13.3 C
Prizren
E enjte, 16 Prill, 2026
Home Blog Page 6807

Sylë Hoxhaj: Korrupsioni nuk luftohet pa prokurorë

0

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren,Sylë Hoxhaj, ankohet se nuk ka staf të mjaftueshëm për të luftuar korrupsionin. Ai tregon se numri i prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesional në institucionin që drejton, është i vogël.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk luftohet pa staf të mjaftueshëm”, tha Hoxhaj, për RTV Besa,transmeton PrizrenPress.
Sipas tij, numri i prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesional duhet të rritet.

“Institucionet e kanë për obligim që të kompletojnë stafin e Prokurorisë për të luftuar korrupsionin”.

“ Nëse plotësohen kërkesat, ju garantoj se do të kemi më shumë rezultate”.

Kryeprokurori Hoxhaj tregoi se gjatë vitit 2015-të, Prokuroria në Prizren, ka shënuar rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai premton se angazhimi në luftimin e korrupsionit nuk do të mungojë edhe gjatë vitit 2016-të./PrizrenPress.com/

Prizren: Familja Beqiri bëhet me shtëpi të re

0

Familja katër anëtarshe Beqiri nga lagja “ Bajram Curri” në Prizren, është bërë sot me shtëpi të re. Ndërtimi i shtëpisë për këtë familja skamnore është bërë falë ndihmës së një bashkatdhetari.
Iniciativa për ndërtimin e shtëpisë për familjen Beqiri, që jetonte në fshatin Xërxe të Dragashit, ishte marrë nga drejtuesit e Radio “ Pendimi”.

“Pas vizitës që i bëmë kësaj familje, jemi ndier shumë të shqetësuar për gjendjen e rëndë pa kurrfarë kushte elementare banimi, dhe menjëherë kemi publikuar shpallje për t’i dal në ndihmë”, tha Hevzi Hasani, drejtues i Radio “Pendimi”.

“Jemi kontaktuar nga donatori vullnetmirë, i cili ka premtuar që të gjitha shpenzimet për ndërtimin e shtëpisë t’i bart, dhe tani ndjehemi të gëzuar që po i mundësohet këtyre jetimëve një jetë më e dinjitetshme”, tha Hasani.

Pjesë e dorëzimit të çelësave të shtëpisë së re të kësaj familje, ishte edhe imami, Fadil Musliu.

“Kjo është një vepër dinjitoze dhe shumë e madhe. Nuk ka fjalë dhe punë më e madhe se sa t’i ndihmohet njeriut dhe njëri-tjetrit, sepse sipas parimit islam, një person që e gëzon një vëlla të tij apo besimtarë në këtë botë, krijuesi do t’a gëzojë atë në botën tjetër”.

Ndërkaq, Fadile Beqiri, nënë e tre jetimëve, pasi që bashkëshorti i saj, kishte ndërruar jetë pas një sëmundje të rëndë kohë më parë, nuk gjente dot fjalën për të falënderuar ata që ndihmuan familjen e saj për të pasur kulm mbi kokë”.
Ndërtimi i shtëpisë ka kushtuar 30 mijë euro./TV Prizreni/

Shani Berisha: Trashëgimia kulturore në Prizren është degraduar

0

Kuvendari i Bashkimit Demokratik(BD) në Prizren, Shani Berisha thotë se trashëgimia kulturore në këtë qytet është degraduar. Sipas tij, institucionet nuk kanë arrit të ruajnë trashëgimin e Prizrenit.

“Trashëgimia kulturore historike,është treguese e jetës së kaluar të popujve ndër shekuj. Qyteti i Prizrenit, kishte një trashëgimi kulturore,që sot më është atakuar”, thotë Berisha.

“Përpjekjet e dashamirëve të kësaj trashëgimie me tentimet e tyre të aplikimit të tre metodave: konservim,restaurim,dhe rikonstruimi,tani më kanë dalë të pasuksesshme apo të dështuar”,
“Edhe pse në ruajtjen e këtyre vlerave në qytetin e Prizrenit,ekzistojnë tri institucione zyrtar: Institutit për Trashëgimi Kulturore e Historike,Këshilli i për ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore të Zonës Historike,dhe Inspektorati i Ndërtimtarisë,atakimet dhe degradimet e kësaj kulture nuk janë ndalur!”.

“Po të ishin në nivelin e përgjegjësive të tyre, këto organe,dhe vetëm po t’i referoheshin Planit rregullues urbanistikë të konservimit, i cili ekziston që nga vitit 2006, sot gjendja në drejtim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore historike në qytetin e Prizrenit, do të ishte ndryshe për të mirë”/PrizrenPress.com/

Padi për tradhti kombëtare ndaj Thaçit e Mustafës

0

Shkruan: Florim Zeqa

Argumente të fuqishme juridike nga Gjykata Kushtetuese

Vetëm izolimi (burgosja) e shkaktarëve të “kancerit” politik është shpëtim për vendin

Gjykata Kushtetuese ishte dashur të veprojë me standarde të njëjta, siç kishte vepruar edhe më parë me shkelësit e Kushtetutës, pra me shkarkimin e tyre nga detyrat shtetërore

Pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ku thuhet se është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ngritja e padisë për tradhti kombëtare ndaj Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, nuk është më padi e bazuar në dyshime, por në fakte dhe argumente të fuqishme juridike.

Në këtë rast, Prokuroria e Shtetit, pa asnjë hezitim, duhet të ngritë padi penale ndaj dy liderëve shtetërorë, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, nën akuzat për shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rrezikim të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit e pasuar me arrestimin e tyre dhe lirimin e menjëhershëm e të gjithë kundërshtarëve të marrëveshjeve fatkeqe për vendin, të arrestuar nga aparati policor i shkelësve të kushtetutës (Thaçi-Mustafa).

Se vërtet marrëveshjet e Brukselit janë të dëmshme për vendin e kishin pohuar edhe diplomatë të pakorruptuar ndërkombëtarë, si psh. analisti dhe diplomati amerikan Danier Serwer, i cili për Asociacionin ishte shprehur kështu, po citoj; “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është i definuar etnikisht dhe mund të bëhet një bërthamë e fortë e strukturave të ndara qeverisëse serbe në Kosovë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund ta pengojë Kosovën si Republika Srpska, Bosnjën…”

Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë me urgjencë

Pra, verdikti i Gjykatës Kushtetuese doli të jetë në përputhje të plotë me mendimet e analistëve, njohësve të rrethanave politike dhe ekspertëve juridikë.

Në verdiktin final të Kushtetueses dolën të jenë në shpërputhje me Kushtetutën e vendit jo një, por shumë pika të marrëveshjeve të Brukselit për Asociacionin e komunave serbe.

Andaj, në këtë rast, edhe sikur të ishte vetëm një pikë e vetme, Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë me urgjencë për ngritje akuze dhe arrestim imediat të nënshkruesve të marrëveshjeve politike të Brukselit; të asaj të 19 prillit 2013 nga Hashim Thaçi dhe të 25 gushtit 2015 nga Isa Mustafa në cilësinë e kryeministrave të vendit.

Që të dytë, pa dallim, nga mbrojtës të interesave të vendit u shndërruan në shkelës dhe tradhtarë të interesave vitale të Republikës së Kosovës.

Thënë ndryshe, Gjykata Kushtetuese e konstatoi publikisht dhe parimisht se Asociacioni i komunave etnike serbe (siç e kemi quajt me të drejtë Zajednicën serbe-kancer i shtetit të Kosovës), tërësisht nuk përputhet me kushtetutshmërinë, madje në shumë pika del jashtë kornizave të saj.

Vetëm izolimi (burgosja) e shkaktarëve të “kancerit” politik, është shpëtim për vendin, në të kundërtën, “kanceri majlind” i shkatërrimit të shtetit të Kosovës do të zhvillohet hovshëm dhe pa asnjë pengesë.

S’ka dyshim se të gjithë jemi pajtuar me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, për shkeljet në shumë pika të marrëveshjes, por megjithatë i ka munguar elementi bazik, ai i shkarkimit të nënshkruesve të marrëveshjeve antikushtetuese. Pasi, as i pari, Hashim Thaçi, nënshkruesi i marrëveshjes së 19 prillit 2013 dhe as i dyti, Isa Mustafa, nënshkrues i së njëjtës marrëveshje me 25 gusht 2015 nuk ishin “barinj delesh”, por kryeministra, liderë shtetërorë, njëri jurist e tjetri ekonomist me profesion, madje ky i fundit edhe me titull “akademik” i shkencave…!!!

Gjykata e tha fjalën e vet

Prandaj, edhe në këtë rast, Gjykata Kushtetuese ishte dashur të veprojë me standarde të njëjta, siç kishte vepruar edhe më parë me shkelësit e Kushtetutës, pra me shkarkimin e tyre nga detyrat shtetërore!

Vetëm kështu do të hapej rruga dhe do të hiqeshin të gjitha dilemat rreth Asociacionit etnik serb, përkundër të drejtave dhe privilegjeve të shumta askush nuk i pengon komunat serbe në anëtarësimin e Asociacionit të komunave kosovare, pasi në asnjë nen apo paragraf të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk parashikohet krijimi i asociacioneve një-etnike, me kompetenca të zgjeruara ekzekutive.

Verdikti në pritje i Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (Zajednicës), kishte nxitë opinione të ndryshme në mesin e deputetëve të pozitës dhe opozitës, shqetësime dhe skepticizëm të arsyeshëm para opinionit vendor dhe ndërkombëtar.

E gjithë kjo për faktin, se është hera e parë, që kjo gjykatë kishte të merrte një vendim tepër të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, nën drejtimin e kryetares së re të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, zonjës Arta Rama-Hajrizi.

Se a do të bëhet zonja Arta Rama-Hajrizi, në kuptimin pozitiv “Nëna” e drejtësisë kosovare, mbetët të shihet në ditët në vazhdim, me rekomandimin për ngritje të padisë penale ndaj shkelësve të Kushtetutës.

Punimet në Hamamin e Prizrenit rifillojnë me 57 mijë euro

0

E gjithë çatia e Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren, do të mbulohet me pllaka të plumbit si dhe do të vendosen xhamat rrethorë për ndriçimin e brendshëm të hamamit nëpër kube dhe qemerë. Krejt këto do të bëhen me 57.730 eurot që Ministria e Kulturës ka ndarë për vazhdimin e punimeve në Hamamin e Prizrenit, të ndërprera në shtatorin e vitit 2014. Punimet që do të rifillojnë në vitin 2016, siç është thënë, nuk do të ndërpriten më deri në realizimin e projektit në tërësi. Për shkak të kushteve atmosferike në stinën e dimrit, punimet nuk do të rifillojnë tani për tani edhe pse mjetet janë ndarë.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi Kulturore, thotë se gjendja e ndërtesës së Hamamit në Prizren, nuk është e keqe pavarësisht se investimi për këtë vit është vonuar pak. “Kjo ka ndodhur si rezultat i procedurave dhe procesit të konsultimeve dhe miratimeve në përputhje me legjislacionin dhe zyrën e UNESCO-s”, ka treguar Aliu. Ajo ka thënë se shuma për këtë vit është 57.730 euro. “Është shumë e rëndësishme që punimet të vazhdohen edhe vitin e ardhshëm deri në përfundimin e plotë ashtu si është përcaktuar në projekt. Projekt ky i hartuar dhe tenderuar nga UNESCO dhe i njëjti duhet te zbatohet”, është shprehur Aliu, sipas të cilës rifillimi i punimeve mund të bëhet atëherë kur janë të përshtatshme kushtet klimatike. “Në përputhje me projektin, dokumentin e paramasës dhe parallogarisë është e përcaktuar shuma 669,587.40 euro”, ka thënë Aliu për “Zërin”.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, shprehet se gjendja në objektin e Hamamit të qytetit të Prizrenit, është relativisht e mirë, duke pasur parasysh faktin që mbi 80 për qind e çatisë së objektit është e mbuluar me pllaka të plumbit nga faza paraprake e punimeve të realizuar përmes investimeve të bëra nga ana e UNESCO-s. “Për fat të keq në pjesën jugore të Hamamit ku gjenden depot e ujit dhe disa qemerë në pjesën qendrore, që janë vjedhur nga persona të pandërgjegjshëm, prej të cilave pjesë po depërton lagështia në brendi të Hamamit”, ka thënë Hoxha, sipas të cilit në bazë të kërkesave të vazhdueshme nga ana e QRTK-së, drejtuar MKRS-së, që të ndajë mjete për përmbylljen e fazës së parë të punimeve të cilat kanë mbetur të papërfunduara. “Këtë vit MKRS-ja ka marrë vendim për ndarjen e shumës në vlerë prej 57,730 eurove për përfundimin e punimeve të mbetura për këtë fazë”, ka thënë Hoxha për “Zërin”.

Ai ka treguar se me këtë shumë të mjeteve financiare është paraparë që të përfundojnë punimet për fazën e parë. “Pas vjedhjes së një sasie të konsiderueshme të plumbit, gjatë këtij viti, natyrisht se do të nevojitet edhe një shumë e mjeteve shtesë për përmbylljen e punimeve të parapara me projekt”, ka treguar Hoxha, duke shtuar se me këto mjete sipas projektit të aprovuar nga ana e institucioneve të MKRS-së dhe UNESCO-s, do të mbulohet e gjithë sipërfaqja e çatisë me pllaka të plumbit si dhe do të vendosen xhamat rrethorë për ndriçimin e brendshëm të Hamamit nëpër kube dhe qemerë. “Me projektin për restaurimin dhe rehabilitimin e Hamamit, kanë qenë të parapara të vendosen xhamat për ndriçimin e brendshëm të hamamit, por për shkak të mungesës së fondeve për t’u furnizuar me xhama të përcaktuara me projekt, përkohësisht është vendosur që të mos hapen këto vrima, derisa të mos sigurohen mjete për furnizimin me xhamat e paraparë me projekt”, ka thënë Hoxha.

Sikurse Vjollca Aliu edhe Samir Hoxha thotë se me përmasimin e kushteve atmosferike do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për rifillimin e punimeve, pasi që tashmë mjetet janë siguruar nga ana e MKRS-së. “Është i njohur fakti së në kushte atmosferike jo të volitshme konkretisht në stinën e dimrit nuk lejohet të zhvillohen punimet restauruese, sidomos kur bëhet fjalë për punimet e jashtme”, ka thënë Hoxha.

Shafi Gashi, kryetar i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ka thënë se KKTK-ja çështjen e Hamamit të Prizrenit e ka diskutuar edhe me ministrin e Kulturës, Kujtim Shalën. “Nuk i dimë arsyet pse janë ndalë punimet në Hamamin e Prizrenit, por kemi kërkuar që të ndalet degradimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Gashi, derisa ka shtuar se kanë kërkuar nga ministri Shala që kur të nisë restaurimi i një objekti të trashëgimisë kulturore të ndahet një fond për monumentet. “Me atë fond do të përfundoheshin të gjitha punimet, që të mos ndodhë siç ka ndodhur me Hamamin që gati dy vjet janë ndërprerë punimet”, është shprehur Gashi.

Gjatë muajit mars të 2015-s, “EC Ma Ndryshe” ka bërë një hulumtim mbi punimet në Hamamin e Prizrenit, në bazë të të cilit ka konsideruar se mospërmbyllja e punimeve në objektin e Hamamit e bën atë të cenueshëm, prandaj dhe duhen ndërmarrë veprime të menjëhershme për përmbylljen e punimeve restauruese dhe shtimin e masave të sigurisë, duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për një monument shumë të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.

Valon Xhabali, nga kjo organizatë, thotë se Ministria e Kulturës dhe akterët e tjerë relevantë janë vonuar me sigurimin e fondeve për përfundimin e punimeve. “Dhe në këtë rast janë treguar joseriozë dhe jo të përgjegjshëm ndaj ruajtjes së vlerave historike”, është shprehur Xhabali, duke shtuar se prej kohës kur janë ndalur punimet objekti ka pasur edhe dëmtime tjera si: vjedhja e plumbit, mbeturinat përreth objektit, pamje jo e mirë edhe për turistët.

“Punimet janë monitoruar nga ekspertë vendorë dhe të jashtëm, por ne mendojmë që nuk janë konsultuar edhe komunitetet tjera si p.sh komuniteti i arkitektëve, artistëve e sidomos qytetarët, sepse për ne shumë me rëndësi është edhe kujtesa kolektive sepse Hamamit i është ndërruar pamja, pa marrë parasysh deklaratat e ekspertëve që kanë qenë të angazhuar e që thonë së kanë dëshmi/fakte se si ka qenë Hamami në të kaluarën”, ka thënë Valon Xhabali, derisa është shprehur se ka pasur mundësi të punohet më mirë dhe me më shumë kujdes, duke e ditur që Hamami është një monument me shumë vlera.

Gjithçka gati për Festivalin e RTSH-së

0

Në Tiranë kanë përfunduar përgatitjet për Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar, që zgjedh këngën që do ta përfaqësojë Shqipërinë në festivalin e këngës evropiane, Evrovizion 2016.

Gjysmëfinalja e parë do të mbahet sonte, më 25 dhjetor, për të vazhduar më 26 dhe me finalen më 27 dhjetor.

Në dy netët e para do të performojnë nga 15 këngëtarë, nga të cilët do të përzgjidhen 9 për çdo natë, për në natën finale.

Teuta Kurti, Flaka Krelani, Ardian Lulgjuraj, Eneda Tarifa, Kozma Dushi, Dilan Beka, Sigi Bastri, Jozefina Simoni, Luiz Ejlli, Klodjan Kaçani e Rrezarta Smaja janë disa prej atyre që do të prezantohen për t’u zgjedhur mes tyre fituesi që e përfaqëson Shqipërinë në Suedi sivjet, ku edhe mbahet sivjet ky festival.

Drejtori artistik i Festivalit të RTSH-së për këtë edicion është kantautori Elton Dedaj.

Vitin e kaluar Shqipërinë në Evrovizion e përfaqësoi Elhaida Dani me këngën “I’m alive”.

Prezantimin më të mirë ndonjëherë të Shqipërisë në këtë festival presitigjioz, vazhdon ta ketë Rrona Nishliu me vendin e pestë në Evrovizion 2012.

Analistët: Isa Mustafa, duhet të ikë si Sejdiu dhe Pacolli

0

Njohësit e çështjeve politike, vlerësojnë se Kryeministri Isa Mustafa duhet të dorëheqet, pasi që sipas tyre ai ka bërë shkelje të Kushtetutës, me nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit. Duke e cilësuar se Kushtetuta nuk shkelet shumë ose pak, por ose shkelet ose jo, thonë se Kryeministri duhet ta mbajë përgjegjësinë.

Po ashtu analistët kanë thënë se në këto rrethana kjo situatë nuk mund të kalohet, thuaj se nuk ka ndodhur asgjë.

Analisti, Imer Mushkolaj ka thënë për Gazeta Blic, se me nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e Asociacionit Kryeminist Mustafa, ka bërë shkelje të Kushtetutës, andaj sipas tij ai duhet ta bëjë të njëjtën që e kanë bërë edhe dy presidentët e mëhershëm, Fatmir Sejdiu dhe Behgjet Pacolli.

“Nëse Fatmir Sejdiu ishte shkarkuar nga posti i të parit të vendit për shkak të shkeljes së Kushtetutës, nëse për arsye të njëjta postin e presidentit nuk mundi ta mbajë as Behgjet Pacolli, pse u dashka të amnistohet Mustafa?”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas Mushkolajt, nëse shkelja e Kushtetutës ‘përmirësohet’ është një çështje tjetër, por ajo çka duhet bërë tani nga opinioni dhe opozita, është kërkimi i dorëheqjes se ti.

“Opozita dhe opinioni publik duhet të kërkojnë dorëheqjen e Musfatës, si veprimi më i përgjegjshëm dhe normal në një situatë të tillë”, ka thënë Analisti.

Në anën tjetër Analisti, Nexhmedin Spahiu ka vlerësuar për Gazeta Blic se opozita ka “fituar” duke kundërshtuar marrëveshjen.

Sipas tij, vendimi i Kushtetusës është një kompromis.

“Vendimi i Kushtetuesës është një kompromis mes qëndrimeve krejtësisht diametrale por që moralisht i jep të drejtë opozitës dhe e turpëron skajshmërish pushtetin”, ka thënë Spahiu.

Po ashtu ky analist vlerëson se edhe në këto rrethana situata nuk do të qetësohet në vend.

“Konflikti vazhdon”, ka thënë shkurt, Nexhmedin Spahiu.

Një mendim ndryshe nga analistët tjerë në lidhje me vendimin e Kushtetuesës e ka Analisti Fadil Lepaja i cili vlerëson se vendimi ka qenë i motivuar politikisht.

“Padyshim që është një vendim i motivuar politikisht, qoftë i motivuar për të mbrojtur marrëveshjen, qoftë për të qetësuar opozitën”, ka thënë Fadil Lepaja. /Gazeta Blic

Persida Asllani: Mos kini frikë nga letërsia erotike

0

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, e quan një stuhi në gotë debatin për librin “Vrima” të Rita Petros, fitues i çmnimit “Lumo Skëndo”.

“Kushtet specifike të kulturës shqiptare, por edhe censurimi i stërgjatë i këtij lloj ligjërimi nga letërsia botërore kanë sjellë për pasojë një ngërç në leximin e letërsisë erotike. Do t’i ftoja lexuesit të mos kenë frikë prej saj, por të shkojnë drejt leximesh të reja, të cilat vetëm do t’u hapin një horizont të ri dhe do t’i ndihmojnë të njohin më mirë vetveten”.

“Në letërsinë shqipe, ky libër thellon traditën apo edhe sprovat eksperimentale që te Naimi e De Rada, për të vijuar me Migjenin, Kutelin, Nitan e Josif Reles, Anton Pashku, Martin Camaj, Agron Tufa, Fatos Lubonja, Fatos Kongoli, etj”.

“Bibliofili dhe autori i ‘Hi dhe shpuzë’, Mit’hat Frashëri, i cili me siguri e ka njohur formulimin e hijshëm të Andre Bretonit se ‘Fjalët në letërsi, tek e fundit, bëjnë veç dashuri’, do ta kishte mirëpritur si në bibliotekën private, ashtu edhe në librarinë e tij të famshme këtë libër, duke i vendosur edhe vulën e konceptuar prej tij: ‘Librarija Lumo Skendo’.”

Për 24 orë, 94 aksidente në Kosovë

0

Policia e Kosovës njofton se brenda 24 orëve në Kosovë kanë ndodhur 94 aksidente, prej tyre 65 pa të lënduar, ndërsa 29 raste më të lënduar.

Nuk është raportuar për aksidente me fatalitet.

Poashtu, policia bën të ditur se janë bërë tetë arrestime, dhe tetë janë në mbajtje.

Ndërsa, janë shqiptuar 608 gjoba trafiku për të gjithë ata që kanë shkelur rregullat e komunikacionit.

Në Malishevë, e gjejnë dorasin e një vrasje

0

Pas një pune hetimore në Kijevë të Malishevës, policia ka arrestuar të dyshuarin mashkull i cili dyshohet të ketë poseduar një armë Zastava e kalibrit .7.62 mm.

Kjo armë përputhët me gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes së një rasti.

Me vendim të Prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje, raporton Policia e Kosovës.