mirë. /Gazeta Shqip

Xhavit Haliti i del kundër Qeverisë dhe kërkon llogari nga ajo

0

Xhavit Haliti nga PDK kërkon përgjegjësi nga qeveria pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Thotë se është krijuar një situatë shumë serioze.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, po kërkon nga delegacionet e Kosovës që janë të përfshirë në bisedime me Serbinë në Bruksel që të reflektojnë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese rreth marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kushtetuesja të mërkurën dha mendimin e vet se disa pjesë të kësaj marrëveshjeje, të nënshkruar më 25 gusht, përbëjnë shkelje të Kushtetutës, ndërsa zyrtarët e lartë të qeverisë kanë thënë se do ta respektojnë këtë vendim.

Por për Xhavit Halitin, që është deputet dhe anëtar i kryesisë së PDK-së, respektimi i vendimit të Kushtetueses nuk mjafton.

“Kjo është situatë shumë serioze e cila ka krijuar situata të pakëndshme për institucionet e Kosovës. Nuk duhet thënë vetëm ‘ne e respektojmë’… Politikanët kushdoqofshin ata, kur bëjnë gabime apo shkelje, duhet të marrin vendime në përputhje me të metat dhe gabimet që i kanë bërë”, tha Haliti në një deklaratë për KALLXO.com.

Sipas tij, Qeveria tani sa më parë do të duhet të dalë dhe të reagojë në lidhje me këtë vendim.

“Qeveria duhet ta marrë parasysh vendimin e Gjykatës, dhe të fillojë me shpejtësinë më të madhe ta implementojë këtë vendim, ta bëjë ekzekutimin e duhur me aktet ligjore dhe nënligjore, që do të duhet të nxirren dhe në këtë formë të shkohet në Bruksel për të biseduar”, tha Haliti.

Ai tha se të gjitha ato pika që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e vendit, duhet të cilësohen inekzistente.

“Qeveria do të duhej të shpallë që nuk ekzistojnë këto marrëveshje dhe normalisht që do të duhet të bisedohet edhe me negociuesit dhe zonjën (Federika) Mogerini”, tha Haliti. /Kallxo.com

Sinan Aliaj, Ramadan Mujës: Shko në shtëpi!

0

Kryetari i Nismës për Kosovë në Prizren, Sinan Aliaj, i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës, Ramadan Muja, që në vitin e ardhshëm, vullnetarisht të shkojë në shtëpi.

Ai tha se qyteti i Prizrenit nuk mund të qeveriset nga një kryetar i dënuar dhe i moshuar.

“Prizreni nuk e meriton që të udhëhiqet nga një kryetar, që është dënuar nga gjykata”, ka thënë Aliaj për TVPZ, transmeton PrizrenPress.

Aliaj tha se kryetari Muja bashkë me drejtorët tij, duhet t’i thërrasin mendjes së tyre dhe të binden se kanë bërë shumë gabime gjatë qeverisjes së tyre.

“Ata ndoshta kanë pasur vullnet të mirë për të punuar, por ja që nuk kanë ditur dhe kanë bërë shumë gabime, prandaj edhe duhet të shkojnë në shtëpi”.

Ai ka kritikuar edhe partitë opozitare, të cilat pas dënimit të Ramadan Mujës dhe drejtorëve të tij, kanë pranuar të shkojnë në institucionet e Komunës.

“Nisma nuk është në Kuvend. Por, sikur të ishte nuk do të kishte pranuar që të shkoja në një institucion që drejtohet nga një kryetar i dënuar”.

Sinan Aliaj ka folur edhe për zgjerimin e Nismës në Prizren. Ai tha se Nisma në Prizren, po zgjerohet ngadalë,por me hapa të sigurt.

“Jemi duke u zgjeruar”.

“Nisma është e gatshme sikur edhe nesër po të shkojmë në zgjedhje”./PrizrenPress.com/

Analistët: Zgjedhjet e reja, pas Speciales

0

Njohësit e çështjeve politike në vend kanë bërë me dije se, duke u bazuar në situatën aktuale politike, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

Dukagjin Gorani dhe Nexhmedin Spahiu kanë thënë për “Epokën e re” se zgjedhjet do të mbahen vitin e ardhshëm, por pasi ta nisë punën Gjykata Speciale.

Hyseni tregon huqjet e Gjykatës Kushtetuese (Video)

0

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se duhet të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, ndonëse nuk i ishte drejtuar një pyetje e tillë nga presidentja Atifete Jahjaga.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” Hydajet Hyseni, kryesues i Këshillit të Përgjithshëm në Lëvizjen “Vetëvendosje”, duke shtuar se pyetja për Gjykatën ishte nëse marrëveshja për “Zajednicën” ka qenë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për të cilën ka konstatuar se nuk është në pajtim me pjesën më të madhe të aktit më të lartë juridik të vendit.

Sipas tij, marrëveshja për “Zajednicën” e shpie Kosovën drejt Republikës serbe të Bosnjës, pasi që, siç ka thënë ai, kjo mbron vetëm interesat e serbëve të Kosovës, por jo edhe të qytetarëve të kombësive tjera dhe bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

Opozita: Protesta deri në rrëzimin e Qeverisë

0

Protesta gjithëpopullore e 9 janarit 2016, e paralajmëruar nga tri subjektet opozitare, do të pasohet me protesta tjera masive deri në rrëzimin e Qeverisë “Mustafa”. Kështu kanë deklaruar të premten përfaqësuesit e subjekteve opozitare në vend.

Opozitarët thonë se kjo Qeveri nuk mund të vazhdojë të funksionojë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi, sipas tyre, “gardiani i Kushtetutës” ka dëshmuar se me Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit është shkelur akti më i lartë juridik në vend.

Zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, ka thënë se protesta e 9 janarit nuk do të jetë e dhunshme, por, sipas tij, opozita do të protestojë në mënyrë masive derisa shkelësit e Kushtetutës të largohen nga pushteti.

“Jo, nuk do të jetë e dhunshme. Opozita do të protestojë në mënyrë masive paqësore dhe nuk do të lejojë qetësimin e situatës derisa ata që shkelin Kushtetutën dhe sjellin marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të ikin nga pushteti”, është shprehur Krasniqi.

Ai më tej ka thënë se zgjedhjet janë një opsion për dalje nga kriza.

“Zgjedhjet janë një opsion, por kriza nuk mund të tejkalohet për aq sa në krye të vendit kemi njerëz të kriminalizuar që janë në gjendje të shkelin çdo ligj e kushtetutë vetëm që t’ia realizojnë Serbisë kërkesat shoviniste”, ka shtuar Krasniqi.

Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se Qeveria “Mustafa” duhet të bjerë, pasi, sipas tij, kjo Qeveri i ka shkaktuar shumë dëme vendit, prandaj edhe nuk e meriton të qëndrojë më gjatë në pushtet.

“Tani Gjykata Kushtetuese me vendimin e vet tregon se pjesa kryesore e kësaj Marrëveshje e ka dëmtuar interesin e shtetit dhe se është shkel Kushtetuta. Kjo Qeveri duhet të japë dorëheqje dhe të lëshojë rrugë që të mbahen zgjedhjet e reja dhe të vijë një qeveri e cila mbron integritetin dhe sovranitetin e vendit dhe që e zhvillon vendin”, ka potencuar Isufi. /Zëri

Pushteti e injoron Kushtetuesen

0

Vendimi për Asociacionin, Qeveria i bën bisht përgjegjësisë

“Ata akoma po vazhdojnë të thonë se paskan punuar mirë në Bruksel, dhe se kanë përfaqësuar krejtësisht në rregull shtetin e Kosovës”, tha Mazllum Baraliu për “Kosova Sot”.

Pasi që interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me konstatimin se në masë të madhe ka elemente që bien ndesh me Kushtetutën e vendit, ka krijuar një situatë të re, kjo Marrëveshje detyrimisht duhet të rishikohet.

Analistët dhe njohësit e fushës së legjislacionit kushtetues konsiderojnë se tani edhe bisedimet në vijim me palën serbe do të mund të kanalizohen më mirë dhe nuk ka ndonjë rrezik që të futet në situatë krize dialogu me Serbinë, edhe pse Marrëveshja për Asociacionin duhet të rishikohet.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, thotë se situata e re e krijuar është meritë e opozitës së bashkuar dhe e Gjykatës Kushtetuese, që parandalon rrënimin e shtetit, dhe tani procesi duhet të riniset me kujdes dhe maturi të madhe.

“Kjo e bën më të vështirë lojën e Beogradit me Prishtinën, më parë Beogradi e kishte më lehtë, kur duke tërhequr për hunde të parin e Kosovës apo parinë e Kosovës tërhiqte për hunde gjithë Kosovën”, tha ai. /Kosova Sot

Gjykata Speciale në tetor ngre aktakuzat e para

0

Aktakuzat e para për krimet e supozuara të UÇK-së nuk do të mund të ngrihen para tetorit të vitit të ardhshëm.

Kështu bëjnë të ditur burime ndërkombëtare të gazetës “Zëri”, sipas të cilëve, deri në atë kohë pritet të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme nga ana e institucioneve ndërkombëtare dhe vendore.

Javë më parë është raportuar se shumë dëshmitarë të mbrojtur, bashkë me familjarë të tyre, tashmë janë vendosur në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, të cilët pritet të dëshmojnë gjatë muajve në vijim kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas funksionalizimit të Gjykatës Speciale.

Burime të gazetës bëjnë të ditur se bëhet fjalë për dëshmitarë shumë të rëndësishëm, të cilët kryesisht kanë qenë ish-eprorë të UÇK-së dhe që kanë pranuar të dëshmojnë në proceset gjyqësore të Gjykatës Speciale kundër ish-bashkëluftëtarëve të tyre.

Gjykata Speciale pritet të funksionalizohet gjatë vitit 2016 në Holandë, e cila do t’i trajtojë akuzat për krime lufte që burojnë nga raporti i senatorit zviceran, Dick Marty. /Zëri

Limaj: 205 mijë qytetarë ndalën “Zajednicën”

0

Lideri i partisë opozitare Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj duke folur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin dhe peticionin e qytetarëve kundër dy marrëveshjeve, ka thënë se qytetarët ishin të bindur se këto marrëveshje ishin jokushtetuese.
Ai me anë të një postimi në Facebook, ka vlerësuar se ishin nënshkrimet e qytetarëve që detyruan presidenten Jahjaga që këtë marrëveshje ta dërgojë në Kushtetuese, e cila me vendimin e saj vërtetojë se qytetarët kishin të drejtë.

Ja postimi i plotë i Limajt:

Mbi 205 mijë qytetarët e Republikës tonë që nënshkruan peticionin kundër marrëveshjes për Zajednicën, ishin të bindur se ajo marrëveshje nuk është në interes të Kosovës, ishin të bindur se është në kundërshtim me kushtetutën prandaj edhe e hodhën nënshkrimin në peticion për ta kundërshtuar atë.

Qeveritarët bërtisnin, e betoheshin se “asnjë germë, e asnjë presje e kushtetutës” nuk është shkelur.

Kur deputetët dhe qytetarët përmes protestës përpiqeshin të mos lejojnë zbatimin e kësaj marrëveshje qeveria përdori dhunën, duke shtypur protestat, duke burgosur deputet e qytetar. Të gjitha këto i bëri duke u thirrur në mbrojte të shtetit ligjor dhe zotohej se do ta zbatonte këtë marrëveshje pavarësisht peticionit të qytetarëve, pavarësisht prej protestave të tyre.

Shumëkush me të drejt duke e ditur fatin e peticioneve në të kaluarën e panë me skepticizëm organizimin e atij peticionit, duke menduar se edhe ky do të ketë të njëjtin fat si të tjerët, por kjo nuk ndodhi sepse peticionit me numrin më të madh të nënshkruar ndonjëherë, opozita e bashkuar si organizatore e këtij peticioni u bë zëri i fuqishëm i gjithë të nënshkruarve dhe ishte shumë e vendosur në kërkesat e saj.

Prandaj të gjithë ju që nënshkruat peticionin jeni kontribuues të drejtpërdrejt që presidentja ta dërgoj këtë marrëveshje në gjykatën kushtetuese, e pastaj gjykata nxjerri aktgjykimin që e vërtetoj se qytetarët kishin të drejtë në kundërshtimin e tyre se marrëveshja ishte antikushtetuese, dhe përfundimisht u qartësua se qytetarët ishin në mbrojtje të kushtetutës, përderisa qeveria kishte shkelur kushtetutën.